Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat se ka ndikuar në shpalljen “non-grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Ai i cilësoi si “budallallëqe” pretendimet se ka bashkëpunuar me George Soros për të ndikuar vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Rama u shpreh se është absurde të besohet që një kryeministër i Shqipërisë, apo edhe një figurë më e fuqishme botërore, mund të ndikojë politikat e SHBA-së përmes ndërhyrjeve apo lobimit.
“Amerika nuk blihet me para. Nëse do të funksiononte kështu, SHBA nuk do të ishte superfuqi,” deklaroi Rama, duke shtuar se vetë Berisha “e di shumë mirë” arsyen e shpalljes non-grata, por po mban gjallë një narrativë për të shmangur përgjegjësinë.
Kryeministri komentoi gjithashtu shumat e mëdha të përdorura nga Partia Demokratike për lobim në SHBA, duke vënë në dukje se 6 milionë dollarët e paguar janë një kontratë që mund të kthehet në “bumerang” edhe në vetë Amerikën.
“Lulit për 500 mijë euro iu bë nami. Tani 6 milionë? Çfarë do të thotë kjo? Po Sorosi, po McGonigal… janë thjesht histori për të hequr vëmendjen nga e vërteta,” tha Rama.
I pyetur për diferencën mes lobimit të tij dhe atij të opozitës, Rama theksoi se gjithçka varet nga transparenca dhe mënyra se si kryhen këto marrëdhënie, ndërsa vuri në dyshim qëllimet dhe përmbajtjen e kontratës lobuese të PD-së.
Denoncimi i Lapajt për armë në Durrës/ Policia: Ishte lodërDrejtoria Vendore e Policisë Durrës ka reaguar pas publikimit të një deklarate nga kreu i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj në të cilën pretendohet se një person i armatosur ka kërcënuar kandidaten për deputete dhe mbështetësit e saj, gjatë një takimi në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, sapo është mësuar për denoncimin publik, janë nisur menjëherë verifikimet dhe veprimet në terren. Shërbimet policore kanë arritur të identifikojnë autorin e dyshuar dhe kanë kryer kontrolle për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Rreth orës 21:15, efektivët e Policisë kanë bërë të mundur shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), e cila dyshohet se është përdorur për të kërcënuar kandidaten V. M.
Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi A. B. vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i evidentuar pranë shërbimeve psikiatrike.
Lamtumirë Skype! Mbyllet platforma legjendarePas më shumë se dy dekadash duke bërë bashkë virtualisht miliona njerëz dhe duke shpëtuar lidhjet në distancë, Skype po mbyllet.
Platforma nuk ia ka dalë të konkurrojë aplikacionet bashkëkohore si Microsoft Teams, Zoom dhe FaceTime.
Përdoruesit e Microsoft kishin vetëm 24 orë në dispozicion për të ruajtur kontaktet e tyre, të cilët më pas do të transferohen automatikisht në Teams duke mjaftuar të përdorin emrin dhe fjalëkalimin e Skype.
Përdoruesit e Skype mund të ruanin të dhënat e tyre edhe manualisht përmes Settings/ Your Account. Një komandë i lejon të zgjedhin nëse duan të eksportojnë kontaktet, numrat apo bisedat.
Njëkohësisht, mbyllja e Skype pas 23 vitesh na kujton edhe kamerat e vjetra të montueshme në ekranet e kompjuterëve, të cilat po ashtu janë zhdukur.
Alternativat më të mira që ofrohen tanimë për lidhje me një grup të madh njerëzish janë Microsoft Teams, Zoom, WebEx etj.
Skype u themelua në vitin 2003 në Luksemburg dhe ishte platforma e parë që mundësonte telefonatat përmes kompjuterit dhe më vonë shtoi edhe pjesën e komunikimit përmes videove.
Në vitin 2005, u ble nga eBay për 2.6 miliardë dollarë. Më pas, eBay nisi të pakësonte aksionet duke arritur në 1.4 miliardë dollarë. Në vitin 2011, Skype u ble nga Microsoft për 8.5 miliardë dollarë.
Irena Gjoka si turpi i drejtësisë së rilindurNga Andi Bushati
Sali Berisha ka bërë sërish atë që di të bëjë më mirë: të denoncojë. Këtë radhë në daljen e tij përpara derës së SPAK, lapsi i ka rënë gjykatëses star të reformës në drejtësi, asaj që ka marrë mbi supe shumë prej proceseve të bujshme. Berisha ka dëshmuar me dokumentat origjinale të ardhura nga Greqia, se ajo ka qenë e dënuar në shtetin fqinjë, për arsye se ka dashur të kalojë kufirin me vizë të fallcifikuar.
Deri këtu historia është e njohur. Që në kulm të gjykimit kundër kreut të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, mediat greke e bënë të ditur këtë skandal. Ato, duke treguar historinë e zonjës me tre mbriemra (Spata të vajzërisë; Maneku nga martesa e parë, me të cilin pati tentuar të shkojë në Greqi; Gjoka nga martesa e dytë, të cilin e përdori për të manipuluar Vettingun) tentuan të hidhnin hije dyshimi mbi këtë proces të trukuar nga fillimi në fund.
Por, në këtë pikë, puna nuk është tek fati personal i zonjës Gjoka. Ajo mund të përdorë më së miri justifikimin që Edi Rama ka përsëritur, me dhjetra herë, për të gjithë banditët e rilindjes që i dogji njëri pas tjetrit ligji i dekriminalizimit: ashtu ishte koha dhe kaq ishin mundësitë e shqiptarëve për lëvizjen e lirë.
Pra thjeshtë, ajo mund të mbrohej me një “gabim rinor” të 20 e ca viteve më parë.
Këtu problemi qëndron se simbolika e rastit të saj është nga ato që njollosin mbarë reformën në drejtësi. Dhe jo në një, por në disa etapa. Fillimisht, pasi kjo histori na tregon se nga sita drakoniane e vettingut paskan depërtuar personazhe të tillë me kredibilitet moral të cënueshëm. Dhe kjo jo thjeshtë për gabimin rinor të dhjetorit 2002, por për atë të fallcifikimit të paskrupullt të dokumentit me anë të cilit ajo arriti të futej mes gjykatëseve të zgjedhur të vendit. Aty znj. Gjoka ka gënjyer hapur duke thënë se nuk ka qenë kurrë e dënuar apo e dëbuar jashtë shtetit.
Po a mbaron këtu? Natyrisht që jo. Kur ky skandal plasi, fillimisht në gazetën greke Ta Nea, një tjetër institucion i drejtësisë së re, një nga ato për të cilat Veliaj thoshte në përgjimet nga burgu se janë produkt i votave tona socialiste, i doli asaj hapur në mbrojtje. Këshilli i Lartë Gjyqësor prodhoi me shpejtësinë e dritës një deklaratë se ajo po sulmohej duke i cënuar rëndë figurën. “Qeveria e gykatësve” qëndroi e pashqetësuar nga denoncimet e forta dhe nuk hodhi asnjë hap për të gjetur të vërtetën për kryetaren e GJKKO-së që dyshohej se kishte mashtruar në shkelje të ligjit.
Vetëm kur mediat greke vijuan me dokumenta që e bënë të pashmangshëm mbylljen e syve përballë skandalit ata i kërkuan prokurorisë së përgjigjshme të verifikonte. Kjo prokurori vijoi lojën e fshehjes së krimit. Ka kaluar plot një vit nga kohe kur me një dokument zyrtar ky institucion i konfirmoi redaksisë së Lapsi.al se po e hetonte çështjen e Irena Gjokës në Greqi.
Por, për 12 muaj ata nuk arritën dot të jepnin përgjigje, as të nxirrnin nga arkivat dokumentin e gjykatës së Janinës që Berisha bëri publik sot.
Vallë edhe dy shkallët e vettingut, edhe KLGJ-ja edhe Prokuroria e Përgjithshme kanë dështuar nga paaftësia në zbardhjen e të vërtetës për këtë personazh? Eshtë e vështirë ti besosh kësaj hipoteze, sidomos po i hodhe një sy çështjeve të bujshme gjyqësore të cilave i ka vënë gjoksin znj. Gjoka. Ajo qëndron pas izolimit të liderit të opozitës Berisha. Ndonëse ky i fundit dhe avokatët e tij kërkuan disa herë dorëheqjen e saj për konfikt interesi, pasi kur ishte kish qenë president ai e kishte shkarkuar me firmën e tij, ajo nuk u largua për asnjë çast nga procesi i dyshimtë që e mbajti atë të mbyllur në shtëpi. Ajo kontibuoi edhe në moslejimin e betimit të Alfred Belerit si kryebashkiak i Himarës duke përligjur një burgim të sajuar me prova fallco dhe dëshmitarë të dënuar nga policia.
Po ti hedhësh një sy pasqyrimit që i ka bërë shtypi vendimeve të saj, aty gjen dyshime për vonesa në nxjerrjen e urdhërit të arrestit për bosët e inceneratorëve që arritën të arratisen. Aty shikon çlirim nga sekuestro të pronave për ndërtues të qendrës së Tiranës të lidhur shumë ngushtë me qeverinë.
Pra, nga aktet që ka ndërmarrë në kryerjen e detyrës e ke të lehtë të kuptosh se znj.Gjoka ka qenë e ashpër me kundërshtarët e pushtetit dhe dorëlëshuar me njerëzit pranë tij. E ndoshta kjo spjegon më së miri edhe arsyen se pse të gjitha hallkat e sistemit që duhet ta penalizonte janë treguar tolerante me të.
Mjafton kaq për të kuptuar se dokumentat e dënimit të saj në Janinë, që Sali Berisha bëri publike sot, nuk kanë fare të bëjnë me gafën e pakujdesshme të një të reje të dëshiruar për të kaluar kufirin. Mënyra si i është toleruar manipulimi i ststemit dhe se si më pas organet e tjera janë rekur ta fshehin këtë, dëshmon më shumë për një pengmarrje. Për njerëzit e kapur që janë vënë në krye të drejtësisë së rilindur.
Pikërisht për këtë, incidenti ku u përfshi Irena Gjoka dy dekada më parë, nuk është thjeshtë një histrori personale. Ai është një nga ato shembuj që po shtojnë njollat e turpit mbi reformën në drejtësi, e cila sa më shumë kohë kalon aq më e pa mbrojtshme bëhet edhe nga idhtarët e vet me fanatikë.
Parandjenjë për humbje? Edi Rama hyn në histori si i pari kryeministër në botë që bën thirrje për bojkot të zgjedhjeveSot, i vetëkënaqur me pushtetin dhe i rrethuar nga një sistem i centralizuar besnikësh, Edi Rama nuk sheh më vlerë te pjesëmarrja popullore në zgjedhje, por rrezik nga ajo. Ai e di se një valë e madhe votuesish do të shënonte fundin e tij politik.
Nga Zoom.al
Edi Rama po ndërton prej vitesh një kult të vetëvetes si burrë shteti me një mision historik. Ai e shfaq veten si artistin që po rindërton Shqipërinë, si arkitektin e rrugës drejt Europës, si sozinë e Ismail Qemalit. Ndërsa idhtarët e shesin atë në publik e kafene si Skënderbeun e Shqipërisë moderne.
Por ndërsa e imagjinon emrin e vet në tekstet e historisë, ai në histori mund të hyjë për një tjetër arritje.
Në këtë fushatë elektorale, Edi Rama u bë i vetmi kryeministër në botë që ka bërë thirrje publike për qytetarët që të mos marrin pjesë në votime. Kjo ndodhi gjatë një takimi elektoral në Shkodër, ku ai u kërkoi demokratëve të kësaj zone të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos votojnë të dielën e 11 majit, duke përdorur një gjuhë përçmuese ndaj kandidatit të opozitës, Luçiano Boçi.
“Erdhi këtu Luciano fake Pavarotti dhe drejton grupin dhe ça do të bëjë? Shkodrën madhështore me Luçiano fake Pavarottin nga Elbasani? Si bëhet kjo? Nuk e di. Shpresoj që demokratët e Shkodrës të dielën të rrinë në shtëpi të dëgjojën Pavarottin e vërtetë dhe të mos shkojnë fare me votuar. Për të mos iu ardhur turp nga vetja se nesër këtë pasaportën evropiane do t’ua japim ne, siç po ua japim shkodrën mbrapasht, që ua mori bufi, që mbeti e fundit për turp dhe që njëherë i besuam këtij budallait këtu”, deklaroi Rama.
Për këtë thirrje Edi Rama edhe mund ta shohë emrin në librat e historisë, por me shumë gjasë, si rast për t’u analizuar.
Thirrja e tij është e pazakontë dhe bie ndesh me praktikat demokratike dhe kushetetuse. Bojkotet zakonisht janë organizuar nga opozita si formë proteste ndaj padrejtësive të pushtetit, por kurrë nga qeveria. Liderët politikë politikë zakonisht e inkurajojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, si një element thelbësor i demokracisë. Ata janë të parët që shfaqen duke mbrojtur frymën dhe thelbin e procesit zgjedhor, që është pjesëmarrja, e cila, duke pasur rëndësi të veçantë, në shumë vende është e sanksionuar me detyrim.
Në mënyrë të përsëritur, në këtë fushatë, Edi Rama ka përdorur një fjalor përçmues, indimidues dhe përjashtues për këdo që nuk është pjesë e “shpurës” së tij politike dhe nuk voton për ta mbajtur atë në pushtet për 16 vjet me radhë.
Vetëm për hir të pushtetit, ai ka arritur të vendosë një vijë ndarëse të rrezikshme me thirrjet “kush voton opozitën voton kundër BE”, njësoj si në zgjedhjet e Frontit Demokratik të dhjetorit 1945, që shënuan fillimin e diktaturës së Enver Hoxhës, pasi votuesve u kërkohej të votonin në kutinë e kuqe dhe jo në në të zezën që “identifikonte” armiqtë e Shqipërisë.
Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama përçmon procesin zgjedhor. Por kjo është padyshim hera e parë që ai përpiqet të ndikojë në uljen e pjesëmarrjes së votuesve, kryesisht të opozitës, duke e trajtuar kështu qytetarin jo si sovran, por si spektator të një shfaqje politike ku ai bën skenarin.
Pushteti i Edi Ramës ka qenë nën akuzë prej vitit 2015, se ka intimiduar votuesit e opozitës, se bandat u kanë mbledhur atyre kartat e identitetit për të mos i lënë të votojnë, se i kanë penguar me presion e dhunë, se i kanë blerë me para e vende pune. Teksa kjo strategji duket se ka rënë pasi SPAK është ngritur në këmbë duke hapur zyra në çdo qark, Edi Ramës i ka mbetur vetëm fjala për të penguar opozitarët të votojnë.
Thirrja për bojkot nga një kryeministër në detyrë nuk është një gafë retorike, si përdorimi i fjalëve “çyrik, autik, i verbër etj”. Por ajo përbën një akt politik të rrezikshëm dhe një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në mënyrë jo demokratike. Ajo është pa mëdyshje një precedent i rrezikshëm për proceset zgjedhore në Shqipëri., pasi dëmton besimin në procesin demokratik dhe normalizon idenë se vota është opsionale dhe jo një detyrim qytetar.
Edi Rama zhbën në këtë mënyrë çdo përpjekje të institucioneve për të rritur ndërgjegjësimin qytetar për të marrë pjesë në votime. KQZ, si organizator i zgjedhjeve, ka shpenzuar miliona euro për të ndërgjegjësuar qytetarët të votojnë dhe për t’u treguar si votojnë apo për t’u mundësuar të votojnë, si në rastin e votës së diasporës.
Ironikisht, vetë Edi Rama ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi thirrjet për pjesëmarrje, mbi retorikën e ndëshkimit me votë dhe “revolucionin” popullor në kutitë e votimit. Por sot, i vetëkënaqur me pushtetin dhe i rrethuar nga një sistem i centralizuar besnikësh, ai nuk sheh më vlerë te pjesëmarrja popullore në zgjedhje, por rrezik nga ajo. Ai e di se një valë e madhe votuesish do të shënonte fundin e tij politik. /Zoom.al
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 2 të qytetit të Korçës, ku një vajzë 17-vjeçare është goditur në fytyrë me një gotë uji nga një grua, e identifikuar si shtetasja F.D.
Ngjarja ka ndodhur brenda një lokali, ndërsa e mitura është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia njofton se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të incidentit. Ndërkohë, shërbimet policore janë vënë në kërkim të shtetases F.D., e cila është larguar pas ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të sqaruar motivet dhe dinamikën e plotë të konfliktit.
Përplasja në Dajç, reagon Ulsi Manja: Gjin Gjoni të mbajë përgjegjësiPas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u raportua se shtabi elektoral i kandidates socialiste Klotilda Ndreca u kërcënua me armë, ka reaguar drejtuesi politik i PS për qarkun, Ulsi Manja.
Në një deklaratë për media, Manja e quajti incidentin “një akt të patolerueshëm” që, sipas tij, shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik dhe cenon rëndë procesin zgjedhor. Ai kërkoi që kandidati i opozitës, Gjin Gjoni, të mbajë përgjegjësi politike dhe ligjore për klimën e tensionuar në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.
“Le t’i dalë për zot trimnisë së tij e të mos fshihet pas gishtit,” deklaroi Manja, duke shtuar se ngjarja është e dokumentuar me prova filmike dhe audio, të cilat tashmë janë në duart e drejtësisë. Ai theksoi se Reforma në Drejtësi dhe SPAK-u janë ngritur pikërisht për raste të tilla dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
Manja njoftoi gjithashtu se ka informuar zyrtarisht misionin e OSBE/ODIHR për incidentin dhe ka garantuar përkushtimin e Partisë Socialiste për një proces zgjedhor të qetë dhe të ndershëm.
Në fund të deklaratës, ai akuzoi opozitën për ndjekjen e një “skeme të njohur të tensioneve dhe viktimizimit”, duke paralajmëruar se më 11 maj PS do të dalë sërish fituese.
“Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime,” përfundoi Manja.
Lapaj nxjerr VIDEO-n: Një anëtar bande i tregoi armën kandidates për deputeteKreu i nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka denoncuar një ngjarje të rëndë që ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku sipas tij një anëtar i krimit të organizuar ka tentuar të intimidojë kandidaten e kësaj force politike, Valbona Myhedini, duke i treguar armën në brez.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”, teksa Myhedini, e cila është gjithashtu shtetase amerikane, po zhvillonte takime elektorale me qytetarët. Sipas Lapajt, autori i ka dalë përpara kandidaturës dhe aktivistëve që e shoqëronin, duke përdorur armën si mjet presioni.
“Pak minuta më parë, anëtarë të krimit të organizuar në Durrës i kanë prerë rrugën kandidates sonë Valbona Myhedini dhe aktivistëve që e shoqëronin, dhe i kanë treguar armën në brez për ta intimiduar”, shkroi Lapaj në një reagim publik, duke theksuar se çështja do t’i referohet edhe Ambasadës Amerikane.
Lapaj publikoi gjithashtu një video ku pretendohet se shfaqet personi që ka kryer aktin e intimidimit. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa të menjëhershme, ndërsa paralajmëroi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
“Kjo burracakëri nuk do kalojë lehtë. Nëse mendojnë se kthehemi pas, e kanë gabim!”, deklaroi ai.
https://www.facebook.com/share/v/1C6f3BG9pD/?mibextid=wwXIfr
Ekskluzive/ Si e çmontoi Edi Rama “kryengritjen” e Erion Veliajt në Bashkinë e TiranësEdi Rama tregoi sërish se, përtej pushtetit formal, kontrolli real qëndron në dorën e tij dhe se loja e shahut politik nuk toleron asnjë figurë që ngre kokë kundër udhëheqësit.
Nga Zoom.al
Ditën kur prangat e SPAK-ut u mbyllën mbi kyçet e tij, Erion Veliaj doli me një plan nga Bashkia.
Para se të hipte në makinën e BKH-së që do ta çonte drejt qelisë, ai kërkoi 20 minuta kohë. Agjentët e pritën në paradhomë, ndërsa ai brenda zyrës së tij thirri njerëzit më të besuuar: Sekretarin e Përgjithshëm Alban Dokushi, nënkryetaret Anuela Ristani e Sara Goxhaj, drejtorin e Policisë Bashkiake Toni Beni dhe një rreth të ngushtë të besuarish të cilëve u la një porosi:
“Lëreni Tiranën të papastruar. Këtu duhet të shihet që mungesa e kryetarit pengon punët e Bashkisë”.
Burime të Zoom.al thanë se Veliaj kishte planifikuar që lënia e Tiranës pa drejtuesi të kthehej në krizë të funksionimit të bashkisë, një përpjekje për të treguar se kryeqyteti nuk ecën pa të.
Por ky plan u zbulua shpejt. Një prej drejtuesve të Bashkisë, i shqetësuar nga kjo strategji, njoftoi direkt Edi Ramën. Dhe Rama, i vetëdijshëm se një Tiranë në kolaps në prag të zgjedhjeve do të thoshte dëm elektoral i pallogaritshëm, reagoi me shpejtësi.
Pak orë pas arrestimit të Veliajt kryeministri u shfaq vetë në dyert e Bashkisë së Tiranës. Mblodhi stafin dhe komunikoi prerë: “Çdo punë do të vazhdojë. Askush nuk do të ndalë ritmin për shkak të mungesës së kryetarit.” Ai komandoi në detyrë Anuela Ristanin, i kërkoi komunikim të përditshëm me të dhe i garantoi mbështetje të plotë.
Për disa ditë rresht, Rama shkonte vetë në Bashki, madje edhe dy herë në ditë, për të shuar çdo zjarr të brendshëm dhe për të mos lejuar që skema e Veliajt të funksiononte. Të gjitha urdhrat ishin të qarta: shërbimet të funksiononin, qyteti të mos ndjente asgjë nga mungesa e Veliajt.
Kur Erion Veliaj e kuptoi që Anuela Ristani i kishte dale nga radha, e shkarkoi pa hezitim. Nga qelia ai firmosi një urdhër: shkarkimin e Ristanit dhe komandimin e Sara Goxhajt si drejtuesen e re të Bashkisë. Por Edi Rama ishte një hap para. Në momentin që Ristani e njoftoi se i kishte ardhur një urdhër për shkarkim, edhe pse në orë të vona, kryeministri zbriti shkallët e zyrës së tij dhe u nis për në Bashki. Thirri në zyrë Alban Dokushin, që kishte protokolluar urdhrin, bashkë me Sara Goxhajn dhe vetë Ristanin.
“Grise urdhrin,” – i kërkoi Rama Dokushit, sipas një burimi të besuar të Zoom.al.
Por Dokushi refuzoi. “Unë njoh ende për kryetar Erion Veliajn. Nuk ka akt shkarkimi ndaj tij,” u shpreh ai me një logjikë të ftohtë juridike. Rama nuk këmbënguli, sepse ai nuk e kishte shkarkuar Veliaj “de jure” nga Bashkia. I tha Dokushit ta linte shkresën mbi tavolinë. Më pas, sipas një burimi të brendshëm për Zoom.al, e mori dhe e grisi, por Zoom.al nuk ka mundur ta verifikojë këtë detaj nga burime të tjera. Ajo që dihet është se Erion Veliaj u tërhoq nga vendimi që kishte firmosur vetë.
Bëri një postim në Facebook, që më shumë se shpjegim, ishte një pranim i humbjes dhe një mesazh ndaj të besuarve të tij se plani kishte rënë.
“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur ‘punon’ pa informacionin e mjaftueshëm” – tha Veliaj kur plani i tij u çmontua tërësisht.
Pas kësaj, Tirana nisi të pastrohej dhe në grupet e punonjësve të pastrimit kishte më shumë punëtorë sesa fotografë, ndryshe nga koha e Veliajt. Policia bashkiake rifilloi kontrollet në terren si më pare. Edi Rama nuk pati më nevojë të shfaqej në Bashki. Loja e pushtetit ishte mbyllur. Ai tani e kishte konsoliduar pushtetin edhe në bashki dhe kishte forcuar pozitat e njeriut të tij të besuar aty.
Drejtuesit e emëruar nga Veliaj ishin të gjithë ose të shkarkuar, ose në pranga, të hetuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën. Kështu, Edi Rama mund të vijonte i qetë fushatën, pasi kishte shuar një vatër zjarri, e cila, nëse do të kishte shpërthyer, do të kishte sjellë kosto të paparashikueshme.
Edi Rama tregoi sërish se, përtej pushtetit formal, kontrolli real qëndron në dorën e tij dhe se loja e shahut politik nuk toleron asnjë figurë që ngre kokë kundër udhëheqësit. Ai i tregoi edhe Veliajt se Tirana mund të funksinojë edhe pa të. Pas kësaj, Rama nuk bëri më betejë kundër SPAK-ut për të mbrojtur Veliajn. Madje, nuk ia përmendi më kurrë emrin Veliajt. /Zoom.al
Aksident i rëndë në Peshkopi/ Shoferi i dehur “fluturon në ajër” policin (Emrat)Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në dalje të qytetit të Peshkopisë, ku një automjet tip “Golf”, i drejtuar nga 27-vjeçari Alban Shoti, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një berberhane private.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur rëndë efektivi i policisë Veli Gjura, i cili ndodhej në krye të detyrës për menaxhimin e trafikut rrugor, për shkak të zhvillimit të mitingut përmbyllës të opozitës që pritej të niste në orën 19:00 me pjesëmarrjen e liderit Sali Berisha. I dëmtuar ka mbetur edhe një ndihmës berber që punonte në ambientet e biznesit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 18:30 në kryqëzimin Velia. “Shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip ‘Golf’, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim), i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Nga verifikimet paraprake është konstatuar se drejtuesi i automjetit ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Ai është shoqëruar në komisariat për procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.