zoom

Day Archive“Të merren masa”, Ahmed Kalaja reagon për deklaratën e Laert Vasilit: Islamofobi e pastër

Hoxhë Ahmed Kalaja ka reaguar në lidhje me deklaratën e banorit të “Big Brother VIP Albania 4”, Laert Vasili, pasi ky i fundit ka thënë për fjalën “Allahu-Ekber”, përdoret nga terroristat për “prerjen e kokave”.

Me një postim në rrjete sociale, Kalaja i referohet aktorit si islamofob, ndërsa kërkon nga Komisioni Kundër Diskriminimit të ndërmarrë masa.

“Islamofobi e pastër në ditën me diell. Ky e lidh Allahu Ekber, Zoti është më i Madhi me terrorizmin!!! Shpresojmë që Komisioni Kundër Diskriminimit të ndërmarrë masa,”- shkruan Ahmed Kalaja.

Gjesti dhe Laerti janë përfshirë në debat ditën e sotme, pasi në një moment këngëtari ka përdorur fjalën “Allahu-Ekber”, por aktori i është kthyer kundër duke thënë se e përdorin terroristat për “prerjen e kokave”.

“Pse the Allahu-Ekber, e di kush thotë Allahu-Ekber, ata që presin koka, çfarë je ti, terrorist je këtu, për çfarë ke ardhur ti këtu,”- i është drejtuar aktori Gjestit./ Zoom.al

Aktorja e madhe Tinka Kurti përfundon në azil: Kam pasur shumë probleme

Tinka Kurti, një emër me një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare, sot jeton në një shtëpi për të moshuarit.

Në një videomesazh për Laert Vasilin në Big Brother VIP, Tinka Kurti rrëfeu se ndodhet në një azil në Tiranë, ku po kalon vitet e fundit të jetës së saj.

“Kam pasur shumë probleme. Kam pasur fatin tjetër që erdha në këtë shtëpi që e shihni ju, që është një mrekulli, por për mua ishte një tragjedi. Doja që të ikja sa më parë, por tani nuk them se dua të ik sepse ka njerëz të mrekullueshëm. Këtu ka njerëz të mrekullueshëm dhe ambient shumë të bukur. Më vjen shumë mirë kur iu kushtoheni shumë artistave, sepse jemi të numëruar në jetë tani. Ja na iku Margarita. Na la një dhimbje të madhe. Për mua ka qenë tronditje e madhe, sepse unë kam fituar nga ajo. Ne jemi artistë që i kemi shërbyer popullit, do i shërbejmë këtij kombi deri sa të kem i frymën e fundit”, tha ajo.

Tinka Kurti është një nga aktoret më të njohura dhe të vlerësuara shqiptare, me një karrierë që shtrihet mbi 60 vjet në teatër dhe kinematografi.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka luajtur në mbi 50 filma artistikë, duke përfshirë rolet si Nëna Pashako në “Yjet e netëve të gjata”, Nëna në “Çifti i lumtur”, Sinjorina Mançini në “Vajzat me kordele të kuqe” dhe Gjyshja në “Zemra e Nënës”.

Djali i vetëm i Tinka Kurtit, Zef Kurti, ndërroi jetë në vitin 2018 si pasojë e një arresti kardiak./ Zoom.al

Ish-kandidatja e PD shpërthen ndaj Berishës: Fatkeq i përdorur nga mafia e vërtetë

Ish-kandidatja e PD në procesin e primareve, Alesia Balliu shpërtheu në akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha, që këtë të diel prezantoi ekipin e kandidatëve në Elbasan.

Lideri i opozitës lëshoi akuza dhe kërcënime ndaj grupeve që ai i konsideron si “banda”, përfshirë grupin e Suel Çelës.

Akuzat u shoqëruan me kritika të brendshme ndaj mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve në listat e Partisë Demokratike.

Alesia Balliu, që pas hartimit të listave, vendosi të kandidojë për deputete në krah të Adriatik Lapajt për shkak të zhgënjimit, ngriti shqetësimi se opozita po përsërit gabimet e së kaluarës duke bërë pazare të dyshimta politike, ndërkohë që demokratët e vërtetë shprehin pakënaqësi për drejtimin e partisë në 12 vitet e fundit dhe ndikimin e interesave personale në vendimmarrje.

Reagimi i Alesia Balliut

Ironikisht, ajo që po ndodh në Elbasan është tragji-komedi.
Sot lideri i opozitës kërcënoi nga foltorja e prezantimit të kandidatëve për deputetë në Elbasan ato që ai i quan banda, grupin e Suel Çelës!
Ky fatkeq i përdorur nga mafia e vërtetë që është sot partia në pushtet e që ish kreu i opozitës aktuale i ka bërë qokat, nuk ka asnjë përfaqësues të fisit të vet kandidat.

Ndërkohë, fisi Çapja, kundërshtarët e tyre, kanë një kandidate në listat e sigurta te PD .Nuk luftohet krimi duke bërë pazare me një palë dhe duke sulmuar palën tjetër, që dikur i përdore vetë, për të mbledhur firmat e foltores në 2021.

Demokratët e vërtetë i dinë të gjitha e nuk të falin më 12 vjeçarin e kalvarit të mundimshëm, që i shërbeu pazareve e interesave okultë të individëve të veçantë në PD./ Zoom.al

Temperatura deri në minus 4 gradë/ Si do të jetë moti nesër

I gjithë vendi do të dominohet nga kthjellimet nesër, por temperaturat do të zbresin ndjeshëm.

Në zonat veriore, moti pritet të jetë kryesisht me diell, me temperatura që variojnë nga -4°C në mëngjes (Peshkopi dhe Bajram Curr) deri në 12°C gjatë ditës.​

Në zonat e ulëta, moti do të jetë i kthjellët. Temperaturat do të luhaten nga 2 gradë në orët e para të mëngjesit deri në 14°C në mesditë.​

Edhe jugu e juglindja do do të kenë mot të ngjashëm, me diell dhe temperatura që variojnë nga -1°C në mëngjes deri në 13°C gjatë ditës.

Era do të fryjë lehtë nga verilindja me shpejtësi mesatare prej 2 deri në 4 metra për sekondë./ Zoom.al

Kosovë/ Aksidentohet aktori i njohur

Një aksident i rëndë rrugor u shënua këtë të diel në aksin Prishtinë-Gjilan, ku një mjet doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.

Mediat në Kosovë shkruajnë se në makinë udhëtonte aktori i njohur i humorit, Osman Azemi.

Sipas mediave, dëmet materiale janë të shumta, por gjendja shëndetësore e Osman Azemit është e qëndrueshme.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur më shumë detaje për aksidentin./ Zoom.al

Shtetet nisin “pazaret” me Trump për tarifat/ BE: Gati për negociata

Pasi Donald Trump “shkundi” botën duke tarifuar shumë vende për eksportet e tyre drejt SHBA-së, Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA-së, Kevin Hassett, bëri të ditur se mbi 50 vende kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të nisur negociata tregtare.

Ai mohoi që tarifat e vendosura nga Presidenti Trump të jenë një mënyrë për të ndikuar Rezervën Federale për uljen e normave të interesit.

Ndërkohë, Presidenti Trump deklaroi se ekonomia amerikane po përjeton një “revolucion ekonomik”, me mbi pesë trilionë dollarë investime dhe rritje të punësimit. Ai theksoi se tarifat po rikthejnë vendet e punës dhe bizneset në SHBA, duke shtuar se “Amerika do të bëhet e madhe sërish”.

Mes atyre që janë gati për negociata për tatifat është edhe Bashkimi Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shprehu shqetësim për tarifat amerikane, duke i cilësuar si të dëmshme për ekonominë globale, veçanërisht për vendet më të varfra.

Ajo konfirmoi gatishmërinë e BE-së për negociata, por gjithashtu theksoi se Unioni është i përgatitur të mbrojë interesat e veta nëse është e nevojshme./ Zoom.al

Kurti akuza Serbisë: Po kërcënon dhe josh deputetët në Kosovë, ka plane destabilizuese

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka akuzuar Serbinë se po tenton që të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë të Kosovës të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Qeveria e Kosovës njoftoi se Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje më 6 prill me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për gjendjen e sigurisë, por edhe për, siç u tha, planet destabilizuese të Serbisë.

Në njoftim u përsëritën akuzat e mëhershme të bëra nga Qeveria e Kosovës se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përmes Listës Serbe – akuza që janë bërë edhe nga Gjermania dhe misioni i Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve.

“Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit, pa përmendur se për cilët deputetë bëhet fjalë dhe nga cilat komunitete janë.

Këshilli i Sigurisë tha se kjo paraqet ndërhyrje ndaj “sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”.

Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, më herët gjatë javës ka zhvilluar takime me partitë e komuniteteve joshumicë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

Më 2 prill, Kurti u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi dhe me udhëheqësin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Që të dy shprehën gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.

Një ditë më vonë, Kurti vazhdoi takimet me përfaqësuesit e partive të tjera joserbe. Ai u takua me kryetaren e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, si dhe kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli.

Po atë ditë, Kurti zhvilloi takim edhe me deputetin e zgjedhur të komunitetit goran, Kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, si dhe deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit boshnjak, Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat.

Hoxha ka qenë në të kaluarën pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas takimeve, Balje, Berisha dhe Kinolli thanë se i kanë paraqitur kërkesat e tyre Kurtit për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në. Damka shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërkaq Hoxha nuk dihet se çfarë qëndrimi ka sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm me partinë e Kurtit.

LVV-ja – që ka 48 mandate në Kuvend, të pamjaftueshme që ta formojë e vetme ekzekutivin – ka thënë se dëshiron ta krijojë një qeveri me partitë e komuniteteve pakicë joserbe.

Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse në Kuvend, dhjetë janë të rezervuara për partitë joserbe dhe dhjetë për komunitetin serb.

Përveç çështjes së formimit të institucioneve, sipas njoftimit, Këshilli i Sigurisë ka diskutuar edhe për sulmin me granata dore ndaj Zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill, por edhe për arrestimin të shtunën mbrëma “të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë”.

Sipas Këshillit, njëri nga ta ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.

Policia, ndërkaq, në raportin 24-orësh ka thënë se në Gjakovë ka arrestuar më 5 prill katër të dyshuar, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë./ REL

DETAJE nga vrasja e Ilarias/ Zbardhen mesazhet që ish-i dashuri u dërgoi miqve për të fshehur vrasjen

Zbardhen detaje të reja për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson.

Mediat italiane raportojnë se para se ta vriste, ai kishte tentuar të hynte në shtëpinë e saj dhe të merrte kompjuterin e Ilarias. Më vonë atë mbrëmje, Ilaria shkoi në banesën e tij në rrugën Homs, ku dyshohet se ndodhi vrasja.

Mark Samson fillimisht përmendi xhelozinë si motiv, megjithatë djali me të cilin ai dyshonte se Ilaria kishte lidhje, ka deklaruar se nuk e kishte takuar kurrë personalisht, por kishin shkëmbyer vetëm disa mesazhe.

Pas vrasjes, Samson mbajti telefonin e Ilarias për një javë dhe dërgoi mesazhe të rreme te miqtë e saj, duke pretenduar se ajo ndodhej në Napoli.

“Jam në Napoli, po argëtohem por kam humbur trenin”, shkruante Mark Samson në emër të Ilarias, duke iu referuar pamundësisë së kthimit në Terni siç u kishte premtuar prindërve.

Autoritetet italiane po hetojnë gjithashtu rolin e nënës së autorit, e cila kishte shprehur hapur se nuk e donte Ilariën në shtëpi, pasi i shpërqendronte të birin. Ajo do të merret në pyetje ditën e nesërme.

Në qendër të hetimeve janë tani detajet rreth motiveve dhe bashkëpunimit të mundshëm të familjes së autorit./ Zoom.al

Efektivët “mësynë” në zyrën e Fatmir Xhafajt dhe i sekuestruan laptopin? Reagon ish-ministri

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është vendosur në qendër të vëmendjes ditët e fundit, i përfolur si personi që fshihet pas hakerimit që iu bë SPAK.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha pak ditë më parë se hakerimi i SPAK erdhi si pasojë e luftës së brendshme në PS dhe se i radhës për t’u bërë “kokë turku” sipas tij është Fatmir Xhafaj.

Lidhur me këto aludime dhe me zërat që qarkullojnë se në zyrën e Fatmir Xhafajt është ushtruar kontroll dhe janë sekuestruar dokumente e laptopi për të provuar lidhjen e tij me sulmin kibernetik, ish-ministri bëri një reagim të gjatë në rrjetet sociale duke mohuar çdo gjë.

Fatmir Xhafaj quajti çdo gjë gënjeshtër dhe shtoi se do të vijojë i palëkundur betejën për 11 majin.

Reagimi i Fatmir Xhafajt:

Kam ndjekur kohët e fundit një seri raportimesh në media, plot me të pavërteta, insinuata dhe aludime nga gojë të shthurura e gjuhë të zgjidhura politikanësh apo pseudo-analistësh, që kanë për qëllim veç të përbaltin figurën time. Ashiqare ngjan me një fushatë të orkestruar sulmesh, njësoj siç kanë bërë edhe më parë.

Duke çmuar shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e medias të bëjë punën e vet, për të informuar publikun e për të garantuar transparencën dhe duke pasur e dëshmuar përherë respekt maksimal për njerëzit e medias, sulme të tilla nga disa intrigantë nuk më detyrojnë dot të hesht e as të ndërpres punën në shërbim të qytetarëve, në mbrojtje të ligjit dhe interesit publik. Aq më pak më zmbrapsin dot nga sfida e 11 majit për një kontratë të re besimi me qytetarët e Tiranës, që të vijoj të jem përfaqësuesi i tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe për të çuar përpara angazhimet e mia publike përball zgjedhësve të mi.

Sulme të tilla janë veçse pasqyra e dobësisë se atyre që i gatuajnë, kuzhinierët pa din e iman të çorbës së vjetër e të prishur që i serviret publikut nëpër kanale e portale. Mediat që shpërndajnë këto trillime janë shembull i pasqyrave të thyera që nxijnë e deformojnë realitetin për interesa okulte.

ASGJË NUK ËSHTË E VËRTETË nga ato çfarë është thënë kohët e fundit për personin tim, për gjoja kontroll të zyrës, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat monstruoze për lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Gjithçka nga këto është një thes gënjeshtrash, sajesa të ulëta të gatuara për motive qëllimkëqia, nga njerëz të paskrupullt moralisht! Unë i hedh poshtë me përbuzje dhe neveri. Jam i sigurtë se në momentin e përshtatshëm do të përballen me forcën e të vërtetës dhe ligjit si ata që i kanë nxitur edhe ata që kanë marrë përsipër të përdoren në këtë fushatë të pisët shpifjeje e intrigash publike.

Përballë tyre qëndroj i vendosur e me guxim sepse luftoj për atë që është e drejtë dhe e vërtetë. Zgjedhësit e mi, socialistët me zemër më njohin mirë prandaj më kanë zgjedhur dhe do të më votëbesojnë sërish në 11 maj, pikërisht edhe për arsyen kuptimplotë, se unë nuk jam nga ai soj politikanësh e zyrtarësh që e kanë ndërtuar karrierën duke shkelmuar çdo standard njerëzor dhe etik, duke keqpërdorur mediat si mish për top për të goditur nën brez kundërshtarët politik ose edhe konkurentët apo duke keqpërdorur funksionet në politikë, drejtësi e gjetkë nëpër institucionet shtetërore. KURRË në këtë karrierë të gjatë politike, në asnjë rast nuk kam fyer e cënuar kërkënd në integritetin e tij personal e familjar, qofshin këta edhe kundërshtar të mi politik.

Nuk është hera e parë për mua që përballem me këto sulme. Edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër kushdo që përpiqet të më njollosë nuk ka për t’ja dalë sepse e vërteta është më e fuqishme se çdo forcë e padrejtë që mund të përpiqen të përdorin. Çdo shpifje, çdo gënjeshtër, çdo dezinformatë apo çdo kallëzim i rremë është një mjet i dobët që dëshmon batakun ku kanë rënë një takëm njerëzish, individë të frustuar mendërisht, politikisht e moralisht, që veç të vërtetës dhe interesit publik nuk iu shërbejnë.

Unë jam shumë krenar për kontributin tim në politikë, në Partinë Socialiste, në qeveri e legjislativ dhe veçanërisht në procese të rëndësishme jetike për vendin siç ishte Reforma në Drejtësi apo kjo që kemi ndërmarrë së fundi me Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Do të vazhdoj të bëj punën time me përunjësi e përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe Partisë Socialiste për të garantuar fitoren në zgjedhjet e 11 majit dhe për të bërë njëherë e mirë të pakthyeshëm rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian./ Zoom.al

EMRI/ Polici dhunon dy persona, arrestohet dhe i merret arma “Glok”

Një efektiv policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore këtë të diel.

Ergys Zela, që shërbente në Komisariatin e Policisë Rinas, sipas AMP-së, është përfshirë në një konflikt fizik dhe ka dhunuar dy persona.

Pas arrestimit, Ergys Zelës iu sekuestrua arma e shërbimit, “Glok 17”, me 12 fishekë.

“Arrestimi i tij u krye pasi me datë 04.04.2025 rreth orës 22:00 pranë një parkimi në Fushë Krujë, është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasit A. H. dhe O. H., duke kanosur jetën e tyre.

Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një gëzhojë  me kapsolle të goditura dhe një objekt metalik i deformuar i ngjashëm me atë të predhës. Gjithashtu nga veprimet e para hetimore, AMP ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë të llojit Glok 17 me 12 fishekë”, njoftoi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore./ Zoom.al