zoom

Day ArchivePD, kontratë 6 milionë dollarë për lobim në SHBA: E financuar nga diaspora shqiptare

Partia Demokratike e Shqipërisë ka nisur një fushatë të re lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë prestigjioze Continental Strategy LLC, e drejtuar nga ish-Ambasadori i SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Carlos Trujillo. Kjo fushatë është realizuar me mbështetjen financiare të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe pa asnjë barrë financiare për partinë.

Në një njoftim për shtyp të shpërndarë së në mbrëmje, PD sqaron se lobimi është organizuar nga “Fondacioni Shqiptaro Amerikan, i drejtuar nga Nuredin Saraci, dhe i themeluar nga bashkatdhetarë shqiptarë në SHBA që mbështesin forcimin e demokracisë dhe rikthimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Sipas PD-së, mërgata shqiptare është angazhuar financiarisht për të mbështetur opozitën në përpjekjet e saj për të ndërtuar marrëdhënie të forta me Kongresin dhe administratën amerikane, në një moment kritik për fatin politik të vendit.

Detajet e kontratës: 250,000 dollarë në muaj për 24 muaj

Sipas dokumenteve zyrtare të regjistruara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë (FARA), marrëveshja midis Continental Strategy LLC dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë është nënshkruar më 16 prill 2025, dhe parashikon:
• Një pagesë mujore prej 250,000 dollarësh, që për 24 muaj arrin në një total prej 6 milionë dollarësh.
• Pagesa e tre muajve të parë është bërë përpara nënshkrimit të kontratës.
• Shërbimet e ofruara përfshijnë lobim politik, konsulencë për strategjitë e komunikimit, angazhim me vendimmarrës në Kongresin Amerikan dhe administratën federale, dhe ndihmë për projekte të reformave demokratike dhe kundër korrupsionit .
• Kosto shtesë do të mbulohen për shpenzime të udhëtimit, akomodimit, dhe shpenzime të tjera të lidhura me aktivitetet e lobimit.

Kontrata është firmosur nga Carlos Trujillo në emër të Continental Strategy dhe nga Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Qëllimi i lobimit: Rivendosja e demokracisë dhe përforcimi i aleancës me SHBA

Në dokumentin e regjistruar zyrtarisht në SHBA, qëllimi i angazhimit përshkruhet qartë: ndihmë për të “promovuar demokracinë, nismat antikorrupsion dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, duke mbështetur kështu një “koalicion qeveritar transparent dhe demokratik për popullin shqiptar” .

Continental Strategy angazhohet të përdorë përvojën e saj në “angazhimin me aktorët kryesorë të ekzekutivit dhe legjislativit amerikan”, duke ndihmuar Partinë Demokratike të forcojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

Financimi nga diaspora: Asnjë barrë financiare për PD

Në komunikatën për shtyp, Partia Demokratike thekson se fondet e kontratës nuk janë marrë nga buxheti i saj, por janë mbledhur ekskluzivisht nga patriotë shqiptarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe nga demokratë të larguar nga Shqipëria gjatë dekadës së fundit, të zhgënjyer nga situata politike në vend.

“Kjo iniciativë përbën një shembull të bashkëpunimit midis diasporës dhe opozitës shqiptare për të rikthyer vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, theksohet në njoftimin e PD-së.

Kush është Carlos Trujillo?

Carlos Trujillo, i cili kryeson Continental Strategy, ka shërbyer si Ambasador i SHBA-së në OKB gjatë administratës së Presidentit Donald Trump dhe është njohur për qëndrimet e tij të forta antikomuniste dhe përkrahjen për nismat konservatore në politikën e jashtme amerikane. Ai është gjithashtu një nga mbështetësit më të spikatur të forcimit të marrëdhënieve me aleatët tradicionalë të SHBA-së në Europë Lindore dhe Ballkan.

Ndikimi në fushatën elektorale

Kjo marrëveshje e re vjen në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Shqipëri. Lobimi në SHBA pritet të përdoret nga PD për të rritur legjitimitetin ndërkombëtar të kauzës së saj dhe për të rritur presionin diplomatik mbi qeverinë Rama, veçanërisht në raport me çështjet e demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore.

Kjo lëvizje tregon gjithashtu ambicien e opozitës shqiptare për të rikuperuar mbështetjen ndërkombëtare në një kohë kur marrëdhëniet e qeverisë aktuale me disa segmente të administratës amerikane janë komplikuar nga raportet e ndryshme mbi korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Partia Demokratike ka lidhur një kontratë edhe me Cris LaCivita, njeriun kyc të fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili po drejton fushatën e PD. Kontrata e lidhur mes tyre nuk është bërë ende publike. /Zoom.al

“Vëllai im dragua”, Danela: Kur vdiq i ndërruan arkivolin 3 herë

Një prej rrëfimeve më të veçanta dhe emocionalë të “Ferma VIP” ka ardhur nga Danela, e cila ka ndarë një histori shumë personale që lidhet me jetën e saj familjare.

Gjatë një bisede në “Ferma Club”, ajo tregoi se para ardhjes së saj në jetë, prindërit e saj kishin pasur një djalë të quajtur “dragua”, i cili kishte ndërruar jetë një vit para lindjes së saj.

Historia që Danela rrëfeu përmban elementë të pazakontë, duke i dhënë ngjarjes një atmosferë mitologjike dhe plot mister. Sipas saj, vëllai kishte aftësi të jashtëzakonshme: lëvizte natën kur binte shi, zhdukej dhe shfaqej papritur, dhe lidhej e zgjidhej vetë.

“Mami e ruante edhe nga familjarët. Ai ikte natën, kur binte shi dhe vinte natën. Lidhej dhe zgidhej vetë. Shfaqej dhe zhdukej. Hypte dhe zbriste me sekonda në pemë. Kam dëgjuar një shkenctar që thot ka vite që janë zhdukur fëmijët dragonj. Por pritet që vitet e ardhshme do shfaqen përsëri. Flatrat i kanë nën sqetull. Kur është bërë xhenazja në shtëpi. Është ndërruar arkivoli 3 herë, sepse ai vetëm zgjatej. I thot mamit dhe babit në ëndërr më duhet një shtëpi se më lag shiu. Ne i ruajm në shtëpi sendet e tij. Është e dhimbshme për mua ta diskutoj kaq hapur. Unë dua ta tregoj këtë fenomen se kam një ëngjëll mbrojtës. Mami kishte dhunti që të kishte kontakt me djalin”, tregoi Danela

Aksident në Maliq/ Makina del nga rruga, ka të lënduar

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Korçë-Pogradec, në afërsi të Maliqit. 

Një mjet doli nga rruga, duke u përplasur me muret në anë të një karburanti. 

Mësohet se një person (drejtuesi) është dërguar në spitalin e Korçës i plagosur. Paraprakisht bëhet me dije se ai ka humbur kontrollin e veturës së tij.

“Rreth orës 17:40 në aksin rrugor Maliq-Korçë, në fshatin Vloçisht, shtetasi O. K., 45 vjeç, duke drejtuar automjetin dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar drejtuesi i automjetit shtetasi O. K., i cili po merr mjekim në spital, në gjendje jashtë rrezikut për jetën”, bëri me dije policia vendore. 

Policia Rrugore ka shkuar menjëherë në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti, teksa mjeti pas përplasjes është dëmtuar rëndë në pjesën e përparme.

Macron: Ukraina është gati për armëpushim pa kushte

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se ka pasur një bisedë “shumë pozitive” me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, se Ukraina është gati për një armëpushim pa kushte dhe se i ashtuquajturi “Koalicioni i të Vullnetit” nën Francën dhe Britaninë do të vazhdojë të punojë për të arritur këtë, por edhe për një paqe të qëndrueshme.

“Përfundimi i luftës në Ukrainë. Ky është qëllimi ynë i përbashkët me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump”, shkroi Macron në një postim në platformën X.

“Ukraina është gati për një armëpushim pa kushte. Presidenti Zelensky ma përsëriti këtë sot. Ai do të donte të punonte me amerikanët dhe evropianët për ta bërë të mundur këtë”, shtoi më tej Macron.

Ujku nuk voton

Nga Lutfi Dervishi

Ujqit, këto bisha krenare të pyllit, nuk lejojnë kurrë që t’u prijë një idiot. Në çdo tufë, në çdo mal, në çdo stinë, ujku është ujk: i egër, i mençur, i lirë. Nëse lideri s’vlen, nuk ka nevojë për protesta, as për peticione. Ai e di vetë kur duhet të tërhiqet dhe nëse nuk e bën, e bëjnë ata që e kanë ndjekur.

Por me njerëzit është ndryshe. Me popullin është krejt ndryshe… Kjo krijesë mistike duron gjithçka: dimrin, verën, premtimet, zhgënjimet, dhe më së shumti… idiotët.

Nuk ka rëndësi a është bariu me diplomë, a ka qumësht në bidon, a di të numërojë delet që ka, a po i shtohen apo pakësohen delet – mjafton të ketë shkopin në dorë dhe… populli ecën.

Mjafton që bariu tund shkopin dhe populli marshon. Nën diell, nën shi, me çizme, pa çizme, gjithmonë përpara… drejt humnerës, por me stil.

Ujqit, po e nuhatën që lideri i tyre s’di ku e ka bishtin, nuk i ndjekin më. E hanë të gjallë.
Populli është ndryshe. Populli voton, duartroket, e ngre në qiell, i bën like, i jep mandate pas mandatesh.

Ndërrojmë liderin?

Jo, më mirë të ndërrojmë kontinentin ku jetojmë!

Kërkojmë llogari?

Më mirë të kërkojmë azil.

Të ngremë zërin?

Jo, zëri na duhet për të brohoritur në mitingje.

Ujku s’ka nevojë për zgjedhje. Ai ose udhëheq mirë, ose s’udhëheq fare.
Është populli ai që ka privilegjin e madh të zgjedhjes… dhe zgjedh të nënshtrohet!

Dhe ja ku jemi: një tufë që nuk kërkon më ujkun që i prin, por bariun që e tall shumë.

Ndaj, herën tjetër kur të përdorësh fjalën “kafshë” për të ofenduar dikë… kujdes: nuk e ofendon, por e komplimenton.

Kafshët nuk e votojnë të padobishmin.

Ai është privilegj vetëm i yni.

Vetëvritet gruaja që akuzoi për abuzim seksual Jeffrey Epstein dhe princin Andrew

Virginia Giuffre, gruaja që akuzoi të ndjerin Jeffrey Epstein dhe princin Andrew për abuzim seksual, ndërroi jetë nga vetëvrasja, njoftoi familja e saj. Virginia ishte 41 vjeç.

“Giuffre humbi jetën për shkak të vetëvrasjes, pasi ishte një viktimë e përjetshme e abuzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore,” shkroi familja e saj në një deklaratë dhënë për People të premten (25 prill 2025).

Në deklaratë thuhej:

“Virginia ishte një luftëtare e fortë në betejën kundër abuzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Pavarësisht gjithë vështirësive që përjetoi gjatë jetës, ajo shkëlqente fort. Do të na mungojë pa masë. Drita e jetës së saj ishin fëmijët Christian, Noah dhe Emily.”

Më tej, familja u shpreh:
 
“Nuk ka fjalë që mund të shprehin dhimbjen e madhe që ndjejmë sot me ndarjen nga jeta të Virginia-s sonë të dashur. Ajo ishte heroike dhe do të mbahet gjithmonë mend për guximin e saj të jashtëzakonshëm dhe shpirtin e dashur. Në fund, barra e abuzimit ishte aq e rëndë saqë u bë e padurueshme për Virginian. Ne e dimë që ajo tani është me engjëjt.”

Vetëvritet gruaja që akuzoi për abuzim seksual Jeffrey Epstein
 
Për vdekjen e Virginia-s, dha një deklaratë dhe avokatja e saj, e cila kishte ndjekur rastin e jashtëzakonshëm të abuzimit seksual.
 
“Virginia ishte shumë më tepër sesa një kliente për mua; ajo ishte një mike e dashur dhe një kampione e jashtëzakonshme për viktimat e tjera. Guximi i saj më shtyu të luftoja edhe më fort, dhe forca e saj ishte frymëzuese. Bota ka humbur një njeri të mrekullueshëm sot. Pusho në paqe, ëngjëlli im i ëmbël”, tha avokatja Sigrid McCaëley.
 
Lajmi për vdekjen e Giuffre vjen disa javë pasi ajo u shpreh se ishte përplasur nga një autobus shkolle dhe se kishte “vetëm disa ditë për të jetuar.” Në fund të marsit, Giuffre publikoi një selfie nga spitali në Instagram, duke u treguar ndjekësve të saj për “fillimin më të keq të një viti të ri.”

Vetëvritet gruaja që akuzoi për abuzim seksual Jeffrey Epstein
 
Megjithatë, një ditë më vonë, një zëdhënës i policisë së Australisë Perëndimore (ËAPF) hodhi dyshime mbi pretendimet e Giuffre, duke thënë se kishin marrë një raport për një “aksident të lehtë” mes një autobusi dhe një makine në Neergabby, Australi. Policia shtoi se “nuk kishte të raportuar të lënduar si pasojë e aksidentit.” Virginia u kundërpërgjigj duke thënë se gjendja ishte serioze dhe se po merrte kujdes mjekësor. 6 ditë më vonë, Giuffre u lirua nga spitali.

Vetëvritet gruaja që akuzoi për abuzim seksual Jeffrey Epstein

Në vitin 2021, Giuffre paditi princin Andrew, 65 vjeç, për sulm seksual, duke pretenduar se ai e kishte përdhunuar atë kur ishte adoleshente si pjesë e rrjetit të trafikimit seksual të Epstein-it.

Ajo dhe Andrew arritën një marrëveshje jashtë gjykate për një shumë të vlerësuar rreth 12 milionë dollarë në vitin 2022. Andrew mohoi çdo fajësi, por nëna e tij e ndjerë, mbretëresha Elizabeth II, i hoqi titujt ushtarakë si pasojë e skandalit.

EMRI/ I dënuar me mbi 5 vite burg, kush është 39-vjeçari shqiptar që u ekstradua nga Greqia

Është ekstradaur ditën e sotme nga greqia në Shqipëri 39-vjeçari Marinel Demiri, banues në Pojan, Korçë.

Ai u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. (I kanë ngelur për të vuajtur dhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë).

Njoftimi:

Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kapet në Greqi dhe ekstradohet drejt vendit tonë një shtetas shqiptar i dënuar për plagosje të rëndë me dashje.

Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit me zyrat homologe, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Greqi shtetasi shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë.

39-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. (I kanë ngelur për të vuajtur dhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë).

Nga hetimet rezulton se shtetasi Marinel Demiri, është përfshirë në një konflikti me sende të forta, në fshatin Pojan, Korçë, gjatë të cilit ka humbur jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç, i cili kishte ndërhyrë për të ndihmuar djalin e tij gjatë konfliktit me të rinjtë.

Papa Françesku prehet pas funeralit që bashkoi politikanët, anëtarët e familjes mbretërore dhe 400.000 besimtarë

Pas më shumë se dy orësh ceremoni, bota i ka dhënë lamtumirën Papës së të gjithëve.

Pas përfundimit të ceremonisë në sheshin Shën Pjetër, Vatikan, ku ishin të pranishëm afro 400 mijë besimtarë, mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota, arkëmorti i kreut të Kishës Katolike mbërriti nga Bazilika Shën Pjetri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u varros në një tjetër ceremoni private që do të kryesohet nga kardinali Kamerlengo, Kevin Farrell, i cili do të kujdeset për çështjet e përditshme të Kishës deri në zgjedhjen e Papës së ri.

Qindra mijëra besimtarë ishin të pozicionuar në trotuaret e rrugëve ku kaloi kortezhi.

Ministri Piantedosi: Numra njerëzish të pa parë më parë

Ceremonitë në funeralin e Papa Françeskut kanë parë “një numër njerëzish si kurrë më parë”. Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i intervistuar nga Rai pas mbërritjes së tij në Qendrën për Menaxhimin e Ngjarjeve të Mëdha të Shtabit të Policisë së Romës.

“Është ende herët për të mbyllur një bilanc, por ne kemi dhënë një imazh të mirë të sistemit italian”, shtoi Piantedosi.

Françesku, Papë që nga viti 2013, vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare gjatë festës së Pashkëve. Funerali i tij përfshinte koreografi të zgjedhura me kujdes, këngë latine, ulëse të organizuara rreptësisht dhe përdorimin e riteve të lashta katolike. I gjithë procesioni në fakt ishte më i thjeshtuar se ai i papëve të mëparshëm, duke ndjekur udhëzimet që Françesku dha vetë.

Shërbesa përfundoi me një lavdërim të fundit, një lutje përmbyllëse ku Papa iu dorëzua zyrtarisht Zotit. Kjo shënon fillimin e një periudhe zie nëntëditore të quajtur Novemdiales me një meshë që mbahet çdo ditë në kujtim të tij. Papa Françesku do të mbahet mend si njeriu që mbrojti me çdo kusht emigrantët dhe të varfrit, dhe për përpjekjet e tij për të riformuar Kishën Katolike.

Denoncimi i PD-së: Blendi Klosi ka urdhëruar të dhunohet kreu demokrat në Bulqizë

Belind Këlliçi akuzon socialistët në qarkun e Dibrës se po tentojnë të përgjakin fushatën elektorale.

Ne një deklaratë për mediat, teksa komentoi incidentin ku drejtuesi politik në Dibër, Xhelal Mziu dhe nipi i tij u akuzuan se dhunuan një zyrtar lokal, Këlliçi thotë se “Jeton Dani, babai i kandidatit të Partisë Socialiste Murat Dani, së bashku me disa mbështetës të tij, sëbashku me disa vrasës si dhe mercenarë në Policinë e Bulqizës, kanë ushtruar ndaj kreut të degës së Partisë Demokratike Bulqizë, Shaqir Manjani dhe kryetarit të Forumit Rinor në Bulqizë, Klajdi Patria”.

Po ashtu Këlliçi akuzon Drejtuesin Politik të Qarkut Dibër, Blendi Klosi, se ka kërcënuar diasporën  me patronazhistët.

“Pamjet e bëra publike tregojnë qartë se kush janë agresorët dhe ata që po tentojnë të përgjakin fushatën elektorale në Qarkun Dibër, teksa konflikti ka agravuar në përplasje të dhunshme mes palëve dhe Policia e Bulqizës në vend që të dërgojë në SPAK Jeton Danin, me urdhër politik kallëzon Drejtuesin Politik të PD Xhelal Mziun”, shprehet Këlliçi.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi:

Të nderuar qytetarë,

Në Dibër po tentohet të implementohet me dhunë Manuali 184/2. Është momenti që SPAK të dëshmojë se nuk është peng dhe as Çyryk!

Vetëm pak ditë pasi Drejtuesi Politik i Qarkut Dibër, Blendi Klosi, kërcënonte diasporën se patronazhistët e tij do e merrnin vesh me çdo mjet se për kë do votonin, Partia Socialiste në Dibër, duke ndjerë humbjen e thellë më 11 Maj, nuk po i ndal tentativat e dhunës dhe përpjekjen e saj për të ushtruar terror ndaj demokratëve dhe qytetarëve të qarkut Dibër.

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe dhunën fizike të paprecedentë që, Jeton Dani, babai i kandidatit të Partisë Socialiste Murat Dani, së bashku me disa mbështetës të tij, sëbashku me disa vrasës si dhe mercenarë në Policinë e Bulqizës, kanë ushtruar ndaj kreut të degës së Partisë Demokratike Bulqizë, Shaqir Manjani dhe kryetarit të Forumit Rinor në Bulqizë, Klajdi Patria, të dy politikanë model në zonë, shembull të qytetarisë dhe integritetit.

Pamjet e bëra publike tregojnë qartë se kush janë agresorët dhe ata që po tentojnë të përgjakin fushatën elektorale në Qarkun Dibër, teksa konflikti ka agravuar në përplasje të dhunshme mes palëve dhe Policia e Bulqizës në vend që të dërgojë në SPAK Jeton Danin, me urdhër politik kallëzon Drejtuesin Politik të PD Xhelal Mziun.

Drejtuesi Politik në Qarkun Dibër, Deputeti Xhelal Mziu, ka njoftuar strukturat e rendit se po provokohen në takime elektorale nga zyrtarë të administratës, por urdhri i drejtuesve të Policisë Dibër mesa duket ka qenë i qartë të zbatohet platforma Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”

Eksponentët e Partisë Socialiste të cilët kanë marrë leje për miniera në Bulqizën e Mjerimit, të mbështetur nga segmente të Policisë së Dibrës që është peng i SKY EÇ dhe kanabisit, me këto akte agresioni duan të na trembin, por i kanë bërë llogaritë gabim dhe u bëj apel të mos të tentojnë të përgjakin Dibrën për llogari të kreut të narkoshtetit, Edi Ramës.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe strukturës së SPAK që drejtohet nga dibrani Altin Dumani, të mos qëndrojë indiferentë përballë platformës 184/2 që po tentohet të implementohet në Dibër.

Nëse Altin Dumani nuk e di se cili ka qenë fati i dosjes 184, e sigurojmë se pa asnjë diskutim do ta mësojë se cili do të jetë fati i dosjes 184/2 që po tentohet të implementohet në Dibër dhe mbarë veriun e vendit.

Struktura e patronazhistëve në Dibër, nuk po i ndal presionet dhe kërcënimet ndaj administratës duke u kërkuar të sigurojnë vota si dhe po u bëhet presion për familjarët e tyre në Diasporë.

Task Forca e SPAK duhet të japë shpjegime urgjentisht se ku janë me hetimin e krimit zgjedhor në Qarkun Dibër, një zonë me risk të lartë për krim elektoral.

I bëj thirrje SPAK të hetojë aferat me prona publike që Festa Mjeshtri, Kryetarja në dorën e këtyre kriminelëve, i ka dhënë si shpërblim për mbështetjen kriminale zgjedhore në zgjedhjen e saj si kryetare.

I bëjmë thirrje demokratëve të Dibrës të mos tremben dhe të mos intimidohen nga këta kriminelë me uniformë shteti se përgjigjen do ta marrin në bazë të ligjit, në raport të drejtë me aktet e rënda që po kryejnë.

Këta kriminelë elektoralë po tentojnë të përgjakin Dibrën, por ne do ti mbrojmë qytetarët e Dibrës nga këto banda.

U bëj thirrje socialistëve të ndershëm të Dibrës, të mos bëhen kurbanë elektoralë të Blendi Klosit dhe Edi Ramës, njeriun që përçmon Dibrën dhe mbarë Shqipërinë.

SKANDAL/ Ministri i Brendshëm pronar i lavazhit ku Belinda Balluku paguan 10 mijë euro për të larë makinën

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të shtunë ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, për të cilin thotë se është pronari i lavazhit, ku zv.kryeministrja, Belinda Balluku jepte 10 mijë euro për të larë makinën e saj.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli me anë të një deklaratë për mediat thotë se “nëna 70-vjeçare e ministrit Hoxha rezulton pronare e subjektit tregtar “Veba 45 shpk” me objekt administrimin e parkimit dhe lavazhit të automjeteve”.

“Nuk është çudi që “blerjet e vogla” deri 10 mijë euro të Ballukut për larje automjeti të kishin objektiv dërgimin e parave publike në ndërtesën në krah të KM ku ndodhet lavazhi i familjes së ministrit Hoxha,”-thuhet ndër të tjera në denoncimin e PD-së.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Ministri Ervin Hoxha nuk mund të ishte i ndryshëm nga paraardhësit e tij në atë detyrë, që janë në burg a nën hetim, apo nga kolegët e tij në qeveri.

Hoxha nuk është futur ende te ata që hanë kumbulla pas shpinës së Ramës, por atij i shkon shprehja tjetër popullore ‘sheh rrushi rrushin e piqet’.

Si socialistët e tjerë në qeveri që e rilindën hajdutërinë, Hoxha përdor kompaninë në emrin e së ëmës së moshuar për të përfituar para publike.

Nëna 70 vjeçare e ministrit Hoxha, rezulton pronare e subjektit tregtar “Veba 45 shpk” me objekt “administrimi i parkimit dhe lavazhit të automjeteve pranë Hotel Rogner”.

Administrator i të njëjtit subjekt është vëllai i tij Darling Hoxha, njëkohësisht Drejtor i Drejtorisë Rajonale OSSH Tiranë.

Në zbatim të ligjit për konfliktin e interesit, nenet 27 dhe 35, në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit, dhe personit të lidhur i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë zyrtarit.

Jo vetëm që personi i lidhur me zyrtarin ushtron veprimtari tregtare, por sipas të dhënave të nxjerra nga Spending data rezulton se subjekti “Veba 45 shpk” ka përfituar fonde publike nga institucione të ndryshme shtetërore përfshirë ato ku ka patur marrëdhënie pune ministri Hoxha, e konkretisht Administrata Qendrore e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e zhvillimit të territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Komisionerët Publikë, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, etj.

Nuk është çudi që “blerjet e vogla” deri 10 mijë euro të Ballukut për larje automjeti të kishin objektiv dërgimin e parave publike në ndërtesën në krah të KM ku ndodhet lavazhi i familjes së ministrit Hoxha.

Prandaj edhe specifikimet teknike të vendosura në ftesën për ofertë të procedurës me objekt ‘Shërbim larje autovetura, tapiceri’ që do të zhvillohej në 28 Mars, i përshtateshin fiks lavazhit e parkimit të Veba 45 shpk.

Sapo lajmi mori dhenë e u denoncua nga lideri i opozitës Profesor Doktor Sali Berisha, MIE anuloi menjëherë procedurën me justifikimin se dokumentet e tenderit përmbanin gabime dhe mangësi të rëndësishme dhe nuk u publikua më.

Nuk ka mbetur asnjë centimetër e atdheut të cilën këta nuk duan ta zhvatin. Nga deti në mal dhe nga gradacelat e deri te lavazhet e parkimet poshtë tyre.

Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të nisë hetimet për të ballafaquar me ligjin çdo shkelës./ Zoom.al