zoom

Day ArchiveKontrata e bujshme e PD-së/ Reagon Nuredin Seci: Ja pse vendosa të ofroj mbështetje financiare

Ka reaguar në emisionin “OPINION”, Nuredin Seci, drejtuesi i fondacionit që mblodhi 6 milionë dollarë për lobimin e PD-së.

Në një mesazh, drejtuar gazetarit Blendi Fevziu, Seci shprehet se qëllimi i kësaj mbështetjeje financiare është të mbështesë, sipas tij, angazhimin e profesionistëve më të kualifikuar në fushën e marrëdhënieve me qeverinë amerikane.

Lexoni më poshtë mesazhin e plotë:

Pershendetje z. Fevziu. Duke degjuar panelin tuaj sonte dhe ne vijim te spekulimeve e fake news pafund te prodhuara ne Shqiperi kete jave, dua te ndaj me ju live ne emision po mundet, nje qendrim timin per ceshtjen e shume diskutuar te lobimit te PD ne USA.

Si një biznesmen shqiptaro-amerikan me dashuri të thellë për Shqipërinë dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam qenë dhe mbetem i përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Për këtë arsye vendosa të ofroj mbështetjen time financiare për opozitën shqiptare, me bindjen e palëkundur se përfaqësimi dinjitoz dhe profesional në kryeqytetin amerikan është thelbësor për avancimin e interesave për një Shqipëri demokratike dhe të lirë.

Mbështetja që kam filluar të marr nga anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan është një dëshmi inkurajuese e ndjenjës sonë të përbashkët për ruajtjen e kësaj lidhjeje të veçantë mes dy vendeve tona. Nga ana tjetër, nuk jam i befasuar nga sulmet e pabazuara dhe përhapja e dezinformatave nga individë dhe grupe që kundërshtojnë Presidentin Trump, kundërshtojnë një Amerikë të fortë dhe nuk përkrahin një Shqipëri të vërtetë demokratike.

Qëllimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: të mbështes angazhimin e profesionistëve më të kualifikuar në fushën e marrëdhënieve me qeverinë amerikane, ata që e kuptojnë realisht thellësinë e lidhjes historike mes dy vendeve tona, që njohin mundësitë që lindin nga udhëheqja e fortë e Presidentit Trump, dhe që janë të gatshëm të avokojnë me integritet për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Si një person privat, kam vendosur të mos bëj më deklarata të tjera publike, ashtu siç nuk kam bërë kurrë asnjë deklaratë për fondacionin tjetër që drejtoj, përmes të cilit ndihmojmë të paktën 44 familje me fëmijë të spektrit autik, në veri dhe jug të Shqipërisë, përkatësisht në Tropojë dhe Tepelenë, dy nga zonat më të varfra të atdheut tim.

Theksoj sërish dhe dua të siguroj këdo që e lexon këtë qëndrim timin, se përkushtimi im për të mbështetur Amerikën dhe Shqipërinë do të vazhdojë pa ndërprerje, sa herë që të kem mundësi të jap kontribut për këto dy vende.

Zoti e bekoftë Amerikën, Shqipërinë dhe miqësinë e dy vendeve tona!

Uroj qe ta publikoni mesazhin tim.

Me konsiderate,

Nuredin Seci
New Jersey

Lobimi 6 mln dollarë i PD/ Bushati: Kishim një rruspije si Yuri Kim

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV ka komentuar ashpër lobimin 6 milionë dollarë të Partisë Demokratike në SHBA, duke e cilësuar si një “lobim të fëlliqur”, por që sipas tij mund të justifikohet nëse shërben për të balancuar presionin që mazhoranca ushtron ndaj opozitës në arenën ndërkombëtare.

“Unë nuk e besoj këtë fabul që disa vetë dalin dhe japin miliona për PD-në. Por pyetja është: a do ta krahasojmë PD-në me Lëvizjen Bashkë, apo me kundërshtarin që ka përballë?”- u shpreh Bushati.

Ai theksoi se problemi nuk është thjesht PD dhe Sali Berisha, por fakti që mazhoranca ka lobuar ndërkombëtarisht për të dëmtuar opozitën, duke përmendur edhe rastin McGonigal.

“Kur pushteti paguan që opozita të shpallet non-grata, kjo është banditizëm institucional. Tani, përballë kësaj, si duhet të reagojë PD? Të sillet si virgjëreshë ndërsa tjetri si bandit?”- tha ai.

Bushati e cilësoi situatën si “lojë bandash politike” dhe shtoi: “Po e shtrove nga interesi publik, edhe një lobim i fëlliqur ia vlen, nëse ndalon precedentë edhe më të fëlliqur. Kemi parë rruspije që kërcënonte me bar nëse votohet non-grata,” – tha ai, duke iu referuar ish-ambasadores amerikane Yuri Kim.

Në fund, Bushati theksoi se transparenca për financimet është domosdoshmëri, por në një terren të pabarabartë, sipas tij, edhe ky reagim i opozitës është një formë mbijetese politike./ Zoom.al

Dash Shehi thumbon “madhështorët”: E kanë bërë ndonje xhiro nga PS. Unë nuk kam vjedhur një gozhdë

Dashamir Shehi, i cili në këto zgjedhje garon nën siglën e koalicionit “Djathtas për Zhvillim” thotë se qëllimi është që t’i tregojnë qytetarëve se ka ende njerëz të ndershëm.

Ai thotë se vetë jeton në një pallat të Enver Hoxhës dhe shtetit nuk i ka vjedhur asnjë gozhdë.

Ai thotë se ka lindur dhe do të vdesë djathtas, ndërsa ironizon demokratët duke thënë se “madhështorët e kanë bërë nga një xhiro në PS”.

Dashamir Shehi: Që në ditë të parë në PD nuk i kam borxh asnjërit! Në këtë qytet gjysmën e PD e kam bërë vetë. Ato të tjerët me kanë borxh. Asnjë njeri në këtë qytet nuk është i ndershëm. Jetoj tek pallati i Enver Hoxhës 31 vjet. Ma gjej një tjetër si unë, që ka qenë në pushtetin tim që të jetojë atje. Prandaj i dal ballazi qytetarëve. Jam një nëpunës i mirë dhe nuk i kam vjedhur një gozhdë këtij shteti. Ne i ftojmë qytetarët që mos votoni për populizma, por votoni për vetën tuaj. Unë nga PS nuk kam qenë ndonjëherë, unë kam lindur djathtas dhe do vdes djathtas. Ju madhështorët e keni bërë nga një xhiro tek PS. Këtë duam ti shpjegojmë shqiptarëve që Shqipëria ka akoma ca burra të zotë./ Zoom.al

Ndikimi i arrestimit të Veliajt në PS/ Spiropali: Jemi tmerrësisht të keqardhur

E ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, Elisa Spiropali ka komentuar çështjen e ndalimit të Erion Veliajt dhe ndikimin e saj në Partinë Socialiste dhe në qarkun e Tiranës, ku ajo vetë është kandidate.

Gazetarja Mirela Milori e pyeti nëse arrestimi i Veliajt ka dëmtuar elektoralisht bazën socialiste në kryeqytet.

“Jemi tmerrësisht të keqardhur për atë që ka ndodhur, si në aspektin njerëzor, si kolegë, për një njeri me të cilin kemi punuar gjatë, dhe që ka patur një rol të rëndësishëm si në PS ashtu edhe në transformimin e Tiranës,” – tha Spiropali. Megjithatë, ajo theksoi se ndjesitë personale nuk janë kthyer në mbrojtje politike.

“Ka qenë zgjedhje e qartë e Partisë Socialiste që të mos ndërhyjë në procesin e drejtësisë. As për Veliajn, as për askënd tjetër,” – shtoi ajo.

Spiropali theksoi gjithashtu se ky qëndrim lidhet me përkushtimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 1 të negociatave për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Pushteti nuk është më në duart e politikës, por i është kthyer qytetarëve,” përfundoi Spiropali.

Situatë alarmante në Elbasan/ Gazetarët: Po nuk e shite votën ta marrin me kallash te koka

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarët Klodiana Lala dhe Xhevahir Zhabina kanë diskutuar mbi situatën alarmante të krimeve zgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Sipas tyre, hetimet për shitblerjen e votës, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin elektoral janë intensifikuar ndjeshëm.

Klodiana Lala bëri me dije se aktualisht policia ka në hetim 19 raste të krimeve zgjedhore, 18 prej tyre të nisura nga vetë strukturat policore dhe një i deleguar nga SPAK. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar 30 procedime penale, ndërkohë që janë marrë rreth 70 kallëzime, 24 prej të cilave përmes platformës online të SPAK.

Lala theksoi se subjektet më të përfshira në këto hetime janë Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate e Tom Doshit. Ajo përmendi raste konkrete si ai i Lushnjes, ku sipas saj janë ofruar deri në 500 mijë lekë për blerje vote.

Xhevahir Zhabina e konsideroi këtë moment si një provë të rëndësishme për SPAK-un. “Nëse këto hetime nuk prodhojnë rezultat, do jetë një tjetër dështim si në të kaluarat. Por nëse kanë sukses, mund të shënojnë një kthesë historike në goditjen e krimit zgjedhor në Shqipëri,” – u shpreh ai.

Sipas gazetarëve, hetimet e plota priten të japin rezultate konkrete pas zgjedhjeve, për shkak të vështirësisë për të kapur në flagrancë fenomenin dhe për të provuar ligjërisht veprat penale. Lala solli si shembull dosjen e Arbjan Maznikut, për të cilën Prokurorisë iu deshën dy vite për të ndërmarrë veprime.

Gazetarët nënvizuan gjithashtu problematikat në qarqe si Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Fieri, ku presioni ndaj votuesve është më i lartë, ndërsa bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve mungon.

“Ja të jap një shembull. Para pak ditësh kam raportuar për pyetjen e zotit Arbjan Mazniku në prokuroinë e Tiranës. Zoti Mazniku nuk u denoncua direkt, ishte Këllici që kallëzoi zotin Veliaj për një rrugë. Prokurorisë iu deshën dy vjet. Prokuroria vetëm pas dy vitesh e thirri për ta marrë në pyetje. Sot pasi është marrë dëhsmia e zotit Mazniku, pas dy vitesh po bëhet gati dosja për SPAK. Pra hetime që mund të nisin sot mund të kenë efektin edhe më vonë.

Durrësi nuk ka nevojë, është si Kolumbia sot. Elbasani po ashtu. Edhe po nuk e shite votën ta marrin me kallash te koka. Koha do ta tregojë, se diku do të mbetet një provë. E mbani mend dosjen 184 dhe 339? Edhe kur dikush refuzon, në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, janë problematike, nëse nuk ka bashkëpunim mes qytetarëve dhe insitucioneve nuk i kërkohet policisë dhe prokurorisë.”- tha gazetarja Klodiana Lala.

Për ata që u trembën nga Tomorr Alizoti

Nga Lutfi Dervishi


Tomorr Alizoti deklaroi sot në Librazhd se “do të hajë ata që prekin votat”. Një deklaratë që tronditi dhe ndezi komentet.

Në kohë zgjedhjesh të mbarsura me emocione dhe tifozllëk, pyetjet janë më të nevojshme se opinionet.

A ka banda në Elbasan?

A ka njerëz që shantazhojnë votuesit?

A ka njerëz që blejnë vota?

A ka ndodhur ngjarje e rëndë në Elbasan ku janë pleksur policia, prokuroria, banditët, madje edhe drejtori i Policisë së Shtetit?

dhe:

Pse një deklaratë figurative për mbrojtjen e votës shqetëson më shumë sesa mungesa e dënimeve për krimet zgjedhore në Elbasan?

A është më e rëndë gjuha e Alizotit, apo heshtja institucionale përpara krimeve të dokumentuara?

Nëse një politikan thotë “votën do ta mbrojmë me çdo kusht”, a është kjo dhunë… apo alarm i vonuar për një drejtësi që nuk vepron?

A mund të kemi zgjedhje të lira në një qytet ku njerëzit shiten dhe blihen si bagëti politike?

Nëse një qytet është kthyer në ‘zonë influencash të bandave’, kush duhet të jetë më i zëshëm: deputeti, prokurori, apo kritikët e Alizotit?

Duhet të shqetësohemi nga metafora… apo nga realiteti që e ka prodhuar atë?

Tenderi në QSUT/ Si u skualifikuan konkurrentet, Myzyri i “hapi” rrugën që të fitonte nipi i Sadri Abazit

Pas pesë vitesh në 17 mars 2025, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara shpalli tenderin për rikonstruksionin e godinës së Djegies Plastike në QSUT, Tiranë, projekt do të financohet nga buxheti I shtetit me fondi limit 522 milionë lekë ose 5.2 milionë euro.

Për këtë tender u regjistruan gjithsej dymbëdhjetë operatorë ekonomikë, pesëmbëdhjetë ditë pas mbajtjes së tenderit u shpall fitues bashkimi i kompanive “AGRI CONSTRUCTION – ALKO IMPEX CONSTRUCTION” me ofertë 487 milionë lekë.

Disa prej operatorëve ekonomikë kërkuan më pak para për të realizuar projektin, psh. “ERGI” me “BE-IS” kërkuan 446 milionë lekë, pra 40 milionë lekë më pak se fituesit.

Ajo që bie në sy është fakti se përveç konsorciumit fitues, të njëmbëdhjetë operatorët e tjerë ekonomikë janë skualifikuar që në fazën e parë duke ia garantuar fitoren biznesmenëve Petrit Patushi dhe Arbër Abazit. Ky i fundit është nipi i Sadri Abazit, ish deputetit të Partisë Socialiste, për të cilin Partia Demokratike ka ngritur vazhdimisht akuza për favorizim nga Komisioni i Prokurimeve Publike.

Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri sipas opozitës ka qenë i punësuar si jurist prej disa vitesh në kompanitë e Arbër Abazit. Vetë Myzyri është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme sepse dyshohet se ka favorizuar disa kompani në përfitimin e tenderave publikë.

Arbër Abazi renditet si një ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike, ashtu si në rastin e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Djegies Plastike ku oferta fituese arrin 90% të fondit limit. Kjo procedurë e tenderit është shënuar me flamur të kuq nga “Openprocurement.al” pasi ka dyshime për korrupsion dhe favorizim të kompanive fituese.

Shumica e tenderave të fituar nga ALKO IMPEX CONSTRUCTION (Ish KLEDOR ALBANIA-09) janë me flamur të kuq pasi skualifikohen nga gara të gjithë pjesëmarrësit ose garon vetëm kjo kompani në tender duke u shpallur automatikisht fituese. Duket qartë që ky proces tenderimi ngre shumë pikëpyetje rreth skualifikimit të kompanive që paraqitën një ofertë më të leverdishme për kryerjen e punimeve. Oferta e shpallur fituese është bërë në bazë të pikëve, elementi kryesor i shpalljes së fituesit është çmimi, pra çmimi duhet të ishte sa më i ulët. Në këtë rast është shpallur fituese oferta me çmimin më të lartë pasi janë skualifikuar kompanitë e tjera.

Agjencia e Prokurimeve merr masa ndaj kompanive në QSUT

Analizimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për QSUT-në i publikuar në dhjetor 2023 të jep përshtypjen e një anarkie në Qendrën Spitalore më të rëndësishme në Shqipëri.

Nga verifikimet e kryera në Spitalin e Urgjencës, sipas auditit, “Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjencës) në mars 2023 “është konstatuar se në 1312 copë për 6 artikuj në vlerën 25 milionë lekë, nuk janë zbatuar specifikimet teknike” nga kompania “RO-AL” me pronar Robert Kaso.

Ka qenë Agjencia e Prokurimit Publik, e cila pasi ka marrë në dorëzim konkluzionet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zhvilluar një hetim më të thelluar, duke arritur në përfundimin se kompania “Ro-al” nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale. Më 25 Korrik 2024 me anë të vendimit nr. 73, APP-ja ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik R0-AL nga e drejta për të fituar kontratat publike për një periudhë 12-mujore. Një nga kompani tjetër që është penalizuar nga Agjencia e Prokurimit Publik për problemet me zbatimin e kontratave të përfituar nga QSUT-ja është “Biometric Albania” në pronësi të Artur Kadaresë.

Në korrik të vitit 2022, ish drejtoresha e Përgjithshme, Albana Fico do të nënshkruante kontratën me kompaninë “Biometric Albania”, për tenderin “Furnizim vendosje të aparaturave mjekësore për spitalin e ri të ndërtuar (A2), loti 10”. Në 30 nëntor 2022, QSUT, në zbatim të kontratës, ka marrë në dorëzim 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12 milionë lekë dhe 84 krevat spitalor ICU me 3 motor për vlerën 10 milionë lekë.

Por sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjencës), më datë 27 dhe 28 mars 2023 u konstatua se 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12 milionë lekë me TVSH, nuk janë të rinj, por të përdorur…”. Edhe në këtë rast, Agjencia e Prokurimeve Publike me anë të vendimit nr. 74 në 25 Korrik 2024 do të përjashtonte “Biometrik Albania” nga pjesëmarrja në procedurat e Prokurimit Publik për një periudhë 12-mujore.

Emërimi i Albana Ficos si Drejtoreshë e Përgjithshme nga Ministria e Shëndetësisë është bërë fillim të dhjetorit 2021 deri në kryerjen e procedurave të konkurrimit në këtë pozicion pune. Sipas auditit, më QSUNT nuk ka kontratë punësimi të përkohshme ose të përhershme me Drejtorin e Përgjithshëm A.F. Pra gjatë të gjithë kohës që ka qenë në detyrë, ish drejtoresha e shkarkuar Fico, QSUNT është drejtuar me drejtor të përkohshëm dhe dy zv/drejtor përgjithshëm të përkohshëm.

Sipas ekspertit Erion Dasho, Shqipëria mund të ketë spitale që mund të jenë ndryshuar, mund të jenë lyer, mund të jenë shtruar pllaka, por teknologjia vjen duke u vjetëruar.

“Burimet njerëzore janë larguar dhe kanë lënë një sistem shëndetësor, i cili nuk është në gjendje që ti përgjigjet ashtu sikurse duhet nevojave shëndetësore të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Dr. Dasho. Por teksa në rrjetën e SPAK-ut është rritur numri i zyrtarëve të lartë, në sektorin e Shëndetësisë bien më shumë të vegjlit. Deri tani i vetmi person i nivelit të lartë që është nën arrest dhe gjykim nga Gjykata e Posacme është ish ministri Ilir Beqaj. Duhet theksuar se hetimet ndaj tij kanë marrë shumë kohë dhe përsa i përket problemeve të theksuara në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza askush nuk është vendosur përpara përgjegjësisë nga kupola për skandalin e Onkologjikut, për tenderat me shkelje, për grabitjen e zyrave të administratës dhe së fundmi për inekzistencën e një godine për djegiet plastike./ Emisioni VETTING

“Mos, mos, mos…”/ Konkurrentet e “Përputhen” përleshen prej flokësh në studio (VIDEO)

Një situatë e paprecedentë është shënuar në emisionin e dashurisë “Për’puthen”, ku tensionet mes dy konkurrenteve kanë dalë jashtë kontrollit.

Emi dhe Ketrina, të cilat dikur kanë qenë shoqe të ngushta, kanë shkëmbyer akuza dhe fjalë denigruese gjatë transmetimit të fundit të emisionit.

Debati verbal nisi me nënkuptime thumbuese, por shpejt u shndërrua në një përplasje të ashpër fizike. Siç shihet edhe në pamjet e publikuara, në një moment të debatit, Emi u ngrit e nervozuar nga vendi, ndërsa Ketrina reagoi duke e kapur për flokësh. Ndërhyrja e stafit ishte e menjëhershme dhe emisioni u ndërpre menjëherë.

View this post on Instagram

A post shared by Për’puthen (@perputhen_tch)

“O vdekje o liri”/ Meta mesazh nga pas hekurave: PL ka rol historik në zgjedhjet e 11 majit

Ndërsa na ndajnë vetëm 10 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërndarë një audio-mesazh nga qelia për qytetarët shqiptarë, duke e cilësuar këtë betejë elektorale si historike dhe jetike për të ardhmen e vendit.

Meta shprehet se shqiptarët do të bashkohen si kurrë më parë për të “dërrmuar sektin më të pabesë që shpopulloi vendin”. Sipas tij, 11 maji është një datë kthese për fatin e Shqipërisë. “Edhe 10 ditë na ndajnë nga fitorja historike kur shqiptarët do të bashkohen në kutitë e votimit për të garantuar ekzistencën e kombit tonë dhe mbrojtjen e familjes shqiptare nga sekti më i rrezikshëm në botë i ‘Prindit 1 dhe Prindit 2’,” – deklaroi Meta.

Ai theksoi se programi i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është një plan konkret për mbështetjen e familjeve dhe pensionistëve shqiptarë, duke premtuar ndryshime të ndjeshme që në 100 ditët e para të qeverisjes. “Me votën tonë më 11 Maj arkivojmë klimën armiqësore ndaj biznesit dhe i japim vendit oksigjenin e munguar nga regjimi represiv dhe kleptokratik,” u shpreh Meta.

Në mesazhin e tij, Meta deklaroi se Partia e Lirisë ka një mision historik për të realizuar rotacionin më të rëndësishëm politik që nga viti 1992, duke sulmuar ashpër qeverinë aktuale dhe duke e quajtur “regjimi i kukullës së Sorosit”.

Mesazhi përmbyllet me një thirrje të fortë emocionale: “Me fjalët e poetit të pavdekshëm Havzi Nela: O Liri, o vdekje! Të vrapojmë drejt fitores së 11 Majit, që do t’i bashkojë shqiptarët si kurrë më parë rreth interesit kombëtar dhe së ardhmes europiane.”

Alizoti paralajmëron socialistët: “Do t’ju hamë të gjallë”, Rama: “Ky është Ludoviku, një çyryk”

Fushata elektorale po nxeh tonet mes palëve politike.

Nga Librazhdi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, lëshoi një deklaratë të fortë drejtuar kundërshtarëve politikë. “Do t’ju hamë të gjallë nëse prekni demokratët,” – u shpreh Alizoti, duke tensionuar klimën në prag të zgjedhjeve.

Kryeministri Edi Rama nuk vonoi me një reagim nga Kuçova, ku ironizoi Alizotin duke e quajtur “Ludoviku”, një referencë për një personazh filmi. “Ludoviku thoshte ‘do u hamë të gjallë’. Kështu Ludovik i them Tomor Alizotit… Ky është çyryk, nuk është normal,” – deklaroi Rama, duke vijuar me kritika për kandidaturat e PD-së.

Kreu i qeverisë ironizoi më tej duke thënë se “janë njësha, njëri më i lodhur se tjetri, njëri më i mbaruar se tjetri. Çohen në pikë të mëngjesit, pinë ujë kënete dhe e spërkasin. Natën thonë se populli është i sëmurë, edhe pse sondazhet thonë se PS fiton.”