zoom

Day ArchiveVrau kushëririn e tij/ Kush është Frrok Lleshaj që u ekzekutua sonte

65-vjeçari Frrok Lleshaj, që u ekzekutua mbrëmjen e kësaj të hëne në Vaun e Dejës, nuk është një emër i panjohur për autoritetet.

Ai ka qenë i dënuar për vrasjen e kushëririt të tij, Dodë Lleshaj, rreth 2 dekada më parë. Në vitin 2006, Frrok Lleshajt iu hoq liria me vendim të Gjykatës së Shkodrës i akuzuar për “Vrasje me dashje”.

Ai qëndroi në burg deri në vitin 2023 dhe më pas u lirua nga qelia.

Pas daljes nga burgu, Lleshaj ishte braktisur nga familja e tij, gruaja dhe fëmijët, dhe jetonte i vetëm, duke u marrë me blegtori.

Deri në vitin 1994 Frrok Lleshaj ka shërbyer si efektiv policie.

Për shkak të së kaluarës së tij, grupi hetimor dyshon se vrasja e tij kishte si motiv hakmarrjen. Autoritetet nuk e kanë identifikuar ende autorin./ Zoom.al

Tronditet Korça! Zbulohet një specie unike

Nga Lutfi Dervishi

Tronditet Korça! Zbulohet një specie unike, një protestues!

Në Korçë është zbuluar një qenie e rrallë: një protestues. Jo me pankarta. Jo me peticione. Por me një… gur në dorë. I vetëm. Pa shoqëri. Pa sponsor. Pa hashtag. Pa kamera. Natën. Goditi një xham të godinës së bashkisë..

Ky burrë, në moshë madhore, nuk është pjesë e ndonjë grupi rebel, nuk ka bërë thirrje për revolucion, as ka kërcënuar askënd. Thjesht nuk duroi më.

Mediat kombëtare e morën videon e publikuar, nga vetë protestuesi në TikTok, dhe ia përcollën menjëherë per analizë të detajuar institucioneve kompetente.

Zyrtarisht thuhet se protestuesi është ndaluar nga policia, por burime shumë familjare me ngjarjen, thonë se ai është dërguar për ekzaminim mjeksor jashtë vendit.

Ekspertët kanë vënë re sjellje devijante, pasi kanë konstatuar se i riu nuk kishte as selfie, nuk punonte si influencer, nuk ishte paguar dhe më e çuditshmja, nuk ishte anëtar partie.

Shkencëtarët thonë se do të analizojnë trurin e tij për të kuptuar se çfarë e shtyn një njeri normal të reagojë, në vend që të shkruajë një koment anonim në Facebook apo në Instagram?

Analistët e shpjegojnë aktin e të riut si pasojë e temperaturave të larta të ditëve të fundit. Megjithatë zyrtarisht autoritetet nuk kanë sqaruar se çfarë do të bëjnë me këtë protestues, një specie e mbijetuar nga koha kur njerëzit mendonin me mendjen e tyre

Sjellja e protestuesit nuk përcaktohet ende në Kodin e ri Penal, por po shqyrtohet futja e një neni të posaçëm:
Neni 1099/1 – Reagimi pa miratim paraprak.
Dënimi: nga 30 ditë heshtje publike dhe 6 muaj bërje like dhe komente pozitive (Bravo, ju lumtë,) në postimet e ministrave dhe kryeministrit.

Në të njëjtën kohë UNESCO po shqyrtohen mundësine që veprimi i tij të futet në listën e trashëgimisë së rrezikuar shpirtërore!/ Zoom.al

DETAJE/ 65-vjeçari u qëllua duke ecur, dyshohet për hakmarrje

Mësohen detaje të reja për vrasjen e ndodhur në Vaun e Dejës mbrëmjen e kësaj të hëne.

Sipas burimeve për Zoom.al, në momentin e ngjarjes, 65-vjeçari Frrok Lleshaj ka qenë duke ecur në rrugët e fshatit, kur u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastit, që njoftoi policinë.

Shkak i vrasjes dyshohet se është bërë hakmarrja dhe kjo është pista kryesore ku po heton aktualisht policia.

65-vjeçari mësohet se ka qenë më parë i dënuar për vrasje./ Zoom.al

EMRI/ Kush është 65-vjeçari që u vra në Vaun e Dejës

Identifikohet 65-vjeçari që mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne në Vaun e Dejës.

Burime për Zoom.al konfirmojnë se viktimë mbetë Frrok Lleshaj.

Trupi i tij i pajetë u gjet në rrugë, ndërsa ende nuk janë zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

E paqartë mbetet edhe se kush është autori i vrasjes dhe për cilën arsye e ka kryer krimin, ndërsa policia po vijon hetimet në vendngjarje./ Zoom.al

Vrasje në Vaun e Dejës, ekzekutohet 65-vjeçari

Një 65-vjeçar u vra me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Sipas policisë, 65-vjeçari i gjet i pajetë në rrugë.

Policia ndodhet aktualisht në vendngjarje, ndërsa një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin ose autorët e dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./ Zoom.al

Kodi i ri Penal vret akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje në tenderë

Dy nene të projektit për një Kod të ri Penal, të prezantuar nga qeveria, duket se eliminojnë rrezikun e dënimit për zyrtarët për dy vepra penale shumë të rëndësishme, shpërdorimi i detyrës dhe shkelja e barazisë në tenderë, përmes vendosjes së konceptit të “qëllimit kriminal”, gjë që e bën vërtetimin nga prokuroria të shkeljeve të tilla praktikisht të pamundur.

Arben  Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri në arrati nga drejtësia, përballet në një nga dy çështjet penale në ngarkim të tij me një akuzë për abuzim me detyrën, përmes moskryerjes së një detyrimi ligjor. 

Sipas aktakuzës së vitit 2023, Ahmetaj nuk zbatoi një vendim të formës së prerë të gjykatës duke i shkaktuar dëm prej miliona eurosh familjes Myderizi. Ahmetaj i ka mohuar akuzat nga arratia.


Sido që të vejë puna, në rast se Kodi i ri Penal i propozuar nga qeveria për diskutim publik do të miratohej, me gjasë do ta shpëtonte Ahmetajn nga kjo akuzë për shkakun  e thjeshtë se vepra penale e parashikuar kësaj here kërkon që, prokuroria të vërtetojë jo vetëm veprimin apo mosveprimin e zyrtarit që ka shkaktuar dëmin, por duhet të vërtetojë që zyrtari ka vepruar me qëllim kriminal. Dhe duke qenë se, qëllimet kriminale gjenden brenda mendjes së njeriut të dyshuar për shkelje, gjasat janë që gjykata do të detyrohet të rrëzojë padinë si të pambështetur në ligj e në prova, pasi qëllimi kriminal nuk mund të vërtetohet.


Shpërdorimi i detyrës dhe shkelja e barazisë në tenderë apo në ankande publike janë dy ndryshime madhore të parashikuara në propozimet për ndryshimin e Kodit Penal. Qeveria është distancuar nga autorësia e ndryshimeve ligjore dhe thotë se Kodi është hartuar nga një grup ekspertësh, por deri më sot, asnjë nga ekspertët e përmendur nuk ka dalë publikisht që të mbrojë punën e vet.
Ndërhyrja në këto dy nene praktikisht bën të pavlefshëm të gjithë konceptin e abuzimit me detyrën nga zyrtarët publikë apo atë të krijimit të kushteve të pabarabarta për operatorët ekonomikë në rastet e tenderëve apo ankandeve publike.


“1. Zyrtari publik, i ngarkuar drejtperdrejt apo terthorazi [SIC], me administrimin e fondeve publike,  që synon, me dashje dhe qellim [SIC] kriminal, t’i shkaktojë dëm ekonomik veprimtarisë së institucionit të tij apo një personi tjetër, ngaqë: a) ushtron kompetencat në mënyrë të paligjshme; b) tejkalon autoritetin e tij ligjor duke perdorur fondet jashte destinacionit te tyre, ose c) krijon pengesa për të përmbushur një detyrë që rrjedh nga tagrat e tij ligjorë ose nga një vendim gjyqësor, kur veprimi nuk përbën ndonjë vepër penale më të rëndë, dënohet me burgim deri në katër vjet,” shkruhet në projektin e propozuar, i cili ndryshon në mënyrë themelore konceptin aktual ligjor të abuzimit të detyrës, e kufizon këtë vepër penale në fushën e administrimit të fondeve publike apo kërkon që prokurorët të vërtetojnë se zyrtari ka vepruar me “qellim kriminal”.
Ndryshe nga versioni i propozuar, Kodi aktual Penal në nenin 248 është shumë më lakonik, konciz dhe i qartë. Aty shkruhet: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”


Siç dallohet, hartuesve të Kodit të ri Penal i janë nevojitur 162 fjalë për të zëvendësuar një nen me 71 fjalë, i cili kërkon thjeshtë që zyrtari të merret përgjegjës në rast se një veprim apo mosveprim në kundërshtim me ligjin, i ka shkaktuar dëm shtetit apo shtetasve në përfitime materiale apo jomateriale të atij vetë ose të të tjerëve.


Jo më shkelje të barazisë me tenderë


Kodi aktual Penal parashikon në nenin 258 veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike ku parashikohet se krijimi i kushteve të pabarabarta në tenderë apo ankande, në çfarëdolloj forme apo pavarësisht qëllimit të shkelësit të ligjit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.


Ndryshe nga neni aktual, propozimi në kodin e ri në nenin 324 parashikon që zyrtarët e prokurimeve publike do të mund të mbahen përgjegjës vetëm në rastet kur shkelja e mësipërme është bërë “për qëllim përfitimi”.
“Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që për qëllim përfitimi, për qëllim përfitimi [SIC], shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorë ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji në një prokurim publik, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, kur prokurimi është në vlerën e kufirit të prokurimeve me vlerë të vogël sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës, apo kur për të njëjtat arsye është vendosur apo ndikuar të vendoset fitues i procesit një subjekt i pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet,” thuhet në propozimin aktual.
Mënyra e formulimit të këtij neni është dallueshëm një nonsens  juridik për shkak se, nëse një zyrtar ka përfituar nga shkelja e barazisë në tenderë apo ankande, ai dënohet për korrupsion ndërsa, në mungesë të vërtetimit nga prokurorët të qëllimit të përfitimit zyrtari mund të bëjë shkelje sa të dojë pa u shqetësuar se do të dënohet, për sa kohë arrin të fshehë përfitimet e mundshme.
Kodi i ri Penal është kritikuar deri më tani si “arbitrar”, “inkuizitor” dhe “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare” sa i përket pjesës së veprave të shumta penale që qytetarët mund të kryejnë, sipas këtij kodi, jo përmes veprimit, por përmes të folurit apo të shkruarit. Kodi është kritikuar gjithashtu si i paqartë, si një hap pas në disa drejtime apo një i tillë që do të shkaktojë konfuzion të panevojshëm apo edhe që do të vë në rrezik funksionimin tërësor të drejtësisë penale të vendit.


Disa kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje nevojën për hartimin e një Kodi të ri, në një vend ku nuk ka pasur së fundmi ndonjë ndryshim regjimi dhe në të cilin, kodi aktual, i miratuar fillimisht në vitin 1995, është përpunuar për tre dekada me radhë nga sistemi i drejtësisë përmes praktikës gjyqësore, vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë apo interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese apo edhe nga vetë parlamenti, duke hequr shumë nene negative, duke rishkruar apo riinterpretuar nene të tjera apo duke shtuar nene, jo gjithmonë në mënyrë fort të arsyeshme, por në shumicën e rasteve, përmes një procesi diskutimi të detajuar për çdo nen e çdo fjalë.


Puna e tre dekadave ka gjasa do të duhet të nisë nga e para, pasi sistemi i drejtësisë do të duhet të shqyrtojë formulime gjuhësore krejtësisht të ndryshme, të shprehura në një gjuhë që, sipas profesor Artan Fugës, “mund të interpretohen si një fizarmonikë, si një llastik.”


Përveç këtyre, ekzistenca e neneve që dukshëm bien ndesh me disa nga çështjet më të debatuara në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si  liria e shprehjes apo pacënueshmëria e dinjitetit të autoriteteve shtetërore si presidenti i republikës, ngre pikëpyetje serioze mbi nivelin e profesionalizmit të atyre të cilëve qeveria i referohet si “grup ekspertësh”, asnjëri prej të cilëve nuk ka dalë deri më sot të mbrojë atë që normalisht duhej të ishte krenaria e karrierës së çdo juristi.


Me fuqi për çështjet aktuale


Një nga parimet themelore të të drejtës penale është që, nëse qytetari që ka kryer një shkelje përballet me ndryshimin e legjislacionit  që parashikon shkeljen e kryer prej tij para gjykimit të formës së prerë, interesi i tij prevalon. Kjo do të thotë që, në rastet kur vepra penale e rishikuar mbart dënim më të lartë se sa parashikohej në kohën  kur u krye shkelja, shkelësi gjykohet sipas ligjit të vjetër. Ndërsa në rast se ligji i ri e favorizon atë në krahasim me të mëparshmin, ai gëzon të drejtën të gjykohet sipas ligjit të ri. Kjo do të thotë që, të gjithë zyrtarët që aktualisht përballen me akuza penale apo janë nën hetim për vepra penale, do të mund të zgjedhin opsionin më me leverdi për ta, si për sa i përket thelbit ashtu edhe masës së dënimit. Për shembull, vepra penale e korrupsionit pasiv parashikohet në projektkodin e propozuar të dënohet me 3 deri në 8 vjet heqje lirie. Por për të gjitha shkeljet e mundshme të bëra para hyrjes në fuqi të këtij kodi, do të mund të zgjedhin të gjykohen nga kodi aktual që parashikon dënim nga 2 deri në tetë vjet. Ndërsa zyrtarët e akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë ka gjasa do të kërkojnë të gjykohen apo të rigjykohen në bazë të kodit të ri penal, duke përfituar në praktikë një formë amnistie të pashpallur.
Parimi i përdorimit të ligjit më favorizues për subjektin sqarohet shprehimisht në projektkodin penal të prezantuar në nenin 9 ku shkruhet: Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Procedimi penal i filluar pushon, ndërsa në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon”. Dhe gjithashtu, në këtë nen shtohet: “Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale, përveç rasteve kur duhet shmangur gjëja e gjykuar. Çdo kërkesë që referon në përmbajtjen e ndryshme të dispozitave penale apo në masën e llojin e ndryshëm të dënimit penal që ato parashikojnë, kur e drejta lind në fazën e vuajtjes së dënimit, zgjidhet nga gjykata penale e fazës përgjatë ekzekutimit të dënimeve.”/ Reporter.al
 

Tronditet Kosova/ Gjendet një trup i pajetë i groposur, dyshohet për vrasje

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Baincë të komunës së Lipjanit, ku është gjetur i groposur një trup i pajetë, i cili dyshohet se i përket një personi të raportuar më herët si i zhdukur.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se rasti po trajtohet si vrasje e rëndë.

“Sot, rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale, ndërsa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim”, tha Ahmeti.

Trupi është gjetur nga familjarët e viktimës.

Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ Zoom.al

Vajza sekrete e Putinit akuzon liderin rus për luftën në Ukrainë: Burri që mori miliona jetë

Louisa Rozova, e njohur edhe si Elizaveta Krivonogik, e dyshuar si vajza jashtëmartesore e presidentit rus Vladimir Putin, është shfaqur për herë të parë publikisht duke kritikuar luftën në Ukrainë.

Në një postim në kanalin e saj në Telegram, ajo shkruan:

“Burri që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen.”

Edhe pse nuk e përmend Putinin me emër, mesazhi është interpretuar gjerësisht si një akuzë direkte ndaj tij.

E lindur në vitin 2003 në Shën Petersburg, Rozova u bë e njohur vite më parë për postimet e saj luksoze në rrjetet sociale, duke ndarë foto nga festa dhe udhëtime ekskluzive. Por pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, ajo u tërhoq plotësisht nga publiku dhe u zhduk nga interneti./ Zoom.al

Gaza drejt pushtimit të plotë! Urdhri i prerë i Netanyahut

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se është marrë vendimi për një pushtim të plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë edhe zonat ku mbahen pengjet.

Vendimi, që pritet të shënojë një fazë të re dhe më intensive të konfliktit, u bë publik pas një deklarate të zyrës së kryeministrit, e cila i drejtohej Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.

“Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen”, u shpreh ai.

Ky mesazh nënkupton përkeqësimin e marrëdhënieve brenda strukturave të sigurisë izraelite dhe vendosmërinë e Netanyahut për të shtyrë përpara ofensivën tokësore, pavarësisht kritikave të brendshme dhe presionit ndërkombëtar.

Vendimi për pushtimin vjen pas muajsh bisedimesh të stërzgjatura në Doha ndërmjet Izraelit, Hamasit dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë, që synonin arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimi të pengjeve. Hamasi ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me lejen për hyrjen e qindra kamionëve ndihmash humanitare në territorin e rrethuar.

Gjatë fundjavës, Hamasi publikoi një video ku shfaqeshin pengje të dobësuar, duke pretenduar se ata po vdisnin nga uria si pasojë e bllokadës dhe luftimeve.

Parashikimi i motit: Edhe nesër shtrëngata me breshër dhe vetëtima

Ditën e martë vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.


Moti parashikohet fillimisht me kthjellime dhe gradualisht shtim vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në relievet kodrinore-malore të vendit.

Reshjet e shiut parashikohen me intensitet të ulët të karakterit lokal në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në intervale të shkurtra kohore në mënyrë të izoluar, në jug priten shtrëngata me shkarkesa elektrike e breshër (në male).


Era e lehtë me drejtim kryesor juglindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë shpejtësi 8-16m/s.
Deti – Valëzimi forcës 2-3 ballë./ Zoom.al