zoom

Day ArchiveE rëndë/ 45-vjeçarja shqiptare masakrohet me thikë në mes të qytetit nga ish-bashkëshorti

Një grua 45-vjeçare me origjinë shqiptare, e quajtur Gentiana Hudhra është vrarë brutalisht me thikë të shtunën pasdite në qytetin e vogël Tolentino, pranë Maceratës.

Sulmi ndodhi në mënyrë të papritur në një nga zonat më të populluara të qytetit, në rrugën Viale Benadduci, ku gruaja u godit disa herë me një thikë kuzhine, para syve të kalimtarëve të tronditur.

Autori i dyshuar i krimit është ish-burri i saj, një 55-vjeçar gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili nuk tentoi të arratisej pas sulmit. Ai u gjet nga karabinierët i ulur në një stol pranë vendngjarjes, në gjendje të hutuar dhe pa i rezistuar arrestimit.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të pasdites, në një zonë të frekuentuar nga qytetarët. Dëshmitarët okularë tregojnë se gjithçka ndodhi në pak sekonda. Gruaja u qëllua në trotuar me disa goditje thike dhe pavarësisht britmave të saj dhe reagimit të menjëhershëm të kalimtarëve, ndihma mjekësore nuk mundi të bëjë asgjë për ta shpëtuar jetën e saj.

Shërbimet e emergjencës konfirmuan vdekjen në vend, ndërsa policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të krimit.

Viktima kishte jetuar prej disa vitesh në Tolentino dhe ishte nënë e dy fëmijëve të rritur, 21 dhe 23 vjeç, që i kishte nga martesa me autorin e dyshuar. Çifti ishte ndarë prej tre vitesh dhe deri më tani nuk janë raportuar episode të mëparshme dhune apo kërcënimesh.

Autoritetet po marrin në pyetje anëtarë të familjes dhe persona të njohur për të kuptuar më mirë marrëdhënien mes çiftit dhe nëse kishte shenja paralajmëruese që janë neglizhuar.

Sipas burimeve paraprake, 55-vjeçari dyshohet se ka pasur çrregullime të natyrës psikike. Megjithatë, ai nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, ndërsa priten vlerësimet mjeko-ligjore dhe hetimet për gjendjen e tij mendore.

Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas dhe ka nxitur reagime të forta në mediat italiane, si edhe në komunitetin shqiptar në rajon, duke rihapur debatin mbi dhunën ndaj grave dhe nevojën për masa parandaluese më efikase./ Zoom.al

Izraeli sulmon fushën e gazit në Iran, më e madhja në botë

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fushën gjigante të gazit South Pars në Iran, depozitën më të madhe të gazit natyror në botë, pas një sulmi të dyshuar me dron nga Izraeli, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe re të dendura tymi që ngrihen nga provinca jugore Bushehr, ku ndodhet kjo fushë strategjike. Sipas Ministrisë së Naftës së Iranit, objektivi i sulmeve ishin dy fusha të mëdha gazi, përfshirë edhe kompleksin South Pars – faza 14, që luan rol kyç në furnizimin me energji të vendit.

Po ashtu, është goditur edhe kompania Fajr Jam për rafinimin e gazit, një tjetër strukturë e rëndësishme në të njëjtën provincë.

Kjo është hera e parë që raportohen sulme të drejtpërdrejta izraelite ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke shënuar një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve në rajon. Aktualisht, autoritetet iraniane janë në gatishmëri të lartë, ndërsa nuk ka ende të dhëna të konfirmuara për viktima apo dëme të plota materiale.

Sipas burimeve të afërta me agjencitë iraniane të sigurisë, sulmi është kryer me dronë të vegjël të avancuar, të cilët kanë depërtuar në hapësirën ajrore pa u zbuluar në kohë.

Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe shmangie të një konflikti të gjerë./ Zoom.al

Vëllai i të penduarit të drejtësisë në rrezik? Gjykata urdhëron burgjet: Siguroni jetën e Dashnor Dumanit

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe zyrtarët përgjegjës të institucioneve të vuajtjes së dënimit që të marrin masa të menjëhershme për sigurinë e jetës dhe shëndetit të të paraburgosurit Dashnor Dumani.

Ky vendim vjen në kushtet e një rreziku të shtuar që lidhet me lidhjet familjare të të hetuarit, Dashnor Dumani është vëllai i Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë, dëshmitë e të cilit kanë tronditur themelet e botës së krimit të organizuar në Shqipëri.

Në arsyetimin e saj, gjykata thekson: Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe zyrtarët përkatës të IEVP, të marrin masa për sigurinë e jetës dhe të shëndetit të personit nën hetim, Dashnor A. Dumani, patur parasysh situatën e tij familjare në të cilën gjendet.”

Dashnor Dumani, 40 vjeç u ekstradua nga Dubai së bashku me Armes Stafën, i kërkuar për pastrim parash dhe i konsideruar pjesë e grupit famëkeq të Çopjave në Elbasan. Ai ishte në kërkim prej më shumë se një viti, pasi ndaj tij ishin vendosur masa në mungesë për vrasje dhe vjedhje në kuadër të një organizate kriminale.

Sipas hetimeve të SPAK, Dashnor Dumani dyshohet se ka marrë pjesë si ekzekutor në masakrën e trefishtë në Bradashesh, në vitin 2018, ku ndër viktimat ishte edhe vëllai i Erjon Alibej, një tjetër i penduar i drejtësisë. Nuredin Dumani ka mohuar përfshirjen e vëllait të tij në këtë vrasje, ndërsa ka pranuar se është rekrutuar nga vetë Alibej si vrasës me pagesë, për të eliminuar kundërshtarët e tij, ku objektivi kryesor ishte Talo Çela.

Rreziku për hakmarrje dhe heshtje të mundshme është i pranishëm, ndërsa autoritetet janë vënë në lëvizje për të garantuar sigurinë fizike të Dashnor Dumanit, në një periudhë kur deponimet e të penduarve po çojnë drejt zbërthimit të një prej rrjeteve më të rrezikshme të krimit të organizuar në vend./ Zoom.al

Parashikimi i horoskopit për javën tjetër: Kujdes me shpenzimet


Dashi

Është momenti që nga data 17 e deri në fund të gushtit të fokusoheni në përditshmëri, punë dhe fundjavën që vjen të organizoni më mirë ambientin ku veproni e punoni. Të lindurit në ditët e para të shenjave, prisni diçka për një shtëpi, pronë një çështje profesionale, marrëdhënie dhe nëse gjërat janë pak të bllokuara, bëni durim dhe pas datës 25 do të keni fillime të reja që do të zhbllokojë shanset tuaja. Do të keni shanse edhe në sferën financiare gjatë periudhës në vijim.


Demi

Kryesorja për ju është kalimi i Marsit në Virgjëreshë që ndikon të lindurit në ditët e para të shenjës. Nis një fazë ku do të jeni aktivë, do të realizoni shumë gjëra, do të shprehni veprimtarinë krijuese dhe do të merreni me çështje që kanë të bëjnë me takime erotike, personale. Do të keni shanse në fund të javës, por do të merreni edhe gjëra të lidhura me fëmijët ndaj problemet trajtojini me qetësi. Kini kujdes me njerëzit e rrethit tuaj dhe në komunikim, sidomos në fund të javës. Mos u jepni lajmeve përmasa më të mëdha dhe mos hyni në konflikte. Është periudhë pozitive me Afërditën ende në shenjën tuaj.


Binjakët

Ana juaj psikologjike dhe çështjet familjare mund t’ju preokupojnë pak më shumë. Nga kjo javë deri në gusht, mund të rinovoni shtëpinë, ta ndërroni dhe kjo do të jetë me plan. Të lindurit në ditët e para të shenjës mund të shpenzojnë për zyrën dhe ambientin, ndërsa në fundjavë duhet të jeni të kujdesshëm me iniciativat financiare, sidomos ato që lidhen me qëllimet tuaja që nuk dalin siç i prisni. Nëse prisni mbështetje nga një njeri i rrjetit social, për momentin mund të mos vijë.


Gaforrja

Të ndikuar janë kryesisht të lindurit në ditët e para të shenjës që kanë çështje që ju preokupojnë në akset kryesore të jetës. Kjo mund të lidhet me jetën personale, karrierën, planet për të ardhmen, njerëzit e rrethit tuaj. Mund të ndieni se gjërat nuk shkojnë siç dëshironi, por jepni maksimumin tuaj sepse vetëm kështu ëndrrat tuaja mund të bëhen realitet. Do të keni shanse për udhëtime nga kjo javë dhe gjatë gjithë verës, por edhe për t’u afruar me njerëzit e rrethit tuaj nëse evitoni problemet me ta.


Luani

Është momenti të fokusoheni në planet për të ardhmen. Disa prej tyre mund të jenë me disa pengesa, kërkohet një rishikim i gjërave. Nga kjo javë e deri në fillim të gushtit fokusohuni te sfera financiare ku do të keni fitime dhe shpenzime të papritura. Jeni në një fazë ku mund të fokusoheni te karriera dhe jeta sociale, të keni sukses, njohje e vlerësim në këtë fushë të jetës suaj.


Virgjëresha

Kalimi i Marsit në shenjën tuaj do t’ju bëjë shumë aktivë, kërkues, me më shumë zell dhe oreks për punë, por nga ana tjetër do t’ju sjellë më tepër stres, ankth dhe ndonjëherë, të reagoni menjëherë në probleme dhe të nxirrni nervozizëm që mund t’ju çojë në konflikte. Këtë javë, kujdes me bisedat me njerëz të rrjetit shoqëror në lidhje me një temë financiare dhe një ndihmë që prisni. Për momentin, rishikojini këto gjëra dhe mbështetuni më tepër në forcat tuaja. Jeni në një fazë ku do të keni zgjerimin e rrjetit shoqëror dhe do të gjeni mbështetje për realizimin e qëllimeve.


Peshorja

Jeni të ndikuar, sidomos të lindurit në ditët e para të shenjës, me çështje që kanë të bëjnë me akset kreysore të jetës, me marrëdhëniet personale, profesionale, prisni një punë të re, zhvillim karriere, rritje në detyrë. Kjo do të vijë, edhe pse për momentin mund të jetë e penguar. Kujdes me prapaskenat, mos jepni shkas për t’u bërë objekt diskutimi dhe kujdes sesi veprojnë të tjerët në marrëdhënie e bashkëpunime me ju, pas shpinës nga kjo javë e deri në fillim të gushtit. Jeni në një periudhë ku do të keni mbështetje financiare dhe do të gjeni atë që ju duhet.


Akrepi

Duhet të jeni të kujdesshëm këtë fundjavë, por keni shanse të mira në marrëdhënie e bashkëpunime. Kalimi i Marsit në Virgjëreshë do t’ju ndihmojë në zgjerimin e rrjetit shoqëror. Mos hyni në kontradikta me miqtë dhe shokët tuaj. Jeni absolutë në mendime, fanatikë, ndaj mos i lini vend. Mund të keni një bllokim në çështje që kanë të bëjnë me përditshmërinë, ligjin, në disa udhëtime që për momentin s’do të shkojnë si doni. Prisni pas datës 25 sepse gjërat do të hapen dhe do të merrni dhuratat e Jupiterit.


Shigjetari

Është një periudhë ku do të fokusoheni te jeta sociale, do të tregoni aftësitë në punë dhe do të merrni vlerësim në fushën profesionale. Mos hyni në konflikte me njerëz më lart se ju. Këtë javë do të gjeni mbështetjen e duhur për të realizuar disa plane profesionale, por kujdes nëse kërkojnë një buxhet të madh. Në këtë rast lëreni pas datës 25. Kujdes në çështjet që kanë të bëjnë me investime apo një projekt të lidhur me fëmijët.


Bricjapi

Ka filluar një periudhë ku fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve do të ketë zhvillim dhe sukses, por për momentin gjërat janë në pritje. Pritshmëria juaj në këtë fushë s’mund të ketë ende suksesin që prisni. Do të merreni me çështje që lidhen me familjen, pronën, bashkëpunimet dhe disa prej tyre mund të mos ju bëjnë të ndiheni mirë dhe të merrni zgjidhjen që dëshironi. Kujdes në iniciativat që doni të merrni lidhur me pronën. Mos hidhni hapa të pasigurt dhe nëse hasni pengesa, vlerësojini.


Ujori

Jeni në një periudhë ku mendoni të bëni disa ndryshime në përditshmëri, ta organizoni sa më mirë duke hedhur një sasi parash, duke kërkuar një mbështetje që do të ndihmojë në organizimin e punës dhe përditshmërisë. Kjo mund të vijë në fund të javës, por disa mendime që keni dhe në disa kontakte me klientët, njerëzit e rrethit, mund të mos realizoni ato që doni. Këto gjëra zhbllokohen nga fundi i muajit. Fokusohuni te familja, shtëpia dhe do të keni libido shumë të lartë. Dalloni nevojat nga dëshirat tuaja. Kujdes në sferën financiare që lidhet me detyrimet ndaj të tjerëve.


Peshqit

Preokupimi juaj do të jenë çështjet me sferën financiare, një investim që doni të bëni dhe s’keni sasinë e duhur të lekëve. Të mirat i keni përpara dhe do ta gjeni mundësinë për të realizuar projektin tuaj krijues. Në jetën erotike, disa gjëra mund të prishin qetësinë shpirtërore. Do të bëni udhëtime të vogla dhe mund të takoni njerëz shumë interesantë dhe pozitivë në jetën personale. Kujdes në marrëdhëniet e çdo lloji dhe në bashkëpunime nga kjo javë e deri në fillim të gushtit. Të lindurit në ditët e para të shenjës do t’i kenë disa gjëra në antitezë, forcim të pozitave, por edhe konflikte.

Netanyahu nuk bën hapa pas: Do shkatërrojmë kapacitetet bërthamore të Iranit!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi në një reagim se shteti i tij do të sulmojë “çdo vend dhe çdo objektiv të regjimit të ajatollahëve”, nëse Teherani vazhdon të kërcënojë Izraelin me raketa balistike.

Ai nënvizoi se forcat izraelite tashmë i kanë dhënë “një goditje shumë të rëndë vendit kryesor të pasurimit të Iranit” dhe do të veprojnë përsëri, nëse do të jetë e nevojshme, për të shkatërruar kapacitetet bërthamore dhe balistike iraniane.

Netanyahu theksoi se sulmi i fundit kishte ndalur përkohësisht procesin e pasurimit të uraniumit në facilitetin kryesor të Natanzit dhe njësitë e prodhimit të raketave balistike në Esfahan.

“Ekziston një kërcënim i madh nga raketat balistike; ne kemi ndërmarrë veprime për të shkatërruar aftësitë e Iranit për prodhimin e raketave balistike”, tha ai, duke paralajmëruar se Izraeli është i gatshëm të shtrijë goditjet “në çdo pikë” të infrastrukturës bërthamore iraniane.

Deklarata e Netanyahut vjen menjëherë pas valës më të madhe ajrore dhe raketore të Izraelit kundër objektivave ushtarako-bërthamore iraniane, që sipas zyrtarëve izraelitë i ka shkaktuar Iranit humbje të konsiderueshme, përfshirë të paktën 78 të vrarë, midis tyre 20 fëmijë, dhe dëmtime në impiante si Natanz dhe Isfahan.

Përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit ka ndalur përkohësisht bisedimet bërthamore ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat sipas Teheranit tani janë “të pajustifikueshme” për shkak të mbështetjes së Perëndimit ndaj veprimeve ushtarake izraelite./ Zoom.al

Atentat me armë ndaj politikanëve, 2 të vrarë dhe 2 të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Minnesotën, ku përfaqësuesja shtetërore Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj Mark janë vrarë në një sulm me armë zjarri, ndërsa senatori John Hoffman dhe bashkëshortja e tij janë plagosur rëndë.

Sulmi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, konfirmoi vrasjen e çiftit Hortman gjatë një konference për shtyp, duke e cilësuar atentatin si një akt tronditës dhune politike.

Të dy ligjvënësit e sulmuar janë pjesë e Partisë Demokratike–Farmer–Labor të Minnesotës, raportoi CNN.

Sipas autoriteteve, agresori ende nuk është kapur. Shefi i policisë së Brooklyn Park, Mark Bruley, tha se disa persona janë ndaluar për t’u marrë në pyetje, por ende nuk ka arrestime zyrtare.

Autori përshkruhet si një burrë i veshur me jelek dhe elementë të tjerë që e bëjnë të ngjajë me një oficer policie. Ai dyshohet të jetë i armatosur dhe në lëvizje në këmbë.

Për shkak të situatës, policia e Brooklyn Park ka lëshuar një urdhër qëndrimi në banesë për të gjithë banorët brenda një rreze prej 3 miljesh nga fusha e golfit Edinburgh, duke këshilluar qytetarët të mos hapin derën për askënd pa konfirmim zyrtar./ Zoom.al

Parashikimi i motit: Temperatura përvëluese edhe nesër

Ditën e diel vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin.


Era me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, në lugina dhe bregdet hera-herës fiton shpejtësi deri në 14 m/s.


Deti do të jetë me valëzim 1- 3 ballë.

Deklarata e fortë e Sveçlës: Serbia po përdor shtetas të Kosovës për destabilizim

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Serbia ka angazhuar shtetas të Kosovës në institucionet e saj të sigurisë dhe inteligjencës, veprim që ai e ka cilësuar si shkelje të ligjeve të Kosovës dhe cenim të sigurisë kombëtare.

Në një postim në Facebook, Sveçla theksoi se këto veprime janë pjesë e përpjekjeve sistematike të Serbisë për destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.


“Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por edhe një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror”, shkroi ai.

Në këtë kuadër, ministri Sveçla bëri të ditur se ka marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për shtetasin Nikola Vujović, i cili rezulton të jetë pjesëtar i forcave policore të Serbisë, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare të vendit.

“Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj. Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, shtoi Sveçla./ Zoom.al

Tmerr në Tiranë/ Shoferi përplas 5 këmbësorë dhe arratiset

Një ngjarje e rëndë është shënuar në rrugën “Halit Haxhija” në Tiranë, ku një 39-vjeçar ka përplasur 5 kalimtarë, përpara se të braktiste automjetin dhe të largohej nga vendngjarja.

Sipas policisë, i dyshuari, i identifikuar me inicialet P. B., po kryente manovra të rrezikshme me makinën, kur humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke goditur lehtë pesë persona që ndodheshin në trotuar.

Pas incidentit, drejtuesi i mjetit është larguar menjëherë, duke braktisur automjetin, ndërsa forcat e policisë kanë shpallur në kërkim 39-vjeçarin. Të dëmtuarit, pas ekzaminimeve mjekësore, kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar në banesë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit./ Zoom.al

Trump autorizoi sulmin ndaj Iranit?

Donald Trump po ecën në një linjë të hollë teksa pretendon se ka qenë plotësisht në dijeni të planeve të Izraelit për të ndërmarrë sulme ajrore masive ndaj Iranit, ndërkohë që vijon të distancohet nga këto sulme dhe të mohojë çdo përfshirje aktive të Uashingtonit në përgatitjet për to.

Mesazhet nga Shtëpia e Bardhë kanë ndryshuar shpejt – nga përshkrimi i sulmit nga senatori Marco Rubio si një “veprim unilateral” i Izraelit, në deklaratën e Trump-it të premten në mëngjes se ai ishte i përfshirë plotësisht në operacion dhe se sulmi erdhi pas një ultimatumi 60-ditor që i kishte dhënë Iranit për të arritur një marrëveshje për programin e tij bërthamor.

“Sot është dita e 61-të,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social. “Unë i thashë [Iranit] çfarë të bënte, por ata thjesht nuk arritën ta bëjnë.”

Kjo qasje e Trump e paraqet situatën si një lojë “polici i mirë/polici i keq” mes tij dhe Benjamin Netanyahut, kryeministrit izraelit me të cilin ka pasur një marrëdhënie të trazuar. Tani, presidenti amerikan po përpiqet të paraqesë sulmet izraelite – të cilat ai publikisht tha se nuk i dëshironte të enjten – si pjesë të përpjekjeve të tij për ta shtyrë Iranin të negociojë.

“Ata duhet të vijnë tani në tryezë për të bërë një marrëveshje, përpara se të jetë tepër vonë,” tha Trump.

Megjithatë, përgjigjja e çrregullt e SHBA-së ndaj këtyre sulmeve – përfshirë deklaratën e Rubio-s, evakuimin e nxituar të disa personave të personelit amerikan nga rajoni dhe pasigurinë mbi ndihmën e mundshme të SHBA-së me inteligjencë apo përfshirje në mbrojtjen e Izraelit ndaj një kundërsulmi të mundshëm – ka ngritur dyshime se ndoshta Izraeli ka vepruar përpara me qëllim që t’i impononte një fakt të kryer administratës Trump.

Elliott Abrams, ish-diplomat dhe studiues në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë sugjeroi se Izraeli shtyu më fort për sulme, ndërkohë që administrata Trump kërkonte të ruante një rrugë diplomatike. “Izraelitët goditën dhe sot Trump e quajti ‘të shkëlqyer’.”

Edhe pse Izraeli kishte njoftuar SHBA-në paraprakisht për sulmin, pohimet në media shtetërore izraelite se çdo gjë ishte koordinuar plotësisht me Uashingtonin janë vënë në pikëpyetje. A ishte Trump realisht në dijeni, apo po përpiqet tani të ripozicionohet, duke e paraqitur ndërhyrjen si pjesë të një strategjie të qartë?

Të enjten, në deklaratat e bëra nga Salla Lindore e Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se një sulm i mundshëm ndaj Izraelit mund të “shpërthente” përpjekjet e tij diplomatike për të negociuar me udhëheqësinë iraniane dhe deklaroi se “nuk dëshironte që ata [izraelitët] të ndërhynin”. Ai mbrojti vendimin për të nisur evakuimin e personelit, duke thënë se një sulm “mund të ndodhte fare mirë”.

“SHBA nisi evakuimin vullnetar të personelit jo-thelbësor të mërkurën, vetëm 24 orë përpara, jo kohë e mjaftueshme për të nxjerrë njerëzit nga rreziku,” tha Rosemary Kelanic, drejtoreshë për Lindjen e Mesme në think-tank-un Defense Priorities. “Pyetja për mua është: çfarë dinte presidenti dhe kur e mësoi atë?”

Të premten, Trump i tha Wall Street Journal se nuk ishte kapur në befasi nga sulmi: “Paralajmërim? Nuk ishte paralajmërim. Ishte: ne e dimë çfarë po ndodh.” Ai shtoi se ishte informuar edhe për planet e ardhshme izraelite, duke shkruar se “sulmet e tjera tashmë të planifikuara” do të jenë “edhe më brutale”.

Zyrtarë të lartë izraelitë nisën të informonin mediat se Trump vetëm kishte bërë sikur kundërshtonte sulmin dhe në fakt kishte dhënë “dritën jeshile” për të. Por ekspertë si Kelanic theksojnë se Izraeli mund të jetë duke kërkuar mënyra për ta “tërhequr” SHBA-në në një konflikt të drejtpërdrejtë.

Gjithsesi, është e vështirë të besohet se Izraeli mund të ketë përgatitur një sulm të këtij niveli brenda një jave pa dijeninë e SHBA-së.

Agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, do të kishin vënë re përgatitjet për një sulm ajror të përmasave të tilla – më shumë se 200 avionë luftarakë izraelitë që goditën mbi 100 objektiva në të gjithë Iranin – dhe me gjasë do të kishin kuptuar se po përgatitej një sulm i madh ndaj Teheranit.

Të enjten vonë, zyrtarë të administratës i thanë Fox News se SHBA kishte furnizuar sërish Izraelin me raketa për sistemin mbrojtës Iron Dome javët e fundit, në pritje të një kundërsulmi të mundshëm.

Gjithashtu, SHBA kishte vendosur bombarduesit B-52 në bazën ajrore në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian, ku ndodhen edhe bombardues B-2 që nga fundi i marsit. Këta të fundit kishin marrë pjesë në sulmet ndaj rebelëve Houthi në Jemen më herët këtë vit, por baza mund të shërbejë gjithashtu si pikënisje për sulme ndaj Iranit në rast se SHBA përfshihet në konflikt.

Megjithatë, ka edhe shpjegime të tjera për furnizimin e Iron Dome-it me raketa, sidomos pas breshërisë së paprecedentë të raketave balistike që Irani lëshoi ndaj Izraelit vitin e kaluar.

SHBA gjithashtu mund të përdorë B-2 dhe B-52 për të goditur objektiva strategjikë si qendra e pasurimit të uraniumit në Fordow, e cila ndodhet thellë nëntokë dhe duket se nuk është goditur në sulmet e së premtes në mëngjes. Kjo qendër, ende e paprekur, mbetet një element i rëndësishëm i programit bërthamor të Iranit – të paktën për këtë raund të parë të sulmeve izraelite./ The Guardian