zoom

Day ArchiveJa pse njerëzit e zgjuar preferojnë të rrinë vetëm

Shumë njerëz mendojnë se vetmia është pasojë e mungesës së aftësive sociale apo e mungesës së miqve përreth.

Por, faktet tregojnë se edhe kur jemi të rrethuar nga njerëz apo mes turmave, mund të ndjehemi të vetmuar.

Vetmia nuk është ndjesi e këndshme. Por, shumë studime tregojnë se njerëzit me koeficient të lartë inteligjence janë më pak të prirur të zenë miq.

Megjithatë pyetja që ngrihet është se a janë të lidhura inteligjenca dhe vetmia. A janë njerëzit e mençur më të vetmuar? Nuk ka një përgjigje të prerë, por ajo që dihet është se individët inteligjentë janë më të prirë ndaj ankthit dhe ankthi shpesh çon në vetmi.

Në shoqërinë e sotme, sidomos gratë, përballen me pritshmëri të larta: të jenë tërheqëse, të afta, të kenë kohë për vetëzhvillim përmes librave dhe njëkohësisht të kujdesen për pamjen e jashtme. Ky presion i vazhdueshëm ka bërë që gjithnjë e më shumë gra të zgjedhin vetminë, qoftë përmes udhëtimeve vetëm, ku nuk u duhet të kënaqin të tjerët apo të varen nga dikush.

Për një kohë të gjatë, gratë beqare janë etiketuar si të vetmuara, një gjë që rrallë i ndodh burrave. Por, në të vërtetë, burrat dhe gratë janë të barabartë në nevojën për hapësirë personale. Për ata që duan të njohin njerëz të rinj, të çlodhen apo të përjetojnë ndjesinë e lirisë, vetmia nuk është frikshme.

Të rinjtë sot e shfrytëzojnë fundjavën për udhëtime të shkurtra, shpesh me persona që i takojnë për herë të parë. Edhe pse këto udhëtime janë të shkurtra, ato ndihmojnë në uljen e stresit.

Nga ana tjetër, njerëzit inteligjentë shpesh vlerësojnë autonominë. Ata preferojnë të marrin vendime vetë, pa ndikime të jashtme, dhe të ndjekin rrugën e tyre. Vetmia, për ta, nuk është izolim është hapësira që i lejon të mendojnë lirshëm, të eksplorojnë ide të reja dhe të ndjekin qëllimet e tyre me përqendrim dhe vetëkontroll.

Kjo nuk do të thotë se ata i shmangen marrëdhënieve shoqërore. Përkundrazi, ata zgjedhin me kujdes dhe e shndërrojnë praninë e tyre në shoqëri një “luks” të rrallë, që të tjerët e presin me padurim.

Çdo individ është i ndryshëm. Ndërsa disa njerëz shumë inteligjentë janë më produktivë kur punojnë vetëm, të tjerë mund të ndihen më të motivuar në prani të të tjerëve. Të jesh vetëm nuk do të thotë të jesh i vetmuar. Njerëzit me inteligjencë të lartë mund të kenë marrëdhënie të forta dhe njëkohësisht të shijojnë përfitimet e vetmisë.

Për ta, kjo vetmi krijon mundësi për fokus të thellë, mendim kritik dhe krijimtari, elementë thelbësorë për çdo projekt apo përpjekje personale.

Ministri izraelit kërkon që Gaza të aneksohet nëse Hamasi nuk dorëzohet

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i bëri thirrje Qeverisë së tij që të nisë aneksimin e pjesëve të Rripit të Gazës nëse Hmasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – refuzon të dorëzohet.

Ministri i ekstremit të djathtë, i cili ka qenë i zëshëm kundër një marrëveshjeje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare, e paraqiti planin e tij për “fitore në Gazë deri në fund të vitit” gjatë një konference për media të mbajtur në Jerusalem.

Sipas propozimit të Smotrich, Hamasit do t’i jepej një ultimatum për t’u dorëzuar, për t’u çarmatosur dhe për të liruar pengjet që ende mbahen në Gazë që nga sulmi i grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor 2023, që nxiti luftën.

Nëse Hamasi refuzon, Smotrich tha se Izraeli duhet të aneksojë nga një pjesë të territorit për çdo javë dhe ta përmbyllë aneksimin për katër javë, duke e sjellë Rripin e Gazës nën kontrollin e plotë izraelit.

Sipas Smorichit, palestinezëve fillimisht do t’iu thuhej që të zhvendoseshin në jug të Gazës, pasi Izraeli të rrethonte pjesën veriore dhe qendrore të territorit për të mposhtur çdo militant të mbetur të Hamasit, dhe më pas shteti do të aneksonte territorin.

“Kjo mund të arrihet për tre deri në katër muaj”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë teksa forcat izraelite po zhvillojnë një ofensivë të madhe me synim marrjen e kontrollit mbi Qytetin e Gazës – qytetin më të madh të këtij territori – pavarësisht shqetësimeve në rritje për fatin e civilëve palestinezë atje.

Shumica dërrmuese e mbi 2 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës.

Smotrich i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “të miratojë këtë plan në tërësi menjëherë”.

Ai është një nga disa anëtarë të krahut të djathtë të koalicionit qeverisës të Izraelit që kanë shprehur mbështetje për rivendosjen e vendbanimeve në Rripin e Gazës, nga i cili Izraeli kishte tërhequr trupat dhe kolonët në vitin 2005.

Smotrich, mbështetës i lëvizjes së kolonëve dhe vetë banues në një vendbanim në Bregun e pushtuar Perëndimor, autorizoi javën e kaluar një projekt të madh në atë territor, i cili sipas kritikëve kërcënon integritetin territorial të çdo shteti të ardhshëm palestinez.

Ai ka deklaruar se projekti i vendbanimeve në zonën e njohur si E1, në lindje të Jerusalemit, ka për qëllim “varrosjen e idesë për një shtet palestinez”. Rel/

Dalin detaje nga vrasja në Shkodër/ Viktima dhe autori kushërinj, dyshimet

Personi në foto është 61-vjeçari Piro Prroni, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e sotme në fshatin Abat të Shalës, në Shkodër.

Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit, Ndoc Maçaj, i cili pas ngjarjes është larguar dhe tashmë është shpallur në kërkim.

Sipas burimeve paraprake, viktima dhe autori i dyshuar ishin kushërinj mes tyre dhe ngjarja dyshohet se erdhi si pasojë e një konflikti për motive pronësie.

Të dy palët kanë patur pretendime mbi pronësinë e një toke pasi në zonë kishte nisur matja dhe paisja me çertifikata, çka ka sjellë dhe përplasjen mes tyre. Pas ngjarjes autori i dyshuar është largaur nga vendngjarja.

Forca të shumta policie janë nisur nga Shkodra drejt zonës së thellë malore të Shalës për të bërë të mundur kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Duan t’i marin aeroportin e Vlorës/ Reagon Behgjet Pacolli

Sipërmarrësi Behgjet Pacolli ka reaguar pas aludimeve mediatike që erdhën për shkak të një vizite të tij të papritur në Kryeministri ku takoi shefin e qeverisë, Edi Rama.

Në media u pretendua se Pacollit po i bëjnë presion për t’i marrë aeroportin e Vlorës, por biznesmeni i njohur i rrëzon këto pretendime. Pacolli thotë se artikulli është i pavërtetë dhe se “aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal”.

“Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës Kapitali është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë.

Unë, së bashku me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e Aeroportit të Vlorës, kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës.

Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria, ashtu siç raportojnë disa media.

Në fakt, duke qenë se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal.

Duke marrë shkas nga leximi me i thellë i një shkrimi në media, dua të konfirmoj që puna për përfundimin e aeroportit të Vlorës po ecën përpara me sukses dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare! Ne mezi presim që ta përfundojmë aeroportin në afat për ti dhënë Shqipërisë dhe bregdetit të saj të bukur dhe një destinacion tjetër. Vendimet e aksionerit te VIA nuk janë asgjë tjetër përveçse procedura rutinë që kanë të bëjnë me procese normale qe kane lidhje me garancine ndaj institucioneve financiare për mos transferimin e kuotave sa kohe qe kreditë e marra apo që do merren në lidhje me zhvillimin e aeroportit nuk janë shlyer.”-shkruan Pacolli. Zoom.al/

Një serbe dhe një kroat (pilot i KFOR), spiun të Serbisë/ Dalin detajet

Mediat kroate kanë publikuar të tjera detaje për dy shtetasit e arrestuar nën dyshime për spiunazh.

Sipas mediave kroate, Ana Murganiç e arrestuar në Kroaci bashkë me partnerin e saj, pilotin kroat J.I., kishte kontaktuar me një prej të dyshuarve për sulmin terrorist të Banjskës, Vladimir Radivojeviç të njohur si “Mami”.

Radivojeviçi është identifikuar edhe si pjesëtar i organizatës “Brigada e Veriut”, e shpallur terroriste nga qeveria e Kosovës.

Sipas mediave kroate, dyshohet se Murganiç e njihte nga fëmijëria Radivojeviçin dhe kishin kontaktuar përmes mesazheve edhe lidhur me sulmin e 25 shtatorit të vitit 2022 kur pjesëtarët e KFOR-it ishin sulmuar në Zubin Potok.

Mediat në Kroaci raportojnë se Murganiç i kishte shkruar “Mamit”: “Duhet ta ‘hekurosni’ sulmin ndaj KFOR-it me çdo kusht”. Zoom.al/

Vrasja në Shkodër/ Dalin emrat e autorit dhe viktimës

Piro Prroni është 61-vjeçari që mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të enjte në Shkodër.

Ndërsa autori i dyshuar është identifikuar si Ndoc Maçaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00 në fshatin Abat në Shalë teksa mbeten tl paqarta rrethanat dhe motivi.

Policia është vë në ndjekje të autorit.

E fundit/ Vrasje me armë zjarri në Shkodër

Një ngjarje e minutave të fundit raportohet nga Shkodra.

Policia njofton se një 61-vjeçar ka mbetur i brarë me armë zjarri.

Uniformat blu kanë identifikuar dhe janë vënë në ndjekje të autorit ndërsa pritet të bëhen të ditur motivi dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Shkodër / Informacion paraprak

Rreth orës 20:00, në fshatin Abat, Shalë, shtetasi N. M., në rrethana ende të paqarta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. P., 61 vjeç.

Shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë për në fshatin Abat, për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Nis epoka e re për Teutën! Zbuloni risitë e presidencës dhe emrat big të ekipit

Gongu kampionatit ka rënë, “Countdown” ka nisur dhe interesi në qytetin bregdetar, por edhe në opinionin sportiv, është i madh për të parë Teutën e re në fushë.

Ky sezon nis me një revolucion të vërtetë, si në drejtim, ashtu edhe në përbërje.

Presidenti Fatos Troplini vjen me një vizion të qartë dhe ambicioz: ndërtimin e klubit në çdo hallkë, ku një rëndësi të veçantë zë akademia.

Heqja e tarifave për të rinjtë profesionistë është vetëm hapi i parë në këtë rrugëtim.

Stolin e ka marrë përsipër durrsaku Enkeleid Dobi, i cili rikthehet në qytetin e lindjes pas një eksperience të gjatë në Poloni.

Krahu i tij i djathtë është Renato Arapi, i cili ka marrë postin e drejtorit sportiv.

Arapi ka afruar emra të rëndësishëm gjatë merkatos së verës, duke ndërtuar një skuadër konkurruese si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen.

Teuta e re do të jetë një përzierje mes futbollistëve me eksperiencë dhe të rinjve premtues.

Disa nga afrimet më të spikatura janë: polaku Jakub Myszor, nigeriani David Fadairo, braziliani Gabriel Gomes, ish-lojtari i Metalistit, si dhe lojtarë të njohur të kampionatit shqiptar si Florjan Pergjoni, Albi Doka, Ardit Toli, Harallamb Qaqi dhe Gentian Selmani, të gjithë me eksperiencë të madhe, ndërsa e kanë provuar shijen e titullit kampion.

Gjatë fazës përgatitore, trajneri Dobi ka testuar disa skema taktike, por premiera me Partizanin do të shuajë kureshtjen e tifozëve për formacionin dhe do të tregojë se çfarë mund të presim nga ky ekip.

Por përveç ndryshimeve në skuadër, janë bërë edhe investime të rëndësishme në infrastrukturë.

Tribunat e stadiumit kanë marrë një pamje krejtësisht të re, ndërkohë që presidenti ka vënë në dispozicion një autobus modern, i pajisur me të gjitha kushtet, veçanërisht për udhëtimet e gjata.

Risitë nuk ndalen këtu: në ndeshjet që Teuta do të zhvillojë në “Niko Dovana”, për herë të parë do të ofrohet shërbim kateringu gjatë gjithë sezonit.

Ndërkohë një vend të veçantë në tribunë do të kenë edhe figurat e klubit, që kanë dhënë kontribut për fanellën ndër vite.

Për të parë këto ndryshime, duhet të presim ndeshjen me Dinamon, e cila u shty për në 5 shtator për shkak të impenjimit të klubit kryeqytetas në Europë.

Gjithsesi simptomat do të shfaqen që në transfertën e kryeqytetit, ku këtë të shtunë, në stadiumin “Arena e Demave”, duke nisur nga ora 20:00, Teuta do të luajë kundër Partizanit.

Formacioni i mundshëm pritet të jetë ky:

Skema: 4-3-1-2

Selmani:
Doka, Jazxhi, Kotobelli, Përgjoni;
E.Vila, Toli, Lloci;
Arifi;
Boçi (Fadairo), Beshiraj;

Turpërim historik i Manchester United

Një turpërim historik. Manchester United u eliminua nga Kupa e Ligës angleze, nga skuadra e kategorisë së katërt, Grimsby Town.

Edhe pse me një skuadër modeste, gjatë ndeshjes vendasit arritën të ishin në avantazh 2-0, por Djajtë e Kuq arritën të kthenin barazpeshën dhe për të përcaktuar fituesin u nevojit ekzekutimi i penalltive.

Me vendasit që ishin në avantazh 12-11, penalltia e 26-të u ekzekutua nga Bryan Mbeumo, lojtari I blerë për 82 milionë euro dhe që cilësohej si një prej të emrave që do të shpëtojnë Manchester United.

Goditja nga pika e bardhë e mesfushorit kamerunas u përplas në traversë. 8000 tifozët e Grimsby pushtuan fushën nga entuziazmi, ndërsa për United ajo që duhej të ishte një ndeshje e lehtë, u kthye në makth.

“Fitoi ekipi më i mirë. Skuadra e vetme që ishte në fushë. Nuk ishim aspak në lojë. Lojtarët më të mirë u humbën, sepse për të patur sukses duhet të luash si grup. Diçka duhet të ndryshojë”, tha Amorim.

Me Manchester United që nuk fiton titullin prej vitit 2013, ky pritej të ishte sezoni I rikthimit të madh. E ardhmja e trajnerit Amorim është menjëherë në dyshim dhe Zinedine Zidane cilësohet mes zëvendësuesve të mundshëm.

Letër nga Brukseli, pezullohen takimet me Albin Kurtin

Bashkimi Evropian i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Siç shkruan Klan Kosova, krahas letrës ekskluzive, BE ka shprehur pakënaqësi për situatën politike aktuale në Kosovë e veçanërisht mosrespektimin e akt-gjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit 2025, për konstituimin e Kuvendit.

Rrjedhimisht, ka theksuar se do të pezullohen takimet mes përfaqësuesve europianë dhe Kurtit, brenda ndërtesës së qeverisë derisa kjo e fundit të jetë në funksion të plotë.

Në letrën e siguruar nga Klan Kosova nënvizohet se:

“Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë.”

Letra e plotë e dërguar nga Bashkimi Evropian, si më poshtë:

“Po ju shkruaj në emër të Shefave të Misioneve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian të pranishëm në Kosovë.

Pas akt-gjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës i cili shpalli të pavlefshme Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Nr. 01/2025 mbi Përdorimin e Pajisjeve Fiskale Elektronike, Sistemeve Fiskale dhe Programeve Fiskale Elektronike, duke u bazuar në nenin 71 të Kushtetutës që ndalon ushtrimin e funksioneve ministrore dhe parlamentare njëkohësisht, Bashkimi Evropian ka përshtatur praktikat e tij të angazhimit në përputhje me këtë vendim pas konsultimeve me Shtetet Anëtare të BE-së.

Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë.

Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional.

Kjo letër synon gjithashtu të shmangë çdo paqartësi apo keqinterpretim në të ardhmen, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë. E konsiderojmë thelbësore që angazhimet tona institucionale të jenë plotësisht të harmonizuara me kuadrin kushtetues të Kosovës dhe vendimet e gjykatës më të lartë të saj.

Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj angazhimit konstruktiv dhe është i gatshëm për kontakte dhe koordinim thelbësor. Zyrtarët e lartë të BE-së dhe të Shteteve tona Anëtare do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me homologët përkatës për të siguruar vazhdimësinë në fushat kyçe të bashkëpunimit.

Besojmë se kjo masë do të kuptohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe në dritën e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj qeverisjes së mirë dhe parimeve demokratike që gjithmonë kanë udhëhequr partneritetin tonë.

Gjithashtu, shpresojmë sinqerisht që një qeveri me mandat të plotë të formohet pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që të mund të rifillojmë bashkëpunimin e plotë me BE-në dhe të thellojmë më tej marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike.”

Kujtojmë se më 26 gusht, pas një ngërçi të gjatë politik, u zgjodh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Zgjedhja e tij është i vetmi hap pozitiv prej muajsh, për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, megjithatë nuk kanë munguar polemikat.

Votimi pro me shumicë i Bashës si kryeparlamentar i Kosovës, nuk u prit mjaftueshëm mirë nga vetë partia Lëvizja Vetëvendosje, duke u pasuar me dorëheqjet e para nga poste të rëndësishme.

Vlen të theksohet se Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin të konstituohet brenda 30 ditësh, që nga 8 gushti, afat që ende nuk është zbatuar. Zoom.al/