zoom

Day ArchiveShi apo diell? Parashikimi i motit për ditën e enjte

Sipas Shërbimit Meteorologjik ushtarak, ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët si dhe vranësira të pakta deri mesatare, më të theksuara në zonat malore në veri e lindje nga ku edhe do të pasohen me reshje të dobëta shiu.


Era me drejtim kryesor nga kuadrati i perëndimit me shpejtësi mesatare 6 m/s, në lugina dhe bregdet hera-herës fiton shpejtësi deri në 10m/s.

Deti – Valëzimi 1- 2 ballë.

Çfarë ndodhi në Fushë-Kuqe/ Takimi ‘sqarues’ i shkuar keq Martinaj-Prendi dhe atentatet që pasuan

Takimi Martinaj-Prendi u vendos të zhvillohej në Fushë-Kuqe, zonë e njohur si baza e Ervisit. Sidorel Prendi nuk kishte shkuar atje për luftë, shkoi për të “negociuar”.

Por, nga ajo bazë ai doli i dhunuar rëndë, pa nder siç thuhet mes njerëzve të asaj bote… U ndje i tradhtuar.

Në vend që të pritej nga një grup garantësh, ai u përball me grupin e dhunës. Ervis Martinaj, bashkë me të besuarit e tij, e rrahën Sidorelin në mënyrë brutale. E lidhën, e goditën me sende të forta, e më pas, e hodhën jashtë në gjendje mjaft të rëndë… Kjo ngjarje, as u zbulua dhe as u denoncua kurrë.

Thuhet se Martinaj, e la të gjallë vetëm që ti kujtonte se kush e kishte në dorë jetën e tij. Por, ky ishte autogol… Prendi ka qenë një nga personat që dinte shumë për grupin e tij.

“Prej disa kohësh organi i akuzës ka filluar të funksionojë në bazë të asaj që quhet regjistrimi i veprës, por jo i autorit. Dhe duke qenë se për ngjarje të rënda kriminale, më përpara regjistrohet vepra dhe jo autori, por emri i autorit ndoshta nuk regjistrohet kurrë. I jep mundësi palëve të dëmtuara në këtë rast që të kenë mundësi, dhe të kenë akses dhe të marrin informacion nga dosjet” u shpreh avokati Ermal Hamataj
“Nuk e shoh shumë efektiv, bashkëpunimin mes këtyre strukturave dhe mendoj se ajo është ajo që sjell më pas çedimin e zbulimit të ngjarjeve të ndryshme, gjithashtu mendoj se duhet të jetë edhe më efektiv”- u shpreh Dea Toçi, avokate

Pas dhunimit çnjerëzor nga grupi i Martinajt dhe tradhtisë që ndjeu nga Ylli Brahimi, Sidorel Prendi nuk u tërhoq. Ai nuk kërkoi drejtësi nëpër institucione. Ai kërkoi hak. Dhe për këtë, duhej të formonte aleanca të reja, me njerëz që kishin po aq gjak për të larë sa ai.

Në qarqet e botës së të krimit, urrejtja ndaj Ervis Martinajt nuk ishte e re. Për shumë, Martinaj ishte kthyer në një figurë që duhej eliminuar, një njeri që kishte thyer aleanca, prishur pazare, si dhe kishte vënë në shënjestër, emra të njohur të botës së krimit. Për këtë arsye Sidorel Prendi afrohet me Durim Bamin, i cili vitet e fundit ishte në konflikt të hapur me Martinajn.

Ai kishte nisur të frekuentonte zonën e Niklës, aty ku ndikimi i Durim Bamit ishte i pakontestueshëm. Në këtë mjedis, ku çdo fjalë peshohet me plumb dhe çdo shtrëngim duarsh fsheh një aleancë të re, Sidorel Prendi gjen hapësirën për t’u pozicionuar kundër Martinajt.

“Duhet që strukturat e policisë edhe të prokurorisë të kenë bashkëpunimin që thashë në krye të herës për të qenë më efektivë në mënyrë që mos të kryhen këto vepra, pasi kryhen më pas edhe vënie përpara përgjegjësisë së autorëve nuk kanë vlerën e njëjtë”- u shpreh Alban Qafa, avokat.

“Duhet që strukturat e policisë edhe të prokurorisë duhet të kenë bashkëpunimin që thashë në krye të herës për të qenë më efektivë në mënyrë që mos të kryhen këto vepra, pasi kryhen më pas edhe vënie përpara përgjegjësisë së autorëve nuk kanë vlerën e njëjtë”-u shpreh avokatja, Dea Toçi.

Prendi nuk ishte më vetëm një viktimë që kërkonte hakmarrje. Ai ishte tashmë pjesë e një fronti të heshtur, por shumë të rrezikshëm, të formuar nga ata që kishin një qëllim të përbashkët: eliminimin e njeriut më të fuqishëm në botën e krimit Ervis Martinajn.

Kjo aleancë nuk ishte thjesht një bashkëpunim. Së bashku Durim Bamin, klanin Duka, e të tjerë, formuan një bosht të ri kundër dominimit të Martinajt. Hakmarrja e “Sidit”, nisi me atë që e tradhëtoi. Në krye të listës nuk ishte Brilanti. As Ervisi. Ishte Ylli Brahimi, njeriu që e kishte shitur. Njeriu që e theu në besë.
Më 13 janar të viti 2021, qendra e Milotit u kthye në skenën e një atentati të mirëorganizuar. Ylli Brahimi në atë kohë, një emër periferik për publikun, por kyç në pazaret e brendshme të botës së nëndheshme, u qëllua me breshëri.

45-vjeçari ndodhej në trotuar, duke biseduar me dy persona të tjerë, kur një motor në të cilin ishin dy persona me skafandra iu afrua, dhe pasagjeri hapi zjarr drejt tij. Brahimi u plagos, por shpëtoi pa rrezik për jetën. Ndërsa autorët u zhdukën brenda pak sekondave.

“Dy persona që kanë qenë shokë, kthehen në armiq vrasin njëri tjetrin, kur njëra nga palët i bën gol palës tjetër. Nuk likuidon lekët e furnizimit me lëndë narkotike, qoftë me kokainë qoftë me hashash, apo qoftë edhe borxhet që rrjedhin nga lekët me fajde, që merren për të financuar një aktivitet të paligjshëm të lëndëve narkotike, apo qoftë edhe nga lojërat e fatit”-u shpreh Alban Qafa, avokat. Inside Story/

Interi synon mesfushorin e Atalantës, i ofron Asllanin dhe 40 milionë euro

Inter i bashkohet Juventusit dhe jo vetëm, pasi e duan edhe klube të tjera, garës për të transferuar mesfushorin e Atalantës, brazilianin Ederson.

Klubi bergamas do të lejojë largimin e mesfushorit 25-vjeçar vetëm nëse paguhet klauzola e vendosur për kartonin e tij, e cila është 60 milionë euro.

Sipas asaj që raporton “Corriere di Bergamo”, Inter po mendon të përfshijë edhe shqiptarin Kristjan Asllani në këtë operacion, me qëllim për të mos paguar direkt vlerën 60 milionë euro.

Pra, propozimi i klubit zikaltër për Atalantën është ky: Kristian Asllani plus një shumë e caktuar parash, e cila besohet të jetë rreth 40 milionë euoro, por ideja është që kostoja totale të jetë rreth 55-60 milionë euro, për t’iu përafruar shumës që kërkon Atalanta.

Vlera e kartonit të Asllanit aktualisht është rreth 14 milionë euro.

Përveç kësaj piste, për Asllanin ka interes serioz edhe nga klubi i Fiorentinës. Dëshira e mesfushorit elbasanas është të vazhdojë të qëndrojë te Inter, por shanset për një largim nga zikaltrit këtë verë janë vërtet shumë të mëdha.

Trump: Irani ishte disa javë larg nga të paturit e një armë bërthamore


Donald Trump u tha gazetarëve këtë pasdite se “një marrëveshje mund të arrihet ende” dhe se ai mendon se “Irani ishte disa javë larg nga të paturit e një arme bërthamore”.

Presidenti shtoi se do të marrë pjesë në një takim pas një ore mbi evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Izraeli, raporton Reuters.

“Ata duhet ta kishin bërë marrëveshjen, unë kisha një marrëveshje të shkëlqyer për ta… në fund ata vendosën të mos e bënin atë, dhe tani dëshirojnë ta kishin bërë”, tha Trump. Ai shtoi se zyrtarët iranianë “duan të vijnë në Shtëpinë e Bardhë”.

Edhe pse shumë nga aleatët e tij kanë shprehur hezitim ndaj mundësisë që Shtetet e Bashkuara të hyjnë në një konflikt tjetër të huaj, Trump tha se “mbështetësit e tij nuk duan ta shohin Iranin të pajiset me një armë bërthamore”.

Burime nga ekspertët dhe inteligjenca amerikane kanë thënë se Irani nuk po punonte për të zhvilluar një armë bërthamore. Associated Press raporton se tre zyrtarë të lartë në Shoqatën e Kontrollit të Armëve, një organizatë anëtarësimi jopartiake me seli në SHBA, i kërkojnë fuqimisht SHBA-së “të zgjedhë diplomacinë e mospërhapjes bërthamore mbi luftën”. Ata shtuan se sulmet ushtarake nuk mund të shkatërrojnë njohuritë bërthamore të Iranit, por mund ta inkurajojnë vendin të tërhiqet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.

Gazeta italiane: Ferri në kampin e Gjadrit, 45 tentativa plagosjesh dhe protesta të dhunshme

Një artikull i publikuar nga gazeta italiane “Domani” ka hedhur dritë mbi një realitet alarmues në qendrën e riatdhesimit në Gjadër, Shqipëri – një strukturë e ndërtuar nga marrëveshja italiane për të strehuar emigrantët e refuzuar.

Sipas raportimit, që nga fillimi i funksionimit të saj janë regjistruar të paktën 45 episode vetëlëndimesh, protestash dhe tentativash për vetëvrasje. Një shifër tronditëse që hedh hije të rënda mbi humanizmin e kësaj politike migratore.

Emigrantët e ndaluar në këtë qendër, që sipas vlerësimeve jozyrtare janë rreth 80 persona në muaj, jetojnë në kushte të tilla izolimi që kanë humbur ndjesinë e kohës – pyetja e tyre e parë ndaj vizitorëve është gjithmonë “Çfarë dite është?” dhe “Çfarë ore është?”. Në mungesë të çdo kontakti me botën e jashtme – pa celularë, pa orë, me televizorë që nuk funksionojnë – të ndaluarit përjetojnë një shkëputje të thellë nga realiteti. Për më tepër, përdorimi i barnave psikotrope është kthyer në mjet për të qetësuar apo përgjumur gjendjen e tyre emocionale, duke shuar çdo ndjesi kontrolli mbi jetën personale.

Ajo që Domani përshkruan është një strukturë sterile, e pastër, por e ftohtë dhe çnjerëzore – një burg modern ku vuajtja nuk bërtet me zë, por tretet në heshtje. Kjo qendër, ndryshe nga burgjet italiane të cilat përballen me stërngarkesë dhe protesta të hapura, ofron një realitet të heshtur dhe të kontrolluar, ku mungesa e lirisë nuk është vetëm fizike, por edhe mendore.

Sipas prestigjozes italjane, më e rënda mbetet mungesa totale e transparencës. Të dhënat zyrtare nuk ekzistojnë, as për publikun dhe as për parlamentarët italianë që kërkojnë t’i vizitojnë këto struktura. Deputetët dhe eurodeputetët që kanë tentuar të ushtrojnë të drejtën e tyre për kontroll janë përballur me pritje të gjata, vonesa të qëllimshme dhe pengesa të qarta.

Qendra në Gjadër ndodhet rreth një orë larg nga Tirana, në një zonë të izoluar mes malesh dhe lumit Drin, një vend i menduar enkas për të qëndruar jashtë syve të medias dhe opinionit publik. Sot, kjo strukturë po simbolizon gjithnjë e më shumë jo zgjidhjen e krizës migratore, por dështimin moral të saj.

Ky raportim tronditës ngre alarmin jo vetëm për Shqipërinë si vend mikpritës i kësaj qendre, por mbi të gjitha për Italinë dhe Bashkimin Evropian, që përmes marrëveshjeve të tilla po e zhvendosin barrën e humanizmit në periferi, ndërsa në thelb po krijojnë hapësira ku dinjiteti njerëzor asgjësohet në heshtje.

Hakerat izraelitë “futen” në TV iranian, thirrje popullit për tu ngritur kundër regjimit

Disa transmetime televizive në Iran me sa duket janë hakuar nga “ekspertët” izraelitë të teknologjise.

Si rrallë herë në televizionet iraniane janë shfaqur fotografi dhe thirrje që publiku të ngrihet dhe të dalë në rrugë në protestë kundër qeverisë.

Rrjeti televiziv i lidhur me opozitën, Iran International, citon zyrtarë të kenë thënë se kjo ka ndikuar vetëm tek ata që marrin transmetimet nëpërmjet satelitit, duke sugjeruar ndërhyrje në sinjalin satelitor.

Prej disa ditësh hakerat izraelitë po “luftojnë” Iranin përmes ndërhyrjes në rrjetet teknologjike. Më herët është raportuar për banka dhe kompani të haleruara ndërsa Teherani iu ka ndaluar zyrtarëve të lartë të përdorin paisje që lidhen me internetin.

Sekretari amerikan i mbrojtjes: Ushtria është gati për çdo vendim të presidentit

Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, Pete Hegseth, ka deklaruar ditën e sotme se ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim që presidenti Donald Trump do të marrë për Iranin.

Ndërsa po fliste para senatit Hegseth deklaroi se ishte gati të zbatonte çdo urdhër ndaj Iranit dhe e paralajmëroi Teheranin se duhej t’i kishte kushtuar vëmendje thirrjeve të presidentit amerikan për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

Ata duhet të kishin bërë një marrëveshje, fjala e Presidentit Trump do të thotë diçka. Bota e kupton këtë. Dhe në Departamentin e Mbrojtjes, puna jonë është të qëndrojmë të gatshëm dhe të përgatitur me opsione dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë”, tha Sekretari i Mbrojtjes.

Më tej Hegseth u pyet në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit nëse administrata Trump po lëvizte për të rivendosur mbrojtjen, një term i përdorur për të përshkruar veprimet që synojnë të kufizojnë një kundërshtar nga ndërmarrja e veprimeve armiqësore.

Mendoj se ne tashmë e kemi rivendosur në shumë mënyra në këtë mjedis parandalimin. Pyetja është, në ditët në vijim, se në çfarë drejtimi shkon kjo”, u shpreh Gegseth.

Është shtatzënë? Rrjeti “zien” për Armina Mevlanin pas pamjeve të fundit

Armina Mevlani është shfaqur së fundmi në një intervistë për emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku ajo ka folur për projektet e saj, por ajo që tërhoqi vëmendjen më të madhe të publikut ishte pamja e saj fizike.

Në videon e shpërndarë në rrjete sociale, ndjekësit kanë komentuar në mënyra të ndryshme për paraqitjen e saj, disa duke ngritur dyshime për një shtatzëni të mundshme, të tjerë duke e komentuar peshën dhe pamjen e fytyrës.

Komentet përfshinin shprehje si:

“Qenka shtatzënë”,
“Uuuuaa sa qenka shëndoshur”,
apo edhe më ironike si:
“Pupupu, qeka bërë katrore Armina”.

Ndërsa të tjerë aluduan për ndërhyrje estetike me komente të tilla si:

A është shëndosh apo i ka bërë reaksion botoxi?”

Gjykata lëshon urdhërarreste për Radoiçiç dhe 10 të tjerë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar të mërkurën fletarrestime për Millan Radojçiçin dhe 10 të dyshuar të tjerë, në lidhje me ngritjen e barrikadave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe në vitin 2022.

Radojçiç dhe 50 të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar pasi dyshohet se kanë minuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri të vendit në vitin 2022.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letërrreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Millan Radojçiç. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022”, tha për media zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Radojçiç, i cili veçse kërkohet në Kosovë për krime lufte dhe për sulmin në Banjskë, ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, në kohën kur dyshohet se ka kryer veprën penale më 2022.

Miratimi i kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për lëshimin e fletarrestimeve për të dhe të tjerët vjen në ditën kur dëgjimi i kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë u shty, pasi avokati i tij ishte sëmurë.

Lista Serbe reagoi të mërkurën ndaj këtij vendimi, duke thënë se “me dëbimin e policëve serbë të lindur dhe që kanë jetuar për dekada në Kosovë, me shpalljen e fletarrestimeve dhe me marrjen në pyetje të dhjetëra serbëve për protestat paqësore të mbajtura në vitin 2022, Albin Kurti po zbaton me shpejtësi dhe pa fshehje një plan për spastrimin etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”.

Bëhet fjalë për dhunë institucionale që po ushtron presion të paparë ndaj serbëve të ndershëm, të cilët nuk heqin dorë nga emri dhe mbiemri i tyre serb, që nuk pranojnë të jenë shërbëtorë të Kurtit dhe që tani janë bërë shënjestër vetëm pse janë serbë”, tha Lista Serbe.

Më 10 dhjetor të vitit 2022, në veri të Kosovës u ngritën barrikada për shkak të arrestimit të Dejan Pantiqit, një ish-zyrtar i policisë, të cilin autoritetet e Kosovës e akuzuan për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Ato barrikada u hoqën më 29 dhjetor, pas thirrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe pasi Pantiq u dërgua në arrest shtëpiak.

Barrikadat pasuan një sërë incidentesh dhe tensionesh të shtuara, pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit, 2022, me iniciativën e Listës Serbe.

Kjo e fundit kundërshtoi atëkohë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave serbe të makinave me targa të Republikës së Kosovës.

Çfarë ndodh nëse bombat godasin depozitat e uraniumit në Iran?

Ashtu siç ndodhi me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe përfshirjen, në atë rast, të centraleve bërthamore civile në Zaporizhzhia dhe të impiantit fantazmë të Çernobilit, përshkallëzimi i shpejtë i sulmeve dhe opsioneve ushtarake në Iran ka rindezur një alarm që mendonim se ishte varrosur thellë në frikërat tona të nën ndërgjegjshme të Luftës së Ftohtë.

Çfarë do të ndodhte nëse bombat izraelite do të godisnin pikërisht depot e uraniumit të pasuruar? A ekziston vërtet mundësia që të shkaktohet fenomeni i ndarjes së atomit dhe rrjedhimisht një shpërthim bërthamor?

Skenari bëhet edhe më i paqartë në rast të përdorimit të GBU-57, bombës së ashtuquajtur “anti-bunker”, e cila duhet të furnizohet nga forcat ushtarake amerikane dhe për këtë arsye do të kërkonte miratimin e presidentit amerikan Donald Trump për një përfshirje të paktën të tërthortë.

Ashtu si në rastet e mëparshme, nuk ekziston një “literaturë” apo raste të dokumentuara që mund të merren si referencë e saktë, ndaj duhet të ecim me hipoteza.

Siti më i vjetër për pasurimin e uraniumit në Iran është ai i Natanzit, 220 kilometra në juglindje të Teheranit, i mbrojtur nga një bateri kundërajrore. Natanz është objekti më i madh në Iran dhe aty “fshihen” shumica e centrifugave për pasurimin e uraniumit (vlerësohen rreth 10 mijë). Fjala “fshihen” është mes thonjëzash sepse prania e këtij objekti është zbuluar prej shumë vitesh dhe sepse shumica e këtyre centrifugave pasurojnë uraniumin deri në 5%, që konsiderohet një nivel i përshtatshëm për qëllime civile, pra për përdorim në impiantet e prodhimit të energjisë si ato në Ukrainë.

Natanzi është goditur tashmë në ditët e para të sulmeve nga Izraeli, ndaj tashmë dimë nga AIEA-ja e drejtuar nga Rafael Grossi se nuk ka pasur emergjenca nga pikëpamja e rrezatimeve të mundshme. Për më tepër, numri dy i Grossit është një italian, Massimo Aparo, i konsideruar një nga ekspertët më të mëdhenj në botë për dosjen bërthamore iraniane.

Është e mundur që sulmet të kenë dëmtuar gjithsesi centrifugat që janë shumë të ndjeshme ndaj dridhjeve (sidomos nëse ishin në funksion në atë moment), prandaj bombat mund t’i “arrijnë” dhe t’i dëmtojnë ato edhe në distancë. Edhe mungesa e energjisë pas sulmit mund të ketë dëmtuar këto impiante pasurimi.

Por të vijmë tek pyetja më e rëndësishme: nëse nis një zjarr mbi uranium, a ka rrezik për një reagim bërthamor?

Kushdo që ka jetuar gjatë shpërthimit të Çernobilit në vitin 1986 nuk mund të harrojë që në atë rast ishin të pranishëm të dy elementët: paqëndrueshmëria e bërthamës së uraniumit dhe shpërthimi që më pas lëshoi radionukleide në atmosferë, duke i lënë në mëshirë të erërave. Kjo ishte famëkeqja “re atomike”, edhe më e rrezikshme sepse mund të lëvizë.

Në realitet, teknikisht një “bombë atomike”, siç shpjegonte shpesh me hollësi shkrimtari i dashur për shërbimet sekrete, por edhe për të kërkuarit, Frederick Forsyth (i ndjerë së fundmi), është një grup përbërësish. Dhe ky është ndoshta aspekti më delikat i akuzës së kryeministrit Benjamin Netanyahu: a po punonte Irani për një bombë? Duhet jo vetëm uranium i pasuruar, por edhe një detonator (që nuk është aspak i lehtë për t’u ndërtuar), si dhe raketa dhe rampa të përshtatshme për lëshim. Edhe pse nuk mund të mohohet që një treg i zi mund të krijohet ose rikrijohet me Rusinë në kushte të mëdha pasigurie ekonomike dhe me depo bërthamore që nuk financohen më nga SHBA (për vite me radhë SHBA kanë paguar për sigurinë e armëve bërthamore të ish-BRSS-së, për të shmangur rrezikun radiologjik dhe për të parandaluar tregjet e paligjshme).

Pra, për të ndodhur një reaksion i ndarjes bërthamore duhet të krijohen disa kushte specifike dhe të gjitha njëherazi. Rreziku më i madh në një rast si ai i bombardimit të Natanzit është më shumë reaksioni kimik sesa ai që lëshon radionukleide.

Uraniumi vetë nuk është toksik për shëndetin. Ai gjendet në natyrë dhe gjithçka varet nga ekspozimi. Më e rrezikshme është reaksioni kimik me florin që përdoret gjatë procesit të pasurimit dhe që e kthen uraniumin në një gaz, pra të lëvizshëm dhe agresiv. Edhe këtu, florin në sasi të vogla e gjejmë edhe në pastën e dhëmbëve, sepse është i dobishëm për dhëmbët. Por mbi një dozë të caktuar mund të jetë vdekjeprurës nëse thithet dhe shumë agresiv për lëkurën.

Mund të ketë, pra, efekte lokale rreth objektit të goditur.

Vendi i dytë për pasurimin e uraniumit (është zbuluar së fundmi se Irani mund të ketë edhe një të tretë) është ai i Fordo-s, 100 kilometra në jugperëndim të Teheranit. Aty, sipas AIEA-së, ka më pak centrifuga, por më të fuqishme. Pasurimi i uraniumit arrin në nivelin 60%, shumë pranë nivelit 90% që konsiderohet i përshtatshëm për përdorim ushtarak. Kjo është arsyeja përse AIEA publikoi një raport ku shprehej shqetësimi i qartë se Irani po punonte, të paktën në perspektivë, për armë bërthamore. Përndryshe, nuk do të kishte arsye për të pasur këto centrifuga. Edhe pse, siç u përmend më parë, të kesh kapacitetin real për të prodhuar një bombë atomike dhe për ta lëshuar është një çështje tjetër.

Ky është objekti që arsenali izraelit nuk mund ta arrijë pa bombat speciale amerikane.

Në vitin 2023, u lëshua një alarm pasi forcat ruse goditën një depo armësh me uranium të varfëruar në Ukrainë. Edhe atëherë u fol për frikën e një reje toksike, por stacioni i matjes në Trieste (i përputhur atëherë me erërat që vinin nga Ukraina) nuk raportoi asgjë.

Mbetet një pyetje e fundit: çfarë do të ndodhte nëse bombat GBU-57 do të godisnin në mënyrë të përsëritur dhe në thellësi (kjo është mënyra e sulmit) objektin në Fordo?

Në të vërtetë nuk kemi precedentë. Për të dhënë një përgjigje, duhet të dimë me saktësi sasinë e uraniumit të depozituar në atë objekt iranian. Hipoteza është se sasia nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar shqetësim të madh. Por përgjigjja përfundimtare është në duart e inteligjencës amerikane dhe izraelite./Corriere della Sera