zoom

Day ArchiveParashikimi/ Çfarë ka rezervuar moti për ditën e diel

Të dielën, më 20 prill 2025, Shqipëria do të përjetojë një ditë me mot të qëndrueshëm dhe të këndshëm në shumicën e territorit.

Moti pritet të jetë pjesërisht me re gjatë mëngjesit, duke kaluar në kthjellime gjatë pasdites.

Temperaturat do të variojnë nga 14°C në orët e para të mëngjesit deri në 20°C në mesditë, përpara se të bien në 13°C në mbrëmje.  

Në pjesën më të madhe të vendit do të ketë vranësira të shoqëruara me intervale dielli, por nuk priten reshje të mëdha shiu. Era do të jetë e lehtë, me shpejtësi të ulët, ndërsa lagështia do të jetë mesatare.

KËSHILLA:

1. Shfrytëzoni pasditen për aktivitete në natyrë

Me kthjellime në orët e pasdites dhe temperatura rreth 20°C është koha ideale për shëtitje, piknik ose aktivitete në ajër të pastër.

2. Vishuni me rroba të rehatshme

Mëngjesi do të jetë pak më i freskët (rreth 14°C), por temperatura rritet gjatë ditës. Vishuni në mënyrë të përshtatshme që të mund të hiqni apo shtoni ndonjë veshje sipas nevojës.

3. Mos harroni mbrojtjen nga dielli

Edhe pse pjesërisht me re, rrezet UV mund të jenë ende të pranishme. Përdorni syze dielli dhe krem mbrojtës nëse do të qëndroni gjatë jashtë.

4. Mbani me vete një xhaketë të lehtë për mbrëmjen

Temperaturat pritet të bien sërish në mbrëmje (në rreth 13°C), ndaj një veshje e hollë mund të jetë e nevojshme për të qenë rehat.

5. Kontrolloni kushtet lokale nëse udhëtoni

Edhe pse reshje nuk parashikohen në mënyrë të konsiderueshme, vranësirat mund të sjellin ndonjë rrebesh të lehtë në zona të caktuara. Informohuni paraprakisht për zonat që do të vizitoni.

6. Kujdes me ndjeshmërinë ndaj lagështisë

Lagështia mesatare mund të ndikojë te personat me ndjeshmëri të veçantë, si ata me probleme reumatike apo astmë. Mbani medikamentet me vete nëse është e nevojshme.

Në përgjithësi, kjo e diel premton të jetë një ditë e bukur pranverore — ideale për t’u relaksuar dhe për të kaluar kohë cilësore jashtë./ Zoom.al

Jozi thyen heshtjen: Durimi ka një kufi. Jam provokuar, por s’kam luajtur viktimën

Një javë pas ngjarjes së bujshme që tronditi shtëpinë e Big Brother VIP Albania, ku Gjesti u godit nga Jozi gjatë një përplasjeje të tensionuar, ky i fundit ka reaguar për herë të parë publikisht, duke thyer heshtjen me një mesazh të gjatë dhe të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale.

Në deklaratën e tij, Jozi pranon se veprimi i tij ishte i gabuar, por nënvizon se ishte i sinqertë dhe i provokuar gjatë gjithë qëndrimit në shtëpi. Ai falënderon publikun për mbështetjen dhe tregon se, pavarësisht vështirësive, nuk është penduar për mënyrën si ka zgjedhur të luajë.

“Zgjodha të isha i sinqertë, i drejtpërdrejtë, pa filtra – dhe ndoshta pikërisht kjo më kushtoi në këtë rrugëtim,” shkruan ai ndër të tjera.

Jozi shprehet se ka duruar gjatë fyerje dhe provokime, por se edhe durimi ka një kufi. Ai kërkon ndjesë për ata që mund të jenë prekur nga veprimi i tij, por thekson se nuk ka dashur kurrë të luajë rolin e viktimës.

“Edhe kur fjalët dhe veprimet e rënda më kanë lënduar thellë, kam heshtur, kam duruar… por edhe durimi ka një kufi. Për të gjithë ata që përpiqen të hedhin baltë mbi imazhin tim, kam vetëm një fjalë: Balta që vjen nga llumi, nuk të bën pis,” përfundon ai.

Autorët kishin studiuar zonën/ Detajet që fiksuan kamerat e sigurisë nga atentati në Tiranë

Detaje të reja kanë dalë rreth atentatit të mbrëmjes së të enjtes në Lundër ku mbetën të plagosur katër të rinj, mes tyre dy të mitur.

Nga hetimet e policisë janë zbuluar se dy autorët kanë studiuar mirë vendin ku do bënin atentatin ku mbetën të plagosur 4 persona.

Burime nga policia bëjnë me dije se në orën 3 e 30 të mëngjesit të datës 17 prill, pra të paktën 18 orë para krimit, autorët kanë shkuar pranë vendit ku do kryenin atentatin për të studiuar terrenin.

Verifikimet e kamerave tashmë janë përqendruar edhe në ditët përpara atentatit, për të zbuluar lëvizjet e autorëve.

E papritur në “Ferma Vip”/ Alba kafshon Limin (VIDEO)

Një moment krejtësisht i papritur ka ndodhur në episodin e fundit të “Ferma VIP”, ku atmosfera mes lojës dhe shakave u kthye për një çast në një skenë që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale: Alba kafshon Limin!

Duke luajtur me njëri tjetrin banorja i ka kërkuar të riut nga Kosova, që ta bëjë tatuazh kafshimin e saj. 

Megjithatë, duket se edhe Limi nuk ia ka lënë mangut të kafshuarën Albës. Për më tepër ndiqni videon: 

View this post on Instagram

A post shared by Ferma VIP Albania (@fermavip.al)

Putin shpall armëpushimin e Pashkëve, një kërkesë edhe për Zelenskyn

Vladimir Putin ka shpallur “Armëpushimin e Pashkëve”, duke thënë se forcat ruse do të ndalojnë operacionet luftarake nga ora 18:00 me orën e Moskës të shtunën deri në mesnatën e së dielës.

Në një lëvizje të befasishme, presidenti rus tha se ai po urdhëronte një ndalesë të përkohshme të luftimeve për arsye humanitare. 

Putin theksoi se priste që Ukraina të ndqite të njëjtin shembull duke thënë se ky do të ishte një test nëse “regjimi” në Kiev ishte i interesuar për paqen. Ukrainasit reaguan në mënyrë skeptike, duke theksuar se njoftimi u bë në të njëjtën kohë kur një alarm për sulm ajror u dëgjua në të gjithë rajonin e Kievit.

Rusia ka thyer armëpushime të shumta që nga pushtimi i saj i fshehtë i Ukrainës lindore në vitin 2014. Ndryshe nga Ukraina, ajo ka refuzuar të zbatojë një pauzë 30-ditore në luftime të propozuar më shumë se një muaj më parë nga administrata amerikane. 

Finalja e madhe e BBVIP Albania: Sonte shpallet fituesi! Egli, Gjesti, Laerti apo Rozana?

Pas më shumë se 100 ditësh të mbushura me emocione, sfida, debate të zjarrta dhe momente të paharrueshme, sonte mbrëma zhvillohet finalja e shumëpritur e Big Brother VIP Albania.

Katër finalistët që kanë arritur deri në këtë pikë janë: Egli, Gjesti, Laerti dhe Rozana – secili me një rrugëtim unik brenda shtëpisë dhe një mbështetje të fortë nga publiku jashtë saj.

Çmimi i madh është vetëm një hap larg dhe gjithçka është në dorën e publikut, i cili do të vendosë përmes votimit se kush do të ngrejë trofeun e këtij sezoni.

Atmosfera është elektrizuese dhe pritshmëritë janë të larta, ndërsa spektakli final pritet të sjellë surpriza dhe emocione të forta, siç i ka hije një nate të madhe si kjo.

Kush do ta fitojë zemrën e publikut dhe kurorën e BBVIP? Egli, Gjesti, Laerti apo Rozana?

Urdhërarresti i SPAK/ Vetëdorëzohen në polici dy oficerët e akuzuar për korrupsion

Dy drejtuesit e policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka dhe Sokol Novaku janë vetëdorëzuar në polici ditën e sotme, pasi ishin shpallur në kërkim pas urdhërarrestit të SPAK një ditë më parë.

Dy oficerët e lartë akuzohen për korrupsion.

Urdhëarresti i SPAK

Prokuroria e Posaçme ka goditur sërish kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit. Burime bëjnë me dije se janë lëshuar tre urdhër-arreste nga SPAK për shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës, Roven Zeka.

Të njëjtat burime shtojnë se masë arresti është vendosur edhe për shefin e sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku, si dhe për oficerin e policisë gjyqësore, Edison Tabaku.

Mësohet se ky i fundit është arrestuar gjatë mbrëmjes së premtes. Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur nëse janë ekzekutuar ose jo urdhër-arrestet për Roven Zekën dhe Sokol Novakun.

Zyrtarët e Policisë Rrugore ishin prej disa kohësh nën hetim nga SPAK, pas dyshimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre në rastet e trajtimit të aksidenteve rrugore. Mësohet se bëhet fjalë për një aksident, ku ishte përfshirë një grua, të cilës drejtuesit e rrugores i kanë marrë shuma parash.

Ndërkohë, pritet që Prokuroria e Posaçme të japë më shumë detaje lidhur me operacionin dhe shkeljet e kupolës së Policisë Rrugore të kryeqytetit.

Atentati në Tiranë/ Gjendet motori i djegur i autorëve, detajet e reja

Policia ka gjetur sot, dy ditë pas atentatit në Tiranë, motomjetin e djegur të autorëve të dyshuar.
Në njoftim thuhet se motori I shkrumbuar është gjetur në afërsi të fshatit Fikas, në Mullet.

I njëjti mjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët që qëlluan drejt makinës ku ndodheshin katër personat e plagosur mes të cilëve dy të mitur.
Më herët Zoom.al kishte raportuar se dy autorët e dyshuar ishin larguan në drejtim të Elbasanit duke devijuar në disa fshatra për të humbur gjurmët.


Hetuesit kanë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë një pjesë të itinerarit të tyre pas atentatit, por për shkak se janë fshehur në rrugë dytësore rurale kanë arritur që të humbin gjurmët duke përfituar nga mungesa e kamerave të sigurisë në këto zona.


Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse personat e plagosur ishin apo jo shënjestra e atentatit të katërfishtë.

“S’jemi në lidhje”/ I dashuri “i jep duart” konkurrentes së “Ferma Vip” gjatë spektaklit

Emocione të forta dhe një moment i papritur në spektaklin e fundit të “Ferma VIP”.

Danela Shima, një nga banoret më të komentuara të këtij sezoni, përjetoi një goditje emocionale përballë publikut, kur një mesazh i lexuar nga moderatorja Luana Vjollca ndryshoi rrjedhën e ndjenjave dhe perceptimeve të saj brenda shtëpisë.

Që në hyrje të spektaklit, Danela kishte deklaruar se zemra e saj i përkiste dikujt jashtë, duke ruajtur besnikëri dhe ndjeshmëri për një person të veçantë. Por mesazhi që mbërriti drejtpërdrejt gjatë emisionit ishte një tronditje e vërtetë:

“Nuk kemi qenë ndonjëherë në lidhje. Për mua nuk përbën asnjë problem se me kë afrohet Danela aty.”

Publiku reagoi menjëherë, ndërsa Danela, e habitur dhe e zhgënjyer, kërkoi të dinte identitetin e dërguesit, por Luana refuzoi, duke sqaruar se bëhej fjalë për një person jo publik dhe se ruhej privatësia e tij.

E emocionuar dhe me lot në sy, Danela reagoi me dinjitet dhe vendosmëri:

“Nga ana ime ka shumë dashuri. Nëse ai nuk më do, është problemi i tij. Ka qenë ai që ka insistuar të njihemi. Unë nuk e kërkova këtë gjë, ndodhi natyrshëm.”

Ajo përmbylli fjalën e saj me një mesazh që preku zemrat e shumë ndjekësve:

“Do vazhdoj më e fortë. S’pendohem për kohën që i kam dhënë, por mësova të mos i besoj kujtdo. Më vjen keq që ai humbi një vajzë si unë.”

Tragjedi në kantierin e aeroportit të Vlorës: Humb jetën një punëtor

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës.

Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte duke punuar në godinën e terminalit, kur ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme.

Punëtori, i cili raportohet të jetë rreth moshës 45-50 vjeç, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit. Nuk dihet ende nëse janë respektuar të gjitha masat e sigurisë në kantier.

Kjo ngjarje ngre sërish shqetësimin për sigurinë në vendet e punës, veçanërisht në kantieret e ndërtimit, ku fatkeqësisht aksidentet shpesh rezultojnë fatale.