zoom

Day ArchiveOperacioni “Ura”/ Karamuço: Dumani u step që të tregonte emrat

SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane kreu ditën e djeshme një ndër operacionet më të mëdha kundër mafies dhe krimit të organizuar, të koduar “Ura”.

Lidhur me operacionin kundër trafikut të drogës dhe lëshimin e 52 urdhërarresteve, eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço tha se SPAK bëri padyshim një prej operacioneve më të mira deri më sot. Megjithatë, Karamuço tha se Altin Dumani pati një stepje për të treguar emrat e përfshirë. Po kështu ai sqaroi se grupet kriminale shqiptare nuk janë më të fuqishmet në Ekuador, përkundrazi janë thjesht nënkontraktore.

“Altin Dumani pati një stepje për të treguar emrat. Emrat u treguan vetëm nga autoritetet italiane. Nuk u rakordua mirë vendimi i daljes së masave në muajin shkurt me masat që nxorën ne në muajin maj. Pra pse nuk u rakordua që në atë kohë, edhe këtu pati një stepje nga Altin Dumani. Nuk ke pse të justifikohesh nga ana politike, sepse je një organizatë ligjzabtuese.

Ky është një nga operacionet më të mirë që kemi pasur ne sot. Nuk e di se si e rankuar prokuroria sepse janë 16 grupe kriminale. Nuk e dimë se kush është i fuqishmi e kush është më pak i fuqishmi sepse ne kemi pasur tonelata nga të gjithë këta, që kanë qarkulluar nga Ekuadori. Problemi është se sa sasi gjete dhe sekuestrove. Kjo nuk e bën këtë një grup të fuqishëm e bëjnë bashkëpunimet e të tjera. Ka një kontradiktë të madhe dhe me antimafjen italiane e cila thotë s ene u nisëm nga kjo, gjurmuam paranë dhe paranë e gjetëm në Shqipëri.

Por, jo sepse të gjesh nga 4 milionë euro në Shqipëri nga qindra milion euro, kjo do të thotë se partë e tjera janë në grupe më të fuqishme, që ne nuk mundemi t’i themi dot. Janë grupet e Ndragheta, patjetër sepse ashtu ndahet. Ne jemi grupe të vogla nënkontraktore dhe grupet më të fuqishme të Ekuadorit nuk jemi ne,”- tha Karamuço./ Zoom.al

“Morën vota sa për 6 deputetë”/ Gazetari: Sara Mila dhe Arkend Balla, produkte të bandave

Gazetari Bledian Koka i ka cilësuar zgjedhjet si farsë dhe sistemin elektoral si një mekanizëm që po i nënshtrohet gjithnjë e më shumë deformimit.

“Ti nuk mund të pish të gjithë detin për të kuptuar se uji është i kripur”, tha Koka, duke nënvizuar se shenjat e manipulimit janë të dukshme.

Sipas tij, nuk ka ndodhur ndonjë çudi e madhe, pasi ky është një sistem që paralajmëron përkeqësim dhe nënshtrim të mëtejshëm të popullit.

“Ky është një regjim që u thotë njerëzve: përveç që ju kontrolloj jetën, ju fus në burg, ju zhvlerësoj lekët, ju kontrolloj edhe ëndrrat. Pallati i Ëndrrave i Kadaresë është realitet. Ne po e jetojmë në mota-mo, Pallatin e Ëndrrave të Edi Ramës”, u shpreh ai.

Gazetari vuri theksin edhe te votat e opozitës, duke theksuar se 530 mijë shqiptarë që votuan për një alternativë të dytë meritojnë transparencë të plotë për atë që ka ndodhur me procesin zgjedhor.

Ti nuk mund të pish të gjithë detin për të kuptuar se uji është i kripur. Të gjitha këto që po diskutojmë aktualisht janë tregues i një farse zgjedhore të turpshme e cila i sfidon inteligjencën edhe njerëzve që shumë pak e kuptojnë sistemin elektoral.

Këtu nuk është se kemi ndonjë çudi të madhe, problem është se ky është një sistem i cili paralajmëron të përkeqësohet akoma edhe më shumë, paralajmëron ta nënshrojë popullin akoma edhe më shumë sepse këto janë tregues force të një regjimi i cili u thotë njerëzve se përveç që unë ju kontrolloj jetën, ju kontrolloj jetën, ju fus në burg, ju nxjerr nga burgu, ju rris çmimet, ju zhvlerësoj lekët, ju bëj të rrëshkisni në varfëri, unë ju kontrolloj edhe verdiktin, edhe atë që ju shikoni. Ju kontrolloj edhe ëndrrat, Pallati i Ëndrrave i Kadaresë.
Fiks, ne jemi duke e parë në mota-mo, Pallatin e Ëndrrave të Edi Ramës.

Unë mendoj se 530 mijë shqiptarë që votuan që ky vend të ketë opozitë, sot meritojnë më së shumti një përfshirje konkrete se çfarë ka ndodhur me procesin zgjedhor.

E dinte gjithë dynjaja që një njeri anonim në Elbasan do dilte deputet me 100% dhe ka një gjë, se trememi ne se Sara Mila ka dalë deputete, nuk ka dalë Sara Mila deputete, për hir të Sara Milës, bandat e Suel Çelës në Elbasan kanë favorizuar 3 deputetë, sepse 20 e ca mijë vota në Elbasan do të thotë 3 deputetë.
Sara Mila në Elbasan ka prodhuar 3 deputetë, jo një, Arkend Balla në Durrës ka prodhuar 3 deputetë e jo një dhe të gjithë ata individë që kanë dalë me super vota, që nuk i duheshin aq, janë të gjitha ato angazhime të bandave, dhe të bandave të pushtetit të cilët kanë prodhuar më shumë deputetë sesa ç’gjykohen ata dhe ky është fenomeni i deformimit.”, tha Koka në SyriTV.

A do ta merrni mandatin e Berishës nëse dënohet?/ Përgjigjet Alimehmeti

Ilir Alimehmeti, kandidati më i votuar i Partisë Demokratike në listën e hapur të Tiranës me mbi 18 mijë vota, deklaroi se do të respektojë ligjin nëse kryetari i PD, Sali Berisha, dënohet nga Gjykata e Posaçme.

Në emisionin “LOG.” në News24, i ftuar nga gazetari Endri Xhafo, Alimehmeti theksoi qartësisht se ligji duhet të zbatohet pa përjashtim, duke konfirmuar se do të marrë mandatin e deputetit të Berishës.

“Ligji është ligj dhe zbatohet. Na pëlqen apo jo ne,” tha ai, duke komentuar çështjen e dosjes “Partizani”, për të cilën Berisha është tashmë nën gjykim në GJKKO.

Në debat me analistët dhe drejtuesin e emisionit, Alimehmeti iu përgjigj edhe pyetjes nëse do të marrë mandatin e Berishës në rast dënimi të këtij të fundit. Ai nuk dha një përgjigje direkte, por theksoi se angazhimi politik nuk kufizohet vetëm në Parlament:

“A ka metoda të tjera për të marrë pjesë në politikë përveç Parlamentit? Unë jam kryetar i këshilltarëve të PD në Bashki, që është një post politik.”

Duke iu referuar rasteve të tjera, Alimehmeti përmendi edhe situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin tha se ka munguar në detyrë për më shumë se tre muaj – një kriter që, sipas ligjit, parashikon shkarkimin.

“Këshilli Bashkiak e ka bërë propozimin? Jo. Ne e kemi kërkuar. Këshilli Bashkiak nuk e bën propozimin për shkarkimin,” tha ai, duke ngritur dyshime për standarde të dyfishta në zbatimin e ligjit.

Në fund, Alimehmeti përsëriti qëndrimin se respektimi i ligjit është parimi mbi të cilin duhet të ndërtohet funksionimi i institucioneve dhe aktorëve politikë, pavarësisht emrave apo pozicionit që mbajnë.

From DEA with Love

Nga Lutfi Dervishi

Nuk është fjala për ndonjë vajzë me emrin DEA, por për agjencinë amerikane kundër narkotikëve (DEA) që ka hapur një grup WhatsApp-i investigativ.

Numri është publik. Email-i është zyrtar.

‘Na dërgoni informacione për trafikun e drogës, pastrimin e parave,’ thotë mesazhi i DEA-s dhe shton, me mirësjellje, se gjithçka do të mbahet konfidenciale.

Shkurt: këtë mesazh, lëre pastaj veprimin, nuk e bëjnë institucionet shqiptare, si SPAK-u, BKH-ja, SHISH-i.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, shqiptarët nuk thirren të votojnë, por të raportojnë me zë dhe figurë. Meqë qeveria s’po lufton dot trafikantët, e vetmja shpresë mbetet që t’i bëjmë ‘seen’ djalit të DEA-s në WhatsApp.

Për ata që kanë ngatërruar këtë me një platformë për t’u ankuar për çështje të tjera, duhet sqaruar se ky mesazh është  për drogën. Vetëm për drogën. Për korrupsionin do hapet një adresë në tik-tok, më e sigurtë se viber.

Kaja Kallas jep lajmin e mirë për Kosovën

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje të enjten partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, si dhe ka thënë se blloku evropian ka nisur tashmë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës.

Një lajm ky i shumëpritur dhe kërkuar vazhdimisht nga autoritetet në vend.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kallas tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.

“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas.

Kosova nuk po mund të krijojë institucionet e saj të reja as tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Prej atëherë, deputetët janë mbledhur 19 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.

Kallas i bëri këto komente para takimeve me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Ajo do të pritet në një darkë pune sonte në mbrëmje nga kryeministri në detyrë Kurti.

E pyetur për masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës verën e vitit 2023, Kallas tha se blloku “ka filluar t’i heqë masat, por është me rëndësi të kuptohet njëkohësisht se nuk duam të shohim përshkallëzim në veri”.

“Unë personalisht jam duke i bindur vendet anëtare se ne duhet t’i heqim masat për Kosovën, por disa thonë se Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe përshkallëzimi në veri bie ndesh me këtë. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat tonë, por kemi vërtet nevojë të shohim shtensionim në veri”, tha Kallas.

Ajo nuk shpjegoi se kur ka filluar heqja e masave dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani, por shtoi se “ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës, por edhe për lidhje më të ngushta me Evropën”.

Kallas tha se mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare “po minon” përpjekjet drejt shtensionimit të situatës.

Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur një sërë institucionesh paralele serbe në javët e fundit, për të cilat thonë se janë të jashtëligjshme.

Berisha: 11 Maji ishte farsë elektorale, jo zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ishin farsë elektorale.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, Berisha u shpreh se më 11 Maj nuk pati zgjedhje, por farsë elektorale.

“Ti flet për zgjedhje unë flas për farsë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Proces zgjedhor zhvillojnë pothuajse 99% të vendeve të botës, por narkodiktaturat zhvillojnë farsa elektorale. Ka farsë elektorale, dhe ka zgjedhje.

11 Maji ishte farsë absolute. Marrim faktin a ishin farsë? Janë 16 dokumente ndërkombëtare mbi të cilat bazohet janë garant të parimeve të zhvillimeve të zgjedhjeve.

Dallimi midis farsës dhe zgjedhjeve është pikërisht barazia”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” fitoi 50 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste fitoi 83 mandate.

Në vijim të pretendimit të tij, Berisha citoi raportin e OSBE/ODIHR.

“Raporti ka futnota dhe futnotat përtojnë t’i lexojnë, i kam me citime të vëzhguesve një për një, është dhunuar Kodi i Venecias për praktikën e zgjedhjeve të mira.

Është dhunuar ODIHR dhe Kodi i Venecias për parandalimin e keqpërdorimit të administratës dhe burimeve të tij, janë dhunuar direktivat e Këshillit të Europës për zgjedhjet”.

Kryetari i PD akuzoi Kryeministrin Edi Rama për blerje votash.

“Ne hymë në zgjedhje pasi në mes të zgjedhjeve një javë para datës së zgjedhjeve, në Valencia 82 parti politike damkosën zgjedhjet si zgjedhje në të cilat Edi Rama po blen vota me mbjellje kanabisi, me prokurime, me banditë. Janë të shkruara e zezë mbi të bardhë. 

U faktua se u zhvillua një farsë elektorale. Ne zbatuam me përpikmëri Kushtetutën e vendit. 

Ne mbrojtëm votën e shqiptarëve dhe u bëmë shqiptarëve një shërbim”, tha Sali Berisha.

Blendi Fevziu: Artan Lame është ende në jetë, por në koma cerebrale

Moderatori Blendi Fevziu e ka nisur emisionin e kësaj të enjteje me lajmin që u publikua sot për ndarjen nga jeta të politikanit Artan Lame.

Fevziu tha se Lame nuk ka ndërruar jetë, por ndodhet aktualisht në atë që quhet koma cerebrale.

Kjo do të thotë se sidoqoftë, ka ende një shpresë të vogël që ai mund të kthehet në jetë.

“Kam një anonçim të shkurtër, që është padyshim një nga anonçimet më të vështirë që do të bëj ndoshta edhe në të gjithë jetën time. Një nga miqtë e mi personalë, një nga njerëzit që jam i bindur e ka dashur Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se shumë të tjerë, Artan Lame ndodhet në momente shumë të rënda të jetës së tij. Sot paradite ka dalë lajmi që ai iku nga kjo jetë, në fakt ai ndodhet në koma cerebrale. Ka hyrë në një operacion të rëndë në zemër, pas një problem disajavorë. Operacioni nuk ka arritur ta zgjojë më, pra ai është në koma cerebrale, por është ende në jetë. Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse…, pra është e vështirë. Por gjithsesi ai është ende në jetë dhe unë kam një porosi nga familja e tij që ta bëj këtë anonçim për të thënë që të mos bëhet fakt i kryer diçka që nuk ka ndodhur ende,”- u shpreh Blendi Fevziu.

*Koma cerebrale është një gjendje e thellë e pavetëdijes, që ndodh kur truri, veçanërisht zonat që kontrollojnë zgjimin dhe ndërgjegjen, dëmtohen rëndë. Personi në koma nuk zgjohet, nuk reagon ndaj zërit, dritës apo dhimbjes, dhe nuk është në gjendje të komunikojë apo të bëjë veprime të qëllimshme.*

Manchester United nxjerr në shitje gjithë skuadrën pas dështimit në finalen e Europa League

Manchester United humbi finalen e Europa League duke kurorëzuar tashmë atë që cilësohet si sezoni më i dështuar në historinë e këtij klubi.

Menjëherë pas kësaj, reagimi i drejtuesve ka qenë i paprecedent.

Sipas asaj që raporton “The Sun”, klubi ka vendosur që çdo lojtar të nxirret në shitje, duke pranuar oferta për cilindo prej tyre. Një vendim që ka ardhur si pasojë e dështimit në aspektin sportiv, por edhe atë financiar.

Vlera e klubit ka rënë ndjeshëm falë këtij sezoni të fundit dhe një vit pa pjesëmarrjen në kompeticionet europiane dëmton edhe më shumë arkat e ”djajve të kuq”. Kësisoj, drejtuesit kanë vendosur që të nxjerrin në shitje çdo lojtar, duke nisur praktikisht çdo gjë nga e para për ndërtimin e skuadrës.

Një vendim që duket se ka qarkulluar edhe më parë mes skuadrës angleze, pasi menjëherë pas sfidës së humbur këtë të mërkurë, si trajneri Amorim, ashtu edhe kapiteni Bruno Fernandes, deklaruan se ishin gati të largoheshin nëse ua kërkonte klubi.

Emra të tjerë të njohur që cilësohen në shitje janë edhe Casemiro, Kobie Mainoo, Ljuk Shou, Harry Maguire, Andre Onana apo Alehandro Garnaço.

Panik në ajër/ Avioni i nisur nga Rinasi bën ulje emergjente pas krisjes së xhamit

Një fluturim i linjës Tiranë–Oslo i kompanisë ajrore norvegjeze Norwegian ka përjetuar momente tensioni të martën, kur u detyrua të bëjë një ulje emergjente në aeroportin e Splitit, në Kroaci.

Sipas raportimeve të Skyweb.al, shkak për devijimin e avionit DY1935 u bë një xham i krisur në anën e pilotit dhe një rënie e papritur e presionit në kabinë.

Autoritetet kroate mobilizuan të gjitha shërbimet emergjente, të cilat ishin në gatishmëri në pistë në pritje të avionit. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar në bord dhe situata u vu nën kontroll pa pasoja për pasagjerët apo ekuipazhin.

Ky ishte incidenti i dytë brenda të njëjtës ditë për të njëjtin avion. Më herët, fluturimi DY1934 në itinerarin Oslo–Tiranë kishte devijuar drejt Berlinit për arsye që ende nuk janë sqaruar nga autoritetet apo kompania ajrore.

Hetimet për të dy incidentet janë në vijim, ndërsa ekspertët po analizojnë shkaqet teknike dhe verifikojnë respektimin e procedurave të sigurisë nga ana e kompanisë. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për gjendjen e mirëmbajtjes së avionëve të Norwegian, një prej transportuesve të njohur në itineraret drejt dhe nga Shqipëria. Joq/ 

Mbahet Konferenca e 5-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Pasditen e sotme u zhvillua në Bruksel, Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.

I pranishëm në këtë Konferencë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka reaguar në lidhje me këtë zhvillim të rëndësishëm.

“Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër.”, shprehet z. Hasani.

Ai nënvizon gjithashtu se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.

Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.

Me hapjen e këtij grup-kapitulli, Shqipëria është më pranë realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030, ku përfitimet dhe rezultatet e integrimit në BE mund të aplikohen direkt në jetën e përditshme, me shërbime më të mira, më shumë mirëqënie dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët shqiptarë.