zoom

Day ArchiveNjë rrugë e dy punë/ Pas ceremonisë për dëshmorët, Taulant Balla shkon në stadium dhe ndjek ndeshjen

Ministri i Mbrojtjes Taulant Balla zhvilloi një vizitë të dyfishtë në Letoni duke përmbushur si detyrimet zyrtare, ashtu edhe pasionin personal për sportin.

Fillimisht, ministri Balla mori pjesë ditën e djeshme në një ceremoni përkujtimore për nder të dy dëshmorëve të atdheut, Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët humbën jetën më 6 maj 2019 gjatë një misioni ndërkombëtar në kuadër të NATO-s. Ceremonia, e mbajtur në Bazën Ushtarake Ādaži u zhvillua me nderimet më të larta ushtarake, duke përçuar mesazhin e respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e tyre.

Nisur nga kjo vizitë, Balla përfitoi të shihte edhe Kombëtaren përgjatë mbrëmjes së sotme.


Siç duket, agjenda e ministrit mori një kthesë më sportive. I pranishëm në stadium për të ndjekur një ndeshje futbolli, Balla dëshmoi se në Letoni mund të bësh edhe homazhe, edhe tifozllëk — mjafton të kesh kohën e organizuar mirë./ Zoom.al


Botërori vështirësohet për Shqipërinë/ Kuqezinjtë nuk fitojnë dot ndaj Letonisë, ndeshja mbyllet me barazim

Shqipëria ka barazuar 1-1 me Letoninë në transfertë, duke e komplikuar pozitën në Grupin K të Kualifikueseve të Botërorit 2026.

Sfida nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, që iu afruan disa herë zonës së njëra-tjetrës, teksa rasti më i pastër erdhi për vendasit në minutën e 21’, me Ikaunieks që humbi një penallti, pasi u ndal nga Strakosha.

Pas tetë minutash, kuqezinjtë kaluan në avantazh me anë të një autogoli të Cernomordijs pas një karamboli në zonën e vendasve.

Në fundin e pjesës së parë, pas një përgjumje të mbrojtjes kuqezi, ishte pikërisht ai që shënoi autogolin, Cernomordijs, i cili barazoi sfidën.

Pjesa e dytë nuk solli shumë raste të pastra, me vendasit që kishin vetëm një qëllim, të ruanin rezultatin, gjë të cilën e arritën.

Kështu Shqipëria ruan vendin e dytë me 5 pikë, një më shumë se Serbia e Letonia, por me dy ndeshje më shumë se serbët, teksa takimi i radhës do të jetë ai i 9 shtatorit kundër Letonisë në Tiranë.

REZULTATI: 

LETONI 1-1 SHQIPËRI

Reshje hekuri dhe re pluhuri/ Shkencëtarët bëjnë zbulimin e pazakontë

Imagjinoni një planet ku në vend të shiut të ujit bie hekur i shkrirë nga qielli. Tingëllon e çuditshme apo jo?! Kjo nuk është skenë nga një film fantastiko-shkencor, por një zbulim i fundit i shkencëtarëve në një sistem yjor të largët.

Nëse njerëzimi do të arrinte ndonjëherë të vizitonte këtë botë të çuditshme, një vështrim nga qielli do të mjaftonte për të kuptuar se moti atje është gjithçka përveçse i zakonshëm.

Astronomët kanë zbuluar re të dendur dhe të larta që mbulojnë atmosferën e planetit, jo prej avulli uji si në Tokë, por prej grimcash mineralesh, ku dyshohet se ndodhet edhe hekur. Dhe kur këto re çahen, hekurin nuk e ndalon askush të bjerë si shi në sipërfaqen e planetit.

Astronomët i zbuluan këto re të larta në atmosferë pasi drejtuan teleskopin hapësinor James Webb (JWST) drejt këtij sistemi yjor të ri, i cili ndodhet 307 vjet dritë larg në pjesën jugore të qiellit.

Ylli, i quajtur YSES-1, është shumë i ri në krahasim me Diellin tonë, vetëm një milion vjeçar në krahasim me 4.6 miliardë vjetët e Diellit. Ky yll rrethohet nga dy gjigantë gazi, të cilët janë ende në proces formimi dhe janë më të mëdhenj se Jupiteri, planeti më i madh në sistemin tonë diellor.

Shkencëtarët thonë se rinia e këtij sistemi e bën atë një objekt të shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth zhvillimit të hershëm të planetëve rreth yjeve të largët.

“Janë vetëm disa pak sisteme me shumë planete që janë fotografuar drejtpërdrejt. Këto janë laboratorë unikë për të testuar teoritë e formimit të planetëve, pasi ata janë formuar në të njëjtin mjedis. Të dy planetët janë ende në proces formimi, prandaj janë ende mjaft të ndritshëm që t’i zbulojmë,” shtoi ajo. “Drita që po shohim vjen nga formimi i tyre, teksa fillojnë të tkurren dhe kondensohen.”

Gjatë vëzhgimeve, ekipi u habit, ku dy planetë u shfaqën në teleskop, duke hedhur dritë kështu për dy botë paralele. Planeti më i largët, YSES-1c, është më i vogli dhe ka masë rreth gjashtë herë më të madhe se Jupiteri.

Teleskopi zbuloi re të larta në atmosferën e këtij planeti, por në vend të avullit të ujit si në Tokë, reja përbëhej nga grimca pluhuri silikat magnezi dhe ndoshta pak hekur.

Astronomët përshkruan këto vëzhgime si zbulimin e parë të drejtpërdrejtë të këtij lloji në një planet që rrotullohet rreth një ylli si Dielli.

Të dhënat shtesë zbuluan një disk materiali, përbërë nga triliona ton pluhuri, rreth planetit më të madh të brendshëm, YSES-1b, që ka masën rreth 14 herë më të madhe se ajo e Jupiterit. Gjetjet u botuan në revistën shkencore Nature.

Ndërkohë që shkencëtarët thonë se disku rreth planetit të brendshëm paraqet një “enigmë për teoritë e formimit, pasi të dy planetët duhet të jenë formuar në të njëjtin mjedis.

Një tjetër mister është pse një planet 16 milion vjeçar ka ende një disk rrotullues rreth vetes, ndërkohë që teoritë e formimit të planetëve sugjerojnë se pluhuri rreth planetit duhet të jetë stabilizuar brenda 5 milionë viteve të para./ Zoom.al

Shqipëria ndëshkohet në fundin e pjesës së parë. Kundërshtarët gjejnë rrjetën

Kombëtarja shqiptare ka pësuar një gol të hidhur në fundin e pjesës së parë ndaj Letonisë, duke lejuar barazimin në minutat shtesë. Ishte minuta 45+4′ kur Cernomordijs u ngjit më lart se të gjithë në një goditje këndi dhe me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin kuqezi.

Shqipëria kishte kaluar në avantazh në minutën e 29′ falë një aksioni të bukur dhe finalizimit të saktë nga Rey Manaj, por përqendrimi i munguar në fund të fraksionit të parë i kushtoi skuadrës së trajnerit Sylvinho.

45+5′ – Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e barabartë 1-1, ndërsa Shqipëria do të duhet të tregojë më shumë vendosmëri në pjesën e dytë për të rikthyer epërsinë./ Zoom.al

Gool! Kuqezinjtë në avantazh, zhbllokohet rezultati në Riga

Minuta e 28-të sjell festën për kuqezinjtë! Pas një aksioni të mirëndërtuar nga krahët është Arbër Hoxha ai që lëshon një krosim të rrezikshëm në zonë duke vënë në vështirësi mbrojtjen letoneze.

Topi devijohet në mënyrë fatale nga Cernomordijs, që e çon topin në rrjetën e vet dhe Shqipëria merr avantazhin e merituar në “Skonto Stadium”.

Një aksion që vërteton forcën e Shqipërisë në lojën në krah dhe presionin e vazhdueshëm në zonën kundërshtare.

Ndeshja vazhdon me rezultatin Letoni 0-1 Shqipëri, ndërsa kuqezinjtë janë në kërkim të fitores së tretë në grup./ Zoom.al

SUPER Strakosha/ Portieri i Kombëtares u pret penalltinë vendasve 

Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha bëhet protagonist absolut në minutën e 21-të të sfidës ndaj Letonisë, duke pritur një penallti të rrezikshme dhe duke mbajtur të paprekur portën kuqezi.

Pas një faulli të dyshimtë në zonë nga Kumbulla, arbitri akordoi penallti për vendasit. Por Strakosha lexoi drejt krahun e goditjes së Ikaunieks dhe reagoi me qetësi, duke shmangur disavantazhin për Shqipërinë.

Momenti ishte kyç, teksa kuqezinjtë po përpiqen të ruajnë ekuilibrin në një sfidë delikate dhe me shumë peshë për vazhdimësinë në kualifikueset e FIFA World Cup 2026.

Ndeshja vijon me rezultatin 0-0, ndërsa pritja e Strakoshës rrit moralin e skuadrës së drejtuar nga Sylvinho./ Zoom.al

Shpat Kasapi ndahet nga bashkëshortja?

Prej kohësh është përfolur se marrëdhënia e Shpat Kasapit dhe Selvije Jaos po kalon një krizë.

Mirëpo një postim i shpërndarë së fundmi nga vetë Selvija duket se konfirmoi çdo thashethem që po qarkullonte.

Ajo postoi në InstaStory një mesazh emocional, duke lënë të kuptohet se gjërat mes saj dhe këngëtarit kanë marrë fund dhe se po largohet nga Tirana.

Shpati dhe Selvija u martuan në mënyrë private në vitit 2021 dhe kanë një djalë së bashku, të quajtur Roel, lindur në 2022-shin./ Zoom.al


Çfarë pritet të ndodhë? Drejtoresha e Inteligjencës Amerikane paralajmëron për një “holokaust bërthamor”

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Amerikane (DNI), Tulsi Gabbard paralajmëroi për një “holokaust bërthamor“, teksa kritikoi ata që i quajti si “nxitësit e luftës” për sjelljen e botës “më afër pragut të shfarosjes bërthamore se kurrë më parë” në një video të postuar në mediat sociale të martën.

Në videon tre-minutëshe, Gabbard detajon një vizitë të kohëve të fundit në Hiroshima të Japonisë për të mësuar më shumë rreth pasojave të sulmit bërthamor të SHBA-së në qytet në vitin 1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Videoja përmban pamje të udhëtimit të Gabbard dhe pamje arkivore që tregojnë viktimat, të ndërthurura me Gabbard duke folur drejtpërdrejt para kameras rreth pasojave të një sulmi bërthamor.

Gabbard më pas paralajmëron se, për shkak se armët bërthamore të sotme janë më të forta se ato të përdorura nga SHBA-të në vitin 1945, “një armë e vetme bërthamore sot mund të vrasë miliona njerëz vetëm në pak minuta“.

Ky është realiteti i asaj që është në rrezik, me çfarë po përballemi tani“, thotë Gabbard në video. “Sepse ndërsa qëndrojmë këtu sot, më afër pragut të shfarosjes bërthamore se kurrë më parë, luftëdashësit e elitës politike po nxisin pa kujdes frikën dhe tensionet midis fuqive bërthamore.” Gabbard vijon duke sugjeruar se njerëzit e fuqishëm janë të sigurt se do të kenë qasje në “strehime bërthamore” dhe për këtë arsye nuk do të preken nga asnjë pasojë.

Varet nga ne, njerëzit, të flasim dhe të kërkojmë fundin e kësaj çmendurie. Ne duhet ta hedhim poshtë këtë rrugë drejt luftës bërthamore dhe të punojmë drejt një bote ku askush nuk duhet të jetojë me frikën e një holokausti bërthamor“, vazhdon ajo.

Nuk është e qartë se kur është bërë videoja, por Gabbard udhëtoi për në Japoni javën e kaluar, ku vizitoi një bazë ushtarake amerikane së bashku me ambasadorin e SHBA-së në Japoni, George Glass. Gabbard nuk e vizitoi Hiroshimën gjatë udhëtimit të saj të parë në Japoni si kreu i Inteligjencës Kombëtare Amerikane (DNI) në mars, sipas një njoftimi nga zyra e saj.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për sqarime në lidhje me videon, përfshirë nëse është bërë me burime qeveritare.

Komentet e Gabbard vijnë ndërsa administrata Trump vazhdon negociatat me Iranin për një marrëveshje bërthamore. Trump u tha gazetarëve të hënën se Irani hodhi poshtë një propozim të SHBA-së që do ta kishte ndaluar kombin nga pasurimi i uraniumit – karburant që mund të përdoret për të ndërtuar armë bërthamore.

Ish-kongresmenja demokrate dhe kandidatja presidenciale ka një histori të gjatë kritikash ndaj kundërshtarëve të luftës dhe paralajmërimesh për luftë bërthamore përpara se të mbështeste kandidatin e atëhershëm Donald Trump për president dhe të ndërronte parti vitin e kaluar. Gjatë nisjes së fushatës së saj presidenciale në vitin 2019, ajo paralajmëroi se bota është “në prag të luftës bërthamore” dhe ishte një avokate e fortë për forcimin e traktateve bërthamore ndërsa ishte në Kongres.

“Luftëtarët po përpiqen të na fusin në Luftën e Tretë Botërore, e cila mund të përfundojë vetëm në një mënyrë: shfarosje bërthamore dhe vuajtje e vdekje të të gjithë të dashurve tanë”, shkroi Gabbard në një postim në X në vitin 2023. “Zelensky, Biden, NATO, neokonservatorët e Kongresit dhe të medias janë të çmendur. Dhe ne jemi të çmendur nëse i lejojmë në mënyrë pasive të na çojnë në këtë holokaust si delet për thertore.”

Gabbard është kritikuar në rrjetet sociale për mesazhin e videos së saj, duke e akuzuar se po përhap “propagandën e Kremlinit”./ Zoom.al

Albin Kurti goditet me vezë në Skënderaj, pezullohen 3 efektivë policie

Tre efektivë të Policisë së Kosovës janë pezulluar për 72 orë për shkak të mungesës së reagimit, pasi eskorta e kryeministrit në detyrë Albin Kurti është goditur me vezë gjatë një vizite në Skenderaj.

Kurti qëndroi në Skenderaj për përurimin e një çerdhe, ndërsa vezët u hodhën nga persona deri tani të paidentifikuar.

Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani bëri përgjegjës Partinë Demokratike të Kosovës.

“Sulmet e Sami Lushtakut me vezë janë dëshmi që ju ka lagë baruti, po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK në Skënderaj e fatkeqësisht krejt PDK-në,”- shkroi ai.

Hetimet e mëtejme ndaj zyrtarëve policorë për shkelje të mundshme do të zhvillohen nga institucionet përkatëse kompetente./ Zoom.al

Del formacioni i Kombëtares, Silvinjo bën përsëri ndryshime

Shqipëria luan sot në Riga të Letonisë ndeshjen e saj të katërt në kualifikueset e Botërorit 2026.

Kuqezinjtë duhet të mposhtin me çdo kusht skuadrën vendase, në mënyrë që të mbrojnë vendin e dytë. Për ta bërë këtë, kuqezinjtë aspirojnë të arrijnë fitoren e parë në histori ndaj Letonisë, me të cilën të 5 takimet e mëparshme janë ndarë në barazim.

Ndërkohë është bërë publik formacioni zyrtar i Kombëtares sonë.

FORMACIONET ZYRTARE

Në repartin e mbrojtjes ka 3 ndryshime, Balliu në vendin e Hysajt, Ismajli në vendin e Ajetit dhe Kumbulla në vend të kapiten Berat Gjimshitit, i cili nuk luan për shkak të kartonave të verdhë./ Zoom.al