zoom

Day ArchiveTemperatura rekord në Greqi/ Merren masa urgjente, mbyllet Akropoli

Qeveria greke ka ndërmarrë masa urgjente për shkak të valës së tretë të të nxehtit që ka përfshirë vendin këtë verë. Autoritetet kanë urdhëruar pezullimin e punimeve në natyrë dhe mbylljen e përkohshme të Akropolit, një nga atraksionet më të famshme turistike të vendit.

Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar se temperaturat pritet të arrijnë deri në 43°C në disa zona, kryesisht nga e marta deri të premten. Për pasojë, shërbimet e emergjencës janë vendosur në gatishmëri.

Punëtorëve në sektorët e ndërtimit, bujqësisë dhe shërbimeve të tjera u është bërë thirrje që të ndërpresin aktivitetet gjatë orëve më të nxehta të ditës, për të shmangur rrezikun nga goditjet termike. Në të njëjtën kohë, qeveria u ka rekomanduar qytetarëve dhe turistëve që të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin daljet në diell, të konsumojnë ushqime të lehta dhe shumë lëngje, dhe të evitojnë përdorimin e alkoolit.

Akropoli në Athinë do të jetë i mbyllur për vizitorët në oraret nga ora 12:00 deri në 17:00 të martën dhe të mërkurën, për të mbrojtur shëndetin e vizitorëve dhe stafit në kushtet ekstreme të të nxehtit./ Zoom.al

Heroizëm në Korçë: Efektivët hyjnë mes flakëve për të shpëtuar të moshuarin (EMRI)

Tre efektivë të policisë shpëtuan një të moshuar nga flakët, në një lagje periferike në Korçë.

Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari, oficerë të Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, ndërhynë në banesën njëkatëshe të 72-vjeçarit Jorgo Kostreci, i cili ndodhej i vetëm brenda, në momentin kur ndërtesa u përfshi nga flakët.

Shërbimi zjarrfikës ndërhyri për të izoluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, ndërsa policët rrezikuan jetën e tyre për të nxjerrë të moshuarin jashtë.

Pas shpëtimit, Kostreci u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Burime spitalore bënë me dije se 72-vjeçari ka marrë trajtim mjekësor për asfiksi nga tymi, por ndodhet në gjendje të stabilizuar. I tronditur pas ngjarjes, ai është shprehur shkurtimisht: “Nuk kuptova asgjë, veç pashë flakët”.

Sipas të dhënave, Kostreci jeton i vetëm dhe të ardhurat i siguron kryesisht nga pensioni dhe mbledhja e hekurave./ Zoom.al

Mot përvëlues nesër në vend, ja qytetet ku termometri do të shënojë 40 gradë

Ditën e mërkurë vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme dhe të nxehta.

Moti parashikohet i kthjellët, me kohëzgjatje të orëve me diell në të gjithë territorin.

Era me drejtim veriperëndim – verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare në jug dhe zonat luginore era fiton shpejtësi 7-15 m/s.
Deti – Valëzimi 1-3 ballë.

Sipas meteorologëve, temperaturat do të rriten më tej, duke regjistruar 40 gradë në Berat, Elbasan dhe Gjirokastër.

Përplasi këmbësorin në Finiq, arrestohet disa orë pas ngjarjes shoferi (EMRAT)

Një aksident rrugor ndodhi mbrëmjen e së hënës rreth orës 22:30 në zonën e njohur si SMT, në Finiq.

Në aksident u plagos një 59-vjeçar, Vasillaq Kallojeri, i cili u përplas nga një motomjet teksa po ecte në këmbë. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes, duke lënë të plagosurin pa ndihmë.

Kallojeri u transportua me urgjencë në spitalin e Sarandës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën

Pas ngjarjes, policia identifikoi motomjetin të përfshirë në aksident, një “Dayang” me targa BI024, që çoi në kapjen e autorit.

Në pranga ka rënë 62-vjeçari Nikolla Xhollo, banues në fshatin Dermish, bashkia Finiq. Ai akuzohet për dy vepra penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”./ Zoom.al

Finiq/ 49-vjeçari dhunon bashkëshorten, e godet me gotë qelqi në fytyrë

Një rast i rëndë dhune në familje është shënuar në fshatin Livadhja të Finiqit, ku një 49-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pas një akti të dhunshëm ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur brenda banesës së çiftit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura motivet që çuan në këtë akt dhune. E plagosura është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Livadhja arrestuan shtetasin P. K., 49 vjeç, banues në fshatin Livadhja, Finiq, pasi dyshohet se ka goditur me një gotë qelqi në fytyrë bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar dëmtime”, njoftoi policia./ Zoom.al

Shabani i përgjigjet Lapajt: Çfarë ke me dajën, sqaroje me atë

Përplasja publike brenda radhëve të “Shqipëria Bëhet” vijon të thellohet, me një reagim të fortë nga Endri Shabani ndaj deklaratave të fundit të Adriatik Lapajt. Në një deklaratë të gjatë, Shabani e akuzon Lapajn për shpifje, gënjeshtra dhe fabrikim të realitetit, duke e cilësuar sjelljen e tij si pjesë e një “teatri politik” të mirëorkestruar.

Shabani mohon të ketë pasur ndonjëherë synim për të penguar hyrjen e Lapajt në Kuvend dhe thekson se mbështet të drejtën e tij për të marrë mandatin. Megjithatë, ai ngre shqetësimin për atë që e quan “dhunë publike dhe kërcënime” ndaj familjarëve të tij, veçanërisht ndaj dajës që ndodhet në listën zgjedhore.

Sipas tij, skema e përdorimit të të afërmve si kandidatë “placeholder” ka qenë ide e vetë Lapajt, por tani, në përballje me pasojat, ai po përpiqet të shmangë përgjegjësinë.

Reagimi i plotë

Një përgjigje për deklaratën e sotme të Z. Adriatik Lapaj

Në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj.

Theksoj “me mjete të pabarabarta” sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë.

Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë.

Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament.

E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Nga ana tjetër, ia kam bërë të qartë po ashtu Adriatikut se unë nuk e bind dot dajën tim që të harrojë kërcënimet me jetë, apo dhunën publike dhe mediatike të frymëzuar, në mos porositur, nga Adriatiku.

Përpara se të kalohej në dhunë e kërcënime, Adriatiku është dëshmitar që jam ulur bashkë me të për t’i kërkuar dajës t’i hapë rrugën, dhe nuk ia kemi dalë.

Unë nuk jam Zeqiri dhe as dua të bëj avokatin e tij, por nuk kemi argumente as unë, as Adriatiku për ta bindur që ai të mos i kërkojë hesap Adriatikut për sa i përket fjalës së dhënë.

Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm.

Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër.

Ajo që unë nuk kuptoj është përse Adriatiku kërkon të më bëjë mua përgjegjës për vendimet individuale të dikujt që, po, është i afërmi im, por ka kokën e vet, kur Adriatiku vetë nuk mban përgjegjësi as për familjarët e tij që kërcënojnë në emër të tij.

Unë besoj njësoj si Adriatiku që ai s’ka përgjegjësi për vjehrrin që nuk e kaloi Vettingun. Por nuk është problemi im nëse ai beson që përgjegjësia e dikujt tjetër është e imja – dhe kjo nuk ka ku të rrijë!

Më vjen keq që një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një “gjetje gjeniale”. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si “placeholders” (mbajtës rradhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes.

Dhe personalisht, së bashku me ata familjarë që mendojnë si unë, e kam hapur krahun pa asnjë problem.

Motra e Adriatikut po bëhet deputete sot vetëm sepse njeriu im më i afërt ka pranuar t’ia lirojë vendin asaj.

Ndërsa Adriatikut do t’i lutesha që çfarë ka me dajën, të mos ma kërkojë mua, sepse për më tepër, sado qesharake të duket, dajës tim iu lut ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidatë për të mbushur listat.

Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.

As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet.

Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim.

Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë. Jo për mua, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra e zhgarravitur tashmë e “politikës së re”.

Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda e Fiorentinës

Celeste Pin, ish-mbrojtësi legjendar i Fiorentinës, është gjetur i pajetë në moshën 64-vjeçare në shtëpinë e tij në zonën kodrinore të Careggi-t, këtë të martë.

Sipas mediave italiane, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës, megjithëse në vendngjarje nuk është gjetur asnjë letër apo mesazh lamtumire. Trupi i tij u zbulua pasi një i afërm i shqetësuar njoftoi autoritetet, pas disa ditësh pa asnjë kontakt. Hetimet janë ende në vijim për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Në një mesazh ngushëllimi të ndjerë, klubi shprehu ngushëllime për familjarët e tij.

“Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, drejtori i përgjithshëm Alessandro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm…”, thuhet në reagim.

Pin ka qenë një nga figurat më të respektuara të Fiorentinës gjatë viteve ’80, pjesë e skuadrës që luajti finalen e Kupës UEFA në sezonin 1989–1990 përballë Juventusit. Gjatë atyre viteve, ai ndau fushën me emra si Roberto Baggio dhe trajneri i sotëm i Fiorentinës, Stefano Pioli.

Pas Fiorentinës, ai luajti për Veronën dhe Sienën, ku edhe mbylli karrierën si futbollist. Më pas vijoi angazhimin në futboll si trajner i ekipeve të moshave dhe komentator sportiv, ndërsa kohët e fundit punonte edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme./ Zoom.al

Lapaj akuzon Shabanin: Duan të më përjashtojnë nga Kuvendi

Adriatik Lapaj, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ka akuzuar hapur aleatët e tij politikë për një skenar të qëllimshëm për ta përjashtuar nga Kuvendi, përmes manipulimit të listës dhe përdorimit të dorëheqjeve të paracaktuara.

Në një intervistë për “News24”, Lapaj u shpreh se kjo nuk është thjesht një përplasje për një mandat, por një përpjekje për të “zhbërë vullnetin qytetar” dhe për të ndaluar hyrjen në politikë të një zëri të pavarur.

“Mandati nuk duhet të shkojë përmes dajës së Shabanit, që është në vendin e nëntë të listës. Unë nuk do isha një dekor në Parlament. Dhe pikërisht kjo i tremb”, tha ai.

Ai ngriti dyshime të forta mbi rolin e Endrit Shabanit, duke e lidhur drejtpërdrejt me manovrat për të ndaluar hyrjen e tij në Kuvend.

“Nëse familjarët e Shabanit veprojnë në mënyrë të pavarur, pse ai vetë del e i mbron? I lamë në dorë Tiranën dhe ajo doli zona më e dobët”, tha Lapaj, duke e konsideruar të gjithë këtë si një goditje ndaj vetë idesë së listës së hapur.

Sipas tij, heshtja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kërkesat e dorëheqjes nga kandidatët e tjerë është pjesë e të njëjtës lojë./ Zoom.al

Humb jetën mbesa e Princeshës Diana, pranë trupit u gjet një armë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sërish familjen mbretërore britanike. Rosie Roche, 20 vjeç, kushërirë e Princeshës Diana, është gjetur e pajetë në banesën e familjes së saj në Norton, pranë Malmesbury, më 14 korrik.

E reja, studente e letërsisë angleze në Universitetin e Durhamit, u gjet pa shenja jete nga nëna dhe motra e saj.

Pranë trupit të saj ndodhej një armë zjarri, ndërsa po përgatitej për një udhëtim me miqtë.

Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes, ndërsa po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo për një incident tjetër tragjik./ Zoom.al

Gjendet një trup i pajetë në Korçë, dyshimet e para

Një 60-vjeçar është gjetur i pajetë në rrethana ende të paqarta pasditen e sotme në lagjen pranë spitalit në Korçë.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari ishte në rrugë për t’u kthyer në banesë, kur ka humbur jetën në shkallët e pallatit ku jetonte. Kanë qenë bashkëshortja dhe djali i tij ata që e kanë gjetur trupin e pajetë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.

Dyshohet se 60-vjeçari kishte probleme me tensionin, por shkaqet e sakta të vdekjes mbeten të paqarta për momentin.

Trupi i tij është transportuar drejt morgut të spitalit të Korçës, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar arsyet e ndarjes nga jeta./ Zoom.al