zoom

Day ArchiveDPI, mbikëqyrje dhe mashtrim Publik? Eksperti ngre alarmin: “Koha që të ndërhyjë SPAK”

Futja e pajisjes teknologjike të mbikëqyrjes së trafikut të internetit (DPI) dhe vënia e saj në përdorim nga institucionet shtetërore ka ngritur pikëpyetje të mëdha. 

Vendimi i dyshimtë nga ana e qeverisë po shihet si kërcënim real ndaj privatësisë dhe lirisë së qytetarëve.

Inxhinieri elektronik Besnik Semanaj ka reaguar duke ngritur pyetje serioze për transparencën, privatësinë dhe qëllimet reale që qëndrojnë pas këtij projekti.

Semanaj shprehet se përmes DPI-së, qeveria dhe ofruesit e shërbimeve mund të mbikëqyrin dhe kontrollojnë llojin e trafikut, të ngadalësojnë shërbime specifike, të ndërtojnë profile përdoruesish dhe madje të fusin veten në komunikimin e enkriptuar, një praktikë që në shumë vende konsiderohet abuzive dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Eksperti i ka bërë thirrje edhe SPAK-ut të ndërhyjë, pasi sipas tij situata është alarmante.

Postimi i plotë:

Ju lutem mos më besoni mua — hapni ChatGPT ose kërkoni në Google dhe lexoni vetë.
Siç u tha nga ASKS, “100% e trafikut të internetit është i enkriptuar.” Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë do të hynim në Librin e Rekordeve Guinness dhe do të ishim të vetmit në botë që e kemi arritur. Kur një deklaratë e tillë vjen nga një ekspert, të vjen natyrshëm të vësh duart në kokë.

Pastaj del një tjetër dhe thotë që “e bllokojmë TikTok-un në nivel pakete” — ndërkohë që po flitet për trafik të enkriptuar. U tha gjithashtu se DPI rrit sigurinë dhe mbron nga sulmet, gjë që në parim është e vërtetë. Por kam një pyetje të thjeshtë: Nëse DPI është kaq i dobishëm dhe pa rrezik, pse do ta hiqni pas një viti?Më poshtë po ju tregoj se çfarë bën DPI ndaj trafikut të enkriptuar. Këtë nuk e them unë, por e thotë vetë ChatGPT dhe çdo dokument serioz online.

Inspektimi i Thellë i Paketave (DPI) – Çfarë është dhe Çfarë Bën në Trafikun e Enkriptuar
Çfarë mund të bëjë DPI: • Analizon trafikun: Zbulon se cilat aplikacione apo shërbime po përdor një përdorues. • Filtron: Mund të bllokojë, ngadalësojë ose përparësojë lloje të caktuara trafiku (si video, torrent, etj.). • Mbikëqyr: Regjistron aktivitetin e përdoruesve për qëllime komerciale apo shtetërore. • Modifikon të dhënat: Mund të fusë reklama apo të ridrejtojë faqet. • Zbaton politika: Si p.sh. bllokimi i faqeve dhe censurimi.

Çfarë Ndodh me Trafikun e Enkriptuar? 1. DPI nuk mund të deshifrojë përmbajtjen, por nuk është plotësisht i verbër: • Mund të shohë adresat IP, emrat e faqeve (përmes SNI ose DNS), madhësinë e paketave dhe ritmin e trafikut. • Mund të përdorë metoda si “fingerprinting” për të identifikuar se cilin shërbim po përdor (p.sh. YouTube, Netflix).
2. Cenimi i privatësisë: • Edhe pa e parë përmbajtjen, DPI mund të gjurmojë sjelljen tënde online dhe të ndërtojë profile përdoruesi. • Në disa vende, përdoret për mbikëqyrje masive nga shteti.

3. Ngadalësimi i trafikut të enkriptuar: • Edhe pse trafiku është i koduar, DPI mund të kuptojë që po përdor një video ose telefonatë dhe ta ngadalësojë qëllimisht. 4. Sulme të tipit “Man-in-the-Middle” (MitM): • Në raste ekstreme DPI mund të përdorë interceptim të trafikut SSL/TLS: • ISP futet në mes, krijon një certifikatë të rreme dhe “sheh” gjithçka. • Kjo funksionon vetëm nëse përdoruesi ka instaluar një certifikatë • Kjo shkatërron sigurinë e enkriptimit dhe është shumë e rrezikshme për privatësinë.

Kjo nuk është më një çështje që u përket vetëm ekspertëve dhe mediave — tani është momenti që të ndërhyjë SPAK. Prania e pajisjeve u pranua zyrtarisht, ndërsa gjithçka tjetër vazhdon të mbetet në errësirë./ Zoom.al

Tjetër aksident me vdekje/ Shoferi përplas gruan në rrugë dhe arratiset

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 17:40 në aksin rrugor Maliq-Korçë, në fshatin Bulgarec.

Një automjet ka përplasur këmbësoren 65-vjeçare S.Q., e cila, pavarësisht përpjekjeve për ndihmë mjekësore, ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.   

Drejtuesi i mjetit, identifikuar si 27-vjeçari G.M., është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit dhe aktualisht është shpallur në kërkim nga autoritetet.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe po punon për kapjen e drejtuesit të mjetit.

Rëndohet bilanci në Mianmar/ Raportohet për më shumë se 3300 viktima

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Mianmar është rritur në mbi 3.300, raportoi media shtetërore më 5 prill, teksa shefi për ndihmë në Kombet e Bashkuara i ka bërë thirrje botës që të ndihmojë Mianmarin.

Tërmeti i 28 marsit rrafshoi ndërtesa dhe shkatërroi infrastrukturë në mbarë shtetin dhe shkaktoi 3.354 viktima dhe 4.508 persona të lënduar. Po ashtu, sipas shifrave të publikuara nga media shtetërore, edhe 220 persona konsiderohen të zhdukur.

Më shumë se një javë nga fatkeqësia, shumë persona në Mianmar janë ende të pastrehë dhe shumë nga ta janë të detyruar që të flenë në rrugë për shkak se shtëpitë e tyre ose janë shkatërruar plotësisht ose ka rrezik që të shemben.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 3 milionë persona mund të jenë prekur nga tërmeti 7.7 ballësh.

Zyrtari kryesor në OKB për ndihmë, Tom Fletcher, të shtunën u takua me të prekurit nga tërmeti në qytetin Mandalaj të Mianmarit dhe ai pa nga afër dëmet e shkaktuara në këtë qytet.

“Shkatërrimi është i madh”, shkroi ai në X.

“Bota duhet të ndihmojë popullin e Mianamarit”, shtoi ai.

Që nga puçi ushtarak i vitit 2021, Mianmari udhëhiqet nga junta, duke nxitur një konflikt civil. Junta raportohet se ka kryer dhjetëra sulme që nga tërmeti, përfshirë edhe 16 sulme që kur u shpall një armëpushim i përkohshëm të mërkurën, tha OKB-ja një ditë më parë.

Vite të luftës kanë bërë që ekonomia e Mianmarit dhe infrastruktura të shkatërrohet, duke paraqitur pengesë të madhe për përpjekjet ndërkombëtare për të ofruar ndihmë për këtë shtet pas tërmetit të fuqishëm. 

Kina, Rusia dhe India ishin ndër shtetet e para që ofruar mbështetje, duke dërguar ekipe në Mianmar për të ndihmuar në gjetjen e të mbijetuarve.

Shtetet e Bashkuara thanë të premten se po e rrisin ndihmën për Mianmarin, duke bërë që ndihma të arrijë në vlerë prej 9 milionë dollarësh. Rel/

Reshje shiu në të gjithë vendin, parashikimi i motit për nesër

Dita e Diel parashikohet me mot të paqëndrueshëm.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut, nga orët e mesditës era kthehet nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 10m/s , përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë veriperëndimor nga orët e mesditës e pasdite dhe zonave luginore era pritet të fitojë shpejtësi deri në 18-20m/s

Deti – Valëzimi i forces 3-4 ballë.

Aksident i rëndë në Durrës/ 16-vjeçari pa patentë përplas për vdekje peshkatarin, makina përfundon në kanal

Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Durrës ku një 16-vjeçar, duke drejtuar një automjet tip Volkswagen pa leje drejtimi, ka përplasur për vdekje një burrë. 

Viktima është identifikuar si Qerim Bajrami, rreth 55 vjeç, i cili po peshkonte në momentin e aksidentit. Si pasojë e goditjes, Bajrami ka ndërruar jetë në vendngjarje. 

Automjeti, pas përplasjes, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujë. Drejtuesi i mjetit, 16-vjeçari me inicialet K. B., nuk ka pësuar lëndime dhe është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme.  

Sipas informacioneve paraprake, adoleshenti e kishte marrë makinën me qira nga një kushëri i tij dhe po e drejtonte atë pa patentë.  

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Grupi hetimor ka kontrolluar edhe zonën përreth për të përjashtuar mundësinë e pranisë së personave të tjerë të dëmtuar.   

Një ministre e Arsimit që nuk di të shkruajë shqip

Deputetja dhe shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka reaguar me tone të ashpra ndaj ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, pas një postimi të kësaj të fundit ku gabimet drejtshkrimore ishin të shumta dhe të theksuara.

Açka e ka cilësuar këtë si një turp kombëtar dhe si dëshmi të shkatërrimit të standardeve në arsim.

“Është e papranueshme që një ministre e Arsimit të shkruajë në mënyrë analfabete. Si mund të kërkojmë cilësi në shkolla kur shembulli nga lart është një fyerje për gjuhën shqipe?” – shkruan Açka në një reagim të publikuar në rrjete sociale.

Ajo vijon më tej: “Gjuha shqipe nuk është pronë private për ta masakruar sipas qejfit. Ministre që nuk di të shkruajë është turp institucional. Ky është niveli që po i ofrojmë fëmijëve tanë?”

Reagimi i Açkës ka ndezur debat në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë janë bashkuar në indinjatën e saj, duke e konsideruar gjuhën e përdorur nga Manastirliu si pasqyrim të rënies së përgjithshme të standardeve në qeverisje dhe arsim.

Nga ana e saj, Manastirliu nuk ka dhënë ende një reagim apo shpjegim për gabimet e bëra.

Qeveria konfirmon lajmin për blerjen e paisjeve të dyshimta: 7 DPI janë instaluar në kompanitë celulare

Qeveria ka konfirmuar blerjen dhe vënien në funksion të paisjeve të DPI-së, me qëllim bllokimin e TikTok-ut nga përdoruesit në vendin tonë.

Plot 7 të tilla janë u janë instaluar kompanive celulare dhe atyre që ofrojnë shërbim internet në të gjithë Shqipërinë.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa pas shqetësimeve të ngritura në ditët e fundit.

Në një intervistë për Top Chanel, Tafa është shprehur se këto pajisje do të jenë në përdorim për një vit, pra për aq kohë sa qeveria ka vendosur ndalimin e TikTok-ut.

Tafa dhe përfaqësues të tjerë nga siguria kibernetike shprehen të bindur se DPI-të nuk përgjojnë apo shpërdorojnë të dhënat.

“Këtu më lejoni te sqaroj dhe të qetësoj të gjithë qytetarët se në radhë të parë 100% e trafikut të internetit është i inkreptuar. Kështu që protokollet e inkreptuara e bëjnë të pamundur shikimin e informacionit sensitiv që është kush komunikon me kë dhe çfarë kanë mesazhet e me radhë”– ka thënë Tafa.

POR, sipas ekspertëve, paisjet DPI të cilat dyshohet se vijnë nga Izraeli, mund t’i thyejnë enkriptimet.

Gjatë kohëve të fundit janë ngritur dyshime dhe pikëpyetje të mëdha nga qytetarët mbi të dhënat dhe komunikimet përmes paisjeve teknologjike, për përgjimin, vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre.

Por çfarë është Deep Packet Inspection? DPI është një teknologji që analizon përmbajtjen e paketave të të dhënave që kalojnë nëpër një rrjetin e internetit. Ndryshe nga teknikat e zakonshme të filtrimit të paketave, të cilat shikojnë vetëm adresën e burimit nga vjen informacioni dhe të destinacionit të tij, DPI futet thellë brenda paketave dhe arrin të analizojëpërmbajtjen e tyre.

Kjo lloj teknologjie e avancuar përdoret për filtrimin e trafikut të rrezikshëm, si viruset, për t’u dhënë prioritet aplikacioneve të ndryshme dhe më shqetësuesja është fakti që DPI përdoret edhe për censurë dhe survejim, pasi arrin tëmonitorjë dhe filtrojë komunikimet në internet. / Zoom.al

“Ëndrra me çmim fushate”/ Dojna Mema: Rama të nxjerr jashtë Shqipërisë

Moderatorja Dojna Mema e ka nisur emisionin e së premtes me një monolog mbi premtimet absurde dhe të pambajtura të kryeministrit Edi Rama në prag të zgjedhjeve përmes së cilave ai synon të marrë një mandat të katërt.

Mema kujton premtimin e Ramës në fushatën e 2013 për të mundësuar një nga klushtet më minimale që secili qytetar duhet të ketë; ujë 24 orë. Gjë që nuk e bëri.

I njëjti premtim u përsërit edhe gjatë vitit 2017, në mandatin e tij të dytë. Po ashtu edhe në fushatën për zgjedhjet e vitit 2021.

“Tani në 2025-n, premton pasaportë Europiane. Dmth, premton prapë ujë… por në Stokholm. Ai të jep pasaportën, ik lahu atje!”-thotë Dojna Mema duke ironizuar premtimin  tjetër të kryeministrit për pasaportë europiane brenda vitit 2030.

“Puna është se Kryeministri ynë po premton një gjë që nuk e ka. Ai s’mund të japë pasaporta BE-je, sepse asnjë lider në Ballkan nuk ka atë superfuqi. Vetë europianët e kanë thënë qartë: ky objektiv s’arrihet brenda një mandati, dhe s’është i lidhur me një parti. Atëherë, pse po na shet përsëri ëndrra me çmim fushate?

Le të themi për një sekondë që mrekullia ndodh. Shqipëria merr pasaportën BE. E dini çfarë ndodh më pas? Ne prapë do jemi duke pastruar aeroportet e Europës. Vetëm se këtë herë, me pasaportë europiane në xhep. Sepse europian nuk të bën pasaporta.

700 mijë shqiptarë kanë ikur për ta marrë atë pasaportë vetë, me djersë dhe shpesh me lot. Janë larguar sepse këtu s’panë as shpresë, as normalitet, as dinjitet. Dhe tani, njeriu që nuk mundi t’i ndalonte, pretendon se mund t’ua japë me ofertë, për fushatë.

Dhe kjo s’është më politikë. Është marketing. Premton si ata influencer-at që të shesin “jeta e bukur në Dubai” ndërkohë që s’kanë para për biletën.

Pasaporta Europiane është cinizmi më i madh që është dëgjuar në fushatë që prej 90-s: në vend që të na sjellë Europën këtu, ai po na premton biletën për të ikur.

Premtimi nuk është më: “Rama të fut në BE”, është: “Rama të nxjerr jashtë Shqipërisë…”. S’na integroi dot, ndaj na eksporton. Llogaria që bën Kryeministri është e thjeshtë: ai beson se shqiptarët s’kanë nevojë për ujë, shëndetësi, siguri jete apo institucione. Ai kujton se e vetmja gjë që ne duam është një pashaportë që të ikim e të harrojmë çfarë kemi lënë pas.

Kështu që, kur ta dëgjoni premtimin e radhës: “Pasaporta europiane për shqiptarët”… kujtoni premtimin e parë: “Ujë 24 orë.”

Tani thjesht e ka zhvendosur rubinetin… në Bruksel.”- tha moderatorja gjatë monologut.

Lidhje të forta me bandat/ Gjykata lë në burg ish-efektivin e RENEA-s

Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën arrest me burg për ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të “Revanshi”.

Morina u arrestua të premten dhe me vete kishte edhe një pistoletë pa leje.

Ish-polici kërkohej, pasi ishte akuzuar për kultivim të bimëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në komunikimet në “SkyECC” rezulton se Morina ka bashkëpunuar me të fortin e Niklës, Durim Bami.

Referuar dosjes voluminoze të Prokurorisë së Posaçme Revanshi, ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u urdhëruan 50 masa sigurie, del se Altin Morina kishte lidhje të forta me bandat famëkeqe.

Konkretisht, në dosje thuhet se ish-efektivi i forcave speciale, bashkëpunonte me Durim Bamin për kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.

Sipas SPAK, Morina duke shfrytëzuar pozicionin e tij si efektiv i policisë kishte favorizuar Durim Bamin për kultivimin e drogës ku ai merrte një shumë parash nga krimi. Jo vetëm kaq, por ka dyshime se Altin Morina furnizionte me informacione sekretet bandat.

E trishtë/ Ndahet nga jeta në moshë të re bashkëshorti i gazetares Dorjana Bezat

Gazetarja e njohur e kronikës, Dorjana Bezat ka njoftuar se bashkëshorti i saj, Anis Fama, është ndarë parakohe nga jeta, për shkak të një sëmundje të rëndë.

“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme nga jeta të të shtrenjtit tonë, Anis Fama”,shkruan gazetarja, duke shtuar se pavarësisht forcës dhe besimit që kishte, Anisi nuk ia ka dalë të fitojë betejën me sëmundjen e pashërueshme

Ata janë prindër të një djali, teksa Bezat shkruan në postimin e saj se do ta kenë përjetësisht në zemër dhe se ai do të jetojë në kujtimet e tyre si një baba që fali dashuri të pakufijshme.

“Unë dhe Adeo do ta kemi përjetësisht në zemër, dhe ai do të jetojë në kujtimet tona si bashkëudhëtari im i 15 viteve dhe si një baba që fali dashuri të pakufijshme”, vijon Dorjana Bezat.

Anis Fama do të prehet në qytetin e tij të lindjes, në Korçë, siç e kishte lënë amanet. Lamtumira e fundit do t’i jepet ditën e nesërme, në orën 11:00./ Zoom.al