zoom

Day ArchiveSondazhi më i fundit/ Bie me 5% besueshmëria për Ramën, kush janë 2 politikanët që rriten

Në emisionin “Log” në News24 u publikua këtë të hënë sondazhi i dytë i Notosondaggi, kur kanë mbetur 2 javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Pyetja që iu është drejtuar të anketuarve nga News24 dhe Notosondaggi ka qenë ajo për besueshmërinë e politikanëve shqiptarë, në prag të zgjedhjeve.

Te Edi Rama kanë besim shumë + mjaftueshëm, 37% e të anketuarve. Besueshmëria te Rama bie me 5% krahasuar me sondazhin e 14 prillit ku u rendit me 42% besueshmëri.

Te Sali Berisha kanë besim 32%, rënie me 2% krahasuar me 2 javë më parë pasi fillimisht kuotohej me 34%.

Surpriza vjen nga dy krerët e partive të reja, Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj.

2 javë larg zgjedhjeve të 11 majit, besueshmëria te Agron Shehaj, kryetar i partisë Mundësia rritet me 3% nga 21% në 24% krahasuar me anketën e 14 prillit.

Ndërsa Adriatik Lapaj ka fituar pikë më shumë se çdo lider tjetër, me rritje prej 6% krahasuar me sondazhin e mesit të prillit. Kreu i koalicioni Nisma-Shqipëria Bëhet ka besueshmëri prej 20% nga 14% që kishte 2 javë më parë./ Zoom.al

Sa Woke duhet të jetë bota jonë?

Nga Sheila Rexho

Sot shkruaj me një skepticizëm të vetëdijshëm, duke ditur se në rastet që shpreh një qëndrim sfidues ndaj një narrative kaq trendy dhe aktuale, rrezikon të paragjykohesh menjëherë.
Reflektimi im, i ndikuar sigurisht edhe nga qenia ime si prind, sot ndalet te fenomeni i njohur si “woke-izëm”, duke vëzhguar ndikimin dhe evolucionin e tij në shoqëri.

Në origjinë, kultura woke lindi nga nevoja për të adresuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të ndjeshme ndaj pabarazive gjinore, racore dhe të orientimit seksual. Ky “zgjim” shoqëror ishte një hap i domosdoshëm drejt një bote më të barabartë. Megjithatë, problemi lind kur kjo nismë transformohet në një instrument për imponimin e një mendësie të vetme dhe censurimin e çdo mendimi ndryshe, duke i dhënë jetë asaj që në media cilësohet si cancel culture.

Edhe pse shpresa fillestare ishte për një ndërgjegjësim kolektiv për një shoqëri më të drejtë, realiteti aktual është më kompleks. Lëvizja, në shumë raste, ka rrëshqitur drejt një radikalizmi ideologjik që përçmon debatet e hapura dhe promovon një konformizëm të frikshëm. Ajo që nisi si një përpjekje për drejtësi dhe barazi, sot shpesh perceptohet si një mekanizëm që shkel lirinë e shprehjes dhe imponon heshtjen mbi çdo zë kritik.
Në këtë mjedis, individët shpesh ndihen të detyruar të pranojnë verbërisht narrativën dominante, nga frika se mos shpallen “të papranueshëm” në arenën publike. Një mendim i vetëm i shprehur ndryshe, edhe në mënyrë të matur, mund të çojë në stigmatizim, izolim social apo në dëmtim të karrierës profesionale. Ky realitet, sigurisht që nuk pasqyron shpirtin e vërtetë të lëvizjes që dikur predikonte barazi dhe mirëkuptim.

Pyetja që më vërtitet në kokë është: Përse dëshira për përparim u shndërrua në një mjet ndëshkimi ideologjik? Përse ndjeshmëria dhe empatia u kthyen në armë për të imponuar një botëkuptim kaq unik dhe për të mbytur pluralizmin e ideve?
Në vend të përpjekjes për të ndërtuar ura mirëkuptimi, shpesh shohim ngritjen e barrierave të reja përjashtuese. Zgjedhja e vërtetë duhet të nxisë diversitetin e mendimeve, të promovojë dialogun dhe të inkurajojë reflektimin e sinqertë dhe jo frikën apo përçarjen e shoqërisë.


Ky transformim i “wokeness” në një formë të re kontrolli social është një kujtesë e dhimbshme se çdo lëvizje, sado fisnike të jetë në fillesat e saj, mund të bjerë pre e dogmatizmit dhe intolerancës. Historia na mëson se pa vetëkritikë dhe pa ruajtjen e parimeve thelbësore të lirisë, edhe idealet më të ndritura mund të deformohen.
Ndaj, ndërsa vazhdojmë të përpiqemi për drejtësi dhe barazi, duhet të mbetemi vigjilentë. Nuk mund të lejojmë që etja për një botë më të mirë të na verbojë ndaj rreziqeve të autoritarizmit të ri.
“Kur shprehja e lirë shtypet në emër të ndjeshmërisë, atëherë kemi humbur vetë kuptimin e një shoqërie të hapur.”
— Salman Rushdie

Vetëm duke kultivuar lirinë e shprehjes, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe guximin për të bërë pyetje, mund të realizojmë potencialin e vërtetë të ndërgjegjësimit shoqëror. Vetëm atëherë do të jemi me të vërtetë të zgjuar — dhe plotësisht njerëzorë.

Shpallet gjendja e emergjencës në Spanjë pas ndërprerjes masive të energjisë elektrike

Ministria e Brendshme e Spanjës ka shpallur sot gjendjen e emergjencës, pasi një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka përfshirë të gjithë vendin, duke lënë miliona qytetarë pa energji dhe duke paralizuar sektorë jetikë si transporti dhe telekomunikacioni.

Sipas deklaratës zyrtare, gjendja e emergjencës do të hyjë në fuqi vetëm në ato rajone që kërkojnë ndihmën e qeverisë qendrore. Deri më tani, tre rajone – Madridi, Andaluzia dhe Ekstremadura – kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për të marrë kontrollin e rendit publik dhe funksioneve të tjera kritike.

Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se ndërprerja është shkaktuar nga një “oscilacion i fortë” në rrjetin elektrik kombëtar, por theksoi se shkaku i saktë i incidentit ende nuk është identifikuar. Autoritetet po hetojnë mundësinë e një defekti teknik të shkallës së gjerë apo një sulmi kibernetik.

Qytetarët në shumë qytete raportuan ndërprerje të komunikimeve, bllokim të trenave dhe kaos në trafik. Zyrtarët kanë bërë thirrje për qetësi dhe bashkëpunim, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të rikthyer shërbimet bazë.

Analisti “bast” për “Non Gratën” e Sali Berishës: Nëse e heq me 6 milionë dollarë, atëherë…

Analisti Arjan Curi ka komentuar në studion e emisionit Top Story kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh të nënshkruar nga Partia Demokratike, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën si funksionon politika amerikane në raport me shpalljet “non grata”.

Sipas Curit, nëse kjo kontratë arrin të mundësojë një vizitë të ish-kryeministrit Sali Berisha në SHBA ose të heqë juridikisht shpalljen “non grata” ndaj tij, atëherë, sipas tij, kjo do të tregonte se edhe vendosja e “non gratës” mund të ketë qenë e ndikuar nga paratë.

“Do vëmë një bast bashkë? Nëse këto 6 milionë dollarë, 250 mijë në muaj, do arrijnë të realizojnë një vizitë të Berishës në SHBA ose ta heqin non-gratën, atëherë i bie që edhe shpalljet janë ndikuar nga paratë. Ky lobim nuk më duket i pamoralshëm në vetvete”, u shpreh Curi.

Ai shtoi se pikëpyetja kryesore është nëse kjo shumë e madhe parash do të japë rezultat, apo nëse do të përfundojë si një shpenzim i kotë. “Nëse kjo shifër ia heq non gratën Berishës, i bie që SHBA është frikshmërisht e padrejtë që heq ose vendos njolla sipas parasë”, theksoi Curi.

Erand Sojli ndan historinë e jetës së tij, nga divorci me gruan te marrëdhëniet me familjen

Erand Sojli, një nga personazhet më të pëlqyer të shqiptarëve i cili tashmë është pjesë e Ferma VIP, ka ndarë me publikun historinë e jetës së tij.

Ai ka rrëfyer se prej tre vitesh është i divorcuar nga gruaja e tij Rina, por megjithatë marrdhënia mes tyre mbetet e mirë dhe respekti po ashtu.

Erandi rrëfeu gjithashtu se ai ka dy vëllezër dhe një motër me të cilët po ashtu ka marrëdhënie fatastike, por sërish pika e tij e dobët mbetet motra Irisi, e cila tashmë është në luiftë me një sëmundje të rëndë.

Një histori me dhimbje, por dhe me mesazhe të forta nga ana e Erandit, i cili në çdo moment vinte theksin te ringritja, te gjetja forcë brenda vetes për tu bërë njeri më i mirë, më i dashur, por edhe më i fortë.

Sipas tij në jetë nuk ka rëndësi se si bie, e rënësishme është ngritja.

Pjesë nga biseda:

Luana: Erand çfarë ke?

Erandi: Nga profesioni kuptoj që duhet të ketë diçka.

Luana: Jo mos u shqetëso, dua thjeshtë të flasim dhe të dëgjojmë një rrëfim që e ke ndarë me ne. Si kanë qenë këto ditë te Ferma?

Erandi: Akoma i hutuar jam, nuk më ka ndodhur ndonjëherë që të ndalem nga çdo gjë që më rrethon, nga njerëzit e mi të dashur nga të gjithë.

Luana: Meqë përmende njerëzit e dashur për këtë ka marrë malli?

Erandi: Nuk i ndaj dot, janë shumë. Jam i sigurtë që kushdo që të jetë është i rëndësishëm. Merakun e kam te motra për shkak …

Historia e Erandit: Më thua shpesh se do ikësh. Thonë se njeriu kur lind dhe vdes është gjtihmonë një. Kënga është “Eja dhe ti në trenin tim”, këngën e kam bërë me vëllain tim Leonardin. Edhe Irisi vetë nuk e kishte dëgjuar, pastaj më tha e këndojmë bashkë e më tregoi që kishte kancer agresiv. Amerika mbeti faktikisht. Gocat u mërzitën javën e parë. I kishin thënë të shkolla që gënjen, se jao kishte thënë që e kam mamin dhe bain aktorë. Jemi ndarë, kemi tre vjet. Kishte mbaruar por se kishim kuptuar. E provuam të ribashkohemi, por e kupton që është të rrafësh ujë në haca kot. Gocat janë mësuar, e dinë që divorci nuk është problem. Gocat filluan të qeshin se s’më imagjinojnë dot duke pastruar bajgat. E madhja studion biologji, e vogla gjimnaz. Jam në një moment të jetës time sa i mirë aq i luhatshëm. Më ka marrë malli shumë për të gjithë. Kam dy vëllezër, një vëlla dhe një motër nga babi dhe një nga mami. Është i vetmi person që mi di të gjitha. I them që të bëhet e fortë dhe t’ia dali.

Luana: Po tëshohim për herë të parë në një realty show ku je 100% ti. Si janë marrëdhëniet e tua sot me ish-bashkëshorten?

Erandi: Normal, e respektojmë njëri-tjetrin. Kemi komunikim. Na bashkojnë dy fëmijët,. Kemi kaluar gjysëm jete shumë të mrië, kemi qenë mbështetje. Unë kam menduar më shumë për pjesën e jashtme, ajo më shumë për familjen dhe kështu e kishim stabilizuar në një farë mënyre jetën, komunikojmë kur na duhet. Natyrisht është një gjë që mund t’i ndodhë gjithkujt, nuk është një gjë e mirë. Por neve jemi përballur në historitë tona familjare si unë si Rina, gjej momentin ta përshëndes, pra kemi patur histori të tilla. Në kohën e diktaturës në historitë familjare me halla, me xhaja dhe për shkak se kemi qenë njerëz të mirë, na kanë dashur por nuk i kanë rezistuar presionit politik. Janë ndarë, janë rimartuar, e rëndësishme në këtë jetë është rifillimi. Nuk është e rëndësishme rënia, por ngritja. Dhe të ngrihesh jo në mundin dhe sakrificate  të tjerëve, por mbia të dhimbje.

Luana: Nëse do ktheje kokën pas do bëjë diçka ndryshe?

Erandi: Jo, asgjë.

Luana: Gocat si e kanë përjetuar?

Erandi: Gocat natyrisht janë rritur me ne, janë rritur në ambiente të tilla. Janë mësuar se dhe unë kam patur dy nëna dhe dy baba. Divorcet në familjet tona nuk kanë qenë tragjike, popr kemi patur histori që shkojnë dhe vijnë. Në momentin që jemi dashuria është, dmth mbaron dashuria por mbetet respekti.

Luana: Faleminderit që ndan mesazhe të tilla.

Çfarë po ndodh në Gjadër?/ Zhduken pa gjurmë 16 emigrantë nga qendra e pritjes

Media italiane La Stampa ka publikuar një raport alarmues duke iu referuar Partisë Demokratike të Italisë, ku denoncohet zhdukja e 16 emigrantëve nga qendra e pritjes në Gjader, Shqipëri.

Sipas të dhënave, nga 41 emigrantë të transferuar fillimisht, aktualisht në qendër kanë mbetur vetëm 25 persona.

Eurodeputetja Cecilia Strada, pas një inspektimi të zhvilluar të shtunën dhe të dielën, e ka përshkruar situatën në Gjader si “një ferr krahasuar me qendrat italiane” dhe si një “shpërdorim të turpshëm”.

“La Stampa” shkruan se, ndërsa e gjithë vëmendja ishte përqendruar te lajmi i vdekjes së Papa Françeskut, qendra në Gjader po boshatisej në heshtje. Sipas Cecilia Stradës, pamjet dhe kushtet e konstatuara gjatë inspektimit janë “një përzierje dhimbjeje, dëshpërimi dhe shpërdorimi që është vërtet skandaloze dhe të bën të ndihesh i turpëruar”.

Ky denoncim ngre sërish shqetësime serioze për kushtet e emigrantëve të strehuar në Shqipëri dhe transparencën e marrëveshjeve mes qeverive përkatëse.

Një pyetje që ngrihet pas kësaj është “Ku shkuan këta emigrantë?!”

Meri Shehu “zbërthen” shenjat: Hëna e re sfidon, në fund të Prillit ka flakë të ndezura

Astrologia Meri Shehu në emisionin “Rudina” në Tv Klan bëri parashikimin e klimës së javës së fundit të muajit Prill, për 12-të shenjat e horoskopit.

Hëna e re në Dem, sipas Meri Shehut do të jetë një Hënë shumë e vështirë, e cila do të sprovojë shenjat, por Afërdita në shenjën e Dashit në datën 30 do e mbyllë këtë muaj me shuma takime romantike.

Data 30 do të jetë dita më e rëndësishme e kësaj jave, prandaj shenjat duhet të jenë të kujdesshme në hapat dhe veprimet që ndërmarrin. Meri Shehu vlerësoi shenjat me yje në bazë të favorizimeve që do të kenë. Për këtë javë kurorën e merr Demi.

“Është Hëna e re në Dem që ka filluar dje dhe është një Hënë shumë e fuqishme. Hëna e re përballet me dy planetë të fuqishëm, Ujorin dhe Plutonin në Dem. Kemi fillime të reja, prandaj dhe duhet që ta marrim me optimizëm këtë javë. Gjithashtu në datën 30 Afërdita ndryshon pozicion dhe futet në Dash. Një Afërditë në Dash mund të mos bëjë shumë lekë dhe shumë gjëra të tjera, ama një erotizëm të madh e sjell. Edhe një buxhet të madh e hedh direkt”, tha astrologia Meri Shehu.

Dashi, 2 yje: Hëna e re në Dem i trondit në çështjet ekonomike, u sjell me shumë vështirësi ekonomike, por do fillojnë që të qetësohen nga mesi i javës. Futet Afërdita në Dash, por do takojë Neptunin. Prandaj të lindurit në 10 ditëshin e parë të shenjës së Dashit duhet të kenë kujdes nga zhgënjim erotik ose ekonomik shumë i fortë.

Demi, 5 yje: Kemi Hënën e re në Dem, është një fillim i ri. Pas shumë lodhjesh dhe përpjekjesh dhe një përballje e madhe tani duhet të durohet nga Demët. Hëna e re ka filluar që dje mund të vazhdojë dhe në dy ditët në vazhdim, prandaj do e kenë dhe një përballje. Por, Hëna e re në shenjën e tyre premton shumë, do marrin disa lekë dhe mundësi. Do të bëjnë disa marrëveshje të fshehta.

Binjakët, 1 yll: Hëna e re në shtëpinë e 12-të për Binjakët është e vështirë. Puna, fillime të reja të vështira, atje ku e shikoni rrugën e shtruar me lule fillojnë të dalin “ferrat”. Shumë Binjakë do të ndeshen me këtë situatë. Mos u trembni, Afërdita në Dash do bëjë disa gjëra të mira dhe për ju. Kujdes duhet të bëjnë të lindurit në 10 ditëshin e parë të shenjës nga ndonjë zhgënjim.

Gaforrja, 3 yje: Hënën e re në Dem e kanë aleate. Pavarësisht vështirësive të mëdha do marrin një ndryshim pozitiv në njohje të reja, strategji të reja, madje edhe ndonjë njohje erotike pse jo. Por, Afërdita në Dash mund t’i zhgënjejë Gaforret e lindura në 10 ditëshin e parë në lidhje me karrierën, punën dhe jetën personale. Prandaj kujdes duhet të bëjnë vetëm Gaforret e lindura në 10 ditëshin e parë të shenjës së tyre për këtë javë.

Luani, 1 yll: Nuk është e mirë Hëna e re në Dem për Luanët. Ka të bëjë me marrëdhënie pune dhe karriere, prandaj është shumë e vështirë. Marsi që është në Luan u përball me Plutonin në Ujor shumë fuqishëm. Do jetë sot dhe nesër, prandaj nuk i dihet se çfarë mund të dëgjohet. Luanët do e kenë ndryshime kryesisht tek çështja e punës, një ndryshim në punë do të vijë me shumë vështirësi.

Virgjëresha, 3 yje: Janë pak më komodë. Kjo Hënë e re në Dem është e vështirë, nuk është e lehtë. Por, Virgjëreshët duke qenë se janë një shenjë toke do e marrin personalisht më mirë, pavarësisht atyre prapaskenave në punë që janë bërë, komplotet që janë thurur. Nëse nuk keni kuptuar gjë deri tani, jeni në rregull, e keni kapërcyer.

Peshorja, 2 yje: Shkon Afërdita përballë shenjës së tyre dhe kalon në Dash në datën 30. Kjo do të thotë që gjërat do të fillojnë të marrin “superxhiro” në jetën e tyre. Do fillojnë të kërkojnë fejesa, martesa, para, por me nxitim. Nuk do të jetë më ajo Peshorja e balancuar që njohim dhe që kërkon t’i bëjë gjërat me qetësi. Kujdes Peshoret e lindura në 10 ditëshin e parë të shenjës, sepse atje mund të ketë një zhgënjim qoftë në martesë, qoftë në partnerin që do zgjedhin.

Akrepi, 4 yje: Afërdita në Dash i ëmbëlton ditët e tyre. Por, dhe Hëna e re në Dem është shumë e vështirë. Megjithëse katërkëndëshi Akrep-Ujor-Dem-Luan është më i vështiri në këtë periudhë, përsëri Hëna e re do u japë një stimul, një punë të re dhe një avantazh të ri pas shumë vështirësish. Vështirësi kanë vetëm Akrepët e lindur në 10 ditëshin e parë.

Shigjetari, 2 yje: Do kënaqen me Afërditën në Dash. Shumë Shigjetarë do duket sikur kanë gjetur të bukurën dhe dashurinë e tyre, pastaj të tjerët do të pleksen shumë në çështje pune dhe shëndetësore. Sidomos ata të lindurit 10 ditëshin e parë të kenë kujdes dhe në çështjet ekonomike.

Bricjapi, 3 yje: Shenjat e tokës kanë një mbarësi më shumë. Hëna e re në Dem është Hënë përfundimtare, shkon drejt fundit të marrëdhënieve toksike ose që nuk japin më, përsëri tek Bricjapi detyrimisht do të nxjerrë një avantazh pozitiv. Çështjet familjare do të marrin një pozitivitet me Afërditën në Dash, por do të kenë shumë shpenzime.

Ujori, 3 yje: Ujorët janë një nga shenjat e fuqishme që përballen me Hënën e re në Dem sidomos në çështje familjare, ndryshime shtëpie, vendi apo qyteti. Por, mos harrojmë që Plutoni në Ujor është vetë ai që kundërshton Marsin në Luan dhe Hënën në Dem dhe mesa duket Ujorët duan të bëjnë një gjë shumë të madhe, por me një lodhje shumë të madhe. Megjithatë kemi një ndryshim të mirë dhe për Ujorët në këtë periudhë.

Peshqit, 2 yje: Duhet të pretendojnë që Afërdita në Dash që do të futet në datën 30 mos t’i humbë përfundimisht në disa çështje ekonomike ose disa ëndrra të tyre sidomos të Peshqve të lindur në 10 ditëshin e parë. Por, sa të kalojë kjo tendencë, pastaj javën e parë të Majit do fillojnë të çlirohen ekonomikisht. Megjithatë pikërisht tani përjetojnë një zhgënjim.

Mazniku në SPAK/ Këlliçi: Sado ta amnistoni Biftekun, fundi i tij dihet! 

Ish-deputeti Belind Këlliçi ka reaguar sot për hetimin e nisur pas kallëzimit të tij lidhur me aferën e rehabilitimit të rrugës “Xhon Belushi” në Tiranë, një skandal që ai e cilëson si një nga rastet më flagrante të korrupsionit elektoral.

Në një deklaratë për mediat, Këlliçi kujtoi se disa javë më parë është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime si kallëzues i kësaj afere, të denoncuar publikisht gjatë fushatës elektorale të vitit 2023. Sipas tij, punonjës dhe mjete të Bashkisë Tiranë kryenin asfaltime natën në rrugë ende në procedurë tenderimi, me qëllim manipulimin elektoral përmes shtrimeve fiktive dhe pagesave të dyshimta ndaj kompanive.

“Pas denoncimit tonë live në media dhe kapjes në flagrancë të punonjësve, tenderi u anulua brenda 48 orësh”, tha Këlliçi, duke shtuar se kallëzimi penal u depozitua pranë SPAK, por ky institucion ia delegoi dosjen Prokurorisë së Tiranës duke shpallur moskompetencë.

Këlliçi akuzoi drejtëpërdrejt Arbian Maznikun, ish-nënkryetar i Bashkisë Tiranë, si dirigjent të “asfaltit elektoral” dhe një nga përgjegjësit kryesorë të aferave korruptive në bashki, përfshirë çështjen e Inceneratorit të Tiranës dhe projektin Tirana DC. Ai theksoi se SPAK është përpjekur të fshehë rolin e Maznikut në tenderët dhe projektet korruptive.

Në përfundim, Këlliçi i bëri thirrje SPAK-ut të mos lejojë që dosjet e korrupsionit madhor të mbyllen në sirtar dhe paralajmëroi se, sipas tij, edhe Mazniku do të përballet me drejtësinë, njësoj si të tjerë ish-zyrtarë.

PD denoncon krim elektoral në Mat: “Asfalt mashtrimi dhe vjedhje të pacipa me paratë publike”

Partia Demokratike ka ngritur një denoncim të fortë për situatën në Mat, duke akuzuar pushtetin lokal për abuzim me fondet publike në prag të zgjedhjeve.

Kryetarja e PD për degën e Matit deklaroi se në Klos po kryhet një “krim elektoral i pastër”, ku Kryetarja e Bashkisë përdor taksat e qytetarëve për të shtruar “asfalt mashtrimi”, i cili shpërbëhet brenda pak ditësh.

Sipas saj, ky është një akt i hapur vjedhjeje dhe manipulimi elektoral me qëllim përfitimin e votave, duke e konsideruar përdorimin e fondeve publike për interesa elektorale si një “turp kombëtar”.

Në fshatin Xibër, PD akuzon administratorin Elton Dalliu për keqpërdorim të detyrës, duke shtruar rrugë luksi vetëm për përfitim personal, në vend që të shërbente për nevojat e komunitetit.

“Këta nuk janë drejtues, janë hajdutë me vula zyrtare”, u shpreh kryetarja e PD për Matin, duke i bërë thirrje SPAK-ut të ndërhyjë menjëherë për të ndalur këto abuzime dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve.

Melanoma: 6 ndryshime të dyshimta në nishane që nuk duhet t’i injorojmë

Melanoma është një nga format më të rrezikshme të kancerit të lëkurës, por nëse zbulohet në fazat e hershme, ka shanse shumë të mira shërimi.

Një nga mënyrat kryesore për ta kapur në kohë është vëzhgimi i nishaneve ekzistues ose shfaqja e nishaneve të rinj në trup.

Ja 6 ndryshime të dyshimta që nuk duhet t’i injoroni:

1. Asimetria
Nëse një gjysmë e nishanit nuk përputhet me gjysmën tjetër, kjo mund të jetë shenjë paralajmëruese.

2. Kufijtë e parregullt
Nishanet normale kanë kufij të qartë. Nëse nishani ka konture të parregullta, të paqarta ose të copëzuara, duhet kontrolluar nga një dermatolog.

3. Ndryshimi i ngjyrës
Një nishan që përmban shumë nuanca – si kafe, e zezë, gri, e kuqe apo blu – mund të jetë shenjë e melanomës.

4. Diametri i madh
Nëse nishani është më i madh se 6 mm (afërsisht sa goma e lapsit), kontrolli është i domosdoshëm.

5. Evolucioni
Çdo ndryshim me kalimin e kohës – në madhësi, formë, ngjyrë, sipërfaqe ose ndjesi (si kruajtje apo gjakderdhje) – është një sinjal alarmi.

6. Ndjesia e parehatshme
Nëse nishani fillon të kruhet, dhemb, të rrjedhë gjak ose bëhet i ndjeshëm, është e rëndësishme të konsultoheni menjëherë me mjekun.