zoom

Day Archive3 shenjat më me fat të ditës së nesërme

Shigjetari

Jeni ndër më të favorizuarit. Hëna në Luan ushqen shpirtin tuaj aventurier dhe ju jep një rreze të fortë optimizmi. Do ndiheni energjikë, të qeshur dhe të hapur për të nisur gjëra të reja. Kjo është dita ideale për të prezantuar një ide, për të udhëtuar, për të ndarë një pasion, apo për të bërë një hap të guximshëm në dashuri. Keni diçka për të dhënë dhe bota është gati ta dëgjojë. Vetëm kujdes të mos lini pas dore detajet praktike në përpjekjen për të parë përtej horizontit.

Luani

Hëna në shenjën tuaj ju vendos nën dritën e projektorëve. Do të shkëlqeni natyrshëm: të tjerët ju ndiejnë, ju shohin, ju dëgjojnë. Jeni në qendër të vëmendjes dhe e ndjeni këtë. Mund të arrini suksese të vogla, por domethënëse në sferën sociale dhe profesionale. Në dashuri, jeni tërheqës dhe të gjallë, por kujdes të mos bëheni shumë dominues. Fjalët dhe gjestet tuaja kanë ndikim të madh – përdorini për të ndërtuar, jo për të kontrolluar.

Binjakët

Komunikimi është arma juaj kryesore. Mendja ju punon shpejt, jeni të qartë në të shprehur dhe jeni në gjendje të krijoni lidhje të rëndësishme. Një ditë shumë e mirë për takime pune, intervista, prezantime apo edhe biseda personale që kërkojnë sqarim. Në dashuri, një mesazh i thjeshtë mund të ndezë një shkëndijë. Vetëm një kujdes: mos shpërqendroheni nga gjithçka që ndodh rreth jush. Fokusohuni aty ku ndiheni më të nevojshëm.

Rama vijon përplasjen me politikanin britanik: I dashur Nigel, ju humbët!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të politikanit britanik Nigel Farage, i cili në një koment të fundit aludonte për përqindje të lartë të shqiptarëve në burgjet britanike. Në një postim të gjatë në platformën “X”, Rama ironizon shifrat e Farage dhe e sfidon atë të vizitojë Shqipërinë për të parë realitetin.

Kryeministri shprehet se statistika e përmendur nga Farage, se “1 në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”, është e rreme dhe e sajuar për qëllime politike.

Ai citon vetë burimin që ka përdorur Farage, gazetën “The Telegraph”, e cila më pas ka pranuar se analiza ishte e paplotë dhe popullsia shqiptare është nënvlerësuar.

Postimi i Ramës është shoqëruar me një foto të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku ai dhe Farage duken së bashku në një plazh shqiptar, në një përpjekje për të ironizuar dhe njëkohësisht për t’i ofruar mikpritje.

Në reagimin e tij, Rama shkruan:

“Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë.”

Postimi i Ramës në X:

I nderuar z. Nigel Farage,

Gjyshja ime katolike, Zoti e mëshiroftë, më kujtonte shpesh një proverbë latine: “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum.” Që e përkthyer do të ishte: Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Ndaj, në vend që të shqetësoni Sekretaren e Brendshme, e cila ka më se mjaftueshëm përgjegjësi, ndoshta do të ishte më e udhës të më njoftoni mua se kur mund t’ju pres në Tiranë si i ftuar nderi. Sepse, i dashur Nigel duket se numrat nuk janë pika juaj e fortë ndaj le t’i bëjmë gjërat të qarta: JU HUMBËT.

“Censusi” juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – disa herë më i madh. Por të qëndrojmë tek burimi juaj: The Telegraph, i cili i pari shpalli teorinë e “një në 50” dhe më pas pranoi vetë:

“Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare, pasi nuk përfshin migrantët e paligjshëm, përfshirë mbi 12,000 që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – çka do të thotë se më pak se një në 100 ndodhen në burg.”

Sa për shifrën e të burgosurve, një pyetje më e vlefshme do të ishte: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin tuaj të tejkaluar të vizave dhe emigracionit?

Po, shifrat ndonjëherë mund të duken të mërzitshme – por janë gjithashtu kokëforta. Dhe kur dikush i shtrembëron vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, për të qenë i sinqertë, të sillesh me djallëzi është diçka që bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës.

Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.

Ne kemi bashkëpunuar me përkushtim me qeverinë britanike për të ulur ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin. Këtë e dëshmojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt, kjo quhet delir post-Brexit.

Pres me kënaqësi të ju mirëpres në Shqipëri, siç është premtuar, për të ndarë së bashku diell të bollshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta.

Risia e WhatsApp për përdoruesit

WhatsApp ka lançuar zyrtarisht një veçori të re të quajtur “Message Summaries”, e cila u mundëson përdoruesve të marrin përmbledhje të shpejta dhe të personalizuara të mesazheve të palexuara në bisedat e tyre.

Funksioni është tani i disponueshëm për të gjithë përdoruesit globalisht.

Kjo veçori mbështetet nga Meta AI dhe ka si synim t’u kursejë kohë përdoruesve, sidomos kur kthehen pas një kohe të gjatë në aplikacion dhe kanë shumë mesazhe për të lexuar. Përmbledhjet janë plotësisht private, as Meta, as WhatsApp nuk kanë qasje në to.

Funksioni është opsional dhe i çaktivizuar në mënyrë të parazgjedhur, që do të thotë se përdoruesit duhet ta aktivizojnë vetë nëse dëshirojnë ta përdorin.

Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të WhatsApp për të integruar inteligjencën artificiale në përvojën e përditshme të komunikimit, duke ruajtur ndërkohë standardet e larta të privatësisë që aplikacioni premton./ Zoom.al

Europa Lindore planifikon brez minash kundër Putinit

Disa vende lindore në Europë po planifikojnë një brez minash përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë. Qëllimi është mbrojtja e krahut lindor të NATO-s nga një sulm i mundshëm rus.

Që nga fillimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, vështirë se ka pasur një pyetje më urgjente për NATO-n sesa ajo se si ta mbrojë më mirë krahun e saj lindor. Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia janë pesë nga gjashtë shtetet e NATO-s që ndajnë një kufi me Rusinë dhe/ose Bjellorusinë. Që nga viti 2022, këto shtete kanë investuar shumë në sigurimin më të mirë të këtyre kufijve – për shembull, përmes gardheve me gjemba dhe sistemeve të mbikëqyrjes. Tani po shtohet një plan i ri: minat tokësore.

Tërheqja nga Konventa e Otavës

Në muajt e fundit, pesë vende të NATO-s kanë njoftuar gradualisht tërheqjen e tyre nga e ashtuquajtura Konventë e Otavës. Ky traktat, i përfunduar në vitin 1997 dhe që hyri në fuqi dy vjet më vonë, i ndalon minat tokësore në të gjithë botën dhe ndalon përdorimin, prodhimin dhe transferimin e tyre. Këto mina janë shumë të diskutueshme, ndër të tjera, sepse ato mund të godasin pa dallim si ushtarët ashtu edhe civilët. Për më tepër, minat e mbetura janë kërcënim afatgjatë edhe pas përfundimit të një konflikti. Vetëm në vitin 2023, pothuajse 6,000 njerëz në të gjithë botën u vranë ose u plagosën nga minat tokësore – 80 përqind e viktimave ishin civilë, përfshirë shumë fëmijë. Heqja e minave është e rrezikshme, e kushtuesheme dhe kërkon jashtëzakonisht shumë kohë.

Tërheqja e pesë shteteve të NATO-s pritet të bëhet zyrtare, vetëm Norvegjia, e cila gjithashtu ndan një kufi gati 200 kilometra të gjatë me Rusinë, synon të qëndrojë në marrëveshje. Duke filluar nga fundi i vitit, pesë vendet e NATO-s që janë tërhequr mund të rifillojnë prodhimin dhe ruajtjen e minave tokësore pranë kufijve të tyre,të cilat më pas mund të vendosen shpejt dhe në një shkallë masive në rast emergjence.

Në total, 164 shtete në mbarë botën e kanë nënshkruar Konventën e Otavës, por 33 nuk janë pjesë e saj. Këto përfshijnë fuqitë e mëdha, Shtetet e Bashkuara, Kinën, si edhe Rusinë. Kremlini ka deri tani rezervën më të madhe të minave tokësore në botë – Rusia vlerësohet të zotërojë 26 milionë copë. Shumë prej tyre janë tashmë në përdorim në Ukrainë.

Miliona mina në pyje?

Sipas organizatës joqeveritare “Handicap International”, 58 vende dhe mjaft zona të tjera janë ende të kontaminuara me mina tokësore – edhe nëse konfliktet datojnë dekada më parë.

E megjithatë, në rastin më të keq, mund të shtohen zona të tjera të mëdha vetëm brenda pak vitesh. Kufiri midis pesë shteteve të NATO-s dhe Rusisë e Bjellorusisë është afërsisht 3,500 kilometra i gjatë – nga Laplanda finlandeze në veri deri në provincën polake të Lublinit në jug. Pjesa më e madhe e këtij territori është e populluar pak dhe mjaft e pyllëzuar duke e bërë të vështirë mbikëqyrjen e vazhdueshme të brezit kufitar.

Por shqetësimet për një sulm të mundshëm rus ndaj territorit të NATO-s janë të mëdha. Aq të mëdha saqë këto vende tani mund të përdorin armë që bota donte t’i ndalonte dhe t’i shfuqizonte. Sipas një raporti të gazetës britanike Telegraph, ekspertët e NATO-s tashmë po analizojnë se cilat zona mund të merren në konsideratë për miniera të mundshme. Qëllimi i vendeve të NATO-s është parandalimi maksimal: Së bashku me masat e tjera të sigurisë kufitare, ky brez minash ka për qëllim t’i shkaktojë humbje kaq të rënda armikut që po përparon në rast të një sulmi rus, saqë Moska të përmbahet nga një luftë e zgjatur.

Perde e re e Hekurt

Për të mbrojtur vërtet në mënyrë efektive këtë brez të gjatë kufitar, me gjasa do të jenë të nevojshme miliona mina dhe kurthe shpërthyese. Kjo masë do të bënte zona të pabanueshme për dekada të tëra dhe dëmi për njerëzit dhe mjedisin do të ishte vështirë i parashikueshëm.

David Blair, korrespondent i huaj për The Telegraph e ka cilësuar këtë një “Perde të Hekurt” të re, shpërthyese – duke aluduar për kufirin mjaft të midis NATO-s dhe shteteve të Paktit të Varshavës gjatë Luftës së Ftohtë. Paralelisht me vendosjen e mundshme të minave, shtetet e NATO-s në Evropën Lindore kanë ndërmarrë shumë masa të tjera. Gardhe dhe mure kufitare janë ndërtuar ose përforcuar tashmë, janë instaluar sisteme moderne mbikëqyrjeje dhe paralajmërimi të hershëm, dhe kontingjentet e trupave ushtarake janë rritur.

Disa nga vendet fqinje planifikojnë gjithashtu të vendosin sisteme mbrojtëse me dronë përgjatë kufirit, të thellojnë sistemet e ujitjes në mënyrë që ato të mund të përdoren si llogore në rast emergjence, ose të mbjellin pemë përgjatë rrugëve të rëndësishme për të siguruar mbrojtje vizuale për civilët dhe ushtarët.

E nevojshme apo e papërgjegjshme?

Një nga shtetet më të cënuara përgjatë kufirit lindor të NATO-s është Lituania. Shqetësimet nga një sulm i mundshëm rus janë veçanërisht të larta. Vetëm Lituania, pra, planifikon të investojë rreth 800 milionë euro në prodhimin e minave të reja në vitet e ardhshme. Ministrja e Mbrojtjes e Lituanisë, Dowile Sakalienë i mbrojti planet për minat, duke folur për një “kërcënim ekzistencial” për vendin e tij. Për më tepër, kur Rusia ka prodhuar gjithnjë e më shumë mina tokësore kohët e fundit, ndërsa Evropa ka shkatërruar rezervat e veta sipas kushteve të Konventës së Otavës.

Eva Maria Fischer, Drejtoreshë e Avokimit në Handicap International Germany, i tha DW se ky është një zhvillim i rrezikshëm dhe shqetësues. “Sigurisht, shqetësimet për sigurinë e shteteve të Evropës Lindore mund të justifikohen në kontekstin aktual të paqëndrueshëm ndërkombëtar”, tha Fischer në mars, kur i pari nga pesë shtetet e NATO-s njoftoi planet e tyre të tërheqjes. “Megjithatë, siguria e afatgjatë nuk mund të ndërtohet mbi armë që vrasin pa dallim, e mbeten në tokë shumë kohë pasi konflikti të ketë mbaruar, vazhdojnë të gjymtojnë civilët dhe shkatërrojnë natyrën.”

“Ekzistojnë alternativa për mbrojtjen e një vendi”, tha Fischer. “Këto mund të duken më të shtrenjta, por nuk janë kur merr parasysh kostot e mëdha pasuese të përdorimit të minave tokësore.”/DW

EMRI+FOTO/ Kush është pushuesi që humbi jetën sot në Durrës

Identifikohet pushuesi që humbi jetën këtë të diel në Durrës, në plazhin në Sektorin Rinia.

Burime konfirmojnë se Tomorr Muça, 68 vjeç, ndërroi jetë pasi pësoi atak kardiak.

Sipas informacioneve paraprake, Muça ishte shtrirë në shezlong kur shfaqi probleme me zemrën.

Ndihma e parë për të u dha nga pushuesit e tjerë, ndërsa ekipi mjekësor i specializuar u vonua disa minuta për të mbërritur në vendngjarje./ Zoom.al

Tiranë/ Zhduken pa gjurmë një djalë dhe një vajzë, familjarët japin alarmin

Një djalë dhe një vajzë në Tiranë janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Pranë policisë kanë mbërritur dy denoncime për largim nga banesa nga familjarë të shqetësuar.

Në njërin rast, nëna e një 32-vjeçari ka kallëzuar se nuk ka marrë asnjë lajm nga djali i saj që prej datës 26 qershor. 32-vjeçari është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

Ndërsa në rastin e dytë, babai i një 19-vjeçareje la denoncuar zhdukjen e kësaj të fundit.

Në të dy rastet, autoritetet janë vënë në lëvizje dhe po punohet për lokalizimin dhe gjetjen e tyre./ Zoom.al

Nga spital për fëmijë, në burg për politikanët

Nëse do të kremtohej ditëlindja e një burgu, Instituti i Ekzekutimit  të Veprave Penale (IEVP) në Durrës do të kishte arritur në ditëlindjen e 20-të.

Ai ka nisur të funksionojë në vitin 2005, dhe aty janë të arrestuar me masë sigurie politikanë si kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ai i Mjedisit, Lefter Koka.

Në fakt, godinat e tij janë gati 10 vjet më të hershme, dhe mbi të gjitha i përkasin një destinacioni krejtësisht tjetër, atyre të një spitali të ndërtuar në ish-kënetë.

Por që prej dy dekadash, ato i janë kaluar ministrisë së Drejtësisë, që i shfrytëzon si struktura të një burgu.

Ndërtesat e mesit të viteve 1990 u ngritën si Qendra e Diagnostikimit Pediatrik në qytetin bregdetar, një shërbim krejtësisht i ri dhe i unifikuar në hapësirën që po e shtonte popullsinë.

Gjithçka u arrit pas këmbënguljes së “Lions Club” (Distrikti 108) në Itali, të cilët menjëherë pas ndryshimeve demokratike në vend ishin njohur nga afër dhe kishin ndihmuar sistemin shëndetësor shqiptar.

Klubi ndërkombëtar i shërbimeve kishte një veprimtari 100-vjeçare dhe shumë shpejt në projektin e Durrësit u përfshinë të gjitha klubet “Lions” të vendit fqinj.

Marrëveshja e vitit 1995 mes Bashkisë së Durrësit, “Lions Club” Italian dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ishte pasojë e njohjes mjaft të  mirë që krijuan mjekët dhe infermieret e vendit fqinj për gjendjen e vështirë të reparteve mjekësore në spitalin e qytetit.

Punimet filluan në ish-kënetën e boshatisur, pikërisht në janar të vitit 1996, ndërsa paralelisht me të ngriheshin edhe banesat e familjeve të para të ardhura nga krahina të ndryshme të vendit.

Banorët kujtojnë se e kanë ruajtur strukturën me armë, gjatë muajve problematikë të vitit 1997.

Menjëherë pas përurimit, godinat u pagëzuan me shërbimet e para intensive për pacientët e parë nga kriza e Kosovës.

Mjekë shqiptarë dhe italianë u bënë bashkë në spitalin e ri për ndërhyrje të çdo lloji, madje edhe për ato obstetrike e gjinekologjike.

“Spitali u zgjerua me me personelin dhe pajisjet që mbërritën nga Italia,” kujton dr. Carlo d’Angelo, një nga mjekët që u kujdesën për zbatimin e projektit.

Sipas tij, një pjesë e spitalit do të shfrytëzohej si një repart i pacientëve me problem mendore.

Ndërkaq filluan trajnimet për personelin shëndetësor shqiptar.

NATO e shfrytëzoi për disa vite strukturën spitalore, në mbështetje të pacientëve ushtarakë nga zonat problematike.

“Ndërkohë mundësitë financiare të “Lions Club” nga Italia, për ta çuar para aktivitetin e spitalit, filluan të tkurren,” tregon dr Carlo d’Angelo.

Në vitin 2003, një ceremoni kuptimplote e zhvilluar në Durrës ia kaloi shtetit shqiptar strukturën shëndetësore të ngritur nga “Lions” Club Italia.

Dy vjet më vonë, në një periudhë parazgjedhore, godina e ndërtuar për qëllime shëndetësore e ndryshoi destinacionin e saj fillestar.

Struktura, që lindi si Qendër e Diagnostikimit Pediatrik, që nga ajo periudhë shfrytëzohet si Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale./ Reporter.al

EMRI/ Shqiptari bie nga lartësia në Itali dhe humb jetën në vend

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në veri të Italisë, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën tragjikisht gjatë një ecjeje në mal.

Viktima është identifikuar si Gëzim Iljazi, 59 vjeç, banues në provincën e Rovigos.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Iljazi po ngjiste i vetëm një shteg pranë ujëvarave të Stulles, në provincën e Bolzanos, kur humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej rreth 100 metrash.

Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se fillimisht panë të binte çanta e tij, e më pas vetë personi.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, një helikopter dhe ekipet e shpëtimit malor, por për 59-vjeçarin nuk mund të bëhej më asgjë, pasi ai kishte ndërruar jetë në vend./ Zoom.al

VIDEO/ Zjarr i madh në tregun e Durrësit

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e sotme tregun ambulant në zonën e plazhit në Durrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas raportimeve paraprake, zjarri ka shpërthyer në një nga strukturat e tregut të ndërtuar me llamarina, ku operojnë mbi 20 dyqane sezonale që funksionojnë gjatë verës.

Forcat zjarrfikëse të qytetit kanë ndërhyrë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve, të cilat për shkak të materialeve të lehta dhe temperaturave të larta, janë përhapur me shpejtësi.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të vlerësuar dëmet.

Ngjarja ka shkaktuar panik mes qytetarëve dhe pushuesve që ndodheshin pranë zonës turistike në momentin e incidentit./ Zoom.al

Kontroll “blic” në burgun e Drenovës, çfarë u gjet në qelinë e Laert Haxhisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi një kontroll të befasishëm në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës, në kuadër të luftës kundër sendeve të paligjshme dhe për kufizimin e veprimtarisë së grupeve kriminale edhe pas hekurave.

Gjatë këtij kontrolli, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të burgjeve konstatoi praninë e një aparati celular në qelinë e Laert Haxhiut – i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjes në vitin 2017, ku humbën jetën dy persona. Objektiv i atentatit atëherë ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili i shpëtoi plumbave pasi ishte larguar pak minuta më parë nga vendngjarja.

Ndërkohë, Haxhiu është aktualisht nën hetim edhe për një tjetër çështje të rëndë penale në Gjykatën e Posaçme, ku po gjykohet për disa episode kriminale, përfshirë vrasje dhe grabitje, në një proces që mbështetet edhe mbi dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.

Ky rast ngre sërish pikëpyetje mbi kontrollin dhe sigurinë brenda ambienteve të burgjeve, si dhe aksesin e të dënuarve të rrezikshëm në mjete komunikimi të ndaluara./ Zoom.al