Aplikacion
Një ministër i qeverisë Rama është zyrtarisht nën hetim. Deklarimi vjen zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme, në regjistrin e Transparencës, ku për muajin Prill, SPAK thotë se “një ministër është nën hetim”.
Pyetja dërguar SPAK ishte sesa ministra të qeverisë janë aktualisht nën hetim. Kjo është hera e parë që SPAK njofton më herët sesa faza e caktimit të masës së sigurimit se një ministër është nën hetim. Në çdo rast tjetër, personat e thirrur nga SPAK kanë njoftuar se janë thirrur si persona në dijeni.
Ndërkohë, Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera për procedimin në fjalë, apo emrin e ministrit/es që po hetohet. Mbetet për tu parë si do të vijohet me këtë çështje, por duket se edhe vera do të jetë e nxehtë./DOSJA.al
Sylvinho flet për përmirësim të Kombëtares, Artan Hoxha ironizon: Vetëm biletat janë rritur!Pas barazimit 1-1 të Shqipërisë ndaj Letonisë dhe penalltisë së humbur në ndeshjen kundër Serbisë, trajneri Sylvinho deklaroi se ekipi është në progres. Por jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim.
Gazetari Artan Hoxha reagoi me ironi në një postim në Facebook, duke u shprehur se e vetmja gjë që ka pësuar rritje kohët e fundit është çmimi i biletave për ndeshjet e Kombëtares. Sipas tij, kjo rritje është e pajustifikuar për një popullsi që ndodhet mes më të varfërve në Europë.
“E vetmja gjë që ka shkuar në stratosferë është çmimi i biletave për tifozët shqiptarë, duke u shfrytëzuar pasioni për Kombëtaren,” shkruan Hoxha, duke kundërshtuar pretendimin e Sylvinhos se skuadra është në rritje.
Në reagime të tjera, ish-sulmues të Kombëtares dhe analistë sportivë kanë vënë në dyshim formën aktuale të ekipit, duke thënë se pas kualifikimit në Euro 2024, niveli i lojës ka rënë ndjeshëm dhe barazimi me Letoninë ishte pa ngarkesë emocionale apo cilësi.
Shqiptari bëhet hero në Greqi/ Shpëton nga mbytja dy fëmijë të miturNjë emigrant shqiptar në Greqi është shpallur hero për një akt guximi që i shpëtoi jetën dy fëmijëve në zonën e Artës.
Ngjarja ndodhi në mëngjes në lumin Arahthos, në Neohori, kur katër fëmijë ishin pranë lumit dhe dy prej tyre vendosën të futeshin në ujë. Papritur ata u zhdukën nga sytë e shokëve që ndodheshin në breg.
Një nga fëmijët vrapoi të kërkonte ndihmë në një lokal aty pranë. Klientët reaguan menjëherë dhe shkuan drejt lumit, mes tyre edhe Levian Gega, emigranti shqiptar që jeton prej vitesh në këtë zonë. Zona ku ndodhi ngjarja është e njohur për thellësinë e madhe të ujit, që në disa vende shkon deri në 8 metra.
Banorët e zonës organizuan menjëherë një aksion shpëtimi me mjetet që kishin në dispozicion, duke përdorur varka dhe litarë. Leviani u hodh pa hezitim në ujë, pasi kishte hequr rrobat. Ai arriti të nxjerrë një nga fëmijët dhe më pas, pas përpjekjesh të shumta dhe me vështirësi të mëdha, edhe fëmijën e dytë. Në një rrëfim emocional për mediat lokale, ai tha me lot në sy:
“Hoqa rrobat dhe u hodha. E kapa njërin, pastaj kërkova tjetrin. Ishte thellë, u zhyta, e pashë, e kapa me vështirësi… mezi merrja frymë.”
Leviani shtoi se për të nuk ka rëndësi që është i huaj: “Bëra vetëm një të mirë. Uroj që këta fëmijë të jetojnë, Perëndia të jetë me ta. Ishin vetëm fëmijë, njëri vetëm 12 vjeç.”
Pas shpëtimit, të dy fëmijët u dërguan pa ndjenja në spitalin e Artës, ku mjekët bënë gjithçka për t’u rikthyer jetën. Më pas, për shkak të gjendjes së tyre të rënduar, ata u transferuan në spitalin universitar të Rios, në Patra. Njëri nga fëmijët kishte dëmtime serioze në tru dhe mushkëri, si dhe një frakturë në qafë. Gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë, por mjekët po bëjnë maksimumin për t’i mbajtur në jetë.
Gjendet një person i pajetë/ Dyshohet se është qëlluar me thikëGjendet një person i pajetë në fshatin Xibër-Murrize të Klosit.
Nuk dihen rrethanat. Mësohet se personi i gjetur është rreth 65 vjeç.
Dyshohet se shtetasi S.V është qëlluar me thikë afër banesës së tij.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga Policia.
Ne mund të jemi gjenerata e fundit që jemi rritur me xixëllonjatXixëllonjat, simbol i verës dhe magjisë së fëmijërisë për shumë prej nesh, po përballen me një rrezik real zhdukjeje.
Një rishikim global paralajmëron se këto insekte të ndritshme, me mbi 2 000 lloje të njohura po zhduken në heshtje dhe me shpejtësi shqetësuese.
Pse po zhduken?
Ekspertët identifikojnë disa arsye kryesore që po kontribuojnë në rënien e popullatës së xixëllonjave:
-Humbja e habitatit për shkak të urbanizimit dhe bujqësisë intensive
-Ndotja që po pengon sinjalet e çiftëzimit
-Përdorimi i pesticideve që helmojnë edhe larvat
-Ndryshimet klimatike
Më shumë se thjesht një kujtim nostalgjik
Xixëllonjat nuk janë vetëm një pjesë e fëmijërisë apo verës, ato janë polenizues natyrorë. Për më tepër, ato mbartin një vlerë kulturore dhe historike të pazëvendësueshme.
Zhdukja e tyre nuk do të thotë vetëm humbja e një drite të vogël në errësirë, por edhe humbja e një pjese të trashëgimisë sonë natyrore dhe kulturore.
Regjistrohet rasti i parë me linë e majmunit në ShqipëriRegjistrohet rasti i parë me linë e majmunit në Shqipëri.
Sipas mediave pacienti është një i ri 32-vjeçar, i cili ka ardhur nga Italia në Shqipëri. I riu është ndjekur nga mjekët e spitalit infektiv, por nuk është hospitalizuar, pasi ka paraqitur vetëm shenja në lëkurë dhe jo problematika të tjera shëndetësore.
Specialistët kanë bërë hetim epidemiologjik dhe nuk ka rezultuar asnjë rast tjetër i konfirmuar.
Aktualisht, 32-vjeçari rezulton i shëruar nga lia e majmunit.
Specialistët thonë se një person i infektuar mund të transmetojë sëmundjen nga dita e parë deri në 3 javë. Rikuperimi zgjat nga 2 deri në 4 javë.
Lia e majmunit i përket së njëjtës kategori virusesh si lia, por shkakton simptoma më të lehta, si ethe, të dridhura dhe dhimbje trupi. Njerëzit e prekur më rëndë mund të kenë shenja në fytyrë, duar, gjoks dhe organet gjenitale.
Të gjithë personat e vaksinuar deri në vitet ’80 për linë e zezë janë të mbrojtur edhe nga lia e majmunit. Ekspertë të shëndetit publik thonë se kjo vaksinë, e cila është përdorur në popullatën shqiptare, krijon mbrojtje për popullatën.
Muzika në zi/ Ndahet nga jeta këngëtari ikonëNjë nga ikonat më të mëdha të muzikës pop amerikane, Brian Wilson, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.

Lajmin e trishtë e ka konfirmuar familja e tij përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.
“Me zemër të thyer njoftojmë se babai ynë i dashur Brian Wilson ka ndërruar jetë. Nuk gjejmë fjalë tani. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë në këtë kohë, ndërsa familja jonë është në zi. E kuptojmë se po e ndajmë hidhërimin tonë me botën. Dashuri dhe mëshirë.”
I njohur si shpirti vizionar dhe forca krijuese pas grupit legjendar The Beach Boys, Wilson krijoi disa nga këngët më të paharrueshme të historisë së muzikës. Me një tingull unik që kombinonte gëzimin rinor me një melankoli të thellë, ai përkufizoi tingullin dhe shpirtin e Kalifornisë së mesit të shekullit XX.
Në kulmin e karrierës së tij, Wilson shkroi dhe prodhoi albumin e vitit 1966, Pet Sounds, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga albumet më të mëdha të të gjitha kohërave – një kryevepër muzikore që ndikoi thellësisht në artistë si The Beatles dhe shumë të tjerë.
I lindur në vitin 1942 në Inglewood, Kaliforni, Wilson u dallua që herët si një muzikant me ton të përsosur, duke demonstruar talent të rrallë që foshnjë. Ai dhe vëllezërit e tij Carl dhe Dennis, së bashku me kushëririn Mike Love dhe mikun Al Jardine, formuan më vonë grupin që do të bëhej The Beach Boys. Nën mbështetjen – por edhe presionin – e të atit të tyre, Murry Wilson, grupi u hodh në skenën muzikore amerikane në fillim të viteve ’60.
Kënga e parë e Wilson me grupin ishte “Surfin’” (1961), e ndjekur nga hite të mëdha si “Surfin’ Safari”, “Surfer Girl” dhe “Surfin’ USA”, e cila arriti në vendin e tretë në listat amerikane dhe u bë një prej këngëve më përfaqësuese të epokës.
Pavarësisht suksesit artistik, jeta e Brian Wilson nuk ishte e lehtë. Ai vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte pjesërisht i shurdhër në njërin vesh – një dëmtim që besohet të ketë ardhur nga një incident në fëmijëri. Megjithatë, pengesat nuk e ndalën atë të krijonte një katalog të jashtëzakonshëm muzikor, që vazhdon të frymëzojë brez pas brezi.
Trashëgimia e Brian Wilson është e pamatshme – një mjeshtër i melodisë, harmonisë dhe emocioneve, që transformoi muzikën pop në art të vërtetë.
U plagos me plumb në kokë në Itali, ndërron jetë në spital ish-policiIsh-polici shqiptar, Fatos Cenaj pas tre ditësh në luftë me jetën nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të marra.
58-vjeçari u plagos më 8 qershor me plumb në kokë në Itali. Shkaqet e plagosjes për vdekje të Cenajt ende nuk dihet ndërsa Prokuroria e Padovës dyshon për atentat nga një vrasës me pagesë për hakmarrje për shkak të konflikteve në Shqipëri.
“Ai nuk ka pasur kurrë probleme me askënd,” thonë familjarët. Prokuroria e Padovës ka hapur një hetim për vrasje të mbetur në tentativë, një mjek ligjor do të caktohet për të kryer analiza mbi plagët në kokë dhe trajektoren e të shtënave.
Skanimi i kryer në spital kur Fatos Cenaj u shtrua në spital zbuloi dy plagë, një hyrje dhe një dalje. Plumbi ka hyrë pas veshit dhe ka dalë nga balli. Pra, nga poshtë lart, por gëzhoja mungon dhe për këtë arsye arma ende nuk është përcaktuar, nuk dihet nëse është pistoletë apo pushkë gjuetie.
Motivi është gjithashtu ende i panjohur, nuk përjashtohet që 58-vjeçari të jetë goditur aksidentalisht nga një plumb qorr i qëlluar nga dikush që po testonte një armë në zonë. Ajo që hipotetizohet është se Fatos Cenaj gjatë karrierës së tij ka shqetësuar ndonjë krimineli të profilit të lartë, i cili, vite më vonë, organizoi dikë për t’u hakmarrë ndaj tij.
Hetuesit po përpiqen përmes një aktiviteti të kujdesshëm teknik të përgjojnë të gjitha linjat telefonike që në kohën e tentativës së vrasjes kishin qenë të lidhura me qelizat e Fontaniva dhe konkretisht ato në afërsi të Via Casoni Basse. Një zonë ku është e lehtë të arrish me makinë dhe të largohesh i pashqetësuar.
I prangosur me kokën ulur/ Vëllai i Nuredin Dumanit mbërrin në Shqipëri (Pamjet nga Rinasi)Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 2 shtetas të shumëkërkuar, pjesëtarë të një organizate kriminale që akuzohet nga GjKKO, për kryerje të krimeve të rënda.
Njëri prej tyre është Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
-Dashnor Dumani, 40 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se:
٠në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
٠në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;
Ndërsa personi i dytë është Arnis Stafa, i cili dyshohet se pastronte paratë e vëëlezërve Çopja.
-Arnis Stafa, 36 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
2 shtetasit u kapën nga policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
https://www.facebook.com/share/v/19bPkWL4qL/?mibextid=wwXIfr
“Një tjetër hap drejt anëtarësimit në BE”, Shqipëria gati për Grupkapitullin 4 me bllokunShqipëria ka bërë një tjetër hap përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Me anë të një njoftimi për mediat kryeministria bën me dije se sot, më 11 qershor 2025, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së ka dhënë dritën jeshile për hapjen e negociatave mbi Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Sipas kryeministrisë, ky vendim vjen pasi u konstatua se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për të nisur këtë fazë të rëndësishme të negociatave.
Negociatat do të zhvillohen në Konferencën e Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, data e së cilës do të bëhet publike së shpejti nga Presidenca e Këshillit të BE-së”, thotë kryeministria.
Njoftimi i Kryeministrisë:
Shqipëria edhe një hap tjetër para në rrugën e suksesshme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përvijohet rruga për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhjae Qëndrueshme
11 qershor 2025
Sot, më 11 qershor 2025, pasi ka konstatuar se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për të hapur negociatat, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të BashkimitEvropian.
Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;
Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;
Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane; ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.
Përmes negociatave të këtyre kapitujve, Shqipëria pritet të bëjë hapa konkretë drejt ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, përmirësimit të ndërlidhjes rajonale dhe evropiane, garantimit të furnizimit me energji të pastër dhe të përballueshme, si dhe mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e ardhshme.
Ky është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe transformimin e pandalshëm të ekonomisë shqiptare në rrugën drejt familjes evropiane.
Ky vendim i Bashkimit Evropian konfirmon ecurinë e suksesshme të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Ai është një tregues i qartë i përparimit të prekshëm në përmbushjen e reformave ekonomike, i përgatitjes dhe aftësive të të gjitha institucioneve shqiptare dhe aktorëve ekonomik, si dhe Ekipit Kombëtar të Negociatave për anëtarësim, por njëkohësisht përforcon besimin se Bashkimi Evropian mbështet një proces zgjerimi të drejtë dhe të besueshëm, të bazuar në rezultate konkrete, të matshme dhe përmbushje të standardeve evropiane.