zoom

Day ArchiveAkuzat e SPAK-ut/ Sa vite burg rrezikon Erion Veliaj

Në dy muaj, debati publik në Shqipëri ka qenë i fokusuar në një drejtim, arrestimi dhe akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ka pasur zëra që SPAK-u e ka bërë shumë mirë punën e tij, ka pasur zëra që ka qenë e dirigjuar nga Edi Rama, ka pasur zëra se Erion Veliaj kishte marrë veten më qafë.

Gjithashtu ka të pakënaqur, ndër analistët publikë, se Erion Veliaj nuk duhet të ishte arrestuar për këto akuza që tashmë i ka bërë publike SPAK-u, por duhet t’i faturoheshin inceneratorët, “5D” etj. Ka zëra që thonë se akuzat janë shumë të rënda dhe Erion Veliaj rrezikon të qëndrojë shumë vite pas hekurave. Por përtej tyre, le të shohim se çfarë parashikon Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në lidhje me akuzat që SPAK-u i ka ngritur Erion Veliajt. Akuza e “Korrupsionit aktiv dhe pasiv i të zgjedhurve vendorë”, neni 260 i Kodit Penal, është nga 4 deri në 12 vite burg.

Duhet të kemi parasysh se në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj nuk kemi të bëjmë me një, por me të paktën 9 raste, thonë vendimet e njëpasnjëshme të gjykatës. Më i fundit, ai i Engert Pëllumbit, tregon edhe rastet e ngjashme të kolegëve të Erion Veliajt, kryebashkiakë, të cilët janë dënuar nga GJKKO. Akuza e dytë është “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, e cila shkon nga 7 deri në 15 vite burg. Akuza e tretë për “Futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit”, e cila sipas nenit 324/a të Kodit Penal, Erion Veliaj rrezikon 5 deri në 10 vite burg.

Në rast se do të mblidheshin në mënyrë matematikore, Erion Veliajt në minimum duhet t’i kërkonin nga 16 në 37 vite burg, por nuk bëhet kështu përllogaritja. Pra, nuk merret mbledhja e minimumit dhe maksimumit në kërkesën që paraqitet nga prokurorët në gjykatë, por merren nenet që kanë, merret vepra. Vitet e tjera të dënimit përthithen nga vepra më e rëndë penale.

Erion Veliaj rrezikon me këto tri vepra, që në gjykatë me akuzë, të shkojë me kërkesë nga 7 deri në 15 vite burg. Ky është shpjegimi që japin avokatët dhe juristët në lidhje me tri akuzat, që i janë bërë me dije kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Përtej çdo debati, përtej çdo opinioni dhe përtej çdo diskutimi, Kodi Penal është i ftohtë, i ka të mirëpërcaktuara nenet dhe dënimet dhe kryebashkiaku i Tiranës në minimumin e tij, sipas tri veprave penale që ka konsumuar dhe janë bërë me dije, rrezikon nga 7 deri në 15 vite heqje lirie.

Në rast se do të dënohet nga gjykata, sipas këtyre tri neneve të Kodit Penal, që janë bërë tashmë publike. Më i rëndi është ai i “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, që ka dhe vitet më të mëdha të dënimit, që mesa duket qartazi do t’i paraqiten në gjykatë kryebashkiakut të Tiranës./CNA

Sejamini: Rama po manipulon ndjeshmërinë e qytetarëve për integrimin

Analisti politik Neritan Sejamini shprehur kritika të forta ndaj programit elektoral të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si një “premtim në ajër” pa asnjë bazë reale.

Sipas Sejaminit, përdorimi i integrimit europian si kartë elektorale është një mashtrim i qëllimshëm dhe një strategji për të shmangur llogaridhënien për 12 vitet e qeverisjes.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Sejamini deklaroi se Shqipëria nuk ka asnjë shans të mbyllë negociatat për anëtarësim në BE për dy vite, as deri në vitin 2030, madje as në 2035. “Është keqinformim, është gënjeshtër, është propagandë. Mund ta quajmë si të duam, por nuk është e vërtetë”, tha ai.

Sipas tij, Rama po manipulon me ndjeshmërinë e qytetarëve për integrimin, në mënyrë që të shmangë debatin real për qeverisjen: “Pas 12 vitesh në pushtet, kudo në botë zgjedhjet do të ishin një referendum për qeverinë. Por Rama po përpiqet që debati të mos jetë për korrupsionin, por për ëndrrën e BE-së.”

Sejamini theksoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk është një procedurë burokratike me letra, por një transformim rrënjësor i strukturës politike, shoqërore dhe ekonomike të një vendi. “Të thuash që do hyjmë në BE si të firmosim disa letra, është keqinformimi më i madh. Nuk ka asnjë lider europian që i ka premtuar Ramës mbylljen e negociatave. Ai thjesht gënjen,” përfundoi Sejamini.

Ilir Kalemaj “godet” Edi Ramën: Nuk ka program, po vjedh tezat e PD-së dhe po shet ëndrra për 2030-ën!

Politologu Ilir Kalemaj ka shpërthyer në kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se edhe në këtë fushatë elektorale po i shmanget një programi konkret dhe një bilanci real të qeverisjes së tij.

Në një intervistë për MCN, Kalemaj deklaroi se Rama nuk po ofron asgjë të re për mandatin e ardhshëm, por po përdor retorikë të huazuar nga Partia Demokratike. “Po merr disa nga tezat e PD-së dhe po i shet si të tijat”, tha Kalemaj.

Në fokus të kritikës ishte edhe “karta e integrimit europian”, që sipas Kalemajt, po përdoret si një mjet elektoral pa lidhje me realitetin. “Edi Rama duhet të japë llogari se çfarë do të bëjë në 2025-2029, jo të shesë ëndrra për 2030-ën. Askush nuk e di çfarë do të ndodhë në atë kohë, as gjeopolitika nuk është e parashikueshme”, shtoi ai.

Kalemaj kujtoi se disa nga momentet kyçe të rrugëtimit europian të Shqipërisë nuk i përkasin qeverisë aktuale: “Liberalizimi i vizave, statusi i kandidatit dhe anëtarësimi në NATO u arritën gjatë qeverisjes së PD-së. Qeveria aktuale ka vetëm çeljen e negociatave.”

Ai theksoi se përdorimi i integrimit europian si kartë politike mund të funksionojë në vende si Serbia, ku ka ndarje ideologjike mes pro-Perëndimorëve dhe atyre me prirje Euroaziatike, por jo në Shqipëri.

Tronditet bota e futbollit/ Ndahet nga jeta trajneri legjendar 

Bota e futbollit është tronditur sot nga lajmi i ndarjes nga jeta të trajnerit legjendar holandez, Leo Beenhakker, një prej figurave më emblematike të pankinës ndërkombëtare.

Beenhakker, i njohur për karrierën e tij të jashtëzakonshme me ekipe si Real Madrid, Ajax, Feyenoord dhe kombëtaren e Polonisë, ka lënë një trashëgimi të pasur në futbollin botëror, ku për dekada me radhë frymëzoi gjenerata të tëra lojtarësh dhe trajnerësh.

Me një karrierë që shtrihej në disa kontinente, Beenhakker ishte simbol i disiplinës, taktikave brilante dhe pasionit të pashuar për lojën më të bukur në botë. Ai fitoi tre tituj kampion me Real Madridin në vitet ’80 dhe drejtoi disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit në histori.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë një valë reagimesh dhe mesazhesh ngushëllimi nga e gjithë bota e sportit. Federatat, klubet dhe ish-lojtarët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një figure të rrallë që ndikoi thellësisht në futbollin modern.

Ja kush janë kandidatët e preferuar të Ramës në Tiranë

Nga kjo e premte nis zyrtarisht fushata politike për zgjedhjet e 11 majit, dhe dy forcat kryesore do të ndezin motorët ku për 1 muaj do të zhvillojnë betejën në terren për të marrë çdo votë.

Gazetarja Enkelejda Mema ka zbuluar në Vizion Plus dy nga kandidatët e preruar të Ramës në Tiranë të cilët sipas saj janë Blendi Gonxhe dhe Erion Braçe, ndërsa në listë ndodhet edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.

“Erion Braçe dhe Bledi Gonxhe. Ka një udhëzim te drejtuesit e qarqeve se si do të orientohet fushata, se nuk janë vetëm ata të dy që do të dalin nga lista e hapur. Blendi Gonxhe dhe Ervin Hoxha janë të kërkuar, edhe Erion Braçe është i kërkuar nga socialistët për deputet,”- ka thënë Mema.

Rama dhe partia e tij do të nisë fushatën elektorale të shtunën ku ligjërimin kryesor do e ketë kryesocialisti / Zoom.al

Trump rrit sërish tarifat për Kinën, i çon në 145%

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka vendosur të rrisë sërish tarifat për Kinën duke i çuar në 145%.

Rritja e tarifave ka ardhur pas urdhërit të ri të Donald Trump. Kjo është rritja e dytë prenda pak ditësh, pasi u rritën nga 84% në 125%, tashmë kanë shkuar në 145%.

Një tarifë shtesë prej 20%, e lidhur me masat që synojnë importet e lidhura me fentanilin, e çon totalin në nivelin e tij aktual në 145%.

Ky veprim shënon një përshkallëzim tjetër në politikën tregtare të SHBA-së ndaj Kinës dhe vjen në një kohë kur Trump ka urdhëruar pezullimin me 90 ditë të tarifave për të gjitha vendet, me përjashtim të Kinës.

Zbulohet fjala më e kërkuar në Google për 2025

Kur bëhet fjalë për botën digjitale, Google mbetet një nga burimet më të rëndësishme të informacionit për miliarda njerëz në mbarë botën.

Por cilat janë fjalët që kërkohen më shumë? Sipas të dhënave më të fundit nga Similarweb, fjala më e kërkuar në Google në vitin 2025 është “YouTube”, me një mesatare prej mbi 510 milionë kërkimesh mujore globalisht.

Ky fakt nuk vjen si një surprizë e madhe, duke marrë parasysh që YouTube është kthyer në një platformë të pandashme të jetës sonë të përditshme – nga videot edukative, argëtuese, lajmet, vlogjet, e deri tek transmetimet live. Platforma jo vetëm që përdoret për të parë video, por edhe si një motor kërkimi më vete, sidomos nga brezat më të rinj.

Pas YouTube, në vend të dytë qëndron “Facebook” me rreth 325 milionë kërkime mujore, dhe në vend të tretë është “Amazon” me mbi 237 milionë kërkime. Të treja këto fjalë përfaqësojnë jo vetëm platforma të fuqishme teknologjike, por edhe pjesë të rëndësishme të mënyrës se si njerëzit blejnë, komunikojnë dhe konsumojnë përmbajtje sot.

Kjo listë tregon qartë se teknologjia, rrjetet sociale dhe përmbajtja vizuale janë ndër prioritetet kryesore të përdoruesve të internetit në vitin 2025. Gjithashtu, tregon ndikimin e pandalshëm të platformave që jo vetëm argëtojnë, por edhe ndikojnë në mënyrën se si informohemi dhe ndërveprojmë me botën./ Zoom.al

Incidenti me sportistin shqiptar/ Reagon Presidenti i Federatës së Mundjes: Ja çfarë më tha zyrtari rus

Pas incidentit të ndodhur gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljes ndaj sportistit shqiptar Çermen Valiev i cili u shpall kampion Europe në mundje, ka reaguar presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni. 

Prizreni ka sqaruar rrethanat e incidentit ndërsa kërkoi qetësi dhe mirëkuptim. 

“Mamiashvili është një mik i Prizrenit dhe mik i Shqipërisë. Ai ishte një veprim emocional dhe nuk mendoj se duhet ekzagjeruar kaq shumë,” deklaroi Prizreni, duke iu referuar presidentit të federatës ruse të mundjes.

Prizreni theksoi se sportisti shqiptar arriti të mposhtë kundërshtarin rus, i cili nuk kishte njohur humbje që nga viti 2018 – një arritje e madhe që, sipas tij, mund të ketë ndikuar në emocionet e palës tjetër.

“Unë e mirëkuptoj gjendjen e tyre emocionale. Ne të sportit i lëmë incidentet në fushën e betejës dhe nuk i zgjasim më,” shtoi ai.

Sipas Prizrenit, Mamiashvili ka kërkuar ndjesë menjëherë pas incidentit dhe ka sqaruar se nuk ka asnjë problem me sportistin shqiptar.

E zhgënjyer nga ShBA/ Evropa i kthen sytë nga Lindja e Mesme 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot se Bashkimi Evropian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të fillojnë negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Siç theksohet në një deklaratë të Komisionit, presidentja pati një “bisedë telefonike të përzemërt” me Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjatë diskutimit të tyre, ata ranë dakord për fillimin e negociatave për një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Duhet theksuar se njoftimi vjen në një kohë kur blloku europian po kërkon gjithnjë e më shumë të diversifikojë partnerët e tij tregtarë, përballë një aleati amerikan që është bërë i paparashikueshëm.

Sipas saj, zhvillimi shënon një hap pozitiv përpara në marrëdhëniet BE-AU dhe krahas negocimit të marrëveshjeve më të gjera të partneritetit strategjik, mund të veprojë si një katalizator për lidhje më të forta midis BE-së dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Presidentja von der Leyen theksoi qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian në arritjen e marrëveshjeve tregtare me cilësi të lartë dhe ndërtimin e partneriteteve të bazuara në tregtinë e hapur dhe përfitimin reciprok.

Në këtë frymë, negociatat e ardhshme do të fokusohen në liberalizimin e tregtisë së mallrave, shërbimeve dhe investimeve, ndërsa thellojnë bashkëpunimin në fusha strategjike si energjia e rinovueshme, hidrogjeni i gjelbër dhe lëndët e para.

Von der Leyen shprehu gjithashtu besimin se të dyja palët mund të lëvizin shpejt dhe me ambicie. Komisioneri Maros Sefcovic do të kthehet së shpejti në Emiratet e Bashkuara Arabe për të përparuar me bisedimet bisedimet.

BKH në Elbasan/ Çfarë kontrolluan agjentët, emrat e pronarëve të banesave dhe bizneseve

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër rtë SPAK zbarkuan sot në Elbasan ku kryen një sërë kontrollesh në disa biznese dhe banesa të individëve të lidhur me sektorin e ndërtimit dhe administratën publike.


Një nga objektet e kontrollit ishte kompania e ndërtimit “Bajrami N”, në pronësi të biznesmenit Nazif Bajrami, e cila dyshohet se ka përfituar tendera në mënyrë të paligjshme nga bashkitë e Qarkut të Elbasanit. Gjatë këtij operacioni, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar dosje, kompjuterë dhe aparate celulare të punonjësve të kompanisë .


Gjithashtu, kontrolle janë ushtruar në banesën e Luan Tabakut, drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Elbasan ku janë sekuestruar materiale të ndryshme që mund të jenë të vlefshme për hetimet .


Operacioni përfshiu edhe kontrolle në bizneset e Marenglen Çokut, administrator i ekipit të futbollit A.F. Elbasani dhe pronar i kompanisë “ÇOKU M & E”. Këto veprime janë pjesë e një hetimi më të gjerë të SPAK për tendera publikë dhe dyshime për korrupsion në disa bashki të Qarkut të Elbasanit .