zoom

Day ArchiveAgjencia atomike: Dëmet në Fordow mbeten të paqarta, por Natanz është shkatërruar

Dëmet nëntokësore në objektin bërthamor të Fordow-it mbeten të paqarta, por kompleksi i Natanz-it është “shkatërruar plotësisht”.

Kështu deklaroi drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, në një intervistë për CNN.

Ai theksoi se “ka tregues të qartë goditjesh, por për sa i përket vlerësimit të shkallës së dëmeve në nëntokë, nuk mund të japim një konkluzion”.

“Nuk mund të thuhet me saktësi përmasat e dëmeve,” tha ai, duke shtuar se, për shkak të ndryshimeve të vërejtura në strukturën e terrenit të objekteve, “nuk përjashtohet mundësia që të jenë shkaktuar dëme të konsiderueshme”.

Sipas Grossi-t, struktura e Natanz-it është “shkatërruar tërësisht”, ndërsa korridoret e saj nëntokësore “kanë pësuar dëme të mëdha” për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet izraelite.

Ai shtoi gjithashtu se edhe objekti në Isfahan ka pësuar “dëme shumë të rënda”.

5 drejtimet ku mund të goditet ekonomia shqiptare nga konflikti Izrael-Iran-SHBA

Nga nafta e drithi, te energjia elektrike apo lëndët e para për industrinë, bashkë me anulimin e kontratave në turizëm… përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit do të sillte efekte negative për ekonominë shqiptare.

Lënda djegëse ishte e para që ndjeu efektet. Në tregjet botërore nafta u rrit me 10 deri në 13 për qind. Nuk do të vonojë shumë që kjo ecuri të reflektohet edhe në Shqipëri.

Me temperaturat e larta dhe vetëm në rritja nga njëra anë dhe mungesën e reshjeve nga tjetra, Shqipëria po shton importet e energjisë elektrike nga jashtë. Çrregullimi i tregjeve do të prodhonte rrjedhimisht çmimi më të larta për energjinë.

Kjo në një kohë që vatra e hapur e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të jetë e ndezur. Për shkak të varësisë së lartë nga importi, efekte të ngjashme u përcollën edhe në Shqipëri.

Në një raport të fundit të perspektivës globale Banka Botërore paralajmëron se përshkallëzimi i konflikteve aktuale në Europën Lindore, pushtimi rus në Ukrainë dhe lufta në Lindjen e Mesme mund të përhapë në botë një falë të fortë, gati shkatërruese krize çmimesh./A2 CNN

Lufta ShBA-Iran/ Reagon Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për konfliktin Izral-Iran, disa orë pas përfshirjes së SHBA-ve drejtpërdrejt në luftë.

“Ky nuk është thjesht një shtet tjetër bërthamor. As thjesht një diktaturë me ambicie bërthamore. Kjo është një teokraci – e armatosur me retorikë apokaliptike, e zhytur në vite të pafundme të etiketimit të kombeve të lira si “Satanike” dhe thirrjes së hapur për shfarosjen e tyre. Nga çdo aspekt, është një devijim i veçantë – ndryshe nga çdo shtet i armatosur bërthamor, pavarësisht sistemit politik. Si një komb që doli nga humnera e një regjimi brutal ateokratik, si një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara, Shqipëria mbështet fuqimisht përpjekjet e sinqerta të Presidentit Trump për të parandaluar që regjimi teokratik në Teheran të pajiset ndonjëherë me armë bërthamore”, shkruan Rama.

Rubio: Gati të bisedojmë me Teheranin që nesër

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri thirrje pas sulmeve të SHBA-ve ndaj objekteve bërthamore iraniane, për nisjen e menjëhershme të negociatave të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Amerika është gati të flasë me ta që nesër”,deklaroi Rubio për Fox News në lidhje me programin bërthamor civil të Iranit.

“Shteti iranian duhet të zgjohet dhe të thotë: ‘Në rregull, nëse vërtet duam energji bërthamore për vendin tonë, ka një mënyrë për ta bërë këtë.’ Kjo ofertë është ende në fuqi. Ne jemi të gatshëm të fillojmë bisedimet që nesër dhe të punojmë për këtë çështje”, shtoi ai.

Rubio akuzoi Iranin se ka “tentuar të luajë” në tryezën e negociatave, duke e detyruar, sipas tij, presidentin amerikan të veprojë ushtarakisht.

Sipas kreut të diplomacisë amerikane, Teherani e ka refuzuar ofertën amerikane, “nuk ka kthyer përgjigje” dhe “është zhdukur për 10 ditë” përpara nisjes së operacionit ushtarak.

Fotot që bëjnë historinë, çfarë ndodhte në “Situation Room”, ku Donald Trump ndoqi bombardimet mbi Iranin

Ka pesë presidentë që janë përballur me këtë vendim – nëse duhet apo jo të përdoret forca ushtarake kundër Iranit: Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump.

Donald Trump është i vetmi president që përfundimisht ka vendosur për veprim ushtarak dhe kjo – sido që të shkojnë gjërat në ditët në vijim – do të jetë një pjesë thelbësore e trashëgimisë së tij politike.

Fotografitë e realizuara në “Situation Room” gjatë sulmit ndaj Iranit, ashtu si ato të Barack Obamës në maj të vitit 2011 kur ndoqi sulmin kundër kompleksit të Osama bin Ladenit, apo të George W. Bush kur në vitin 2003 dha urdhrin për të nisur luftën në Irak, do të mbeten në histori.

Ndryshe nga hera kur Trump urdhëroi sulmin për të vrarë Qassem Soleimanin, krahu i djathtë i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, këtë natë ai mbante kapelen “Make America Great Again”.

Fotografitë, të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, ofrojnë një mundësi të rrallë për të hyrë në atë moment në Situation Room, e njohur gjithashtu si salla JFK, sepse u ndërtua gjatë presidencës së Kennedy-t.

Në një nga fotot, Donald Trump, i rrethuar nga ministrat e tij, shikon përpara i patundur, duke ndjekur në një ekran misionin kundër tre objekteve iraniane për pasurimin e uraniumit.

Trump nuk është gjithmonë i ulur: në një tjetër foto ai është në këmbë, pranë shefit të shtabit të përbashkët Dan Caine, i cili po i thotë diçka Susie Wiles-it, drejtoreshës së stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Ka shishe uji gjysmë të zbrazura mbi tavolinë, një dosje e trashë me kapëse përpara një gjenerali.

Zv.Presidenti J.D. Vance dhe sekretari i Shtetit Rubio janë ulur më afër Trumpit, ndoshta tregues i ndikimit të tyre; drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, shikon me duart e bashkuara përpara dhe nuk është fotografuar Tulsi Gabbard – drejtoresha e inteligjencës kombëtare me të cilën kishte mospajtime lidhur me Iranin – ndërsa në sfond lëvizin zëvendësshefi i stafit Dan Scavino dhe avokati i Shtëpisë së Bardhë, David Warrington, i cili ngrihet për t’i pëshpëritur diçka në vesh shefit të Pentagonit.

Dan “Razin” Caine, shefi i shtabit të forcave të armatosura – gjeneral në pension, ish-pilot i F16, i emëruar nga Trump për këtë rol, i cili sot bashkë me shefin e Pentagonit Pete Hegseth do të shpjegojë në një konferencë për shtyp ndikimin e sulmit – është, bashkë me presidentin, protagonisti i këtyre fotove: ai shihet duke shpjeguar, edhe me gjeste, sulmin për të pranishmit. Trump e lavdëroi hapur më vonë kur i tha amerikanëve në televizion se tani zgjedhja i takon Iranit, dhe nëse ata zgjedhin gabim, amerikanët do të vazhdojnë të sulmojnë.

Marrëdhënia e Trump me Caine nisi gjatë një udhëtimi në Irak në vitin 2018. Siç e ka treguar vetë Trump disa muaj më parë në CPAC, konferenca e konservatorëve, presidenti e pyeti gjeneralin pse të gjithë i thoshin se do të duheshin edhe dy vite të tjera për ta përfunduar luftën kundër Shtetit Islamik. Caine iu përgjigj se kjo mund të përfundohej brenda një jave.

“Ne thjesht po i godasim nga një bazë e përkohshme në Siri,” i kishte thënë ai, sipas vetë Trump. “Por nëse na jepni leje, mund t’i godasim nga pas, nga anët, nga të gjitha drejtimet, zotëri. Ata nuk do të dinë çfarë i ka goditur.” Trump e ka cilësuar atë “një gjeneral të vërtetë, jo një gjeneral televiziv”. Fjalë që pasqyrojnë gjithashtu mënyrën se si presidenti më televiziv në historinë amerikane e sheh forcën ushtarake.

Nuk ishte zgjedhja që shpresonte një pjesë e frontit MAGA, e cila prej ditësh kundërshtonte se ndërhyrja në Iran nuk përputhet me doktrinën “America First” të Trump.

Megjithatë, kapelja MAGA që Trump mbante në Situation Room forcon një mesazh që presidenti e kishte përcjellë në një intervistë javën e kaluar për The Atlantic: “America First” do të thotë gjithçka që thotë ai.

“Duke qenë se jam personi që zhvilloi ‘America First’ dhe duke qenë se ky term nuk është përdorur para se të vija unë, atëherë unë vendos. Për ata që thonë se duan paqen: nuk mund të keni paqe nëse Irani ka një armë bërthamore. Për ata që nuk duan të kenë lidhje me situatën nëse Irani ka një armë bërthamore, u them: kjo nuk është paqe.”

Edhe shumica që nuk donin që SHBA të ndërhynte, janë rreshtuar me presidentin pas sulmit, duke theksuar se bëhet fjalë për një veprim të synuar dhe të kufizuar.

“Irani nuk i la asnjë zgjedhje presidentit Trump,” tha aktivisti Charlie Kirk, një nga zërat më të rinj të lëvizjes MAGA dhe kritik i “skifterëve” të Partisë Republikane. Ish-deputeti Matt Gaetz, të cilin Trump e kishte zgjedhur për ministër të Drejtësisë, e krahasoi bombardimin e natës me sulmin që vrau Soleimanin: “Jo luftë për ndërrim regjimi. Trump është një ndërmjetës paqeje!”.

Në Kongres, ndër republikanët më entuziastë është senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, një “skifter”: “Është zgjedhja e duhur, regjimi e meriton.” 

Edhe mes republikanëve që kishin shprehur dyshime për goditjen e Fordow-it, si senatori Tim Sheehy nga Montana, pati lavdërime për presidentin: “Ai mori vendimin e duhur. U them kritikëve: kjo nuk është fillim lufte, kjo është për t’i dhënë fund. Irani është në luftë me Shtetet e Bashkuara prej 46 vitesh, populli iranian duhet të ngrihet dhe t’i japë fund këtij regjimi vrasës.”

Steve Bannon drejtoi gjatë gjithë natës një transmetim të posaçëm “live” në emisionin e tij War Room, ku foli për rreziqet e një lufte të tretë botërore. “Është lëvizja më e madhe dhe më e guximshme e mandatit të parë ose të dytë të Trump,” – tha ai – por i këshilloi presidentit të mos tërhiqet nga skifterët “në një mënyrë që mund të përmbysë gjithë presidencën e tij” dhe objektivat e America First. “Është një zgjedhje si ajo e Abraham Lincoln, sepse tani je pjesë e kësaj lufte, edhe nëse thua se është e kufizuar dhe nuk do të bësh ndërrim regjimi, do të jesh nën presion.”

Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëron Iranin të mos hakmerret: Do të ishte gabim i rëndë

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, paralajmëroi Iranin të mos hakmerret për sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte “gabimi më i keq që kanë bërë ndonjëherë”.

Ai theksoi gjithashtu se oferta për bisedime diplomatike me Iranin mbetet e vlefshme dhe se ndryshimi i regjimit “nuk është qëllimi” i Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance dha një intervistë të shkurtër për NBC News, në të cilën sqaroi se “Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Iranin“.

Ne jemi në luftë me ambiciet e tij bërthamore“, tha ai, duke shtuar se Uashingtoni beson se tashmë e ka “shkatërruar” programin bërthamor të Teheranit.

Irani nis hakmarrjen/ Parlamenti merr vendimin që do të ndikojë të gjithë botën

Majlisi, Parlamenti i Teheranit, “ka arritur në përfundimin se ngushtica e Hormuzit duhet të mbyllet, por vendimi përfundimtar i takon Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare”.

Kështu është shprehur gjenerali i Gardës së Revolucionit, Esmail Kowsari, i cili është anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në Majlis, sipas asaj që raporton televizioni iranian Press TV.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë strategjike për transportin e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror dhe pritet të ndikojë ndjeshëm çmimet e këtyre të fundit.

Pse është e rëndësishme Ngushtica e Hormuzit?

Nëse kriza del jashtë kontrollit, skenari më i keq për ekonominë botërore do të ishte një bllokadë nga ana e Teheranit në ngushticën e Hormuzit.

Në këtë rast, ende hipotetik, Arabia Saudite do të mund të eksportonte ende të paktën 5 milionë fuçi në ditë, pak më pak se gjysma e kapacitetit të saj prodhues, përmes tubacionit lindje-perëndim që e lidh drejtpërdrejt me Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit.

Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu do të mund të vazhdonin të eksportonin një pjesë të prodhimit të tyre.

Më i godituri do të ishte Katari, i cili detyrimisht kalon të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm nëpër ngushticën e Hormuzit.

“Çekani i Mesnatës”/ Sekretari amerikan jep detaje nga operacioni, çfarë ndodhi në Iran

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të dielën se sulmet ushtarake amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit ishin një sukses i jashtëzakonshëm, që kanë shkatërruar plotësisht ambiciet bërthamore të Teheranit.

Operacioni ushtarak i quajtur “Çekani i mesnatës” përfshiu 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 aeroplanë ushtarakë.

“Ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht”, tha Hegseth gazetarëve në një konferencë për shtyp, duke shtuar se sulmet nuk kishin në shënjestër ushtarë apo civilë iranianë.

“Operacioni që planifikoi presidenti [amerikan, Donald] Trump ishte i guximshëm dhe i shkëlqyer, duke treguar botës se frikësimi amerikan është rikthyer. Kur ky president flet, bota duhet të dëgjojë”, tha Hegseth.

Bombat e fuqishme për shkatërrimin e bunkerëve, sipas gjeneralit amerikan, Dan Caine goditën dy objekte bërthamore.

Gjatë konferencës për media, ai tha se avionët amerikanë përdorën taktika që të mos detektoheshin nga autoritetet iraniane, duke shtuar se nuk ka informacione që Irani ka sulmuar ndonjë avionë amerikanë gjatë qëndrimit të tyre në hapësirën ajrore të Republikës Islamike.

Cain tha se sulmi u krye në orën 02:10 sipas kohës lokale në Iran dhe raketat Tomahawk ishin të fundit që u përdorën gjatë sulmit.

Sa i përket dëmeve të shkaktuara në tre objektet bërthamore, gjenerali Caine tha se bazuar në informacionet fillestare ato kanë pësuar dëme të mëdha dhe shkatërrim.

Presidenti amerikan Trump deklaroi se sulmet ishin një “sukses spektakolar ushtarak”, duke thënë se bombarduesit amerikanë kishin goditur objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan në një operacion të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia nuk e kishte bindur Teheranin të kthehej në tryezën e bisedimeve.

Hekurudha Shqiptare përfshihet nga shkurtime kolektive të stafit, shkak gjendja e vështirë financiare

Oborri i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave në Durrës është bosh, jo vetëm prej temperaturave të larta. Një pjesë e personelit është thirrur në ministrinë e Infrastrukturës në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër janë mbyllur në zyra kryesisht për mbledhje.

Në fillim të javës së kaluar, stafi i kësaj drejtorie u shkurtua me 50 punonjës nga 445 gjithsej – ose më shumë se 10 për qind e totalit.

Kol Caka nga zona veriore e Bajzës në Shkodër është njëri prej punonjësve që ka marrë urdhrin e shkarkimit.

“Vendimi për largimin nga puna është marrë në tetor të vitit të kaluar, dhe sipas kësaj që shkruhet në njoftimin paraprak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, ky vendim lidhet me me strukturën e re të organikës,” tha ai për BIRN.

Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave i arsyeton shkurtimet kolektive me reformën për ristrukturimin e sektorit hekurudhor në vend, projektet aktuale si dhe situatën e vështirë financiare të shoqërisë.

Një pjesë e punonjësve janë larguar për shkak të ndërprerjes së përkohshme të aktivitetit në segmentin Vorë- Hani i Hotit, i cili do t’i nënshtrohet rehabilitimit, ndërsa pjesa tjetër për shkak të përfundimit të kalendarit të lëvizjes së trenave në linjën Shkodër – Gjorm për shkak të pelegrinazhit në kishën e Shna Ndout.

“Kjo procedurë është një vendimarrje e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë Hekurudha Shqiptare sh.a, e cila bazohet në kriteret ligjore dhe arsyet e përmendura më sipër, përfshirë situatën ekonomiko-financiare dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit…,” tha Hekurudha në një përgjigje për BIRN.

Drejtuesit e Hekurudhës thonë se ndërmarrja ka marrë përsipër trajtimin financiar të punonjësve, sipas legjislacionit në fuqi dhe se gjatë komunikimeve kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Sindikatës së Transportit.

“Hekurudha është ndërtuar kryesisht me krahë. Kohët kanë ndryshuar dhe veçanërisht linja e re Durrës- Tiranë që po përfundon kërkon personel të kualifikuar,” thotë Sokol Popoçi, drejtor i Infrastrukturës,

Hekurudha Shqiptare zotëron rreth 395 kilometër linjë gjithsej, por aktualisht funksionon vetëm segmenti Durrës-Elbasan. Ndërtimi i linjave të reja, siç është ajo Tiranë -Durrës, kërkon staf të kualifikuar, numri i të cilëve do të jetë i reduktuar.

Inxhinier Tritan Kaduku, i cili punoi më shumë se 20 vjet në Hekurudhën Shqiptare para se të largohej në emigracion, tha për BIRN, se ky proces është i kahershëm.

“Shkurtimet nga puna në fillim të viteve ’90 kanë qenë masive dhe marrëveshjet mes palëve ishin tepër të vështira. Shkurtimi i numrit të punonjësve lehtësonte edhe fondin e pagave, njëlloj si tani,” thotë Kaduku.

Një nga ish-drejtuesit e Hekurudhës, i cili kërkon që të mos identifikohet, i lidh shkurtimet e herëpasherëshme në Hekurudhë me rënien e eficencës së transportit me trena pas viteve ’90.

Kjo solli edhe rënien e fondit të pagave, duke i detyruar drejtuesit që ta gjejnë zgjidhjen te shkurtimi i numrit të punonjësve. Ky është fenomen i përsëritur dhe statusi i shoqërisë aksionere e lehtësonte vendimarrjen e Këshillit Drejtues për ndryshimet në strukturën e punës.

Shkurtimet që kanë përfshirë këto ditë personelin e Hekurudhës Shqiptare janë bërë të njohura pjesërisht për publikun, por drejtuesit shprehen se shumë shpejt do të kenë një komunikim më të plotë për këtë temë./BIRN

“Po e ndjekim situatën”- Tensionet në Lindjen e Mesme, a do të përfshihet NATO në konflikt? Flet zyrtari

Një zyrtar i NATO-s deklaroi të dielën për agjencinë Reuters se Aleanca është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit, pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi tri nga centralet kryesore bërthamore të Iranit.

I pyetur mbi qëndrimin e NATO-s ndaj këtyre sulmeve dhe ndikimin që ato mund të kenë mbi misionin jo-luftarak të Aleancës në Irakun fqinj, zyrtari theksoi: “Sigurisht që po e ndjekim situatën nga afër.”

Konflikti mes Iranit dhe Izraelit duket se ka hyrë në një fazë të re, pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të SHBA ndaj infrastrukturës bërthamore të Teheranit.