Aplikacion
Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës dhe drejtuesi i subjektit politik “Djathtas 1912”, Agron Kapllanaj, ka dhënë versionin e tij mbi incidentin e ndodhur mbrëmjen e së martës në Fier, ku hetues të BKH dhe Forcat Operacionale u përplasën fizikisht me persona pranë tij.
Në një prononcim për mediat, Kapllanaj konfirmon ngjarjen duke sqaruar se rreth orës 18:00 një mjet i paloguar ka hyrë në parkimin e zyrave të subjektit të tij politik dhe ka nisur ngritjen e një droni, veprim që ka shkaktuar shqetësim tek personat që ndodheshin në ambientet e brendshme.
“Sapo roja i objektit shkoi të kërkonte një sqarim për dronin, një nga personat në makinë i tha se po kërkonin të blinin një pronë. Më pas ai e ofendoi rëndë verbalisht. Agjentët u larguan me makinë, por u ndoqën nga disa zyrtarë të subjektit dhe dy të afërm të mi,” tha Kapllanaj.
Sipas tij, përplasja e dytë ka ndodhur pak më vonë, në një tjetër pikë të qytetit, ku pas ndalimit të automjetit ka pasuar një debat fizik. “Në asnjë moment nuk u thanë se ishin agjentë të BKH-së. Vetëm pasi njërit prej të afërmve të mi iu nxorr armë në formë kërcënimi, deklaruan se ishin nga BKH,” u shpreh ai.
Kapllanaj tha se më pas mbërritën forcat e policisë, të cilat shoqëruan në komisariat dy nipërit e tij dhe një zyrtar të subjektit politik. Vetë ai konfirmoi se ndodhet në ambientet e Policisë së Fierit për të depozituar një kallëzim për incidentin.
Policia reagon për ngjarjen në Fier: Hetuesit dhe efektivët e operacionales u goditën, detajetAutoritetet kanë reaguar lidhur me incidentin në Fier mes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, operacionales dhe disa personave të tjerë.
Policia njofton se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:20 në aksin rrugor Fier – Patos, teksa hetuesit dhe forcat operacionale ndodheshin me shërbim në këtë zonë.
Sipas njoftimit zyrtar, personat që kanë sulmuar hetuesit janë identifikuar dhe menjëherë janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprimet procedurale nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi motivet e përplasjes apo nëse ndonjë prej efektivëve apo hetuesve ka pësuar lëndime.
Burime jozyrtare e kanë lidhur incidentin me persona pranë ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Rama thirrje vajzave në Kamëz: Jo të dashur me opozitën por kamzali dhe europianGjatë një takimi elektoral të zhvilluar këtë të martë në Kamzë, kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të pazakontë për të rejat socialiste, duke u bërë thirrje që të vendosin “standarde” politike edhe në marrëdhëniet personale.
Në një fjalim me tone ironike dhe humoristike, Rama tha se vajzat që janë me djem me bindje të ndryshme politike duhet t’u vënë kusht për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore të 11 majit.
“Të gjithë gocat që janë këtu që kanë simpatizantë ose të dashur që janë me bindje të tjera, duhet t’u vini kusht. Duhet të thonë: dëgjo, ti më pëlqen mua. Po unë të dua ty, të dua ty me status të barabartë me çdo lloj të huaji se ndryshe… Të dua qytetar europian, jo vetëm kamzali. Ajo që pres prej teje është të vish me mua dhe të votosh si mua!”
Kryeministri vijoi me një krahasim, duke e quajtur votën kundër socialistëve si një “kënetë”, ku sipas tij askush me karakter nuk duhet të hidhet.
“Le të jetë i bukur sa të dojë, i zgjuar sa të dojë, po a mund të rrihet me një çun që hidhet në kënetë më 11 maj?! Ç’e do mo?! Se është çështje karakteri kjo…”
Në përfundim, Rama shprehu besimin se më 11 maj, të rinjtë e Kamzës do të votojnë masivisht për PS dhe do të kontribuojnë që qyteti “të shkëlqejë”.
Detaje nga ngjarja në Fier/ Agjentët e BKH dhe njerëzit e Agron Kapllanaj u rrahën për një vend parkimNjë incident i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Fier, ku hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë përplasur fizikisht me disa persona të afërt me ish-kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 19:00 në lagjen “1 Maji”, dhe sipas informacioneve paraprake, gjithçka ka nisur për një vend parkimi. Debati verbal ka agravuar në përplasje fizike dhe grushte mes palëve, duke sjellë menjëherë ndërhyrjen e forcave të policisë.
Disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar nga BKH apo Prokuroria.
Nuk dihet nëse agjentët e BKH ndodheshin në qytet për ndonjë mision hetimor apo ishin rastësisht të përfshirë në konfliktin e ndodhur.
LAJM I FUNDIT/ Çfarë po ndodh në Fier? Raportohet për përplasje mes agjentëve të BKH dhe…Një incident i tensionuar është shënuar mbrëmjen e së martës në Fier, ku hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe forcat e Njësisë Operacionale janë përplasur me disa persona që dyshohet se janë të afërt me ish-kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
Ende nuk dihen saktësisht arsyet e pranishmërisë së hetuesve në këtë qytet, por burime konfirmojnë se disa persona janë shoqëruar nga autoritetet.
Kapllanaj, një figurë politike e njohur në jug të vendit dhe një nga themeluesit e partisë “Djathtas 1912” me kryetar Enkelejd Alibeaj, ka qenë më herët nën vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese për çështje që lidhen me administrimin lokal.
Përplasja ka ndodhur në rrethana që ende nuk janë bërë zyrtarisht të qarta, ndërsa burime jozyrtare flasin për një operacion të mundshëm në kuadër të hetimeve të thelluara për korrupsion apo abuzime me fondet publike.
Ngjarja pritet të zbardhet në orët në vijim, ndërsa sytë janë nga SPAK dhe BKH për ndonjë komunikim zyrtar lidhur me zhvillimet në Fier.
Berisha akuza të forta Ballukut: I mbylli sytë qafës më të bukur që ka vendi, ka marrë 50milionë euro nga tuneliNga qyteti bregdetar i Vlorës, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe veçanërisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ai e akuzoi këtë të fundit se ka përfituar miliona euro përmes projektit të tunelit të Llogarasë.
“Me tunelin e Llogarasë i mbylli sytë qafës më të bukur që ka Shqipëria. Pamja më madhështore e detit është zhdukur për të marrë 50-60 milionë euro me Lubi Ballukun,” deklaroi Berisha para mbështetësve të tij.
Sipas tij, jo vetëm që tuneli ka dëmtuar natyrën dhe vizionin turistik, por edhe rruga e re që po ndërtohet ka për qëllim të falimentojë bizneset në Parkun e Llogarasë:
“Ndërton rrugën për të falimentuar të gjitha bizneset e parkut të Llogarasë. I garantoj ata se kjo padrejtësi do të korrigjohet kur ne të vijmë në pushtet.”
Duke vazhduar me premtimet për ekonominë, lideri demokrat tha se tatimi për biznesin e vogël nuk do të jetë më shumë se 1% e xhiros, ndërsa tatim-fitimi për bizneset e mëdha do të zbresë nga 23% në 10%, dhe TVSH-ja në 15%. Ai gjithashtu premtoi subvencione për fermerët në të gjithë vendin.
“Na vranë…”/ Përgjimet zbulojnë planin mafioz. Ervis Martinaj, 500mijë euro për kokën e BamitDetaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet mbi komunikimet e realizuara në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, ku Tori Xheçuka rezulton të ketë qenë jo vetëm pjesë e organizimit të një atentati ndaj Durim Bamit, por edhe një nga ekzekutorët e mundshëm.
Sipas të dhënave hetimore, Xheçuka është thirrur në armë nga Marklen Haka – një nga figurat e njohura të Niklës – për të marrë pjesë në një plan të mirëorganizuar për eliminimin e Durim Bamit, një tjetër emër i botës së krimit, që aktualisht ndodhet i strehuar në Dubai.
Në komunikimet e zhvilluara në Sky ECC ndërmjet Torit, Florenc Kelmendit, Albert Zajës, Marklen Hakës dhe të tjerëve, del qartë se ishte Ervis Martinaj porositësi dhe financuesi kryesor i atentatit. Një plan që parashikonte eliminimin e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, për të cilin Martinaj kishte ofruar një shumë prej 500 mijë eurosh.
Komunikimet mes Martinajt dhe Xheçukës, më 6 dhe 7 qershor 2020, tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të të dyve në planifikimin e atentatit. Tori e mban Martinajn të informuar mbi lëvizjet e Bamit dhe lidhjet e tij me emra të tjerë të botës së krimit si Ervin Kodra, Ervin Kallari dhe Genti Koçi. Ndërkohë, Albert Zaja shërben si ndihmës në identifikimin e automjeteve me të cilat lëvizte Durim Bami.
Në vijim të planeve, më 4 nëntor 2020, Tori Xheçuka dhe Florenc Kelmendi ekzekutuan atentatin në zonën Kamëz-Tapizë, duke qëlluar me breshëri ndaj një makine ‘Range Rover’ ku ndodheshin Durim Bami dhe Ervin Kodra. Por, për shkak të një makine shoqëruese me trupa të armatosur të Bamit, atentatorët ranë në zjarr kundër. Shkëmbimi i zjarrit zgjati disa minuta, por fatmirësisht nuk pati viktima.
Në momentet e fundit, me municionin e mbaruar, Tori i rrëmben kallashnikovin Kelmendit dhe përpiqet të dalë nga përplasja, ndërsa dëgjohen britmat e këtij të fundit: “Na vranë, na vranë!”
Hetimet gjithashtu tregojnë se Tori Xheçuka ka qenë edhe krahu i armatosur i Emiljano Shullazit, i dënuar për krime të rënda dhe aktualisht i burgosur. E kaluara e Xheçukës e lidh atë me disa nga figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Shqipëri dhe jo vetëm.
Një jetë si vrasës me pagesë, me dosje të hapura në Shqipëri dhe Greqi, dhe ende shumë ngjarje të pazbardhura që mund të kenë lidhje me veprimtarinë e tij kriminale, hedhin hije mbi rolin real të këtij personazhi në botën e errët të mafias shqiptare. Në Shënjestër/
Berisha nga Vlora: “Regjimi i së keqes merr fund më 11 maj, çdo shqiptar do ketë kartën e konsumatorit dhe listën e ilaçeve si në Itali”Sali Berisha ndaloi këtë të hënë në qytetin e Vlorës, ku prezantoi kandidatët e koalicionit të tij për zgjedhjet vendore të 11 majit, si dhe programin që, sipas tij, do të sjellë “ndryshimin e madh”.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha shigjetoi ashpër qeverinë, duke akuzuar Edi Ramën për dështime dhe vjedhje sistematike në infrastrukturë, shëndetësi dhe mjedis.
“Ju përshëndes që e përzutë, nuk guxoi të kandidojë më në Vlorë dhe kjo është një fitore morale,” tha Berisha, duke iu referuar faktit që kryeministri Rama nuk është më kandidat në këtë qark.
Kreu i PD-së zbuloi pjesë nga programi elektoral, duke premtuar mbështetje për shtresat në nevojë, ulje çmimesh dhe rritje të aksesit në shërbimet shëndetësore:
“Çdo pensionist, çdo qytetar me rrogë të ulët që nuk do jetë më kurrë nën 500 euro, çdo i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike do ketë kartën e konsumatorit. Me të do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20% më lirë.”
Ai premtoi gjithashtu barazi me standardet europiane në sistemin shëndetësor:
“Brenda 4 muajve do të kemi listën e barnave që marrin italianët. Le të kushtojë sa të dojë, por shteti do mbulojë gjithçka si në Gjermani, si në Itali.”
Berisha denoncoi edhe gjendjen e spitaleve publike:
“Dhjetë ditët e fundit të çdo muaji nuk bëhen analiza në spitalet shqiptare. Nuk kemi një PET-skaner në vend me 8 miliardë euro buxhet vjetor.”
Duke u ndalur në problematikat e Vlorës, ai akuzoi qeverinë për mosfunksionimin e impiantit të ujërave të zeza dhe vjedhje sistematike përmes PPP-ve:
“12 vite me radhë Vlora derdh ujërat e zeza në det sepse nuk paguajnë energjinë për impiantin.”
Ai premtoi ndalimin e projekteve që, sipas tij, cenojnë mjedisin dhe jetesën në fshatra:
“Janë 36 fshatra në Lumin e Vlorës që duan t’ua marrin ujin. Kurrë nuk do merret uji i tyre. Uji është jeta. Pa të, ata duhet të largohen.”
Ancelotti nuk dorëzohet: “Do të luajmë me kokë, me zemër dhe me topin!”Në prag të përballjes së kthimit kundër Arsenalit, pas humbjes 3-0 në “Emirates Stadium”, trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur me optimizëm dhe vendosmëri në konferencën për shtyp.
Italiani beson se gjithçka është e mundur në “Bernabéu”, një stadium që, sipas tij, ka parë mrekulli futbolli më parë.
“Tifozët janë shumë të rëndësishëm, na kanë ndihmuar gjithmonë. Nesër do të kemi nevojë për një ndeshje të jashtëzakonshme për të ndryshuar fatin e kësaj sfide,” tha Ancelotti. “Do të luajmë me kokë, me zemër dhe me topin.”
Ai e vlerësoi atmosferën unike të “Santiago Bernabéu”-s si një faktor që shpesh ndryshon rrjedhën e lojës: “Këtu ndodhin gjëra që nuk ndodhin diku tjetër.”
I pyetur për të ardhmen e tij, tekniku italian u tregua i qartë: “Nuk mendoj se ajo varet nga rezultati i nesërm. Jam i motivuar dhe dua që lojtarët të jenë të qetë dhe të fokusuar.”
Ancelotti komentoi gjithashtu deklaratat e Thomas Partey për presionin në “Bernabéu”, duke u përgjigjur me ironi: “Fusha është e njëjtë, bari ka të njëjtën ngjyrë, por gjithçka tjetër është ndryshe.”
Trajneri tha se nuk ka “as nën mëngë”, por do të kërkojë një ndeshje intensive dhe me përqendrim të lartë. “Për të përmbysur këtë sfidë, kemi nevojë për cilësi, përqendrim dhe performancë të plotë – si fizike, ashtu edhe taktike.”
Lidhur me formën e Mbappé-së, Ancelotti tregoi se ai është i gatshëm: “Është i zhgënjyer, por u stërvit shumë mirë. Kemi nevojë për të, sidomos për të shënuar.”
Në fund, me humorin që e karakterizon, italiani “ruajti sekretin” për pozicionin e Valverde-s: “E di se ku do të luajë, por nuk do t’jua them!” – tha mes të qeshurash. Real Madrid duket gati për një tjetër mbrëmje të madhe në Europë.
Rama nxjerr hartën: Kemi ndërtuar 1000 km rrugë në tre mandateKryeministri Edi Rama ka publikuar sot bilancin e infrastrukturës rrugore të ndërtuar gjatë tre mandateve të qeverisjes socialiste, duke deklaruar se janë ndërtuar plot 1000 kilometra rrugë dhe janë hapur 40 kantiere të reja në të gjithë vendin.
“12 vjet duken shumë, por më minimalja për ndërtimin e infrastrukturës në Europë është nga 7 deri në 9 vjet”, u shpreh Rama, teksa theksoi se pas shlyerjes së borxheve të trashëguara, fokusi i qeverisë së tij u përqendrua te projektet e mëdha rrugore që lidhin Shqipërinë me rrjetin e autostradave të Bashkimit Europian.
“Me këto projekte ne do të kemi dy autostrada të kategorisë A që e lidhin Shqipërinë direkt me BE-në”, tha kryeministri, duke nënvizuar se çdo investim në infrastrukturë është në funksion jo vetëm të zhvillimit ekonomik, por edhe të rritjes së turizmit. “Një Zvicër, një Austri e Ballkanit”, shtoi ai.
Ambicia e radhës është rrjeti hekurudhor, për të cilin Rama tha se i duhet mbështetja e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit. “Është një ndryshim epokal”, deklaroi ai.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku shpalosi projektin “Kuq e Zi”, pjesë e së cilës është ndërtimi i një rrjeti hekurudhor modern me gjatësi 530 km që do të lidhë veriun me jugun e vendit. “Kjo linjë do të kalojë nga Shkodra në drejtim të Gjakovës, për t’u lidhur me Fushë Kosovën”, tha Balluku.
Gjatë një vizite në një kompani teknologjike, Rama bëri të ditur se qeveria po shqyrton mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në procesin e rishikimit të legjislacionit, duke eliminuar mbivendosjet që shpesh ekzistojnë mes ligjeve të ndryshme.