zoom

Day ArchiveBabai legjendë e Italisë, i biri “tradhton” axurët për kombëtaren e Çekisë

Babai i tij është një legjendë e gjallë e Italisë dhe futbollit botëror, por djali i portierit Gianluigi Buffon duket se nuk do të veshë kurrë fanellën e axurëve.

Mbiemrin Buffon do të vazhdojmë ta shohim në fushën e blertë edhe në vitet në vijim, por në rang kombëtaresh, Louis Thomas Buffon do të përfaqësojë Çekinë, andej prej nga vjen nëna e tij.

Edhe pse vetëm 17 vjeç, ende i ri në rrugëtimin e tij drejt futbollit profesionist, Louis është ftuar nga Kombëtarja e Çekisë për t’i përfaqësuar ngjyrat e tyre.

Louis Buffon ka nënshtetësi çeke sepse nëna e tij është çeke. Pra ish-bashkëshortja e Gigi-t, Alena Seredova është çeke.

Portieri legjendar aktualisht është i martuar me Ilaria D’Amico, një prezantuese televizive italiane, por me Alenën kanë dy djem nga martesa e tyre.

Louis në nivel klubi luan për Pizza-n dhe është aktivizuar rregullisht me ekipin e të rinjve, në një kompeticion ku garojnë mosha dy vjet më të mëdha se e tija.

Këtë sezon, Louis Buffon ka bërë 18 paraqitje për Pizza Primavera, duke shënuar katër gola.

Mediat çeke raportojnë se Louis e ka pranuar ftesën e kombëtares së tyre dhe do të paraqitet në grumbullimin për turneun e marsit në Portugali, ku çekët do të përballen me Anglinë, Francën dhe skuadrën pritëse.

Kush janë 10 kriptovalutat më të vlefshme

David Sacks, këshilltar special për AI dhe kriptomonedha në SHBA, ka njoftuar një ndryshim në tregun e kriptomonedhave.

I njohur si ‘Crypto Car’, ai shpjegoi në profilin e tij në Twitter: “Grupi i Punës i Aseteve Dixhitale Ndërinstitucionale po punon mirë së bashku për të zbatuar axhendën e Presidentit” .

“Bo Hines po bën një punë fantastike si Drejtor Ekzekutiv duke i mbajtur të gjithë të koordinuar. Disa njoftime të mëdha do të bëhen së shpejti,” vuri në dukje ai.

Hines është drejtor ekzekutiv i Bordit Këshillimor Presidencial për Asetet Dixhitale. E gjithë kjo vjen si përgjigje ndaj gazetares së Fox Business, Eleanor Terrett, e cila paralajmëroi numrin e aplikacioneve rregullatore të kriptomonedhave, të cilat mund të jenë problem.

“Çuditërisht, ka shumë koordinim. Këto grupe po flasin dhe punojnë me njëri-tjetrin. Hines së fundmi u takua me kreun e grupit të punës për kriptomonedhën e SEC, Hester Peirce dhe kryetaren në detyrë të CFTC, Caroline Pham,”-theksoi ai në X.

Përgjigja e Sacks është se “asetet e tokenizuara dhe se si monedhat e qëndrueshme mund të veprojnë si një formë kolaterali në tregjet e së ardhmes”. “Anëtarët e Grupit të Punës për Asetet Dixhitale Dydhomëshe të Dhomës së Përfaqësuesve po punojnë së bashku me homologët e tyre të Senatit dhe Grupin e Punës Presidenciale për hartimin e legjislacionit,” shpjegoi gazetari.

Cilat janë kriptovalutat më të vlefshme sot?

Bitcoin mbetet mbreti i padiskutueshëm i këtij tregu, megjithëse vlera e tij ka rënë paksa. Ishte mbi 100,000 dollarë në fillim të mandatit të Donald Trump në detyrë.

Këto janë 10 kriptovalutat më të vlefshme për momentin:

Bitcoin: $97,000.
Year.finance: $5,969
PAX Gold: $2,899.
Ethereum: $2,692.
Maker: $999.
BNB: $674.
Bittensor: $364.
Bitcoin Cash: $329.
Aave: $256.
Beefy.Finance: $254.

Europa në pikë kthese/ Macron mbledh me urgjencë samitin e dytë të liderëve

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se më 19 shkurt do të mbahet samiti i dytë për luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane, ku do të marrin pjesë disa shtete evropiane dhe joevropiane, që nuk ishin pjesë e një takimi paraprak në kryeqytetin francez.

Të hënën, në Paris u mbajt një takim urgjent që mblodhi një numër të vogël të shteteve kyç evropiane.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, në samitin e 19 shkurtit do të marrin pjesë edhe Kanadaja, Norvegjia, Estonia, Letonia, Lituania, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika.

Gjatë samitit të 17 shkurtit që u mbajt në Paris, udhëheqësit evropianë shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar garanci të sigurisë për Ukrainën, por ata paralajmëruan se niveli i këtyre garancive do të bazohet në pjesëmarrjen e Uashingtonit në rast të një marrëveshjeje gjithpërfshirëse të paqes.

Megjithatë, shumë udhëheqës shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes për Kievin.

“Të gatshëm dhe me vullnet”, shkroi në X më 17 shkurt shefi i NATO-s, Mark Rutte.

“Ky është medimi im sa i përket takimit në Paris. Evropa është e gatshme dhe ka vullnet që të veprojë. Të udhëheqë në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Gati dhe me vullnet që të investojmë më shumë në sigurinë tonë. Për detajet do të duhet të vendoset, por angazhimi është i qartë”, shtoi ai.

Macron pas takimit të së hënës tha se “ne duam të arrijmë një paqe të fuqishme dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

“Për të arritur këtë, Rusia duhet të ndalë agresionin e saj dhe kjo gjë duhet të shoqërohet nga garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për ukrainasit”.

Takimi i ri në Paris do të mbahet një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime në Arabinë Saudite, ku nuk u përfshin qeveritë evropiane apo Kievi.

Mbajtja e këtyre bisedimeve lëkundi raportet mes SHBA-së dhe Evropës, mes shqetësimeve se Uashingtoni mund të arrijë një marrëveshje me Moskën që do të ishte kundër interesave të sigurisë ukrainase dhe evropiane.

Takimi në Riad duket se ka vendosur bazat për bisedimet në të ardhmen mes Uashingtonit dhe Moskës, teksa dy palët janë pajtuar për të dërguar staf në ambasadat respektive, në mënyrë që të krijohen misione për të mbështetur bisedimet e paqes për Ukrainën, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Pas takimit në Arabinë Saudite, këshilltari për siguri kombëtare të SHBA-së, Michael Waltz tha se çdo garanci në periudhën e pasluftës duhet të udhëhiqet nga evropianët, duke u bërë jehonë thirrjeve të zyrtarëve amerikanë ndaj aleatëve evropianë që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe duke lavdëruar Britaninë dhe Francën “që po diskutojnë për të kontribuar më me forcë për sigurinë e Ukrainës”.

Ideja e dërgimit të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë pas një armëpushimi u vendos në qendër të vëmendjes, pas deklaratave të bëra nga kryeministri britanik, Kier Starmer.

Më 17 shkurt, ai tha për gazetarët se është “i gatshëm ta shqyrtoj angazhimin e forcave britanike në terren së bashku me të tjerët, nëse ka një marrëveshje për paqe të qëndrueshme”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se është shumë herët që të jetë specifik për këtë temë, pasi diskutimet për të janë në fazën fillestare.

Starmer ishte pjesë e takimit të 17 shkurtit së bashku me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës, Danimarkës, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe NATO-s.

Por, Macron gjatë një interviste dhënë më 18 shkurt për një gazetë rajonale franceze, tha se Parisi nuk po “përgatitet të dërgojë trupa tokësore në konflikt, në front të luftës” në Ukrainë, por po e shqyrton, së bashku me Britaninë, që të dërgojë “ekspertë, apo edhe trupa, në terma të kufizuar, jashtë çdo zone të konfliktit”. Rel/

Aksioni i RENEA-s në Shkodër/ Reagon avokati i Safet Bajrit, çfarë kërkojnë efektivët?

Sokol Tahiraj, përfaqësuesi ligjor i Safet Bajrit, ka reaguar në lidhje me aksionin që forcat speciale RENEA zhvillua mëngjesin e kësaj të martë në Shkodër, ku u ushtruan kontrollen në disa banesa.

Spas gazetares, Klodiana Lala, avokati Tahiraj ështënshprehur se nuk ka asnjë provë që e lidh Safet Bajrin me grupet kriminale në veri të vendit.

Po ashtu, avokati ka deklaruar se në banesën e tij kanë shkuar disa herë dhe ai ka shprehur gatishmërinë për t’u përballur me hetimin.

“Në lidhje me Safet Bajrin nuk ka asnjë provë që e lidh me asnjë grup kriminal. Disa herë i kanë vajtur në shtëpi dhe ka qenë i hapur me hetimin dhe është i gatshëm të përballet me këtë hetim. Sesi lidhen tre ngjarjet kriminale është çështje e prokurorisë”, lexoi gazetarja Lala në News24.

Më tej Lala tha: “Nuk ka një urdhër arresti ndaj tij, prokuroria kërkon një provë që avokati nëse ka dëshirë mund ta thotë. Ne jemi të paqartë. Kërkohet një provë që sipas prokurorëve mund të cojë në zbardhjen e masakrës së Dobracit”.

Nën masë nga Spak në dosjen Veliaj/ Biznesmeni Gentian Sula merr masa për kompaninë e tij

Gentian Sula, njëri nga pesë biznesmenët nën masë sigurie nga e njëjta dosje që çoi pas hekurave kryebashkiakun Veliaj, është “hedhur në veprim” për të ruajtur kompaninë e tij “Agikons” nga një sekuestro e mundshme.

“AgiKons”, kompania zhvilluese e kompleksit të banimit “Kodra e Diellit” ka kaluar nga regjistri shqiptar në një shtet tjetër.

Sipas të dhënave, kërkesa për kalimin nga regjistri shqiptar në atë britanik është bërë që në muajin gusht të vitit të kaluar dhe është miratuar sot, 18 shkurt 2025.

Gentian Sula së bashku me Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen nga SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Rozana dyshon mbi orientimin seksual të Gjestit

Gjatë ditës së sotme, në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 4” ka patur shumë momente gazmore por dhe tensionuese.

Një deklaratë e bërë nga Rozana gjatë një bisede me Livian mbrëmjen e sotme ka shkaktuar një debat të fortë në rrjet.

Gjatë diskutimit, Rozana reagoi ndaj një akuze, që siç e kishte kuptuar ajo, i ishte bërë nga një banor tjetër, që e kishte quajtur atë homofobe. Por mesa duket kjo akuzë kishte qenë për një banorë tjetër.

Reagimi i saj ishte i papritur kur u shpreh se:

Si mund të më akuzojë ajo mua për homofobe, kur unë rri gjithë ditën me Gjestin?
Një deklaratë e tillë ka ngjallur shumë reagime dhe pikëpyetje në rrjetet sociale, duke u bërë shumë shpejt një temë diskutimi mes ndjekësve të emisionit.

Vatikani flet për gjendjen shëndetësore të Papës, nga se vuan kreu i Kishës Katolike

Papa Françesku, që është shtruar në spital javën e kaluar, po vuan nga pneumonia në të dy mushkëritë dhe gjendja shëndetësore e 88-vjeçarit vazhdon të jetë “komplekse”, tha Vatikani më 18 shkurt.

Françesku u shtrua në spitalin Gemelli të Romës të premten e kaluar me bronikt, pasi kishte pasur vështirësi në frymëmarrja dhe Selia e Shenjtë ka anuluar të gjitha aktivitetet e tij deri në fundjavë.

“Testet laboratorike, radiografia e krahrorit dhe gjendja klinike e Atit të Shenjtë vazhdojnë të paraqesin një tablo komplekse”, tha Selia e Shenjtë përmes një deklarate.

Vatikani tha se për shkak të një infeksioni polimikrobik dhe bronikitit asmatik, Papa është dashur të përdorë antibiotikë. Por, pas kontrolleve të reja që Papa ka bërë pasditen e 18 shkurtit, sipas Vatikanit, mjekët kanë vërejtur “pneumoni të dyfishtë, që kërkon terapi shtesë” mjekësore.

Kreu i Kishës Katolike që nga viti 2013, argjentinasi Françesku u shtrua në spital pasi për disa ditë kishte pasur vështirësi që të lexonte fjalimet e tij para publikut.

Ai edhe më herët ishte përballur me probleme shëndetësore dhe i ishte nënshtruar operacioneve për hernia dhe zorrë të trashë dhe së fundi ka përdorur edhe karrocën për të lëvizur për shkak të dhimbjeve në gju.

Veliaj sërish nga qelia: I burgosur pa gjyq, enkas për të më mbajtur larg punëve të qytetit

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu mbrëmjen e kësaj të marte. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se është i burgosur pa gjyq enkas për ta mbajtur larg punëve të qytetit.

Por, siç shkruan kryebashkiaku puna për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë nuk ndalet.

Veliaj shton se shkolla e re “Edith Durham” është e 48-ta në buqetën e godinave arsimore që janë ndërtuar.

Postimi i Erion Veliajt:
Edhe pse i burgosur pa gjyq, me një dosje të kopsitur enkas për të më mbajtur larg punëve të qytetit, puna për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë nuk ndalet!
Shkolla e re “Edith Durham” është e 48-ta në buqetën e godinave arsimore (9-vjeçare dhe gjimnaze) që kemi ndërtuar së bashku në Tiranë, e më gëzon fakti që puna aty po vijon njësoj, me ritme të shpejta, për ta pasur gati në shtator për fëmijët.
Forca!

Lalin e zhveshi Ajola, SPAK-un e zhveshi Veliaj

Nga Andi Bushati

Publikimi i shpenzimeve marramendëse të bashkëshortes së tij e ka vrarë politikisht Erion Veliajn, madje edhe më shumë se sa prangat. Mediat që kanë qenë kritike me të, duke mbrojtur prej kohësh tezën e një zyrtari thellësisht të korruptuar -, ku padyshim bëjmë pjesë edhe ne të Lapsit-, po publikojnë ditë pas dite, faturat haluçinante të fustaneve, këpucëve, bizhuve dhe tangave, të Ajola Xoxës. Nuk ka asnjë dyshim se këto “scoop-e” rrjedhin nga dosjet e SPAK, që në teori duhet të kujdeset për sekretimin e tyre. Kjo tendencë, që ka si qëllim azgjesimin moral të personit nën hetim, u vu re që me publikimin e komunikatës së parë të prokurorisë së posaçme, e hartuar enkas për të bërë lajm, duke evidentuar shifrën prej 860 mijë eurosh, të blerjeve të bashkëshortes së kryebashkiakut.

Po të thellohesh edhe më tej në dosjen 360 fletëshe e kupton më mirë absurdin e realitetit paralel ku kanë jetuar ata që drejtojnë rilindjen. Njësoj si darkat te Nusreti, shishet e verës 33 mijë euroshe në zyrën e Ramës edhe shpenzimet e veshjeve të Ajolës, dëshmojnë për një jetë të shfrenuar luksi.

Pasqyrimi i kësaj shllafarie është edhe një nga shtyllat kryesore të vendimit të gjykatës (lexo faqet 110-124) i cili shenjestron Erion Veliajn si një zyrtar, që përfitimet e vendimeve që merrte si kryebashkiak, i kalonte tek studioja ligjore apo OJF-të e të shoqes.

Por, pasi je shashtisur nga vila në Qerret, nga faturat e publikuara të taks free-ve, nga të mbathurat mbi 300 euro pala dhe kërkon shkeljet konkrete që ka bërë Erion Veliaj, mbetesh pak i zhgënjyer.

Në dosjen voluminoze zor se gjen prova për ndonjë tender të dhënë në mënyrë të jashtë ligjshme, zor se gjen ndonjë leje ndërtimi të firmosur në tejkalim të normave. Po, ka shumë dyshime, për lidhje me biznesmenë, që me siguri kanë qenë klientë dhe pagatorë të Erionit, por jo fakte.

Po të bësh krahasime me dosje të ngjashme, ajo e Veliajt duket edhe më e dobët se ato të Berishës apo Metës. Tek ajo e ish kryeministrit, për klubin Partizani, përpos akuzave për ndryshim të ligjeve, flitet dhe për akte konkrete, se si Berisha është përpjekur për të liruar sa më shpejt pronën që do të merrte dhëndërri i tij. Tek ajo për Metën aludohet për tratativat që ka bërë ish bashkëshortja, për të kaluar një ligji, për suksesin e të cilit mendohej se do të përfitonte një vilë. Në këto dy dosje, ku prokurorët që nuk i kanë argumentuar dot në mënyrë bindëse masat e marra ndaj ‘të paprekshmëve”, ka pasur së paku tentativa të SPAK-ut për të ndërlidhur përfitimin e nxjerrë me veprimet konkrete që ka bërë politikani i lartë. Tek Veliaj qoftë edhe kjo mungon. Kryebashkiaku i portretizuar nga prokurorët ngjan si një ëngjëll, në raport me grabitësin frenetik që ekziston në mendjet e kritikëve dhe kundërshtarëve të tij.

Kur kemi mbërritur deri në këtë pikë të argumentimit duket sikur ka një kontradiktë të pakapërcyeshme, një paradoks që i tejkalon kufijtë e të logjikshmes. Si është e mundur, ka të drejtë të pyesë ai që po lexon, që nga njëra anë, në paragrafët e parë, pretendohet një vullnet i SPAK për ta shkatërruar Veliajn, që arrin deri në publikimin e çmimit të brekëve të bashkëshortes, ndërsa nga ana tjetër, flitet për një dosje pa prova të qëndrueshme, që në fakt është amnistim “de facto” i tij ?

Por, ajo që në mënyrë sipërfaqësore duket si një kontradiktë, në realitet e ka një spjegim.

Ai rrejdh nga mënyra se si ka vepruar SPAK-u. Ai ka dashur ta shohë Veliajn si një xhepist ordiner dhe jo si ingranazh të mekanizmit kriminal të një pushteti më të madh. Ai e ka denigruar për fatura fustanesh dhe bizhush për të mos e lidhur me inceneratorin. Ai e ka telendisur për vilën në bregdet, ku rriste djalin, për të mos e përshkruar si kapon e 5D, që vidhte para për të rrëmbyer zgjedhjet dhe siguruar fitoren e partisë.

Këtu nuk ka asnjë surprizë. Ndonëse arrestimi i Veliajt është më bombastiku dhe më zhurmëmadhi i ndodhur ndonjëherë, i pari i një zyrtari të lartë në detyrë, ai ngjan si dy pika uji me ato të Kokës, Bllakos, Ahmetajt etj. Asnjëri prej tyre nuk është hetuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por Teri për lekët që ka çuar në kompanitë e të birit, Alqi për pagat e pajustifikueshme të të atit, ndërsa Beni për pllakat e Ejolës. Linja udhëheqëse e SPAK është e qartë: në këtë vend ka hajdutë të rëndomtë, por jo një bandë të organizuar që vjedh shtetin për të mos lëshuar pushtetin.

Prandaj, Prokuroria e Posaçme nuk heton deri në fund inceneratorët, prandaj ajo ka tabu të prekë tre shtyllat që mbajnë në këmbë regjimin e Edi Ramës: financimin okult të mediave; paratë e zeza të krimit, të shndërruara në rokaqiej që shërbejnë si serum për ekonominë dhe mbi të gjitha, vjedhjen e zgjedhjeve.

Me këtë objektiv është nisur edhe projekti i shkatërrimit politik të Erion Veliajt. SPAK ka zgjedhur ta trajtojë atë si xhepist ordiner, me mendësinë e atij që do ti’a hajë mishin, por ti’a ruajë kockën regjimit. Për këtë arsye, mes dhjetra Nesti Angonëve imagjinarë, nuk u mor për bazë, as ai që mund të denonconte inceneratorin e Tiranës, as ai që mund të padiste vjedhjen e zgjedhjeve, as ai që mund të tregonte për milionat e blerjes së televizioneve, as ai që mund të dëshmonte për paratë që rekrutuan aktorët, duke fikur protestën e Teatrit Kombëtar. Qëllimi qe i qartë: që Veliaj të mos akuzohej si pjestar në një krim kolektiv, por thjeshtë si një burrë i pafuqishëm, që nuk frenonte dot vanitetin e Ajolës.

Pikërisht ky sforcim, kjo përpjekje qesharake për të kapur veshin e majtë me dorën e djathtë, ka prodhuar atë dosje të dobët, ku nuk gjendet gjurmë prove për krimet që Lali ka bërë në kryerjen e funksioneve të tij.

Natyrisht edhe kështu SPAK-u e ka arritur qëllimin e tij. Ai e ka nëpërkëmbur, e ka pëdhunuar, e ka asgjesuar politikisht Erion Veliajn, aq sa sot edhe po të dalë nga burgu, do ta zënë rrugëve me gurë ata që i ka nxjerrë nga shtëpitë tek Astiri, 5 maji apo bregu i lumit.

Por, veshtirë të thuhet se me provat që ka mbledhur ai e ka rritur besimin e publikut. Sforcimi për të përshkruar një personazh, thjesht peng të së shoqes, i ka nxjerrë prokurorët dhe vetë zbuluar, duke dëshmuar edhe njëherë se ata nuk shkojnë dot më larg sesa krimi ordiner.

Sezoni i Peshqve mbërriti! Ja ç’do të ndodhë me secilën shenjë

Sezoni i Peshqve ka ardhur dhe është koha për t’u zhytur në një oqean emocionesh. Duke festuar sezonin e shenjës së fundit në zodiak, në qendër të vëmendjes do të vendoset gjithçka, nga intuita juaj deri te misteret e kozmosit.

Lexoni se çfarë do të sjellë sezoni i Peshqve për shenjën tuaj të horoskopit:

Dashi

Ngadalësoni, reflektoni dhe përshtatuni me ëndrrat tuaja.

Konsiderojeni këtë moment si kohën tuaj për t’u tërhequr, rimbushur dhe reflektuar mbi gjithçka që rëndon mendjen tuaj. Hëna e re te Peshqit më 27 shkurt është një mundësi për të çliruar bagazhet e vjetra emocionale dhe për t’u përgatitur për fillime të reja.

Për fat të mirë, me sundimtarin tuaj qiellor, Marsin, që do të vijë në vijë të drejtë më 23 shkurt, do të keni energjinë dhe frymëzimin për të ushqyer dhe për t’u kujdesur për jetën tuaj personale. Afërdita do të sjellë në plan të parë çështjet e marrëdhënieve të kaluara ose do shkaktojë nevojën për të përmirësuar ndjenjën tuaj të vetëvlerësimit.

Më e rëndësishmja, një eklips total hënor më 14 mars do të tronditë shtëpinë tuaj të gjashtë të shëndetit, rutinave të përditshme dhe veprimeve të shërbimit, duke ju nxitur të lini pas zakone ose projekte që nuk i shërbejnë mirëqenies suaj.

Fatkeqësisht, Mërkuri do të vendoset gjithashtu në prapavijë në shenjën tuaj më 15 mars. Ky sezon nuk ka të bëjë me nxitimin për shenjën tuaj. Përkundrazi, shënon një kohë për të reflektuar dhe rimatur gjërat, gjë që vjen në kohën e duhur ndërsa përgatiteni për sezonin tuaj të ditëlindjes.

Demi

Kapni yjet – mundësitë janë të pafundme për ju.

Përveç kthimit të vëmendjes ndaj jetës suaj sociale dhe qëllimeve afatgjata, sezoni i Peshqve është koha për të reflektuar mbi vendin tuaj brenda rretheve shoqërore – ndjenjën tuaj të përkatësisë në botë. Është një kohë e shkëlqyer për t’u lidhur me individë me të njëjtat mendime, shpresa dhe ëndrra si ju.

Sigurohuni që të shfrytëzoni energjinë e hënës së re te Peshqit më 27 shkurt, pasi shënon një moment të fuqishëm për të vendosur synime për të ardhmen, veçanërisht në lidhje me përpjekjet tuaja dhe grupet që ndihmojnë në mbështetjen e qëllimeve tuaja.

Sundimtari juaj qiellor, Afërdita, do të jetë në prapavijë më 1 mars, kështu që mund ta gjeni veten duke rishikuar situatat e kaluara ose marrëdhëniet që kërkojnë mbyllje. Koha nuk mund të jetë më e përshtatshme pasi një eklips total hënor në Virgjëreshë do të prekë gjithashtu shtëpinë tuaj të pestë të dashurisë, pasionit dhe vetëshprehjes, duke ju ndihmuar të lironi bllokimet që kanë penguar gëzimin dhe potencialin tuaj krijues.

Në fund të fundit, ky sezon qiellor ju inkurajon të ushqeni qëllimet dhe ëndrrat tuaja dhe të bëni rregullimet e nevojshme në rrethet tuaja shoqërore dhe peizazhin emocional për t’u përgatitur për atë që do të vijë më pas.

Binjakët

Besojini intuitës tuaj dhe realizoni karrierën e ëndrrave tuaja.

Sezoni i Peshqve ju jep kohën që ju të përqendroheni në qëllimet tuaja profesionale dhe të lini gjurmën tuaj në botë. Megjithatë, me sundimtarin tuaj qiellor, Mërkurin, që i bashkohet diellit te Peshqit këtë sezon, mund të ndiheni të ndarë mes idealeve tuaja dhe asaj që është praktike. Në çdo rast, do të dëshironi të shikoni hënën e re te Peshqit më 27 shkurt, pasi është një mundësi e shkëlqyer për të vendosur synime për karrierën tuaj, veçanërisht nëse jeni ndjerë paksa të humbur ose të pasigurt për drejtimin tuaj.

Më 23 shkurt, Marsi në vijë të drejtë me shenjën tuaj do ju nxisë të ndërmerrni veprime praktike për të ndërtuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë që ju duhet. Afërdita do të kalojë gjithashtu në prapavijë, duke shënuar një periudhë reflektimi, veçanërisht në lidhje me qëllimet tuaja afatgjata.

Menjëherë pas kësaj, do të ketë një eklips total hënor në Virgjëreshë (14 Mars), duke aktivizuar shtëpinë tuaj të katërt të shtëpisë dhe familjes, e cila është një thirrje për të çliruar bagazhin emocional të lidhur me të kaluarën tuaj. Ndërsa është një kohë për reflektim dhe rivlerësim, sezoni i Peshqve ju vendos në pozitat e duhura për ndryshime të rëndësishme në jetë.

Gaforrja

Bëni një hap më tepër, universi ju mbështet.

Çdo vit, sezoni i Peshqve ju çon në një udhëtim eksplorimi dhe përmirësimi. Edhe këtë vit, është një kohë për t’u zhytur në ide dhe filozofi të reja, apo edhe për të udhëtuar për të zgjeruar horizontet tuaja. Do të ndjeni dëshirën për të dalë jashtë zonës suaj të rehatisë.

Nëse jeni të interesuar të publikoni, të udhëtoni ose të filloni një aventurë, sigurohuni që të shikoni hënën e re te Peshqit më 27 shkurt, pasi ajo e zmadhon këtë energji, duke ju mbështetur, ndërkohë që ofron një fillim të ri për të vendosur synimet rreth rritjes suaj personale dhe shpirtërore. Ky sezon do të ketë gjithashtu një fokus të fortë në karrierën dhe reputacionin tuaj.

Për shembull, Afërdita do të jetë në prapavijë më 1 Mars, duke ju nxitur të bëni një hap prapa dhe të rishikoni qëllimet tuaja profesionale, imazhin publik dhe marrëdhëniet që ndani me figurat e autoritetit. Ju mund të ndjeni dëshirën për të ristrukturuar ekuilibrin tuaj të punës dhe jetës.

Kjo qartësi e sapogjetur ndodh gjatë gjithë kohës kur eklipsi hënor prek shtëpinë tuaj të tretë të komunikimit më 14 mars, duke ju nxitur të lini pas modele të vjetruara të mendimit. Sezoni i Peshqve dëshmon se keni një rrugë të ndritur përpara, por është e rëndësishme të qëndroni me këmbë në tokë dhe të jeni të qartë se çfarë dëshironi me të vërtetë.

Luani

Zhytni veten në thellësinë e lidhjeve tuaja emocionale.

Me hyrjen e diellit te Peshqit, mund ta gjeni veten duke reflektuar mbi marrëdhëniet tuaja të ngushta dhe se si ato ndikojnë në ndjenjën tuaj të sigurisë. Hëna e re te Peshqit (27 shkurt), ju inkurajon të vendosni synime rreth thellimit të lidhjeve ose lundrimit në çështjet e përbashkëta financiare.

Ndërsa sezoni përparon, ka një fokus të fortë në botëkuptimin tuaj dhe sistemet e besimit, pasi Afërdita do të jetë në prapavijë, duke aktivizuar shtëpinë tuaj të nëntë të filozofisë, udhëtimit dhe zbulimit të vetvetes. Përveç rishqyrtimit të qëllimeve tuaja afatgjata, kjo mund të nxisë nevojën që të rivlerësoni perceptimin tuaj për spiritualitetin ose ndoshta të rishikoni projekte që nuk i keni përfunduar më parë.

Përpara se sezoni të përfundojë, një eklips hënor në Virgjëreshë do të aktivizojë shtëpinë tuaj të dytë të rehatisë, vlerave dhe burimeve personale që kërkon stabilitet, duke sinjalizuar një kohë për të çliruar mënyrat e ngurta të të menduarit së bashku me zakonet monetare që nuk ju shërbejnë më ose nuk përputhen me parimet tuaja.

Sezoni i Peshqve në fund të fundit ka të bëjë me përqafimin e transformimit – duke hequr dorë nga ajo që ju pengon, ndërkohë që hapni veten ndaj perspektivave të reja dhe lidhjeve më të thella që kontribuojnë në rritjen tuaj.

Virgjëresha

Marrëdhëniet tuaja janë në qendër të vëmendjes këtë sezon.

Sezoni i Peshqve shënon një kohë për të ushqyer marrëdhëniet tuaja më të ngushta – qofshin ato romantike, platonike apo profesionale. Nëse shpresoni të vendosni një themel të fortë në një nga këto fusha të jetës tuaj, shfrytëzoni energjinë e hënës së re te Peshqit më 27 shkurt dhe vendosni synime për fillime të reja.

Do të keni një mundësi për të reflektuar dhe lënë pas versione të vjetruara të vetvetes që nuk pasqyrojnë më natyrën tuaj të vërtetë. Për më tepër, Afërdita do të jetë në prapavijë këtë sezon – e ndjekur nga sundimtari juaj planetar, Mërkuri – duke ju nxitur të rishikoni çështjet e kaluara financiare ose emocionale. Gjatë kësaj kohe, ju mund të rishikoni gjithçka nga ndjenja juaj e vetëvlerësimit, deri tek ajo që jeni të gatshëm të investoni në marrëdhënien tuaj me të tjerët.

Kaloni pak kohë duke reflektuar mbi çështje më të thella, veçanërisht ato që përfshijnë besimin, fuqinë dhe themelet tuaja emocionale këtë sezon. Udhëtimi i diellit përmes Peshqve do t’ju ndihmojë të krijoni hapësirën e nevojshme për t’u rritur, shëruar dhe transformuar.

Peshorja

Si duket një ditë perfekte për ju Pesore?

Sezoni i Peshqve ju fton të përqendroheni në rutinat tuaja të përditshme, zakonet shëndetësore dhe ekuilibrin punë-jetë. Jeni të prirur për të idealizuar gjërat gjatë kësaj kohe, por është gjithashtu një kohë e shkëlqyer për të vlerësuar zakonet tuaja, për të krijuar më shumë strukturë në jetën tuaj të përditshme dhe për të gjetur mënyra për t’i dhënë përparësi mirëqenies suaj.

Ndërsa sezoni përparon, fokusi juaj zhvendoset drejt marrëdhënieve. Përveçse jeni në kohë për reflektim dhe rivlerësim, mund të ndiheni të thirrur për të rishikuar marrëdhëniet nga e kaluara, të pazgjidhura ose jo qofshin ato.

Nëse përjetoni keqkuptime me një person tjetër të rëndësishëm për ju në periushën 3-15 mars, mos u dekurajoni – kjo është një mundësi për të fituar njohuri mbi atë që dëshironi dhe vlerësoni vërtet në një partneritet.

Së fundmi, me një eklips total hënor në Virgjëreshë që aktivizon shtëpinë tuaj të 12-të të dorëzimit më 14 mars, nuk ka kohë më të mirë për të hequr qafe bagazhin emocional dhe frikën që mund t’ju pengojë të përqafoni fuqinë tuaj personale ose të përjetoni plotësisht një marrëdhënie që dëshironi të krijoni.

Akrepi

Hapni zemrën dhe ndiqni lumturinë e ëndrrave tuaja.

Përveç të qenit përsëri në elementin tuaj, sezoni i Peshqve ndriçon shtëpinë tuaj të pestë festive të krijimtarisë, romancës, pasionit dhe vetëshprehjes. Universi ju inkurajon të kënaqeni me aktivitetet që ju sjellin gëzim, qoftë ky një hobi, një përpjekje artistike apo një ndjekje romantike.

Ndërsa sezoni përparon, ju mund të ndiheni të frymëzuar nga dëshira për të përmirësuar zakonet tuaja shëndetësore, dinamikën e punës dhe rutinat e përditshme në përgjithësi. Kjo është veçanërisht e vërtetë me Afërditën në prapavijë (që nga 1 marsi), pasi mund të ndiheni të detyruar të rregulloni marrëdhëniet me kolegët ose ndoshta edhe të kërkoni një promovim.

Gjatë 14 marsit do të nxiteni të lini pas lidhjet dhe aspiratat që nuk i shërbejnë të mirës suaj më të lartë. Ky sezon nuk ka të bëjë vetëm me magjinë e shprehjes suaj krijuese – ka të bëjë me të qëndruarit besnikë ndaj asaj që jeni dhe të rrethoni veten me individë që duan vetëm më të mirën për ju.

Shigjetari

Kujdesuni për rrethin tuaj dhe kthejeni hapësirën tuaj personale në një vend të shenjtë.

Ky sezon qiellor shënon një kohë për të reflektuar mbi gjithçka, nga dinamika e jetës suaj personale deri tek ajo që me të vërtetë ju bën të ndiheni të sigurt. Ky sezon ka të bëjë me kultivimin e një ndjenje paqeje në jetën tuaj personale.

Sigurohuni që të shikoni hënën e re te Peshqit më 27 shkurt, pasi është një kohë e shkëlqyer për të vendosur synime për fillime të reja, qoftë ndërtimi i lidhjeve më të thella emocionale me të dashurit apo transformimi i situatës suaj të jetesës.

Afërdita në prapavijë më 1 mars, sinjalizon një kohë për të rishqyrtuar atë që ju sjell gëzim, qoftë në aspektin romantik apo në aspektin e përmbushjes tuaj personale. Ju mund të rilidheni me një marrëdhënie romantike të kaluar, e cila, nga ana tjetër, sjell një perspektivë të re në atë që vlerësoni vërtet.

Tensionet rriten në mes të sezonit kur një eklips total hënor në Virgjëreshë ndez shtëpinë tuaj të 10-të të autoritetit, karrierës dhe reputacionit në botë. Kjo jo vetëm që sjell qartësi dhe ndryshime thelbësore që mund të shfaqen në gjashtë muajt e ardhshëm, por edhe një mundësi për të çliruar veten nga ambiciet e vjetëruara në jetën tuaj profesionale, apo ndoshta edhe nga pritshmëritë shoqërore që nuk janë të rëndësishme për suksesin tuaj.

Në fund, sezoni i Peshqve ju fton të krijoni një themel të fortë për veten tuaj duke eksploruar shtresat më të thella të jetës suaj personale dhe profesionale.

Bricjapi

Sa më shumë të lidheni me intuitën tuaj, aq më shumë jeni në gjendje t’i shikoni gjërat qartë.

Sezoni i Peshqve ndez kureshtjen dhe komunikimin tuaj. Kjo do të jetë një kohë për të zgjeruar horizontet tuaja mendore, qoftë duke u zhytur në tema të reja apo duke marrë pjesë në biseda stimuluese intelektuale. Nëse jeni në procesin e të mësuarit të diçkaje të re, shikoni hënën e re në Peshqit më 27 shkurt, pasi ju ofron mundësinë për të filluar me këmbë të mbarë.

Besonjii intuitës tuaj ndërsa filloni këtë kapitull të ri. Mund të ndiheni më seriozë në jetën tuaj gjatë kësaj periudhe dhe të disiplinuar për të mos përmendur dëshirën për të vendosur kufij të fortë në një situatë të veçantë gjatë kësaj periudhe.

Sezoni i Peshqve vazhdon, por me një fokus më të madh në jetën tuaj personale, pasi Afërdita do të jetë në prapavijë më 1 Mars. Nëse papritur ju thirreni të rishikoni çështjet familjare nga e kaluara ose ndoshta të bëni ndryshime në situatën tuaj të jetesës, kjo nuk është rastësi.

Eklipsi total hënor në Virgjëreshë më 14 mars sjell vëmendjen në shtëpinë tuaj të nëntë të udhëtimit, zgjerimit dhe zbulimit të vetvetes, gjë që ju inkurajon të hiqni dorë nga sistemet e ngurta të besimit dhe botëkuptimet që nuk ju shërbejnë. Në fund të fundit, stina e Peshqve është një ftesë për të ushqyer rritjen tuaj intelektuale dhe mirëqenien tuaj emocionale.

Ujori

Mos e zvogëloni vlerën tuaj – ju përbëheni nga yjet.

Sezoni i Peshqve sinjalizon një kohë për të reflektuar mbi gjithçka, nga financat tuaja deri te perceptimi juaj i përmbushjes. Menjëherë pas kësaj, do të ketë një hënë të re të mbarë te Peshqit më 27 shkurt, duke ju paraqitur një fillim të ri dhe një plan të pastër për jetën tuaj.

Më 14 mars, një eklips total hënor në Virgjëreshë do të tronditë shtëpinë tuaj të tetë të bashkimeve, ndërmarrjeve të përbashkëta dhe burimeve të përbashkëta, duke ju nxitur të lini pas bagazhet emocionale ose ngatërresat financiare që nuk ju shërbejnë më.

Nëse jeni larguar nga bisedat e rëndësishme që duhet të zhvillohen, mbani parasysh datën 5 mars, ajo ju ofron një mundësi për të marrë pjesë në një bisedë të thellë me dikë në mjedisin tuaj të afërt dhe, nga ana tjetër, t’i shihni gjërat më qartë. Sezoni i Peshqve ka të bëjë me ristrukturimin e qasjes suaj ndaj botës materiale, duke përqafuar gjithashtu ndryshimin në mjedisin tuaj të afërt dhe stilin tuaj të komunikimit.

Peshqit

Gëzuar ditëlindjen dhe gëzuar një tjetër udhëtim rreth diellit, Peshq!

Nuk është sekret fakti se ky sezon është koha juaj për të ndriçuar, por kuptimi që qëndron pas sezonit tuaj qiellor shkon përtej qëndrimit tuaj në qendër të vëmendjes. Me Mërkurin që noton nëpër shenjën tuaj, mund të ndjeni një ndjenjë të shtuar të vetëdijes intuitive dhe frymëzimit krijues, por kini kujdes datën 19 shkurt. Ajo mund të nxisë dëshirën për liri personale, por tërheqjen ndaj detyrimeve familjare.

Sikur të mos mjaftonte rivendosja energjike e sjellë nga sezoni juaj diellor, do të ketë një hënë të re të mbarë në shenjën tuaj më 27 shkurt, duke ju paraqitur një fillim të ri dhe një plan të pastër në këtë fushë të jetës tuaj.

Mos harroni se ndërsa është e lehtë të rrëmbeheni nga energjia e çuditshme e këtij sezoni, një lidhje midis Mërkurit dhe Neptunit më 2 mars mund të mjegullojë kufijtë midis realitetit dhe idealeve tuaja. Sidoqoftë, kjo është një kujtesë për t’i besuar intuitës suaj pasi ajo është pasuria juaj më e madhe – mund t’ju çojë në një rrugë të papritur shpërblyese.

Gjatë prapavijës së Afërditës (1 mars), mund të ndiheni të thirrur të reflektoni mbi sistemet tuaja të vlerave, ose ndoshta edhe blerjet e kaluara që kanë ndikuar në buxhetin tuaj.

Më 14 mars, një eklips total hënor do të prekë shtëpinë tuaj të shtatë të marrëdhënieve, duke ju nxitur të rivlerësoni themelet e partneriteteve dhe angazhimeve tuaja. Më e rëndësishmja, kjo është një thirrje për t’u çliruar nga nevoja juaj për përsosmëri dhe qëndrimi kritik ndaj marrëdhënieve tuaja.

Më 15 mars merrni kohë për të reflektuar dhe rivlerësuar qasjen tuaj ndaj parave dhe financave. Gjithashtu, largohuni nga investimet e mëdha, të paktën derisa Mërkuri të shkojë në vijë të drejtë. Besojini procesit dhe mbani në mendje – gjithçka do shpaloset për ju në kohën e duhur gjatë këtij sezoni.