zoom

Day ArchiveANSA: Nga 36 mijë emigrantë në vit, në 27 gjithsej, shifrat që turpërojnë marrëveshjen Meloni-Rama

I krijuar fillimisht nga qeveria si një qendër për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare për shqyrtimin e kërkesave për azil, që nga prilli Qendra ‘italiane’ në Gjader, në Shqipëri, funksionon vetëm si Qendër e qëndrimit për dëbim.

Që nga ajo kohë, në strukturë kanë kaluar 140 migrantë. Prej tyre kanë dalë 113: 40 për shkak të moszgjatjes së masës së ndalimit, 15 për arsye shëndetësore që i bënin të papërshtatshëm për ndalim, shtatë për shkak të njohjes së mbrojtjes ndërkombëtare dhe të tjerët për arsye të ndryshme; të dëbuarit kanë qenë 37. Aktualisht janë të strehuar 27 persona.

Numra pra deri tani shumë të ulët, në krahasim me programet fillestare shumë më ambicioze, për një projekt me një kosto prej gati një miliard euro në 5 vjet.

Marrëveshja mes Romës dhe Tiranës, e nënshkruar nga kryeministrat Giorgia Meloni dhe Edi Rama, parashikonte të priteshin në Gjadër deri në 3 mijë kërkues azili çdo muaj, për një total prej 36 mijë në vit.

Në Gjadër janë ngritur-me shpenzimet e Italisë-tre struktura të ndryshme: ajo më e madhja është një qendër për kërkues azili me 880 vende, më pas një CPR me 144 vende dhe një institucion ndëshkimor me 20 vende. Një hotspot është ndërtuar në portin e Shëngjinit.

Aty, me anë të një anijeje ushtarake italiane, duhej të mbërrinin emigrantët e kapur në Mesdheun Qendror. Por të gjitha transferimet e provuara kanë rezultuar të pasuksesshme sepse ndalimet në Gjadër nuk janë konfirmuar nga gjyqtarët e Gjykatës së Romës dhe më pas nga Gjykata e Apelit.

Kjo për shkak të pamundësisë për të njohur si vende të sigurta për qëllime dëbimi shtetet e origjinës si Egjipti apo Bangladeshi. Gjyqtarët kanë kërkuar nga Gjykata e BE-së të zgjidhë këtë çështje. Dhe kjo ndodhi sot.

Por Qeveria, pa pritur vendimin e sotëm-dhe ndoshta duke e parashikuar atë, kishte ndryshuar tashmë ‘destinacionin e përdorimit’ të qendrave. Që nga prilli, në Gjadër nuk janë transferuar më emigrantë të marrë nga deti që kanë kërkuar azil, por persona që ndodheshin tashmë në CPR-të italiane, pikërisht për të anashkaluar pengesën ligjore nga gjyqtarët mbi ndalimet.

Numrat janë reduktuar ndjeshëm krahasuar me parashikimet. Edhe sepse, nëse personat e CPR-ve italiane të sjellë në Gjadër bëjnë kërkesë për azil, procedura parashikon që ata të transferohen përsëri në Itali.

Vendimi i Gjykatës, pra, edhe pse nuk prek përdorimin aktual të strukturave shqiptare, e bën të qartë shfrytëzimin e tyre. /ANSA

A ka vjedhur Veliaj në emër të Ajolës?

Nga Andi Bushati

Publikimi pak ditë më parë i dosjes së SPAK për marrjen të pandehur të çiftit Ajola Xoxa – Erion Veliaj e ka futur opinionin në një qorrsokak, duke provokuar një debat shterpë mes atyre që këmbëngulin dhe të tjerëve që s’besojnë në pafajësinë e tij.

Ata që nuk e duan kryebashkiakun ende në detyrë të Tiranës po botojnë dhe propogandojnë fragmente nga skema e zbardhur nga hetuesit. Sipas tyre, bashkëshortja e Veliajt ka ngritur një kostelacion të tërë OJF-sh fiktive, kryesisht me prirje artistike, të cilat nën emra te rremë kanë marrë fonde drejtpërdrejt me firmën e kryebashkiakut, në konfikt të pastër interesi. “Ajola krijonte organizata fiktive dhe aktive ndërsa Veliaj firmoste fonde dhe pagesa për OJF e bashkëshortes, që ishin krijuar vetëm për vjelje fondesh”, thuhet në dokumentin e SPAK, ku përmenden njëra pas tjetrës Qendra Byla, Muza, Bash art, Forbolous, etj dhe aktivitetet që ato kryenin të komanduara nga znj. e parë e Tiranës.

Ky version i vjedhjes është fortifikuar edhe nga shumë dëshmi bashkëpuntorësh që kanë pranuar para prokurorëve se ata firmosnin fiktivisht, në mënyrë servile, për përfitimet që merrte bashkëshortja, të detyruar nga pushteti i madh i Veliajt.

Por, nga ana tjetër, mbrojtësit ligjorë të të burgosurit dhe mediat që vijojnë ta mbrojnë atë, kanë hedhur në treg një hipotezë tjetër. Sipas tyre e gjithë sa po thuhet është vetëm “agjitacion e propagandë”, një proces populist që nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por njollosjen e personit që është paracaktuar të linçohet. Ata këmbëngullin se Erion Veliaj nuk ka të bëjë aspak me këto akuza, pasi realisht s’ka qenë ai që vendoste për projektet artistike. Ata pretendojnë se këtë rol e luante që në vitin 2016, me miratim të Këshillit Bashkiak, një bord prej 9 personalitete të njohura në fushën e kulturës. Madje madje, thonë ata edhe nënshkrimi formal i fondeve, nuk bëhej nga Veliaj, i cili prej shtat vitesh ia kishte deleguar këtë kompetencë njërit prej nënkryeatarëve.

Po ta lexosh kështu këtë histori të duket sikur ka vërtet një kontadiktë.Një person që majftohet me kaq do të kishte ngritur pyetjet legjitime: A e dinte Lali se ç‘bënte gruaja? A miratonin me sy mbyllur 9 antarët e bordit artistik, apo ndaj tyre bëhej presion? A ishte në të njëjtën pozitë nënkryetari i bashkisë të cilit i ishte deleguar firma? Dhe në fund të fundit, edhe për këdo që është i bindur se kjo qe një skemë mbrojtjeje e kamufluar, dilema mbetet: a mjafton hipoteza se ai ka pasur djeni për të fajësuar një njeri, kur vendimet formalisht i kanë ndërrmarë të tjerët?

Personalisht si qytetar (po jo si prokuror apo gjykatës që është i dënuar ti vërtetojë bindjet e tij) unë besoj se Veliaj i ka kryer këto krime. Ai ka qenë në djeni të gjithçkaje. Njësoj si në rastet kur korruptonte me projekte grevëthyesit e protestës tek teatri, njësoj sikur blenet gazetarët që i punësonte në ndërmarrjet që vareshin nga bashkia, në atë institucion Veliaj vendoste për çdo gjë.

Por sa më i vendosur dhe i bindur që të jem për anën që duhet mbajtur në debatin fallco se a kishte djeni Veliaj për paratë që shkonin te Ajola, aq më qesharak dhe tallës më duket ky qorrsokak ku na kanë futur eunukët e SPAK.

Sepse, problemi madhor i drejtimit për gati një dekadë të Tiranës, nuk është nëse shkuan disa para tek Harabeli, nëse u shpik një rrugë për tu rriur vlera e apartamentit të krushqisë, nëse familja Veliaj përfitoi një vilë në Golem.

Po këto mund të përbëjnë shkelje për të cilat edhe mund të përfundosh në burg. Por, të para në kontekstin e përgjithshëm, ato nuk janë asgjë më shumë sesa një pikë uji në oqean. Ato janë grimca dhe lëshime vetëm që Erionit mos i çante trapin gruaja. Ato janë dhurata për të përkëdhelur vanitetin e asaj me të cilën herë pas here ndante shtratin. Por, vetëm kaq. Pjesa e padukshme e ajzbergut të korrupsionit në bashkinë e Tiranës duhet kërkuar tek firma për inceneratorin, tek paratë e 5 D që shkonin për vjedhjen e zgjedhjeve. Ama SPAK është i tredhur që ti hyjë kësaj rruge. Njësoj si për Tahirin që u dënua për Habilajt dhe jo për projektin e kanabizimit, njësoj si për Beqen që hetohet për faturat e restorantit dhe jo për koncesionet në shëndetësi, njësoj si për Ahmetajn që i kanë bllokuar vilat e grave, duke i harruar djegësat e Elbasanit e Fierit edhe Velian po e shpien të turrën e druve si një njeri që nuk përmbante dot ekseset e gruas.

Pikërisht për këtë arsye ne jemi zhytur sot në një polemikë, sa absurde po aq dhe qesharake, nëse e dinte apo jo “Lali”, nëse ka firmosur apo jo ai për Ajolën.

Ky është kontributi real i SPAK-ut në shoqëri. Ndërsa prokurorët specialë daravisin vemendjen e publikut me këto kotësi, ndërsa ata provokojnë polemika shterpë dhe përplasje qesharake për mëkatet minore të Veliajt, ai në emër të të cilit kryebashkiaku i Tiranës u bë therror, vazhdon të mos figurojë në asnjë dosje. Çakallin e kanë këmbyer me Harabelin.

Trump vendos nëndetëset bërthamore amerikane pranë Rusisë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në rajone pranë Rusisë, si përgjigje ndaj kërcënimeve të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev.

Medvedev, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kishte deklaruar më herët se Trump duhet të kujtojë kapacitetet bërthamore të epokës sovjetike të Moskës.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi: “Bazuar në deklaratat jashtëzakonisht provokuese të ish-Presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është Nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në rajonet përkatëse, për çdo rast, nëse këto deklarata të pamenduara dhe provokuese rezultojnë të jenë më shumë se kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të paqëllimshme. Shpresoj që ky të mos jetë një prej atyre rasteve. Faleminderit për vëmendjen!”.

Deklarata e Trump vjen në një moment të tensionuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është pritur me shqetësim nga vëzhguesit e sigurisë globale, të cilët paralajmërojnë se retorika e ashpër mes liderëve mund të përshkallëzojë situatën në mënyrë të rrezikshme.

Deri më tani, Moska nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me vendimin e Trump për të pozicionuar nëndetëset bërthamore pranë Rusisë. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar i sigurisë po ndjek nga afër zhvillimet dhe po bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog diplomatik. 

Qeveria i shpall luftë humorit dhe kritikës ndaj. Burg këdo që kthen Ramën dhe Begajn në objekt talljeje!

Drafti i ri i Kodit Penal, aktualisht në shqyrtim, përmban një nen që parashikon dënimin deri në tre vite burg për “përdhosje” të institucioneve të larta të shtetit, përfshirë Presidentin, Kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave.

Neni 235 i draftit specifikon se “tallja, përçmimi apo përbuzja” ndaj Republikës dhe simboleve të saj do të konsiderohen vepra penale.

Në mënyrë të detajuar, ligji propozon dënime për këdo që shprehet me ironi, satirë apo kritika të ashpra ndaj udhëheqjes, sidomos në raste ceremoniale apo gjatë ngjarjeve publike. Në një klimë politike të mbushur me skandale, qeveria zgjedh të merret me qytetarët që bëjnë meme dhe postime thumbuese.

Ironia shtohet kur pikërisht në ditën e publikimit të këtij drafti, kryeministri Rama shfaqet LIVE me një palë syze të kuqe në stilin e Elton Ilirjanit, duke dhënë një fjalim solemn në Facebook. Pamja e tij u bë menjëherë subjekt memes dhe shakave në rrjet – pikërisht ajo që drafti i ri dënon si krim.

“Firmosa nën presionin e Ajolës”/ Avokatët e bashkëshortes së Veliajt i përgjigjen ish-drejtoreshës së TKOB: Shpifje! 

Ish-drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, deklaroi disa ditë më parë para prokurorëve të SPAK se ka firmosur kontrata të paligjshme, me urdhër të Ajola Xoxës.

Sipas saj, ‘kontratat e paligjshme’ i firmoste nën presionin e Ajola Xoxës.
“Kontratat janë hartuar me kërkesë të Ajola Xoxës, e cila kishte përzgjedhur operatorin dhe kishte përcaktuar shumën. Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e shoqërisë ‘Rametal’. Ajola bëri të gjithë diskutimet financiare dhe teknike, duke përdorur një ekonomiste të qendrës ‘Harabel’. Bëhet fjalë për aktivitetin ‘Festivali Ndërkombëtar i Dancit’. Ajola Xoxa kërkoi që një shumë prej 240.000 euro të menaxhohej nga Qendra Harabel, unë nuk isha dakord, sepse fondet publike duhej të menaxhoheshin nga Teatri dhe jo nga një organizatë e jashtme. Ne kishim vështirësi me kohën, pasi procedurat duhej të zhvilloheshin gjatë muajit gusht, periudhë në të cilën stafi administrativ i Teatrit ishte i reduktuar. Për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj, u ndjeva e detyruar të nënshkruaja dokumentet“, pretendon Voshtina.

Për këtë dëshmi, reaguan sot avokatët e bashkëshortes së Erion Veliaj, që thonë se gjithçka është shpifje. Sipas mbrojtjes, Xoxa nuk ka përfituar asnjë fond publik nga aktiviteti kulturor që pretendon Voshtina. “Fondi i përmendur është miratuar nga Këshilli i Ministrave për Ministrinë e Kulturës dhe më pas i është kaluar për administrim Teatrit të Operas dhe Baletit. Ajola Xoxa nuk ka pasur dhe nuk mund të kishte asnjë rol në këtë proces“, thuhet në reagim.

Deklarata nga avokatët e Ajola Xoxës:

Në vijim të një publikimi të shpërndarë nga disa portale online, ndjejmë detyrimin të reagojmë ndaj një përmbajtjeje manipuluese, të nxjerrë nga konteksti hetimor dhe të ndërtuar mbi deklarata të pjesshme, me qëllim denigrimin e znj. Ajola Xoxa, por edhe pozicionin e saj në një proces juridik.
Sqarojmë se as znj. Ajola Xoxa, as ndonjë prej subjekteve juridike që ajo administron, nuk kanë përfituar asnjë fond publik nga aktiviteti kulturor që përmendet në deklaratën e Znj. Abigeila Voshtina. Nuk ekziston asnjë marrëdhënie financiare apo institucionale ndërmjet tyre dhe ndonjë institucioni shtetëror sa i përket aktivitetit në fjalë.
Çdo pretendim për të kundërtën është i pavërtetë dhe i shpërndarë me qëllim manipulimin e opinionit publik gjatë një procesi hetimor në zhvillim dhe para çdo verifikimi të plotë, objektiv e të pavarur. Kjo është strategji që synon të prodhojë një fajësi mediatike aty ku mungon çdo bazë juridike.
Kjo mënyrë veprimi është vetëm tregues i dobësisë së akuzës, që kërkon të imponojë në publik një narrativë të pavërtetë, e që për më tepër nuk reagon ndaj publikimit të detajeve nga një proces hetimor që është në zhvillim.
Sa i përket deklaratës së znj. Abigeila Voshtina, sqarojmë se fondi i përmendur është miratuar nga Këshilli i Ministrave për Ministrinë e Kulturës dhe më pas i është kaluar për administrim Teatrit të Operas dhe Baletit.
Znj. Ajola Xoxa nuk ka pasur dhe nuk mund të kishte asnjë rol në këtë proces.
Gjithashtu, sqarojmë edhe se është fakt se as znj. Xoxa vetë e as subjektet nën administrimin e saj nuk janë paguar asnjë cent nga ky fond. ZERO!
Zonja Xoxa nuk është institucion, por një individ nën hetim, ndaj çfarëdo përpjekjeje për ta stigmatizuar publikisht përpara se të gjykohet është jo vetëm moralisht e papranueshme, por edhe një dhunim i rëndë i parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë.
Ne kemi treguar që kemi gjithë durimin për të respektuar procesin e të mos reagojmë me të njëjtën mënyrë si ata që shkelin çdo parim kushtetues. Por kjo, sigurisht nuk mund të keqkuptohet si dorëzim.
Shpifja nuk është informim.
Gjysma e së vërtetës është gënjeshtra më e madhe.
Publikimi i sekreteve hetimore është vepër penale.

Skadon afati për lirimin e hapësirave publike, Balluku: Nga sot nis veprimi i IKMT-së, kjo është një reformë

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se duke nisur nga kjo e premte, Inspektorati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit do të nisë veprimin për lirimin e hapësirave publike në akset kombëtare, pasi iu ishte lënë afat bizneseve deri më 31 korrik, që t’i lironin vetë.

Balluku tha se përgjatë 8 ditëve të fundit u realizua një fushatë këshillimore nga ARRSH dhe IKMT, duke treguar edhe raste konkrete të bashkëpunimit të subjekteve. “Mjafton t’ju tregoj një rast në aksin rrugor Kombinat-Plepa, ku subjekti ka ndërmarrë tërheqjen dhe respektimin e distancës nga trupi i aksit kombëtar, si dhe sistemimin estetik të zonës ku operon. Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur kudo. Gjithashtu, gjej rastin të përgëzoj të gjithë ato subjekte që operojnë në aksin nga Gjirokastra në Levan, pasi kam qenë së bashku për një inspektim atje me inxhinierët e ARRSH-së dhe inspektorët e IKMT-së dhe nuk kemi evidentuar asnjë shkelje në këtë territor”, tha Balluku.

“Bëjmë me dije se nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare. Çka po ndodh sot në territorin e Shqipërisë, nuk është një aksion kundër tendave, ashtu siç thuhet, është një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave dhe ligjeve të mbrojtjes së territorit në Republikën e Shqipërisë. Është një reformë që nuk lë jashtë vëmendjes as tendat, as oborret e përbashkëta të pallateve të zaptuara e të kthyera në parkingje dhe as TEC-et e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në territoret e vendburimeve shqiptare, pavarësisht mohimit qesharak të ekzistencës së tyre apo mbrojtjes akoma më qesharake nga segmente të paguara për të goditur të mirën publike”.

Balluku falënderoi qytetarët për ata që e quajti bashkëpunim të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj periudhe dhe i inkurajoi ata të vijojnë denoncimet. “Madje, në vazhdim edhe përmes një platforme të dedikuar, platforma ‘Hapësira ime’ që është njoftuar nga Kryeministri, Edi Rama. Ju uroj një verë të qetë e pushimet mbara dhe ju sigurojmë se të gjitha institucionet janë në krye të detyrës në çdo skaj të vendit për të garantuar cilësisht shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e shumë të huaj që ndodhen këtë sezon në vendin tonë”, tha ajo

Edhe BE kundër Kodit Penal të Shqipërisë: Jemi të shqetësuar! S’është në standardin europian!

Delegacionit të BE në Tiranë ka reaguar në lidhje me draftin e kodit të ri penal.

Në këtë reagim thuhet se ky draft është rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria dhe Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe aktualisht po shqyrton projekt-ndryshimet e propozuara.

Me tej, delegacioni i BE në vendin tonë shprehet; “Jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara. Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.”

Për ndryshimet në Kodin Penal, delegacioni i BE thotë; “Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen.”

Reagimi i Delegacionit të BE në Tiranë:

Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.

Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e këtij grupi ekspertësh dhe aktualisht po shqyrton projekt-ndryshimet e propozuara, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh.

Megjithatë, jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, si dhe nga shoqëria civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara. Jemi veçanërisht të shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së dhe jemi të bindur se, në kuadër të procesit të konsultimit dhe në kuadër të angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen.

Rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Në kuadër të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së.

Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (p.sh. dekriminalizimi i shpifjes, rishikimi i kuadrit ligjor për trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, abuzimin me fëmijët, armët e zjarrit, pastrimin e parave). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.

Vuante nga një sëmundje e rëndë, portieri i Bayern njofton ndarjen nga jeta të djalit 6-vjeçar

Portieri i Bayern Munich, Sven Ulreich, ka njoftuar vdekjen e djalit të tij gjashtë vjeçar, Len, pas një sëmundjeje të rëndë.

Ulreich, 36 vjeç, e ndau lajmin e hidhur në kanalet e komunikimit duke thënë se Len ndërroi jetë në qershor pas një beteje me një gjendje të rëndë shëndetësore. I lindur në nëntor 2018, Len ishte më i vogli nga dy fëmijët e portierit të Bayernit.

“Me trishtim të thellë njoftojmë se djali ynë Len ndërroi jetë disa javë më parë pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë. Ta bësh këtë publike është tepër e vështirë, por është një hap i rëndësishëm për ne si familje për të krijuar qartësi dhe paqe. Tani po përpiqemi, së bashku me vajzën tonë, të gjejmë rrugën tonë për t’u rikthyer në jetë, hap pas hapi.

Jemi thellësisht mirënjohës ndaj familjeve, miqve tanë dhe FC Bayern Munich për mbështetjen dhe kujdesin e tyre gjatë muajve të fundit. Ju lutemi të respektoni privatësinë dhe të mos bëni pyetje ose deklarata të mëtejshme,”- thuhej në reagimin e Ulreich në kanalet e komunikimit.

Ulreich ç’aktivizoi komentet në postim për të mbrojtur privatësinë e familjes së tij gjatë zisë së tyre.

Portieri veteran ka bërë 103 paraqitje për Bayernin, duke shërbyer si zëvendësues i Manuel Neuer. Që kur iu bashkua klubit nga Stuttgart në vitin 2015, ai ka fituar nëntë tituj të Bundesligës, tre Kupa DFB, gjashtë Superkupa DFL, si dhe Champions League edhe Superkupën UEFA./ Zoom.al

Çiljeta hap zemrën: Dua të bëj një vajzë, por kam një problem hormonal

Çiljeta Xhilaga ka rrëfyer së fundmi planet e saj për zgjerimin e familjes.

Në një intervistë për emisionin “Në shtëpinë tonë”, në Top Channel, këngëtarja tha se dëshiron që të bëhet nënë e një vajze, por ka një problem hormonal që po e vështirëson këtë dëshirë të sajën.

“Ne kemi dy vjet që po përpiqemi të bëjmë një vajzë. Unë kam një problem hormonal. Do doja shumë ta kisha një vajzë,”- tha ajo.

Këngëtarja është nënë e një djali nga martesa e saj e parë, Fernando. Prej vitesh ajo bashkëjeton me portierin e “Partizanit”, Alban Hoxha, i cili po ashtu ka një djalë, Bekimin, të cilin Çiljeta vazhdimisht e ka konsideruar si djalin e saj të vogël./ Zoom.al

Krimi horror në Itali, 62-vjeçarja pranon se vrau dhe copëtoi djalin e saj bashkë me partneren e tij

Lorena Venier, 62 vjeçe ka pranuar para prokurorit se vrau dhe copëtoi djalin e saj, Alessandro Venier, me ndihmën e partneres së tij, Marilyn Castro Monsalvo, 30 vjeçe, me origjinë nga Kolumbia.

Avokati i saj, Giovanni De Nardo konfirmoi se klientja e tij ka pranuar plotësisht krimin, duke qenë dukshëm e tronditur nga egërsia e aktit. “Kujdesi kryesor i saj,” tha avokati, “është për mbesën e saj gjashtë muajshe, duke ditur se mund të mos e shohë më kurrë fëmijën.”

“Isha unë dhe di që ajo që bëra është e tmerrshme,”-ka rrëfyer 62-vjeçarja para prokurorit.

Sipas autoriteteve, krimi u krye mbrëmjen e së premtes, më 25 korrik, në shtëpinë e familjes.

Ndërkohë, është shtyrë deklarimi i Marilyn Castro, e cila akuzohet gjithashtu për përfshirje në vrasje. Avokatja e saj, Federica Tosel deklaroi se ende nuk ka pasur qasje në dosjen e çështjes, ndërsa klientja e saj është në gjendje psikologjike të rënduar dhe ka nevojë për mbështetje, veçanërisht për shkak të foshnjës së saj gjashtëmuajshe, e cila tani është në kujdesin e shërbimeve sociale.

Sipas agjencisë italiane ANSA, krimi ndodhi brenda banesës ku jetonin tre të rriturit së bashku me foshnjën në qytetin Udine, në veri të Italisë. Ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivi i ngjarjes.

Megjithatë, sipas të dhënave, atë mbrëmje kishte pasur edhe një përplasje tjetër midis dy grave dhe Aleksandros, lidhur me mungesën e përkushtimit të tij ndaj detyrave shtëpiake dhe tensionet në familje.

Trupi i Alessandro-s u gjet i copëtuar brenda një koshi plastik në depo të shtëpisë, i mbuluar me gëlqere për të parandaluar erën e keqe. Shkaqet e sakta të vdekjes dhe kronologjia e ngjarjeve do të përcaktohen nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe analizat toksikologjike./ Zoom.al