zoom

Day ArchiveMan.City e mbyll sezonin pa trofe, Guardiola i dorëzuar: Bëmë gjithçka që mundëm

Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola foli për “BBC One” pas humbjes tronditëse 1-0 të klubit në finalen e Kupës FA ndaj Crystal Palace.

Trajneri katalanas pranoi meritat e kundërshtarëve të tij, por shprehu edhe keqardhje për mundësinë e humbur.

“Nuk shënuam, kështu që urime Crystal Palace për fitoren, bëmë gjithçka që mundëm. Sot ishim më agresivë. Por nëse nuk shënon, nuk mund të fitosh. Nuk e di, nuk kam folur me Haaland dhe Marmoush për penalltinë.

Ata morën një vendim. Ata vendosën. Luajtëm shumë më mirë sesa në finalen e vitit të kaluar kundër Manchester United. Edhe futbolli është kështu. Në fund, me Claudio Echeverri-n, patëm një shans të mirë. I kontrolluam mirë tranzicionet. Për fat të keq nuk arritëm të fitonim, por urime Crystal Palace,”- e mbylli Guardiola./ Zoom.al

Pas një periudhe në hije, vjen momenti i kthesës për këtë shenjë

Fundjava sjell një ndryshim të ndjeshëm në energjinë e Luanit, një prej shenjave më karizmatike të zodiakut.

Pas disa ditësh të mbushura me angazhime, tensione të fshehura dhe ndjenja të pashprehura, tani vjen momenti për t’u çliruar. Hëna pozicionohet në mënyrë harmonike me shenjën tuaj dhe Dielli – planeti që ju udhëheq – krijon një kënd të fuqishëm që sjell më shumë energji, vëmendje dhe një nevojë për të treguar veten.

Luani do të ndiejë se është koha për të dalë nga hija, për të rimarrë kontrollin dhe për të qenë në qendër të vëmendjes. Nëse gjatë javës jeni ndjerë të padukshëm ose të nënvlerësuar, kjo fundjavë ju jep mundësinë të tregoni anën tuaj më të gjallë dhe më të bukur.

Mos u çudisni nëse ndiheni të frymëzuar për të dalë me miqtë, për të organizuar diçka spontane apo për të bërë një postim në rrjete sociale që merr më shumë reagime se zakonisht. Kjo është fundjava ku jeni në elementin tuaj: të dukshëm, të sigurt dhe të parezistueshëm.

Në dashuri, pritet një moment interesant: dikush mund t’ju ketë vëzhguar nga larg dhe tani është gati të afrohet. Mos bëni sikur nuk e vini re – por as mos u ngutni. Luani di si ta mbajë ritmin elegant.

Këshilla për fundjavën? Bëhu vetja. Sapo ta bësh këtë, gjithçka tjetër vjen vetë.

Beteja për mandatin e fundit në Lezhë, vetëm 73 vota “shpëtuan” PD

Teksa po numërohet kutia e fundit për qarkun e Lezhës, nga votat e Diasporës, salla është përfshirë nga tensionet.

Partia Demokratike ka arritur të mbajë mandatin e saj me 73 vota diferencë në qarkun e Lezhës. Megjithëse kanë mbetur edhe pak vota për tu numëruar, socialistët nuk arrijnë dot t’i marrin mandatin.

Kandidatët demokratë dhe socialistë kanë ndjekur nga afër të gjithë procesin, por ethet e mbylljes së numërimit kanë sjellë tensione mes palëve.

Kanë qenë demokratët ata të cilët kanë ngritur zërin, teksa më pas reaguan edhe socialistët.

Në sallë ka qenë i pranishëm edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

Bundesliga/ Dortmundi rrëmben vendin në Champions, Lajpcigu mbetet pa Europë

Java e fundit e Bundesligës ka dhuruar dramë deri në sekondat e fundit të saj, teksa ka dekretuar verdikte të rëndësishme për të dy anët e tabelës.

Me luftën për titull të mbyllur e me Bajernin që fitoi qetësisht 4-0 ndaj Hofenhajm, vëmendja ishte te ajo për vendin e katërt në klasifikim që çon në Champions. Dortmundi ka bërë detyrën e vet duke mundur me shifrat 3-0 Holshtajn Kiel për të kapërcyer vetëm në fotofinish Frajburgun. Ky i fundit u mund në shtëpi 1-3 nga Eintraht Frankfurti i cili blindoi vendin e tretë në renditje dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Edhe Lajpcigu u mund 2-3 në shtëpi nga Shtutgarti e kësisoj, mbeti jashtë zonës së Europës në kampionat, pasi Mainci mori pikën që i duhej në barazimin 2-2 ndaj Leverkusen.

Sa i përket mbijetesës, Haidenhajm mbeti në vendin e 16 që çon në play-out, ndërsa Holshtajn Kiel e Bohum ranë një kategori më poshtë.

REZULTATET

Augsburg-Union Berlin 1-2

Borusia Mynshengladbah-Volfsburg  0-1

Borusia Dortmund-Holshtajn Kiel 3-0

Frajburg-Eintraht Frankfurt 1-3

Hajdenhajm-Verder Bremen 1-4

Hofenhajm-Bajern Mynih 0-4

Mainc-Bajer Leverkusen 2-2

Lajpcig-Shtutgart 2-3

St.Pauli-Bohum 0-2

Mjekët ngrejnë alarmin për cigaret elektronike/ Ja çfarë shkaktojnë në mushkëri

“Vape” ose cigaret elektronike shumë të rinj i kanë kthyer në modë prej vitesh dhe i konsumojnë ndoshta pa ditur dëmin që iu shkaktojnë.

“Pavarësisht se ato nuk prodhojnë atë nikotinën normale që prodhon cigarja e zakonshëm ato lëshojnë lëndë kimike si formaldehidi apo siç është  acidi acetik të cilët dëmtojnë  pjesën e pulmonit e japin efekte të mëvonshme në shëndetin e tyre,”- u shpreh mjekja për “ABC News”.

Mjekët ngrenë shqetësimin se  përdoruesit e tyre do të jenë pacientët e ardhshëm të pneumologëve.

“Kam pas dhe rastin e një të riu që e përdorte prej tre katër vitesh nargjilen dhe vapet më pas i kishte dhënë efekte të dëmtimit të pulmonit. Ai paraqitet me dispne të theksuar në frymëmarrje, me një kollë të thatë,  që e kishte prej disa kohësh. Megjithëse ishte trajtuar dhe nga mjeku i familjes me antialergjik pak kortizonik  përsëri kolla ishte dominante persistonte. E nisëm pastaj për ekzaminime të mëtejshme në Qendrën Universiare “Shefqet Ndroqi”, por që dëmtime në pulmon kishte dhënë”.

Dëme cigaret elektronike shkaktojnë në çdo moshë, por  bluzat e bardha thonë se më të mëdha ato janë te më të vegjlit. Ulja e sasisë së konsumuar sipas mjekëve nuk e zgjidh problemin.

“Ndryshimet e mushkërive vijojnë deri në moshën 25 madje, te meshkujt deri në 28 vjeç mushkëria është në zhvillim si i gjithë organizmi i njeriut. Unë mendoj se nuk duhen përdorur nga të gjithë, por sidomos tek ata më të vegjlit që mushkëritë i kanë në zhvillim,”- vijon pneumologia./ Zoom.al

Sonte finalja e madhe e Eurovizionit, ja kur performon Shqipëria

Festivali i 69-të i Këngës në Eurovision po i afrohet finales së madhe në qytetin zviceran të Bazelit. Artistë muzikorë nga 26 vende do të ngjiten në skenën e arenës St. Jakobshalle të shtunën, në një garë që ka bashkuar dhe ndarë evropianët që nga viti 1956.

Shqipëria do të jetë e fundit që do të performojë në garë, pra e 26-a.

Ja gjithçka që duhet të dini para finales së madhe, që mbahet sonte në orën 21:00.

Çfarë është Eurovizioni?

Eurovizioni është një konkurs ku interpretues nga vende të ndryshme të Evropës, dhe disa përtej saj, garojnë nën flamujt kombëtarë me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit.

Mendojeni Eurovizionin si Olimpiadën e muzikës apo Kupën e Botës me këndim në vend të futbollit.

Është një festë e argëtimit dhe fuqisë unifikuese të muzikës, por gjithashtu edhe një vend ku politika dhe rivalitetet rajonale dalin në pah.

“Është ngjarja më e madhe kulturore e Evropës”, tha Dean Vuletiq, një ekspert i historisë së Eurovizionit për agjencinë e lajmeve AP.

“Ka vazhduar për pothuajse 70 vjet dhe njerëzit duan ta shohin, jo vetëm për spektaklin, shkëlqimin, efektet e skenës, kostumet e çmendura, por edhe sepse e shohin si një pasqyrim të frymës së kohës në Evropë”, përfundoi ai.

Kush është në finalen e Eurovizionit 2025?

Nga 37 vende që dërguan interpretime në Eurovizion, 11 u eliminuan nga votimi publik në gjysmëfinalet e së martës dhe së enjtes.

Gjashtë të tjera u kualifikuan automatikisht për në finale: nikoqirja Zvicra dhe “Pesëshja e Madhe” që kontribuon më shumë financiarisht në konkurs — Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.

26 vendet që konkurrojnë të shtunën, sipas rendit të interpretimit, janë: Norvegjia, Luksemburgu, Estonia, Izraeli, Lituania, Spanja, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Austria, Islanda, Letonia, Holanda, Finlanda, Italia, Polonia, Gjermania, Greqia, Armenia, Zvicra, Malta, Portugalia, Danimarka, Suedia, Franca, San Marino dhe Shqipëria.

Favoritët, sipas bastvënësve, janë KAJ, që përfaqësojnë Suedinë me “Bara Bada Bastu”, një serenatë gazmore për saunën.

Këngëtari holandez Claude është gjithashtu shumë i vlerësuar me baladën shpirtërore “C’est La Vie”, si dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm”.

Favoritë të tjerë përfshijnë austriakun e trajnuar në mënyrë klasike JJ me këngën pop-operë “Wasted Love”, dhe izraeliten Yuval Raphael me himnin “New Day Will Rise.”

Çfarë muzike është ajo e Eurovizionit?

Eurovizioni ka një reputacion për europop-in me tekste pa kuptim — fitues të mëparshëm përfshijnë këngët “La, La, La” dhe “Boom Bang-a-Bang.”

Por, ky festival ka prodhuar edhe disa hite të qëndrueshme të muzikës pop. Dhe ndihmoi në ngritjen e yjeve si ABBA — fitues në 1974 me “Waterloo” — Celine Dion; performuesi drag austriak, Conchita Wurst; dhe grupi rok italian, Maneskin.

Finalistët e këtij viti variojnë nga rokistët emo lituanezë, Katarsis, te diva spanjolle e baladave të fuqishme, Melody, dhe rokistët progresivë ukrainas, Ziferblat.

Dikur besohej gjerësisht se këngët më të suksesshme të Eurovizionit ishin në anglisht, por kjo po ndryshon. Festivali i këtij viti përfshin këngë në një rekord prej 20 gjuhësh.

Vuletiq tha se shikuesit sot duan “më shumë autenticitet në prezantimet e Eurovizionit”.

“Ata nuk duan vetëm një këngë standarde pop në anglisht,” tha ai. “Ata duan gjithashtu të shohin diçka për kulturën e vendit që përfaqëson kënga”.

Si zgjidhet fituesi?

Pasi të gjitha këngët të jenë interpretuar në finale, fituesi zgjidhet përmes një kombinimi të ndërlikuar të votimeve me telefon dhe online nga mbarë bota dhe renditjeve nga juria e industrisë muzikore në secilin nga vendet e Eurovizionit. Ndërsa rezultatet shpallen, vendet ngjiten dhe zbresin në renditje dhe tensioni rritet.

Përfundimi me zero pikë konsiderohet një turp kombëtar.

A është Eurovizioni një zonë pa politikë?

Motoja e festivalit është “të bashkuar nga muzika”, por ndarjet politike pa dyshim që ndikojnë.

Rusisë iu ndalua garimi pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe që atëherë muzikantët ukrainas — përfshirë fituesin e vitit 2022, Kalush Orchestra — kanë garuar nën hijen e luftës në atdhe.

Konkursi i këtij viti është trazuar për të dytin vit radhazi nga mosmarrëveshjet rreth pjesëmarrjes së Izraelit.

Dhjetëra ish-pjesëmarrës, përfshirë Nemo-n, kanë kërkuar përjashtimin e Izraelit për shkak të sjelljes së vendit në luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Gazë.

Protesta pro-palestineze dhe pro-izraelite janë mbajtur në Bazel, megjithëse në shkallë shumë më të vogla sesa në konkursin e vitit të kaluar në Suedi.

Një grusht protestuesish u përpoqën të ndërprisnin një provë të këngëtares izraelite Raphael të enjten me flamuj të mëdhenj dhe bilbila, por u nxorën nga arena. Organizatorët thonë se kanë shtuar masat e sigurisë para finales./REL

Papa Leoni XIV zgjedh pallatin ku do jetojë

Ndryshe nga Papa Françesku, Papa Leoni i XIV pritet të jetojë në Pallatin Apostolik të Vatikanit, rezidenca zyrtare e kreut të Kishës Katolike.

Sipas zyrtarëve të Vatikanit ndërtesa përmban apartamentet papale, zyra të ndryshme të Selisë së Shenjtë, kishëza private dhe publike, Muze dhe Bibliotekën e Vatikanit, studio, dhomë ngrënieje, kuzhinë dhe faltore.

Aktualisht po bëhen punime për rinovimin e pallati dhe Ati i Shenjtë pritet të zhvendoset pak kohë pas meshës së tij inaugurimit si Papë të dielën.

Françesku ishte Papa i parë që nga viti 1870 që nuk jetonte në pallat, duke zgjedhur në vend të kësaj që rezidenca e tij të ishte hoteli Santa Marta i Vatikanit, një strukturë që strehon priftërinj dhe mysafirë të tjerë të Vatikanit duke shmangur luksin dhe duke zgjedhur në mjedis të thjeshtë.

Ndërkaq, të dielën në mëngjes, më 18 Maj, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të mbahet një Meshë për fillimin e papatit të Papa Leonit të XIV, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 200 udhëheqës nga e gjithë bota.

VIDEOLAJM/ Elda Hoti surprizon Gjekmarkajn gjatë numërimit të votave

Drejtuesi politik i Qarkut Lezhë, Agron Gjekmarkaj, ka pasur një festë të papritur ndërkohë që po mbikëqyrte numërimin e votave në Parkun Olimpik të diasporës, një moment kyç për rezultatin përfundimtar të këtij qarku.

Gjekmarkajn e surprizuan disa anëtarë të Partisë Demokratike të Lezhës, duke i sjellë një tortë.

Torta iu dha nga deputetja Elda Hoti. Pavarësisht angazhimeve të shumta dhe presionit të procesit të numërimit, Gjekmarkaj e ka konsideruar këtë moment një befasi të këndshme.

Ndërkohë, një tjetër detaj që është vënë re, është fakti se urimet për ditëlindjen e tij nuk kanë munguar as nga anëtarët e PS-së.

Tensione në Parkun Olimpik për Lezhën, Manja përplaset me Gjin Gjonin: Ta kam fal njëherë…

Prej mëngjesit të sotëm ka rinisur procesi i numërimit të votave të diasporës dhe janë regjistruar disa momente tensioni në ambientet e Parkut Olimpik.

Një përplasje ka ndodhur mes drejtuesit të Lezhës për Partinë Socialiste, Ulsi Manja me Gjin Gjonin dhe Belind Këlliçin nga Partia Demokratike. Manja i thotë Gjonit ‘se ka e falur njëherë kur ka shkuar në shtëpinë e Besnik Dervishit’, referuar Komisioneri për të Drejtën e Informimit, i cili më parë ka mbuluar detyra në sistemin e drejtësisë.

“Harmoninë dhe paqen në Lezhë se prish dot ti nga Tirana. Dakord. Secili në shtëpi të vetë. Të kam fal njëherë kur shkove në shtëpi te Besnik Dervishi,” tha Manja.

Celibashi: 109 fletë votimi më shumë se numri i votuesve/ KQZ nis verifikimet

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se nga numërimi i votave në rang vendi, janë konstatuar 109 fletë votimi më shumë se numri i qytetarëve që kanë votuar.

Sipas Celibashit, në kuti janë gjetur 1,462,352 fletë votimi, ndërsa në procesverbalet e qendrave të votimit janë shënuar 1,462,461 votues. Diferenca prej 109 fletësh ka ngritur dyshime mbi një gabim të mundshëm gjatë përpilimit të procesverbaleve apo hedhjes së të dhënave nga numëruesit. Për këtë arsye, KQZ ka nisur një verifikim në të gjithë territorin për të sqaruar situatën.

“Jemi duke analizuar nëse bëhet fjalë për një lapsus nga komisionerët që kanë mbyllur procesverbalet apo nga numëruesit në përpunimin e të dhënave,” u shpreh Celibashi.

Ai shtoi gjithashtu se janë identifikuar 9 kuti votimi të parregullta – 7 prej tyre gjatë dorëzimit nga Komisionet e Qendrave të Votimit në KZAZ, ndërsa 2 të tjera janë kontestuar më vonë nga KZAZ-të pas pranimit të kutive.

Lidhur me procesin e votimit nga jashtë vendit, Celibashi tha se ai është drejt përfundimit në disa qarqe, përfshirë Kukësin dhe Tiranën. Deri më tani janë numëruar 159,921 vota të vlefshme dhe 1,666 të pavlefshme nga votuesit e diasporës. Verifikimi i zarfeve nga Greqia është ende në proces dhe pritet të përfundojë brenda ditës.