zoom

Day ArchiveBE nuk pranon tarifat e Trump: Nuk tërhiqemi 

Shtetet anëtare të BE-së e konsiderojnë të papranueshëm vendimin për tarifat 30% për mallrat evropiane.


Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Shefin e Tregtisë të BE-së në Bruksel, ministri i Jashtëm danez u shpreh se kjo situatë nuk ka justifikim.

“Diskutuam gjendjen aktuale dhe perspektivat për marrëdhëniet tregtare BE–SHBA, duke përfshirë kundërmasat e mundshme të BE-së, si dhe njoftimin e Presidentit Trump për tarifa të përgjithshme prej 30% ndaj BE-së nga 1 gushti, të cilat, duhet të them, shtetet anëtare i konsiderojnë absolutisht të papranueshme dhe të pajustifikuara”, tha ministri danez i Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, ministri i Tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, theksoi se nuk do të heqin dorë, duke marrë parasysh se sa afër janë në arritjen e një marrëveshjeje.

“BE-ja, siç e dini shumë mirë, nuk largohet kurrë pa përpjekje të vërteta, veçanërisht duke pasur parasysh punën e madhe të investuar, sa afër jemi me arritjen e një marrëveshjeje dhe përfitimet e qarta të zgjidhjes së negociuar. Por, siç e kam thënë edhe më parë, duhen dy duar për të duartrokitur”, tha ministri i Tregtisë së BE.

Šefčovič tha se BE-ja do të duhet të ndërmarrë kundërmasa nëse dështojnë negociatat tregtare me SHBA-në.

Kundërshtimeve të BE-së, Trump u është përgjigjur me ironi, duke thënë se vendet europiane duhet t’i thonë “faleminderit” për udhëtimin falas.

“SHBA-të janë mashtruar në shpenzimet tregtare dhe ushtarake për dekada të tëra, dhe kjo i ka kushtuar vendit triliona dollarë. Vendet duhet të ulen dhe të thonë: faleminderit për udhëtimin falas shumëvjeçar, por ne e dimë që tani duhet të bëni atë që është e drejtë për Amerikën. Ne duhet t’u përgjigjemi duke thënë: faleminderit që e kuptuat situatën në të cilën ndodhemi. Shumë e vlerësuar!”, tha Trump.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi më herët se do të vendosë tarifa prej 30% për mallrat nga Bashkimi Evropian, duke filluar nga 1 gushti.

Lezha sfidon urdhrin e Ramës, asnjë dorëheqje në bashki

Ndryshe nga sa ka kërkuar kryeministri Edi Rama për dorëheqje të krerëve të njësive administrative dhe drejtuesve lokalë në të gjithë vendin, në Bashkinë e Lezhës nuk është zbatuar asnjë masë e tillë.

Në mbledhjen e mëngjesit të së hënës, kryetari i bashkisë, Pjerin Ndreu, ka bërë të qartë se nuk do të ndërmerren hapa të menjëhershëm, por do të analizohet performanca e secilit drejtues lokal, përfshirë kryetarët e njësive administrative, drejtorët dhe nënkryetarët.

Ky qëndrim i Bashkisë Lezhë shihet si një distancim i qartë nga linja e ndjekur nga bashkite e tjera në vend, të cilat kanë nisur menjëherë procesin e dorëheqjeve dhe zëvendësimeve.

Mbetet për t’u parë nëse qëndrimi i Lezhës do të tolerohet nga qeveria qendrore, apo do të sjellë tensione në raportin mes nivelit vendor dhe atij qendror.

Real Madrid nxjerr yllin e skuadrës në shitje

Rodrygo pritet të largohet nga Real Madrid në verën e vitit 2025.

Gazeta “Sport” shkruan se Florentino Perez do të pranonte, por vetëm nëse vjen ftesa e duhur.

Interesimi për 23-vjeçarin vjen kryesisht nga klube big si Bayern dhe Arsenal. Deri tani, Real Madrid nuk ka marrë ofertë zyrtare.

Perez ka vendosur çmimin për sulmuesin brazilian: 100 milionë euro.

Rodrygo mbetet një nga lojtarët më të mirë në botë, edhe pse në Madrid nuk shihet si titullar.

Aksident i rëndë në Elbasan! Automjeti përplas biçikletën, një i plagosur rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Elbasan – ish-Metalurgjik.

Një autoveturë sipas burimeve nga vendngjarja ka përplasur një person i cili po qarkullonte me biçikletë në vendin e quajtur “ish-qendra tregtare”.

Drejtuesi i biçikletës ka pësuar dëmtime të shumta. Paraprakisht raportohet se gjendja e të aksidentuarit kritike për jetën.

Personi i plagosur është nisur me urgjencë drejt Tiranës për mjekim më të specilaizuar.

Bie nata në Theth/ Mbërrijnë fadromat për shembjet e fundit

Në orët e mbrëmjes së sotme, në përfundim të afatit të vendosur për prishjen e objekteve, Policia e Shtetit së bashku me fadromat e IKMT kanë mbërritur në Theth, pranë dy banesave që kanë mbetur ende pa u shembur.

Pronarët e këtyre banesave, të mbështetur nga një grup banorësh të fshatit, kanë kundërshtuar ndërhyrjen dhe po bëjnë rezistencë për të mos lejuar shembjen e ndërtesave të tyre.

Situata në zonë paraqitet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë në terren për të garantuar zbatimin e vendimit. 

Këto janë dy banesat e fundit nga rreth 40 të tilla të ndërtuara në fshatin turistik të cilat janë shembur gjatë javës së kaluar.

Asllani kërkon të mbetet në Serie A, mesfushori refuzon ofertat nga jashtë

Kristjan Asllani ka filluar pak nga pak të kthehet në një çështje te Interi.

Ose të paktën kështu raportojnë mediat italiane, të cilat bëjnë të ditur se drejtuesit zikaltër nuk janë edhe aq të lumtur për “jo”-të e vazhdueshme të mesfushorit të Kombëtares shqiptare.

“Gazetta Dello Sport” bën të ditur se Interi e ka praktikisht jashtë planeve Asllanin, pasi kërkon ta shesë në merkaton e verës, për të përfituar disa miliona më shumë që të sigurojë të ardhura për afrime të reja.

Ai është në një listë ku janë vendosur edhe emrat e Bjukenën, Esposito dhe Stankoviç, të cilëve kërkon t’u gjejë sa më shpejt një sistemim.

Por Asllani ka refuzuar çdo ofertë. Kjo për faktin se Interi ka vendosur një çmim prej rreth 15 milionë eurosh për mesfushorin dhe në Itali, klubet e interesuara për të nuk janë gati të shpenzojnë këtë shifër.

Ndërkohë, vetë Asllani ka refuzuar propozime që i kanë ardhur nga jashtë Italisë, mes të cilave edhe Betis, pasi dëshiron të vazhdojë të luajë në Serinë A.

Zikaltrit janë të pakënaqur nga refuzimet e tij dhe po presin me padurim të dëgjojnë oferta konkrete që i afrohen kërkesave të tyre ekonomike për shitjen e kartonit të futbollistit. Bologna dhe Fiorentina ndjekin me shumë interes Asllanin dhe afrimi i Stefano Piolit te kjo e dyta, mund të bëjë të mundur një transferim pasi raportohet se trajneri admiron lojën e mesfushorit te Kombëtares shqiptare.

Planetët sjellin trazira! Meri Shehu: Javë me shpërthime emocionale dhe përplasje

Java që sapo ka nisur pritet të jetë e mbushur me energji impulsive dhe ngjarje të vrullshme, sipas parashikimit të astrologes Meri Shehu.

Me Hënën në shenjën e Dashit dhe një lidhje dinamike me Uranin në Binjak, kjo javë sjell një ndjesi të fortë lëvizjeje dhe shpërqendrimi, ku duket se gjithçka ndodh njëkohësisht.

Astrologia paralajmëroi se, ndonëse Afërdita në Binjak sjell mundësi të reja, përplasja e saj me Marsin në Virgjëreshë mund të shkaktojë tensione, veçanërisht në fushën ekonomike dhe emocionale.

“Është një javë shumë impulsive sepse fillon me Hënën në shenjën e Dashit, e cila bën një lidhje shumë të bukur me Uranin në Binjak dhe, si të themi, vrapojnë dhe nuk arrijmë dot. Kaq shumë ngjarje do të ketë, sa nuk dimë se çfarë të shikojmë më përpara. Pra, shpërqendrimi ekziston, por ekziston edhe ai vrulli që ne duhet të ecim përpara. Afërdita në Binjak jep shumë mundësi në fakt edhe në fillim të kësaj jave, por kundërshtimi me Marsin në Virgjëreshë u jep një lloj stresi çështjeve ekonomike ose pasigurive emocionale, në çështjet se si ne ndjehemi. Pra, jemi të gjithë në ndryshime dhe, duke qenë në ndryshime, bëjmë sherre dhe debate për atë që kemi në krah”, tha astrologia Meri Shehu.

Dashi, 2 yje: Fillimin e javës e kanë shumë të mirë, me Uranin në Binjak kanë shumë udhëtime dhe kontakte, dhe janë kaq shumë të shumta, sa Dashët nuk do të dinë se ku do të përqendrohen. Edhe Afërdita në Binjak, që u ka dhënë mundësi që ata të dinë se si të alternohen me të tjerët, godet nga Marsi në Virgjëreshë dhe u sjell disa pengesa me punën dhe ekonominë. Nuk do të jenë të kënaqur, ose me ndonjë flirt aty fillon sherri.

Demi, 3 yje: Do të merren më shumë me çështjet ekonomike. U fillon ai ndryshimi i madh që u jep sa më shumë shanse, por mund edhe të hutohen. Megjithatë, një ngërç i madh u ndodh kësaj jave në një marrëdhënie në çift. Duan shumë gjëra që duan t’i realizojnë, por do të hasin një ngërç ekonomik, ose një kundërshtim nga partneri apo partnerja. Do të jetë një javë me shumë xhelozi dhe debate.

Binjakët, 4 yje: Jupiteri në Gaforre, që do të vazhdojë gjatë gjithë verës dhe gjatë gjithë dimrit, është një stimul, një pikë e fortë në çështjet ekonomike. Por, Afërdita në shenjën e tyre ua ka ëmbëlsuar më shumë kontaktet dhe marrëdhëniet. Do të kenë një debat familjar gjatë kësaj jave; duhet të kenë kujdes.

Gaforrja, 3 yje: Janë në një moment shumë të bukur, por një e fshehtë në jetën personale ose një prapaskenë në punë fillon dhe ngre disa debate. Kujdes në mënyrën se si do të justifikohen dhe sa do ta durojnë sulmin që do t’u vijë nga njerëzit e afërt. Megjithatë, Jupiterin e kanë në shenjën e tyre dhe janë në mbrojtje.

Luani, 3 yje: Janë në ditë shumë të bukura; do të kenë kontakte, dalje, do të bien në sy, do të jenë në qendër të vëmendjes. Por, do të bien më shumë në sy nga sa duhet dhe do të duket sikur kanë anë ekonomike më shumë nga sa kanë në të vërtetë. Do t’u bëhet një kërkesë ekonomike, që Luanët nuk do të kenë mundësi që ta realizojnë dot, në disa premtime që kanë dhënë ose u kanë dhënë.

Virgjëresha, 1 yll: Marsi vazhdon të jetë në shenjën e tyre dhe i ka bërë impulsive, por këtë impulsivitet do ta drejtojnë kundër vetes së tyre në një moment shumë të mirë. Urani në Binjak u premton një ngritje në karrierë, më modern dhe nuk i lë stabël, por është edhe Afërdita në Binjak në çështjet e karrierës, por duket sikur nuk do të jenë të kënaqur dhe, dashur pa dashur, i bëjnë një sulm vetes.

Peshorja, 3 yje: Është një nga shenjat që do të marrë më shumë zhvillim me çështjet e komunikimit me jashtë, më shumë biseda, kontakte, por edhe këto kanë ndonjë problematikë të vogël, ose me punën, ose me ndonjë shpërblim. Mund të kenë një xhelozi përbrenda që nuk do t’i lërë të shijojnë momentet e bukura të komunikimeve dhe të kontakteve.

Akrepi, 2 yje: Jupiteri në Gaforre premton shumë dhe është një verë shumë e këndshme për Akrepin, dhe korriku do të jetë një nga muajt që do të shijojnë më shumë. Por, u ka dalë një punë, ose duan të bëjnë një punë, që nuk po i lë të shijojnë sa duhet pushimet dhe ta shikojnë xhepin e tyre plot. Nga ana tjetër, xhelozitë në flirtime do t’u ngacmojnë pak nervat.

Shigjetari, 2 yje: Pavarësisht se janë flamurtarë të një pune ose të një ngritjeje në karrierë, në një farë mënyre do të mohojnë një bashkëpunim shumë të mirë. Nuk do ta shikojnë mirë një bashkëpunim, një marrëdhënie të re ose një rast të mirë në jetën e tyre personale. Ngaqë nuk do ta marrin në konsideratë, do të humbasin një rrugë të re për t’i shkuar nga mbrapa një qëllimi të vjetër.

Bricjapi, 1 yll: Kanë periudhën më të mirë që lidhet me punën, por do të kenë një problem ligjor. Gjithashtu, do të kenë edhe një problem, keqkuptim nga një bashkëpunëtor ose nga një mik i afërt, që ua errëson këtë moment dhe nuk i lë që ta shijojnë. Mund të jetë një person nga e kaluara, por edhe një problem i tyre i brendshëm që nuk i lë të shijojnë momentet e bukura.

Ujori, 4 yje: Janë një nga shenjat më të favorizuara për momentin në dashuri. Urani është futur në Binjak dhe dominon të gjitha llojet e komunikimeve. Këta janë modernë në komunikim. Çdo gjë që u del para, do ta bëjnë për vete. E vetmja gjë që do t’i pengojë do të jenë çështjet ekonomike.

Peshqit, 3 yje: Do të merren shumë me ekonominë dhe do të gjejnë një rrugë të re për të ringritur çështjet e tyre ekonomike, një ide dhe një iniciativë e re, e cila do të ecë jashtë mase mirë. Duhet të kenë kujdes vetëm nga bashkëpunëtorët, nga antagonizmat, nga xhelozitë në çift dhe, mesa kuptoj, të gjitha marrëdhëniet në çift do të kenë xhelozira.

Trump kërcënon Putin: Bëj marrëveshje për 50 ditë ose …

Gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi ashpër Rusinë, duke i vendosur 50 ditë afat për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën.

“Jam i pakënaqur me Rusinë. Ne do të vendosim tarifa të ashpra nëse nuk arrijmë një marrëveshje brenda 50 ditëve. Taksat prej 100% mund t’i shërbejnë këtij qëllimi. Mendova se duhet të kishim bërë një marrëveshje shumë kohë më parë, por lufta vazhdon pa pushim”, tha Trump.

Trump pretendoi se kishte arritur një marrëveshje për të dërguar armë brenda pak ditësh në Ukrainë, duke deklaruar se do të jetë një operacion i koordinuar me NATO-n, e cila do t’i dërgojë aty ku nevojiten.

Më herët, shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se do të dërgonte sistemet amerikane të mbrojtjes Patriot, duke theksuar se këto armë do të financohen tërësisht nga Bashkimi Europian.

“Ne nuk do të paguajmë asgjë, por do të jetë biznes për ne. Sistemi Patriot u nevojitet me dëshpërim, sepse Presidenti rus Vladimir Putin i habit shumë njerëzit. Ai flet mirë dhe pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje. Pra, ka një problem të vogël këtu. Nuk më pëlqen”, tha Trump.

Në përpjekje për t’i dhënë fund luftës, Kievin e vizitoi i dërguari i posaçëm i Trump, Keith Kellogg, i cili pati një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Duke folur gjatë takimit në zyrën presidenciale, Zelensky tha se foli me Kellogg për mbrojtjen ajrore.

Balluku vizitë “surprizë” Bashkisë Lushnje/ Kërkon dorëheqjen e drejtorëve

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku zhvilloi ditën e sotme një mbledhje në ambientet e Bashkisë së Lushnjës me drejtuesit vendorë, në kuadër të urdhrit të kryeministrit Edi Rama për reformimin e administratës dhe rritjen e performancës së institucioneve vendore.

Në këtë takim, zv.kryeministrja Balluku u kërkoi 13 drejtorëve aktualë të bashkisë të paraqesin dorëheqjen. Sipas saj, ky është një hap i domosdoshëm për të nisur procesin e rivlerësimit profesional, ku secili do të nënshtrohet një interviste individuale, dhe më pas, në bazë të performancës, do të vendoset nëse do të qëndrojnë në pozicionin aktual apo do të zëvendësohen.

Pas mbledhjes me drejtorët, Balluku zhvilloi gjithashtu një takim me 15 kryetarët e njësive administrative të Bashkisë së Lushnjës. Edhe këtyre të fundit u është kërkuar dorëheqja e menjëhershme, në funksion të të njëjtit proces reformimi të thelluar.

Në të dy takimet, zv.kryeministrja Balluku u shoqërua nga kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, si dhe nga deputetët e zonës Petrit Malaj, Elton Korreshi, Asforrald Haxhiu dhe Kiduana Zaka.

Vetëm pak minuta pas kërkesës së ballukut të gjithë drejtesit dorëzuan dorëheqjet.

Urdhri i Ramës/ Ikin krerët e njësive në Shkodër dhe Malësi të Madhe! Puka dhe Fushë Arrëzi nuk binden

Pas udhëzimit të Kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve dhe administratorëve të njësive administrative në të gjitha bashkitë e vendit, kanë nisur lëvizjet në nivel lokal.

Të gjithë Administratorët e Njësive Vendore në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur pranë Bashkisë Shkodër dorëheqjet nga pozicionet e tyre.

Në Malësi të Madhe, kryebashkiaku Tonin Marinaj ka qenë ndër të parët që ka zbatuar urdhrin.

Ai ka mbledhur vartësit e tij në një drekë lamtumire, ku u ka komunikuar ndryshimet e pritshme.

Ndryshime ka edhe në bashkinë e Vaut të Dejës, por mbledhja pritet të zhvillohet ditën e nesërme, ku kryebashkiaku Kristian Shkreli do të takohet me të gjithë drejtuesit e bashkisë.

Ndërkohë, në Pukë dhe Fushë-Arrëz, ku bashkitë drejtohen nga kryetarë të djathtë, nuk ka pasur lëvizje. Dy kryetarët demokratë nuk kanë pranuar të ndërmarrin shkarkime, duke argumentuar se urdhri i Kryeministrit nuk është i detyrueshëm për ta.