zoom

Day ArchiveShpërthimi i fuqishëm në Romë, 45 të plagosur. Si është gjendja e tyre

Një shpërthim i fuqishëm të premten në një pompë karburanti në Romë ka lënë të paktën 45 njerëz të lënduar, përfshirë 12 oficerë policie dhe gjashtë zjarrfikës, thanë autoritetet italiane.

Shpërthimi ndodhi në shpërndarësin e benzinës, naftës dhe gazit të lëngshëm të naftës (LPG) në lagjen e klasës punëtore, Prenestino, dhe u dëgjua në të gjithë kryeqytetin pak pas orës 8 të mëngjesit.

Njerëzit e prekur nga shpërthimi po mjekohen në spitalet vendëse, raportojnë agjencitë italiane të lajmeve, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje kritike për shkak të djegieve të rënda.

“Lutem për njerëzit e prekur nga shpërthimi në një pompë në zemër të Dioqezës sime. Vazhdoj ta ndjek me shqetësim zhvillimin e këtij incidenti tragjik”, shkroi Papa Leoni XIV në platformën X.

Zjarrfikësit dhe punonjësit e ambulancës u prekën nga ky shpërthim, pasi ishin thirrur më herët në vendngjarje, sepse një kamion kishte goditur një tubacion në pompën e karburantit, raportojnë mediat italiane.

Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, tha nga vendi i ngjarjes se dyshohet se një incident gjatë procesit të mbushjes së rezervuarëve me karburant shkaktoi një rrjedhje gazi, gjë që shkaktoi zjarr dhe më pas shpërthim si pasojë.

Kryeministrja Giorgia Meloni falënderoi policinë, zjarrfikësit dhe shërbimet e tjera emergjente për ndihmën në garantimin që “kjo ngjarje tragjike të mos kishte pasoja edhe më të rënda”.

Pompa mbante logon e kompanisë Eni, por nuk ishte në pronësi të grupit italian të energjisë, sqaroi kompania në një deklaratë.

Pesë njerëz u vranë në dhjetor të vitit të kaluar nga një shpërthim në një depo karburanti të Eni afër Firences./ REL

Soda e bukës kundër problemeve me diabetin

Soda e bukës është një nga produktet që nuk mungon kurrë në kuzhinën e një amviseje shqiptare.

Ajo përdoret jo vetëm për gatime, por edhe për pastrimin e shtëpisë.

Së fundmi, soda e bukës ka fituar një reputacion të mirë edhe kundër diabetit.

Kjo sëmundje shfaqet kur organizmi nuk arrin të prodhojë mjaftueshëm insulinë.

Soda e bukës për mbajtjen e diabetit nën kontroll

Studimet thonë se soda e bukës përbën linjën e parë të mbrojtjes kundër diabetit dhe për mbajtjen e sëmundjes nën kontroll.

Përdorimi i saj kundër sëmundjes rekomandohet të bëhet vetëm nëpërmjet konsultave me mjekun, ndonëse ajo është një produkt i sigurt për shëndetin.

Sipas ekspertëve, nëse organizmi i njeriut ofron një mjedis acidik që nxit shumë sëmundje, përfshrië diabetin, soda e bukës e kthen situatën në normalitet.

Për më tepër, diabetikët janë të prirur të preken një mykomukoza, një infeksion i rrallë dhe i rrezikshëm.

Soda e bukës mund të parandalojë përhapjen e këtij infeksioni dhe të shmangë shterimin e plotë të insulinës dhe rënies së trupit në koma.

Bëhet fjalë për një komplikacion të rrezikshëm për diabetikët që shfaqet me simptoma si: etje e tepruar, të vjella, urinim i shpeshtë, tharje të gojës e plogështi.

Ekspertët thonë se përdorimi i sodës së bukës kundër këtyre komplikacioneve të diabetit duhet bërë me kujdes.

Sipas tyre, vetëm një mjek specialist mund të rekomandojë një kurë dhe doza të sakta të sodës së bukës që janë të nevojshme për mbajtjen nën kontroll të diabetit dhe komplikacioneve të tij.

Konsultat me mjekun janë të nevojshme sepse nëse e teproni me sodën e bukës, ajo mund të ketë një efekt krejt të kundërt nga qëllimi fillestar./AgroWeb

Zhduket çobani në Delvinë, mister fati i tij

Një 48-vjeçar nga zona e Delvinës është zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa kolegu i tij ka bërë kallëzim në polici, duke ngritur dyshime për fatin e tij.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Vlorës, denoncimi është bërë ditën e djeshme nga një 52-vjeçar, i cili ka raportuar se kishte humbur kontaktet me kolegun e tij çoban prej dy ditësh.

Menjëherë pas kallëzimit, policia ka nisur hetimet për gjetjen e personit të zhdukur dhe për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./ Zoom.al

Situatë kritike në Itali/ 9 viktima nga vapa përvëluese

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e një vale përvëluese të të nxehtit që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, raportojnë autoritetet italiane.

Temperaturat ekstreme kanë detyruar qeverinë të marrë masa urgjente për të përballuar krizën shëndetësore dhe sociale.

Ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, njoftoi se prej datës 4 korrik 2025, është vënë në funksion një “dhomë kontrolli” qeveritare, që do të koordinojë përgjigjen ndaj emergjencës. Kjo strukturë do të menaxhohet në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes Shëndetësore, Mbrojtjen Civile, autoritetet rajonale të Lazios dhe agjencinë INAIL.

Sipas agjencisë ANSA, 20 qytete janë në alarm të kuq për shkak të rreziqeve të drejtpërdrejta ndaj shëndetit publik. Ky nivel nënkupton se nxehtësia përbën kërcënim jo vetëm për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, por edhe për popullatën e shëndetshme.

Qytetet e prekura përfshijnë: Ancona, Bologna, Bolzano, Brescia, Campobasso, Firence, Frosinone, Genova, Latina, Milano, Palermo, Perugia, Pescara, Rieti, Roma, Torino, Trieste, Venecia, Verona dhe Viterbo.

Ndërkohë, Ministria e Punës ka firmosur një protokoll të posaçëm me sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve, i cili ndalon punën në ambiente të jashtme gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Protokolli do të zbatohet përmes një dekreti emergjent, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe problemeve shëndetësore të lidhura me valën e të nxehtit.

Sipas parashikimeve, fundjava pritet të sjellë një rënie të temperaturave për shkak të stuhive verore./ Zoom.al

Ndërhyrja e Ramës në Bashkinë e Vlorës zhbën “ndarjen ligjore të pushteteve”

Një takim me dyer të mbyllura, i mbajtur të enjten në bashkinë e Vlorës nga kryeministri Edi Rama, u pasua me një furtunë dorëheqjesh nga drejtuesit e kësaj bashkie, sipas raportimeve mediatike.

Në takim ishin të pranishëm kryebashkiaku socialist, Ermal Dredha, ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe deputetë socialistë në këtë qark. Rama paralajmëroi se takime të ngjashme do të pasonin në Durrës, Fier, Elbasan dhe Shkodër për të diskutuar problematikat me shërbimet që u takojnë bashkive, si zënia e hapësirave publike nga lokalet apo parkimet.

“…është bërë e papranueshme dhe e padurueshme për shumë njerëz, për shumë lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, ushtrimi i vullnetit abuziv, edhe patjetër, edhe sy mbyllja e strukturave përkatëse, siç për shembull, është krejtësisht evidente dhe e  pajustifikueshme në Vlorë,” tha më pas Rama në një lidhje live me ndjekësit në rrjetet sociale.

Përfshirja e kryeministrit Edi Rama në punët e pushtetit lokal vjen pas një fitoreje të thellë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që kontrollon 54 nga 61 bashkitë e vendit.

Për ekspertët e pushtetit vendor, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Ramës në çështjet e pushtetit vendor përbën një cënim të rëndë të parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Neni 13 i Kushtetutës përcakton se “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore” dhe këto parime shtjellohen e mbrohen dhe në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.

Agron Haxhimali, drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare i tha BIRN se sjellja e Ramës i shkel kryekëput këto dispozita ligjore dhe i kthen bashkitë në ‘zyra partish’.

“Ndërhyrja e Kryeministrit Rama në shkarkimet në Bashkinë Vlorë përbën një cënim të qartë të autonomisë vendore dhe ndarjes së pushteteve,” tha Haxhimali.

Sipas tij, edhe pse shqetësimet lidhur me performancën qëndrojnë, mënyra e ndërveprimit për çështje administrative është e gabuar. “Bashkitë nuk janë zyra partish, as të partisë në pushtet, as të atyre në opozitë,” theksoi ai.

Haxhimali sqaron se bazuar në ligjin për vetëqeverisjen vendore, emërimet dhe shkarkimet në administratën e bashkisë janë kompetencë ekskluzive e kryetarit të bashkisë dhe se kjo ndërhyrje rrezikon sipas tij ta kthejë pushtetin vendor në një zgjatim politik të qeverisë qendrore.

Edhe Dhurata Çupi, ish- deputete e Partisë Demokratike që bashkëdrejtoi një komision parlamentar të posaçëm për reformën vendore, e sheh me shqetësim ndërhyrjen e kryeministrit në punët e bashkive.

“Shkarkimi i drejtorëve të bashkive  apo emërimi i  zëvendëskryetarëve të bashkive me urdhër të Kryeministrit, rasti i bashkive Vlorë dhe Tiranë, është një shkelje flagrante e parimeve të decentralizimit dhe autonomisë vendore, të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji shqiptar,” tha Çupi për BIRN.

Ajo e akuzon Ramën se në mënyrë të qëllimshme po kërkon të vendosë kontroll total mbi institucionet vendore, kontroll, që sipas saj, “i kthen bashkitë në varësi të Kryeministrit, në vend që të jenë në funksionin për të cilin janë votuar, atë të shërbimit ndaj qytetarëve”.

“Rama nuk po lufton as korrupsionin, as paaftësinë, por po zhbën totalisht ndarjet e pushteteve dhe sjellja e tij tregon interesin për kontroll edhe mbi vendimarrjet e bashkive,” shtoi ajo.

Sipas Çupit, ndërhyrjet politike nga qeveria qendrore në strukturat drejtuese të bashkive janë të ndaluar në mënyrë të qartë në nenet kushtetuese dhe në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”./ Reporter.al

Tragjedi/ Vdes vajza 9-vjeçare, nëna e la në makinë për orë të tëra

Një vajzë 9-vjeçare ka ndërruar jetë pasi nëna e saj dyshohet ta ketë lënë të mbyllur në makinë për orë të tëra në vapën e përvëluese të Teksasit, ndërsa ajo shkonte në punë.

Ngjarja ndodhi të martën, më 1 korrik, kur policia mori një telefonatë për një fëmijë pa ndjenja brenda një makine të bardhë në një parking të një fabrike në Qarkun Harris.

Vajza u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetojë, njoftuan autoritetet.

Sipas autoriteteve, nëna 36-vjeçare dyshohet se e la vajzën në makinë për një turn pune 8-orësh. Ajo kishte lënë dritaret pjesërisht të hapura dhe ujë brenda automjetit, por nuk është e qartë nëse vajza është kontrolluar gjatë gjithë kohës apo nëse ka dalë në ndonjë moment nga makina.

Në xhamin e përparmë të makinës kishte një tendë dielli, që mendohet të ketë penguar kalimtarët të shihnin vajzën brenda. Temperaturat e ditës ishin rreth 36 gradë Celsius, duke bërë që kushtet të rrezikshme për fëmijën./ Zoom.al

3 ditë për të marrë shërbim/ Gazetari denoncon BKT: Moskokëçarje, klientët prisnin si pemë

Banka Kombëtare Tregtare është kthyer në shqetësim për cilësinë e shërbimit që ofron për klientët.

Stafi i BKT-së duket sikur nuk e respekton klientin, e lë të presë për minuta të tëra në radhë për shërbimin më minimal.

Të paktën kjo është pasqyra që gazetari Emirjon Senja i bën shërbimit të kësaj banke, pas një përvoje të tijën personale.

Përpjekjet për të kryer një shërbim të thjeshtë rezultuan në dështim total për gazetarin, pas vizitave në tre filiale të ndryshme dhe dy ditësh përpjekje.

“E kam shmangur këtë bankë prej 10 vitesh, që pas një incidenti me keqmenaxhimin e të dhënave personale. Por një nevojë më detyroi të rikthehem… dhe e kuptova që gjërat janë kthyer mbrapsht”, shkruan gazetari në një postim që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Emirjon Senja tregon se në filialin e parë, në zonën e “Ish-Kinostudios”, punonjëset e sportelit u treguan të painteresuara dhe joefikase, ndërsa njëra prej tyre u largua nga vendi i punës në mes të radhës. “Një kliente po priste si pemë para saj dhe nga batutat e buzëqeshjet kuptova që nuk kishte ndonjë nxitim”, shkruan ai.

Përmes përvojës së tij, gazetari ngre një akuza të forta ndaj sistemit bankar në tërësi, duke theksuar se paraja e lehtë, punonjësit e pakualifikuar dhe largimi i bankave ndërkombëtare po ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e standardeve.

“Këto janë vitet e arta të bankave për nga fitimet, por vitet më të këqija për nga shërbimi. Fitimet e lehta duket po bëjnë që bankat të mos e shohin suksesin te produktet apo kujdesi ndaj klientit, por gjetkë”, thekson Senja.

Në fund, ai bën një thirrje të drejtpërdrejtë:
“Banka e Shqipërisë duhet të verë dorë në këtë histori sepse situata po përkeqësohet nga viti në vit.

Reagimi i plotë

Degradimi i rrezikshem i sistemit bankar ne Shqiperi

Dikur, kur nuk kishim keto sherbimet e-banking dhe kur franceze, greke dhe italiane mbizoteronin tregun, nderkohe qe mbarevajtja e bankes varej edhe nga sherbimi dhe kur konkurrenca ishte me e forte, sherbimi ne sportele ishte me profesional dhe me njerezor.

Tani me sa kam hasur, por edhe na eksperienca te treguara, gjerat jane kthyer se prapthi.

Prej gati 10 vitesh nuk futesha ne ndonje prej sporteleve te Bankes Kombetare Tregtare. Me ngjall bezdi ajo logo qe prej nje incidenti me keqmenaxhimin e te dhenave personale ketu e nje dekade me pare.

Belaja me çoi qe te isha i detyruar te shkoja per nje sherbim, ndoshta më i thjeshti në botë, të cilin pasi kam shëtitur tre sportele të Banka Kombëtare Tregtare , dy ditë të shkuara dëm dhe disa telefonata, ende nuk e kam marrë.

E nis dje te filiali i “Ish-Kinostudios”. Gjej aty ca njerëz që pasqyronin lodhje dhe moskokëçarje. Papritur zhduket njëra prej punonjëseve të sportelit.

Punonjësja tjetër që mbeti, prej gati 20 minutash nuk po kryente veprime.

Nuk e mora vesh pse.

Një kliente po priste si pemë para saj dhe nga batutat e buzëqeshjet e shkëmbyra mes tyre kuptova që nuk kishte ndonjë nxitim edhe pse kishte shumë si unë që po prisnin të merrnin shërbim.

Ika që aty pasi me llogaritë e mia, me dilte radha andej nga ora 20:00 nëse do të vijonin të punonin me atë ritëm.

Shkoj te filiali i “Ali Demit”. Radha, radhë sërish.

Epo me vjen radha dhe mua.

Përballë, dikush që nuk merr përsipër të ekzekutojë një veprim të thjesht duke tentuar të më përcjellë sërish.

Konica këta individë i përshkruan si “njerëz makina”. Po nëse është kështu, thjesht punë “click-u”, pse nuk fusin disa robotë aty dhe na kursejnë përballjen me të paaftë dhe të pamotivuar?!

Pas insistimit tim dhe shfaqjes së një damari që me bëhet jeshil kur ma sjellin në majë të hundës, punonjësja shkon e pyet drejtoreshën, të cilit i dha Zoti udhë dhe i “shkeli butonin Vepro!”.

“Njeriu makinë” u rikthye në vendin e vet dhe nisi të bëjë veprimet, por nuk ishte e thënë.

Procedura u ndërpre sepse nuk kisha rifreskuar të dhënat. Me demek, paskam qenë klient i BKT para 10 vitesh dhe mqs kam ndryshuar kartën e ID, duhej të rifreskoja të dhënat.

Përpiqem t’i shpjegoj sjellshëm “njeriut makinë” që as nuk më “plas” fare të jem klient i BKT, por kryej atë veprimin për të cilin kam ardhur dhe të zhdukem nga këtu.

Në atë moment “njeriu makinë” sikur hoqi prizën dhe nuk mori më asnjë komandë.

Ika!

Sot, shkoj te filiali i “Shkollës së Baletit”.

Radha radhë!

Pres dhe unë radhën që siç më tha “njeriu makinë” të rifreskoja të dhënat njëherë pastaj të merrja shërbimin, për të cilin kisha shkuar.

Epo shyqyr me erdhi radha dhe mua.

Sa bëhem gati, vjen e-maili: Bllokoni veprimet në filial pasi kemi për të bërë update sistemin!

Na kapi “çarku” mua dhe dy veta të tjerë aty, me të njëjtin hall: Rifreskimi i të dhënave!

Ndërkohë që përpiqësha t’i shpjegoja një zonje aty që është filiali i tretë që shëtis në dy ditë, u stakua gjithçka përreth. Dikujt aty që e thërrisnin Drejtoreshë, nuk i bëri përshtypje fare se çfarë po ndodhte nga ana tjetër e xhamit, por vijoi e qetë bisedën me të pranishmin në zyrë.

Ika dhe sot pasi më thanë që hajde të hënën.

Ore paskemi qenë mirë kur ishim keq, mendova.

Tani, pse besoj unë që sistemi bankar shqiptar po degradon në mënyrë të rrezikshme.

1-Paraja e lehtë;
2-Punonjës të pakualifikuar
3-Largimi i brandeve

Këto janë vitet e arta të bankave sa i përket fitimeve. Qarkullimi i madh i parasë në treg, në “të bardhë” apo të “zezë” ka bërë që të rriten ndjeshëm të ardhurat e bankave si nga kreditë, nga shërbimi i borxhit, nga investimet e tyre, por pse jo, edhe nga komisionet e shërbimeve.

Fitimet e lehta duket po bëjnë që bankat të mos e shohin suksesin të produktet që ofrojnë dhe shërbimi ndaj individëve e bizneseve, por nga faktorë te tjerë, pse jo edhe jashtë kanaleve bankare. Këtu nis dhe rreziku.

Kjo ka sjellë një ulje të vigjilencës, në rastin më të mire duke u pasqyruar në situata absurde si ajo më sipër.

Sa i përket punonjësve të pakualifikuar, ky është fakt i pamohueshëm. Largimi masiv i të rinjve nga vendi si edhe pagat ende mizerabël që ofrohen për punonjësit e sporteleve në banka bëjnë që aty të rekrutohen edhe individë me mungesa të theksuara të aftësive profesionale.

Pse besoj që ky është degradim i rrezikshëm?

Sepse filialet dhe punonjësit janë ato që pasqyrojnë mendësinë e kompanisë sipër. Nëse kompania nuk e vret mendjen për shërbimin ndaj klientëve kur përballet me klientin, imagjino se sa seriozisht mund t’i qaset situatave atje ku s’ka sy. Sulmet kibernetike të para ca viteve e konfirmuan këtë.

3-Nga Shqipëria janë larguar disa banka nga vende të BE-së, gjë e cila sigurisht që ka ulur standardin e sistemit bankar në vend.

Tani, Banka e Shqipërisë duhet të verë dorë në këtë histori sepse duket se situata po përkeqësohet nga viti në vit. Kujtoj këtu edhe radhët e famshme në sportelet e Intesa San Paolo Bank.

E keni vënë re që përgjithësisht, për shumë shërbime, më shpejt mbaron punë te zyrat e shtetit se te ato të privatit?

Makina e bërë copash/ Pamje të reja nga aksidenti tragjik në Shkodër. Si është gjendja e nënës dhe 2 fëmijëve të mitur

Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik i shënuar pasditen e kësaj të premteje në Shkodër, ku humbi jetën një 37-vjeçar.

Viktima u identifikua si Gjin Bzhangaj, i cili po udhëtonte në një makinë me familjen e tij, kur u përplas nga një kamion që humbi drejtimin.

Përplasja rezultoi fatale për të, ndërsa makina u shkatërrua plotësisht.

Në mjet me të ishin edhe gruaja së bashku me dy fëmijët e mitur, të cilët u dërguan në spital të plagosur.

Burime nga spitali bëjnë me dije për Zoom.al se ata janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po mbahen nën mbikëqyrjen e mjekëve./ Zoom.al

Pas Putinit, Trump telefonon edhe Zelenskyn

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë telefonike ditën e sotme me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një moment kritik për situatën e sigurisë në Ukrainë.

Lajmi është konfirmuar nga zyra presidenciale ukrainase, ku shefi i saj, Andriy Yermak, e cilësoi bisedën si “shumë të rëndësishme dhe domethënëse”. Sipas tij, detajet e plota të diskutimit pritet të bëhen publike në një moment të mëvonshëm.

Biseda mes dy liderëve zgjati rreth 40 minuta, dhe në qendër të saj ishte përshkallëzimi i sulmeve ruse ndaj Ukrainës dhe nevoja për forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit.

Kjo bisedë vjen në një periudhë kur Ukraina po përballet me një valë të re sulmesh intensive nga forcat ruse, veçanërisht ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike.

Një ditë më parë Trump bisedoi në telefon edhe me Putin, për të folur midis të tjerash edhe për situatën në Ukrainë./ Zoom.al

Universitetet shqiptare në kërkim të riorganizimit: Sfida dhe Mundësi

Sistemi universitar shqiptar gjendet sot përballë një periudhe reflektimi të thelluar. Vitet e fundit kanë sjellë ndryshime të shumta, si në përmbajtje ashtu edhe në funksionim. Nga një sistem që për dekada kishte një rol të qartë formues dhe zhvillues, universitetet sot ndihen të vendosura përballë nevojës për të rishikuar qasjet, programet dhe misionin e tyre në një realitet që ndryshon me shpejtësi.

Shkolla, si bazë e çdo formimi, ka kaluar nëpër sfida të shumta. Mungesa e lidhjes së drejtpërdrejtë me tregun e punës dhe me nevojat reale të shoqërisë ka bërë që një pjesë e arsimit të perceptohet më shumë si një detyrim sesa si një mundësi për rritje personale dhe profesionale. Kjo situatë është reflektuar edhe në arsimin e lartë, ku në disa raste ka pasur zgjerim të strukturave pa analizë të plotë mbi nevojat reale të vendit.

Në këtë kontekst, programet master dhe doktorature janë vënë përballë pyetjeve për rolin dhe efektivitetin e tyre. Ka ende shumë hapësirë për përmirësim, sidomos në lidhje me cilësinë, qartësinë e objektivave akademike dhe vlerën reale të diplomave. Megjithatë, këto janë procese që mund të rishikohen dhe përmirësohen me angazhim dhe vizion.

Pavarësisht sfidave, ekziston një terren i frytshëm për ndryshim pozitiv. Teknologjia po luan një rol të rëndësishëm si mjet për të hapur horizonte të reja në arsimin shqiptar. Zhvillimet si inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi ofrojnë mjete konkrete për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, aksesin në dije dhe efikasitetin e kërkimit shkencor.

Figura të suksesshme si Mira Murati, me rrënjë shqiptare dhe kontribut në teknologjitë më të avancuara globale, janë frymëzim për të gjithë të rinjtë dhe dëshmi se investimi në dije ka efekt të qëndrueshëm. Iniciativa që mbështesin inovacionin dhe krijojnë ura me qendrat ndërkombëtare të zhvillimit janë hapa të rëndësishëm përpara.

Brezi i ri, megjithëse përballet me sfida të shumta, ka potencial të madh dhe mjetet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ajo që nevojitet është krijimi i një mjedisi ku arsimi vlerësohet si investimi më i rëndësishëm i një shoqërie dhe ku universitetet frymëzojnë, zhvillojnë dhe lidhen natyrshëm me nevojat e kohës.

Në këtë rrugëtim, më shumë sesa përmbyllje epokash, kemi të bëjmë me një periudhë tranzicioni që kërkon kujdes, reflektim dhe bashkëpunim për të ndërtuar një sistem arsimor më të fortë dhe më të qëndrueshëm për brezat që vijnë. / Zoom.al