zoom

Day ArchivePara apo pas ushqimit/ Ja kur duhet të pini ujë

Trupi i njeriut humbet ujë çdo moment, madje edhe nëpërmjet frymës.

Rrjedhimisht, pirja e ujit është e një rëndësie madhore për hidratimin e organizmit.

Trupi e përdor ujin në çdo qelizë, organ apo ind, jo vetëm për të rregulluar temperaturën e brendshme por edhe për të mirëmbajtur çdo funksion.

Deri më tani, ekspertët e shëndetit kanë rekomanduar pirjen e të paktën tetë gotave me ujë në ditë.

Sigurisht që pirja e këtyre tetë gotave në të njëjtën kohë është e pamundur.

A e dini kur është koha më e mirë për të pirë ujë?

Lexoni më poshtë këshillat e AgroWeb.org për të pirë ujin në kohën e duhur që të përmirësoni efikasitetin e tij në organizëm.

Ujë pas zgjimit

Pini një gotë me ujë menjëherë sapo të zgjoheni.

Në këtë mënyrë të gjithë organet e brendshme do të aktivizohen.

Uji ndihmon në largimin e toksinave përpara ushqimit të rradhës.

Ujë para një vakti

Pirja e një gote me ujë 30 minuta përpara ushqimit ndihmon me tretjen.

Ju nuk duhet të pini ujë pak minuta përpara se të uleni për të ngrënë ose sapo keni ngrënë.

Nëse e bëni këtë, uji do të hollojë lëngjet tretëse.

Pini ujë një orë pas ushqimit që ta ndihmoni trupin të përthithë të gjithë ushqyesit.

Ujë përpara se të bëni banjë

Pini një gotë me ujë përpara se të bëni banjë që të ulni tensionin e gjakut.

Ujë përpara se të flini

Pini një gotë me ujë një orë përpara gjumit që të ndihmoni organizmin të përballojë humbjen e lëngjeve gjatë natës.

Oraret e duhura të pirjes së ujit

Nëse organizoni pirjen e ujit sipas një orari të caktuar do të ndihmoni organizmin të jetë në formë.

Oraret e mëposhtme janë në varësi të angazhimeve ditore dhe mund të ndryshohen ose rregullohen sipas mundësisë.

7:00 – Gota e parë
Pini gotën e parë sapo të zgjoheni që ta hidratoni organizmin pas gjumit.

Gjysëm ore më vonë mund të hani mëngjes.

9:00 – Gota e dytë
Një orë pas mëngjesit mund të pini gotën e dytë dhe të vijoni punën si zakonisht.

11:30 – Gota e tretë
Pini një gotë ujë 30 minuta përpara se të hani drekë.

13:30 – Gota e katërt
Pini një gotë me ujë një orë pas drekës që të ndihmoni trupin të përthithë më mirë ushqyesit e nevojshëm.

15:00 – Gota e pestë
Gjatë pushimit konsumoni një lëng frutash ose pije pa ëmbëlsues shtesë që të freskoni trurin.

17:00 – Gota e gjashtë
Kjo gotë me ujë do ju mbajë të ngopur dhe do të parandalojë ngrënien e tepërt gjatë darkës.

20:00 – Gota e shtatë
Pini një gotë me ujë pas darke dhe para se të bëni banjë.

22:00 – Gota e tetë
Pini një gotë të fundit me ujë një orë përpara se të flini.

Në këtë mënyrë do të ndihmoni rigjenerimin e qelizave gjatë gjumit./AgroWeb.org

Liverpool tenton mbrojtësin e Anglisë, refuzohen dy oferta

Liverpool nuk ka ndërmend të ndalet në këtë merkato vere, pavarësisht investimeve të mëdha të kryera deri tani.

Objektivi i radhës për kampionët e Anglisë është mbrojtësi Marc Guehi. Sipas asaj që raportohet nga “Footmercato”, Liverpool ka bërë dy oferta për futbollistin në pronësi të Crystal Palace.

Pavarësisht se shumat nuk janë zbuluar ende, thuhet se drejtuesit e Crystal Palace i kanë refuzuar të dyja ofertat.

Fituesit e FA Cup kërkojnë të paktën 55 milionë euro për të lënë të lirë lojtarin e tyre, kontrata e të cilit skadon pas një viti.

Në krahun tjetër, te Liverpool nuk kanë ndërmend të shpenzojnë një shumë të tillë, për një lojtar që është në skadencë të kontratës.

Donald Trump i dërgon mesazh Vjosa Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ditën e sotme një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Në letër, presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump. Zoom.al/

Rituali i ri i gjumit që po ndihmon mijëra njerëz, gjithçka që duhet të dini

Nëse vazhdimisht ndjeheni të lodhur ndoshta problemi nuk është sa flini por kur flini.

Një trend i ri në jetesën e shëndetshme po fiton popullaritet; “sleep syncing”, ose përputhja e orarit të gjumit me ritmet natyrale të trupit.

‘Sleep syncing’ fokusohet në përputhjen me ritmin cirkadian, orën biologjike të trupit që ndikon në energji, përqendrim dhe prodhimin e hormoneve. Zgjim dhe gjumë në të njëjtën orë çdo ditë, edhe në fundjavë, ekspozim ndaj dritës natyrale sapo zgjoheni, ndërprerja e pajisjeve elektronike 1 orë para gjumit, shmangie e kafeinës pas orës 15:00, rutinë e qetë para gjumit (çaj bimor, leximi i një libri, meditimi).

Shkencëtarët thonë se çdo orë shtesë e fjetur në orar të gabzar, mund të ndikojë më keq sesa 5 orë të fjetura në harmoni me orën e brendshme. Kjo praktikë po aplikohet gjithnjë e më shumë nga profesionistë, prindër të zënë, madje edhe studentë që duan më shumë energji pa përdorur kafe apo suplemente. Në një epokë ku stresi dhe lodhja janë normale, sleep syncing është një rikthim në ritmin e natyrshëm të jetës.

Kur bëhet fjalë për zakonet e të fjeturit, ka disa njerëz që flenë me televizor të ndezur por ka edhe nga ata që nuk e bëjnë këtë. Grupi i parë mund të thotë për ndikimin që ka televizor për t’i vënë në gjumë, ndërsa për grupin e dytë nuk ndodh e njëjta gjë. Por cila është metoda e duhur për t’u ndjekur? Për disa njerëz, të bien në gjumë me televizorin ndezur është një pjesë e domosdoshme e ritualit të tyre të natës. Kjo metodë i ndihmon të largojnë stresin e ditës dhe të çlodhen, thonë ekspertët e shëndetit. Zoom.al/



Tjetër aksident në Lushnje-Fier/ Plagosen dy persona

Pas aksidentit masiv, një tjetër aksident është regjistruar sot në autostradën Lushnje-Fier.

Këtë herë dy automjete janë përplasur në kryqëzimin e Savrës.

Një mjet tip Volkswagen ka tentuar të kalojë në anën tjetër të rrugës dhe është përplasur nga një mjet tip ‘Benz’ me targa.

Si pasojë e përplasjes dy drejtuesit e mjeteve kanë përfunduar në spital, ku po marrin ndihmën mjekësore.

Ndërkohë policia e qarkullimit ka shkuar në vendngjarje për të disiplinuar trafikun ndërsa policia shkencore po dokumenton rastin.

Sipas policisë së qarkullimit mjeti tip golf Volkswagen i ka prerë rrugën Benzit. Zoom.al/

Kodi i ri dënon më pak korrupsionin! Juristët sulmojnë draftin: Ndërhyrjet në Kod s’janë të plota. Burgu, opsioni i fundit

Kush zyrtar abuzon me fondet e shtetit apo favorizon në tendera pa garë reale, mund t’ia hedhë pa u lagur me ndryshimet e kërkuara në Kodin Penal.

Jo vetëm propozohet ulja e masës së dënimit me 3 vite më pak krahasuar me kodin aktual për ata funksionarë publikë që kryejnë veprime ose mosveprime në shkelje të ligjit, por rindërtimi i fjalive shton paqartësinë e gjykimit ku duhet vërtetuar qëllimi kriminal për nenin e shpërdorimit të detyrës apo qëllimi i përfitimit në dispozitën e shkeljes së barazisë në tendera.

Juristët kritikojnë se këto ndryshime të propozuara rrezikojnë të prodhojnë një klimë pandëshkueshmërie në sektorin publik në një kohë kur flitet se prioritet është lufta kundër korrupsionit.

Shpërdorimi i detyrës është një dispozitë blanket që në formulimin që është në fuqi neni 248 është një thes i madh e quajmë ne avokatët që mund të interpretosh shumë shkelje të një zyrtari dhe parashikon një masë më të lartë deri në 7 vite burgim për ata që kanë vepruar ose skanë vepruar në kundërshtim me ligjin.ky nen në mendimin tim do kishte nevojë për saktësime por jo për një tregim që e bën edhe më të paqartë. Vetë fakti të parashikimit të një dënimi më të ulët në draftin e ri përcakton një lehtësim në vetvete për personat e çuar para drejtësisë”-shprehet avokati Altin Kaziaj.

Vepra penale e shpërdorimit të detyrës ka nevojë për një rikonfigurim se praktikisht sot është shndërruar në një nen që dënon çdo lloj veprimi ose mosveprimi të zyrtarëve, por loja e fjalëve që kanë bërë në tekst nuk e zgjidh situatën. Për shembull thuhet ‘qëllimi kriminal”, kur kjo është pjesë thelbësore e analizës së ekzistencës ose jo të veprës penale. Ndërhyrja është jo e saktë, jo e plotë, për mua do të sjell keqësim dhe rritje të subjektivitetit të zbatimit të ligjit me këto çështje”-shprehet Jaordan Daci.

Procedimet e deritanishme për abuzimet me tenderat nuk duhet të klasifikohen të gjitha vepra penale, sipas konstitucionalistit Jordan Daci. Reforma në vlerësimin e tij është e nevojshme, ku zgjidhjen nuk e sheh detyrimisht te prangosja.

Ka shumë shkelje që nuk trajtohen si penale e ka shumë të tjera që nuk janë e trajtohen si të tilla. Kjo ka bërë që një  zyrtar sot të ketë frikë të marr vendime sepse për shkak të një subjektivizmi masiv që mbizotëron dhe një dëshire që shoqëria ka për të parë gjithë zyrtarët në burg, praktikisht çdo shkelje kthehet në vepër penale e dënohet. Duhet një kod penal i cili duke bërë që burgu të jetë alternativa e fundit, duke bërë që Shqipëria të pasurohet nga gabimet e tyre, të shpaguhet. Për mua kjo do ishte mënyra më efektive. Se çdokush që bën vepër penale bën një shumë të madhe parash e bën me qejf një periudhë të caktuar burgu. Por nëse kjo do përkthehej dhe në humbje të asaj shume e sigurt që do e mendonin shumë herë para se ta bënin”-shton Daci.

Për avokatin Altin Kaziaj, hiqen përgjegjësitë aty ku duhen përcaktuar me objektivitet dhe shtohen masat represive në lirinë e fjalës apo në kurriz të profesionistëve…

“Drafti në tërësinë e vetë është skandaloz, i keqshkruar e mund të jetë marr nga vende totalitare siç mund të jetë Turqia ose Rusia se nuk ka mundësi që një hartues i Kodit Penal të ngarkojë me përgjegjësi edhe aty ku ska”-shton Kaziaj.

Ekspertët parashikojnë të ardhmen e errët nëse kodi penal ndryshon në bazë të këtij drafti që e cilësojnë një makth dhe regres të drejtësisë.

Gafat edhe konceptet e futura në kod janë në kufijtë e marrëzisë, këtu do rritesh keqbesimin në institucione apo rriten masat e shtrëngimit ndaj individit. Këto bien ndesh me parimet bazë, ata që do zbatojnë këtë kod do duhet të kthehen dhe njëherë në shkollë edhe librat të ndryshojnë”-përfundon Daci. Tch/

Gjesti i bëri unfollow në Instagram, reagon Stresi

Pas videos virale ku Jozi dhe Stresi u shfaqën në një situatë që ndezi rrjetin, nuk ka munguar as reagimet.

Gjesti hoqi Stresin nga lista e ndjekësve në Instagram.

Ky veprim u komentua gjerësisht në rrjet, pasi dihet që gjatë kohës së BBVIP, Stresi ishte një ndër mbështetësit më të zëshëm të Gjestit, duke e përkrahur hapur në çdo dalje publike.

Por duket se “unfollow”-i nuk mbeti pa përgjigje. Stresi reagoi shpejt, duke ia kthyer me të njëjtën mënyrë: ai hoqi Gjestin nga ndjekësit e tij, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar.

Ende nuk dihet çfarë ka ndodhur në prapaskenë mes dy artistëve, por një gjë është e sigurt, marrëdhënia e tyre nuk është më si më parë. Zoom.al/

Osmani tërheq kërkesën për Kuvendin në Kushtetuese, shkak gjyqtari serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se e ka tërhequr një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban.

Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, tha ajo.

Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Osmani tha se nuk mund të tregojë hollësi për rrezikun që përbën për sigurinë kombëtare të Kosovës gjyqtari Llaban, duke shtuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

“Për momentin nuk mund t’i ndajmë. Ndoshta më vonë. Janë dokumente të klasifikuara që nuk mund të ndahen me publikun tani”, tha ajo.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha për Radion Evropa e Lirë se, duke e parë integritetin e kontestuar në publik të gjyqtarit Llaban, “është e pakuptimtë” se si kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka caktuar atë si raportues në një ndër rastet më të rëndësishme që lidhen me konstituimin e Kuvendit.

Ai tha se IKD-ja e kishte kontestuar përmes reagimit publik procesin e emërimit të Llabanit në pozitën e gjyqtarit të Gjykatën Kushtetuese më 2018.

“Në atë kohë IKD në reagim kishte kontestuar integritetin e z. Llaban, duke pas parasysh procesin gjyqësor ndaj të njëjtit. Për më tepër IKD kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe presidenti i republikës që të kishin parasysh integritetin dhe kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e emërimit të të njëjtit”, tha ai.

Megjithatë, Miftaraj tha se presidentja nuk është dashur të merrej me këtë çështje publikisht, pasi kështu “e rrezikon pavarësinë” e Gjykatës Kushtetuese.

“Për më tepër, forma dhe mënyra që presidentja Osmani ka zgjedhur për ta trajtuar ketë çështje përmes adresimit publik, është mënyra më e gabuar dhe e rrezikshme lidhur me pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.

Osmani theksoi se, pas tërheqjes së kërkesës së saj, ka gjasa që “shumë gjëra të mbesin të paqarta, duke shtuar se dëshiron t’i nxisë deputetët e Kuvendit të Kosovës t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive, “me shpresën që Llaban të mos caktohet në lëndën e tyre”.

Në aktgjykimin e saj, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë.

Kërkesa e Osmanit ishte bërë pasi vendi është zhytur në një krizë politike si pasojë e mosthemelit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Rel/

Reshje të dendura shiu në Vlorë, probleme në disa lagje

Pasditen e kësaj të marte, qyteti i Vlorës është përfshirë nga reshje të dendura shiu me intensitet të lartë.

Sasi të mëdha uji kanë krijuar probleme në disa zona të qytetit, ku përmendim lagjen Pavarësia, zonën e Skelës, si dhe përgjatë bulevardit kryesor.

Për shkak të rrjetit të pamjaftueshëm të kanalizimeve, uji ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve. Zoom.al/

Çfarë është kontraceptivi nën lëkurë dhe si funksionon?

Kontraceptivi nën lëkurë është një shkop i vogël, fleksibël, rreth 3 cm i gjatë dhe me disa milimetra në diametër, që vendoset nën lëkurën e krahut, zakonisht në pjesën e brendshme të parakrahut.


Ky shkop lëshon gradualisht hormonin progesteron, i cili ndalon ovulimin (lirimin e vezës nga vezoret) dhe në këtë mënyrë parandalon shtatzëninë. Ka një efikasitet prej rreth 99% dhe zgjat 3 vjet (36 muaj).

Në dallim nga pilulat, nuk kalon përmes stomakut apo mëlçisë, prandaj nuk ndikohet nga ndërveprimi me ilaçe të tjera si antibiotikët apo qetësuesit.


Cilat janë avantazhet?


-Efikasitet i lartë (99%);


– Vepron për 3 vjet, pa nevojë për ta kujtuar çdo ditë;

-Nuk ndikohet nga barnat e tjera, sepse ka rrugë të ndryshme përthithjeje;


– I sigurt për gratë me rrezik për trombozë (sepse nuk përmban estrogjen);


– Mund të përdoret nga persona me epilepsi, sëmundje autoimune, celiaqi, intolerancë ndaj laktozës, etj.;


– Mund të lehtësojë dhimbjet menstruale dhe të zvogëlojë ndjeshëm fluksin e ciklit menstrual, madje edhe ta ndalë fare për një kohë;


-Nuk ndikon në peshën trupore nëse nuk rritet marrja e ushqimit – hormonet mund të shtojnë oreksin, por shtimi në peshë ndodh vetëm nëse ushqehemi më shumë.

Disavantazhet dhe efektet anësore?


– Nuk mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme – për këtë nevojitet prezervativi;


-Kërkon anestezi lokale për vendosje;


– Spotting ose gjakderdhje të parregullta mund të ndodhin;


– Cikli menstrual mund të bëhet i çrregullt ose të zhduket për muaj të tërë;


– Ndryshime të humorit, tension në gjoks, fryrje – të mundshme, por më të lehta sesa me pilulat e zakonshme;


– Duhet hequr dhe zëvendësuar në klinikë pas 3 vitesh.


-Pothuajse çdo grua që dëshiron një kontracepsion afatgjatë mund ta përdorë, përveç rasteve ku ka ndalesa për përdorimin e hormoneve progestinike. Nuk ka nevojë të pritet një moment specifik i ciklit për ta vendosur – mjafton të përjashtohet mundësia e shtatzënisë. Është e përshtatshme për vajza të reja, nëna që ushqejnë me gji dhe për gra që kanë përvojë me efekte anësore nga pilulat me estrogjen
Në shumë shtete evropiane (p.sh. Itali), është e rimbursueshme nga sistemi shëndetësor për grupmoshat e reja apo raste të veçanta. Nëse blihet privatisht, kostoja mund të jetë rreth 150-200 euro për 3 vite, plus vendosja dhe heqja në klinikë./ Living