zoom

Day ArchiveSulm me thikë në Francë/ Vritet një person, plagosen disa policë

Një sulm me thikë ka tronditur Francën mbrëmjen e kësaj të shtune.

Deri më tani, sipas policisë, një person ka humbur jetën dhe dy oficerë policorë kanë mbetur të plagosur.

Autori i cili është arrestuar pranë vendit të ngjarjes, raportohet se përpara se të kryente aktin e rëndë ka thirrur “Allahu Akbar”.

Prandaj, paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një sulm terrorist. Autori kishte qëlluar fillimisht efektivët në qafë dhe në gjoks, ndërsa personi që humbi jetën është një kalimtar që do ndërhynte për ta ndaluar.

Ushtria turke mund të luajë rol kyç në sigurinë e Evropës

Ndërsa udhëheqësit evropianë po përpiqen të forcojnë ushtritë e tyre mes rritjes së pikëpyetjeve mbi angazhimin amerikan për mbrojtjen e Evropës, Turqia, e cila krenohet si vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, mund të ketë një rol kyç në planet e Evropës, veçanërisht sa i përket operacioneve paqeruajtëse në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shfrytëzoi vizitën e tij të martën në Turqi për të theksuar rëndësinë që ka dërgimi i trupave nga vendet aleate për të garantuar çdo marrëveshje paqeje të arritur me Rusinë.

“Dy çështje janë shumë të rëndësishme: një ushtri e fortë ukrainase dhe dislokimet në Ukrainë të ushtrive nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, partnerëve tanë”, tha ai.

Zoti Zelenskyy tha se diskutoi këtë çështje me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, por se është shumë herët për të zbuluar përfundimet e bisedimeve.

Ndërsa zoti Erdogan ka lidhje të ngushta me zotin Zelensky, udhëheqësi turk ka ruajtur marrëdhënie të mira edhe me Presidentin rus Vladimir Putin. Megjithatë, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, Turqia është në pozitë të përshtatshme për ta mbështetur Ukrainën.

“Nëse palët bien dakord, Turqia mund të dërgojë trupat tona në operacione paqeruajtëse. Pse e them këtë? Turqia ishte pjesë e shumë operacioneve paqeruajtësve të OKB-së dhe ushtria turke është shumë e fuqishme”, thotë këshilltari i presidentit të Turqisë, Mesut Casin.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov përjashtoi çdo mundësi për dërgimin e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Ukrainë.

Por rëndësia e ushtrisë turke për sigurinë evropiane mund të rritet, me Shtetet e Bashkuara që kërkojnë nga Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

“Mendojmë se kjo është një pjesë e rëndësishme e të qenit së bashku në një aleancë bashkëpunimi, që evropianët të rrisin angazhimin ndërsa Amerika përqëndrohet në zona të botës që janë në rrezik të madh”, tha Nënpresidenti amerikan JD Vance.

Të dhënat jo të mira mbi të drejtat e njeriut kanë tensionuar marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian. Por sipas analistëve, shqetësimet e përbashkëta mbi Rusinë po krijojnë mundësi bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

“Turqia dhe vendet evropiane kanë të njëjtat interesa gjeostrategjike. Nëse pyesni udhëheqësit politikë të Turqisë, për ta, kërcënimi kryesor për sigurinë, stabilitetin dhe integritetin e vendit mbetet Rusia”, thotë Federico Donelli nga Universiteti i Triestes.

Udhëheqësit evropianë u takuan këtë javë për të diskutuar mbi kërcënimin e sigurisë me të cilin përballet kontinenti.

Me një ushtri masive krahasuar me çdo ushtri evropiane, Ankaraja thotë se mund të luajë rol kyç në mbrojtjen e Evropës. VOA/

Aksidenti tragjik i merr jetën 19-vjeçarit shqiptar në Itali

2 persona humbën tragjikisht jetën në një aksident rrugor të ndodhur gjatë mesnatës të së shtunës në Bari të Italisë.

3 makina u përplasën me njëra-tjetrën përgjatë rrugës që lidh Acquaviva delle Fonti dhe Gioia del Colle. Për pasojë humbën jetën 2 prej shoferëve.

Viktimat janë një djalë 19-vjeçar shqiptar, i cili jetonte në Gioia del Colle. Sipas mediave italiane, ai humbi jetën në vendin e ngjarjes. Viktima tjetër është një 44-vjeçar, i cili u transportua me urgjencë në spital ku dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra. Ndërsa shoferi i tretë shpëtoi pa dëmtime.

Rrethana e aksidentit të rëndë nuk janë të qarta, e pritet që ato të zbardhen nga hetimet e karabinierëve.

Lezhë/ Babai godet vajzën e mitur me send të fortë në kokë, arrestohet nga policia

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 37-vjeçar i cili kishte ushtruar dhunë në familje.

Sipas denoncimit Mikel Ahemeti kishte goditur me send të fortë në kokë, vajzën e tij të mitur.

Fatmirësisht, e mitura ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, arrestuan shtetasin M. A, 37 vjeç, pas një denoncimi se kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur, duke e goditur me një send të fortë në kokë, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Afërdita në Dash: Për këto shenja parashikohet stabilitet financiar dhe progres

Dashi
Me Venusin në shtëpinë tuaj të parë, do të shndritni hijeshi dhe kjo do të jetë një nga periudhat më pozitive për të bërë lëvizje drejt ndonjë prej qëllimeve tuaja. Nuk do dëgjoni lehtë jo nga të tjerët, ndërkohë që do të ngjallni besim dhe forcë.

Binjakët
Me Venusin në Dashi që ndikon në shtëpinë tuaj të 11-të, dhurata juaj për shoqërim do t’ju sigurojë stabilitet financiar. Vendosni më të mirën tuaj përpara dhe mund të krijoni një lidhje shumë të rëndësishme që do të çojë në një partneritet fitimprurës dhe një stabilitet më të madh financiar.

Peshku
Me Venusin në Dashi në shtëpinë tuaj të dytë të financave, stabiliteti financiar është i siguruar. Ndaj ndiqni më shumë dhe besoni se mund ta arrini. Tregoni besim tek vetja dhe universi dhe do të shihni se si do të tërhiqni më shumë.

Shqiptarët renditen pas gjeorgjianëve për kthimet e detyruara nga vendet europiane në 2024

Qytetarët shqiptarë renditen të dytët pas gjeorgjianëve për numrin e lartë të kthimeve vullnetare apo të detyruara nga një vend europian në një vend të tretë gjatë viti 2024.

Sipas të dhënave të Agjensisë europiane për statistikat, Eurostat dhe Agjencisë së Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX, të përpunuara nga Zëri i Amerikës 8202 shtetas shqiptarë me qëndrim jo të rregullt u deturan nga autoritetet policore të lënë një vend të Bashkimit Europian gjatë vitit 2024.

Në vitin 2023, 17425 shtetas shqiptarë u urdhëruan të largoheshin nga BE-ja, dhe 7870 prej tyre u kthyen efektivisht. Në vitin 2021, FRONTEX raportoi se 5398 migrantë shqiptarë të paligjshëm janë kthyer me forcë, duke shënuar një rritje krahasur me vitin paraardhës 2020 ku ishin kthyer 4801 shtetas shqiptarë.

Ritmet e larta të emigrimit të shqiptarëve vijojnë të prodhojnë tregues të lartë të kthimeve të detyruara dhe refuzimit të qëndrimit nga vendet e Bashkimit Evropian.

Shtetasit shqiptarë me urdhra largimi edhe gjatë vitit 2024 janë zbuluar se jetonin në mënyrë të paligjshme në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Shtetasit shqiptarë udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian prej Dhjetorit të vitit 2010 por në rastet e zbulimit “si të paligjshëm” nga autoritetet e një vendi të Bashkimit Evropian ata kanë shkelur afatin e qëndrimit tremujor në vendet e zonës SHENGEN apo kanë kryer veprime jashtë programit të vizës për qëllime turistike.

Sipas raporteve për migrimin në vendet e Bashkimit Evropian aktivitetet e personave nga Shqipëria, janë të lidhura kryesisht me punësimin në një kohë kur kushtet e vizitave afatshkurtra nuk e lejojnë një gjë të tillë apo me kryerjen e veprave penale ku mund të përfshihen vizitorët afatshkurtër.

Në vitin 2024, organizata europiane e ruajtjes së kufijve FRONTEX tha përmes një raporti se ndihmoi shtetet anëtare të Bashkimit Europian në kthimin e 56,262 individëve me qëndrim jo të rregullt në këto vende , duke shënuar një rritje prej 43% krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas FRONTEX-it gjeorgjianët, shqiptarët, turqit, kolumbianët dhe moldavët përbënin pesë kombësitë kryesore me kthimet më të larta të detyruara apo vullnetare nga vendet europiane gjatë vitit 2024.

Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, 1120 shtetas të tjerë shqiptarë me qëndrim të parregullt dhe dënime penale u riatdhesuan nga Britania e Madhe në Shqipërigjatë vitit 2024 në 25 operacione riatdhesimi të realizuara përmes transportit ajror.

Erion Veliaj braktiset nga bashkëpunëtorët më të ngushtë. Asnjë nuk e ka vizituar në burg

Deri pak ditë më parë, Erion Veliaj ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të politikës shqiptare, njeriu që kontrollonte Bashkinë e Tiranës, pushtetin e dytë më të madh ekonomik në vend. Ai vazhdon të jetë “de jure” drejtues i bashkisë, pasi kryeministri Edi Rama ka refuzuar ta shkarkojë pas arrestimit nga SPAK për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash. Por “de facto” ai është një njeri i hedhur pas hekurave, fati i të cilit po i intereson pakkujt.

Burime të besueshme të Zoom.al konfirmojnë se në burgun e Durrësit, Veliaj ka shumë pak vizitorë. Të vetmit që i shkojnë thuajse përditë janë truprojat dhe shoferët e tij, të cilët kujdesen ende për ta furnizuar me ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ndërsa drejtuesit e Bashkisë, ata që dikur e rrethonin dhe e duartrokisnin në çdo vendim, i kanë kthyer shpinën. Askush nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk është parë ta takojë.

Në fakt kjo është tabloja që tregon se si funksionon politika: kur je në pushtet, të gjithë sillen si obortarrët dhe gaztorët rreth mbretit, kur bie nga karrigia s’ka mbetur më asnjë që të të japë dorën të ngrihesh.

Shkarkimi “de facto” nga Edi Rama

Shkarkimi “de facto” i Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës u vulos më 20 shkurt. Kryeministri Edi Rama organizoi një takim me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, një lëvizje që nga shumë analistë u lexua si qivuri mbi fundin e erës së Veliajt në Bashki. Deri përpara këtij mitingu opinioni publik qe ndarë mes idesë se Veliaj kishte mbrojtjen politike të Edi Ramës dhe për këtë arsye Rama ishte vërsulur me tërbim ndaj SPAK dhe idesë së pas arrestimit të Veliajt qëndronte vetë kryeministri. Por pas kësaj ngjarjeje gjithçka duket më qartë: Edi Rama nuk ka ndërmend të luftojë më për të dhe synon vetëm të motivojë punonjësit e Bashkisë që të vijojnë punën dhe të mos dekurajohen për fushatë elektorale.

Me mitingun, edhe retorika e kryeministrit ndaj SPAK-ut është zbutur ndjeshëm. Edi Rama tani po adopton një qëndrim më të qetë. Takimet e përditshme mëngjesore “Sy më Sy” ku sulmohej SPAK dhe i tregohej kufiri i pushteteve u zëvendësuan me “Podcast-et” e zakonshëm për të folur për art e kulturë. Ndërsa agjenda politike agresive kundër SPAK e në mbrojtje të Veliajt ua la vendin inspektimeve të punimeve me Ballukun.

Kjo sjellje e Ramës e përforcon idenë se Veliaj është një e shkuar për të cilën do të flitet vetëm kur të flasë drejtësia.

Vetë Veliaj ka vijuar çdo ditë të reagojë kundër prokurorit të SPAK, Olsi Dado dhe gjyqtarit të GJKKO, Erjon Bano. Reagimet janë bërë të përditshme edhe nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Të dy, duken tashmë të vetëm në këtë betejë. Nga Partia Socialiste askush nuk po flet më për ta.

Veliaj, si të tjerët, një mësim i vjetër nga Rama

Braktisja e Erion Veliajt është fati që ai shkroi vetë me pushtetin që ngriti. Rasti i tij nuk është i panjohur dhe Veliaj nuk zyrtari i parë që Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës, braktiset në momentin që shndërrohet në një barrë politike apo rrezik për pushtetin. Para tij, të njëjtin fat e kanë pësuar edhe ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë që kanë përfunduar në burg apo në kërkim nga drejtësia. Veliaj tashmë po mëson atë që nuk mundi ta mësonte në kaq vite karrierë të ndërtuar nën hijen e Edi Ramës: në politikë nuk ka miq të përjetshëm, por vetëm interesa të përkohshme. /Zoom.al

Gazeta e njohur amerikane: Trump do e bëjë Shqipërinë të madhe! LaCivita do ndihmojë në fitoren e Berishës

Gazetari i njohur Peter Lucas, në një analizë të publikuar në gazetën e madhe amerikane “Boston Herald” shkruan se Donald Trump do e bëjë Shqipërinë të madhe përsëri.

Sipas tij, ardhja e Chris LaCivita në Shqipëri në krah të Sali Berishës dhe opozitës shqiptare, do ndryshojë gjërat.

Lucas parashikon një fitore të opozitës dhe me shumë gjasë edhe zhbërje të vendimeve të Blinken për Sali Berishën.

SHKRIMI I PLOTË

Presidenti Donald Trump do ta bëjë Shqipërinë sërish të madhe. Ose të paktën do provojë.

MAGA në Ballkan. Me të vërtetë!

Kjo është arsyeja pse Chris LaCivita, bashkë-menaxher i fushatës presidenciale të Trump 2024, ndodhet në Shqipëri.

“Ne mund ta bëjmë Shqipërinë të madhe përsëri,” tha ai në një konferencë për shtyp javën e kaluar në Tiranë pas emërimit të tij si kreu i fushatës së kthimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

LaCivita dhe Susie Ëiles, tani shefe e stafit të Trump, e ndihmuan Trump të zgjidhej në vitin 2024.

Tani LaCivita mendon se mund të bëjë të njëjtën gjë për njeriun e tij në Shqipëri, Berisha, 80 vjeç, një politikan veteran që po kërkon një rikthim politik dhe personal në 2025, siç bëri Trump në 2024. Zgjedhjet janë në maj.

LaCivita, 59 vjeç, është një luftëtar politik që nuk ndalet dhe një veteran ushtarak i Trupave Detare të Luftës së Gjirit. Ai ishte i njohur më parë pasi shkatërroi fushatën presidenciale të John Kerry-t në vitin 2004, duke vënë në pikëpyetje rekordin ushtarak të Kerry-t në Vietnam, një shtyllë e fushatës së Kerry-t.

Gjëja kryesore që kanë të përbashkët Berisha dhe Trump është se të dy u persekutuan dhe u ndoqën penalisht nga pasardhësit e tyre pro-George Soros kur të dy ishin jashtë detyrës duke kërkuar rikthimin.

Kryeministri aktual shqiptar, Edi Rama, 60 vjeç, i Partisë Socialiste u përpoq të burgoste liderin e Partisë Demokratike Berisha me akuza për korrupsion për ta mbajtur atë jashtë votimeve në të njëjtën mënyrë që Joe Biden u përpoq të burgoste Trump.

Si Trump ashtu edhe Berisha përfunduan më të fortë se sa ishin përpara se të shënjestroheshin.

Në maj të vitit 2021, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, i cili ka lidhje familjare me Soros, sanksionoi Berishën, kreun e Partisë Demokratike, si persona non-grata për “akte korruptive” të dyshuara dhe të paspecifikuara kur Berisha ishte kryeministër një duzinë vite më parë.

Lëvizja e Blinken u pa nga shumë si një favor politik për Ramën dhe si shpagim ndaj Berishës për përpjekjet e tij të mëparshme për të dëbuar Sorosin dhe Fondacionin e tij të Shoqërisë së Hapur nga Shqipëria.

Rama thuhet se ka lidhje të ngushta edhe me Alex Soros, djalin e 94-vjeçarit George Soros. Para se të largohej nga detyra, Joe Biden i dha George Soros Medaljen Presidenciale të Lirisë, të cilën Alex e pranoi në mungesë të babait të tij.

Ndërkohë, u zbulua nga Elon Musk dhe DOGE se USAID dha 9 milionë dollarë te një grup i mbështetur nga Soros në Shqipëri për të marrë kontrollin e gjyqësorit – siç ka bërë Soros me prokurorët e qarkut në SHBA – dhe për të ndihmuar Ramën të përndjekë kundërshtarët e tij, si Berisha, gjë që ai e bëri.

Rama e arrestoi Berishën dhe e vendosi në arrest shtëpie, një vend i vështirë për të bërë fushatë. Që atëherë ai është liruar.

Sapo Trump u zgjodh, Berisha apeloi sanksionin e Blinken kundër tij. Tani, me LaCivita në krah të tij, ka një shans të mirë që Trump të zhbëjë vendimet e Blinken përpara zgjedhjeve.

LaCivita e quajti Ramën një “kukull” të George Soros në konferencën e tij prezantuese për shtyp në Tiranë.

“Nuk mund të jesh një kukull e George Soros dhe të jesh mik i Shteteve të Bashkuara, kjo thjesht nuk është e mundur,” tha ai.

“Ne jemi këtu sepse duam të ndihmojmë në zgjedhjen e një kryeministri që është një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe që do të punojë me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara.”

Ai shtoi: “Berisha është një mik i vërtetë, një mik i vjetër i Shteteve të Bashkuara”.

Berisha, i cili bashkëthemeloi Partinë Demokratike në vitet 1989-190 pas rënies së komunizmit, është një ish-kirurg i zemrës që shërbeu si president nga 1992-1997 dhe kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013.

Shqipëria, gjatë gjithë ekzistencës së saj moderne, është rrënuar nga korrupsioni politik dhe kjo do të jetë një çështje kryesore në fushatë. Korrupsioni politik nuk ishte një problem kur diktatori komunist Enver Hoxha drejtonte vendin, sepse nuk kishte asgjë për të vjedhur.

Nën demokracinë, ose si mund ta quajmë atë, të paktën për pak njerëz me lidhje të forta dhe të pasur, vendi është shfaqur si kryeqyteti i pastrimit të parave të drogës në Ballkan.

Vetëm javën e kaluar kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një protezhe socialist, ish-anëtar i kabinetit dhe aleat i Edi Ramës, u arrestua me akuzën për korrupsion dhe për pastrim parash mbi 1 milion dollarë.

LaCivita, Trump dhe Berisha mund të mos jenë në gjendje ta bëjnë Shqipërinë përsëri të madhe. Por ndoshta njerëzit do të vendosin për ta bërë atë thjesht të mirë./ Zoom.al

Përballet me tre akuza/ Safet Bajri del përpara gjykatës të dielën

Safet Bajri i cili u arrestua një ditë më parë, pritet të dalë të dielën për t’u njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Përpara arresrimit Bajrit iu tha që duhet të paraqitet në Drejtorinë e Policisë në Shkodër për një verifikim, por sapo ai ka shkuar, efektivët së bashku me Forcat RENEA e kanë sjellë në Tiranë. Fillimisht, ai u dërgua në Drejtorinë e Policisë, ku iu komunikua masa e arrestit, ndërsa më pas u nis drejt bllokut të sigurisë. Përveç Safet Bajrit, SPAK kërkoi masë edhe për Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, të cilët aktualisht ndodhen në burg për krime të tjera.

Ishte një dosje e vjetër, e cila, në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, nxori në dritë detaje të reja lidhur me vrasjen e xhaxhit të Ibrahim Licit, armik i përbetuar i fisit Bajri. Kanë qenë transkriptimet e aplikacionit të Sky ECC që nxorën në pah rolin e Bajrave dhe Bilalit në këtë vrasje.

Referuar dosjes hetimore, SPAK akuzon grupin kriminal për planifikimin dhe vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në lagjen “Kiras” të Shkodrës. Sipas grupit hetimor, motivi i vrasjes lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana, ngjarje kjo e ndodhur më 15 korrik të po atij viti. Ish-efektivi u ekzekutua në makinë, bashkë me partneren e tij Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar i shpëtoi mrekullisht plumbave.

Ndaj Safet dhe Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit rëndojnë akuzat për vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.

Ndërkohë, një tjetër dosje e bujshme në duar të SPAK është edhe masakra e Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona. Në këtë atentat u vra Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërkohë si pasojë e përplasjes nga mjeti ku po udhëtonin dy të rinjtë, humbi jetën edhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha. Menjëherë pas vrasjes, mbi trupin e pajetë të Hamza Licit qëndronte një i ri, i cili dyshohet se është Ibrahim Lici. Madje, ky i fundit dyshohet se ishte në makinë bashkë me të vëllanë dhe Bushatin. Ibrahim Lici prej disa kohësh ndodhet në kërkim policor, por ende autoritetet nuk kanë arritur ta kapin.

Ajola Xoxa: “Harabeli”, grabitqar i madh! Për 7 vite isha drejtuese e bordit pa pagesë! Mora 17 mijë euro për 3 projekte

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashiakut të arrestuar Erion Veliaj, ka reaguar ndaj akuzave të SPAK, duke deklaruar se nuk është pronare e “Harabel”, por thjesht një drejtuese e bordit pa pagesë.

“Gjatë këtyre 7 viteve, që në themelim, unë kam qenë anëtare dhe Drejtuese e Bordit të Harabel (pa pagesë). Nuk kam qenë Drejtoreshë Ekzekutive e Harabel (jemi në proces) dhe angazhimi im si Drejtuese Artistike e Harabel ka qenë pa pagesë”, shkruan ajo.

Por, Ajola Xoxa pretendon se përgjatë 7 viteve të themelimit të “Harabel”, ajo ka përfituar nga 3 projekte një shumë prej 17 mijë euro neto.

“Në 7 vite ekzistencë, buxheti TOTAL Harabel për të 7 vitet BASHKE ka qenë PREJ 653’591 euro (brut)”, shprehet Ajola Xoxa, duke shtuar se OJF-ja ka përfituar projekte nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Turizmit, por thekson se nuk është në konflikt interesi.

“Jam paguar 17’442 euro net në 7 vite punë për Harabel dhe zero nga këto pagesa të miat kanë prejardhje nga fonde publike. Të gjitha këto i kam deklaruar edhe në deklaratën time vjetore në ILDKPI”, shkruan bashkëshortja e Veliajt.

Ajo shtoi se Harabel nuk ka përfituar kurrë asnjë fond nga Bashkia e Tiranës.

Reagimi i plotë:

Në lidhje me HARABEL CONTEMPORARY

Një sqarim tjetër mbi “Harabelin”, që për disa paska qenë një grabitqar i madh.

Së pari, Harabel Contemporary nuk është një shoqëri tregtare (kompani), por është një Organizate Jo-Fitimprurëse (OJF). Kjo, në bazë të ligjit shqiptar, do të thotë se Harabeli NUK ka pronarë dhe NUK gjeneron fitim dhe nëse në fund të vitit financiar në llogarinë e një OJF-je mbeten të holla, ato NUK shpërndahen dhe as transferohen, por mbeten në arkën e organizatës dhe përdoren për projektet e saj në vitet pasardhëse.

Çuditërisht, në akt-akuzën ndaj meje thuhet se unë qenkam “pronare” e Harabel.  A shkruhet kështu sepse akuzuesit ngatërrojnë ç’është ligjërisht një OJF apo se nuk kanë dashur të kuptojnë se unë nuk jam pronare e Harabel as ligjërisht, as praktikisht, këtë s’di ta them. Kohët e fundit nuk kuptoj më dot edhe gjëra që deri dje më dukeshin të thjeshta fare.

OJF-ja që e quajtëm me emrin Harabel nisi ideimin në vitin 2017 dhe u themelua në fillim të vitit 2018. Pra ka kryer 7 vite veprimtari deri më sot. Ideimi ishte produkt i bashkëbisedimeve mes meje dhe Driant Zenelit, artist i mirënjohur bashkëkohor në Shqipëri, por sidomos ndërkombëtarisht. Në themelimin e OJF-së na u bashkuan edhe 2 vajza të tjera.

Harabel lindi nga dëshira për të dhënë një kontribut serioz dhe ndihmues në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk pati kurrë qëllime fitimi, madje përkundrazi dhe për këdo që e njeh këtë fushë nuk është fare për t’u çuditur që të angazhohesh për të ndihmuar jo për të fituar. E kundërta do t’i çudiste të gjithë, sepse me art mund të fitojnë galeritë e mëdha ndërkombëtare, të tjerat mbijetojnë, ndërsa OJF-të as që nuk lindin për të fituar.

Harabel sot numëron një pafundësi projektesh, nga më të vegjlit deri tek shumë të mëdhenjtë (shifrat janë më poshtë). Aktiviteti i Harabel është publik, me përshkrime, emra, foto e video, në faqen: harabel.org.

NE SHTATE (7) VITE AKTIVITET, Harabel ka realizuar:

– 30 ekspozita të artit vizual: me të paktën 220 artistë të shfaqur dhe mbi 15 kuratorë, shqiptarë dhe të huaj;

– 28 bashkëbisedime me personalitete të artit, me të paktën 41 të ftuar (artistë/kuratorë/arkitektë/historianë), shqiptarë dhe të huaj;

– 12 shfaqje performative me në thelb filmin, me të paktën 46 artistë, mshqiptarë dhe të huaj;

– 8 vepra publike të instaluara + 3 vepra publike kohëshkurtra, me të paktën 17 artistë, shqiptarë;

– 23 evente të artit në bashkëpunim (përfshirë këtu Festivali i VideoArtit të Tiranës, Festivali i Dancit Bashkëkohor, Manifesta Biennal, DokuFest, etj. etj. etj.), me më shumë se 277 artistë, mshqiptarë dhe të huaj;

– 9 workshope, me 24 artistë drejtues të workshopeve dhe mbi 222 pjesëmarrës artistë të rinj;

– shumë ekspozime e aktivitete për prezantimin e artistëve shqiptarë jashtë vendit.

Pra në total, NË 7 VITE AKTIVITET, HARABEL KA REALIZUAR MBI 113 AKITIVITETE TË ARTIT, KU KANË MARRË PJESË MBI 625 ARTISTË

(pa llogaritur pjesëmarrësit në workshope apo artistët kandidatë, të cilët nuk janë shfaqur, se do të kalonin mbi njëmijëshin).

Harabel ka paguar qindra artistë, kuratorë (jo mua), kompani artistike apo kompani mbështetsëse në realizimin e aktiviteteve artistike. Bilancet e Harabel janë dorëzuar rregullisht pranë tatimeve dhe mund të gjenden lehtësisht, janë dorëzuar edhe pranë shumë organeve e institucioneve europiane e ndërkombëtare, ku Harabel ka aplikuar për projekte dhe është pranuar. Harabel ka numëruar edhe me dhjetëra punonjës me kontratë pune, të cilët kanë punuar gjithmonë me një pasion aq të madh, sa për shumë dembelë ka qenë shumë e vështirë të besonin se si ia dilnim të bënim kaq shumë punë. Ia kemi dalë dhe kemi qenë dhe jemi një skuadër pozitive (pavarësisht traumës së kalimit në testin e presionit psikologjik të këtij hetimi haluçinant), me pasionin për artin dhe dëshirën e mirë për t’i bërë mirë qytetit dhe vendit tonë.

Gjatë këtyre 7 viteve, që në themelim, unë kam qenë anëtare dhe Drejtuese e Bordit të Harabel (pa pagesë). Nuk kam qenë Drejtoreshë Ekzekutive e Harabel (jemi në proces) dhe angazhimi im si Drejtuese Artistike e Harabel ka qenë pa pagesë (jam paguar vetëm për 3 projekte specifike, të cilat do t’i listoj më poshtë; dhe e rinënvizoj, kjo është normale në botën artit, ndërkohë që unë të ardhurat e mia i kam nga studioja e avokatisë).

Në total, në 7 vite aktivitet, bilanci financiar i Harabel ka qenë 4 vite me minus dhe 3 vite me një plus të vogël. Edhe në 2 vitet e fundit, Harabel ka bilanc negativ. Pra, thënë thjesht: Harabel mban veten e vet, dhe jo me lehtesi (edhe kjo është krejt normale në botën e organizatave jofitimprurëse të artit e kulturës).

Në 7 vite ekzistencë, buxheti TOTAL Harabel për të 7 vitet BASHKE ka qenë PREJ 653’591 euro (brut), ku numërohen aplikime e donatorë ndërkombëtarë, europianë e shqiptarë, nga më të shumtët në numër e lloj. Gjatë këtyre 7 viteve, Harabel ka përfituar vetëm 3 projekte në Ministrinë e Kulturës (totali i fondeve nga Ministria e Kulturës është e barabartë me 34’804 euro brut, dhe këtu përfshihet edhe fondi prej rreth 20’000 euro dhënë për ekspozitën e një miti botëror si Salvador Dali… llogarisni pra fondet minimale 2 projekteve të tjera) dhe vetëm 2 projekte në Ministrinë e Turizmit (10’431 euro brut total për të dy projektet bashkë).

Theksoj se as unë, as ndonjë tjetër në Harabel nuk kanë asnjë konflikt interesi me këto dy Ministri. Gjithashtu, theksoj se unë nuk kam marrë asnjë pagesë prej këtyre projekteve.

Pra, në 653’591 euro total buxheti të Harabel në SHTATE VJET totali i fondeve nga  Ministria e Kulturës plus ajo e Turizmit, është 45’235 euro (ku gati gjysma është për sjelljen e veprave autentike të Salvador Dali në Tiranë). Harabel nuk ka marrë asnjë fond tjetër të prejardhur nga insitucione publike shqiptare.

Nga të gjitha fondet e Harabel kanë përfituar me qindra e qindra artistë e të punësuar për realizimin e projekteve artistike, për qindra projekte.

Dhe jo, Harabel nuk ka marrë KURRE, ASNJE FOND nga Bashkia e Tiranës!

E lexuat mirë dhe unë kësaj deklarate i dal për zot dhe sfidoj çdo baltosës publik timin të më nxjerrë një provë të vetme për të kundërtën. Provë, jo thashetheme tavolinash e portalesh nga dosja e akuzuesve të mi, e cila ka përmasa të frikshme tendencioziteti dhe cudirash juridike.

Në 7 vite aktivitet të Harabel, ku kam dhënë shpirtin, mendjen, kohën, të gjithë pasionin tim, për të ndihmuar në krijimin e një realiteti kulturor të nivelit më të lartë, që mos t’i jetë mangut në asgjë ballafaqimit me skenën europiane, unë nuk kam marrë kurrë rrogë, nuk jam paguar kurrë si drejtuese artistike, nuk jam paguar kurrë për dhjetëra e dhjetëra ekspozitat dhe eventet që kam ndjekur si kuratore dhe nuk jam paguar kurrë nga asnjë fond me prejardhje publike. Kjo është e vërteta ime e thjeshtë dhe kaq torturuese tanimë, kur si në një ëndërr të keqe më duket të përballem me një “vete” që ma kanë krijuar të tjerët për të më bërë keq sa s’ka më keq.

Në 7 vite ekzistencë të Harabel, unë jam paguar gjithsej 20’521 euro brut (që do të thotë 17’442 euro net) në total, për 3 projektet si më poshtë:

– 8’858 euro net, për projektin 2 vjeçar SPARE, projekt i financuar nga Creative Europe (pra fond europian), me Harabel si partner dhe jo si lider, pjesë e një grup organizatash të huaja pjesëmarrëse, ku jam përzgjedhur nga ky grup organizatash në Skuadrën Drejtuese Artistike të projektit (këtë emër mbante) përgjatë 2 viteve të projektit;

– 4’335 euro net, për menaxhimin artistik të prodhimi të një filmi mbi Sabiha Kasimatin, financuar nga Fondacioni Merz (Itali);

– 4’250 euro net, për dizenjimin vizual të Festivalit të Dancit Bashkëkohor, projekt i Angjelin Preljocaj, D18 (Paris) dhe MEKI, pagesë e cila është financuar nga një kompani e madhe private shqiptare, shumë e njohur në mbështetjen e projekteve kulturore.

Pra, sic thashë, jam paguar 17’442 euro net në 7 vite punë për Harabel dhe zero nga këto pagesa të miat kanë prejardhje nga fonde publike. Të gjitha këto i kam deklaruar edhe në deklaratën time vjetore në ILDKPI.

Unë jam munduar gjithmonë të qëndroj në hije të Harabel, e kam ditur fort mirë se një kategori mediatike kërkon gjithmonë ta lidhë veprimtarinë time me Erionin. Ndërkohë e vërteta është që Erioni gjithnjë ka qëndruar larg dhe ka dyshuar shpesh se ky aktivizmi im social-kulturor do të më kthente në target. (Në të gjithë këto 7 vite të ekzistencës së Harabel apo 17 vite të punës time si juriste apo avokate, Erioni ka ardhur në zyrat tona vetëm 1 herë, po po, vetëm NJE herë, dhe atë herë ka ardhur për të sjellë djalin.)

Por unë s’kam dashur ta besoj se duhet t’i rrija larg pasionit tim për artin e kulturën, vetëm pse im shoq është politikan.

Shumëkujt mund t’i duket habi pse një avokate, me disa shkollime në drejtësi, merret me art. Kjo vjen sepse e gjithë familja ime është e përbërë nga artistë, dhe kur them e gjithë familja, dua të them E GJITHA. Në këtë habitat jam rritur dhe arti është si uji për peshkun për mua. Kam bërë edhe një master në Universitetin e Arteve të drejtuar nga Prof. Vladimir Myrtezaj në 2019-2021, të cilin e kam ndjekur me një përpikmëri kirurgjikale.

Nga të gjitha punët që kam bërë në jetë, dhe janë shumë, puna artistike me Harabel është ajo që kam dashur e dua më shumë. Më dhemb në shpirt kur baltoset puna e Harabel për arsye të ulëta politike e mediatike, në shpirt. Çfarëdo të thotë kushdo e të mundohet ta ulë punën tonë, e vërteta është kjo.

Po aq është fakt se kemi bërë një punë shumë të madhe e domethënëse për skenën kulturore shqiptare. Ata që na kanë ndjekur, e dinë. Të tjerët do ta mësojnë kur pafajësia ime të marrë vulën e drejtësisë.