Aplikacion
Qeveria ka miratuar një projektligjtë propozuar nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili i hap rrugën rrëmbimit të pronave të ushtrisë nga investitorët strategjikë, edhe kur ato janë në Planin e Përhapjes.
Drafti, e shndërron Planin e Përhapjes në një dokument, që mund të preket në çdo kohë, sa herë që një ministër propozon një investim.
“Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura rishikohet periodikisht çdo 5 vjet dhe në çdo kohë, në rastet e investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo ndërtimeve, përmirësimeve të infrastrukturës publike, që prekin pjesërisht apo plotësisht një pronë brenda planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura, kur vlerësohet se ky ndryshimin nuk cenon operacionalitetin e Forcave të Armatosura. Institucioni përgjegjës për investimet e rëndësisë së veçantë kërkon rishikimin e planit të vendosjes dhe përhapjes, pasi vlerëson natyrën dhe rëndësinë e investimit,” thuhet në projektligj.
Plani i Përhapjes është dokumenti, që përmban të gjithë pronat strategjike të ushtrisë, të cilat janë kritike për kapacitetin e mbrojtjes së vendit dhe operacionalitetin e Forcave të Armatosura.
Por projektligji i miratuar nga qeveria këtë të mërkurë, praktikisht i nxjerr pronat e ushtrisë në “rrugë të madhe”, pasi i jep të drejtë çdo anëtari të kabinetit qeveritar të kërkojë nxjerrjen e pronave të ushtrisë nga Plani i Përhapjes me qëllim privatizimin e tyre me argumentin e investimeve të rëndësishme për ekonominë.
Fjala vjen nëse një biznesmen që merret me peshk i kërkon ministres së Bujqësisë një bazë ushtarake në bregdet për të zgjeruar biznesin e tij, përmes këtij ligji, qeveria nis procesin e privatizimit të pronës.
Tjetërsimi i pronave strategjike të ushtrisë tek privatët, nën argumentin e investimeve me rendësi për ekonominë, ka qenë një synim i hershëm i qeverisë. Në rastin e bazës detare të Sarandës, prona u tentua të privatizohej pa u nxjerr fare nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura, pasi në atë kohë Edi Rama pengohej nga Ilir Meta, i cili mbante firmën e fundit për heqjen e pronave nga Plani i Përhapjes.
Më vonë, afera e bazës së Sarandës përfundoi në SPAK e kallëzuar nga ish zv/komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari. Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pronës, që i ishte dhënë për zhvillim privatit, me argumentin se privatizimi i saj cënonte sigurinë kombëtare dhe kapacitetin mbrojtës të vendit. Por pavarësisht sekuestrimit, deri më tani për këtë çështje nuk ka asnjë të ndaluar.
“Ramën e ndëshkuan”/ Bushati analizon ShBA-të dhe BE për zgjedhjet e 11 MajitAnalisti Andi Bushati deklaroi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri përbën lajmin e vërtetë, ndërsa reagimet e Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian i konsideroi si vazhdimësi të qasjeve të mëparshme diplomatike.
Duke folur në emisionin MCN Live, Bushati theksoi se “zgjedhjet shqiptare u çliruan nga amerikanët”, duke nënvizuar se Uashingtoni ka ndryshuar dukshëm qëndrim ndaj kryeministrit Edi Rama krahasuar me katër vite më parë.
“Ramën e ndëshkuan, por nuk është se promovuan opozitën. Ky është lajmi,” – u shpreh Bushati, duke iu referuar deklaratës së Ambasadës Amerikane, e cila shmangu përmendjen direkte të Ramës, por përshëndeti qytetarët shqiptarë për procesin zgjedhor.
Analisti kritikoi interpretimet e kundërta të raportit të OSBE/ODIHR nga palët politike, duke i cilësuar si tendencioze:
“Berisha thotë farsë – unë s’jam dakord, sepse në dokument thuhej që zgjedhjet ishin konkurruese. Mazhoranca thotë që u certifikuan – edhe kjo s’është e saktë. Raporti fliste për përdorimin e administratës dhe intimidimin e votuesve. E vërteta është në mes,” – tha ai.
Sipas Bushatit, reagimet e BE-së dhe PE-së për zgjedhjet janë thuajse formale dhe nuk paraqesin ndonjë zhvillim të ri thelbësor:
“Nuk ka lajm në atë që thotë BE apo PE. Ata janë në vazhdën e asaj që jemi mësuar të dëgjojmë. Qëndrimi i SHBA-së është ndryshimi.”
Në fund, ai vuri në dukje edhe problemet brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar si paradoksale nevojën për të denoncuar zgjedhjet, ndërkohë që mungon transparenca brenda vetë forcës politike.
Konfirmohet rasti i parë i murtajës së bagëtive të imëta në ShqipëriAutoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë i murtajës së bagëtive të imëta, e cila njihet si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël në vendin tonë.
Rasti është identifikuar në një fermë të mbarështimit të dhive në fshatin Postribë, në Shkodër.
Sipas njoftimit, mostrat e marra nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit.
‘Rasti është identifikuar në një fermë të mbarështimit të caprinëve (dhi) në njësinë administrative Postribë, qarku Shkodër. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar nga laboratori referencë i Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.
Pas konfirmimit të rastit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e parashikuara në legjislacionin përkatës dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR, me qëllim kontrollin, izolimin dhe menaxhimin efektiv të situatës në terren’, thuhet në njoftim.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u ka bërë thirrje fermerëve që të kufizojnë lëvizjen e deleve dhe dhive, ndërsa thuhet se murtaja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.
U bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 3366.
Theksojmë se Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk është sëmundje zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.
Zbulime arkeologjike në zonën e DivjakësNë kodrat e Bishçukasit në Divjakë po kryhen gërmime arkeologjike që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për periudhën ilire.
Punimet zhvillohen prej disa javësh nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Muzeun Historik të Lushnjës.
Këto janë gërmimet e para në këtë zonë dhe deri tani janë zbuluar një bazilikë, disa monedha të hershme, një kolonë graniti dhe mbetje skeletesh, që mendohet t’u përkasin periudhave të ndryshme, nga Helenistike deri te Mesjeta e vonë.
Sipas specialistëve, zbulimi nisi pas informacioneve nga banorët, të cilët gjatë punës në tokat bujqësore kishin hasur objekte me vlerë historike, të cilat iu dorëzuan muzeut të Lushnjës.
Në gërmime janë të përfshirë edhe studentë të arkeologjisë, të cilët përmes praktikës dokumentojnë historinë në terren. Gërmimet janë ndarë në dy sondazhe dhe zona e “Shën Gjergjit” shihet si një prej pikave më të rëndësishme për zbulime arkeologjike në vend.
ISHP bllokon kompaninë “AlbChrome” në Elbasan pas plagosjes rëndë të një punëtori
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka ndërhyrë duke bllokuar repartin e copëtimit të ferrokromit në kompaninë “Albchrome”, që ndodhet në zonën industriale të Paprrit në Elbasan.
Vendimi vjen pas një incidenti të ndodhur këtë të mërkurë, ku një punonjës, mekaniku Rubin Meçja, mbeti i plagosur teksa punonte pasi një pllakë qindra kg i ra mbi trup.
Aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 12:15 në repartin e copëtimit të ferrokromit.
Mekaniku mësohet se po punonte së bashku me një grup kolegësh për ndërrimin e pllakave të copëtimit të ferrokromit, një proces që kryhej kohë pas kohe në uzinën e AlbChrome.
Raportohet se Rudin Meçja ka qenë poshtë pllakës së copëtuesit dhe është goditur fuqishëm në shpatull dhe shtyllën kurrizore nga agregati i saj.
Menjëherë është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal Elbasan dhe më pas u dërgua tek Trauma në Tiranë.
Ish-eskorta përshkruan takimet e Diddy me të dhe Cassie VenturaNdërsa gjyqi i Diddy vazhdon, gjithnjë e më shumë informacione po dalin në dritë rreth jetës së “manjatit” të industrisë muzikore.
Ai akuzohet për trafikim qeniesh njerëzore, abuzim seksual dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, ndërsa prokuroria pretendon se ai kishte ngritur një rrjet të tërë kriminal rreth shfrytëzimit seksual dhe dhunës ndaj grave.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim me burgim të përjetshëm. Edhe pse ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, dëshmitë e dëgjuara deri më tani në gjykatë duket se e bëjnë pozicionin e tij më të vështirë. Mëngjesin e së mërkurës, më 4 qershor, një shoqërues mashkull që kishte punuar me të në të kaluarën, dëshmoi për përvojën e tij.
Sipas padisë, 37-vjeçari Sean Deering ishte një nga rreth dhjetë burrat e punësuar nga producenti muzikor për festat e çmendura që ai po organizonte. “Detyra” e burrave ishte të kryenin marrëdhënie seksuale me të dashurën e atëhershme të Diddy-t, Cassie Ventura.
Siç pranoi ai, Sean Combs e kishte takuar në një hotel të njohur në Beverly Hills, si dhe në një apartament në Los Angeles, të cilin ai beson se i përkiste Cassie-t. Ai madje tha se gjatë këtyre takimeve, të vetmit njerëz në dhomë ishin ai vetë, Diddy dhe Cassie Ventura. “Ishim vetëm unë, ai dhe ajo. Cassie ishte gjithmonë shumë optimiste, personi më i sjellshëm dhe më i respektueshëm. Ajo ishte e ndershme gjatë gjithë kësaj përvoje “, tha ai.
Në një intervistë për People, Dearing thotë se nuk është i interesuar për publicitetin dhe thekson se e vetmja arsye pse ai zbuloi identitetin e tij ishte për t’i dhënë pak besueshmëri historisë së Cassie Ventura. “Dua më të mirën për të, sepse është një zonjë e fortë. Ajo është e mrekullueshme dhe mbi të gjitha, dua respektin e saj”, vuri në dukje ai.
Ai shtoi se u takua me Diddy-n dhe Cassie Ventura rreth 12 herë, dhe ndër të tjera, tha se reperi nuk dukej rehat gjatë takimeve të tyre. “Ishte sikur të ishte në një pozicion të vështirë. Ai kurrë nuk më preku “, tha ai, ndërsa sqaroi se kurrë nuk kishte parë ndonjë abuzim fizik nga Combs ndaj Ventura.
Rey Manaj mban në ankth KombëtarenSulmuesi Rei Manaj ishte i vetmi që mungoi në fushën e stërvitjes, aty ku Sylvinho kishte në dispozicion të gjithë pjesën tjetër të skuadrës.
Gjendja e Manaj-t do të monitorohet me kujdes nga stafi teknik dhe ai mjekësor.
Për karakteristikat e lojës dhe forcën fizike, ai cilësohet si një element i rëndësishëm për ndeshjen ndaj Serbisë, ku projektohej mes titullarëve në sulm. Nga ecuria e gjendjes së tij shëndetësore, do të varen edhe zgjedhjet e trajnerit, i cili në më tepër se një rast qëndroi me mendimet e tij në mes të fushës.
Kombëtarja punoi në aspektin taktik, duke organizuar edhe një lojë brenda grupit. Për të shmangur që plani i tij të kuptohej, trajneri i përzieu skuadrat. Ajo që binte në sy ishte se përkrah Gjimshitit në qendër të mbrojtjes ishte Ajeti. Ndërkohë në sulm, Broja, Bajrami dhe Uzuni luanin në të njëjtën skuadër.
Me Manajn që nuk po stërvitet, ndoshta ky mund të jetë reparti ofensiv i kuqezinjve më 7 qershor. Tv Klan/
Trump mbi një orë telefonatë me Putin, “nderi” që i kërkoiZbardhet biseda telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin.
Përmes një postimi të Trump në Truth Social, dy liderët diskutuan për i sulmin e Ukrainës ndaj bazave të shumta ajrore thellë brenda Rusisë gjatë fundjavës dhe zbuloi se Putin tha se do të duhej t’i përgjigjej sulmit.
Trump e quajti telefonatën një “bisedë të mirë”, por tha se nuk ishte një bisedë që do të çonte në “paqe të menjëhershme”. Megjithatë përveç Ukrainës, presidentët diskutuan edhe për Iranin dhe paisjen e tij me armë bërthamore gjë që SHBAtë e kundërshtojnë me forcë.
Trump bëri të ditur se i kishte kërkuar Putinit të ndërhyjë përmes bisedimeve me Iranin që ky i fundit të arrijë marrëveshje me Uashingtonin.
Është hera e parë që presidenti amerikan ka folur me homologun e tij rus në pak më shumë se dy javë, me telefonatën e tyre të fundit të zhvilluar më 19 maj.
Ajo bisedë zgjati dy orë dhe Trump e përshkroi atë në atë kohë si “të shkëlqyer”.
I bie rrufeja, vdes burri në ErsekëNjë ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së mërkurës fshatin Qinam të Ersekës, ku një banor ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rrufeja.
Sipas burimeve paraprake nga policia, viktima është një 65-vjeçar me inicialet A.A., i cili dyshohet se është goditur nga rrufeja gjatë një stuhie që përfshiu zonën. Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa mësohet se i moshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Menjëherë pas njoftimit, forcat policore dhe grupi hetimor janë nisur drejt fshatit për të kryer veprimet e nevojshme procedurale dhe për të zbardhur plotësisht dinamiken e incidentit. Trupi i pajetë i viktimës është transportuar për në morg, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore.
Rijetëzimi i rezidencave qeveritare, shpallen projektet fitueseDy studio ndërkombëtare arkitekture janë shpallur fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Hospitality Albania”, për rimëkëmbjen dhe modernizimin e rezidencave qeveritare në Shkodër dhe Vlorë.
Studio norvegjeze “Saunders Architecture” do të realizojë projektin për rezidencën qeveritare në Shkodër, ndërsa studio spanjolle “Practica Arquitectura y Urbanismo SLP” do të kujdeset për atë në Vlorë.
Qëllimi i këtij konkursi është që rezidencat ekzistuese, të cilat aktualisht janë struktura të amortizuara dhe me kosto të lartë mirëmbajtjeje, të shndërrohen në hapësira ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar.
Projekt-idetë fituese synojnë të sjellin një model të ri të mikpritjes shtetërore dhe të promovojnë potencialin turistik të zonave ku ndodhen këto rezidenca.
Projekti fitues për Velipojën:


Projekti fitues për Vlorën:


