zoom

Day ArchiveKujdes zemrën! Këto shenja rrezikojnë të rikthehen tek ish-i këtë javë

Retrogradi i Mërkurit s’po na lë rehat dhe disa shenja të zodiakut janë seriozisht në rrezik të bëjnë gabimin klasik: t’i shkruajnë ish-it. Yjet janë në një fazë emocionale dhe nostalgjia po bën namin. Shenja të ndryshme mund të reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj kësaj faze.

Peshorja – E ndjeshme si gjithmonë, po përjeton çdo kujtim si të ishte dje. Kujdes: një mesazh i pafajshëm mund të kthehet në dramë të plotë. Kjo shenjë duhet të jetë e kujdesshme.

Akrepi – Ndjenjat e vjetra po ziejnë në heshtje. Mund të dukesh i ftohtë, por brenda teje po luhet një film me titull: “A duhej të isha kthyer?” Ky është një moment i vështirë për këtë shenjë.

Binjakët – E kanë mendjen gjithkund, përveç aty ku duhet. Një “seen” i rastësishëm në një story të vjetër mund t’i rikthejë në spiralen e “po të flas një herë vetëm sa për qejf”. Shenja e binjakëve është e prirur për të bërë këtë.

Gaforrja – Këtë javë ka mall për stabilitetin emocional, edhe nëse ai stabilitet vinte me… 37 mesazhe pas zënkës. Kjo shenjë kërkon siguri.

Shigjetari – Nuk e pranon dot që po ndjen mungesën, por universi po të provokon. Nëse sheh ndonjë shenjë “rastësore” nga universi – mos u mashtroni!/ Zoom.al. Shenja të ndryshme kanë mënyra të ndryshme reagimi.

Heshtja që bën më shumë zhurmë se arrestimi i Roven Zekës/ Pse nuk po e shkarkon Ilir Proda ish-shoferin e tij?

Arrestimi i Roven Zekës, ish-shoferit të Ilir Prodës dhe më pas të emëruar si shef i Policisë Rrugore të Tiranës, ka ngritur një furtunë reagimesh në publik dhe media. Një lidhje shpesh përmendet si ajo midis Proda dhe Zeka.

Por në krye të Policisë së Shtetit, gjithçka duket se po ecën “si zakonisht”.

Ilir Proda, drejtori i përgjithshëm, nuk ka mbajtur ende asnjë përgjegjësi morale apo funksionale për zgjedhjen e një individi që tashmë ndodhet nën pranga, i akuzuar për korrupsion në një rast me pesë të plagosur.

Pyetja që sot ngrihet me forcë është: Pse Ilir Proda nuk e ka shkarkuar ende Roven Zekën? 

Roven Zeka nuk është një emër i zakonshëm në strukturën e Policisë. Ai u katapultua në një nga postet më delikate të sigurisë rrugore jo për shkak të eksperiencës apo integritetit profesional, por si një njeri i besuar i vetë Ilir Prodës. Kjo e bën ngjarjen jo vetëm një skandal korrupsioni, por një dështim të rëndë të zinxhirit të vendimmarrjes në polici, dhe më gjerë, një simptomë e kulturës së mungesës së përgjegjësisë që ka gërryer administratën shtetërore.

Ndërkohë që SPAK konfirmon se Zeka dhe vartësit e tij kanë kërkuar e marrë 2 mijë euro për të shmangur arrestimin e një drejtuesje automjeti të përfshirë në një aksident të rëndë, Ilir Proda vazhdon detyrën sikur kjo të mos ketë ndodhur kurrë.

E vërteta është se nuk kemi të bëjmë me një “rast individual”, por me një pasojë direkte të një sistemi të kalbur përzgjedhjesh dhe emërimesh me kritere personale, jo profesionale.

Në çdo vend me një standard minimal të etikës institucionale, drejtori që ka zgjedhur një zyrtar të korruptuar për një pozicion kyç, do të dorëhiqej menjëherë ose minimumi do të  kishte shkarkuar Zekën. 

Jo si një pranim faji penal, por si një akt përgjegjësie morale. 

Nëse një gjë e tillë as nuk çohet nëpër mend atëherë le të mos flasim më për “shtet serioz”, për “polici profesionale” apo për “reforma”. Sepse kur drejtori i përgjithshëm i Policisë mbron me heshtje njerëzit e tij të kapur në flagrancë, e vetmja gjë që po reformohet është pandëshkueshmëria. Zoom.al/

Atentatorët u fshehën në shkurre/ Detaje të reja nga atentati mafioz me 4 të plagosur në Tiranë 

Katër ditë pas atentatit të rëndë në zonën e Lundrës, ku mbetën të plagosur katër persona, mes tyre edhe dy fëmijë, ngjarja mbetet e mbuluar nga misteri dhe shumë pyetje pa përgjigje.

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, të armatosur me kallashnikovë dhe të maskuar, kanë vepruar me profesionalizëm dhe gjakftohtësi, duke arritur të largohen pa lënë pas asnjë gjurmë të prekshme.

Sipas të dhënave të hetimit, dy atentatorët kanë ndjekur rrugën nga fshati Vishnjë, duke kaluar nëpër Picallë, për të mbërritur më pas në Lundër ku qëndruan të fshehur për disa minuta mes bimësisë. Preja e tyre ishte një mjet tip G-Class, ku udhëtonin dy vëllezërit e mitur të familjes Demiraj, miku i tyre dhe shoferi – të katërt të plagosur rëndë nga breshëria e plumbave.

Autorët, të pajisur me dy kallashnikovë, pas sulmit u larguan me motor përmes rrugëve rurale, duke përshkuar rreth 8 kilometra deri në fshatin Fikas. Aty braktisën motorin, një Yamaha e vitit 1998 pa numër shasie, dhe i vunë flakën, duke tentuar të zhdukin çdo provë të mundshme. Policia po përpiqet të rindërtojë historikun e mjetit nëpërmjet karakteristikave të veçanta të mbetura, të cilat janë dërguar edhe policive partnere për verifikim.

Nga hetimi del gjithashtu dyshimi se një person i tretë ka qenë pjesë e planit të arratisjes – ndoshta për të pritur dhe transportuar autorët pas braktisjes së motorit. Deri tani, ky person mbetet i paidentifikuar, ndërsa kamerat e sigurisë përgjatë unazës lindore dhe zonës së Fikasit po analizohen për çdo lëvizje të dyshimtë.

Policia po punon paralelisht në dy pista kryesore: një ngatërrim i mundshëm objektivi, ose një konflikt i lidhur me aktivitetin e kompanisë private të sigurisë “Pelikani Security”, që mendohet se mund të ketë lidhje me një nga pasagjerët e makinës së qëlluar.

Ndërkohë, mjeti që u bë objekt i atentatit është në qendër të verifikimeve të imtësishme – policia po heton për çdo automjet të ngjashëm që frekuenton zonën rezidenciale të Lundrës, si edhe automjetet që kanë qarkulluar në unazën lindore në mbrëmjen e 17 prillit.

Egla Ceno habit me deklaratën e saj për Gjestin pas finales së BBV

Fituesja e “Big Brother VIP Albania 3”, Egla Ceno, ka ndarë një koment të ri në rrjetet sociale pas përfundimit të edicionit të katërt të spektaklit, ku fitues u shpall Gjesti.

Aktorja ka qenë një ndër personazhet që e ka komentuar shpesh rrugëtimin e tij, duke shprehur mbështetje, por edhe duke ngritur kritika.

“Unë kam alergji ndaj maskave, prandaj kam mbështetur atë djaloshin në BBV. A ishte e ‘keqja’ më e vogël në këtë edicion. Fatkeqësisht, shoh përtej dhe them që edhe ai shumë shpejt do të shndërrohet në një maskë”.

Aktorja vijoi më tej duke nënvizuar: Duhet shtyllë kurrizore për t’i rezistuar reflektorëve. Fytyrën nuk ta jep shkolla, por shkolla të bën njeri! Kam thënë çfarë kam thënë.

Egla e ka shprehur më parë publikisht pëlqimin për Gjestin gjatë qëndrimit të tij në shtëpi, duke e cilësuar si një frymë të re në një ambient që, sipas saj, ishte kthyer në “azil pleqsh”. Kjo deklaratë vjen pas një sezoni të nxehtë dhe të komentuar, ku Gjesti arriti të fitojë zemrat e publikut dhe çmimin e madh prej 100 mijë euro.

Kosovë/ Konstituimi i Kuvendit dështon sërish, a po shkon vendi sërish në zgjedhje? 

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar edhe në përpjekjen e katërt të hënën, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi kohë për të arritur marrëveshje politike për emërimin e kandidatës së saj, Albulena Haxhiu, si kryetare të Kuvendit.

Kjo seancë ishte vazhdim i seancës së ndërprerë më 19 prill, dhe në rend të ditës ishte edhe zgjedhja e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Sapo nisi seanca të hënën pasdite, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ftoi Lëvizjen Vetëvendosje ta propozojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit si parti fituese.

Por, deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.

“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin qëndrimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike. Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept duhet ta kishte edhe kryetari i Kuvendit”, tha Konjufca.

Kryesuesi Dehari e ndërpreu seancën menjëherë dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve, pra të mërkurën. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kontestuan ndërprerjen e seancës, dhe akuzuan partinë fituese se po bllokon konstituimin duke mos e ndërruar emrin e propozuar për kryeparlamentar.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i bëri thirrje LVV-së ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, duke thënë se “Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment”.

“Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme. Le ta ndërrojnë kandidatin se nuk iu kalon”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj “definitivisht” nuk kërkon një emër tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ata mund të propozojnë si parti fituese edhe një kandidat prej komplet një grupi politik tjetër dhe ne mandej ulemi dhe i pyesim deputetët, se si duan të votojnë ata”, tha ajo.

Haxhiu kishte dështuar t’i fitonte votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit në dy tentime radhazi më 19 prill.

Në seancën e hënës, deputetët duhej t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët në mënyrë që ta konstituonin Kuvendin e Kosovës përfundimisht.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja. Rel/

“Në shtëpi”/ Dua Lipa i kalon Pashkët në Shqipëri me të dashurin (Pamjet) 

Ylli ndërkombëtar i muzikës, Dua Lipa, ka zgjedhur që këtë vit festën e Pashkëve ta kalojë në vendlindjen e saj të origjinës, në Shqipëri.

Këngëtarja me famë botërore, e njohur për hitet që kanë pushtuar klasifikimet ndërkombëtare, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjete sociale momente të pushimeve luksoze në Kep Merli, një nga resortet më ekskluzive në rivierën shqiptare, në zemër të Ksamilit.

“Në shtëpi 🐰🇦🇱” shkruan Dua si përshkrim i pamjeve që ka ndarë me ndjekësit. 

View this post on Instagram

A post shared by DUA LIPA (@dualipa)

Pamjet që vetë Dua ka publikuar në Instagram tregojnë qartë atmosferën e qetë dhe relaksuese që ajo ka shijuar, në shoqërinë e të dashurit të saj, regjisorit Callum Turner.

Çifti është parë duke shijuar diellin pranveror, detin kristal të Jonit dhe natyrën e mrekullueshme që ofron kjo perlë jugore e Shqipërisë.

Vatikani zbulon shkakun e vdekjes së Papa Françeskut

Papa Françesku vdiq nga një goditje cerebrale dhe si pasojë e dështimit të zemrës, ka njoftuar Vatikani.

Goditja cerebrale çoi në koma dhe dështim të pakthyeshëm të zemrës, thuhet në certifikatën e vdekjes, e publikuar nga Vatikani.

Raporti vjen rreth 12 orë pasi u njoftua vdekja e Papës, i cili vuante nga një sëmundje kronike e mushkërive.

Problemet  shëndetësore e munduan atë gjatë viteve të fundit të jetës së tij dhe ai u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt për një krizë të frymëmarrjes që çoi në pneumoni të dyfishtë.

Kjo çoi në një qëndrim 38-ditor në spital. Megjithatë, ai doli në publik të dielën e Pashkëve, një ditë para vdekjes së tij, për të bekuar mijëra njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit.

Mëkati i madh i dëshpërimit

Nga Agim Baçi

Filozofi holandez, Spinoza, ka qenë ndoshta nga paralajmëruesit e parë për atë që ai e quante “kriza e pasioneve të trishta”.

Sipas tij, kriza që po mbërrinte, e që ne sot duket se e kemi më përballë se kurrë, nuk ka bazë dhimbjen apo të qarën nga gabimet apo humbjet, por mungesën e kuptimeve dhe dorëzimin tonë në dëshpërim.


Por duket se kjo mungesë e kuptimit për të ardhmen u ka tronditur shumë prindërve dhe mësuesve autoritetin për t’u rrëfyer fëmijëve udhën për nesër. Përballë një situate ku sundon përkohshmëria, shumë prindër rrezikojnë të ndërtojnë me fëmijët e tyre vetëm marrëdhënie komerciale- një marrëdhënie e cila rrezikon gjithnjë e më shumë që të kthehet në një injorim ndaj dijes dhe autoritetit. Nën sirenat e forta të dëshpërimit që krijon mungesa e kësaj marrëdhënie, të rinjtë gjenden përballë një bote që nuk ka më pika orientimi, e për pasojë, as pika ku ata duhet të ecin vrullshëm për t’u bërë më të përgjegjshëm për atë që duan të arrijnë në jetët e tyre.


Për të arritur në zgjimin e shqetësimit për të ardhmen kërkohet që prindërit dhe mësuesit të mos harrojnë fuqinë që ka respekti ndaj vetes, si një motor që ndez vullnetin për t’ia dalë.
Frojdi paralajmëronte se “shkolla dhe mësuesit nuk mund të marrin rolin e të pamëshirshmit – një rol që e luan jeta- ndaj fëmijët duhen parë edhe me ngurrimin e tyre, edhe me lojën e tyre”. Ndaj, duhet që prindërit dhe mësuesit të marrin rolin, që të mos ja lënë rrugës të vendosë për identitetin e të rinjve, pasi nëse vendos rruga, do të jetë vetëm mbretëria e dëshirave ajo që do i ftojë në këndvështrimin për jetën, për të nesërmen.


Por, a mundet që sot shkollat të kujdesen për nxënësit që ata të mos notojnë në një zbrazëti emocionale, në një kulturë pa shpirt? A debatohet sot se si bashkëpunimi prindër-mësues t’i shpëtojë nga një ambient supereksitues dëshirash– një ndjesi që i dërgon vetëm në botën e argëtimit të pangopshëm, që vetëm kërkon e kërkon të jetë gjithnjë në zbavitje të vazhdueshme?
Ekspozimi i tepruar ndaj rrjeteve sociale dhe ndërprerja e komunikimit me të rriturit i ka futur fëmijët nën pushtetin e botës së dëshirave dhe spektaklit, duke i ftuar njëkohësisht edhe në botën e madhe të imitimit, ndërkohë që ne si prindër dhe mësuesit vijojmë të kuptojmë gjithnjë e më pak atë hendek që ndan fjalët tona, tekstet e shkollës dhe “botën jashtë dritares” të fëmijëve.


Filozofi italian Umberto Galimberti, shkruan në librin e tij “Bujtësi turbullues” se, na takon ne prindërve të rrisim komunikimin me fëmijët, që të mos lejojmë komercializimin e marrëdhënieve me ta. Përndryshe, marrëdhënia jonë do të jetë nihiliste dhe jeta e tyre do të jetë e pamotivuar, pasi mungesa e kuptimeve do mundë çdo vullnet dhe shumë prej tyre nuk do kenë asnjë ide për vendmbërritjen e së nesërmes. Ky komunikim është edhe më i domosdoshëm sot qe “qiejt dhe toka” e ideve, e mendimeve, e kufijve, nuk është më ai i dikurshmi, nuk është as mitik e as moral, që mbështetej në trashëgiminë e ideve, që mbështetej te besimi te Krijuesi. Në mungesë të ideve dhe të besimit, është bota e dëshirave e vetmja muzikë që ndikon në lëvizjet e zemrës dhe këmbëve të të rinjve.


Për aq kohë sa ne si prindër e si mësues nuk jemi ndalur e të shohim se si mundet të rikuperojmë marrëdhëniet me fëmijët e sotëm, se si t’i dëgjojmë ata, bota dëshirave dhe e përkoshmërisë do vijojë t’i bëjë homazh çdo ditë vlerave që ne kemi konsideruar se vijnë nga e përhershmja, nga besimi, nga tradita.
Nëse nuk ndalim sadopak të diskutojmë, atëherë nuk do kemi punë thjesht të kuptojmë gabimet, as se si të kapërcejmë humbjet, pasi do jemi në humnerën që krijon dëshpërimi, si një mëkat që sjell si vetëvrasjen e çdo dëshire, ashtu dhe atë fizike.

Planifikim i dobët apo kapital elektoral?/ Sako e Durrësit shpartallon shëtitoren përpara sezonit turistik (përpara zgjedhjeve)

Ideja e rigjallërimit të shëtitores “Taulantia” dhe hyrjes së qytetit të Durrësit do të ishte padiskutim një hap pozitiv drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe nxitjes së turizmit, POR koha dhe qëllimet e një ndërhyrjeje të tillë kanë nxitur dyshime të forta mbi projektin e fundit të Bashkisë së Emirjana Sakos.

Punimet kanë nisur pikërisht në prag të fushatës zgjedhore dhe vetëm pak javë përpara nisjes së sezonit turistik. Kështu zhurma nga makineritë e rënda, prania e pluhurit dhe pamja e një shëtitoreje të shkatërruar në vend të një promenade bregdetare të qetë dhe mikpritëse, do të shoqërojë çdo ditë të turistëve që kanë zgjedhur Durrësin për pushime pranverore apo do të vijnë së shpejti për verën.

Plot 8 muaj do të zgjasë një situatë e tillë!

A është kjo pasojë e një planifikimi të dobët apo një veprim me motiv politik, marrë parasysh hapjen e kantierëve përpara zgjedhjeve, si një menyrë për të mbledhur sa më shume kapital elektoral.

E njëjta skemë është parë edhe në qytete të tjera, ku investimet “magjike” nisin papritur përpara votimeve dhe shpesh mbesin të papërfunduara apo bëhen me cilësi të dyshimtë. (Nuk përfshijmë këtu asfaltimin e copëzuar të rrugëve, kryesisht rurale).

Durrësi me të vërtetë ka nevojë për zhvillim, por qyteti dhe banorët e tij kanë po aq nevojë për planifikim të përgjegjshëm dhe jo veprime të nxituara për efekte politike. Pa një koordinim të mirë dhe transparencë të plotë mbi procesin dhe afatet, edhe projektet më të bukura mund të humbasin besueshmërinë e publikut. Zoom.al/

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut/ Shtyhen 4 ndeshje të Serisë A

Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, liga e Serisë A ka njoftuar shtyrjen e katër ndeshjeve të planifikuara për këtë të hënë, të vlefshme për javën e 33-të të kampionatit.

Bashkë me to, janë shtyrë edhe takimet e Serisë B, kategorive të ulëta dhe kampionatit të të rinjve.

Sipas programit, sot në Serinë A pritej të zhvilloheshin sfidat: Torino-Udinese në mesditë, Cagliari-Fiorentina dhe Genoa-Lazio pasdite, ndërsa në mbrëmje duhej të luhej dueli i shumëpritur, Parma-Juventus, në orën 20:45.

Për momentin nuk është bërë ende e ditur data e re kur do të zhvillohen sfidat e shtyra.