zoom

Day ArchiveStadiumi me brohorima/ Mes lotësh, Ancelotti i jep lamtumirën Real Madrid-it: Ju dua

Carlo Ancelotti nuk mundi të mbante lotët, teksa u dha lamtumirën tifozëve të Real Madrid-it pas ndeshjes së tij të fundit, ndërsa përgatitet të marrë një rol të ri si trajner i Brazilit .

“Ju dua të gjithëve, me gjithë zemër,”- tha Ancelotti nga mesi i fushës.

Trajneri italian ishte në periudhën e tij të dytë në “Bernabeu”, pasi më parë kishte qenë në stol nga viti 2013 deri në vitin 2015, duke u rikthyer më pas në verën e vitit 2021.

Ai grumbulloi një numër të jashtëzakonshëm trofesh me klubin, duke përfshirë tre edicione të Champions League, dy Kupa të Botës për Klube, dy tituj të La Liga-s, Kupën Ndërkontinentale, dy fitore të Kupës së Mbretit, dy Superkupa të Spanjës dhe tre Superkupa të UEFA-s.

Ishte gjithashtu një mbrëmje emocionuese në Madrid, sepse fitorja 2-0 ndaj Real Sociedad-it përfaqësonte gjithashtu ndeshjen e fundit për mesfushorin Luka Modric.

Në tribuna kishte pankarta të mëdha që i falënderonin të dy për shërbimin e tyre ndaj historisë së klubit.

Pas fishkëllimës së fundit, në tribuna u transmetua një video që tregonte momentet e tij më të mira në klub, pastaj Ancelotti mori mikrofonin dhe i foli turmës, duke luftuar me lotët.

“Ka qenë një nder dhe kënaqësi të stërvis këtë ekip,”- tha italiani.

“Para së gjithash, dua të falënderoj Presidentin tim të dashur, Florentino Perez. Ka qenë fantastike të stërvit këtë grup lojtarësh dhe të ndaj të gjitha këto momente me ju,”- vijoi ai.

“Askush nuk do ta harrojë kurrë rikthimin kundër PSG-së, dy golat e Rodrygo-s ose asistin e Modric-it, dhe dy golat e Joselu-s kundër Bayern Munich-ut. Nuk mund ta harroj çdo ditë që kalova këtu.”

“Do ta mbyll me vetëm një: Hala Madrid [Forca Madrid]. Ju dua të gjithëve, me gjithë zemër. Ciao,”- përfundoi “Don” Carlo Ancelotti./ Zoom.al

Ndahet nga jeta regjisori i shquar Piro Milkani

Regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e kinematografisë shqiptare.

Lajmin e trishtë e bëri të ditur i biri i tij, Eno Milkani, përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale: “Iku babai, shoku dhe kolegu im.”

Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua në degën e operatorit.

Karriera e tij në kinematografi përfshin regjinë e mbi 20 filmave artistikë dhe dokumentarë, duke përfshirë tituj të njohur si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990). Përveç regjisorit, ai ka kontribuar edhe si skenarist, operator dhe producent.

Në vitin 1997, Milkani u nderua me “Çmim të Veçantë” për të gjithë krijimtarinë e tij artistike në Euro-Festivalin e Saint-Étienne, Francë. Në vitin 1987, ai mori titullin “Artist i Popullit”.

Në vitin 2024, Milkani mori diplomën e tij të Fakultetit të Filmit pas 63 vitesh, një ngjarje që u shënua me një ceremoni në Çeki.

Përveç karrierës së tij në kinematografi, Milkani ka pasur një periudhë si diplomat dhe ka kontribuar në organizimin e festivaleve të filmit.

Vepra e tij ka lënë një ndikim të thellë në kulturën shqiptare dhe do të kujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e filmit./ Zoom.al

Vrasja e shqiptarit në Greqi/ Avokati jep detaje: Ishin miq, arma ishte e  viktimës

Tre persona u arrestuan për vrasjen e 41-vjeçarit Altin Arapaj, në një vresht në Rafina të Greqisë.

Figura qendrore në këtë çështje është 46-vjeçari Mikel Selimaj, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë dyshohet se e kanë shoqëruar 46-vjeçarin dhe akuzohen për bashkëpunim.

Nikos Roussopoulos, avokati i të pandehurit 46-vjeçar, foli për “Developments Now” në lidhje me çështjen, duke deklaruar se “është e sigurt që ata njiheshin prej vitesh. Ata ishin miq. Ata kishin konsumuar një sasi të madhe kokaine dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar analiza gjaku dhe urine për të vërtetuar konsumin. Arma i përkiste viktimës.”

“Ajo që pretendon klienti im është se, ndërsa po shkonte ta çarmatoste, arma shkrepi, prandaj plumbi shkoi në faqe. Nëse dikush do të vrasë, nuk qëllon kurrë në faqe, por në kokë, lart në kafkë ose në gjoks.

Ata u grindën, por klienti im nuk e mban mend se çfarë ndodhi. Ata nuk kishin asnjë mosmarrëveshje për asnjë shtëpi. Është një pronë për të cilën viktima kishte një mosmarrëveshje me një kanadez. Nuk ka të bëjë asgjë me klientin tim”, pretendoi avokati.

Boris Johnson bëhet baba për herë të 9-të/ “Anëtari i fundit i bandës”

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka mirëpritur fëmijën e tij të katërt me gruan e tij, Carrie.

Carrie Johnson postoi foto në rrjetet sociale nga lindja e Poppy Eliza Josephine Johnson më 21 maj.

https://www.instagram.com/p/DKClDlRol05/?igsh=MWNscGY4OHpkcjloaQ==

Në një postim në Instagram, ajo shkroi: “Nuk mund ta besoj sa e bukur dhe e vogël je. Ndihem kaq me fat. Jemi të gjithë plotësisht të çmendur. Nuk jam e sigurt nëse kam fjetur ndonjë minutë që kur ke lindur, pasi nuk mund të ndalem së shikuari sa e mrekullueshme je”.

Poppy është fëmija i katërt i çiftit, pas Wilfred, Romy dhe Frank.

Çifti u martua në maj 2021. Djali i tyre i madh, Wilfred, lindi në prill 2020, më pas erdhi në jetë Romy në dhjetor 2021 dhe Frank në korrik 2023.

Vajza e tyre, Poppy, të cilën Carrie Johnson e përshkroi si “anëtarja e fundit e bandës”, është fëmija i nëntë i Boris Johnson, pasi është baba edhe nga martesa e mëparshme.

Jorida Tabaku kryetare e Partisë Demokratike?

Kandidatja më e votuar  e PD në zgjedhjet e 11 majit, Jorida Tabaku, ishte e ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, ku iu përgjigj ndër të tjera dhe pyetjes nëse synon drejtimin e PD.

Tabaku tha se nuk ka aspiruar asnjëherë dhe as nuk e ka menduar të jetë në krye të partisë më të madhe opozitare. Por, ajo theksoi se do t’i përkushtohet partisë, pavarësisht rolit që mban.

“Unë nuk e kam menduar as tani, as në të shkuarën, për të qenë në krye të Partisë Demokratike. Siç e thashë, unë garova për një vend në Parlamentin shqiptar. Do të jem aty gjithmonë për partinë dhe nuk ka rëndësi se çfarë roli kemi secili”, u shpreh ajo.

Kandidatja fituese e PD në qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku theksoi ndër të tjera dhe sfidat që e presin parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, sic është debati polik, ndonëse sipas saj, në vitet e fundit ky institucion ka humbur funksionin e tij kryesor.

Edhe gratë e fuqishme si Meloni janë sakrifikuese e me shpirt të brishtë

Nga Albert Vataj

Edhe gratë e fuqishme si Giorgia Meloni, janë nëna sakrifikuese, kanë një shpirt të brishtë dhe vijnë nga një jetë sfidash

Rrëfimi i Giorgia Melonit, Kryeministres së parë grua në historinë e Italisë, është më shumë se një copë jete personale, është një dëshmi e heshtur se forca nuk është e lindur, por e përftuar përmes përballjes me dhimbjet dhe plagët e jetës. Është një kujtesë se edhe gratë që ngjiten në majat më të larta të pushtetit mbeten, në thelb, bijat e nënave të tyre, motrat e motrave të tyre, nënat e fëmijëve të tyre, që ndjejnë, që vuajnë, që mbajnë brenda një univers të tërë emocionesh njerëzore.

Në një kohë kur politika shpesh perceptohet si një arenë e ftohtë, e pamëshirshme dhe e distancuar nga realitetet e përditshme njerëzore, Meloni na kujton se pas podiumit dhe fjalimeve ndodhet një njeri, një grua që është rritur nga një nënë e vetme, që ka ndier mungesën e një babai, që ka përjetuar përçmim dhe stigmatizim në adoleshencë, dhe që, mbi të gjitha, ka dashuruar dhe dridhur si çdo nënë kur është përballur me urrejtjen ndaj krijesës së saj më të shtrenjtë: vajzës së saj, Ginevra.

Ka një thellësi prekëse në rrëfimin e saj, nga frika për të zhgënjyer nënën, tek ndjenja e fajit se nuk e mbrojti dot bijën nga fjalët e liga. Pikërisht aty, në këtë kontrast mes rolit të një lidereje të pathyeshme dhe të ndjeshmërisë së një gruaje që qan në heshtje, ndërtohet profili i një politikaneje kalibër. Nuk janë vetëm fjalimet në parlament apo qëndrimet në tryezat ndërkombëtare që e formësojnë staturën e saj, është edhe ajo heshtja e thellë që ka ndjerë në mbrujtjene vetmisë, vendimet e vështira si vajzë, sfidat e nënës që nuk mjafton t’i përgjigjet vetëm publikut, por edhe thirrjes së brendshme të dashurisë për fëmijën.

Meloni, si shumë gra të tjera në politikë, përfaqëson një gjeneratë që ka mësuar ta ndërtojë fuqinë nga plagët. Të mos të turpërohet nga ndjeshmëria, por ta bëjë atë armë dhe busull. E njëjta brishtësi që dikur e bëri të ndjehej e përjashtuar, e përçmuar, është ajo që sot e lejon të lidhet më thellë me njerëzit, me ata që e ndjekin, por edhe me ata që nuk bien dakord me të.

Në një intervistë për programin “Verissimo” në vitin 2021, Meloni ka theksuar rëndësinë e nënës së saj në jetën e saj, duke thënë: “Nëna ime ka përballuar shumë vështirësi, ka rritur mua dhe motrën time e vetme. Ia detyroj gjithçka asaj”. Ajo gjithashtu ka ndarë përvojat e saj gjatë shtatzënisë me Ginevrën, duke përmendur se ka marrë komente negative dhe urrejtje nga disa individë, gjë që e ka lënduar thellë. 

Në intervista të tjera, Meloni ka folur për marrëdhënien e saj me babanë, i cili e ka lënë familjen kur ajo ishte shumë e vogël, dhe për vendimin e saj për të ndërprerë kontaktet me të gjatë adoleshencës. Ajo gjithashtu ka diskutuar për sfidat e adoleshencës dhe përvojat që e kanë bërë më të fortë. 

Në një intervistë për revistën “Chi”, Meloni ka shprehur shqetësimin e saj për faktin që vajza e saj Ginevra është fëmijë i vetëm, duke thënë: “Jam shumë e lidhur me motrën time, për këtë arsye më duket e çuditshme që Ginevra është fëmijë i vetëm”.

“Ndonjëherë ende më tremb gjykimi i nënës sime, është një nga të paktat persona që me të vërtetë nuk dua ta zhgënjej.

Nëna ime ka përballuar shumë vështirësi, na ka rritur mua dhe motrën time e vetme. Ia detyroj gjithçka asaj: ajo është ende personi me të cilin ndiej nevojën fizike për të folur, ajo me të cilën mund të ndaj çdo gjë pa mbajtur asgjë brenda vetes.

Babai im na la kur isha shumë e vogël, shkoi të jetonte diku tjetër dhe ne e shihnim shumë rrallë. E kujtoj mirë momentin kur, si adoleshente, vendosa të ndërprisja çdo marrëdhënie me të. Kur u largua përgjithmonë, e kuptova se për mua ishte bërë tashmë një i huaj.

Adoleshenca nuk ishte e lehtë: më vendosnin nofka mizore, por në fund kjo më ndihmoi të bëhesha më e fortë dhe të vija në pikëpyetje vetveten.

Në punën time, kritikat janë normale. Tani jam mësuar, përpiqem të injoroj ofendimet. Por ajo që më ka lënduar vërtet, ishte urrejtja që mora kur njoftova shtatzëninë e Gjenevrës. Të dish që dikush i dëshironte të keqen më ka bërë keq, u ndjeva fajtore që nuk arrita ta mbroja.

Jam shumë e lidhur me motrën time, ndaj më duket e çuditshme që Gjenevra është fëmijë i vetëm. Kur bëhesh nënë, qendra e jetës tënde ndryshon. Fëmijët të bëjnë të zbulosh emocione të reja, më të fuqishme se çdo gjë tjetër.” është shprehur Meloni.

Rrëfimi i saj na kujton një të vërtetë thelbësore, nuk ka kontradiktë mes të qenit i fuqishëm dhe të qenit i ndjeshëm. Përkundrazi, është pikërisht kjo ndjeshmëri, e kalitur në sprova, në mall, në dhimbje, ajo që bën dallimin mes një figure publike dhe një lidereje të vërtetë.

Në zemrën e çdo gruaje të fortë fshihet një kujtim i hidhur, një mungesë e pashlyer, një lot i pashqitur, por nga ato rrënjë të padukshme rritet një kurorë vendosmërie që, si në rastin e Giorgia Melonit, mund të përqafojë edhe një komb.

Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 28-vjeçari në Lezhë

Një 28-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Lezhë për llogari të shtetit të Kosovës.

Sipas informacioneve 28-vjeçari kristjan Hasani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Prizrenit, Kosovë, më datë 12.05.2025, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës  penale “Vjedhje e rëndë”.

28-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Kosovës.

Njoftimi:

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimi drejt Kosovës një 28 vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”,  kapën dhe arrestuan  me qellim ekstradimi drejt Kosovës, shtetasin K. H., 28 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Prizrenit, Kosovë, më datë 12.05.2025, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës  penale “Vjedhje e rëndë”.

Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet Kosovare vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Kosovës.

Gramsh/ Helmimi i fëmijëve në kopsht, detaje të reja

Disa fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror në qytetin e Gramshit.

Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, kur disa prej fëmijëve janë paraqitur në spitalin e qytetit me simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë.

Sipas burimeve zyrtare, analizat laboratorike kanë konfirmuar prezencën e bakterit Salmonella, duke ngritur dyshime të forta se helmimi ka ardhur nga ushqimi i konsumuar në ambientet e kopshtit.

Drejtoresha e institucionit, Greta Lena ka sqaruar se situata është nën kontroll dhe ka hedhur poshtë pretendimet e qarkulluara në rrjetet sociale për një numër të lartë të fëmijëve të prekur.

“Nuk është i vërtetë numri që qarkullon në mediat sociale. Tre fëmijë janë paraqitur në urgjencën e spitalit Gramsh në fillim të javës. Fillimisht, një fëmijë me simptoma më të rënda u referua për ekzaminime, ku analizat konfirmuan praninë e salmonelës. Më pas, u paraqitën edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta,” – u shpreh Lena.

Në reagim ndaj situatës, ambientet e kopshtit janë dezinfektuar menjëherë. Autoritetet lokale të shëndetësisë kanë nisur hetimet për të përcaktuar burimin e saktë të infeksionit dhe për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.

Sipas drejtoreshës Lena, aktualisht nuk janë paraqitur raste të tjera në spital që lidhen me këtë ngjarje./ Zoom.al

Tre shenjat më me fat të horoskopit për muajin qershor

Binjakët

Qershori është muaji ideal për të përcaktuar prioritetet e nevojave tuaja emocionale, pa humbur fokusin te qëllimet dhe ambiciet. 

Edhe pse Binjakët kanë tendencë të shpërqendrohen lehtësisht nga stimujt e shumtë të jetës, kjo fazë ofron qetësi dhe qartësi të shtuar. Ka ardhur momenti të largoheni nga rrethanat që ju kufizojnë dhe të zgjidhni alternative që ju zhvillojnë.

Demi

Më 6 qershor, venusi hyn në shenjën tuaj dhe ju mbush sharm dhe energji pozitive. Planeti i dashurisë dhe luksit ju bën të rrezatoni, si në jetën tuaj personale ashtu edhe në atë profesionale.

Tensionet e majit largohen dhe hapet rruga për qetësi, gëzim dhe rritje të vetëbesimit tuaj. Prisni zhvillime të këndshme në marrëdhëniet tuaja, por edhe në financat tuaja. Vetëvlerësimi juaj është rritur dhe universi duket se komploton në favorin tuaj.

Shigjetari

Sezoni i Binjakëve sjell fat të shtuar në fushën e marrëdhënieve për Shigjetarët. Me Hënën e Re dhe Merkurin që sjellin energji dhe qartësi të re, ndiheni më të përqendruar, më të shoqërueshëm dhe të gatshëm të rilidheni në mënyrë kuptimplote me njerëzit  përreth jush. Qershori favorizon lidhje më të thella dhe momente romantike.

Incident në Veri/ Serbia lëshon fletarrest për policin e Kosovës 

Autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim të shtunën për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.

Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.

Policia e Kosovës për rajonin e veriut njoftoi më 23 maj se parada e maturantëve serbë në qendër të Mitrovicës së Veriut përfundoi “qetësisht dhe pa ndonjë problem”, por shtoi se Policia duhej të ndërhynte gjatë festimeve për shkak të disa provokimeve, dhe se situata u qetësua dhe se festa vazhdoi.

Në deklaratën e policisë nuk saktësohet se kush kë po e provokonte dhe në çfarë mënyre.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.

Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e 23 majit në Mitrovicën e Veriut.

“Përfshirje e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb, pezullim i mbështetjes politike dhe logjistike për Policinë e Kosovës derisa të vendoset llogaridhënia dhe respekti për të drejtat themelore të serbëve”, tha Ministria serbe të shtunën.