zoom

Day ArchiveFletët e para të votimit nga diaspora mbërrijnë në Shqipëri, nesër pritet një tjetër dërgesë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se disa nga fletët e votimit të dërguara nga qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë mbërritur tashmë në territorin e Shqipërisë dhe po procesohen përmes sistemit postar.

Një pjesë tjetër e fletëve ndodhen aktualisht në qendrën e përpunimit në Leipzig, Gjermani, dhe pritet të nisen drejt Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar të KQZ, një avion me dërgesat e ardhshme nga diaspora do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit ditën e nesërme në orën 17:25. Pas përfundimit të procedurave në aeroport dhe udhëtimit drejt kryeqytetit, pritet që materialet të mbërrijnë për administrim në Parkun Olimpik rreth orës 19:00.

Komisioni ka ftuar të gjitha partitë politike që të jenë të pranishme në momentin e pritjes së këtyre fletëve, duke garantuar transparencë dhe akses në këtë proces të rëndësishëm zgjedhor.

Ky është një zhvillim kyç në kuadër të zgjedhjeve që po afrohen, dhe pjesëmarrja e diasporës konsiderohet një element me rëndësi në rritjen e përfaqësimit dhe legjitimitetit të procesit.

Detaje nga përplasja në Tiranë/ Janë plagosur 7 persona, të gjithë në spitalin e Traumës

Të paktën shtatë persona kanë mbetur të plagosur nga ngjarja që përshkallëzoi në përdorimin e armës së zjarrit në një lokal në Tiranë, pranë Liqenit Artificial. 

Burime bëjnë me dije se personat e lënduar janë dërguar për të marrë mjekim në Spitalin e Traumës, ndërsa nuk dihet nëse plagët janë shkaktuar nga arma apo për shkak të përplasjes fizike mes njëri-tjetrit.

Nga burime paraprake thuhet se 7 persona ishin të përfshirë në sherrin që nisi fillimisht me fjalë. Të gjithë të përfshirët ishin të ulur në të njëjtën tavolinë derisa situata doli jashtë komtrollit. 

Pritet që policia të japë më shumë detaje rreth ngjarjes ndërsa po vijojnë hetimet./ Zoom.al

Berisha: Kriminelët që prekin votën do t’u priten duart me “gërshërët e ligjit”

kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj atyre që sipas tij janë përfshirë në manipulimin e procesit zgjedhor, duke akuzuar grupe të caktuara kriminale për tentativë ndërhyrjeje në vullnetin e qytetarëve.

Në një deklaratë gjatë fusjatës, Berisha u shpreh se “duart e zeza” që prekin votën e shqiptarëve do të përballen me pasojat ligjore dhe se do të shpallen organizata terroriste.

“I garantoj organizatat kriminale se duart e tuaja të zeza mbi votat e shqiptarëve do të priten me gërshërët e ligjit. Do t’i shpallim organizata terroriste, ashtu siç jeni dhe e meritoni,” tha Berisha, duke shtuar se qytetarët do ta fitojnë betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama si të lidhur me këto grupe, duke thënë se “do të kërkojnë vrimën e miut” për t’i shpëtuar drejtësisë.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur tensionet politike janë rritur në prag të zgjedhjeve dhe akuzat për përfshirje të elementëve të krimit të organizuar në politikë janë bërë një nga temat kryesore.

Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda e portës

Shkodra dhe mbarë futbolli shqiptar janë sot në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare Paulin Ndoja, një nga figurat më emblematike të klubit Vllaznia dhe një kontribuues i madh i sportit në vend.

I lindur më 19 dhjetor 1945 në Shkodër, Ndoja u bë pjesë e historisë së futbollit që në rininë e tij, duke fituar Kupën e Shqipërisë me Vllazninë në vitin 1965 dhe më pas duke qenë pjesë kyçe në suksesin e madh të titullit kampion dhe Kupës në sezonin 1971-72. Për shkak të biografisë së tij, iu ndërpre karriera vetëm një vit më pas, por dashuria për futbollin nuk e la kurrë.

Pas mbylljes së karrierës si lojtar, ai iu përkushtua punës me të rinjtë, duke shërbyer për vite me radhë si trajner dhe përgatitës i portierëve në Akademinë e Vllaznisë. Përkushtimi i tij ndikoi në rritjen e shumë talenteve dhe ruajtjen e traditës së pasur të klubit shkodran.

Në vitin 2019, kontributi i tij u nderua me turneun për moshat e reja “Kupa Selami Dani & Paulin Ndoja”, ku morën pjesë 41 ekipe nga Shkodra dhe Lezha – një dëshmi e gjallë e respektit të madh që gëzonte në komunitetin sportiv.

Fjalët e tij të njohura “Vllaznia është jeta ime” nuk ishin thjesht një deklaratë, por një realitet që përshkoi të gjithë jetën e tij. Me ndarjen e tij nga jeta, Shkodra humbet një ikonë të vërtetë, ndërsa futbolli shqiptar humbet një njeri që jetoi me pasion, përkushtim dhe krenari.

Të shtënat te Liqeni/ Sherri ndodhi në lokal, situata doli jashtë kontrollit

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja në Tiranë pranë Liqenit Artificial. 

Sherri ka nisur në një lokal pranë zonës duke përfunduar me tension dhe të shtëna me armë zjarri.

Mësohet se të gjithë të perfshirët ishin ulur fillimisht në të njëjtën tavolinë, kur një debat verbal mes dy prej tyre ka degraduar në përleshje fizike me grushte.

Situata ka dalë jashtë kontrollit, kur një nga personat e përfshirë ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në ajër, duke krijuar panik tek të pranishmit në lokal.

Nuk raportohet për të lënduar nga të shtënat, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë.

Ende nuk dihen shkaqet e konfliktit, ndërkohë janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes./ Zoom.al

Lajm i fundit/ Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, informacionet e para 

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e kësaj të mërkure pranë digës së liqenit në Tiranë. 

Fillimisht u raportua për një person të plagosur por nuk ka ende një njoftim. Punonjësit e policisë kanë shkuar pranë vendit të ngjarjes për të sqaruar rrethanat. 

Paraprakisht dyshohet për një konflikt të çastit mes disa personave. 

Serbia formon qeverinë/ Ja kush është kryeministri i ri i vendit

Serbia e ka zgjedhur të mërkurën Qeverinë e re të vendit, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri i ri Gjuro Macut dhe do t’i ketë 30 ministra, prej të cilëve 10 janë emra të rinj.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 153 deputetë, ndërsa 46 deputetë votuan kundër në një seancë të Kuvendit të Serbisë të mërkurën.

Në fjalën e tij, Macut tha se Serbia është “e lodhur” nga përçarjet dhe protestat, dhe se duhet të punohet “për harmonizimin e shoqërisë, sepse harmonia mund të ndërtohet përmes dialogut, tolerancës, punës dhe ndërtimit të sistemit të vlerave”.

Ai tha se synimi i tij i parë do të jetë funksionimi normal i shkollave dhe fakulteteve, puna e të cilave është bllokuar prej muajsh për shkak të protestave të udhëhequra nga studentët.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar qytetarët për zgjedhjen e Qeverisë së re, ndërsa kryeministrit të ri Macut dhe anëtarëve të kabinetit të tij u ka bërë thirrje “ta çlirojnë vendin nga terrori dhe ta kthejnë në rrugën e suksesit”.

Ndërkohë, Demo Berisha – kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve në Serbi – u emërua ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.

Qeveria e deritanishme e Serbisë ishte në mandat teknik nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend verifikuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, çka shënoi fillimin e afatit 30-ditor për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Vuçeviq dha dorëheqje pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe që po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.

Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët që nga fundi i nëntorit 2024 po bllokojnë dhjetëra fakultete në gjithë Serbinë.

Në qendër të kërkesave të tyre, të adresuara ndaj institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë ligjore dhe politike për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Merkuri hyn në Dash më 16 Prill: Si ndikon tek çdo shenjë e horoskopit

Më 16 prill 2025, Merkuri, planeti i mendjes, komunikimit dhe ideve, kalon në shenjën e Dashit, duke sjellë një kthesë dinamike në mënyrën se si mendojmë, flasim dhe marrim vendime.

Kjo energji impulsive dhe e zjarrtë do të zgjasë deri më 10 maj 2025, duke na shtyrë të veprojmë më shpejt, të flasim më hapur dhe të ndjekim instinktin para logjikës.

Çfarë do të thotë Merkuri në Dash?

Dashit i pëlqen të veprojë pa shumë mendime të gjata – ai është një shenjë e guximshme, shpërthyese dhe e drejtë për së mbari. Kur Merkuri kalon në këtë shenjë, komunikimi bëhet më i drejtë, më spontan dhe më i përqendruar në veprim sesa në teori. Idetë vijnë me vrull, dhe durimi për diskutime të gjata zvogëlohet. Është koha për t’i thënë gjërat siç janë, për të nisur projekte të reja dhe për të shprehur veten pa frikë.

Por kujdes – kjo valë energjie mund të sjellë edhe fjalë të nxituara, vendime të marra me ngut dhe mungesë reflektimi. Suksesi qëndron në aftësinë për të ruajtur balancën mes guximit dhe mendimit të kthjellët.

Si ndikon Merkuri në Dash tek çdo shenjë e horoskopit?

Dashi
Energji e dyfishtë për ty! Do ndihesh si në elementin tënd – i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i motivuar. Koha perfekte për të nisur projekte, për të folur hapur dhe për të marrë vendime që ke shtyrë.

Demi
Ndihesh sikur gjithçka po ndodh shumë shpejt për shijen tënde. Këshilla: merr frymë para se të flasësh. Disa ide të shkëlqyera vijnë në heshtje – jepu pak kohë.

Binjakët
Si shenjë që sundohet nga Merkuri, do ndjesh një vrull të jashtëzakonshëm për të ndarë ide. Rrjetet sociale, komunikimi me miqtë dhe diskutimet intelektuale do të jenë në kulm.

Gaforrja
Komunikimi në karrierë është në qendër. Nëse ke për të folur në publik apo për të dhënë një ide në punë, tani është momenti. Kujdes mos e lëndosh ndonjë koleg me fjalë të forta.

Luani
Shpirti yt i zjarrtë përputhet për mrekulli me këtë energji. Planifiko një udhëtim, nis një projekt të madh ose lidhu me persona që të inspirojnë. Do ndihesh i/e frymëzuar.

Virgjëresha
Merkuri është planeti yt sundues, por në Dash nuk ndjehet aq rehat. Mund të ndjesh presion për të vepruar menjëherë. Kujto veten se analizat e thella janë forca jote.

Peshorja
Raportet ndërpersonale do testohen. Mund të kesh nevojë të thuash disa të vërteta të vështira – bëje me stilin tënd diplomatik, por mos i shmang. Koha për qartësi.

Akrepi
Ndikimi i Merkurit në Dash të shtyn të bësh më shumë dhe të flasësh më pak. Mund të ndihesh si nën presion – por kjo është një kohë e shkëlqyer për të ndjekur objektiva personale dhe për të pastruar mendjen nga energjitë toksike.

Shigjetari
Energjia e kësaj periudhe është e përkryer për ty. Merr mikrofonin – figurativisht apo realisht – dhe fol. Kurse për të udhëtuar, mësuar apo ndarë ide të mëdha janë të bekuara tani.

Bricjapi
Komunikimi në familje ose në lidhje të ngushta ka nevojë për vëmendje. Mund të ndjesh nevojën për të dominuar bisedat – por dëgjo më shumë. Ka disa të vërteta që duhen kapur në heshtje.

Ujori
Shumë ide, shumë fjalë, shumë plane – gjithçka ndodh shpejt, por të pëlqen! Shfrytëzo këtë energji për të ndërtuar kontakte të reja dhe për të hedhur themelet e diçkaje inovative.

Peshqit
Pas një periudhe të brendshme dhe emocionale, tani vjen momenti për të vepruar. Bëj një hap të guximshëm drejt një qëllimi personal ose profesional. Mos u tremb nga zëri yt – është koha të dëgjohesh.

Mesazhi i kësaj periudhe?

Fol me zemër, vepro me guxim dhe mendo si një lider. Merkuri në Dash nuk ka durim për dyshime – është koha për të ndezur motorët dhe për të ndjekur instinktin. Vetëm mos harro frenat në raste të nevojshme.

Lara Colturi drejt largimit nga Shqipëria? Skiatorja kërkon të rikthehet nën flamurin italian

E ardhmja e Lara Colturit në përfaqësimin shqiptar është në pikëpyetje.

Skiatorja me origjinë italiane, e cila ka bërë histori për Shqipërinë me rezultatet e saj të jashtëzakonshme në kampionatin botëror që sapo është mbyllur, duket se ka kërkuar të rikthehet për të garuar për Italinë, vendin e saj të lindjes.

Pak ditë para përfundimit të kampionatit botëror, përfaqësuesit e Colturit kanë depozituar një kërkesë pranë autoriteteve përkatëse për të kaluar nën përfaqësimin italian. Italia prej kohësh ka ndjekur nga afër zhvillimet rreth Colturit, ndërsa tashmë mbetet në pritje të një vendimi nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Sipas rregullores, një kalim i tillë do të thotë që 18-vjeçarja mund të qëndrojë një vit jashtë garave ndërkombëtare nëse marrëveshja nuk arrihet në mënyrë të dakordësuar mes palëve. Por kjo është një situatë që përfaqësuesit e saj po përpiqen ta shmangin me çdo kusht, duke synuar një zgjidhje sa më të shpejtë.

Vendimi përfundimtar pritet të merret brenda datës 1 maj, që është edhe afati i fundit i përcaktuar nga Komiteti Ekzekutiv për regjistrimin e lëvizjeve të sportistëve në rang ndërkombëtar.

Lara Colturi iu bashkua Shqipërisë tre vite më parë, duke sjellë një përfaqësim dinjitoz dhe historik në sportet dimërore.

Meteorologët: Nesër rikthehen reshjet

Dita e enjte do të jetë me mot të paqëndrueshëm.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet të ulët, ndërsa temperaturat do të vijojnë të jenë të larta, duke shënuar vlerën maksimale 30 gradë Celcius në Berat.

Era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare deri në 8 m/s, hera-herës me rrahje deri në 20 m/s.


Deti do të jetë me valëzim deri në 4-6 ballë./ Zoom.al