zoom

Day Archive3 shenjat e horoskopit më me fat për javën (21-27 prill)

Akrepi

Energjia e javës është e fuqishme për ty. Je në qendër të lojës – i vendosur, strategjik dhe me aftësi për të kapërcyer çdo pengesë. Mërkura dhe e premtja të japin mundësinë të përballosh sfida dhe të dalësh fitues.

Luani

Marsin në shenjën tënde të jep karizmë, pasion dhe energji për të vepruar. Edhe pse përballja me Plutonin sjell tension në marrëdhënie, ti ke aftësinë të udhëheqësh dhe të zgjidhësh gjithçka me diplomaci.

Ujori

Vendime të rëndësishme familjare apo personale marrin formë këtë javë. Megjithë përplasjet me Plutonin në shenjën tënde, do kesh forcën të ndjekësh zemrën dhe të ndërtosh të ardhmen sipas dëshirës tënde.

Nuk u shpall fituese, reagimi i parë i Rozanës pas finales

Rozana Radi bëri reagimin e parë pas përfundimit të eksperiencës së saj brenda shtëpisë së Big Brother VIP.

Ajo ishte përballë Gjestit në minutat e fundit të spektaklit, por nuk arriti dot të shpallet fituese e çmimit të madh me votat e publikut.

Pavarësisht kësaj, Rozana u shpreh se është e lumtur për fitoren e Gjestit, duke shtuar se ajo e shijoi shumë këtë eksperiencë.

“Jam shumë e lumtur që e fitoi Gjesti, njësoj siç do të isha për veten time. Unë e fitova finalen time. Si i përjetova këto muaj në BBV… është një kub i vogël, atë kubin me ngjyra të ngatërruara, ia bëra të gjitha ngjyrat.

Unë i realizova të gjitha dëshirat e mia në këtë BBV dhe ia mora të gjithë kënaqësinë. Nga Rozana në vijim.. nuk e di… të mendoj për një fëmijë në fillim, edhe gjëra të mira artistikisht patjetër”, u shpreh Rozana./ Zoom.al

Gjesti nuk është fitues

Nga Astrit Gashi

Gjesti nuk është fitues. Ai është një simptomë. Një simptomë e sëmundjes që po e ha shoqërinë tonë për së gjalli. Ai nuk fitoi për vlerat. Fitoi sepse ishte produkti perfekt i një algoritmi që mat audiencën me dhunë, jo me mendim. Një sistem që shpërblen arrogancën, bullizmin, përçmimin e tjetrit vetëm sepse këto klikohen më shumë.

Një industri që nuk informon, nuk edukon, nuk frymëzon por helmon. Big Brother VIP nuk ishte spektakël. Ishte një laborator urrejtjeje. Një eksperiment i shëmtuar mbi mendjet dhe ndjenjat tona, ku njeriu trajtohet si kavie, dhe dhuna si argëtim. Aty nuk matet më vlera, por reagimi primitiv i audiencës. Sa më shumë skandal, aq më shumë sukses.

Në një vend normal, një produksion që kultivon gjuhën e urrejtjes, nxit përçarjen fetare, normalizon dhunën psikologjike dhe shkel çdo kufi etik do të përballej me drejtësinë. Por në Shqipëri e Kosovë këta jo vetëm që nuk mbajnë përgjegjësi por shpërblehen me sponsorë e shesin ndërgjegjen për një audiencë që është lodhur nga heshtja.

Gjesti nuk është yll. Ai është turp. Një fytyrë që nuk përfaqëson rininë tonë, por e përdhos atë. Një simbol i asaj se çfarë ndodh kur vlerat mbysin veten dhe antivlera ngjiten në fron. Fitorja e tij nuk është lajm i mirë është alarm kombëtar. Është prova që ne jemi në krizë jo vetëm ekonomike, por shpirtërore. Dhe ajo krizë po na vret sot të rinjtë nuk largohen nga vendi sepse nuk ka shpresa. Largohen sepse shpresat dhunohen çdo natë permes ekraneve.
Në një vend ku idhujt ndërtohen mbi skandale, nuk është çudi që intelektualët heshtin. Nuk është çudi që artistët e vërtetë ikin. Nuk është çudi që shkollat boshatisen, dhe TikTok-u bëhet shkollë.

Ose do ta zgjojmë ndërgjegjen tonë kombëtare dhe do të kthehemi tek vlerat, edukimi dhe dinjiteti……ose do të jetojmë të gjithë brenda një Big Brother të përhershëm, ku spektatori i vetëm është mjerimi ynë kolektiv!

Sfidat që pengojnë vrapin e turizmit në Shqipëri

Turizmi në Shqipëri është kthyer vitet e fundit në një ndër sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Me plazhe të bukura, male të egra dhe trashëgimi kulturore të pasur, Shqipëria ka arritur të tërheqë vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 vendi ka pritur mbi 10 milionë turistë, një shifër rekord që pritet të tejkalohet gjatë sezonit veror 2025.


Megjithatë, krahas potencialit të jashtëzakonshëm, turizmi shqiptar përballet me një sërë sfidash serioze që, nëse nuk adresohen me kujdes, mund të cenojnë jo vetëm cilësinë e turizmit, por edhe imazhin e vendit si një destinacion i sigurt dhe mikpritës.

Infrastruktura rrugore dhe transporti

Një nga problemet më të mëdha që përballen turistët, veçanërisht gjatë verës, është infrastruktura e kufizuar rrugore. Akset kryesore që lidhin qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda dhe Shëngjini shpesh përballen me trafik të rënduar dhe mungesë sinjalistike.
Gjendja e rrugëve dytësore që çojnë në plazhe të izoluara apo atraksione natyrore është shpesh e papërshtatshme, duke kufizuar aksesin e turistëve dhe duke rritur rrezikun për aksidente.
Transporti publik mbetet i pakët, me orare dhe kushte të papërshtatshme për nevojat e një vendi turistik në zhvillim.

Aksi Fier–Vlorë është një nga segmentet më problematike gjatë sezonit veror. Çdo fundjavë dhe veçanërisht në muajt korrik–gusht, qindra automjete nga Tirana, Durrësi, Elbasani dhe qytete të tjera drejtohen drejt Rivierës, duke shkaktuar trafik të rënduar në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit dhe më pas në hyrje të Vlorës.

Një tjetër shembull është rruga Orikum–Dhërmi–Sarandë, ku për shkak të rrugës së ngushtë, kthesave të shumta dhe fluksit të lartë, krijohen bllokime të zgjatura. Ka raste kur për të përshkruar 30-40 kilometra mund të duhen mbi 2 orë në fundjavë.

Kapacitetet akomoduese dhe cilësia e shërbimeve

Rritja e shpejtë e numrit të turistëve ka nxitur një zgjerim të hovshëm të kapaciteteve akomoduese, kryesisht në zonat bregdetare. Por shpeshherë, mungojnë standardet e cilësisë dhe kontrollet ndaj strukturave të reja.
Shumë hotele dhe bujtina operojnë pa licenca të rregullta dhe me staf të patrajnuar, çka ndikon negativisht në përvojën e turistëve.
Një tjetër problem shqetësues është abuzimi me çmimet gjatë sezonit të pikut, kur përfitimi i shpejtë vendoset përpara cilësisë dhe etikës së biznesit.

Ka pasur raste të raportuara në media, ku vizitorët, veçanërisht ato nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, janë përballur me çmime abuzive që rriten edhe dyfish ose trefish brenda ditës, pikërisht për shkak të mbingarkesës dhe mungesës së kontrollit mbi kapacitetet dhe tarifat.

Për shembull: Në gusht 2023, në Ksamil, një dhomë që në qershor kushtonte 50 euro nata, në javën e parë të gushtit arriti deri në 150-200 euro nata për një dhomë standarde, shpesh pa shërbime bazë të garantuara.

Sërish pa fuqi punëtore

Mungesa e fuqisë punëtore mbetet një sfidë e vazhdueshme për sektorin e turizmit në Shqipëri. Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm, është e nevojshme të investohet në trajnimin e të rinjve dhe të krijohen mundësi punësimi të qëndrueshme në sektorin turistik.​

Sipas operatorëve turistikë, nevoja për punonjës është aktuale dhe në prag të nisjes së sezonit të plazhit, thuajse çdo biznes është në kërkim për të plotësuar stafin. Të dhënat flasin për një nevojë për 10 mijë punonjës, për pozicione si sanitarë, recepsionistë, kamarierë, banakierë, menaxherë, shef kuzhine. Paralelisht, bizneset kanë marrë punëtorë nga Filipinet dhe Nepali, por ekspertët janë shprehur kritikë për këtë zgjidhje sepse turistët e huaj vijnë për turizmin shqiptar, për mikpritjen dhe shërbimin e shqiptarëve, që në këtë rast, ofrohet nga punonjësit e huaj.

Menaxhimi i hapësirave publike dhe mjedisi

Plazhet shqiptare, megjithëse të bukura, përballen me problematika të shumta gjatë sezonit veror. Mbingarkesa në plazhe, mungesa e hapësirave të lira publike dhe ndotja nga mbetjet janë shqetësime të përsëritura.
Në shumë raste, hapësirat publike janë zënë në mënyrë abuzive nga privatët, duke kufizuar aksesin e lirë të qytetarëve.
Po ashtu, menaxhimi i mbeturinave në zonat turistike mbetet një sfidë madhore, duke ndikuar jo vetëm në estetikën e ambienteve, por edhe në mjedisin detar dhe tokësor.

Për shkak të problemit, në vitin 2024, Këshilli i Ministrave miratoi një rregullore të re që përcakton ndarjen e vijës bregdetare në mënyrë që të sigurohet një raport prej 300 metrash plazh publik për çdo 1,000 metra vijë lineare plazhi. Kjo rregullore synon të garantojë akses të lirë për qytetarët në plazhe dhe të parandalojë zaptimin e hapësirave publike nga subjektet private. Gjithashtu, përcaktohet që hapësirat publike të administrohen dhe mirëmbahen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Promovimi dhe turizmi alternativ

Turizmi shqiptar vijon të mbështetet kryesisht tek sezoni veror dhe plazhet bregdetare, duke neglizhuar mundësitë që ofrojnë zonat malore, trashëgimia kulturore dhe turizmi rural.
Ka potencial të madh për të zhvilluar produkte të reja turistike, të cilat do të mund të zgjasnin sezonin dhe të shpërndanin vizitorët në të gjithë territorin, duke ulur kështu edhe presionin në zonat bregdetare.
Promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik është përmirësuar, por ende ka nevojë për strategji më të mirëkoordinuara dhe përqendrim në tregjet me potencial më të madh.

Turizmi mbetet një mundësi e artë për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Por rritja e shpejtë pa një planifikim të mirëfilltë, pa kontroll të cilësisë dhe pa investime në infrastrukturë, mund të sjellë më shumë pasoja negative sesa përfitime afatgjata.
Për të përballuar sfidat e sezonit veror 2025, është e domosdoshme të merren masa konkrete për përmirësimin e infrastrukturës, forcimin e kapaciteteve shërbyese, menaxhimin më të mirë të mjedisit dhe diversifikimin e ofertës turistike.
Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të ruajë dhe forcojë pozicionin e saj si një destinacion i veçantë dhe cilësor në Mesdhe./ Zoom.al

Kur kryeministri merret me Ilir Vrenozin, ku ka mbërritur politika shqiptare?

Në një vend normal, një kryeministër ka punë. Merret me ekonomi, me energjinë, me politikat sociale, me buxhetin, me krizën e mjekëve që largohen nga vendi, me kriminalitetin që përgjak përditë rrugët e po vret edhe fëmijë, me korrupsionin që e ka mbërthyer shtetin për fyti, me të rinjtë që mezi presin të zhduken nga vendi i lindjes, me fshatra e qytete të braktisura.

Por në Shqipëri, ndodh ndryshe. Kryeministri del e merret publikisht me Ilir Vrenozin. Për ata që nuk e njohin, Ilir Vrenozi është një personazh i rrjeteve, shpesh vulgar, por i drejtpërdrejtë, demokrat i deklaruar, me video që kanë si objektiv sulmin dhe ironinë ndaj vetë kreut të qeverisë.

Sot Vrenozi postoi një video për të treguar se ishte telefonuar nga deputeti Niko Peleshi, i cili më pas ia ka kaluar telefonin vetë Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri ka folur për rreth shtatë minuta me një ton të butë, miqësor, “si të ishin shokë të vjetër” dhe i ka thënë se ishte “fans” i videove të tij.
“Unë e shaj atë me gjithë familje”, tha Vrenozi, duke pyetur me habi se si mund të ishte Rama fans i videove të tilla.

Tallja e Vrenozit mesa duket e ka lënë keq Edi Ramën. A i keni parë ata pleqtë nëpër fshatra që tëbohen kur ndonjë nga fëmijët i prekin nga pas dhe ata tentojnë t’i qëllojnë me shkop? Ashtu fiks duket reagimi i kryeministrit ndaj Vrenozit. Kështu, Edi Rama vendos të reagojë. Plot 10 minuta, jo për ndonjë çështje me rëndësi kombëtare, por i foli Ilir Vrenozit për telefonatën dhe për faktin që Vrenozi nuk kishte pranuar të ulej me të në kafe.

Siç e ka zakon, kur mbi një të vërtetë ngre një thes të pavërtetash, kryeministri e pranoi telefonatën, por lëshoi insinuata për “nja dy lëvizje nga e vërteta” që sipas tij kishte bërë Vrenozi. “Puna është se unë kam edhe dëshmitarë” – tha Rama. Por ai nuk sqaroi se cilat ishin të pavërtetat e Vrenozit.

Pastaj kaloi në sulme të mjegullta ndaj opozitës që mbështet Vrenozi, duke i quajtur “çyrykë” disa individë që sipas tij kishin thënë se “Rama kishte tentuar ta blinte Vrenozin”. Në fakt, në mos ta bilte, ta përdorte për fushatë. Kjo është e sigurt. Përndryshe, ç’punë ka një kryeministër të flasë në telefon 7 minuta me një qytetar që nuk lë gjë pa thënë kundër tij dhe nuk lë gjë pa kritikuar për qeverisjen e tij?

I gjithë ky episod tregon shumë se si po kërkon ta bëjë edhe këtë fushatë Rama. Një herë me dajre, një herë me dy gishta, një herë me tallava, tani me personazhe të ndryshme që mendon se mund t’i përdorë sipas dëshirës, njësoj sikur po përdor Lulzim Bashën, për ta përçarë edhe më keq opozitën. Por Vrenozi të paktën tregoi më shumë dinjitet sesa dy fansat e Unikkatilit.

Fatkeqësisht ky është kulmi i një boshllëku politik. Kur nuk ke ç’të thuash për punët e shteti, kur sheh që krimin komandon kudo, që paratë e pista vendosin ku do të ndërtohet, çfarë do të ndërtohet dhe kush do të ndërtojë, kur bizneset nuk po gjejnë më punonjës se të gjithë ia kanë mbathur, atëherë merresh me të tillë personazhe. Kur nuk flet dot për arsimin, drejtësinë, shëndetësinë, për policinë, për bashkitë plot me të punësuar partiakë, prodhon retorikë, herë me Lulin, herë me Vrenozin.

Edi Rama po ia arrin në këtë mënyrë të zhvendosë vëmendjen nga dështimet, por nuk po shëron problemet. Ato ngelen aty. Rama mund t’i sugjestionojë shqiptarët që të mos shohin sa e sa gjëra që shkojnë keq në këtë vend, por sugjestionimi i tij nuk i zgjidh hallet, thjesht i fsheh ato.

Edi Rama mund të ketë kohë sa të dojë të merret me Lulin e Vrenozin, por nga kjo kohë humbet shoqëria, jo ai. Ai i ka në rregull punët e tij: shtëpi si kështjellë në rrëzë të Dajtit, 400 mijë euro apartament në qendër të Tiranës, nuk e vret mendjen si do të jetojë e ku do të jetojë apo nëse ia del dot me rrogën deri në fund të muajit. Për aq kohë sa shqiptarët u shkojnë pas gallatave të tij, ai do të vazhdojë të prodhojë të njëjtat rezultate. Mos prisni që 4 vitet e ardhshme paratë, tenderat, lejet e ndërtimit, hotelet në bregdet, vendet e punës me paga të majme t’i shpërndajë në të mirë të qytetarëve. Ai do të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë në këto 3 mandate; të gjejë ndonjë personazh tjetër për t’u marrë për të shpërqëndurar vëmendjen, teksa ujqërit dhe tigrat e tij do të bëjnë kërdinë në vathën e arkës së shtetit. /Zoom.al

Vrasje për nder, hakmarrje dhe atentate mafioze/ Ngjarjet që tronditën vendin në 4 muaj

Në vetëm katër muaj, Shqipëria është tronditur nga vrasje mafioze e atentate, duke reflektuar mungesën e sigurisë dhe rendit në vend dhe paaftësinë e policisë për parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Vrasja për “nder” në Shkodër

Më 4 janar, Ramazan Mataj u vra me armë zjarri nga vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj, për shkak të një lidhjeje të vazhdueshme që viktima kishte me motrën e tyre.

Ramazan Mataj kishte një lidhje të gjatë dashurie me një vajzë të fshatit Dragoç në Postribë të Shkodrës, dashuri e ndaluar kjo, pasi familja e kishte martuar të renë, 2 herë. Martesat dyshohet se janë prishur pikërisht prej historisë që të rinjtë nuk e ndalën, dhe që nuk u kalua lehtë nga vëllai i madh i vajzës, i cili siç tregoi në një rast i kishte parë bashkë.

Për këtë arsye, Arjon Hasaj 29 vjeç thuri planin për të vrarë 33-vjeçarin Ramazan Mataj, bashkëfshatarin e tij. Hapi një profil fals në rrjetet sociale, dhe u shtir të ishte një vajzë që kishte ardhur në fshat tek tezja e saj. Me këtë skenar e ftoi në një takim të riun, aty ku edhe e vrau me breshëri kallashnikovi brenda makinës.

Pas dhjetëra të shoqëruarve, përfshirë edhe banorë që me dëshmitë e tyre ndihmuan hetuesit, policia arrestoi Arjonin bashkë me vëllain e tij, Klisman Hasaj, i cili e ndihmoi të fshehë armën e krimit.

Atentati në Fier

Më 13 janar, Kristjan Marku u vra me breshëri armësh në autostradën Fier-Vlorë. Makina e autorëve u gjet e djegur pranë vendit të ngjarjes.​

Marku ishte nipi i Martin Bardhit të vrarë në shtator të vitit 2023, në Rrëshen. 

I riu u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 13 janarit 2025, ndërsa autorët që dyshohet se kanë qenë 3, i kanë bënë pritë në mbikalimin e Novoselës. Nga kjo pikë, autorët e ndoqën me makinë dhe më pas e qëlluan më shumë se 13 herë me armë pistoletë ose automatik të vogël tip Shars. I riu mori 3 plumba në trup.

Autorët dogjën mjetin tip “Golf” rreth 1 km  larg vendit të ngjarjes dhe më pas dyshohet se janë larguar drejt Fierit. Mjeti i autorëve ishte me targa të vjedhura, ndërsa brenda tij nuk u gjet arma e krimit.

E kaluara kriminale e të riut Marku dhe hasmëria në vendlindje e ka çuar grupin hetimor drejt pistës së vrasjes për hakmarrje. I riu është nipi i Martin Bardhit, i vrarë më 26 shtator 2023, edhe ky dyshohet viktimë e sagës së hakmarrjes mes dy fiseve. Po në vitin 2023, Kristian Marku është skeduar nga policia si i dyshuar për një tentativë për të ekzekutuar nipin e Kastriot Reçit, Saimir Reçin në 26 marsin e dy viteve më parë.

Vrasja në Zall Bastar

Më 13 janar, Xhemal Meta, një i moshuar, u gjet i pajetë në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Zall-Bastar. Pas ekzaminimit mjeko-ligjor, u zbulua se ai kishte dëmtime në pjesën e pasme të kokës, që mund të jenë shkaktuar prej goditjes me sende të forta.

Për vrasjen, u vendos në pranga Isuf Hasa. Autori ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës, kishin pirë kafe dhe aty kishin debatuar. Sipas pretendimeve të Hasës, viktima përveçse e bullizonte dhe ofendonte, gjithashtu i kishte ngacmuar edhe gruan.

“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas. Kisha kohë që nuk po e duroja dot”, citohet të ketë thënë Isuf Hasa.

Më tej autori ka nënvizuar se pasi e vrau fillimisht i mori lekët dhe më pas shkoi te shtëpia e vajzës në Vorë.

Vrasje për hakmarrje në Kurbin

67-vjeçari Dodë Mamli u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit në fshatin Vilës të Kurbinit për çështje pronësie.

Policia arriti të zbardhë ngjarjen, duke identifikuar dhe vënë në pranga autorin e dyshuar. Ai është Dashnor Tota, 53 vjeç, banor i zonës.

Ai ishte fshehur në masivin pyjor të zonës ku ka ndodhur ngjarja, ndaj dhe blutë e përqendruan vëmendjen aty, duke monitoruar të gjithë terrenin. Ndërkohë nga veprimet e kryera dhe ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e viktimës, rezulton se ai është qëlluar plot gjashtë herë me pistoletë, ku një plumb e ka prekur në kokë dhe dy të tjera në pjesën e gjoksit.

Dod Mamli u gjet nga dy banorë të zonës që po zbrisnin poshtë nga mali të cilët konstatuan trupin e viktimën dhe njoftuan policinë. Familjarët kanë dëshmuar se 67-vjeçaari kishte folur me të vëllanë që ndodhet jashtë vendit rreth orës 16:00 të pasdites dhe mendohet se krimi të ketë ndodhur vetëm pak minuta më vonë.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke pyjore në trojet e vjetra, ku 67-vjeçari kishte nisur ta punonte, pikërisht në vendin ku u gjet i vrarë. Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni dhe ende nuk dihet nëse ka patur konflikte të mëparshme me bashkëfshatarin e tij Dashnor Tota.

Atentati në Tiranë

Bujar Nasufi u ekzekutua në një atentat mafioz te zona e “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë, në momentet që po futej te dera e shtëpisë. Në vendngjarje u gjetën 6 gëzhoja. Autori ka qenë i maskuar me një kapuç dhe pasi ka qëlluar është larguar me një motor të zi drejt zonës së Selitës. 

Ai së bashku me vëllanë ishte pronarë i një mobilerie në zonën e “Pallatit me Shigjeta”, zonë ku iu bë dhe atentati.

Dyshohet se në momentin që është qëlluar, sapo ka dalë nga biznesi. Dëshmitarët kanë parë mjetin e viktimës të ndaluar.

Familjarët kanë deklaruar se ndarja e pronave është bërë herët dhe nuk ka pasur probleme mes vëllezërve. Viktima, rezulton si baba i një djali 6-vjeçar, ai njihej si një qytetar i rregullt dhe i respektuar në komunitet.

Familjarët kanë deklaruar se ndarja e pronave është bërë herët dhe nuk ka pasur probleme mes vëllezërve. Viktima, rezulton si baba i një djali 6-vjeçar, ai njihej si një qytetar i rregullt dhe i respektuar në komunitet.

Vrasja e babait të Roan Brahimit

Më 17 prill 2025, në fshatin Pllanë të Lezhës, u ekzekutua me armë zjarri 64-vjeçari Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit. 64-vjeçari ndodhej brenda lokalit të tij, kur autorët, të udhëhequr me një automjet tip “Porche”, ndaluan para lokalit dhe njëri prej tyre zbriti duke qëlluar me breshëri plumbash, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ky atentat vjen një vit pas vrasjes së djalit të tij, Roan Brahimit, i cili u ekzekutua në maj 2024 në Athinë, në sy të gruas dhe djalit të tij.

Policia e Lezhës ka ngritur një grup hetimor të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes. Dyshohet se atentati është i lidhur me aktivitete të mëparshme kriminale të familjes Prendi, përfshirë vrasje dhe sulme të ndodhura në vitet e kaluara. Gjovalin Prendi është sulmuar më parë në vitin 2020, kur lokali i tij u qëllua me armë, por fatmirësisht nuk pati viktima.

​Rreth një orë pas vrasjes së Gjovalin Prendit, në Lundër të Tiranës ndodhi një atentat tjetër, ku katër persona u plagosën. Dyshohet se shënjestra e sulmit ishte gruaja e Roan Brahimit, e cila udhëtonte me një automjet tip “G-Class”. Autori ose autorët mund të kenë ngatërruar targat e makinës dhe kanë qëlluar gabimisht, duke plagosur katër të rinjtë që ndodheshin në automjet.​/ Zoom.al

Çudia në Shqipëri, Report Tv i bën reklamë falas Syri Tv

Biznesmeni Carlo Bollino, pronar i Report Tv dhe Shqiptarja.com është në konflikt të hapur me Syri Tv dhe Sali Berishën. Secila palë nuk lënë rast pa e sulmuar njëra – tjetrën. Por ajo që ka ndodhur së fundi është e pazakontë.

Në përpjekje për të sulmuar Syri-n, mediat e Bollinos i kanë bërë reklamë falas. Bëhet fjalë për afishimin e tarifav që ky televizion ka për shitjen e hapësirës televizive për reklamë për fushatën zgjedhore. Gjithçka është e ligjshme dhe Syri, si çdo televizion tjetër, kërkon të sheshë sa më shumë hapësira televizive për marketing. Por mediat e Bollinos e përkthejnë këtë si “kosto për t’u bërë deputet”. Kështu titullohet edhe shkrimi: “Kostoja për t’u bërë deputet/ Syri shet me lekë edhe hapësirën informative! TV i familjes Berisha-kandidatëve: Zgjidhet ai që paguan më shumë”.

Në brendësi thuhet se Berisha u ka vendosur një kusht kandidatëve të tij për deputetë: “që të kenë shans të bëhen deputetë, ata duhet të paguajnë një kosto”. Dhe sipas mediave të Bollino-s, një reklamë te Syri Tv të nxjerr automatikisht deputet.

Përveçse qesharake si ide, mediat e Bollino-s kanë publikuar edhe shifrat që ka ky televizion për marketing. Në një vend normal Syri Tv do të duhet të kishte paguar te Shqiptarja.com apo Report Tv që t’i bënte kaq shumë reklamë. Në Shqipëri, mediat e Bollino-s e konceptojnë si kritikë.

Zoom.al po e sjell të plotë shkrimin e publikuar nga njëra prej këtyre mediave:

Sali Berisha duket se ka vendosur një ‘kusht’ për kandidatët e tij për deputetë për zgjedhjet e 11 Majit. Që të kenë shans të bëhen deputetë, ata duhet që të paguajnë një kosto.

Dhe kjo lidhet kush paguan në televizionin e tij. Në emailin e departamentit të marketingut të këtij televizioni, teksa tregohen shifrat për promovim, bie në sy që është ‘tarifuar’ edhe hapësira informative.

Për 10-15 minuta në rubrikën speciale të edicioneve kryesore informative, kandidatët do të duhet të paguajnë një shumë deri në 5 mijë euro. Fakti që Syri dhe familja Berisha nuk janë interesuar për të vërtetën, por japin lajme vetëm sipas interesit të tyre, ka qenë i ditur: por tani çmimorja e propagandës është bërë edhe zyrtare.

Sa i përket emisioneve, shifrat variojnë nga 4 mijë euro për 10-15 minuta në emisionin ‘Kafe Shqeto’, 5000 euro për emisionin “Task Force” me të njëjtin minutazh, ndërsa për të pasur 15 minuta hapësirë televizive në emisionin e Çim Pekës, duhet të paguajnë 8 mijë euro.

Pershendetje, Z.

Promovoni fushatën tuaj në studiot tona!
Ju kontaktojme nga departmenti i marketingut prane Syri Tv , për t`ju njohur me hapesiren me pagese, ne dispozicion te kandidateve pergjate fushates.
Televizioni jonë ju ofron hapësirën ideale për intervista, prezantime dhe diskutime profesionale, konkretisht:
–    Emisioni Kafe Shqeto me Flavio Qarri 
10-15 min ne dispozicion 4000 euro
–    “Task Force” me Sonila Meco 10-15 min 5000 euro
10-15 min tek rubrika speciale e edicioneve kryesore informative 5000 euro 
–    “A Shoë” me Adi Krasta 10-15 min ne dispozicion 5000 euro 
–    “Çim Peka” live 10-15 min ne 
dispozicion 8000 euro
–    Shkrim PR (artikull online) tek syri.net 2500 euro
Çdo emision transmetohet ne Youtobe dhe mund te behen edhe video te shkurtra per ti perdorur ne rrjetet tuaja sociale.
Per çdo pyetje apo paqartesi mos nguroni te na shkruani.

Me Respekt !
Besa Bazaiti
Syri TV – Departamenti Marketing

16-vjeçari shqiptar ndërron jetë në Itali

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në Firence të Italisë, ku një djalë shqiptar 16-vjeçar është gjetur pa jetë në banesën e tij.

Ishte nëna e të miturit ajo që bëri zbulimin tragjik, kur u kthye nga puna rreth orës 15:30. Fillimisht, ajo mendoi se i biri ishte ende në gjumë, pasi shkolla ishte e mbyllur për pushimet e Pashkëve. Por kur hyri në dhomën e tij, ajo e gjeti të pajetë.

Në gjendje të rënduar, ajo thirri urgjencën dhe tentoi ta zgjonte të birin, por përpjekjet e saj dhe të mjekëve që mbërritën më pas rezultuan të kota. Mjekët konstatuan vdekjen e tij në vendngjarje.

Sipas të dhënave paraprake, nuk janë gjetur shenja dhune në trupin e tij dhe dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale. Për të përcaktuar shkakun e saktë të ndarjes nga jeta të 16-vjeçarit, prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë./ Zoom.al

E rëndë në Gjirokastër! Humb jetën një 17-vjeçar

Gjirokastra u trondit ditën e sotme nga një ngjarje e rëndë, ku një 17-vjeçar humbi jetën.

Sipas policisë, i mituri me inicialet V. P. u gjet i pajetë në shtëpinë e tij, në fshatin Valare.

17-vjeçari, raporton polica, kishte kryer vetëvrasje.

Trupi i tij u gjet nga familjarët, të cilët e dërguan me urgjencë te spitali i Gjirokastrës, por ai mbërriti pa shenja jete dhe mjekët nuk e shpëtuan dot.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet që e çuan 17-vjeçarin drejt vetëvarjes./ Zoom.al

Gruaja telefonoi burrin biznesmen/ Si ranë në “rrjetën” e SPAK 3 zyrtarët e Policisë Rrugore

Një aksident i zakonshëm rrugor në Tiranë zbuloi një skandal korrupsioni brenda radhëve të Policisë Rrugore.

Ngjarja ndodhi kur oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku, u thirr për të këqyrur vendin e një aksidenti pa viktima.

Gruaja e përfshirë në ngjarje i kërkoi atij që çështja të mbyllej aty, duke ofruar edhe një shumë parash për të shmangur dërgimin e rastit në prokurori.

Tabaku, në vend që të pranonte, e kaloi rastin tek dy eprorët e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, me të cilët zhvilloi edhe biseda telefonike.

Në këto komunikime u përfshi edhe bashkëshorti i gruas, një biznesmen që ndodhej nën përgjim nga SPAK për një çështje tjetër. Pikërisht në këto përgjime, u zbulua tentativa për të ofruar ryshfet në mënyrë që rasti të mbyllej.

Ngjarja çoi në arrestimin e tre zyrtarëve të Policisë Rrugore të Tiranës, ndërsa SPAK ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare mbi shumën e ofruar apo identitetet e plotë të të përfshirëve./ Zoom.al