zoom

Day ArchiveHoroskopi arsyeja pse je ende beqar/e? Astrologët kanë një përgjigje 

Nëse çdo lidhje jote ka dështuar dhe fajëson gjithmonë “Mërkurin në prapavijë”, nuk je i/e vetme.
Një trend i ri po qarkullon në rrjete sociale: njerëzit po përdorin shenjën e horoskopit si justifikim për gjithçka që s’po ecën në jetë — veçanërisht në dashuri.

Sipas një raporti të fundit nga një platformë takimesh, rreth 43% e përdoruesve shmangin të dalin me dikë bazuar vetëm në shenjën astrologjike. Akrepët, Binjakët dhe Virgjëreshat janë ndër më të “diskriminuarit”, ndërsa Peshqit dhe Dashët kanë më shumë shanse për të marrë një “match”.

Astrologët thonë se, edhe pse yjet mund të ndikojnë në energjitë e përgjithshme, lidhjet nuk shpëtojnë nëse nuk ka komunikim, përkushtim dhe – po, pak më shumë se një birth chart.

Pra, ndoshta nuk është faji i horoskopit që ai/ajo nuk të shkruan më… ndoshta thjesht s’je tipi i tij/saj. Dhe kjo është po aq universale sa Jupiteri.

Izraeli njofton përshkallëzim të operacioneve në Gaza: Hamasi do të paguajë çmimin për mosbindje

Ushtria izraelite do të përshkallëzojë operacionet e saj kundër lëvizjes Hamas në Rripin e Gazës, duke pushtuar më shumë territor në enklavën palestineze, deklaroi shefi i shtabit të forcave të armatosura izraelite.

Ne po veprojmë sipas një plani të strukturuar dhe po kalojmë në fazën tjetër. Hamasi do të paguajë çmimin për mosbindjen e tij… Ne do ta zgjerojmë veprimin tonë, do të pushtojmë më shumë territor, do të hetojmë dhe shkatërrojmë infrastrukturën terroriste derisa Hamasi të shtypet”, tha gjenerali Eyal Zamir gjatë një inspektimi të forcave ushtarake izraelite në Gaza.

Izraeli gjatë ditëve të fundit ka shtuar ofensivën e tij në Gaza, ku ka zhvilluar një luftë kundër Hamasit, grupit militant që sundon enklavën, që kur ata kryen sulmet e tyre më 7 tetor 2023.

Vetëm në 24 orët e fundit sulmet izraelite vranë 60 persona në Rripin e Gazës.

“Më dërgoi plumb”/ Ish deputeti Murrizi tregon kërcënimin: E gjeta vetë, ja kush ishte

Ish deputeti Myslim Murrizi ka rrëfyer në emisionin Top Story se është kërcënuar nga një shqiptar që jetonte në Londër.

Ai u shpreh se i kishte dërguar një plumb në rrjete sociale.

“Një që lante makina në Londër më kishte dërguar një plumb, me emrin Xhixho, me shumë qetësi u mora vetë me të, debil që bëjnë si të fortë. E gjeta kush ishte, e bëra të kërkonte falje dhe tani ishte në fushatë.”- ka thënë ish-deputeti demokrat.

Kurti “thyen akujt” me mediat/ Flet për herë të parë për bllokimin e Kuvendit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi [Kuvendi] të bazuar në meritë”, tha Kurti në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, të transmetuar në mbrëmjen e së martës.

Ndonëse propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, Haxhiu konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkojnë që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar.

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngecur pikërisht te zgjedhja e kryeparlamentarit.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kurti tha se gjatë procesit të formimit të qeverisë, do të jetë i gatshëm për kompromise dhe koncesione.

Kurti përmendi si partnerë të mundshëm pakicat, si dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Ata që kanë dyshime nëse ai i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë, Kurti i porositi: “Më testoni”.

Sipas tij, një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me pakicat dhe me Nismën do të mund të siguronte deri në 80 vota në Kuvend.

LDK-ja më herët e ka refuzuar një ftesë të Kurtit për marrëveshje koalicioni.

Kurti konfirmoi se ka pasur takime me Limajn dhe një rritje të besimit mes tyre, por jo një marrëveshje konkrete.

Kurti bëri të ditur se një nga parakushtet e Nismës ka qenë pozita e kryetarit të Kuvendit – kërkesë që, sipas tij, nuk ka qenë e mundur të përmbushej, pasi Nisma ka siguruar vetëm tre deputetë në Kuvend.

Megjithatë, Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëqeverisje me Nismën.

“Synimi jonë është të kemi një qeveri të re, e cila është e re në përbërje. Pa dyshim që do të ketë edhe befasi dhe ndryshime në kabinetin qeveritar”, tha ai. rel/

Ministri i Venezuelës në konferencë: Kemi kapur shqiptarët, dërguan mercenarë për bomba

Autoritetet venezuelase kanë bërë publike arrestimin e 38 personave të dyshuar për përfshirje në një komplot të organizuar me qëllim sabotimin e zgjedhjeve rajonale dhe legjislative të planifikuara për të dielën, më 25 maj.

Në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar, Enid Kasmi.

Sipas raportimeve të mediave lokale, 21 nga të ndaluarit janë shtetas venezuelas, ndërsa pjesa tjetër përfshin 17 shtetas të huaj nga Ukraina, Meksika dhe Shqipëria. Enid Kasmi dyshohet se ka marrë pagesa nga struktura amerikane për të kryer veprime destabilizuese dhe të dhunshme në territorin e Venezuelës.

Presidenti Nicolás Maduro e cilësoi këtë komplot si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga jashtë, duke akuzuar “mafien shqiptare që sundon në Ekuador” për dërgimin e mercenarëve në Venezuelë.

“Mafia shqiptare dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba. I kemi kapur, tre telefona janë sekuestruar dhe po flasin,” deklaroi Maduro.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtësisë, Diosdado Cabello, shtoi se kjo ishte një përpjekje tjetër e opozitës ekstremiste për të destabilizuar vendin. Sipas tij, prapa këtij organizimi qëndrojnë emra të njohur si Iván Simonovis, Arturo José Gómez Morante dhe politikania opozitare María Corina Machado.

Gjatë një konference për shtyp, autoritetet venezuelase zbuluan se në operacionin e fundit u kap një grup prej tetë vetash me pajisje shpërthyese dhe “detonatorë elektrikë”. Hetimet vazhdojnë, ndërsa regjimi i Maduros duket i vendosur të përdorë këtë incident për të ashpërsuar luftën ndaj opozitës dhe për të justifikuar masa të reja sigurie përpara zgjedhjeve.

Mediat italiane: Milani ka zgjedhur Taren, marrëveshja drejt finalizimit

Ish-futbollisti shqiptar, Igli Tare, po shkon drejt zgjedhjes si drejtor sportiv i ekipit të Milanit.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane, sipas të cilave mësohet se Igli Tare ka qenë i preferuari i Zlatan Ibrahimovic dhe Gerry Cardinale në muajin shkurt.

Firma me Igli Taren ende nuk është arritur, por të gjitha të dhënat çojnë në një vendim të përbashkët për futbollistin shqiptar.

Tare pas përvojës te Lazio dhe gati për të punuar sa më shpejt të jetë e mundur për një tjetër projekt.

Në orët e fundit, kontaktet kanë rinisur: marrëveshja duhet të zgjasë dy vjet me një opsion për një vit të tretë.

Tare vlerësohet gjithashtu nga Moncada, i cili do të kthehej për t’u kujdesur për vëzhgimin e lojtarëve.

Lutfi Dervishi ironizon: Çunat tanë të Ekuadorit po i mësojnë Venezuelës si fitohen zgjedhjet

Analisti i njohur Lutfi Dervishi ka reaguar me ironi pas deklaratave të presidentit venezuelian Nicolás Maduro, i cili akuzoi mafien shqiptaro-ekuadoriane se po ndërhyn në procesin zgjedhor të vendit të tij.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dervishi ka thumbuar zhvillimet, duke shkruar:

“Çunat tanë të Ekuadorit po i mësojnë falas Venezuelës si bëhet fushata zgjedhore dhe si fitohen zgjedhjet…”

Deklarata e tij vjen në një kohë kur ndërkombëtarisht po rritet shqetësimi për rolin e krimit të organizuar në procese elektorale, jo vetëm në rajonin e Amerikës Latine, por edhe në Ballkan.

Në Shqipëri, zgjedhjet e mbajtura më 11 maj u shoqëruan nga akuza të forta për përfshirjen e grupeve kriminale në procesin elektoral. Opozita dhe një pjesë e opinionit publik e kanë cilësuar qeverisjen e Edi Ramës si një “narkoshtet”, duke theksuar se mafiet lokale kanë tashmë përfaqësues të drejtpërdrejtë në Parlamentin shqiptar.

Deklaratat e presidentit Maduro dhe ironia e Dervishit nxjerrin në pah përmasat ndërkombëtare të fenomenit të ndërthurjes së politikës me krimin e organizuar, një realitet që duket se nuk njeh kufij./ Zoom.al

Atentati në Durrës/ Çfarë po heton policia dhe detajet e reja

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati, i një nate më parë në Durrës.

Vrasja 29-vjeçarit Ermir Dedja në mesnatën e 20 Majit në Durrës, ka shtyrë policinë e këtij qyteti të drejtojë hetimet rreth përplasjeve të bandave kriminale në qytetin bregdetar

Viktima, Dedja raporton se për Policinë e qytetit, ai njihet si shok i ngushtë i një personazhi të botës së krimit në Shijak me inicialet A.A, që tashmë rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.

Sipas të dhënave që ka mbledhur policia e Durrësit, Dedja rezulton i dënuar disa herë nga gjykata e Durrësit për akuzën e plagosjes si dhe prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Pikërisht tregtia e drogës mes grupeve kriminale në Durrës, është pista kryesore ku është fokusuar policia, e cila deri në mesditën e sotme nuk ka pasur asnjë person të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë.

Në momentin e vrasjes viktima Ermir Dedja, ka qenë në ambientet e një lokali në Durrës, ku një person i vetëm ka qëlluar me automatik nga një makinë e bardhë, duke e lënë të vdekur në vend.

PD kërkesë KQZ-së: Mos certifiko rezultatin e 11 majit

Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku i kërkon që të mos certifikojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit për asnjë Qark, pa bërë një auditim për procesin e diasporës.

Demokratët i kërkojnë Ilirjan Celibashit që të ndërmarrë menjëherë një auditim të thelluar të gjithë procesit të votimit të diasporës, duke përfshirë:

Sipas PD-së, ka zarfa të mbërritura bosh, mospërputhje të zarfave të ardhura nga ato të numëruara, mungesë transparence, anomali në administrin dhe numërimin e këtyre fletëve të ardhura nga jashtë.

Bazuar në këto dyshime, demokratët kërkojnë auditim të plotë e të pavarur nga institucionet publike e të shtetit të këtij procesi. Pa u zhvilluar një hap i tillë, Partia Demokratike kërkon që të mos njihet vota e diasporës.

Shkresa e plotë:

I nderuar Z. Celibashi, Në emër të Partisë Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), përfaqësuar nga Z. Franci Nuri, në cilësinë e përfaqësuesit pranë KQZ-së, ju drejtohemi me këtë shkresë zyrtare lidhur me procesin e votimit nga diaspora dhe pasojat e rënda të tij mbi integritetin e zgjedhjeve të datës 11 maj 2025.

Teksa po vijon procesi i numërimit të votave të fundit të diasporës, ky proces jo vetëm që po humbet çdo besueshmëri në sytë e publikut, por ka dalë plotësisht jashtë kontrollit administrativ dhe ligjor. Dështimet janë të shumta dhe tashmë të dokumentuara publikisht, duke filluar nga:

Zarfa që kanë mbërritur bosh, pa fletë votimi, si dhe raste të zarfeve të shpërndara nga individë të lidhur me struktura patronazhi;

Mospërputhje të rënda në numrin e zarfeve të ardhura dhe fletëve të numëruara;

Raste si ai i zarfeve të dërguar për në qarkun Durrës që përmbanin fletë votimi për qarkun Gjirokastër,

Mungesë totale transparence mbi numrin e fletëve të votimit të prodhuara dhe vulosura për diasporën;

Rrjedhje të të dhënave të zgjedhësve, shpërndarje jozyrtare e zarfeve dhe anomali të theksuara në administrimin dhe numërimin e fletëve të ardhura nga jashtë vendit.

Të gjitha këto përbëjnë jo vetëm shkelje të rënda procedurale, por edhe elemente që vënë në dyshim të thellë legjitimitetin e rezultatit zgjedhor për votën e diasporës.

Për rrjedhojë, në emër të Partisë Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore, kërkojmë zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që:

1.Të mos certifikojë rezultatin për asnjë qark zgjedhor, përfshirë dhe rezultatin e votimit nga diaspora për atë qark, derisa të përfundojë një auditim i plotë dhe i pavarur mbi të gjithë procesin.

2.Të ndërmarrë menjëherë një auditim të thelluar të gjithë procesit të votimit të diasporës, duke përfshirë:
-Planifikimin dhe përgatitjen paraprake të procesit;
-Prodhimin dhe shpërndarjen e fletëve të votimit;
-Dërgimin, marrjen dhe protokollimin e zarfeve;
-Procesin e administrimit, hapjes dhe numërimit të tyre;
-Si dhe çdo akt tjetër i lidhur me këtë proces, që nga regjistrimi i votuesve e deri te shpallja e rezultateve për çdo qark.

Kërkojmë që ky auditim të realizohet nga ekspertë të pavarur, të paangazhuar me ndonjë institucion shtetëror apo politik, dhe që rezultatet e tij të bëhen publike në mënyrë të plotë.

Pa përfunduar ky auditim dhe pa u bërë transparencë e plotë mbi procesin, shpallja e çdo rezultati për votën e diasporës dhe për rrjedhojë për çdo qark do të ishte një veprim i nxituar dhe në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kërkesat minimale të integritetit zgjedhor.

E konsiderojmë të domosdoshme që KQZ të ndërmarrë këto hapa urgjentë, jo vetëm për të adresuar dështimin katastrofik të këtij procesi, veçanërisht në shtete si Greqia, por edhe për të ruajtur legjitimitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në funksionimin demokratik të zgjedhjeve.

Meta kërkon tradhtarët brenda Partisë së Lirisë

Pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 11 majit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka firmosur një urdhër për analizimin e thelluar të çdo njësie dhe qendre votimi në Tiranë, aty ku ishte vetë kandidat, por nuk e fitoi dot mandatin e deputetit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta theksoi nevojën për të verifikuar “punën dhe rolin e gjithsecilit”, duke lënë të kuptohet se brenda partisë mund të ketë pasur elementë të cilët nuk kanë vepruar në përputhje me interesat e saj.

“Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit… për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit”, deklaroi Meta, duke shtuar se falënderon ata që i rezistuan “presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit”.

Reagimi i plotë:

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore./ Zoom.al