zoom

Day ArchiveTheo Hernandez drejt Al Hilal, pagë prej 20 milionë euro në sezon

Theo Hernandez ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar te klubi saudit Al Hilal, me një pagë vjetore prej 20 milionë eurosh, ndërsa marrëveshja pritet të zyrtarizohet së shpejti.

Mbrojtësi francez do të jetë një nga përforcimet e para të trajnerit të ri të Al Hilal, Simone Inzaghi, në aventurën e tij në Arabinë Saudite.

Klubi i Milanit ka pranuar ofertën prej 30 milionë eurosh, ndërsa lojtari ka refuzuar një rikthim në La Liga, për të nisur një kapitull të ri në Lindjen e Mesme.

Kuqezinjtë kanë tashmë në shënjestër Oleksandr Zinchenko si pasues të tij në krahun e majtë të mbrojtjes.

Rreziku nga pickimet/ Eksploruesi tregon ku rrinë gjarpërinjtë, çfarë duhet të keni parasysh

Eksploruesi Anri Pashaj ka treguar se gjarpërinjtë rrinë nëpër mure me gurë, rrënoja dhe ndërtesa të vjetëra.

Pashaj deklaroi se njohja me habitatin dhe mënyra se si i shmangesh gjarpërinjve është shumë më e rëndësishme sesa mbështetja te barnat e zakonshme që mund të merret me vete në pushime apo ekskursione.

“Njerëzit nuk duhet të bazohen vetëm te ilaçet që kanë marrë me vete, por duhet të bëjnë sytë katër. Këta gjarpërinj kanë habitatin e tyre të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Hundrakos ose hundza haset deri në gati 1950 metra mbi nivelin e detit,  që është shumë lart. Nuk duhet të mbështetesh shumë te ilaçet që merr me vete, por te identifikimi i asaj që ke përpara dhe si t’i shmangesh. Nepërka hundrako, që ka ngjyrë me rombe bezhë dhe bojë kafe, ngjyrë tullë, është një nga ata gjarpërinj që rri “serbes”.

Nëse gjarpërinjtë e tjerë ndjejnë tronditje dhe largohen, ky rri aty. Mund t’i largohesh ti, se ai nuk lëviz nga vendi. Kur shkojmë në natyrë, ku nuk ka shumë ndërhyrje urbane, duhet të kemi parasysh se këta e kanë habitatin e tyre te gurët. Nëse shihni ndërtesa të vjetra, mure me gurë, rrënoja, ka shumë gjasa që të jetë aty. Kjo është mënyra se si ata gjuajnë, si gjejnë folezën e tyre , aty rrinë, domethënë, nëpër rrënoja e mure të vjetra”, ka thënë Pashaj në emisionin Quo Vadis.

Ndahet nga jeta ikona e komedisë italiane

Aktori i njohur italian, Alvaro Vitali, i cili ishte edhe një ikonë e komedisë erotike për rolin e Pierinos, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare në Romë, pas një bronkopneumonie të përsëritur.

Gjatë karrierës së tij ai luajti në mbi 80 filma, përfshirë edhe bashkëpunime me regjisorin Federico Fellini.

Ai lindi më 3 shkurt 1950 dhe ishte shtruar në spital dy javë më parë për shkak të një bronkopneumonie të përsëritur, siç kishte bërë me dije ish-bashkëshortja e tij, Stefania Corona, në një intervistë të dhënë disa ditë më parë, raportohet në media.

Shumica dërrmuese e filmave në të cilët ai mori pjesë lidhen me personazhin e Pierinos ose me komedi ku luante përkrah ikonave të komedisë erotike si Edwige Fenech, Nadia Cassini dhe Carmen Russo.

Megjithëse zakonisht në role dytësore, ai ka luajtur edhe në disa filma të regjisorit të madh Federico Fellini, përfshirë Satyricon, I clowns dhe Amarcord (ku shfaqet si një nga shokët e shkollës së protagonistit Titta).

Lajm i fundit/ Tërmeti lëkund sërish vendin

Një tërmet ka lëkundur vendin vetëm pak minuta më parë.

Sipas raportimeve paraprake, magnituda ka qenë 3.4 ndërkohë që thellësia e epiqendrës është 10 km.

Pas armëpushimit/ Netanjahu falenderon Trump: Fitore historike!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka përshkruar armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit si një “fitore historike”.

Ai tha se “fitorja do të mbahet mend për breza. Ne eliminuam dy kërcënime të menjëhershme ekzistenciale – një kërcënim bërthamor dhe një kërcënim me raketa balistike. Nëse nuk do të kishim vepruar, së shpejti do të përballeshim me rrezikun e asgjësimit”.

Netanyahu thotë se IDF “eliminoi komandën e lartë të Iranit”, përfshirë tre shefa të shtabeve, shkencëtarë bërthamorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Fushata e Izraelit shkatërroi gjithashtu objekte bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Arak, thotë kryeministri.

Ai gjithashtu ka përshëndetur përfshirjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump në fushatë.

“Miku ynë, Presidenti Trump, na ka qëndruar pranë në një mënyrë të paprecedentë – nën drejtimin e tij, ushtria amerikane shkatërroi vendin e pasurimit të uraniumit në thellësi të tokës në Fordo”, thotë Netanyahu.

Detaje nga vrasja e Ermir Dedjas/ Rumunja solli makinën në Shqipëri, ja porositësi

Makinat që u sollën në Durrës nga shtetësja rumune dhe shtetasi maroken, njëra prej të cilave u përdor vetëm 3 muaj më pas në vrasjen e Ermir Dedjas, u pritën nga Erjon Ndoni, banues në Durrës.

Në emisionin “Në Shënjestër” u publikua dëshmia e tij dhënë grupit hetimor ku ka konfirmuar se porosia për dy automjetet u bë nga vëllai i tij Ervin Ndoni që ndodhej në Itali.

Erjon Ndoni tregoi se ishte ai pikërisht që kishte pritur makinat në Durrës, pas bisedës që kishte bërë me vëllain e tij Ervinin, që në këtë kohë ndodhej në Itali si edhe me një shtetas italian, të identifikuar prej tij si Pino që ka qenë edhe poseduesi i 2 makinave Seat, njëra prej tyre u përdor më pas në krim.

“Erjon Ndoni tha në dëshminë e tij se shtetasi italian Pino, i kishte treguar se kishte për të shitur dy automjete të tipit Seat Cupra, në shumën 24 mijë euro. Shumë nga e cila 10 mijë euro do ti paguante në fillim dhe pjesën tjetër, pasi të bëhej çregjistrimi i automjeteve”, thuhet në dosjen hetimore.

Më tej Erjoni Ndoni tregoi për grupin hetues se kishte qenë pikërisht ai vetë që i kishte pritur dy shtetasit e huaj, përkatësisht atë rumune dhe atë maroken, që kishin zbritur më datë 8 Shkurt bashkë me dy automjetet tip Seat.

Ku ai tha se u kishte gjetur edhe hotel për një natë, pasi të nesërmen i kishte përcjellë për në Rinas, ku ata kishin fluturuar drejt Ankonës. Ndërkohë që dy të huajt bashkë me automjetet i kishin dorëzuar edhe dokumentet shoqëruese të dy makinave tip Seat.

Pasi u sistemuan në Shqipëri, këtu duket se automjetet ndryshojnë sërish pronar. Erjon Ndoni thotë se arriti të gjejë shpejt një klient për makinat që kishte sjellë nga Itali.

Ky pronar i ri i mjeteve sipas tij do të ishte Klodian Berisha. Që në fakt del se ka një rol të papërcaktuar në këtë histori, sa kohë që ai automjetet i ka marrë pa dokumenta. Duke qenë se këto dokumenta nuk erdhën nga Italia, dhe makinat mbetën të pa çregjistruara.

“Gjatë marrjes në pyetje, Erjon Ndoni tha se makinat ia dha për shitje shtetasit Klodjan Berisha, i cili nga ana e tij thotë se i parkoi tek vendi i quajtur Karburant K. në NISH Tulla Durrës. Por duke qenë se dokumentat nuk po vinin nga Italia, Erioni thotë se i tha Klodianit që dy automjetet t’i shesë për pjesë.

Vetë Erioni thotë se vetëm disa ditë më pas Klodiani e kishte njoftuar se makinat ishin shitur për pjesë, për një shumë prej 5 mijë euro secila.

Madje Klodiani ishte treguar korrekt duke i dhënë edhe paratë e shitjes së automjeteve. Vetë Klodiani në polici, tregoi edhe për personat të cilëve u kishte shitur automjeteve. Njëri prej të cilëve u arrit të gjendej nga oficerët e policisë gjyqësore. Ndërsa automjeti tjetër, me shumë gjasa është ai që u përdor në krimin e vrasjes së 29 vjeçarit Ermir Dedja.

“Klodian Berisha përpara grupit hetues se një nga makinat ai ia kishte shitur shtetasit D. Sh. Automjet që është gjetur nga ana e Policisë Gjyqësore. D. Sh tha se mjetin tip Seat e ka blerë pa dokumenta noterialë shitblerje, pasi e kishte parë të parkuar në Shkozet me dokumente dhe targa italiane.

Klodiani i kishte thënë se priste dokumentet e çrregjistrimit nga shteti italian. Ndërsa Klodiani thotë se mjetin tjetër e ka shitur me ndërhyrjen e shtetasit Xh. D në shumën 6 500 euro tek disa persona të panjohur prej tij diku në Tiranë”, thuhet në dosjen hetimore.

Por kush janë këta persona të cilëve Xh. D u kishte shitur makinën në Tiranë, askush nuk di ta thotë sot. Kjo pasi Xh. D nuk është marrë ende në pyetje. Pasi në fundin e muajit prill, ai rezulton se është larguar nga Shqipëria.

Pra disa javë para se të kryhej ekzekutimi i Ermir Dedjas në Durrës, më 20 Maj 2025. Policia Gjyqësore nuk ka bërë të mundur dot të marrë në pyetje shtetasin Xh. D.

Kjo pasi më datë 30 Prill 2025, ai është larguar nëpërmjet Portit të Durrësit dhe nuk ka hyrje në Shqipëri. Por ndërsa grupi hetues nuk arriti të gjejë dot Xh. D për të mësuar se cili ishte destinacioni përfundimtar i mjetit Seat që u përdor në vrasjen e Ermir Dedjas.

Të vetmit të shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje, janë Erjon Ndoni, si pritës i makinës në Durrës dhe Klodian Berisha, si personi i fundit që pa makinën para se ajo të shfaqej në një skenë krimi.

Por edhe këta të akuzuar për kontrabandë të mallrave dhe jo si pjesëmarrës apo bashkëpunëtor në krim. Ndërkohë që ndalimi i tyre është kryer vetëm mbi zbatimin dhe plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore të ‘Ndalimit të të dyshuarit për një krim’.

Grupi hetues i referohet edhe dosjes penale te Erjon Ndonit, si person i dënuar më parë. Erion Ndoni rezulton i dënuar, ndërsa përsa i përket shtetasit Klodian Berisha ai dyshohet se ka qenë personi i fundit që ka pasur në përdorim mjetin dhe deklarimet e tij merren me rezerva.

Përsa i përket momentit të shitjes së mjetit me anë të shtetasit Xh. D, krijohet bindja se personat nën hetim mund të largohen në drejtim të paditur duke iu shmangur dhe penguar me dashje të plotë hetimit dhe përfundimit ligjor të këtij proçedimi penal.

Por a janë këta personat e vetëm që mund të kenë dijeni, apo kanë bashkëpunuar qoftë edhe indirekt në ekzekutimin e Ermir Dedjas. Apo ata janë thjesht disa fatkeq që u ndodhën në rrugëtimin e këtij krimi.

Dhe autorët e vërtetë vazhdojnë të lëvizin të pashqetësuar. Një tjetër dosje pa emër që thërret për drejtësi.

Për të ditur kush e vrau Ermir Dedjan, por edhe arsyet përse ai ishte i flijuari i radhës në një rend ngjarjesh kriminale që duket sikur kapërcejnë njëra-tjetrën, por që fijet të çojnë te vetë Durrësi dhe çfarë përfaqëson krimi në këtë qytet. Që pavarësisht goditjeve të vazhdueshme, krimi vazhdon të jetë i fuqishëm në këtë zonë./ Në Shënjestër

Pazari për një zyrë, rasti i Genc Deromemajt dhe blerja e opozitës në Vlorë

Kur Genc Deromemaj, si kryetar i PD-së së Vlorës, deklaronte gjatë një votimi të brendshëm në PD se “ky vendim sot do të thotë e ardhmja, jo thjesht për PD, por kam besimin e plotë që do të jetë e ardhmja për Shqipërinë”, ai nuk e përfytyronte dot se e ardhmja që kishte në mendje do të kulmonte në kolltukun e zyrës së Drejtorit të Kadastrës së Vlorës, me firmën e Edi Ramës.

Pas kësaj deklarate, që u interpretua si një angazhim idealist për të ndryshuar rrjedhën e opozitës dhe për të rikthyer besimin te demokracia e brendshme në PD, Deromemaj është rikthyer në qendër të vëmendjes jo për kauza, por për kompromise.
Ai ishte sot personazhi më i përfolur politik.
Emërimi i tij si drejtues i Kadastrës së Vlorës, ka përmbysur gjithçka që Deromemaj u ka thënë demokratëve ndër vite, kur u kërkoi besimin për kryetar të degës së PD-së së Vlorës, kur u fliste si do të rrëzonin Edi Ramën nga pushtet, kur u kërkonte të ngriheshin në protesta kundër korrupsionit galopant të qeverisë së Edi Ramës.

Sot ai është ulur këmbëkryq në një prej institucioneve më në qendër të akuzave për korrupsion e padrejtësi me pronat. Dhe me këtë detyrë që ka marrë ai ka tradhëtuar çdo demokrat e ka përmbysur çdo ideal e parim.

Në vend të një përballjeje politike me sistemin që pretendonte se donte të ndryshonte, Deromemaj zgjodhi të bëhet pjesë e tij në këmbim të një prej posteve më të lakmuara të administratës. Dhe kuptohet përse është i lakmuar, sigurisht që jo për t’u dhënë zgjidhje problemeve thuajse të pazgjidhshme me pronat në Shqipëri.

Ky nuk është një rast i izoluar. Është simptomë e një sëmundjeje të thellë politike shqiptare, ku pushteti blen çdo opozitar që është gati të shesë parimet në këmbim të një vendi pune apo të favoreve të tjera, si lejet e ndërtimit. Dhe Vlora duket se mban flamurin në këtë drejtim. Ish-kryetari tjetër i PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi, mori leje ndërtimi nga Edi Rama për një kullë në Vlorë, duke hequr dorë nga mbështetja për demokratët në zgjedhje./ Zoom.al

Si do të jetë vera e vitit 2025 për 12 shenjat e horoskopit

Kjo verë do të jetë një përzierje sfidash dhe surprizash – një ftesë për të lëvizur me energji, por edhe për të pasur një mendje të kthjellët.

Nuk duhet të presim pushime të qetë, por një periudhë të mbushur me mundësi për ndryshim, rritje dhe përfshirje të plotë. Do të jetë një verë për t’u jetuar me sy hapur dhe me një zemër të gatshme. Le të zbulojmë se çfarë sjell vërtet kjo stinë për secilën shenjë të Zodiakut.

DASHI
Këtë verë do t’ju duhet të balanconi impulsin tuaj të natyrshëm me durimin. Do të ndiheni të shtyrë të përfshiheni, veçanërisht në aspektin krijues dhe në marrëdhënie, por është e rëndësishme të shmangni nxitimin. Sfidat do t’ju ndihmojnë të gjeni mënyra të reja për të shprehur energjinë tuaj pa e tepruar. Jini të guximshëm, por edhe të mençur në shpërndarjen e forcës. Dikush nga familja do të ketë nevojë për përkushtimin tuaj.

DEMI
Do të kërkoni qetësinë, larg kaosit të verës. Kjo stinë ju fton të zhytni më thellë në veten tuaj, të rizbuloni çfarë ka vërtet rëndësi dhe të kultivoni paqen e brendshme. Çështjet praktike dhe puna do të kërkojnë përkushtim, por është ekuilibri juaj i brendshëm ai që do të bëjë diferencën. Me durim dhe qartësi, do të ndërtoni themele të qëndrueshme për të ardhmen. Mos e vini karrierën përpara gjithçkaje!

BINJAKËT
Kurioziteti juaj do të jetë forca lëvizëse e verës. Do të ndiheni të tërhequr nga udhëtimet, njohjet e reja dhe përvoja që pasurojnë mendjen tuaj. Megjithatë, kujdes me shpërdorimin e energjisë. Zgjedhja e drejtë e aktiviteteve do t’ju ndihmojë të jetoni momente me kuptim. Komunikimi do të jetë arma juaj më e fortë. Në aspektin financiar, priten surpriza pozitive.

GAFORRE
Vera do të sjellë emocione të thella dhe reflektime të rëndësishme. Do të ndiheni më mbrojtës ndaj të dashurve dhe do të dëshironi të krijoni një mjedis të sigurt. Miqësitë do të forcohen nëse dëgjoni me zemërhapur, ndërsa tensionet familjare do t’ju shtyjnë drejt kompromisit. Pushimi dhe kujdesi për veten janë të domosdoshme. Mos kini frikë të shpreheni siç jeni.

LUANI
Do të jeni në qendër të vëmendjes këtë verë, plot energji dhe dëshirë për të ndriçuar. Kreativiteti, udhëtimet dhe mundësitë për rritje personale do të jenë të shumta. Por kujdes: në marrëdhënie, shmangni tendencën për të dominuar. Forca e vërtetë qëndron edhe te dëgjimi dhe ndarja e problemeve. Lëreni veten të befasoheni nga pasione të reja dhe nisni të planifikoni diçka me vlerë afatgjatë.

VIRGJËRESHA
Kjo verë do t’ju nxisë të bëni pastrim të brendshëm dhe të jashtëm. Mund të ndjeni nevojën për të lënë mënjanë të panevojshmet dhe për t’u përqendruar në atë që ju ushqen vërtet. Puna dhe studimi do të kërkojnë disiplinë, por edhe fleksibilitet. Aftësia juaj për t’u përshtatur do të jetë çelësi për ta kthyer çdo vështirësi në mundësi. E kaluara mund të shfaqet sërish – përballeni me të me qartësi.

PESHORJA
Dëshira për harmoni dhe estetikë do të udhëheqë verën tuaj, sidomos në sferën sociale. Do të tërhiqeni nga takime frymëzuese dhe ambiente të bukura, por kini kujdes të mos humbni veten duke u përpjekur t’i kënaqni të tjerët. Vendosni kufij të qartë dhe mos ndjeni faj për këtë. Vetërespekti do të jetë dhurata më e madhe që mund t’i bëni vetes. Forca juaj është në balancën që dini të krijoni.

AKREPI
Vera ju fton të zbërtheni thellësitë e shpirtit dhe të punoni në transformime të brendshme. Përballuni me frikërat tuaja pa hezitim – ky është çelësi i rritjes së vërtetë. Kujdesuni për shëndetin dhe mirëqenien fizike. Marrëdhëniet intime do të thellohen nëse hapeni me sinqeritet. Një pushim i gjatë dhe i këndshëm do të ndihmojë në ushqimin e mendjes dhe shpirtit.

SHIGJETARI
Do të ndiheni të papërmbajtshëm për aventura dhe liri. Udhëtimet, njohja e kulturave të reja dhe të mësuarit do të jenë në qendër të vëmendjes. Por mos harroni detyrimet e përditshme – ekuilibri mes detyrave dhe argëtimit do t’ju sjellë lehtësim. Entuziazmi dhe optimizmi juaj do të jenë ngjitëse, duke ju sjellë miq të rinj. Ëndrrat do të jenë të mëdha – dhe të realizueshme!

BRICJAPI
Kjo stinë do t’ju shtyjë të rishikoni prioritetet, veçanërisht ato që lidhen me familjen dhe shtëpinë. Do të jetë e rëndësishme të gjeni balancën mes dëshirës për pavarësi dhe detyrimeve ndaj të tjerëve. Puna do të kërkojë përkushtim, por mos lini pas dore relaksin dhe kujdesin për veten. Durimi do të jetë aleati juaj më i mirë. Në dashuri, qëndroni të lidhur me realitetin.

UJORI
Vera do të jetë një kohë rinovimi dhe eksplorimi të ideve të reja. Projektet inovative dhe idetë origjinale do të dalin në pah, së bashku me nevojën për lidhje të sinqerta me njerëzit përreth. Kujdes mos u mbyllni në mendimet tuaja: hapja do të sjellë zgjidhje të shkëlqyera. Do të jetë një verë e zbulesave personale dhe kolektive. Dashuria mund t’ju vijë në mënyra të papritura.

PESHQIT
Vera ju çon drejt ndjeshmërisë, krijimtarisë dhe ndoshta një nostalgjie të lehtë. Intuita dhe ëndrrat do të jenë guida juaj, por është e rëndësishme të mos humbni kontaktin me realitetin. Kujdesuni për mirëqenien tuaj fizike dhe emocionale. Marrëdhëniet do të jenë burim frymëzimi dhe ngushëllimi. Kini kujdes me financat dhe përpiquni të mbani një qasje të matur ndaj shpenzimeve.

Hapet qielli/ Lindja e Mesme kthehet në normalitet

Pas 12 ditësh konflikti mes Izraelit dhe Iranit, hapësira ajrore mbi këto vende po i rikthehet gradualisht normalitetit.

Sipas kompanisë së monitorimit të fluturimeve FlightRadar24, Irani ka rihapur pjesërisht hapësirën ajrore për fluturimet ndërkombëtare që nisen dhe mbërrijnë në Teheran.

Në të njëjtën kohë, edhe Iraku ka njoftuar hapjen e hapësirës së vet ajrore, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun ajror në rajon, që ishte kufizuar për shkak të tensioneve të fundit ushtarake.

Megjithatë, fluturimet në këto zona do të vijojnë të kërkojnë leje paraprake nga autoritetet përkatëse, ndërsa kompanitë ajrore po ndjekin nga afër zhvillimet për të garantuar sigurinë e udhëtimeve.

Putin bisedë telefonike me Trump, zbardhen diskutimet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Bëhet me dije se dy Presidentët kanë diskutuar për situatën në Iran dhe krizën në Ukrainë.

“Siç e dini, Vladimiri më telefonoi. Më tha, a mund t’ju ndihmoj me Iranin? Unë thashë, ‘jo, nuk kam nevojë për ndihmë me Iranin. Kam nevojë për ndihmë me ju’. Dhe shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje me Rusinë, gjë që është për të ardhur keq”, tha Trump ndërsa po shkonte në samitin e NATO-s.

Komentet e Trump vijnë ndërsa Haga pret samitin e NATO-s më 24-25 qershor, në të cilin udhëheqësi amerikan pritet të takohet me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.