zoom

Day ArchiveU largua nga Shqipëria në moshë të vogël/ Këngëtari i njohur: Ndihem grek!

Këngëtari Christos Santikai, ka folur në një intervistë mbi fëmijërinë e tij dhe periudhën kur u shpërngul nga Shqipëria në Greqi.

Ai ka rrëfyer për mediat greke se nuk ka ndjerë kurrë veten si i zhvendosur, pasi është rritur në Greqi dhe e ndien veten si grek.

Sipas tij, kujtimet për Shqipërinë janë të pakta, dhe ato lidhen kryesisht me periudhën e luftës dhe shtënat me armë që ndodhën në qytetin e tij.

Santikai ka shtuar se u largua nga Shqipëria në vitin 1997, në moshën e fëmijës së tij, dhe e ka konsideruar Greqinë si shtëpinë e tij, duke theksuar se nuk ka pasur një tjetër mundësi për të qëndruar në Shqipëri. Ai gjithashtu ka nënvizuar se, edhe pse ka lindur në Shqipëri, është rritur dhe formuar në Greqi, duke e konsideruar veten plotësisht pjesë të kulturës greke.

“Kam lindur në vitin 1994 në Shqipëri dhe kam ardhur në Greqi në vitin 1997. Kam ardhur këtu në moshën e djalit tim, vogëlush. Nuk mendoj se jam larguar nga shtëpia sepse nuk e ndjej.

Më duket sikur jam grek dhe jam rritur këtu. Të vetmet kujtime që kam janë të shtënat me armë zjarri, sepse ato kanë filluar edhe në qytetin tim”, ka thënë ai.

Sara dhe Bardhi kurorëzohen në xhami: Faleminderit që iu përshtate zakoneve të fesë Islame

Ish-banorët e Big Brother VIP Albania, Sara Gjordeni dhe Bardhi, kanë qenë në qendër të vëmendjes që nga dalja e tyre nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.

Lidhja e tyre ka vazhduar edhe jashtë spektaklit, duke u kurorëzuar me lindjen e vajzës së tyre, Nea.

Sot, Bardhi ndau me ndjekësit e tij një lajm të veçantë: ai dhe Sara janë martuar sipas riteve islame në një ceremoni të mbajtur në xhami.

Në një postim emocional, ai zbuloi se kishte pritur me padurim që kurorëzimi të ndodhte pikërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe në një ditë të premte.

“Me ndihmën e Zotit, më në fund mu realizua dëshira. Faleminderit @saragjordeni që pate durim një vit për këtë ditë të shenjtë për ne të dy dhe që iu përshtate zakoneve të fesë Islame. Vetëm dua të të them që shumë po të ka hije”, shkroi Bardhi.

Nga ana tjetër, edhe Sara reagoi duke sqaruar se nuk është konvertuar në fenë islame, por ka respektuar traditat fetare të partnerit të saj në këtë ditë të veçantë.

Çfarë duhet të bëjmë që të përshpejtojmë procesin e rënies nga pesha?

Dietologia Victoria Taylor ka shpjeguar arsyet pse shumë njerëz përjetojnë një periudhë ngadalësimi në humbjen e peshës pas fazës fillestare të humbjes së shpejtë.

Sipas saj, në fillim të dietës, trupi përdor energjinë e grumbulluar si karburant, duke shkaktuar gjithashtu humbjen e ujit, çka çon në një rënie të shpejtë të peshës.

Megjithatë, pas kësaj faze, humbja e peshës bëhet më graduale, me një ritëm të zakonshëm të humbjes prej gjysmë kilogrami deri në një kilogram në javë.

Dietologia thekson se kjo mund të duket zhgënjyese për ata që kanë parë humbje të shpejtë të peshës në ditët e para, por ajo shpjegon se një humbje të tillë të peshës mund të çojë në një përfitim të madh në një vit, duke humbur deri në 26 kilogramë.

Taylor gjithashtu thekson se humbja e peshës nuk është gjithmonë një proces linear, pasi trupi ndryshon dhe kërkon më pak kalori për të mbajtur një masë trupore më të ulët.

Për të vazhduar humbjen e peshës, ajo sugjeron ndryshime të mëtejshme në dietë dhe aktivitet fizik. Kjo mund të përfshijë ngrënien e ushqimeve më të ngopura, të pasura me fibra dhe proteina, dhe reduktimin e sasisë së ushqimit, si dhe rritjen e aktivitetit fizik.

Gjithashtu, ajo rekomandon mbajtjen e një ditari ushqimi dhe aktiviteti për të monitoruar progresin dhe për të identifikuar ndryshime të vogla që mund të sjellin rezultate të qëndrueshme.

Kosovë/ Presidentja kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur të premten se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.

Reagimi i Presidencës ka ardhur pas paralajmërimeve të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Mes tjerash, në komunikatë është përmendur që ndonëse ndryshimet e propozuara po bëhen me qëllim të rritjes së sigurisë dhe furnizimit me energji në vitin 2025, rritja e çmimit të energjisë elektrike “po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg”.

“Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare”, është thënë në komunikatën e Presidencës, e cila është publikuar në ditën e fundit kur ZRRE ka thënë se pranon komentet dhe sugjerimit rreth propozimit për shtrenjtim.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë. REL/

Mrekulli mes katastrofës së tërmetit në Tajlandë, foshnja vjen në jetë në rrugë (VIDEO)

Duket se mes qindra humbje jetësh në Azinë Jugore pas dy tërmetëve shkatërrues me magnitudë 7.7 dhe 6.4, ka lindur shpresa. Një fëmijë ka ardhur në jetë në një rrugë në Bangkok menjëherë pas evakuimit nga spitali.

Pacientja ishte e shtrirë në një barrelë në rrugë ndërsa stafi mjekësor e rrethoi atë ndihmoi në lindjen e foshnjës.

Footage during the earthquake in #Bangkok a baby was born in the park 😭 Waht a story to tell ‘’ I was born during the earthquake ‘’ #แผ่นดินไหว #earthquake #myanmarearthquake #bangkokearthquake #ตึกถล่ม pic.twitter.com/7E0FdzfPEf

— Miia 🩵 (@i30199) March 28, 2025

Pacientët nga Spitali Memorial King Chulalongkorn dhe Spitali BNH u mblodhën në një park, disa prej tyre ishin në barela dhe karrige me rrota.

Deri më tani numërohen 152 viktima si në Tajlandë ashtu edhe në Birmani, ku ishte epiqendra e dy lëkundjeve të fuqishme 6.4 dhe 7.7 të shkallës Rihter. 8 viktima numërohen në kantierin e Bangkokut, ku dhjetëra punëtorë rezultojnë të zhdukur.

Dëmet e shumta në ndërtesa dhe mungesat e organizimit të ndihmës së shpejtë pritet ta rëndojnë bilancin e këtij tërmeti në mijëra viktima.

Lëkundjet u ndjenë deri në Kinën jugore e Laos. Birmania është vend që goditet vazhdimisht nga tërmetet dhe periudha më aktive ka qenë ajo mes viteve 1930 – 1960.

Salmonela braziliane dhe pasaporta europiane

Nga Lutfi Dervishi

Mishin e servirim me salmonelë, mandarinat i spërkasim me pesticide dhe mbi 50 lloje helmesh të ndaluara në Bashkimin Evropian përdoren lirshëm në bujqësi, por ne vazhdojmë të ëndërrojmë BE-në. Jo si standard, por si pasaportë.

Ëndrra jonë europiane ka erë pesticide. Dhe nuk është ndonjë sekret. Institucione ndërkombëtare, organizata të shëndetit publik, raportimet e medias dhe të qytetarëve, të gjithë e kanë ngritur alarmin. Por çfarë bëjmë ne? Shtojmë dozën.
Pse?
Sepse i fusim një mendje të lehtë: “Hë mo, s’na gjen gjë!”

Një mantrë kolektive, një justifikim i përbashkët për të helmuar tokën, trupin dhe fëmijët tanë.

Pis fermer që përdor helme për të shtuar prodhimin, pis shtet që nuk kontrollon asgjë, pis konsumator që i blen pa pyetur, pa refuzuar dhe pa reaguar. Pra, në fund të ditës: pis milet.

Po të ishte kjo thjesht çështje padije, do kishte zgjidhje. Por është çështje indiference dhe babëzie, e ushqyer me arrogancën e mosndëshkimit. Të mos harrojmë: në vendet ku janë ndaluar këto pesticide, janë ndaluar sepse vrasin. Dhe në ketu, jo vetëm që përdoren, por promovohen si “sekret suksesi”.

Fondet e IPARD që u dhanë për bujqit dhe blegtoret shqiptare mesa duket realisht kanë shkuar për fermerët braziliane. Fondet e BE për bujqesine janë ndërprerë sepse SPAK nuk ka këllqe të hetojë atë që është provuar nga hetimet në Bruksel. Ne vijojmë me helmin e sheqerosur të propagandës.

Në vend të ndalim helmin, kemi ndaluar logjikën. Në vend të zbatojmë rregulla, bëjmë statuse krenare për eksportin e produkteve “të freskëta shqiptare” që pastaj kthehen mbrapsht si mall i rrezikshëm për shëndetin publik.

Tani le të hapim krahët për BE-në. Le t’i tregojmë që jemi gati për integrim. Me mushkëri të skuqura, me veshka të lodhura dhe një sistem që nuk mbron as veten e vet. Edhe 5 vjet dhe marrim pasaportën.

Por a do jemi gjallë për ta përdorur?

Zgjedhjet e 11 Majit/ Ja ku do të grumbullohen dhe numërohen votat e diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar Policisë së Shtetit të marrë masat përkatëse për ruajtjen e Pallatin e Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik të Tiranës, ku do të bëhet procesi i numërimit të votave të diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Përmes një shkrese zyrtare të siguruar nga Shqiptarja.com, KQZ kërkon nga policia që të marrë godinën në ruatje për periudhën 1 prill deri në 20 maj. KQZ vlerëson bashkëpunimin e deritanishëm midis dy institucioneve tonë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet paralmentare.

Letra:

I nderuar Z. Proda,

Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm midis dy institucioneve tona në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025, ju vë në dijeni se me Vendimin Nr. 312, datë 24.03.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për caktimin e vendit të numërimit të votave nga jashtë për zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025”, Pallati i Sportit “Feti Borova” pranë Parkut Olimpik të Tiranës është caktuar si vendi për administrimin e dokumentacionit të votimit nga jashtë, si dhe për zhvillimin e procesit të numërimit të votave përkatëse.

Jeni të lutur të merren masat përkatëse për ruajtjen e këtij objekti për periudhën 1 prill deri në 20 maj.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që Parku Olimpik i Tiranës plotëson të gjitha kërkesat për administrimin, ruajtjen, numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë vendit.

Sipas KQZ-së, ky park përmbush kriterin e sipërfaqes bazuar në numrin e tavolinave të numërimit të votave të emigrantëve në 12 qarqet e Shqipërisë dhe ofron mundësinë për përdorimin e teknologjisë për mbështetje të numërimit të votave nga jashtë.

Mbi 231 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit u regjistruan për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Zgjedhjet, Ilir Alimehmeti zbulon armën më të fortë të opozitës që do të “fundosë” mazhorancën në 11 maj

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti përshkroi sloganin dhe logon për fushatën elektorale, “Shqipëria Madhështore”.

“Ne duhet ta shohim këtë slogan se si mund të jetë. Por si mund ta përshkruajmë, është që një shqiptar të jetojë në Shqipëri me dinjitet, me kokën lartë, të bëjë një jetë dinjitoze dhe që Shqipëria mos ta shohë vendet e tjera të rajonit nga bishti, por të jemi lider. Shqiptari të ketë vendin e vet dinjitoz brenda Ballkanit.”- tha Alimehmeti.

Në një intervistë në Vizion Plus, komentoi gjithashtu edhe sfidat që opozita do të ketë për të fituar besimin e skeptikëve dhe për të arritur rezultate konkrete në zgjedhjet e ardhshme si dhe armën më të fortë të frontit opozitar.

“Ju e dini fare mirë se si kanë shkuar zgjedhjet e kaluara dhe se çfarë raportesh ka me OSBE/ODHIR. Ne e dimë se si funksionon, i kemi politikat të qarta pro familjare dhe jo politika të tipit prindi 1, prindi 2. Jemi të qartë që nëse kemi një person që është ekonomikisht i mbështetur, ai mund të ngritë një familje, mund të mbështet mosha e tretë. Ndaj çdo mandat që ka fituar Rama, grupi i emigrantëve që kanë shkuar jashtë është rritur.”- u shpreh më tej mjeku.

Çfarë mesazhi do t’u çoni skeptikëve, që thonë se PD nuk merr mandate përtej listës së mbyllur? Ju vetë garoni në listën e hapur në Tiranë.

Alimehmeti: Skeptikët përgjigjen do e marrin në 11 maj. Unë do i ftoj ata të mendojnë për veten e tyre më parë. Janë aty ku i keni familjarët apo janë larguar, kanë ikur nga Shqipëria. Ekonomikisht si jeni? Jeni të vjedhur apo jeni të pasuruar? Këto pyetje duhet t’i bëjnë njëri-tjetrit shqiptarët. Nëse PS i merr këto zgjedhje, sepse nuk i fiton, i merr, atëherë ky vend nuk ka më shpresë. Do votojmë Partinë Demokratike më 11 maj.

Grupi i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës i dërgoi një letër Kongresit të Autoriteteve Lokale në Këshillin e Europës, ku akuzonte kryeministrin Edi Rama se ka cenuar pavarësinë e pushtetit vendor me ndërhyrjet në Bashkinë e Tiranës. Cilat janë shkeljet që ju keni konstatuar?

Alimehmeti: Është antikushtetutshmëri madhore. Kryeministri nuk ka fare të drejtë të ndërhyjë në pushtetin vendor. Janë të pavarura me Kushtetutë. Kjo është shkelje direkte e kryeministrit. Po letra e Anduela Ristanit, ku është firmosur? Ku është shkresa?

Skandali me filetot me salmonelë/ Ja kush fshihet pas kompanisë “AMG FOOD”

Një skandal ushqimor ka shpërthyer në vend me një sasi të madhe mishi pule të kontaminuar me salmonelë të hedhur në treg për konsum.

Zoom.al bëri me dije më herët se pas skandalit dyshohet se qëndron kompania “AMG FOOD”, e cila operon në fushën e importit dhe shpërndarjes së produkteve të mishit.

Megjithatë emri tregtar i kompanisë është “diMal”, emër të cilin e shohim gjerësist në raftet e supermarketeve por edhe në reklama të shumëta televizve.

Kompania është në administrim dhe në pronësi 100% të shtetasit Mondi Goxha.

Por Zoom.al mësoi nga burime brenda AKU se kompania AMG Food dyshohet se ka importuar afro 8 ton fileto pule dhe ka hedhur në treg afro 3 ton. 5 të tjera janë bllokuar në magazinat e kompanisë nga AKU, pasi analizat zbuluan se mishi ishte i kontaminuar.

AKU thotë se kompania nuk ka pranuar se ka dhënë informacione të rreme për sasinë e mishit të futur në vend, ndërsa nga ana tjetër dyshohet se ajo ka falsifikuar edhe dokumentacionin. Po kështu, ajo nuk ka dhënë informacione të sakta se në cilat kompani shqiptare e ka shitur mishin. Në këtë mënyrë AKU nuk ka asnjë të dhënë se ku është treguar kjo sasi e rrezikshme, në cilat rrethe dhe në cilat supermarkete apo dyqane.

Kompania me zyrat qëndrore në Kashar – Tiranë dhe me administrator shtetasin Mondi Goxha, është kallëzuar në Prokurori dhe pritet që nga organi i akuzës të ketë veprime konkrete.

Bakteri Salmonella Typhimurium është një patogjen i njohur që mund të shkaktojë infeksione serioze tek njerëzit, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.

Konsumimi i mishit të kontaminuar mund të çojë në simptoma të rënda si diarre, ethe dhe dhimbje barku. Në këtë kontekst, veprimet e AMG Food dhe diletantizmi i AKU-së për të menaxhuar si duhet një situatë të tillë serioze, përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. /Zoom.al

Nuk luajti as me me Kombëtaren, Ismajli merr lajmin e keq tek Empoli

Ardian Ismajli ishte pjesë e grumbullimit të Kombëtares shqiptare për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, por nuk zbriti në fushën e lojës në asnjë prej dy sfidave.

Ai qëndroi në stol, në gatishmëri për trajnerin Silvinjo, por nuk iu dha asnjë minutë në fushën e lojës për shkak të situatës me një dëmtim që e shoqëroi që në fillimin e grumbullimit.

Ai dëmtim duket se do të lërë jashtë fushe përsëri për disa kohë mbrojtësin kuqezi, pasi klubi i Empolit ka bërë të qartë se lojtari nuk do të jetë në dispozicion për javët në vijim.

Sipas një njoftimi zyrtar të klubit, Ismajli ka probleme në kofshën e djathtë dhe ka nisur fazën e riaftësimit me stafin mjekësor të klubit. Kësisoj, ai do të mbetet jashtë për ndeshjet e radhës, shumë delikate për Empolin që është përfshirë në luftën për mbijetesë.