zoom

Day ArchiveMevlan Shaba bëhet baba për herë të parë, zbulon emrin e vajzës!

Ish-konkurrenti i “Për’puthen” dhe këngëtari i njohur Mevlan Shaba është bërë baba për herë të parë!

Lajmin e bukur e ka ndarë vetë ai përmes një postimi në Instastory, teksa është pyetur në “Ask Me a Question”.

Përveç emrit, Mevlani ka zgjedhur të mos e bëjë publik portretin e së bijës.

Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Qeveria kroate sot ka dërguar për miratim Ligjin për mbrojtjen dhe shërbimin në Forcat e Armatosura, që përfshin rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Kroacia që nga viti 2008 ka pasur të pezulluar vendimin për shërbimin ushtarak të detyrueshëm, por sipas vendimit të ri, ai do të nisë në vitin 2026 dhe do të zgjasë dy muaj.

Sa i përket regjistrimit, çdo shtetas kroat regjistrohet në moshën 18-vjeçare, dhe në trajnimin ushtarak dërgohet në moshën 19-vjeçare. Në disa raste, mund të dërgohen edhe persona të moshës deri në 30 vjeç.

Nëse dikush nuk i përgjigjet thirrjes, policia do të lëshojë urdhër për ta sjellë me detyrim dhe do të shqiptohet gjobë që varion nga 250 deri në 1.320 euro. Gratë nuk do të kenë detyrim për pjesëmarrje, por mund të marrin pjesë vullnetarisht në trajnimin ushtarak.

Shërbimi ushtarak do të konsiderohet pjesë e stazhit të punës dhe do të paguhet me 1.100 euro neto në muaj. Gjithashtu, të rinjtë do të jenë të siguruar për sa i përket vendit të punës – nuk mund të shkarkohen nga puna gjatë kohës që shërbejnë.

Ata që janë të papunë do të kenë përparësi në punësim në institucionet shtetërore, raportojnë mediat kroate.

Do të mundësohet edhe shtyrja e shërbimit ushtarak apo civil deri në moshën 29-vjeçare për arsye studimi apo për sportistët që marrin pjesë në gara botërore dhe evropiane.

Salianji: Ramës i tremben njerëzit e lirë, jam viktimë e regjimit të tij

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas lirimit të tij nga burgu, duke e cilësuar veten si një viktimë të hakmarrjes politike të kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, Salianji tha se regjimi i Ramës nuk i duron njerëzit e lirë dhe se edhe të dënuar të tjerë socialistë janë viktima të të njëjtës logjikë autokratike.

Sipas tij, ndëshkimi i tij nuk lidhet me dëmtimin e askujt, por me faktin që përmes denoncimeve të tij, një person me precedent penal ka përfunduar pas hekurave, çka ai e quan një kontribut për shoqërinë.

Ai shtoi se sot është i lirë falë një sistemi të kapur nga qeveria, ku prokurorë e gjyqtarë veprojnë sipas porosive politike. Ish-deputeti akuzoi konkretisht gjyqtarët që e dënuan, duke përmendur emra të përfolur për lidhje me mazhorancën socialiste.

Edi Ramës çdo njeri i lirë i duket problematik, sepse kjo është natyra e autokratëve. Edhe të dënuar të tjerë të Partisë Socialistë janë viktima të Edi Ramës. Unë nuk kam bërë burg se i kam bërë dëm një njeriu. Pasoja e denoncimit ishte që një i dënuar ka shkuar në burg. Pra është një pasojë pozitive për shoqërinë nga denoncimi im. Unë sot jam më dëshminë e një shoku të Edi Ramës në burg. Gjyqtarët ë prokurorët janë ose zyrtarë ose funksionarë të lidhur me Partinë Socialistë. Artan Gjermeni, militant i PS, i kapur në përgjimet e Prokurorisë së Torinos si ushtar i Aldo Bares. Gentian Shalës i kanë premtuar Gjykatën e Lartë në këmbim të dënimit tim,” tha Salianji.

Ndërtimet pa leje në Theth, Feziu: Shembulli se si nuk duhet të zhvillohet turizmi në Shqipëri

Një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje ka nisur së fundmi në Theth, një nga destinacionet më të njohura turistike në veri të Shqipërisë.

Aksioni ka sjellë reagime të forta, si nga banorët ashtu edhe nga opinioni publik. Gazetari Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, e cilësoi situatën në Theth si një “shembull tipik se si nuk duhet të zhvillohet turizmi në Shqipëri”.

Ai vuri në dukje se kaosi ndërtimor dhe ndërhyrjet pa leje nuk janë të rastësishme, por ndodhin me dijeninë dhe tolerimin e strukturave lokale. Në kulmin e sezonit turistik, kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën si trajtohen zonat e mbrojtura dhe asetet natyrore të vendit.

“Në fakt problemi i ndërtimeve pa leje, por edhe kaosi i krijuar nuk është vetëm në Theth, por është  dhe në zona të tëra, në të cilat ndërtohet, zbatohet. Ndërkohë është edhe një gjë, që asnjë ndërtim dhe asnjë zaptim, asnjë gjë nuk mund të bëhet pa dijeninë e punonjësve lokalë të policisë, të bashkive dhe nuk ka shans që një njeri të ndërtojë dhe të zbatojë një fshat të tërë pa e ditur policia, pa e ditur pushteti lokal, pa e ditur drejtuesit e zonës se çfarë ndodh.

Tolerohet dhe më pas shkohet në dëme të tilla materiale, të cilat janë shumë të mëdha, në konflikte të tilla, por edhe në një lloj cenimi të sezonit turistik, ekzaktësisht në mesin e tij. Padyshim që është shumë e vështirë t’i hysh e të mendosh se çfarë po ndodh në Theth, por është një shembull tipik se si ne po shkatërrojmë një nga asetet kryesor që ka Shqipëria, që është turizmi dhe një nga shembujt se si nuk duhet të zhvillohet turizmi në Shqipëri”, tha Fevziu.

Paralajmërimi i psikologes për Labubu-n: Çfarë simbolizon kukulla virale

Një lodër në dukje e lezetshme dhe e pafajshme është bërë një obsesion për mijëra njerëz.

Por një psikologe paralajmëron se Labubu fsheh një kuptim më të thellë psikologjik, veçanërisht për Gjeneratën Z.

Një psikologe po i paralajmëron blerësit e Labubu-ve, duke shpjeguar se këto objekte të vogla kanë një ” simbolizëm të thellë ” të papritur. Kukullat me gëzof dhe paksa të shëmtuara janë kudo. Edhe pse janë projektuar për fëmijë, kohët e fundit po i zgjedhin gjithnjë e më shumë të rritur.

Madison Burgess foli me psikologen Tracy King rreth këtij trendi në rritje të shpejtë dhe kuptimit të tij më të thellë. King, një psikologe klinike, tha se e sheh përhapjen e gjërave të tilla si ” një reagim ndaj klimës emocionale në të cilën po rritet Gjenerata Z.

“Nga jashtë, ato janë të gjalla dhe argëtuese. Por në një nivel psikologjik, ato kanë simbolikë të thellë: ato ofrojnë momente të vogla rehatie, kontrolli dhe identiteti në një botë të paparashikueshme “, tha ajo.00

Jeta moderne si një dhomë arratisjeje

King e krahasoi jetën moderne për Gjeneratën Z me një dhomë arratisjeje, në kontrast me imazhin tradicional të “shkallës së karrierës” të brezave të vjetër.

“Në të kaluarën, kishte një ndjesi progresi, punoje shumë, ngriheshe, ndiheshe i sigurt. Tani, të kërkohet të zgjidhësh probleme pa udhëzime të qarta, të arrish qëllime të padukshme, dhe shpesh sheh që rregullat ndryshojnë plotësisht”, shtoi ajo.

Në vend që të kursejnë për një shtëpi në të 20-at, të rinjtë e sotëm po ” investojnë në të tashmen”. ” Gjenerata Z u rrit në një botë dixhitale, ku identiteti nuk merret si i mirëqenë, por formësohet. Ata kanë qenë dëshmitarë të krizave globale, pandemive, recesioneve ekonomike, shkatërrimit të mjedisit, dhe kështu qëllimet jetësore të brezave të vjetër duken të largëta”, tha King.

Labubu si një formë shprehjeje: Një trend që do të qëndrojë

Psikologia thekson se lodrat e vogla janë mjete të arritshme dhe thelbësore shprehjeje.

“Gëzimet e vogla, ngushëllimet e buta dhe blerjet që lidhen me identitetin personal marrin kuptim. Në mediat sociale, ku estetika është një mënyrë komunikimi, objekte të tilla bëhen shprehje të emocioneve, karakterit dhe identitetit shoqëror.”

Për shumë njerëz, blerja e një Labubu është gjithashtu një kthim në kujtimet e fëmijërisë.

“Këto objekte të buta dhe të gjalla ngjallin ndjenja sigurie, kujdesi dhe nostalgjie, gjëra që mund të kenë munguar ose ndërprerë herët në fëmijërinë e tyre”, thotë King.

“Kjo është ajo që ata e quajnë ‘terapi e brendshme e fëmijës’ në veprim”, tha ajo.

Psikologia beson se kultura e koleksioneve të vogla nuk do të zhduket së shpejti.

“Për sa kohë që shoqëria mbetet e fragmentuar dhe kërkuese, njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë mënyra të thjeshta, të vogla dhe simbolike për t’u ndjerë më mirë. Kultura e objekteve të vogla është një përgjigje ndaj lodhjes dhe shkëputjes. Kjo nuk është një modë sipërfaqësore, është një reagim psikologjik ndaj kërkesave të jetës moderne”, përfundoi ajo.

Shqipëria përjetoi një nga valët më të gjata të nxehtësisë së dekadës së fundit

Gjatë muajit qershor dhe në fillim të korrikut 2025, Evropa u godit nga dy valë intensive të të nxehtit, të cilat lanë pas një varg rekordesh temperaturash dhe kushte ekstreme moti.

Kulmi i valës së parë u shënua midis datave 17 dhe 22 qershor, ndërsa vala e dytë, më e fortë dhe më e zgjatur, ndodhi nga 30 qershori deri më 8 korrik, duke prekur pjesën më të madhe të Evropës Jugore dhe Perëndimore.

Evropa Jugore dhe Ballkani, përfshirë rajonet përreth Shqipërisë, regjistruan vlera të “stresit të nxehtësisë” shumë të fortë, me ndjesi termike që tejkaluan 38°C.

Shqipëria u prek ndjeshëm nga ky fenomen ekstrem. Gjatë periudhës 20 qershor – 8 korrik, vendi u përfshi nga një valë e fortë të nxehti, me ndikim të theksuar në zonat bregdetare, të ulëta dhe urbane.

Temperaturat maksimale ditore në shumë qytete, si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Gjirokastra, tejkaluan vlerat 39–40°C, duke kulmuar më 7 korrik, që rezultoi dita më e nxehtë e kësaj vale.

Kjo valë të nxehti u shkaktua nga një sistem i fuqishëm presioni të lartë i njohur si “kupolë e të nxehtit” që solli ditë të kthjellëta, pa reshje dhe me rrezatim të fortë diellor. Gjatë saj u shënuan edhe netë tropikale në disa zona të Shqipërisë, ku temperaturat nuk ranë nën 20°C, duke e vështirësuar freskimin gjatë natës dhe duke rritur rrezikun për probleme shëndetësore të lidhura me të nxehtin.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të kontinentit, veçanërisht në Spanjë dhe Portugali, temperatura të ajrit pranë sipërfaqes arritën deri në 46°C. Në verilindje të Lisbonës, temperatura “si ndihet” shkoi deri në 48°C, një stres i ekstrem i të nxehtit.

Për Evropën Perëndimore, vala e dytë e të nxehtit solli rekorde të reja. Më 30 qershor dhe 1 korrik, temperatura mesatare ditore për rajonin arriti 24.9°C vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë për muajin qershor. Mesatarja mujore për qershor 2025 në këtë zonë arriti 20.49°C, 2.81°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020, duke kaluar për herë të parë rekordin e mbajtur që nga viti 2003.

Edhe pse Shqipëria nuk shënoi rekorde historike kombëtare, intensiteti dhe zgjatja e kësaj vale e rendisin periudhën 20 qershor 8 korrik si një nga më të nxehtat e dekadës së fundit.

Burimi:

Prof. Dr. Petrit Zorba, meteorolog pranë Departamentit të Meteorologjisë, Instituti i Gjeoshkencave/ Klima.al

“Skenë filmi” në burgun e Drenovës/ Modelja i shkon në takim special Laert Haxhiut, lë “thatë”…

Modelja e njohur kosovare, Ziza Pajaziti, mësohet të jetë femra që ka hyrë në burgun e sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës, ku ka zhvilluar një takim special me të dënuarin me burg përjetë të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu.

Siç mëson “Ora News”, në datën 12 qershor 2025, Pajaziti, është paraqitur në ambientet e burgut të Drenovës, pasi sipas saj kishte planifikuar një takim me të dënuarin me burg përjetë, Vladimit Kurti, i cili rezulton të ketë vrarë tregtarin, Agim Buci, në dyqanin e tij në Kamëz.

Por teksa modelja kosovare, ka hyrë në ambjentet e brendshme të sigurisë së lartë të Godinës “A”, ajo është akomoduar në dhomën e takimeve spiciale.

Sipas një raporti sekret, në këtë dhomë speciale policët e shërbimit të brendshëm të burgut të Drenovës, nuk kanë shoqëruar të dënuarit Vladimir Kurti, me të cilin ishin planifikuar takimi, por të dënuarin me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu.

Vladimir Kurti, vuan dënimin në Godinën “A”, pikërisht në qelinë Nr.5. Ndërsa Laert Haxhiu, vuan dënimin në të njëjtën godinë, por në qelinë Nr.6, ngjitur me atë të Vladimir Kurtit.

Letrat e planifikimit për takimin special me modelen kosovare, Ziza Pajaziti, janë bërë në emër të Kurtit, ndërsa në takim policia e burgjeve ka çuar Laert Haxhiun.

Takimi mësohet të ketë zgjatur rreth 1 orë dhe më pas, Pajaziti ka dalë nga ambientet e burgut. Ndërsa Haxhiu është shoqëruar nga policia sërish në ambientet e dhomës Nr. 6 që ndodhet në katin e parë të godinës.

Ky incident të krijon përshtypjen se burgu i sigurisë së lartë në Korçë, funksionon si kabare, ku hyn e del kush të dëshirojë, mjafton të ketë pak ndikim.

Por njëherësh ky incident krijoi dhe një konflikt mes drejtorit tashmë të shkarkuar të burgut, Fatjon Fasho dhe shefit të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli, edhe ky i pezulluar.

Tashmë të dy janë referuar për hetim në prokurorinë e Korçës, e cila ka nisur një procedim penal për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë 17 ditë nga ky incident, burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, përfshihet sërish në një incident të dytë. Ku këtë herë protagonist është prapë, Laert Haxhiu dhe dy anëtarët e grupit të tij, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Në mëngjesin e datës 29 qershor 2025, një skuadër e policisë operacionale të Burgjeve, ka hyrë në ambientet e Godinës “A”, duke ushtruar kontroll në dhomat Nr.4, 5 dhe 6, ku vuajnë dënimin të dënuarit për vrasje, Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili, Vladimir Kurti dhe Xhensi Lipo.

Gjatë kontrollit të 3 dhomave, skuadra operacionale gjeti dhe sekuestroi 4 aparate telefonike të markave “Iphone” dhe “Samsung”, kufje të markave “AWEI” dhe “IPODS”.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi mbetet e paqartë se kush është personi që ka furnizuar grupin e Laert Haxhiu me mjetet telefonike, ndërsa hetimet në prokurori vijojnë.

Prokuroria që po ndjek rastin, po kryen një seri veprimesh hetimore me shpresën e gjetjes së personit që ka mundësuar futjen e sendeve telefonike, pikërisht në qelitë Nr.4, 5, dhe 6, ku vuajnë dënimin 4 personat me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë që 4 telefonat janë këqyrur dhe njëherësh në ditët në vijim do dërgohen dhe për ekspertim kompjuterik. Dy ditë pasi “Ora News” botoi raportin sekret, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, vendosi shkarkimin e drejtorit Fatjon Fasho dhe pezullimin e shefit të policisë, Sokol Kaçoli.

Pas gjetjes së telefonave, drejtoria e burgut Drenovë mori vendimin për izolimin e Laert Haxhiut. Ndërsa pritet që kreu i SPAK, gjatë kësaj kohe ti propozojë komisionit të Posaçëm, për izolimin në regjim “41 bis” të 3 anëtarëve të këtij grupi kriminal Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiu.

Ky grup vepronte në disa qytete si Lushnjë, Tiranë, Pogradec, Durrës, Tepelenë, Peqin, Korçë dhe Greqi, duke kryer krime të ndryshme nga shitja e lëndëve narkotike, vjedhja, gjobëvënie, e deri tek krimet e rënda si shkatërrim i pronës me eksploziv dhe vrasjet.

Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi vuajnë dënimin me burg përjetë në burgun e sigurisë së lartë në Korçë, pasi janë dënuar të tre për akuzën e vrasjes së Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 2017, ku mbetën të plagosur dhe dy persona të tjetër.

Ndërkohë ndaj Haxhiut dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij, janë dhe dy procese gjyqësore të hapura në prokurorinë e posaçme SPAK, ajo e vrasjes së Besnik Hidës, ku Laert Haxhiu ka vepruar së bashku me Orgest Bilbilin, Ardian Ahmetin i njohur si “Pepe” dhe persona të tjerë.

Ndërsa dosja tjetër që lidhet me Laert Haxhiun, është ajo e vrasjeve seriale, vjedhjeve, shkatërrimit të pronës me eksploziv të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, ku i penduar është bërë anëtari i grupit, Artan alias Marjus Tafani. Oranews/

Osmani jep detaje: Trump parandaloi përshkallëzimin nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni” nga Serbia – “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”.

“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Meqenëse ka ndodhur më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe tha se ato nuk duhen nënvlerësuar.

Sipas saj, presidenti Trump ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij deri tani, për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Dhe sigurisht, kjo fillon me frenimin e Serbisë”, tha ajo.

Për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Osmani tha se “ka mbetur i ngujuar në mendësinë e viteve ’90” dhe se dëshmi për këtë është sulmi i vitit 2023 në Banjskë.

Ajo tha se Kosova punon ngushtë me të gjitha nivelet e Qeverisë amerikane – qoftë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, të mbrojtjes apo të politikës – me synimin që “së bashku të mbrojmë dhe ruajmë paqen”.

“Ne kemi institucionet tona që po bëjnë një punë të shkëlqyer në mbledhjen e informacioneve dhe punojmë me partnerë individualë, për të konfirmuar informacionet që mbledhin institucionet tona. Pra, nuk jemi kurrë vetëm”, tha Osmani.

Njëkohësisht, ajo vlerësoi edhe ushtarët e misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë, duke thënë se ata bëjnë “një punë të shkëlqyer në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”. Rel/

U arrestua në Zvicër/ Lirohet Noizy, tregon çfarë ndodhi

Këngëtari Noizy është lënë i lirë nga autoritetet zvicerane pas arrestimit disa ditë më parë. 

Lajmin e ka bërë vetë reperi përmes një reagimi në rrjetet sociale. 

Noizy: Ju kërkoj ndjesë të gjithë fansave të mi në Zvicër, për të cilët fatkeqësisht nuk munda të performoja të shtunën në mbrëmje.

Një keqkuptim i rëndë, i shkaktuar nga një shpifje e pastër, më përfshiu padrejtësisht në një procedurë verifikimi nga autoritetet zvicerane. Autori i kësaj shpifjeje do të përballet me pasojat ligjore, deri në dënimi maksimal që parashikon ligji zviceran. Tani gjithçka është pas krahëve.

Ju kerkoj ndjese te gjithe fansave te mi ne Zvicer, per te cilet, fatkeqesisht, nuk munda te
performoja te shtunën mbrema.
Nje keqkuptim i rende, i shkaktuar nga nje shpifje e paster, me perfshiu padrejtesisht ne nje
procedure verifikimi nga autoritetet zvicerane. Autori i kesaj shpifjeje do te perballet me pasojat ligjore, deri ne denimin maksimal de parashikon
ligji zviceran. Tani gjithka shte pas kraheve. Jam serish me
ju, per te uar perpara koncertet dhe albumin e ri

Detaje të reja nga vrasja e 23-vjeçarit në Mat

Hetimet lidhur me vrasjen e të riut Renis Dobra, 23 vjeç, kanë zbardhur detaje të reja mbi dinamikën e krimit.

Sipas informacioneve nga burime policore, dy automjete Range Rover dyshohet se kanë ardhur nga qyteti i Rrëshenit, me qëllim rrëmbimin e viktimës.

Një makinë tjetër, që ka nisur nga Miloti, ka monitoruar qarkullimin në rrugën Milot-Burrel, në një segment prej rreth 12 kilometrash, në lidhje me ngjarjen.

Policia po punon intensivisht dhe pritet të shoqërojë deri 10 persona, të cilët dyshohet se kanë dijeni ose lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Ndërkohë, rrethanat dhe motivet e krimit mbeten në hetim.

23-vjeçari u gjet i vrarë në liqenin e Shkopetit, pasi familjarët e tij e kishin denoncuar të zhdukur.

I riu, sipas policisë, është dhunuar, është mbytur me litar dhe më pas është hedhur në liqen me makinë.

Autorët, ende të paidentifikuar, janë prezantuar si policë dhe i kanë thënë të riut se do ta shoqëronin në komisariat./ Zoom.al