zoom

Day ArchiveZjarr i fuqishëm në Ermenj të Gramshit, banorët kërkojnë ndihmë urgjente

Një vatër e re zjarri është shfaqur mbrëmjen e sotme në fshatin Ermenj, njësia administrative Lenie, bashkia Gramsh, duke u përhapur me shpejtësi në një zonë të mbuluar me bimësi të dendur.

Banorët janë alarmuar, pasi flakët po i afrohen banesave dhe sipërfaqeve pyjore përreth. Mungesa e mjeteve zjarrfikëse dhe terreni i thyer po e bëjnë të vështirë ndërhyrjen.

Zjarret e fuqishme që prej ditësh kanë përfshirë zonën e Gramshit kanë marrë përmasa katastrofike, duke shkatërruar plotësisht 6 fshatra dhe duke përfshirë edhe një të shtatë. Flakët kanë djegur dhjetëra banesa – deri në 39 sipas burimeve lokale – ndërsa rreth 200 banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Tragjikisht, një 80-vjeçar humbi jetën nga asfiksia teksa përpiqej të shuante zjarrin në oborrin e tij. / Zoom.al

Zjarret në vend, ministri Vengu: Avionët janë duke u blerë, tani pritet të prodhohen! Duhet të gjejmë edhe pilotët

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe ai i Brendshëm, Ervin Hoxha në një komunikim për mediat nga Delvina mbrëmjen e së mërkurës tregoi situatën aktuale në zonën në fjalë dhe në zonën e Gramshit, më të prekurat nga zjarret e mëdha të një dite më parë.

I pyetur lidhur me polemikat e ditëve të fundit për mungesën e avionëve shqiptarë për fikjen e zjarreve, ministri Vengu tha se avionët janë në proces duke u blerë, ndërsa theksoi mungesën e pilotëve për drejtimin e këtyre avionëve.

Ai tha se vatra e Gramshit është fiksuar dhe sot nuk ka përhapje, ndërsa theksoi se në bashkinë Finiq ka disa vatra dhe 1 tjetër në Tiranë, jashtë zonave të banuara që është duke u mbajtur në monitorim.

“Vatra e Gramshit është fiksuar, nuk ka përhapje sot, situata në bashkinë Finiq ka disa vatra, dhe në Syrin e Kaltër, era dhe temperaturat janë në favorin tonë. Kemi një situatë në Tiranë, në lartësi, larg zonave të banuara ku duhet të jemi vigjilentë… Ajo që dehet të bëjmë është të gjejmë pilotët e avionëve, për të cilat kanë përfunduar procedurat e blerjes, ndaj kemi hapur edhe një shkollë aviacioni. Avionët janë duke u blerë, duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri, është një proces që kërkon kohë, çdo gjë është transparente, nuk kemi bërë disbursime se nuk kemi lidhur kontratë,”- tha ministri Vengu./ Zoom.al

FOTO/ Pamje të trishta: Zjarri në Delvinë lë pas shkatërrim

Delvina dhe rrethinat e saj kanë përjetuar një situatë të jashtëzakonshme pas shpërthimit të një zjarri masiv që ka kërcënuar seriozisht jetën e banorëve dhe ka shkaktuar dëme të mëdha.

Flakët janë përhapur me shpejtësi drejt fshatit Vllahat, duke rrezikuar banesat dhe pasuritë e qytetarëve. Në përpjekjet për shuarjen e flakëve, janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse, ushtarake dhe banorë të zonës. Për të mbështetur operacionin ka ndërhyrë edhe një avion Canadair i dërguar nga Italia .

Situata është rënduar nga prania e vatrave të shumta zjarri, që kanë rrethuar kodrat e qytetit. Për të parandaluar përhapjen e flakëve është ndërprerë energjia elektrike në disa zona, ndërkohë që banorët e lagjes Kasapaj janë evakuuar plotësisht.

Në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, ka pasur viktima dhe të lënduar. Dëmet materiale janë të konsiderueshme. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë ka nisur një inventar të dëmeve në bagëti, të mbjella dhe pemëtari, duke evidentuar humbjet në bujqësi dhe blegtori. Qindra hektarë ullishte dhe pemë të tjera janë shkrumbuar, ndërkohë që disa stane janë djegur nga flakët .

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një skenë apokaliptike, me flakë që përhapen në horizont dhe tym të dendur që mbulon qytetin. Këto imazhe pasqyrojnë pasojat e rënda të këtij zjarri masiv dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme për të shpëtuar jetët dhe pasuritë e qytetarëve.

Situata mbetet kritike, me vatra zjarri ende aktive dhe përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve. Autoritetet dhe ekipet e emergjencës janë të angazhuara në menaxhimin e krizës dhe ofrimin e ndihmës për të prekurit./ Zoom.al

foto galeri
foto galeri
foto galeri
Trump thirrje Putinit: Të premten prano paqen, ose përballu me pasoja shumë të rënda

Presidenti amerikan Donald Trump e ka paralajmëruar Vladimir Putinin se do të ketë “pasoja të rënda” nëse ai nuk pranon t’i japë fund luftës së tij ndaj Ukrainës në samitin e tyre në Alaska të premten.

I pyetur nëse Putini do të përballet me pasoja nëse nuk pranon të ndalojë luftimet, Trump u përgjigj: “Po… do të ketë pasoja shumë të rënda”.

Presidenti amerikan zbuloi qëllimin e tij për të kërkuar një takim të dytë të menjëhershëm me Putinin, këtë herë duke përfshirë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve të tyre kokë më kokë në Alaska.

“Nëse takimi i parë shkon mirë, do të kemi një të dytë të shpejtë. Do të doja ta bëja pothuajse menjëherë, dhe do të kemi një takim të dytë të shpejtë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelensky dhe meje, nëse ata do të donin të më kishin atje”, tha Trump.

Duke dëgjuar kërkesat e Evropës dhe Ukrainës që asgjë të mos vendoset pa Kievin, Trump tha se bisedimet e Alaskës vetëm sa do të vendosnin “tavolinën për takimin e dytë”.

Këmbëngulja e Trump për përfshirjen e Ukrainës ka të ngjarë t’i sjellë një lehtësim Kievit dhe aleatëve të tij, të cilët kishin frikë se udhëheqësit amerikanë dhe rusë mund të arrinin një marrëveshje që e copëton Ukrainën dhe i shet interesat e sigurisë evropiane.

Zelensky më herët të mërkurën tha se Trump mbështet ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën për të siguruar që paqja të jetë e qëndrueshme. Ende nuk është e qartë se cilat do të jenë këto garanci ose kush do t’i ofrojë ato./ Zoom.al

3 shenjat e horoskopit që dinë të ruajnë sekrete

Akrepi

Akrepët njihen për natyrën e tyre të mbyllur, por edhe për faktin se nuk zbulojnë kurrë atë që nuk është e tyre për të ndarë. Kur dikush u rrëfen diçka, ata e marrin shumë seriozisht – pothuajse si një detyrë të shenjtë. Për shkak të natyrës së tyre intuitive, ata shpesh dinë më shumë sesa tregojnë, por sekretet e të tjerëve mbeten një zonë e fshehur. Ata janë shumë misteriozë vetë, kështu që presin dhe ofrojnë të njëjtin besim në këmbim. Nëse keni nevojë për dikë të cilit mund t’i tregoni gjithçka, pa pasur frikë se do të përsëritet më tej – Akrepi është ai që duhet.

Luani

Luanët mund të duken të hapur dhe të sigurt, por kur bëhet fjalë për ruajtjen e sekreteve të të tjerëve, ata tregojnë besnikëri të lakmueshme. Krenaria e tyre nuk i lejon të tradhtojnë besimin sepse e dinë sa ia vlen kur dikush u rrëfen diçka. Kur e duan ose e respektojnë dikë, bëhen roje të vërteta të dinjitetit të tyre. Ata nuk bëjnë thashetheme sepse nuk duan të shoqërohen me diçka që mund t’i dëmtojë të tjerët. Në sytë e një Luani, besimi është çështje nderi.

Peshqit

Edhe pse duken emocionalë dhe të hapur, Peshqit kanë një ndjenjë jashtëzakonisht të zhvilluar për kufijtë dhe dhimbjen e të tjerëve. Nëse dikush u hapet atyre, ata i afrohen kësaj dobësie me shumë empati dhe një qëndrim mbrojtës. Ata kurrë nuk e përdorin besimin ndaj dikujt, por përkundrazi e ruajnë atë si provë të një lidhjeje të vërtetë. Edhe pse ndonjëherë i ndajnë vetë ndjenjat e tyre, kur bëhet fjalë për të tjerët – ata mbeten të qetë dhe diskretë. Për Peshqit, ruajtja është një akt i fshehtë dashurie dhe respekti.

Moti për nesër, ja zonat ku do të ketë reshje

Ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e vranësira mesatare hera – herës deri të dendura nga orët e mesditës kryesisht në relievet malore.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vranësirat në relievet malore nga orët e mesditës do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët. Nga orët e mbrëmjes ndërprerje e tyre.


Era me drejtim juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 9 m/s.
Deti – Valëzimi 1-2 ballë./ Zoom.al

Ndahet nga jeta Kryeinspektori i Policisë së Burgjeve, pësoi arrest kardiak (EMRI+FOTO)

Kryeinspektori i Policisë së Burgjeve, Gazmen Meta, ka ndërruar jetë sot, vetëm një ditë pas marrjes së gradës së re. Ai ka pësuar arrest kardiak.

Lajmi u dha nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e përshkroi si një punonjës të devotshëm, korrekt dhe mik të çmuar për kolegët.

Gazmen Meta ka shërbyer për 11 vite me radhë pranë burgut të Ali Demit, ndërsa ministri Manja thotë se pas ndarjes së tij nga jeta, do të ndihmojë familjarët e tij.

Postimi i Ulsi Manjës:

Si pasojë e një arresti kardiak, u nda nga jeta një punonjës i devotshëm, korrekt dhe një mik i çmuar për kolegët: Kryeinspektor Gazmen Nazmi Meta, i cili këtë gradë e mori me meritë vetëm dje.

Që nga viti 2014, Gazmeni shërbeu për 11 vite me përkushtim pranë IEVP “Ali Demi” si punonjës i rolit bazë, duke u bërë shembull i ndershmërisë, korrektësisë dhe dashurisë për detyrën.

Në këto çaste të rënda për familjen dhe kolegët e tij, si Ministër i Drejtësisë siguroj se bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit tonë

U prehsh në paqe, Gazmen. Mirënjohje e përjetshme për shërbimin dhe kontributin tënd për sistemin e burgjeve në Shqipëri.

Dhjetëra bagëti të ngordhura nga zjarret më Gramsh, frikë se mund të shpërthejnë sëmundje

Zjarri në njësinë administrative Skënderbegas të Gramshit vijon të përhapet me shpejtësi, duke kaluar nga fshati në fshat dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.

Deri tani janë shkrumbuar 39 banesa, dhjetëra hektarë pyje e shkurre, si dhe dhjetëra bagëti të ngordhura që mbetën të rrethuara nga flakët.

Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë po punojnë për groposjen e kafshëve të djegura, për të parandaluar shpërthimin e ndonjë epidemie. Në terren ndodhen mbi 350 efektivë dhe helikopterë të emergjencave, por ndërhyrja është vështirësuar nga era dhe terreni i thyer.

Evakuimi i banorëve ka nisur, megjithatë shumë prej tyre kanë refuzuar të largohen, duke u përpjekur të mbrojnë shtëpitë. Kryebashkiaku i Gramshit, Besjon Ajazi, tha se në disa raste është përdorur forcë për të larguar njerëzit nga rreziku./ Zoom.al

SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj në Shqipëri: Shmangni zonat e prekura nga flakët

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë në Shqipëri, duke i paralajmëruar për situatën e zjarreve që po përhapen në disa zona të vendit.

Sipas njoftimit, disa prej këtyre zonave janë nën urdhër evakuimi dhe këshillohet shmangia e çdo udhëtimi drejt tyre.

Për qytetarët amerikanë, ambasada këshillon të evakuohen menjëherë nëse zjarri afrohet pranë vendbanimit të tyre; të mos kalojnë me makinë nëpër zona me tym të dendur, përveç rasteve të domosdoshme, dhe në atë rast të lëvizin ngadalë me dritaret mbyllur dhe dritat ndezur.

Veprimet që duhen ndërmarrë:

– Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që janë nën urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e zjarreve në pyje dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe aktivitetin e zjarreve në pyje.

– Zjarret në pyje janë të zakonshme në Shqipëri. Thithja e tymit përbën një rrezik serioz për shëndetin, edhe nëse nuk jeni afër flakëve. Nëse një zjarr në pyje është afër vendndodhjes suaj, përfshirë banesën tuaj, evakuohuni menjëherë në një zonë të paprekur.

– Mos u përpiqni të kaloni me makinë nëpër zona të prekura nga zjarret në pyje ose tymi i dendur. Kërkoni një rrugë alternative ose merrni në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse nuk keni një rrugë alternative. Nëse nuk keni zgjidhje tjetër përveçse të kaloni me makinë nëpër tymin e një zjarri në pyje, ngisni ngadalë me dritaret hapur, kanalet e ajrit të jashtëm të mbyllura dhe dritat e ndezura për shikueshmëri më të mirë.

– Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.

– Nëse keni një urgjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit. Gjithashtu mund të kontaktoni Urgjencën Kombëtare në [email protected] ( http://urgjenca.gov.al/ ).
Ndihmë:

Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri
+(355) (0)4224-7285
+(355) (0)4224-7285 (pas orarit të punës)
[email protected]
https://al.usembassy.gov/us-citizen-services/
Departamenti i Shtetit – Çështjet Konsullore
888-407-4747 ose 202-501-4444
Informacion mbi Vendin e Shqipërisë
Regjistrohuni në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP) për të marrë përditësime sigurie./ Zoom.al

EMRI/ Aksident i rëndë në Konispol, humb jetën një person

Një aksident i rëndë rrugor u shënua këtë të mërkurë në Konispol.

Policia njoftoi se një 74-vjeçar, i identifikuar si Urim Çengu, humbi jetën pasi u përplas me një motomjet.

Në momentin e aksidentit i moshuari po udhëtonte po ashtu me motomjet.

Nga përplasja mbeti i plagosur edhe shoferi tjetër, i cili ndodhet në spital.

Policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit/ Zoom.al