zoom

Day ArchivePolicia jep detajet e të plagosurit në Sarandë: U godit me tytë pistolete, nuk ka plagë nga armë zjarri

Sot, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti është dëmtuar me një send të fortë, dyshohet me tytën e një pistolete, shtetasi A. V., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Sherr mes te rinjve në Shkodër, u përdorën thika e sëpata

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, pranë sheshit “Prekë Cali”.

Raportohet se një sherr mes të rinjsh ka degjeneruar në dhunë fizike ku janë përdorur edhe thikat e sëpata.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë përplasjes janë përdorur thika dhe një sëpatë, ndërsa njëri prej të rinjve ka mbetur i plagosur. Ai ka arritur të shkojë vetë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku po merr ndihmë mjekësore.

Shkaqet e konfliktit ende nuk janë bërë të ditura, ndërkohë që forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve të përfshirë në ngjarje. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar.

“Rreth orës 18:30, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi V. D. dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin P. G., 33 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, – njofton policia. I plagosuri është identifikuar si Pjetër Guraleci.

Sarandë/ Të shtëna me armë zjarri, forca të shumta policie në vendngjarje. Një ish-polic i plagosur (EMRI)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sërish në qytetin e Sarandës. Përsëri të shtëna me armë zjarri. Kësaj here në lagjen nr.4 të qytetit.

Ngjarja ndodhi këtë mbrëmje në rrugën “Mitat Hoxha”. Mësohet se një person ka mbetur i plagosur. Forca të shumta policie ndodhen në vendin e ngjarjes. I plagosuri është transportuar drejt Spitalit të Sarandës.

Sipas burimeve, i plagosuri është Adil Veli. Mosha e tij është 54 vjeç. Mësohet se ai ka qenë më parë efektiv policie. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.

Çfarë është “Hawala” sistemi ilegal që sillte paratë e pista nga Zvicra në Shqipëri

SPAK njoftoi këtë të diel se kishte goditur një rrjet të transferimit dhe futjes së parave të pista nga Zvicra në vendin tonë. 3 persona kanë rënë në pranga, në Shqipëri dhe një në Zvicër. Sipas SPAK ata përdornin skemën “Hawala” për transferimin e parave.

Ai është një sistem ilegal i transferimit të parave, që në ditët e sotme zakonisht përdoret nga persona të inkriminuar për të mos lënë gjurmën në dërgesat e shumave financiare me origjinë të dyshimtë.

Por çfarë është ky sistem?

Hawala është një metodë informale e transferimit të parave. Ky sistem konsiderohet si një “transferim parash pa lëvizje parash” dhe në thelb funksionon mbi bazën e besimit të ndërsjellë mes palëve të përfshira.

Ky mekanizëm, i cili ka origjinën në Azinë Jugore, përdoret edhe sot në mbarë botën, sidomos në komunitetet islame, si një alternativë ndaj sistemit tradicional bankar.

Në vend të transfertave bankare ndërkombëtare, paratë dërgohen përmes një rrjeti të veçantë të quajtur “hawaladars” apo tregtarë të “hawala”-s.

“Dërguesit e parave, dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.

Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë… për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë.

Më pas në Tiranë, personat dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë” – thuhej në njoftimin e SPAK.

Këta tregtarë nuk përdorin dokumentacion formal, gjithçka bazohet në një sistem të paligjshëm, por i mirëorganizuar i regjistrimit të transaksioneve, ku çdo kredi apo debit shënohet në mënyrë të përmbledhur dhe diskrete. Borxhet mund të shlyhen përmes parave, pronave apo edhe shërbimeve.

Ata që nuk respektojnë marrëveshjet e nënkuptuara konsiderohen si të pabesë dhe përjashtohen nga rrjeti, një dënim që vlen më shumë se çdo ndëshkim ligjor për ta.

Për shumë emigrantë që dërgojnë para në vendet e tyre të origjinës, hawala është shpesh alternativa më praktike. Në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm ose i paarritshëm, hawala ndihmon në qarkullimin e fondeve me shpejtësi, kosto të ulët dhe pa burokraci. Madje, në disa raste, tregtarët nuk aplikojnë tarifa për emigrantët, për t’i nxitur të përdorin këtë kanal joformal.

Ky sistem është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që nuk kanë dokumente identifikimi apo akses në një llogari bankare. Për ta, është e vetmja mënyrë për të dërguar para jashtë vendit.

Transferuan miliona euro nga Zvicra drejt Shqipërisë, SPAK godet rrjetin kriminal të përfshirë në trafik droge

 SPAK ka goditur një rast të pastrimit të parave të pista, të cilat dërgoheshin nga Zvicra për në Shqipëri.

Sipas njoftimit të SPAK, tre persona në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe me persona të tjerë me banim në Luzern të Zvicrës, kanë transferuar para të ardhura nga trafiku i drogës për në Shqipëri.

Drejtuesi i grupit kriminal, E.F., jetonte në Tiranë dhe informohej nga bashkëpunëtorët e tij në Zvicër për shumën që transferohej, ndërsa i informonte se cili person do të priste paratë në Tiranë. I gjithë rrjeti i transferimit funksiononte nëpërmjet sistemit “Hawala”.

Dy shtetas shqiptarë, të dyshuar si organizatorë të këtij grupi kriminal, janë vënë në pranga me urdhër të Gjykatës së Posaçme (më 19 korrik), ndërsa një tjetër ndodhet aktualisht i arrestuar në Zvicër.

Që prej vitit 2020, E.F., merrte konfirmimin e depozitave të kryera dhe më pas duke bashkëpunuar me B.F., dhe P.K., dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte dorëzuar tek bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër tek pritësit në Tiranë.

Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave të pista shumë shpejtë pa qenë e nevojshme të kryhej transportimi i menjëhershëm i parave fizike nga Zvicra në Shqipëri dhe bëhej i pamundur identifikimi dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin. Ky sistem është përdorur nga dhjetëra persona në qindra raste dhe shumat e transferuara arrijnë deri në miliona euro.

Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes kreut të grupit E.F., dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.

Këta persona akuzohen gjithashtu se kanë trafikuar drogë në disa kantonte të Zvicrës duke përdorur persona të tjerë.

Përveç aktivitetit të pastrimit të parave, SPAK njofton se ata janë përfshirë edhe në trafikun e lëndëve narkotike në Zvicër.

Çfarë është Hawala

Metodë joformale e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë para fizike. Sistemi përshkruhet si një “transferim parash pa lëvizje parash”.

Hawala përdoret sot si një kanal alternativ kryesisht i remitancave që ekzistojnë jashtë sistemeve tradicionale bankare.

Transaksionet ndërmjet ndërmjetësve Hawala kryhen pa firmosur diku sepse sistemi bazohet vetëm te besimi reciprok.

Mjaftojnë të jenë dy Hawala dhe dikush që do të transferojë paratë ja jep njërit shumën, ndërkohë që personi tjetër që ndodhet për shembull në Shqipëri, dorëzon të njëjtën shumë atje ku e kërkon dorëzuesi.

Pra, paratë nuk lëvizin, thjesht agjentët haëala marrin paratë dhe përqindjen që duan dhe vënë në punë paratë e tyre.

“Çlirim i madh”,lirimi i hapësirave publike, Rama paralajmëron: Ata që i rezistojnë do ikin bashkë me një gjobë të kripur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër video nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, teksa nuk ka ndalur as paralajmërimet.

Krahas videos ai shkruan se ky është një çlirim i madh, teksa paralajmëron të gjithë ata që kundërshtojnë veprimin se do të gjobiten.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit😍

Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar👊”, shkruan Rama.

Vajzat nga Kolumbia “mbahen peng” në Tiranë: Ne bëjmë kërcime s*ksi para meshkujve, por nuk jemi prostituta!

Ato janë si qindra vajza e gra në botë që u premtohet një jetë më e mirë dhe që, për fat të keq, ngecin në rrjetat e trafikantëve duke u detyruar të ushtrojnë prostitucionin. 

Stefania jetonte në Kolumbi dhe aplikoi për punë në Shqipëri, qëllimi i saj ishte të punonte si balerinë nate.

Por sot ajo, bashkë me disa vajza të tjera nga Kolumbia, janë nën akuzë për prostitucion, me një pasaportë të bllokuar që nuk e lejon të largohen e, veç të gjithave, pa asnjë ndihmë.

“Ne jemi kolumbiane, kemi ardhur këtu të mashtruara nga persona që na sollën, sepse erdhëm me qëllimin për të kërcyer. Kur mbërritëm këtu, kishim borxhe dhe na thanë se duhet të paguajmë, duke qëndruar këtu e duke punuar si prostituta. Ne pranuam që ta bëjmë, të shlyejmë borxhin dhe më pas të largoheshim. Kur u bëmë gati të ktheheshim, na arrestuan në aeroport”, tha Stefania.

Por autoritetet e policisë i thonë TCH se po përdoret një skemë tjetër e ushtrimit të prostitucionit nga shtetase të huaja, që siç rezulton nga disa raste udhëtojnë në Shqipëri e qëndrojnë nga dy deri në katër muaj, duke u zëvendësuar me të tjera.

“Ne bëjmë kërcime seksi para meshkujve, por nuk jemi prostituta. Për të ardhur në Shqipëri e për të punuar, ne gjetëm një kontakt, pasi në Kolumbi situata nuk është e mirë. Ne jemi nëna beqare dhe menduam një mënyrë për të siguruar para. Kur erdhëm këtu, e kuptuam se nuk ishim për atë punë, por se kishim rënë në një rrjet prostitucioni. Këta persona janë identifikuar nga autoritetet dhe një prej tyre është në burg”, shtoi ajo.

Vajzat i kanë familjet në Medelin dhe kërkojnë ndihmë për t’u larguar, megjithëse çështja ndaj tyre sapo është mbyllur dhe pritet të gjykohen, si shumë të tjera, nën gjykim në mungesë.

“Ne kemi qëndruar dy muaj në Pogradec në paraburgim. Tani që ka nisur procesi, kemi dy muaj në Tiranë dhe verifikimet vijojnë ende. Nuk na lënë të ikim. Nuk kemi pasaportë pasi na janë marrë. Jemi pa shtëpi, pa ushqim dhe deri tani na ka ndihmuar një fondacion”, përfundoi Stefania./tch

Helmohet kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po shërohet nga një rast helmimi ushqimor, njoftoi sot zyra e tij, duke bërë me dije se ai do të vazhdojë të ushtrojë detyrat nga shtëpia gjatë tre ditëve të ardhshme.

Netanyahu, 75 vjeç, u ndje keq gjatë natës për shkak të një inflamacioni në zorrë dhe dehidratimi, për të cilat po merr trajtim intravenoz, thuhet në deklaratën zyrtare.

“Sipas këshillave të mjekëve të tij, kryeministri do të pushojë në shtëpi për tre ditë dhe do të vijojë të menaxhojë punët e shtetit prej andej,” shtoi zyra e tij.

Netanyahu ka pasur disa probleme shëndetësore në të kaluarën. Në vitin 2023, atij iu vendos një stimulues kardiak (pacemaker), ndërsa në dhjetor të po atij viti iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqjen e prostatës, pasi u diagnostikua me një infeksion të traktit urinar.

E parashikuan sërish? Rrjeti çmendet pas ngjashmërisë mes skandalit në Coldplay dhe një skene të The Simpsons

Rrjetet sociale po ziejnë pasi një moment viral gjatë një koncerti të Coldplay ka tronditur një kompani teknologjie dhe ka rikthyer teorinë e famshme se “The Simpsons” parashikojnë të ardhmen.

Gjatë koncertit në stadiumin “Gillette”, CEO i kompanisë Astronomer, Andy Byron, dhe shefja e burimeve njerëzore, Kristin Cabot, u kapën në ekranin e “kiss cam”, teksa shfaqeshin shumë të afërt. Komenti i Chris Martin nga skena vetëm sa ndezi më shumë zjarrin: “Ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm.”

Ky moment ndezi menjëherë rrjetin. Në X (ish-Twitter) dhe Facebook nisën krahasimet me një pamje të famshme të The Simpsons, ku Homer dhe Marge shfaqeshin në “kiss cam” në një episod të supozuar të vitit 2017 me titullin “Kiss Kiss”. Megjithatë, shumë e kanë hedhur poshtë vërtetësinë e fotos, duke thënë se ajo është gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe nuk është pjesë e serialit.

Kjo s’i ndaloi fansat të shpërndanin teorinë me pasion: “Ka ndonjë gjë që The Simpsons nuk e dinë? Lidhja sekrete e CEO-s me shefen e HR zbulohet në koncertin e Coldplay dhe interneti bën të vetën!”, shkroi një përdorues. Një tjetër shtoi: “The Simpsons parashikuan sërish të ardhmen me këtë histori.”

Showrunner-i i serialit, Al Jean, reagoi me humor: “Ne bëjmë satirë, jo profeci. Çdo ngjashmëri është thjesht fat.”

Ndërkohë, pasojat në Astronomer nuk kanë munguar. Kompania publikoi një deklaratë ku thuhet:

“Liderët tanë pritet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi. Bordi drejtues ka nisur një hetim të brendshëm dhe së shpejti do të bëhen publike më shumë detaje.”

Andy Byron ka dhënë dorëheqjen nga posti i CEO. Bashkëthemeluesi dhe drejtuesi i produktit, Pete DeJoy, ka marrë rolin e CEO-së së përkohshëm, ndërsa kompania ka nisur kërkimet për një zëvendësues të përhershëm.

Tiranën e shkatërroi Edi Rama!

Nga Beti Njuma

Dje postova një shkrim për skandalin urbanistik të Milanos i cili i ngjan, ndonëse në përmasa shumë herë më të vogla masakrës urbanistike që ka ndodhur në Tiranë. Shkrimi mori pak reagime. Më pak se sharësit e mi në rrjetet sociale ngase isha kundër “aksionit” për çlirimin e hapësirave publike. Unë jam kundër zaptimit dhe pro çlirimit, por jo kudo dhe jo për çdo hapësirë. Fjala vjen, spastrimet tek Stadiumi Arena janë qesharake dhe të dëmshme për biznesin dhe jetën komunitare.

Në Tiranë, hapësirat publike dhe gjelbërimin nuk e vranë pronaret e lokaleve dhe tendat, çadrat apo konstruksionet e lëvizshme të vendosura për të mbrojtur kafexhinjtë nga era, shiu dhe dielli. Tiranën e shkatërroi Edi Rama që drejtoi për 11 vite si kryebashkiak, nga 2000 deri 2011, (po i heqim 4 vitet e Bashes, që fjeti, siç u vjen mbarë rilindasve të thonë) dhe 9 vitet e Erion Veliajt me miliona metra katrorë ndërtime në vit. Dërrmën e fundit, kryeqytetit po jep perseri Edi Rama si lider i plotfuqishëm i gjithçkaje. Veçanërisht i KKUT-së që po miraton kulla shumëkatëshe duke shpërfillur çdo ligj dhe plan urbanistik, (Tirana e ka planin urbanistik të miratuar që në 14.4.2017.) 

Njerëzit, duhet ta dinë se urbanistika nuk është vetëm projektim rrugësh, trotuaresh apo një grushtrregullash ndërtimi. Urbanistika është arti i krijimit të hapësirave që i shërbejnë njeriut. Një qytet i mirë nuk matet me numrin e gradaçelave por me gjallërinë e rrugëve, me zërin e njerëzve që e mbushin atë. Një qytet është i gjallë kur trotuaret janë plot jetë, kur njerëzit ndihen të mirëpritur, kur takimet dhe bisedat ndodhin natyrshëm në hapësirën publike.

Por çfarë po ndodh sot në Tiranë? Pas aksioneve për “çlirimin e hapësirave publike”, shumë rrugë dhe trotuare janë bosh. Atmosfera ngjan kryekëput me periudhën e pandemisë: heshtje, zbrazëti, mungesë e ritmit të jetës. Dikur, zona përreth stadiumit “Air Albania” ishte një pikë takimi, një vend ku njerëzit pinin kafe, bënin shëtitje dhe i jepnin energji gjithë qytetit, ku fëmijët luanin. Sot, ajo hapësirë ka mbetur e shkrete, një skenë pa spektatorë. Pa folur për kostot për bizneset që paguajnë taksa dhe qira. Edhe më të larta se zonat e tjera të kryeqytetit. Pyetja lind natyrshëm: A është kjo gjë e mirë për qytetin dhe njerëzit e tij?
Historia urbane na mëson të kundërtën. Qytetet më të suksesshme janë ato që i japin hapësirë njeriut, jo zbrazëtisë. 

Në vitet ’60, Kopenhageni dominohej nga trafiku i rënduar dhe trotuaret ishin bosh. Autoritetet vendosën të mbyllnin disa rrugë për makinat dhe të krijonin zona pedonale, si rruga e famshme “Strøget”. Rezultati? Rrugët u mbushën me jetë, kafene, artistë rruge dhe aktivitete sociale. Arkitekti Jan Gehl tha dikur: “Ne formojmë qytetet dhe pastaj ato na formojnë ne.”

Barcelona krijoi “superblloqe” ku rrugët u mbyllën për makinat dhe u hapën për njerëzit. Fillimisht pati kundërshtime, por më pas ato u kthyen në hapësira plot jetë, me lojëra, aktivitete, tregje dhe evente kulturore. Sot, banorët e El Poblenou e quajnë këtë model shembull të një qyteti që i përket njerëzve.

Deri në vitin 2009, Times Square ishte një nga zonat më kaotike për shkak të trafikut. Një vendim radikal e mbylli për makinat dhe e shndërroi në një hapësirë publike me stola dhe evente. Rezultati? Sot është simbol i jetës urbane ku miliona njerëz takohen, shëtisin dhe shijojnë qytetin.

Bogotaja ne Kolumbi konsiderohet si eksperimenti më i suksesshëm i transforminit të një qyteti. Veçanërisht për krijinin e hapësirave të gjelbra. Bogotaja çdo të dielë mbyll mbi 100 km rrugë për makinat dhe i hap për njerëzit, biçikletat dhe aktivitetet sportive. Atmosfera i ngjan një festë të madhe, duke treguar se njerëzit duan hapësira për të jetuar, biseduar e takuar dhe jo vetëm për të kaluar.

Këta shembuj tregojnë një të vërtetë universale: kur i jep qytetit hapësira të gjalla për njerëzit, ai lulëzon; kur i zhvesh nga jeta, ai vdes. Urbanistika nuk duhet të jetë sterile, e ftohtë dhe teknike. Ajo duhet të jetë njerëzore. Një trotuar bosh mund të duket i rregullt, por është emocionalisht i vdekur. Një qytet pa njerëz është vetëm një koleksion betoni. E tillë më duket se është shndërruar Tirana sot. 

Prandaj pyetja shtrohet: A duam një qytet me trotuare bosh apo një qytet që merr frymë e gjallon? Siç e tregojnë Kopenhageni, Barcelona, New Yorku dhe Bogotaja, përgjigjja është e thjeshtë: hapësirat duhet t’u përkasin njerëzve. Dhe t’u kthehen atyre. Nëse nuk merret parasysh faktori “njeri” çdo ndërhyrje është e kotë. Nuk e them unë këtë. E thonë urbanistët më të mirë në botë. E do të duhej ta thonin edhe urbanistët tanë, të cilët, me dy-tri përjashtime, për shkak të interesave të vogla e të mëdha heshtin. Turpshëm! Duke parë si shkatërrohet Tirana. Si betonizohet pa mëshirë në çdo hapësirë. Nëse çadrat shkulen, betoni i kullave është i përjetshëm.

Nëse synimi është të krijohen qytete për njerëzit, atëherë politika urbane duhet të matet me pyetjen: a janë rrugët më të gjalla pas ndërhyrjes, apo më të heshtura? Tirana sot, në shumë zona, po jep një përgjigje shqetësuese.