zoom

Day ArchiveUshqimet e skaduara i hidhte në treg me ofertë. Master AL e Skifter Taganit asnjë asgjësim në 4 vite: Do e bënim kur të kishim lekë

Kur produkteve të ndryshme ushqimore u afrohet data e skadencës, marketet, supermarketet apo dyqanet që i tregtojnë ato, duhet të njoftojnë furnitorët me të cilët kanë marrëveshje, për t’i tërhequr. Pasi dalin nga raftet, furnitori do duhet t’i asgjësojë mallrat ushqimorë, një procedurë që sipas ligjit për ushqimin, kërkon edhe praninë e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Por nga informacionet që kishin mbledhur, efektivët e Krimit Ekonomik të Policisë së Shtetit ranë në gjurmët e një magazine ushqimore në Vorë, e cila në 4 vitet e saj nga momenti i hapjes, nuk kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve për asgjësimin e sasive të produkteve të saj të skaduara, kosto që ligjërisht e mbulon vetë biznesi.

Agjentët i trokitën në derë ku zbuluan se magazina e kompanisë “Master AL” vëretetë i tërhiqte nga tregu produktet e skaduara ushqimore, por aty, persona të caktuar, i nxirrnin mallrat nga ambalazhet e tyre origjinale ku kishin dhe datën e skadencën jashtë afateve të konsumimit, dhe i fusnin në paketime më të mëdha, me ambalazh transparent deri në 5 kilogramë, pa shënuar asnjë të dhënë.

Policia ka dyshime se për këtë veprimtari, përgjegjësinë kryesore e ka administratori i kompanisë i cili u arrestua, bashkë me magazinierin. Përfaqësuesin e kompanisë, Florenc Domin, 38 vjeç dhe magazinierin Agim Domi, 58 vjeç, Gjykata e Tiranës. i la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ata kanë ngritur pretendimin në gjykatë se mallrat e gjetura nuk i kishin për hedhjen në treg, por për asgjësim të tyre. “Kjo procedurë do të ndodhte sapo të krijoheshin kushtet financiare”, thanë ata para togave të zeza.

Në hetim në gjendje të lirë janë vënë ortaku dhe shoferi i magazinës.

Në total, policia në një aksion gjatë ditës së shtunës, 19 korrik, sekuestroi 716 koli me produkte të skaduara, kryesisht fruta të thata dhe kroasant. Produktet, importoheshin nga Turqia me logo të firmave dhe në gramë të përcaktuar.

“Master AL” nuk furnizonte në mënyrë direkte marketet, por shpërndante produktet nëpër pika shumice, të cilat më pas i kalonin në markete, sipas kërkesave.

Produktet e skaduara që tërhiqeshin nga tregu dhe ripaketoheshin në magazinë si të reja dhe të konsumueshme, sipas hetuesve rishiteshin me çmime oferte por pa fatura tatimore. Kjo pasi kompania “Master AL” produktin e kishte tërhequr për ta asgjësuar dhe nuk mund të justifikonte shitjen me faturë tatimore të një produkti që nuk e kishte edhe gjurmën tatimore nga importi.

Shpesh thonë burimet, këto mallra ushqimore, si kikirikë, e fruta të thata, ofroheshin në disa biznese që bënin blerje në sasi të mëdha, si dhurata që kryesisht lokalet i ofrojnë si shoqëruese për klientët në rast të konsumimit të një pije alkoolike.

Ka dyshime të arsyeshme që produkte të skaduara të jenë rikthyer për përdorim edhe më herët. Gjatë kontrollit në magazinë, burime nga policia thanë se produktet e skaduara mbaheshin në një ambient të përbashkët me ato që ishin brenda afatit për konsum, çfarë shton rrezikun për kontaminimin e këtyre të fundit.

Edhe bizneset mund të bëjnë asgjësimin e produkteve të skaduara, por në Shqipëri kjo përgjegjësi në pjesën më dërmuese i lihet furnitorit, sipas një marrëveshjeje mes palëve.

Kostot i mbulon operatori i biznesit ushqimor, sipas nenit 69 të ligjit për ushqimin. Në të dyja rastet, njoftohen institucionet për procedurën e asgjësimit dhe mbahet procesverbal, në momentin e shkatërrimit të produktit në vendin e miratuar prej institucioneve./Report tv

Balluku e Manastirliu të qeshura, Gonxhja e Ristani të ngrysur. FOTO nga mbledhja e Ramës

Edi Rama zhvilloi këtë pasdite një mbledhje të gjatë me dyer të mbyllura me ministrat dhe drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, ku takimi zgjati disa orë.

Duket se Edi Rama po përgatitet për zgjedhje të reja në Bashkinë e Tiranës, ku referuar burimeve mediatike, drejtimin e organizimit të ri të strukturave të Bashkisë ia ka lënë në dorë Belinda Ballukut, teksa sot u kërkoi shkarkim edhe nënkryetarëve, përfshirë dhe krytebashkiaken e komanduar Anuela Ristani.

Aparati fotografik i LSA-së ka kapur edhe portretet e të pranishmëve, pas përfundimit të mbledhjes. Të fundit që kanë dalë nga mbledhja kanë qenë Edi Rama me dy ministret e tij Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu. Këto të fundit shihen mjaft të lumtura dhe të qeshura.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Anuela Ristanin, si dhe për Blendi Gonxhen, ku ky i fundit thuhej se ishte përgatitur për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, por duket se shpresat i janë shuar shpejt. Ata janë fotografuar me portrete të ngrysura.

Rama shkarkon nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, bashkë me Anuela Ristanin

Burime nga mbledhja e kryeministrit Edi Rama me deputetët e Tiranës dhe drejtues të Bashkisë bëjnë me dije se do të largohen nga drejtimi edhe nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës.

Rama mësohet të ketë thënë që duhet të gjejmë burime të tjera njerëzore (për nënkryetarët) që do të marrin përsipër sektorë të ndryshëm për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhje (pa dhënë një afat).

Burime nga “A2 CNN” nga bashkia bëjnë me dije se Rama ka shkarkuar edhe Anuela Ristanin me gjithë nënkryetarët e bashkisë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se prej ditësh zv. kryeministria Belinda Balluku po kryen intervista me drejtorët e bashkisë duke kërkuar vetëm praninë e sekretarit të përgjithshëm dhe jo Anuela Ristanit.

Ndërkohë në mbledhje të gjithë kanë raportuar për zonat e tyre të cilat kanë në administrim. Pozitivisht Rama është shprehur vetëm për IMT-në dhe Policinë Bashkiake./ Zoom.al

E rëndë/ Pushuesi pëson atak kardiak dhe humb jetën

Një 66-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, ka humbur jetën sot në plazhin e Shkëmbit të Kavajës.

I moshuari Sh.A., sapo hyri në det rreth orës 19:00, pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak.

Rreth orës 19:00, në Shkëmbin e Kavajës, shtetasi Sh. A., 66 vjeç, banues në Maqedoni, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak pasi ka hyrë në det e për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës së 66-vjeçarit.

Shpërthen bombola e gazit në Fier

Një bombol gazi ka shpërthyer në një banesë në lagjen “1 Maji” në Fier.

Burimet bëjnë me dije se ndërtesa ku shpërtheu bombola shërbente si pikë e vogël tregtimi gazi, ndërsa pronari i saj dhe një person tjetër kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar drejt spitalit të Fierit, ku po marrin ndihmën mjekësore.

Ngjarja ka alarmuar edhe fqinjët, të cilët i kanë ardhur në ndihmë situatës me mjete rrethanore, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.

“Rreth orës 18:30, në lagjen “1 Maji”, Fier, në një banesë, dyshohet se aksidentalisht ka marrë zjarr një bombol gazi. Për pasojë kanë pësuar djegie në trup shtetasit E. T., 63 vjeç dhe A. R., 41 vjeç, të dy banues në Fier, të cilët ndodhen në spital, për asistencën e nevojshme mjekësore, aktualisht jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen verifikimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Katet pa leje, paralajmërimi i Ramës: Do konfiskojmë gjithë godinën

Kryeministri Edi Rama, në takimin me deputetët socialistë të Tiranës dhe drejtues të pushtetit vendor të kryeqytetit, ka paralajmëruar se do të konfiskohen të gjitha ndërtesat që kanë kate pa leje.

Rama e cilësoi ndërtimin pa leje të kateve si një shkelje ligji me vetëdije, ndersa shtoi se nuk do ketë konfiskim të pjesshëm të këtyre godinave, por të plotë.

Ai theksoi se këto ndërtesa do kalojnë në duart e shtetit dhe do përdoren për strehim, për njerëzit në nevojë.

Kur vjen puna te shkelja e lejeve të ndërtimi, mbi 2% të kufijve të lejeve. 2% është normale, por kur tejkalon dhe shkelet do të provokojë sekuestrimin e të gjithë ndërtesës jo të pjesshme.

Ndërtimi i kateve shtesë për qëllim fitimin, nuk bëhet në një moment, por me muaj, janë një shkelje me vetëdije. Do sjellë kalimin e menjëherë të asaj prone në duart e shtetit. Do të mbrohen blerësit dhe do përdoret pjesa tjetër për strehim, për njerëzit në nevojë“, tha Rama.

Rama mbledh deputetët dhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës: Aksion për lirimin e hapësirave publike

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me deputetë dhe drejtues të Bashkisë Tiranë, me fokus të veçantë aksionin për pastrimin dhe lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë bëri me dije se vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë janë identifikuar dhe inventarizuar 1,463 problematika, shumica e të cilave lidhen drejtpërdrejt me uzurpimin dhe degradimin e hapësirave publike.

Rama u bëri thirrje qytetarëve për durim dhe bashkëpunim, duke theksuar se procesi kërkon kohë dhe koordinim të madh institucional. Ai garantoi se të gjitha ankesat e qytetarëve do të merren në shqyrtim dhe do të trajtohen një e nga një.

“Kemi një axhendë të ngjeshur dhe shumë grupe pune në terren. Ky është një aksion i gjerë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si Durrësi e Shkodra. Falënderoj IKMT për angazhimin serioz, por duhet kuptuar që edhe kur ndodh ndërhyrja, u lihet kohë qytetarëve që të çmontojnë vetë ndërtimet e paligjshme”, u shpreh Rama.

5 arsye pse duhet të konsumoni më shpesh ananas

Në kultivimin e ananasit nuk përdoren pesticide dhe mjete të tjera mbrojtëse.

Ananasi rekomandohet edhe si ndihmë në humbjen e peshës trupore, për eliminimin e celulitit, kundër rrudhave dhe ënjtjeve.

Pesë arsye përse duhet të hani më shpesh ananas:

1. Ananasi i freskët ka vlerë të ulët të kalorive, mirëpo është i pasur me vitamina dhe minerale të shumta.

2. Në 100 g ananas ka rreth 50 kalori, ngjashëm me mollën.

3. Ananasi përmban enzimë proteolitike bromelaine, e cila merr pjesë në tretjen e ushqimit dhe zbërthen proteinat. Për bromelainën besohet që ka cilësi antiinflamatore, antikancerogjene dhe cilësi kundër ngjizjes së gjakut.

Hulumtimet tregojnë që konsumimi i rregullt i ananasit ndihmon në luftën kundër artritit, tretjes së keqe dhe infeksionet e parazitëve siç janë skratë.

4. Anasi i freskët është burim i shkëlqyeshëm i vitaminës C, të domosdoshme për sintezën e kolagjenit në trup, i cili është i rëndësishëm për ndërtimin e venave të gjakut, lëkurës, organeve dhe eshtrave.

Veç tjerash, vitamina C është e rëndësishme për punën normale të imunitetit.

5. Ananasi përmban edhe vitaminën A në formë të beta-karotenit, mirëpo përmban edhe në masën më të mirë të vitaminës B dhe kalium.

Kaliumi është i rëndësishëm për kontrollin e pulsit dhe për shtypjen e gjakut./ Living

Aksident fatal në Greqi/ Humb jetën 22-vjeçarja nga Vlora (EMRI)

Një aksident tragjik i ka marrë jetën një të reje shqiptare në Athinë.

Viktima është identifikuar si Izabela Kuteli, 22 vjeç, me origjinë nga Dukati i Vlorës.

Izabela humbi jetën në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të thellë te të afërmit e miqtë

Detajet mbi rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet greke po hetojnë ngjarjen.

I nxehti afrikan drejt Shqipërisë, temperatura përvëluese në ditët në vazhdim

Ballkani po përgatitet për një valë të fortë dhe të zgjatur të të nxehtit, e cila pritet të arrijë kulmin në datat 21 deri më 26 korrik 2025. Sipas të dhënave meteorologjike, temperaturat maksimale do të jenë +8 deri në +10°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020, duke sjellë kushte ekstreme për shumë vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë.

Zonat më të prekura nga kjo valë përfshijnë Shqipërinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Italinë jugore dhe Turqinë perëndimore. Në këto vende, temperaturat pritet të arrijnë apo madje të tejkalojnë 42–44°C, duke kapërcyer rekordet e mëparshme historike të të nxehtit.

Kjo valë e të nxehtit lidhet me afrimin e masave shumë të ngrohta të ajrit nga Afrika e Veriut drejt Mesdheut lindor, ndërkohë që masa më të freskëta ajri po lëvizin drejt Evropës Perëndimore./ Zoom.al