zoom

Day ArchiveVuçiç shpërthen ndaj gazetarëve, braktis konferencën për shtyp

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është përplasur këtë të diel me gazetarët gjatë një konference për shtyp.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë, Vuçiç “shpërtheu” ndaj njerëzve të medias, duke i qortuar për sjelljen e tyre pas një pyetjeje që nuk i pëlqeu.

Presidenti serb ishte duke komentuar sulmin ndaj Milosh Pavloviç, përfaqësues i lëvizjes “Studentët që duan të mësojnë”, duke e krahasuar me një incident të mëparshëm në Novi Sad, ku një studente u sulmua dhe iu thye nofulla.

“Më shpjegoni pse ata djem në Novi Sad qëndruan katër muaj në paraburgim, ndërsa këta që vepruan në mënyrë të organizuar, me qëllim dhe me vetëdije, përballen vetëm me akuza për pakujdesi…,”- u shpreh Vuçiç me tone të ashpra.

Ndërkohë, gazetarët ndërhynë dhe i thanë se dhe ata mund të japin shpjegime, po ky reagim nuk i pëlqeu aspak presidentit Vuçiç, i cili u largua furishëm nga salla.

 “Ju ende mendoni se kjo është për të qeshur. Ju, nga N1 dhe Nova S. Unë jo. Mësohu të sillesh më mirë, bir. Sjellje elementare. Nuk do të ishte keq,”- tha ai.

Pamjet e këtij momenti u postuan nga gazetarja Zhaklina Tataloviç,  duke e përshkruar situatën si të tensionuar dhe të pakëndshme.

“Vetëm shkëmbyem një shikim me @novinarupenziji dhe bëmë shenjë që mund të japim një shpjegim, por presidenti na bërtiti, u zemërua dhe u largua,”- shkroi ajo./ Zoom.al

11 maji, ISP: Mospërmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR cënoi standardet zgjedhore

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, demonstroi se mungesa e reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe rekomandimet e shoqërisë civile, cenoi standardet zgjedhore.

Kështu shprehet Instituti i Studimeve Politike në një deklaratë të shpërndarë, duke theksuar se KQZ duhet të unifikojë qëndrimet dhe vendimet lidhur me raste të njëjta, praktika të njëjta, denoncime të njëjta dhe dispozita të njëjta të Kodit Zgjedhor.

Sipas ISP-së, organet drejtuese të KQZ-së, bëjnë interpretime të ndryshme të dispozitave dhe fenomeneve të kundërligjshme të denoncuara.

Në qëndrimin e tij, ISP thekson gjithashtu se KQZ, duhet të rishikojë anktet nënligjore, lidhur me votën e diasporës, referuar edhe parregullsive në zgjedhjet e 11 majit.

Gjetje të tjera prioritare kanë të bëjnë me rolin e KQZ, rolin e SPAK në hetimet e krimit zgjedhor, rolin e qeverisë në procesin elektoral dhe praktikat abuzive të përdorimit të burimeve shtetërore, rolin e administratës zgjedhore, thuhet më tej në reagimin e ISP-së.

Sipas tij, dekriminalizimi nuk duhet të shihet vetëm në këndvështrimin e profilit të kandidatit, por më gjerë, si “dekriminalizim” i fushatave zgjedhore nga mbështetja e individëve të inkriminuar dhe financimeve informale e të gjitha rrethanave që kanë ndikuar dhe mbështetur këta individë në zgjedhje.

Deklarata

ISP vlerëson se zhvillimi i zgjedhjeve demonstroi se mungesa e reformës zgjedhore për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe rekomandimet e shoqërisë civile, e cila ka qenë aktive në zgjedhjet e fundit, cenoi standardet zgjedhore. ISP vlerëson se KQZ duhet të unifikojë qëndrimet dhe vendimet lidhur me raste të njëjta, praktika të njëjta, denoncime të njëjta dhe dispozita të njëjta të Kodit Zgjedhor. Janë zgjedhjet e treta që zhvillohen me këtë bazë ligjore dhe organet drejtuese të KQZ, bëjnë interpretime të ndryshme të dispozitave dhe fenomeneve të kundërligjshme të denoncuara. Gjithashtu rishikimi i akteve nënligjore të KQZ, në lidhje me votimin e shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit (votimi i diasporës) me qëllim hartimin e rregullave të qarta, të qëndrueshme dhe duke vlerësuar eksperiencat pozitive dhe negative të zgjedhjeve të fundit.

Gjetje të tjera prioritare kanë të bëjnë me rolin e KQZ, rolin e SPAK në hetimet e krimit zgjedhor, rolin e qeverisë në procesin elektoral dhe praktikat abuzive të përdorimit të burimeve shtetërore, rolin e administratës zgjedhore, etj.

Gjithashtu ekipi i ISP vlerëson se dekriminalizimi duhet të bëhet jo vetëm për figurën e individit që kandidon, por duhet parë më gjerë si “dekriminalizim” i fushatave zgjedhore nga mbështetja e individëve të inkriminuar dhe financimeve informale e të gjitha rrethanave që kanë ndikuar dhe mbështetur këta individë në zgjedhje. Partitë politike duhet të organizojnë procese të brendshme demokratike, transparente dhe gjithëpërfshirëse në përzgjedhjen e kandidatëve për funksionet publike.

Tragjike/ 24-vjeçarja bie në xhakuzi dhe pëson djegie në gjithë trupin, ndërron jetë pas 6 ditësh në spital

Një vajzë 24-vjeçare në Brazil vdiq në një aksident të tmerrshëm pasi i ra të fikët dhe ra në një vaskë me ujë të nxehtë, duke pësuar djegie të shkallës së tretë në të gjithë trupin.

Gabrielle Christine Barreto de Freitas u shtrua në spital për gjashtë ditë, me trupin e mbuluar me fasha, por ajo vdiq pasi pësoi një atak në zemër.

Tragjedia ndodhi në një hotel në qytetin e Curitibas, ku 24-vjeçarja kishte shkuar me një mik.

Sipas motrës së 24-vjeçares, shoku i saj e ktheu çelësin e ujit të nxehtë të xhakuzit në temperaturë të lartë dhe shkoi në shtrat. Në një moment, ai dëgjoi 24-vjeçaren teksa rrëshkiti dhe ra në ujë. Kur ai arriti në xhakuzi, lëkura e vajzës kishte filluar t’i binte nga trupi.

“Nuk e dimë se si vdiq Gabrielle. Askush nuk na dha përgjigje. Ata thjesht na thanë se ajo pësoi një atak kardiak dhe ndërroi jetë”, tha motra e 24-vjeçares.

Policia po heton rrethanat e vdekjes së 24-vjeçares, ndërsa avokati i familjes së saj kërkon që të inspektohen ambientet e hotelit për të parë nëse termostati ishte me defekt.

24-vjeçarja fatkeqe ishte nëna e një djali 5-vjeçar, i cili tani jeton me gjyshen e tij.

Sara Hoxha harron Ledri Vulën, nis romancën me djalin e ish-guvernatorit Fullani

Sara Hoxha duket se ka nisur një histori të re dashurie pas ndarjes me reperin, Ledri Vula.

Fillimisht u raportua se ajo kishte nisur një lidhje me një djalë shumë të njohur në rrethet e Tiranës, por duket se tani kemi një ide se për kë bëhet fjalë.

“Sekretin” e ka zbuluar Instagrami.

Në të njëjtin vend, duke shijuar detin në këtë fundjavë, Sara Hoxha është parë me Erik Fullanin, djalin e ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin.

Ai ka publikuar një foto nga bregu i detit, ndërsa nga i njëjti vend ka publikuar edhe Sara.

Kaq ka mjaftuar që në rrjet të nisin aludimet se dyshja mund të jenë në një romancë me njëri-tjetrin, por nuk përjashtohet as mundësia që mund të kenë shkuar bashkë si pjesë e një grupi shoqëror.

Megjithatë ka raportime se dyshja janë parë bashkë prej muajsh dhe tashmë kanë nisur që të frekuentojnë hapur të njëjtat vend.

Mesa duket, Sara ka nisur një romancë të re pas ndarjes nga reperi Ledri Vula, me të cilin ka edhe një vajzë, të quajtur Poem.

Ky mesazh që u vjen në celular nga Posta Shqiptare është mashtrim, u vjedhin të dhënat bankare

Ditët e fundit, qytetarë të shumtë në Shqipëri kanë marrë mesazhe me linqe të dyshimta, të kamufluara si Posta Shqiptare.

Synimi është vjedhja e të dhënave bankare të qytetarëve, për t’u grabitur më pas shumat e lekëve që kanë në llogaritë e tyre.

“Për shkak të informacionit të paplotë të adresës, dërgesa juaj nuk mund të dorëzohet. Ju lutem plotësoni të dhënat e sakta dhe kryeni pagesën e tarifës së shërbimit për ridërgimin nëpërmjet lidhje zyrtare më posht: 

Ky veprim është i domosdoshëm për të vazhduar me procesin e dorëzimit. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj! Posta Shqiptare”, thuhet në mesazhin që u ka mbërritur qytetarëve, shoqëruar me linkun përkatës.

Mbi rastin në fjalë ka ardhur një reagim edhe nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), e cila thotë se ka ndërmarrë masa për të bllokuar këtë skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme.

Sipas AKSK-së, domaini i dyshuar është raportuar dhe i është dërguar për bllokim pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Njoftimi:

KUJDES: Mos bini pre e mashtrimeve online!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.
Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP.

Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare.

Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta!

AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.

Shqipëri-Serbi/ “The Guardian”: Detajet e një ndeshje thriller

Shqipëri-Serbi u mbyll pa gola, por asnjëherë nuk mund të thuash se sfida përfundoi në paqe. “The Guardian” ka bërë një artikull për ndeshjen, ku tregon me detaje gjëra që ndodhën para, gjatë, e pas sfidës.

Prestigjiozja e njohur nuk heziton të tregojë gjithçka, që nga atmosfera në stadium, ndërprerjet e ndeshjes, sharjet e tifozëve, penalltia e humbur e Manajt e deri te vërshëllima e fundit e arbitrit.

Artikulli i plotë nga “The Guardian”:

Brenda “Arenës Kombëtare”, mbi 20,000 tifozë mbajtën frymën dhe përqendruan çdo grimcë vëmendjeje tek Rey Manaj. Jashtë, mijëra të tjerë që kishin mbushur Tiranën gjatë gjithë ditës, disa duke pritur në radhë nëpër kufij dhe më pas duke vrapuar drejt bareve apo ekraneve publike për të ndjekur ndeshjen, shtrënguan gotat e birrës në duar. Shqipëria kishte fituar një penallti dhe askujt nuk i interesoi nëse ajo ishte e dyshimtë. Nëse Manaj do të ruante qetësinë, ndoshta më në fund do të lindte një hero i futbollit dhe mallkimi që kishte rënduar mbi këtë përballje do të zhdukej njëherë e mirë.

Manaj u drejtua për të gjuajtur, ndoshta pak më i ngrirë nga sa duhej, dhe iu afrua topit ballë për ballë. Nëse kishte nevojë për një kujtesë të kontekstit, mjaftonte të dëgjonte jehonën e thirrjeve “Serbia, Serbia, …. motrën” që kishin qenë banda zanore e ditës dhe sapo ishin ndalur pak para se ai të merrte hapin vendimtar. Goditja ishte e ulët, shumë afër portierit serb Djordje Petrovic, i cili e priti pa shumë vështirësi. Menjëherë pas kësaj u dëgjua vërshëllima e pjesës së parë, ndërsa delegacioni serb zbriti me nxitim në fushë për të përqafuar portierin e tyre. Për Manajn, ajo që mbeti ishte vetëm një imazh i ngrirë i një momenti që nuk arriti ta përmbushte.

Në fund, kjo ndeshje arriti ta kalojë një provë të madhe, por vetëm me shumë vështirësi dhe jo pa pasoja të mundshme. Barazimi pa gola ishte gjithnjë rezultati më i sigurt për të ruajtur paqen dhe, duke pasur parasysh takimin katastrofik të këtyre dy skuadrave në Beograd gati 11 vite më parë, suksesi i vërtetë ishte përfundimi pa incidente. Nuk pati dronë që të thyenin sigurinë e rreptë, nuk pati përleshje që të vazhdonin në orët e vona të një nate të ngarkuar, të nxehtë dhe të tensionuar. Askush nuk mund të mburrej se kishte përmbysur rrjedhën e ngjarjeve, as në fushë dhe as jashtë saj.

Megjithatë, delegati i ndeshjes nga UEFA, ish-shefi i policisë zvicerane Jacques Antenen, kishte mjaft për të menduar teksa kalonte nëpër tribunë gjysmë ore pas përfundimit dhe ulej për të diskutuar me kolegët nga FIFA. Ai ishte zgjedhur enkas për eksperiencën e tij me ngjarje me rrezik të lartë, dhe duket se kishte shumë për të raportuar kur në minutën e 65-të, arbitri Davide Massa ndaloi ndeshjen për herë të tretë.

Objekte të ndryshme kishin rënë herë pas here mbi lojtarët serbë nga tribuna lindore e stadiumit, duke detyruar zërin e stadiumit të bënte thirrje për qetësi kur Sasa Lukic u godit ndërsa po përgatitej të gjuante një këndore. Pak para minutës së 60-të, Strahinja Erakovic u godit afër vijës anësore, dhe pasoi një thirrje tjetër për ndalim. Kur edhe Andrija Zivkovic u prek në mënyrë të ngjashme, sinjalet paralajmëruese ishin të qarta.

Massa në dy raste duket se i kërkoi skuadrave të largoheshin nga fusha, por më pas zgjodhi të bisedonte gjatë me lojtarët e të dyja palëve pasi i mblodhi në qendër të fushës. Kjo përfundoi me ndërhyrjen e kapitenit shqiptar Berat Gjimshiti, i cili iu afrua sektorit nga ku kishin ardhur sendet. Policia ndërhyri menjëherë për të parandaluar përsëritjen, dhe pjesa e mbetur e ndeshjes kaloi në qetësi relative. Në fund, Massa meriton vlerësim për mënyrën si menaxhoi një situatë të papranueshme, duke kuptuar se një vendim më ekstrem mund ta kishte përkeqësuar situatën.

Kështu, një paqe e brishtë do të vazhdojë deri në tetor, kur këto dy kombëtare do të përballen sërish, dhe Serbia do të ketë për detyrë të përmbahet vetë nga elementët e saj të rrezikshëm. Nuk kishte vend për dyshime në rrugët drejt stadiumit, sidomos në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku atmosfera para ndeshjes ishte ngarkuar. Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë bashkë Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027, por ultrasit vendas nuk ndajnë optimizmin e diplomatëve që kanë ideuar këtë bashkëpunim.

“Armiqtë e vjetër nuk bëhen miq të rinj,” shkruhej në një banderolë të madhe mbi Piramidën e Tiranës, e shoqëruar nga fotografia e heroit të rezistencës shqiptare, Elez Isufi. Tifozë ngjitën mbi 100 shkallë për t’u bërë pjesë e spektaklit; të rinj me biçikleta ndezën flakadanë të kuq poshtë. Përballë, anëtarë të “Tifozat Kuq e Zi”, grupi i njohur që ishte përjashtuar nga kjo ndeshje pasi nuk mori biletat e zakonshme, u përgatitën të marshonin me një pankartë që godiste Federatën Shqiptare të Futbollit.

Mesazhi i tyre ishte i qartë: “Na merrni biletat, na sillni policinë përballë, por nuk mund të vrisni zemrën që rreh për Shqipërinë.” Brenda stadiumit, ata që kishin fituar në short apo që kishin paguar me mijëra euro në tregun e zi, u përpoqën ta ndezin atmosferën. Nuk dukej aspak si një ndeshje e ftohtë e ngjashme me ato të sponsorizuara kur Serbia doli në nxemje mes fishkëllimave dhe sharjeve të pandërprera. Këto vazhduan edhe gjatë himnit të tyre kombëtar, kur fëmijët që shoqëronin lojtarët serbë Lazar Samardzic dhe Aleksandar Mitrovic bënë me duar simbolin e shqiponjës – një veprim që ka vënë në punë institucionet drejtuese të futbollit në turnetë e fundit.

Ndeshja, siç pritej, ishte e tensionuar dhe nuk tregoi shenja se ndonjëra nga këto skuadra mund t’i bëjë konkurrencë Anglisë në krye të Grupit K. Përkundër teknikës së lartë, Serbia tregoi pak rrezik përpara, ndonëse u desh një pritje e jashtëzakonshme nga Thomas Strakosha për të ndalur një goditje perfekte me kokë nga Mitrovic pas pushimit. Mitrovic humbi edhe një tjetër mundësi, por ishte Shqipëria, e shtyrë përpara nga tifozët me çdo sinjal të vogël, që duhet ta kishte fituar. Manaj e humbi rastin e tij për pavdekësi, por Nedim Bajrami duhej ta kishte bërë të harrohej ajo penallti kur iu dha një rast i pastër për të përmirësuar situatën. Goditja e tij e dobët nuk i krijoi aspak vështirësi Petrovic-it dhe përfaqësoi në mënyrë të përsosur gjithë atë që ishte kjo ndeshje.

“Merituam më shumë, por ky është futbolli,” tha trajneri i Shqipërisë, Sylvinho. Këto fjalë të zakonshme do të bëjnë pak për ta ngushëlluar Manajn. Por ndoshta fakti që sporti mundi, sadopak, të dominojë diskutimin pas ndeshjes, është tregues se ka një rrugë më të mirë përpara, qoftë për miq, qoftë për armiq.

Albania 2.1 e Winy Maas/ Kullë te shtëpia e Kadaresë dhe hotel mbi Gjipe

Në festivalin ndërkombëtar të arkitekturës “Bukë dhe Zemër” arkitekti holandez Winy Maas, mik i afërt i kryeministrit Edi Rama dhe autor i disa projekteve në Tiranë, prezantoi për publikun një seri idesh të reja urbane që ai i përmbledh me emrin “Albania 2.1”.

Përballë një salle plot me arkitektë nga Japonia, SHBA, Evropa dhe Koreja e Jugut mes të cilëve ishte edhe kryeministri Rama, Maas ekspozoi disa projekt-ide që përfshijnë:

Një kullë e re pas godinës me kokën e Skënderbeut

Një nga projektet provokuese ishte një kullë e re e planifikuar pas godinës së krijuar sipas bustit të Skënderbeut, në truallin që ndodhet pranë ose mbi pallatin ku kanë jetuar dikur Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Kjo ndërhyrje u shfaq si pjesë e një vizioni për “kompletimin e koleksionit të qytetit” dhe për të “shtuar aventura të reja urbane”.

“Kjo do të thotë që duhet të gjejmë vende brenda këtij koleksioni. Hapi tjetër është të imagjinojmë, të shtojmë këtë aventurë… kështu që kjo mund të kthehet gradualisht në diçka në këtë cep” tha Vini Maas, në festivalin “Bukë dhe Zemër”.

Vetëm se në atë “cep” siç e quan arkitekti i huaj, ndodhet pallati në shtëpinë ku kanë jetuar Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare që mbart një peshë të rëndësishme simbolike për zonën. Gjithsesi pallati në fjalë tashmë është rrethuar nga kullat gjigande dhe nuk është e qartë nëse kulla e re që projekton Winy Maas parashikon shembjen e tij. Fotoja gjithsesi u shfaq vetëm një fraksion sekonde në prezantim.

Dy linja metroje për Tiranën: Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim

Në të njëjtin vizion “Albania 2.1”, Mass kërkoi publikisht ndërtimin e dy linjave metroje për Tiranën, një në drejtimin veri-jug dhe një tjetër lindje-perëndim, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri për qytetin që po zgjerohet në mënyrë të pakontrolluar.

“Ne duhet t’u kërkojmë zhvilluesve tanë të paguajnë , u shpreh Maas, ndërsa ndërthurte në ekran takimet e liderëve europianë me zhvillimin e Tiranës, – “Po, dy linja metroje ju lutem. Në versionin 2.1. Veri-jug, lindje-perëndim” tha ai ndërsa hidhte me shpejtësi shikimin nga Edi Rama.

Hotel mbi kanionin e Gjipes – në tokat e gjyshërve të Edi Ramës

Më tej, Maas zbuloi një tjetër projekt: një hotel i ngritur mbi kanionin e Gjipës, në një pozicion tepër të ndjeshëm ekologjikisht, për të cilin ai vetë pranoi se kishte ngurruar në fillim.

“Kur më kërkuan të bëja një hotel atje — në atë vend — mendova: ‘Nuk mund ta bësh këtë.’ Duhej ta ngrinim sipër kanionit, për ta lënë të lirë poshtë.” – tha Winy Maas.

Gjipeja është një zonë e mbrojtur dhe një nga perlat natyrore të bregdetit shqiptar, por opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se nëpërmjet korruptimit të vartësve të tij po e kalon pronën në emër të familjarëve të tij. Vetë Edi Rama nuk e ka mohuar trashëgiminë, por ka thënë se ia ka lënë të vëllait pjesën e tij në Gjipe, një hapësirë toke në bregdet që shkon deri në 224 mijë metra katrorë tokë.

“Toskana shqiptare”

Një tjetër ide nga Maas përfshinte instalimin e një sistemi të sofistikuar ujitjeje për ta shndërruar terrenin agro-kulturor në një peizazh bujqësor të stilit italian.

“Ju keni një thesar këtu — ujin. Bëni vija shkurresh mes parcelave. Në vend që të shkoni ju në Toskanë, le të vijë Toskana këtu!” – u shpreh Vini Mass.

Në fund të prezantimit të tij, Mass propozoi që ndërtimet e ardhshme në Shqipëri të përfshijnë ruajtjen e ujit në bodrume, shfrytëzimin e energjisë diellore dhe krijimin e një arkitekture që buron nga bujqësia — si një kombinim mes dizajnit bashkëkohor dhe vetëqëndrueshmërisë lokale.

“Imagjinoj, Edi, që sistemi yt i ujit këtu është aq i kujdesshëm, sa ndërtesat e ardhshme mund ta ndihmojnë atë. Bodrumet mund të magazinojnë ujin… dhe qyteti mund të ndërtohet sipër kësaj.” –  Winy Maas.

Winy Maas është një nga arkitektët më të njohur holandezë në skenën ndërkombëtare të dizajnit urban, bashkëthemelues i studios së famshme MVRDV, një zyrë arkitekturore me bazë në Rotterdam. Ai është i njohur për projektet e tij konceptuale, vizionin futurist dhe afërsinë me liderë politikë, mes tyre edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me të cilin ka një marrëdhënie të hershme bashkëpunimi që daton nga fillimi i viteve 2000.

Vini Maas ishte autori i planit të parë për rikualifikimin urban të Sheshit Skënderbej, financuar nga Qeveria e Kuvajtit. Projekti nuk u realizua për shkak të kundërshtive politike dhe ndryshimeve në pushtet.

Në vitin 2014, ai u rikthye në Tiranë dhe u përfshi në projekte të reja. Në vitin 2018, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) kontraktoi MVRDV për restaurimin e Piramidës së Tiranës – ndërtesës që dikur ishte mauzole për diktatorin Enver Hoxha. Projekti kishte si synim hapjen e strukturës për publikun dhe kthimin e saj në një qendër inovacioni për të rinjtë.

Në një shkrim të INA Media raportohej se burime konfidenciale nga brenda AADF pranuan se lista e studiove ndërkombëtare për Piramidën iu propozua nga vetë kryeministri Edi Rama dhe përfshinte MVRDV.

Maas është arkitekt i DownTown One, një nga godinat më të larta të ndërtuara ndonjëherë në Shqipëri, në bashkëpunim me Kastrati Construction. Projekti fillestar parashikonte 37 kate për banim dhe zyra, por më pas u shtuan kate për hotel.

Një tjetër projekt i firmës së tij është Kulla e Skënderbeut, pranë Hotel Tiranës, e konceptuar me elemente që sjellin siluetën e heroit kombëtar, por duket se Mass ka parë edhe një mundësi tjetër në sheshin pas kësaj kulle dhe kërkon të ngulë një tjetër fasadë betoni nga pas. /Lapsi.al

Luciano Spalletti shkarkohet nga kombëtarja italiane: Nuk doja të largohesha kurrë

Luciano Spalletti nuk është më trajner i kombëtares italiane.

Pas humbjes së rëndë kundër Norvegjisë dhe përballjes me një valë kritikash të ashpra – përfshirë edhe deklaratat e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina – trajneri konfirmoi largimin nga posti.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Spalletti deklaroi: “U takova me presidentin dhe folëm gjatë. Ai më komunikoi se më kishte shkarkuar nga detyra. Nuk doja kurrë të largohesha nga ky pozicion, nuk ishte qëllimi im.”

Trajneri theksoi se e pranon vendimin dhe mban përgjegjësinë për rezultatet. “Ekziston një shkarkim dhe unë e marr në konsideratë atë, ashtu si rezultatet që kemi pasur. Marr përgjegjësinë e plotë për to,” shtoi ai.

Spalletti konfirmoi gjithashtu se do të firmosë rezolutën konsensuale pas ndeshjes së fundit që do të drejtojë – ajo kundër Moldavisë.

Ky është një kapitull që mbyllet me zhgënjim për një trajner që kishte nisur me pritshmëri të mëdha, por që nuk arriti të rikthejë shkëlqimin e “Azzurrëve” në arenën ndërkombëtare.

Federata pritet të njoftojë emrin e trajnerit të ri në ditët në vijim.

Tragjike në “Qytet Studenti”, i riu hidhet nga lartësia dhe i jep fund jetës

Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e “Qytet Studenti” në Tiranë, ku një 30-vjeçar është hedhur nga një lartësi dhe për pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Bëhet me dije se po punohet për identifikimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Njoftim i Policisë:

“Më datë 07.06.2025, në “Qytet Studenti”, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 30 vjeç, është vetëhedhur nga lartësia dhe si pasojë ka ndërruar jetë në spital”, njofton policia.

Punohet për identifikimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Imami Ahmed Kalaja, nën akuzë për pengim të drejtësisë

Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim dosjen ndaj imamit të njohur Ahmed Kalaja, i cili akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, një vepër që parashikon dënim me gjobë ose deri në tre vite burg.

Kalaja, i cili drejton xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës, akuzohet se ka penguar hetuesit gjatë një operacioni të drejtorisë së antiterrorit në vitin 2022, duke refuzuar të dorëzojë pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në ambientet e xhamisë.

Hetimet kishin të bënin me persona që dyshohej se shpërndanin fletushka me përmbajtje që nxisnin urrejtjen dhe përçarjen mes besimtarëve.

Kalaja mohoi akuzat, duke e quajtur çështjen një “keqkuptim” dhe duke theksuar se ka qenë bashkëpunues me autoritetet në çdo hap të procesit.

Ahmet Kalaja gëzon reputacion të lartë në komunitetin mysliman shqiptar, me një prani të madhe në rrjetet sociale, ku ndiqet nga qindra mijëra ndjekës.