zoom

Day ArchiveFitore e çmendur ndaj Barcelonës/ Interi shkon në finalen e Champions

Interi është kualifikuar për në finalen e Champions League. Pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, edhe akti i dytë u mbyll në të njëjtat shifra, ndërkohë për të përcaktuar fituesin u desh koha shtesë.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që u hodhën menjëherë në sulm.

Për të ardhur te goli, zikaltërit “rrëmbyen” një top para zonë, me Dumfries që shërbeu mjaft mirë për Lautaron, i cili e kishte lojë fëmijësh që të shënonte.

Katalanasit provuan të reagojnë, por hasën mjaft vështirësi.

Në fundin e pjesës së parë, Mkhitaryan fillimisht dhe më pas Çalhanoglu shkaktuan “dridhërima” teksa iu afruan golit të dytë.

Nuk kishte mbaruar ende asgjë nga ky fraksion i çmendur, pasi të besuarit e Inzaghit fitojnë penallti pas një pengimi të Lautaros, me 11-metërshin që u përkthye në gol nga Calhanoglu.

Ekipi i Flick u fut në lojë në fillimin e pjesës së dytë me golin e Garcia. Për të barazuar shifrat mendoi Olmo.  Raphinha përmbysi ndeshjen por në limite Acerbi dërgoi ndeshjen në shtesë. Në shtesë, Interi ia doli me golin e Frattesit.

Në finale, italianët presin fituesin e Psg-Arsenal./ Zoom.al

Spektakël në “San Siro”/ Gjysmëfinalja Inter-Barcelona shkon në shtesë pas barazimit 3-3

Ka përfunduar në barazim 3-3 gjysmëfinalja e kthimit mes Interit dhe Barcelonës, teksa takimi ka shkuar në shtesa ku do të përcaktohet edhe finalistja e parë e Champions League.

Pas spektaklit në ndeshjen e parë në Katalonjë, ku rezultati përfundimtar shënoi 3-3, edhe sot në “San Siro” pamë një ndeshje spektakolare që nga minuta e parë, e cila po ashtu në fund regjistroi të njëjtat shifra.

Në pjesën e parë Interi dominoi fushën ndërsa në pjesën e dytë situata u kthye duke lënë në ankth tifozët dhe sportdashësit.

Dy skuadrat po “luftojnë” për një vend në finalen e Mynihut./ Zoom.al

Klosi i bindur: Në Dibër do të marrim katër mandate

Sekretari i Përgjitshëm i Partisë Socialiste, njëkohësisht drejtues politik për zgjedhjet në Dibër, Blendi Klosi e quan intriguese fushatën e zgjedhjeve të 11 Majit, pasi drejton një qark të vështirë si Dibra.


I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Klosi shprehet se për 35 vite Partia Socialiste nuk ka pasur sukses në Dibër, por shprehet i bindur se këto zgjedhje do të marrin 4 nga 5 mandate në këtë qark.

Klosi ka treguar si paraqitet situata e zgjedhjeve atje, teksa shton se e vetmja gjë që e prish këtë fushatë janë zhurmat e makinave të përfaqësuesve të kampit opozitar.

 “Besoj jqë jo vetëm që do të fitojmë, por besoj që do të shkojmë në një rezultat 4 me 1. Besoj se do të jetë spektakël i zgjedhjeve. Kam bindje të thellë që jo vetëm do të kemi progres në Dibër, por do të garojmë për katër mandate.“- tha Klosi.

Alizoti ashpërson gjuhën ndaj Ramës: Do merrem me të se njerëzit e tij kanë varur njerëzit e mi

Përplasja mes drejtuesit politik të Partisë Demokratike në Elbasan, Tomor Alizoti, dhe kryeministrit Edi Rama ka marrë një tjetër ton të ashpër këtë të martë, me deklarata të forta nga ana e Alizotit në studion e emisionit Top Story.

Duke komentuar deklaratat e Ramës në mitingun përmbyllës të fushatës në Elbasan, ku ky i fundit i tha se “ka gjetur njerëzit dhe vendin e gabuar për t’u marrë”, Alizoti u shpreh se kjo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë politik. “Më kujton Kinostudion e dikurshme. Një armatë e madhe që propagandon. Ai është i lidhur me bandat dhe duhet ngrënë politikisht. Por ai është një njeri që nuk hahet lehtë,” deklaroi Alizoti.

Demokrati theksoi se përplasja me Ramën nuk është thjesht politike, por ka edhe një dimension personal dhe historik. “Unë jam biri i një njeriu që është varur nga regjimi komunist, nga partia e babait të Edi Ramës. Nëse në Gjermani nipi i Hitlerit do t’u drejtohej të mbijetuarve të Holokaustit, do ishte skandal. Kjo ndodh sot në Shqipëri,” tha Alizoti.

Ai shtoi se do të përballet drejtpërdrejt me kryeministrin: “Unë nuk kam frikë. Do merrem me Ramën personalisht, politikisht, për çdo gjë që përfaqëson ai dhe trashëgimia e tij.”

Deklaratat vijnë pas ironive të Ramës gjatë fjalimit në Elbasan, ku e quajti Alizotin “Ludovik” dhe e akuzoi se po ndjek një strategji të gabuar politike. “Ke gjetur vendin më të gabuar, njerëzit më të gabuar, forcën më të gabuar për t’u ngatërruar, Tomor,” u shpreh Rama, duke shtuar se “tamaja e madhe do ta lërë pa gjë”.

Festë në “San Siro”/ Interi shënon golin e dytë ndaj Barcelonës

Po luhet sonte në “San Siro” gjysmëfinalja e kthimit mes Interit dhe Barcelonës për të përcaktuar ekipin e parë që do të shkojë në finale e madhe të Champions League.

Goli i parë i takimit ka ardhur në minutën e 21-të me zikaltrit që kaluan në avantazh pas një presioni të madh ndaj miqve.

Federico Dimarco përfiton nga një top i gabuar i mesfushës së Barcelonës dhe pason për Denzel Dumfries, holandezi asiston për Lautaro Martinez, i cili dërgon topin në rrjetë.

Menjëherë pas golit të Interit, katalanasit janë hedhur në sulm, gjatë një aksioni të shpejtë, futbollistët e Barcelonës pretendojnë për prekje me dorë të Acerbit brenda zonës, por arbitri kryesor i takimit, Szymon Marciniak, vazhdoi normalisht ndeshjen.

Në fund të pjesës së parë, Cubarsi pengon brenda zonës Lautaro Martinez, ndërhyn VAR, arbitri Szymon Marciniak shikon pamjet dhe akordon penallti për zikaltrit.

Topin e merr i zakonshmi Hakan Calhanoglu, i cili tregohet i saktë dhe shënon golin e dytë për Interin. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për zikaltrit./ Zoom.al

Shënon Lautaro! Interi kalon në avantazh

Interi ka kaluar në avantazh ndaj Barcelonës me një gol spektakolar të Lautaro Martinez.

Interi dhe Barcelona përballen sot në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, për të zgjidhur mes tyre se cila është skuadra e parë që do të shkojë në finalen e madhe të Mynihut.

Dy ekipet kanë dhuruar një barazim spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë, që garantoi emocione që në vërshëllimën e parë, e deri në të fundit.

Palët vijnë edhe në këtë ndeshje të dytë me probleme të rëndësishme me dëmtimet apo me formën jo optimale të disa elementëve kyç, pasi Lautaro Martinez nga një anë e Levandovski nga tjetra nuk janë në formën më të mirë.

E harroi Gjestin? Egli Tako duket se po i jep një mundësi romancës me Redon Beranin!

Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 4”, Redon Berani shprehu publikisht pëlqimin e tij për Egli Takon, teksa ajo ishte ende banore e shtëpisë. Të gjithë menduam se mes tyre do të kishte një lidhje dashurie derisa në “BBV4” hyri si banor Gjesti dhe Egli shprehu ndjenjat për të.

Në mbarim të këtij edicioni menduam se Egli dhe Gjesti do ta vazhdonin njohjen dhe lidhjen e tyre jashtë, për më tepër pasi e kemi parë këto kohë Eglin shpesh në Kosovë. Mesa duket gjërat nuk janë ashtu si mendojmë ne.

Dyshohet se Egli dhe Redoni i kanë dhënë një mundësi njëri-tjetrit për të pasur një lidhje dashurie dhe se udhëtimet e Eglit në Kosovë janë për Redonin dhe jo për Gjestin. Dyshime të cilat kanë lindur nga një foto që secili prej tyre ka publikuar në Instastory duke vendosur të njëjtin ‘emoji’ si një shenjë që mes tyre ka diçka.

Dhunohet brutalisht një efektiv i rrugores në Kukës, dyshimet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në qytetin e Kukësit, ku një efektiv i policisë së Qarkullimit Rrugor është dhunuar në mënyrë brutale nga disa persona ende të paidentifikuar.

Sipas informacioneve paraprake, sulmi ka ndodhur pranë banesës së efektivit, ku autorët e kanë pritur dhe e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar plagë të shumta. Polici është dërguar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.

Burime nga policia dyshojnë se ngjarja është e motivuar nga detyra, pasi i plagosori kishte ndaluar disa ditë më parë disa prej autorëve të dyshuar, të cilët ishin kapur duke lëvizur me makinë në shkelje të rregullave të qarkullimit.

Grupi Hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Cristiano Ronaldo Jr ftohet për herë të parë në kombëtaren e Portugalisë

Dinastia Ronaldo te Portugalia duket se do të vazhdojë gjatë.

Me Cristriano Ronaldon ende aktiv në futboll dhe kapiten i Portugalisë për më tepër, luzitanët kanë ftuar për herë të parë në kombëtare edhe Cristiano Jr.

Nuk bëhet fjalë për kombëtaren A por për atë të 15-vjeçarëve.

Djaloshi është ftuar që të marrë pjesë me ekipin U15 të Portugalisë në turneun ndërkombëtar “Vlatko Markoviç” në Kroaci, ku Portugalia do të përballet me Japoninë, Greqinë dhe Anglinë.

“Kanadaja do të bëhet SHBA”/ Trump ia thotë në sy kryeministrit kanadez: Kurrë mos thuaj kurrë

Pikëpamja e kanadezëve për t’u bërë shteti i 51-të i SHBA-së “nuk do të ndryshojë”, tha kryeministri i Kanadasë, Mark Carney.

Mirëpo Trump tha se këmbëngulja e Carney-t se Kanadaja nuk është në shitje nuk do të ndikojë në diskutimet që palët kanë sot.

Por më tej ai shton se “vetëm koha do ta tregojë” dhe “kurrë mos thuaj kurrë”. “Do ta shohim me kalimin e kohës se çfarë do të ndodhë”, tha Trump.

Gjatë takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, Carney tha se Kanadaja është “klienti më i madh i SHBA-së”.

“Ne kemi një sektor automobilistik të jashtëzakonshëm midis nesh. Nuk ka asnjë gjë që mund ta detyrojë SHBA-në të heqë tarifat. Ky është një diskutim më i madh që do të kërkojë kohë dhe më shumë biseda”, shtoi më tej ai.

Ndërkohë që Trump tha se SHBA-të “gjithmonë” do ta mbrojnë Kanadanë dhe shton se “nuk është çështje parash”.