zoom

Day ArchiveDjali i ish-deputetit, në mesin e sherrit masiv në Long Hills/ U gjuajtën me karrige e sende të forta

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sherri në rezidencën luksoze të Long Hills në periferi të Tiranës, ku mbeti i plagosur një person. 

Burime për mediat bëjnë me dije se në përplasjen e dhunshme është përfshirë edhe djali i një ish-deputeti të njohur, ndërsa konflikti ka degjeneruar në dhunë fizike me karrige dhe sende të forta.

19-vjeçari i plagosur, Kristi Fufi është djali i ish-deputetit demokrat Mhill Fufi. 

I plagosuri, i cili u transportua menjëherë në spital,  ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Tiranës ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të identifikuar autorët e përfshirë në sherr. Ndërkohë ende nuk janë bërë të ditura motivet e konfliktit. / Zoom.al

Xhelal Mziu shpërthen pas videos së dhunës: Nuk jam unë, por babai i kandidatit të PS-së ai që godet

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Dibër, Xhelal Mziu, ka reaguar me tone të ashpra ndaj publikimit të një videoje, e cila sipas tij, tenton të manipulojë opinionin publik duke shtrembëruar të vërtetën për një incident të ndodhur në Bulqizë.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Mziu akuzon policinë për përdorim politik dhe përpjekje për të fajësuar përfaqësuesit e PD-së, ndërsa sipas tij, pamjet tregojnë qartë dhunën e ushtruar nga babai i kandidatit të PS-së, Murat Dani.

“Videoja tregon dhunën barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit të PS, ushtron ndaj kryetarit të PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjani. Dhe më pas, së bashku me zyrtarë të tjerë të PS-së, vijojnë ta dhunojnë pa mëshirë, duke mos kursyer as kreun e FRPD-së,” – shkruan Mziu.

Ai shton se në video nuk ndodhet vetë dhe se nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që, sipas tij, po fabrikohen për të nxjerrë PD-në fajtore.

“Kjo është një provë e pastër për SPAK-un! Në vend që të ndalojnë dhunuesit, përpiqen të më paraqesin mua si protagonist. Unë nuk jam aty! Dhunuesi është babai i kandidatit të PS-së dhe policia nuk pranon as denoncimin për ngjarjen!” – thekson ai.

Xhelal Mziu bën thirrje që mediat të mos bien pre e manipulimeve dhe kërkon nga SPAK të ndërhyjë menjëherë për të vënë përpara drejtësisë autorët e dhunës dhe ata që sipas tij po deformojnë faktet për përfitime politike.

“Qytetarëve të Bulqizës dhe gjithë Dibrës u them: Ne nuk trembemi! Këto manipulime nuk do të na ndalin drejt fitores më 11 maj!” – përfundon Mziu.

Dhuna ndaj punonjëses së OSHEE/ Arrestohet 30-vjeçari që ndihmoi autorin, sekuestrohet automjeti

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili akuzohet se ndihmoi autorin e një ngjarjeje të rëndë që ndodhi ditën e sotme në rrugën “Artan Lenja”, ku një punonjëse e OSHEE u dhunua me sende të forta.

I arrestuari është shtetasi J. S., banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzim krimi”. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ai ndihmoi autorin, shtetasin S. C., 38 vjeç, të largohej menjëherë pas dhunës së ushtruar ndaj shtetases R. H., 37 vjeçe, në ambientet e një lokali në pronësi të autorit.

Policia ka sekuestruar automjetin me të cilin u krye largimi, ndërsa vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 38-vjeçarit, i cili është ende në arrati.

Kriza politike në Kosovë, Osmani: E gatshme të ndërhyj

Në mes të një krize politike që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës, pas disa tentimeve të pasuksesshme për të zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kohë që ka shprehur gatishmërinë e saj të plotë për konsultime me liderët e partive politike, me qëllim të tejkalimit të situatës.

Sipas këshilltarit për media i Presidentes, Bekim Kupina mësohet se Vjosa Osmani në një letër zyrtare të datës 16 prill 2025, drejtuar kryesuesit të seancës së Kuvendit, Avni Dehari, ka ofruar mundësinë e takimeve dhe ka theksuar se është e hapur për konsultime në çdo kohë, sipas nevojës së partive politike.

Sipas tij, Presidentja mbetet e përkushtuar për dialog institucional, bashkëpunim dhe koordinim në funksion të stabilitetit të vendit dhe interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar katër herë radhazi në përpjekjet për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit. Kandidatura e saj, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave, pavarësisht pranisë së plotë të deputetëve në seanca.

Në seancën më të fundit të mbajtur më 25 prill, Haxhiu mori vetëm 57 vota për, nga 118 deputetë të pranishëm, ndërsa 47 ishin kundër dhe 3 abstenuan. Kjo situatë ka shkaktuar bllokim institucional dhe ka shtuar presionin për zgjidhje politike.

Hëna e re në Dem, shenjat që do të ndikohen

Binjakët

Kaosi që do të sjellë Hëna e Re nuk do të prishë jetën tuaj. Atë që për shenjat e tjera mund t’u duket male, do t’i përjetoni si përmbysje të vogla. Sidoqoftë, do t’ju duhet të përpiqeni të gërmoni më thellë në mendimet tuaja për të kuptuar se çfarë saktësisht po mendoni, çfarë dëshironi dhe si t’i menaxhoni emocionet tuaja. Mundohuni të siguroni pak kohë me veten, për reflektim. Po, gjendja juaj natyrore mund të jetë shoqërimi, por në atë ditë është e rëndësishme të izoloheni për të rimbushur bateritë dhe për të hyrë në kontakt me brendësinë tuaj. Pasi të fikni zhurmën e jashtme, do të arrini një nivel më të lartë njohurish.

Peshqit

Si ëndërrimtarë, ju shpesh udhëtoni në re, por kjo stinë e Demit do t’ju mbajë në tokë, duke ju kujtuar se ka shumë gjëra realiste që ia vlen të thuhen dhe të ndahen me botën. Mos kini frikë nga kritikat e të tjerëve. Kuptohet, nuk është e lehtë të hapesh dhe të dukesh e pambrojtur, por Hëna të sfidon të nxjerrësh në pah gjithçka që ke brenda, sepse nuk duhet të harrosh se mendimi yt është po aq i rëndësishëm sa i kujtdo tjetër – dhe ndoshta edhe më shumë, sidomos në këtë moment. Tani do të keni në krah energjinë kozmike, e cila do t’ju ndihmojë të shpreheni në mënyrën e duhur për të frymëzuar bashkëbiseduesit tuaj që t’ju dëgjojnë me vëmendje. Përdoreni këtë besim për të gjetur dhe forcuar zërin tuaj.

EMRI/ Sherr me sende të forta në Tiranë, plagoset 19-vjeçari! Policia jep detaje


Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme zonën elitare në periferi të Tiranës, ku një sherr mes disa personave ka përfunduar me një të plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15, në afërsi të një kompleksi vilash, ku persona ende të paidentifikuar janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm, ku janë përdorur sende të forta.

Si pasojë e përplasjes, ka mbetur i plagosur 19-vjeçari Kristi Fufi, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ende nuk dihen motivet që çuan në sherrin e dhunshëm në një nga zonat më të qeta dhe të shtrenjta të kryeqytetit.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Në të njëjtën zonë, pak ditë më parë katër persona mbetën të plagosur në një atentat mafioz. mes tyre dy ishin të mitur. 

Lajm i fundit/ Përplasje në Lundër, dyshohet për një të plagosur

Një sherr mes sende të forta është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premte në një rezidencë me vila (Long Hill) në zonën e Lundrës në Tiranë.

Nga informacionet paraprake mësohet se si pasojë e sherrit ka mbetur i plagosur një person.

I plagosuri është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore./ Zoom.al

Grushte e leva kokës, rrahja masive në Bulqizë mes militantëve të PS e PD (Video)

Zoom.al ka siguruar pamjet e ngjarjes së djeshme në njësinë administrative Ostren, ku deputeti i PD-së, Xhelal Mziu akuzohet se së bashkë me nipin e tij kanë dhunuar fizikisht zyrtarin Kalosh Murra.

Ngjarja ndodhi gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokratike, ku përplasja nisi fillimisht mes dy individëve dhe më pas përfshiu disa të tjerë, duke përfunduar në dhunë fizike.

Në videon e siguruar nga kamerat e sigurisë shihet një person teksa qëndron jashtë lokalit, duke folur në telefon. Më pas afrohet një tjetër dhe pas një shkëmbimi verbal situata del jashtë kontrollit: të dy përplasen fizikisht, ndërsa mbështetës të tjerë të PD-së ndërhyjnë duke goditur punonjësin e Bashkisë së Bulqizës, Kalosh Murra.

Në pamjet filmike dallohet qartë përshkallëzimi i konfliktit, ndërsa disa persona të tjerë dalin nga ambienti i brendshëm dhe tentojnë ta shuajnë sherrin.

Policia ka reaguar zyrtarisht, duke njoftuar se ka nisur procedim penal ndaj drejtuesit politik të PD-së në Dibër, Xhelal Mziu, si dhe ndaj nipit të tij, Elvis Mziu. Ata dyshohet se janë përfshirë në aktin e dhunës ndaj Kalosh Murrës, 33 vjeç, punonjës i sektorit të ndihmës sociale në Bashkinë e Bulqizës.

Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”./ Zoom.al

“Rama legen!”/ Minatori djeg teserën e PS-së në mes të turmës: Po të jetë burrë, le të vijë këtu

Një skenë e fortë është regjistruar në Bulqizë, gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokratike me minatorët e zonës.

Një qytetar, i identifikuar si minator dhe anëtar i deritanishëm i Partisë Socialiste, ka djegur publikisht teserën e partisë, duke e quajtur këtë akt një simbol të revoltës ndaj “harresës” dhe “poshtërimit” nga qeveria.

Gjatë aktit të djegies së teserës, turma shpërtheu në thirrje kundër kryeministrit: “Rama ik!” dhe “Rama legen!”. I ndodhur përballë minatorëve të Bulqizës dhe Matit, kandidati i PD-së, Basir Çollaku, publikoi videon në rrjetet sociale duke e quajtur veprimin “akt i djegies së vuajtjes dhe braktisjes”.

“Minatori djeg teserën e Rilindjes, djeg vuajtjen e tij, djeg harresën ndaj tij, e bashkëvuajtësve,” – shkruan Çollaku në postimin shoqërues.

Por nuk mbaroi me kaq: minatori pati edhe një thirrje të drejtpërdrejtë për Edi Ramën.

“Po të jetë burrë, le të vijë në Bulqizë e ta thotë këtu atë që tha në Dibër,” – deklaroi ai, duke iu referuar deklaratës së shumëpërfolur të kryeministrit, ku i quajti burrat “çyrykë” gjatë një aktiviteti me gra në Dibër.

Minatori djeg teserën e Rilindjes, djeg vuajtjen e tij, djeg harresën ndaj tij, e bashkëvuajtësve, në takimin me minatorë të Bulqizës e Matit..Posted by Basir Çollaku on Friday, April 25, 2025

Rama tregon “kunjën” personale me Shkodrën: Sot gjysma e burrave janë në rregull, dikur më vinte plasja!

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër, ku foli për transformimin që, sipas tij, ka pësuar qyteti.

“Sot për herë të parë kur hyra në Shkodër nuk u ndjeva sikur po hyj në Kandahar,” – tha Rama, duke lënë të kuptohet se në të kaluarën e ka ndjerë qytetin si të përçudnuar dhe të lënë pas dore.

Ai pranoi publikisht se ka pasur një “kunjë” personale me Shkodrën, por edhe një lidhje emocionale për shkak të origjinës së gjyshes së tij nga ky qytet.

“Më vinte plasja dhe thoja çfarë kanë me mua këto,” – u shpreh Rama, duke iu referuar qëndrimit të votuesve shkodranë ndër vite ndaj tij dhe Partisë Socialiste.

“Shpresoj që Shkodra në 11 Maj të marrë një vendim domethënës – jo për mua, as për PS – por për historinë e vet,” – theksoi Rama, duke bërë thirrje për mbështetje në zgjedhjet e ardhshme.

Në një koment me tone ironike, ai tha: “Gjysmën e burrave në Shkodër i kemi në rregull. Ishte konspiracioni i grave që i bëri burrat të provojnë rrugën tjetër.”/ Zoom.al