zoom

Day ArchiveTragjike në Toronto/ Rrëzohet avioni i pasagjerëve

Një aeroplan është përplasur dhe më pas si duket është rrokullisur në Aeroportin ndërkombëtar Pearson të Torontos në Kanada, dhe për pasojë tetë persona janë plagosur, kanë thënë zyrtarët.

Në një video të publikuar nga televizioni News Channel3 janë parë disa njerëz duke u larguar prej aeroplanit.

Prej tetë të plagosurve, njëri është në gjendje kritike dhe pjesa tjetër kanë lëndime të lehta, kanë thënë zyrtarët.

Aeroporti Pearson i Torontos ka thënë se është në dijeni për incidentin që ka përfshirë një aeroplan të kompanisë Delta, të nisur prej Mineapolisit, dhe që ekipet e emergjencës janë të angazhuara në këtë rast.

“Një aeroplan është përplasur. Megjithatë, nuk i dimë shkaqet që kanë çuar deri këtu”, ka thënë Sarah Patten e rajonit policor të Ontarios.

Incidenti në Kanada ka ndodhur pak kohë pas disa incidenteve të ngjashme në Amerikën e Veriut në fund të janarit.

Një helikopter ushtarak është përplasur me një aeroplan pasagjerësh në Uashington, duke vrarë 67 persona, ndërsa të paktën shtatë të tjerë kanë vdekur pas rrëzimit të një aeroplani transportues në Filadelfia.

Shakira anulon koncertet, shtrohet në spital

Këngëtarja kolumbiane Shakira ka anuluar koncertin e saj në Peru për shkak të problemeve shëndetësore.

Në një postim në Instagram, ajo ka deklaruar se aktualisht ndodhet e shtruar në spital dhe se mjekët e kanë njoftuar se gjendja e saj fizike nuk e lejon të performojë.

Në deklaratën e saj në rrjetet sociale, Shakira tha se shpreson të shërohet së shpejti.

“Plani im është që ta bëj këtë koncert sa më shpejt. Ekipi im dhe menaxheri tashmë janë duke punuar për një datë të re”, tha ajo.

Këngëtarja mbërriti në Peru të premten mbrëma, ku kishte planifikuar të performonte të dielën dhe të hënën. Peruja është ndalesa e dytë në Amerikën Latine, pas dy koncerteve në Brazil javën e kaluar.

Shakira po bën një turne nëpër botë me qëllim promovimin e albumit të saj të fundit, Las Mujeres Ya No Lloran, në të cilin ajo flet për divorcin e shumëpërfolur nga Gerard Pique.

Turneu do të vazhdojë në Maj dhe Qershor në SHBA.

Një javë shumë dinamike ka nisur për këto shenja të horoskopit

Dashi
Yjet ju ndihmojnë të gjeni diçka kuptimplote brenda vetes për ta mbështetur. Kjo do të parandalojë që çështje të tjera më pak të rëndësishme t’ju shpërqendrojnë. Qoftë dashuria, karriera apo pjesë të tjera të jetës suaj, zgjidhni të lulëzoni. Gjysma e dytë e javës mund të sjellë disa sfida të paparashikuara, por edhe këto do t’ju forcojnë aty ku duhet. Marsi në Gaforre do t’ju ndihmojë të bëheni më inteligjent emocionalisht në veprimet dhe vendimet tuaja.

Ujori
Ka dy gjëra këtë javë: jeta e përditshme do të jetë paksa e paparashikueshme – qoftë një mbledhje që nuk e prisnit, një udhëtim që gjithashtu nuk e prisnit, apo një festë në të cilën keni qenë të ftuar. Gjërat bëhen pak më serioze këtë fundjavë, kështu që fuqia juaj do të çlirohet, duke ju lejuar të ndiqni ëndrrat tuaja dhe t’i arrini ato. Mos e dyshoni veten tani. Gjithçka do të shkojë bukur nëse keni besim të thellë në aftësitë tuaja.

Peshqit
Horoskopi juaj këtë javë ju inkurajon të jeni më poetikë dhe të menduar. Nëse nuk mbani një ditar, tani është një kohë e mirë për të filluar. Njohuritë që kapni do të bëhen të dukshme me kalimin e ditëve. Do të gjeni gjithashtu talente të fshehura që dalin nga brenda jush. Për disa prej jush, jeta juaj e dashurisë do të përfitojë nga kjo. Ditëlindja juaj po afron, ndaj përfitoni nga gjërat pozitive të kësaj kohe.

Fenomeni shqetësues përsëritet/ Gazetarja Glidona Daci sulmohet me gjuhë denigruese online

Një fenomen shqetësues, gjuha denigruese dhe e urrejtes është përsëritur ndaj gazetares, Glidona Daci.

Një profil i rremë në Facebook i krijuar së fundmi dhe që mban emrin e një personazhi anonim ka hedhur aludime dhe ka përdorur epitete fyese për të ulur figurën e Dacit.

Përveç shkrimit denigrues ndaj gazetares Daci, i njëjti profil ka publikuar shkrime të ngjashme edhe ndaj personazheve të tjerë publikë, mes të cilëve gazetare gra.

Në një bisedë me BIRN, gazetarja e Klan News, Glidona Daci tha se sulmi kishte lidhje me punën e saj dhe konkretisht komentet e bëra së fundmi në televizion mbi çështje në hetim nga Prokuroria e Posaçme, sektor të cilin ajo e mbulon. Gazetarja është shprehur se çështjen do ta ndjekë përmes autoriteteve, ndërsa ka shprehur keqardhjen për ndikimin dhe shqetësimin që një sulm i tillë, mund t’u shkaktojë familjarëve të saj.

“Në një klimë të tensionuar politike, vërejmë me alarm rritjen e gjuhës së urrejtjes, intimidimit dhe përpjekjeve për të denigruar gazetarët. Roli i tyre është të raportojnë mbi zhvillimet e përditshme, përfshirë ato të drejtësisë, dhe askush nuk duhet t’i frikësojë apo t’i pengojë në ushtrimin e detyrës së tyre për të sjellë të vërtetën, cilado qoftë ajo,”- tha Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Sulmet denigruese dhe ngacmimet online ndaj gazetareve gra, bazuar në gjininë e tyre, janë të përsëritura. Përmes një deklarate të shpërndarë të hënën, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shprehu shqetësimin e thellë për shtimin e sulmeve online ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, gjatë ditëve të fundit./ Zoom.al

Përgjaken rrugët e vendit/ Tjetër aksident me vdekje

Një tjetër aksident me vdekje ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Thumanë në Krujë, ku një automjet ka përplasur një këmbësor.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se shtetasi me iniciale D. S., rreth 32 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin me iniciale G. Gj., rreth 36 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Blutë bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit është shoqërar në komisariat, për veprime të metejshme procedurale.

Kujtojmë se disa aksidente të tjera me pasoja fatale kanë ndodhur gjatë ditës në të gjithë vendin. Si pasojë kanë humbur jetën pesë persona dhe plagosur disa të tjerë.

DVP Tiranë/Informacione paraprak

Krujë/Më datë 17.02.2025, rreth orës 19:15, në fshatin Thumanë, Krujë, automjeti me drejtues shtetasin D. S., rreth 32 vjeç, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin G. Gj., rreth 36 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit po shoqërohet për në Komisariat, për veprime të metejshme procedurale.

Takimi emergjent në Paris/ Çfarë diskutuan liderët europianë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje të hënën për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara sa i përket përgjegjësisë dhe garantimit të sigurisë për Ukrainën.

Ai i ka bërë këto komente pak orë pas deklarimeve të zyrtarëve amerikanë se Bashkimi Evropian mund të mos konsultohet për nisje të bisedimeve për paqe me Rusinë, me qëllim të dhënies fund të luftës në Ukrainë.

“Nuk duhet të ketë ndasi për sigurinë dhe përgjegjësinë në mes të Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë Scholz për gazetarët, pas mbajtjes së një samiti urgjent evropian në Paris.

“Me fjalë tjera, NATO-ja funksionon mbi faktin se ne veprojmë gjithmonë së bashku dhe ndajmë rrezikun, dhe kështu edhe garantojmë siguri. Kjo nuk duhet të vihet në pikëpyetje”, ka thënë mes tjerash Scholz.

Përveç Scholzit, pjesë e takimit ka qenë kryeministri britanik Keir Starmer, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, si nikoqir i takimit.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë pas takimit se duhet të ekzistojnë garanci amerikane të sigurisë pas arritjes së paqes në Ukrainë, pasi ato janë e vetmja mënyrë për t’u siguruar që Rusia nuk do të sulmojë më Ukrainën.

Ai ka thënë se do të shkojë javën tjetër në Uashington për të takuar presidentin amerikan, Donald Trump dhe për të diskutuar “ata që i konsiderojmë elementë kyç për paqe afatgjatë”.

Ai ka thënë se do të bisedojë edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në ditët në vijim.

“Ne duhet ta pranojmë epokën e re në të cilën jemi, të mos endemi të pashpresë në të kaluarën. Është koha të marrim përgjegjësi për sigurinë tonë, për kontinentin tonë”, ka thënë ai, duke treguar se e ka bërë të qartë se Britania do të jetë në krye të përgjegjësisë.

Ai është pyetur nëse SHBA-ja e ka minuar rolin e Britanisë, Evropës dhe Ukrainës, duke nisur njëanshëm bisedime me Rusinë.

Starmer ka thënë se SHBA-ja është në kërkim të paqes afatgjatë, dhe atë e dëshirojnë edhe Britania, edhe aleatët evropianë, edhe Ukraina.

Sipas tij, është e rëndësishme që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm kur të nisin bisedimet.

Sipas tij, garancitë e sigurisë “duhet të jenë një pako e përkrahur nga SHBA-ja, sepse ndryshe nuk mendoj që do të shihen si garanci, meqë nuk do të jenë masë efektive parandaluese”.

I pyetur për garancitë amerikane, Starmer ka thënë se diskutimet janë në faza të hershme.

Starmer e ka përmendur sërish se Britania ka gatishmëri të angazhojë trupa në Ukrainë, në cilësinë e paqeruajtësve, nëse arrihet paqja.

Kancelari gjerman e ka quajtur shumë të hershëm diskutimin për dërgimin e forcave evropiane paqeruajtëse në Ukrainën.

“Jam pak i irrituar nga këto debate”, ka thënë Scholz pas takimit me liderët evropianë.

Sipas tij, ky diskutim nuk po bëhet në kohën e duhur, sepse ende nuk është arritur paqja, por Ukraina është në mesin e një lufte brutale të nisur nga Rusia.

Scholz ka thënë se është krejtësisht kundër dërgimit të ushtarëve në Ukrainë pa përfshirjen amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka tronditur Ukrainën dhe aleatët evropianë javën e kaluar, kur ka bërë të ditur se ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë do të takohen të martën në Arabinë Saudite.

Këto diskutime të nivelit më të lartë në vjetët e fundit pritet të pasohen me një takim mes Trumpit dhe Putinit.

Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, është takuar të hënën me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Riad, me Këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarin amerikan për Lindje të Mesme, Steve Witkoff, si pjesë e ekipit negociator të SHBA-së.

Në anën ruse do të marrin pjesë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe Këshilltari për politikë të jashtme, Yuri Ushakov.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se bisedimet do të përcaktojnë nëse rusët janë seriozë për bisedime të paqes.

Kremlini ka thënë se bisedimet do të fokusohen në “përmirësim të marrëdhënieve komplekse ruso-amerikane”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që është për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për takime.

“Ukraina e konsideron secilën negociatë për Ukrainën, pa Ukrainën, pa asnjë rezultat dhe nuk mund të njohë asnjë marrëveshje për ne, pa ne”, u ka thënë ai gazetarëve.Rel/

Investimi për rrugën Thumanë-Kashar nuk gjendet në bilancet e koncesionarit

Autoritet raportojnë se ndërtimi i autostradës Thumanë-Kashar, ka kushtuar mbi 330 milionë euro, 62 milionë euro më shumë se vlera e parashikuar në kontratën koncesionare. Në bazë të kësaj shifre, ndërtimi për 1 kilometër të kësaj rruge llogaritet të ketë kushtuar 15.8 milion euro.

Një tjetër shqetësim është ndryshimi i papritur i modelit financiar të projektit. Sipas studimit të ri të Fizibilitetit, norma e kthimit të investimit është rritur nga 7.6% në 8.11%, duke çuar vlerën totale të investimit nga 445 milionë euro në 1.3 miliardë euro për 35 vitet e ardhshme. Ky ndryshim i kushtuar koncesionarëve ka ngjallur dyshime për mundësinë e abuzimeve me fondet publike, pasi fitimet e palëve private janë rritur ndjeshëm, ndërsa qytetarët do të paguajnë tarifat për kalimin në këtë autostradë.

Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania koncesionare “G2 Infra” ka raportuar shpenzime të ulëta, përkundër vlerës së lartë të investimeve, duke ngritur dyshime të forta nga ekpertët për abuzime të mundshme me fondet dhe për manipulime me dokumentet financiare.

Projekti i 1 miliard eurove

Ende e papërfunduar tërësisht, autostrada Thumanë-Kashar, u hap për qarkullimin e automjeteve në fund të qershorit 2024. Prej datës 4 janar në këtë segment ka nisur aplikimi i tarifave të kalimit. Autoveturat të klasifikuara si kategoria 2 do të paguajnë 2.5 euro, kategoria 3 ku përfshihen kamionët e autobusët do të tarifohen me 6.25 euro dhe 1.75 euro është tarifa për mjetet e lehta të llojit motoçikleta.

Ideja për ndërtimin e një autostrade që do të dublonte një pjesë të rrugës së vjetër Fushë Krujë-Thumanë dhe atë të aeroportit të Tiranës lindi 7 vjet më parë, pas prezantimit të programit “One Billion Investment” nga kabineti i dytë i socialistëve që sapo kishte fituar zgjedhjet. Projekti parashikonte angazhimin 1 miliard eurove kapital të kompanive private për të investuar para të tyre në infrastrukturë rrugore dhe aeroporte, investime që pasi të kalonin 30% të vlerës të kostos së projektit, do të paguheshin nga shteti me këste për 13 vjet. Firmat në këtë rast do të kishin përgjegjësinë edhe të mirëmbajtjes së rrugës, bashkë me projektimin, zbatimin dhe dorëzimin në fund të veprës për palën shtetërore.

Pjesë e propozimeve të pakërkuara për programin “One Billion Project Financing” ishte dhe ndërtimi i një autostrade me gjatësi 20.8 kilometra që do të lidhte Thumanën me Kasharin, aks që më pas do të vijohej me rrugë të tjera pjesë të “Korridorit Blu” siç është segmenti Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.

Pasi mori bonusin 8.5 pikë nga Këshilli i Ministrave në mars të vitit 2018 pas një oferte të pakërkuar që kishte dorëzuar më parë, kompania Gener 2 u shpall fituese në garën e hapur për ndërtimin e këtij segmenti, por kontrata përfundimtare nuk u nënshkrua dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) anulloi fondet në janar të vitit 2019. Firma më pas fitoi të drejtën në Gjykatën Administrative të Apelit për të detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që të përcillte propozimin për lidhjen e kontratës në qeveri.

Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kontrata e re u nënshkrua duke dalë jashtë termave të referencës së tenderit pasi u zgjat në kohë dhe modeli i financimit u ndryshua në pagesa direkte për qytetarët nga kosto buxhetore.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha në një kërkesë për informacion se vlera e investimit e dorëzuar nga kompania koncesionare është 330 milion euro, por ky raportim nuk është bërë pranë ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve. MIE refuzoi të vendosë në dispozicion të Shteg situacionet e dorëzuara nga koncesionari dhe pas një vendimi detyrues të Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të dhënë dokumentacionin. Në shkelje të kontratës ministria nuk ka përzgjedhur ende Inxhinierin e Pavarur, por vetëm supervizorë të përkohshëm, emrat e të cilëve sërish u refuzuan të jepeshin në mënyrë që të kontaktoheshin nga “shteg.org”.

Sipas vlerave që janë raportuar në bilancet e firmës koncesionare të ngritur për zbatimin e kontratës së koncesionit “G2 Infra”, shpenzimet totale për vitin 2022 janë 12 mijë euro, ndërsa për vitin 2023 nuk e kalojnë vlerën 20 mijë euro.

MIE nuk iu përgjigj as kërkesës së “shteg.org”, nëse vlera e deklaruar e investimeve për aksin Thumanë-Kashar është bërë nga kompania koncesionare “G2 Infra”, ndërsa vetë kompania nuk komentoi asnjë nga këto çështje.

Misteri i vlerës së investimit

Kontrata koncesionare e miratuar në maj të vitit 2022 nga Këshilli i Ministrave, specifikon se vlera e investimeve kapitale për punimet në segmentin Thumanë-Kashar duhet të jetë 224.3 milion euro pa tvsh, ç’ka do t’i takonte një shume totale me tvsh prej 268 milion euro, ndërsa në vitin e 16-të parashikohet një rinvestim sa 70% e kostos së punimeve.

Në miratimin e kontratës finale nga Këshilli i Ministrave mungon modeli financiar i koncesionit bashkë me Studimin e Fizibilitetit, aneks që dhe pse gjendet bashkëlidhur, rezulton vetëm një faqe e bardhë e firmosur dhe vulosur nga palët. Studimi i ri është ai që do të përcaktonte modelin financiar, vlerën e investimit, riinvestimin dhe interesin që përllogarit koncesionari për paratë e investuara në këtë vepër. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu përgjigj një kërkesë për informacion nga “shteg.org” për të vënë në dispozicion Studimin e ri të Fizibilitetit dhe pas një ankese te Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit u mjaftua duke thënë se “Studimi është miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr. 2391/3 prot., datë 10.03.2022”. Ministria e Financave po ashtu refuzoi të japë Studimin e ri të Fizibilitetit edhe pas vendimi të Komisionerit për të Drejtën e Informimit i cili i la afat deri më 30 janar 2025.

“Kontratës që është botuar i mungojnë disa anekse që janë pjesë integrale, Studimi i Fizibilitetit, plani i biznesit dhe oferta, këto janë bosh. Kjo është një problematikë e jashtëzakonshme për institucionet publike shqiptare. Nuk dimë sa është norma e kthimit të investimit (IRR) dhe as vlera aktuale neto e projektit (NPV), që janë kushte thelbësore për të bërë Studimin e Fizibilitetit sipas ligjit”, tha Azmi Stringa, pedagog në Universitetin e New York-ut në Tiranë.

“Shteg.org” arriti që të sigurojë një kopje të Studimit të ri të Fizibilitetit në rrugë konfidenciale, nga ku duket se norma e interesit për investimin e koncesionarit është rritur nga 5.1% në 6% dhe po ashtu dhe norma e kthimit të investimit është 8.11%, nga 7.6% që ishte në studimin e vjetër. Në modelin financiar të vjetër të koncesionit, buxheti i shtetit do të paguante në total 445 milion euro për investimin 244 milion euro pa tvsh, ndërsa sipas projeksioneve të modelit të ri, në fund të 35 viteve koncesionari do të arkëtojë 1 miliard e 307 milion euro pa tvsh, ose mesatarisht 37 milion euro në vit. Nëse llogaritet kosto e investimit, interesit, mirëmbajtjes rutinë dhe operative dhe rinvestimit në vitin e 16, kompania koncesionare do të fitojë nga kjo kontratë 575 milion euro në total, ose 16.5 milion euro në vit.

“Po të krahasohet me të tjera rrugë që qeveria ka dhënë me koncesion, vlera e investimit është shumë e lartë po të kemi parasysh dhe kushtet teknike që është terren fushor dhe nuk ka nevojë për gërmime, por vetëm për mbushje”, u shpreh Romeo Nazarko, inxhinier gjeolog.

“Shteg.org” iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të vënë në dispozicion vlerën e punimeve për rrugën Thumanë-Kashar në bazë të situacioneve që ka dorëzuar kompania koncesionare, por ministria nuk ktheu përgjigje as pas vendimit të Komisionierit për të Drejtën e Informimit i cili detyroi institucionin të vendosë në dispozicion informacionin brenda datës 25 nëntor 2024. Në datën 6 janar 2025 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha në një përgjigje se vlera e investimit e deklaruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në çertefikatën e përfundimit të punimeve është 330 milion euro me TVSH, 62 milion euro më shumë se detyrimi në kontratën koncesionare. Ministria e Infratrukturës dhe Energjisë refuzoi të verë në dispozicion investimin të ndarë në vite dhe kopjet e situacioneve të punimeve të deklaruara nga kompania.

“Këto janë çmime të frikshme sepse nuk justifikohet po të krahasohet me rrugët që janë bërë dhe ato që po bëhen, si ka mundësi që të jenë 5 herë më shumë?! Kjo vlerë nuk e justifikon këtë rrugë sepse çmimi si i hekurit, betonit dhe fuqisë punëtore nuk është 5-fishuar. Greqia ka ndjekur të njëjtën praktikë të ndërtimit të rrugëve me koncesion duke aplikuar tarifën, por janë distanca të gjata, ndërsa Thumanë-Kashar vetëm për 20 kilometra është 2.5 euro”, tha Romeo Nazarko, inxhinier gjeolog.

Pavarësisht se vlera e deklaruar e punimeve është 330 milion euro, bilancet e firmës koncesionare “G2 Infra” tregojnë se për 2 vite shpenzimet totale kanë qënë 32 mijë euro, ndërsa nga pasqyrat financiare të firmës zotëruese të koncesionit “Gener 2” fluksi i investimeve për kompani të lidhura del negativ duke nënkuptuar se asnjëra prej tyre nuk ka qënë financuesi i punimeve të rrugës. Bilanci i kompanisë për vitin 2024 ende nuk është depozituar në “Qendrën Kombëtare të Biznesit”, por punimet për Thumanë-Kashar sipas një deklarate publike të ministres Belinda Balluku në janar 2024 ishin kryer 65%, duke nënkuptuar se në bazë të vlerës së deklaruar, në pasqyrat financiare duhet të ishin deklaruar 214.5 milion euro.

“Bilanci i kompanisë mëmë të koncesionit nuk jep asnjë informacion për autoritetet për të monitoruar zbatimin e projektit, prandaj krijohet një shoqëri e dedikuar që kryen vetëm atë funksion dhe pasqyrat financiare të saj tregojnë në mënyrë të qartë të dhënat. Ky është një problem strukturor për të gjitha shoqëritë koncesionare në Shqipëri, të cilat e bëjnë të pamundur zbatimin dhe monitorimin e kontratave si nga autoriteti kontraktor ashtu dhe nga Ministria e Financave. Këto autoritete nuk duhet të bëjnë asnjë pagesë apo të lejojnë pagesat e qytetarëve ndaj koncesionit, por duhet ta dërgonin kontratën për ndjekje dhe monitorim për sa kohë nuk ka pasqyra financiare të hartuara në përputhje me ligjin dhe të audituara.” sqaron pedagogu Stringa.

Ministria nuk raporton koncesionin Thumanë-Kashar

Çdo vit Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) prodhon një raport vjetor mbi ecurinë e kontratave koncesionare, i cili tregon ecurinë e projekteve, implikimet buxhetore dhe ndarjen e risqeve mes shtetit dhe privatit. Detyrat për Atrako-n janë përcaktuar në vendimin e prillit të vitit 2020 të Këshillit të Ministrave pas rekomandimeve që dha Fondi Monetar Ndërkombëtar i shqetësuar mbi ekspozimet që merrte buxheti nga kontratat koncesionare.

Në raportin vjetor të vitit 2022 dhe 2023 të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve mungon ecuria e kontratës Thumanë-Kashar. Në një përgjigje për Shteg, zyrtarë të kësaj agjencie thanë se raportimi nuk është bërë pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka dorëzuar të dhënat për këtë kontratë.

Bashkë me raportin vjetor të ecurisë së kontratave koncesionare i cili i vihet në dispozicion Kuvendit gjatë miratimit të buxhetit faktik, Ministria e Financave përllogarit çdo vit shumën e implikimeve buxhetore dhe pagesat që duhen bërë për kontratat koncesionare që kanë këtë mbështetje buxhetore.

Koncesioni i aksit Thumanë-Kashar garanton fluksin e mjeteve që kalojnë në këtë rrugë për 8 vitet e para, ku nëse nuk arrihet një minimum prej 26.85 milion euro vitin e parë, buxheti i shtetit do të paguajë diferencën deri në vlerën 8 milion euro. Në total, nëse ka një trafik jo sipas parashikimit, Autoriteti Kontraktor garanton 22.8 milion euro për 8 vitet e para të operimit.

Të dhënat për fluksin e mjeteve dhe ecuria e investimit të veprës nuk është dorëzuar, duke bërë që dhe Ministria e Financave të mos e përfshijë koncesionin Thumanë-Kashar në raportin e buxhetit 2025 të dorëzuar në Kuvend, siç është detyrimi për raportimin e kontratave që kanë mbështetje buxhetore. Raportimi i pagesave të buxhetit bazohet mbi rregullin se shuma e përgjithshme e transfertave që kryhen nga qeveria për kontratat koncesionare apo partneritet publik privat, nuk duhet të kalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Në përgjigje të një kërkese për informacion të dërguar nga “shteg.org”, Minsitria e Financave tha se ecuria e kontratës Thumanë-Kashar “nuk është përfshirë në Raportin Vjetor të Përmbledhur për arsye se Autoriteti Kontraktues nuk ka raportuar në lidhje me këtë kontratë koncesionare.” Inxhinieri i pavarur mbahet “sekret”.

Në bazë të kontratës koncesionare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të merrte masa për të hapur garën në mënyrë që të të përzgjidhte një kompani që do të kryente rolin e Inxhinierit të Pavarur 30 ditë pas nënshkrimit të kontratës dhe miratimit të saj në qeveri.

Detyrat e mbikëqyrësit të punimeve lidhen me miratimin e situacioneve që dorëzon kompania, cilësinë e punimeve dhe përmbajtjes nga pala e koncesionarit të detyrimeve që ka marrë përsipër në kontratë. Përpara se situacionet e punimeve për vlerën e investimit të dorëzohen pranë Autoritetit Kontraktor, ato duhet të miratohen nga superviziori.

“Në inxhinieri ka faza, faza e parë është projekt-ideja, faza e dytë është projekti bashkë me studimin nga gjeologët dhe gjeodetët dhe më pas bëhet projekti përfundimtar. Gjatë punimeve ka supervizor të jashtëm që i mbikëqyr ato, pastaj i fundit është kolauduesi që përcakton e merr ose jo në dorëzim veprën.” thotë inxhinieri gjeolog Romeo Nazarko.

Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se gara për përzgjedhjen e një operatori që do të kryente rolin e Inxhinierit të Pavarur për kontratën koncesionare Thumanë-Kashar u hap në datën 9 janar 2023 por procedura u anullua. Ndërsa kur rruga u hap për qarkullim në qershor 2024 supervizori i punimeve nuk ishte përzgjedhur akoma. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shfrytëzuar një hapësirë në kontratë, ku nëse mungon përzgjedhja me tender e mbikëqyrësit, mund të caktohen disa persona përgjegjës me urdhër të ministrit.

Në një përgjigje për “shteg.org”, MIE tha se përmes “Urdhrit të Ministrit nr. 267, datë 11.11.2022 janë caktuar supervizorët e përkohshëm për këtë kontratë koncesioni.”

Caktohen individë që bëjnë mbikëqyrjen e punimeve për të garantuar që vlera e investimeve të kryera dhe cilësia e punimeve sipas parashikimeve të Studimit Fizibilitetit, kontratës dhe planit të biznesit është kryer.

Fitorja në gjykatë dhe ndryshimi i termave

Në janar të vitit 2019 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërpreu dhënien e koncesionit të projektit Thumanë – Fushë Krujë – Vorë – Kashar duke argumentuar se fondet buxhetore për mbështetejen tij do të financonin Paktin për Universitetin. Në dimrin e vitit 2018 protestat studentore përfshinë Tiranën dhe në një lëvizje politike kryeministri Edi Rama shkarkon 7 ministra të rëndësishëm të kabintetit të tij bashkë me zv/kryeministren.

Paralelisht me protestat e studentëve një tjetër skandal implikon qeverinë, ku një kompani e prezantuar si amerikane me bazë në shtetin Delaware kishte falsifikuar firmën e sekretarit të këtij shteti dhe kishte depozituar dokumenta të rremë për të përfituar një kontratë me vlerë 18 milion euro për ndërtimin e segmentit të Unazës së Madhe “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja”. Investigimet mediatike sugjeronin se kompania pas firmës amerikane ishte “Gener 2”, fituese e kontratës koncesionare Thumanë-Kashar.

Urdhri i firmosur nga ministrja Belinda Balluku e sapoardhur në detyrë u kundërshtua në gjykatë nga shoqëria koncesionare dhe në përfundim të gjykimit, Gjykata Administrative e Apelit vendosi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë që linte në fuqi urdhrin për ndërprejrjen e procedurës dhe detyroi Ministrinë e Infrastrukturës së Energjisë të vijonte veprimet administrative për t’i përcjellë Këshillit të Ministrave për miratim draft-kontratën e koncesionit. Vendimi i gjykatës nuk kishte si qëllim dhënien e orientimit për të udhëzuar qeverinë që të miratonte draft-kontratën koncesionare, por përcaktonte detyrimin e ministrisë për ta përcjellë në Këshillin e Ministrave propozimin dhe ky organ do të vendoste nëse kontrata do të miratohej ose jo. Vendimi nuk u ankimua në Gjykatën e Lartë nga pala e shtetit.

Vendimi i Gjykatës Administrative i marrë në korrik të vitit 2021 u vu menjëherë në lëvizje nga Shërbimi Përmbarimor dhe pas kësaj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjië informoi koncesionarin se në programin buxhetor afatmesëm nuk ka fonde të planifikuara për këtë kontratë koncesionare.

Pas disa takimeve kompania “Gener 2” propozon një Studim të ri Fizibiliteti për ndërtimin e rrugës me fonde të veta ku të ardhurat më pas do të mblidheshin nga tarifa dhe jo nga buxheti i shtetit. Pasi palët ranë dakord, qeveria miraton kontratën më 22 maj të vitit 2022.

Procedura e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Këshilli i Ministrave i cili e ka autorizuar atë për të negociuar një Studim të ri Fizibiliteti është në kundërshtim me ligjin “Për Partneritin Publik Privat”, i cili specifikon se në rastet kur ndryshojnë kushtet thelbësore të kontratës që nuk parashikohen në dokumentacionin e tenderit, kërkohet zbatimi i një procedure të re të dhënies së koncesionit.

Termi “kushtet thelbësore” i referohet në veçanti elementëve të cilët do të kishin bërë të mundur që ofertuesit e tjerë në garë të dorëzonin një ofertë financiare të ndryshme.

“Vendimi i gjykatës lidhet me vazhdimin e procedurës, e cila ishte shpallur fituese në kushtet që ishte shpallur procedura e prokurimit. Ndryshimi thelbësor i kushteve të kontratës, i transferimit të risqeve nga privati te shteti, apo ndryshimi i normave dhe kohëzgjatjes – të cilat do të bënin që ofertuesit të jepnin oferta të ndryshme po të ishin në dijeni të kësaj situate – do të kërkonte një procedurë të re prokurimi dhe jo ndryshim kontrate. Nuk e dimë nëse një tjetër kompani do të propozonte një tarifë më të ulët duke lehtësuar xhepin e kalimtarëve që kalojnë aty. Për më tepër procedura duhet të kalonte në të gjitha fazat fillestare, që nga Komisioni i Dhënies me Koncesion, miratimi nga Autoriteti Kontraktor marrja e miratimit nga Ministria e Financave dhe më pas te Këshillit të Ministrave për procedurën e miratimit të bonusit të pikëve në garë.” – sqaron Stringa.

Gjendja e rrugës nga fillimi

Edhe pse ka nisur që prej datës 4 janar aplikimi i pagesës, rruga nuk ka përfunduar tërësisht. Në hyrje dhe dalje të segmentit mungon ndriçimi, ndërsa izolimi me barriera akustike në zonat e banuara nuk është bërë i plotë.

Cilësia e punimeve në aksin Thumanë-Kashar është e diskutueshme, pasi autostrada që ka një shpejtësi maksimale 130 km/h, ka disnivele në disa zona që bëjnë lidhjen e shtratit të rrugës me ura dhe në disa vende shtresat asfaltike janë çarë.

“Problemet me disnivelin e urave janë për shkak të kuotave që ka dhënë inxhinieri dhe janë gabime teknike, por paraqesin rrezik për mjetet që qarkullojnë me shpejtësi të lartë. Ndërsa çarjet vijnë sepse punimet janë bërë në mënyrë të nxituar dhe nuk është ngjeshur si duhet bazamenti i rrugës. Nëse nuk respektohet koha e hedhjes së asfaltit është abuzuar në cilësinë e punimeve për shkak se ngjeshja e shtresave të rrugës është proces që duhet respektuar, në të kundërt ka degradim dhe shembje të pjesshme.” – thotë inxhinieri Romeo Nazarko.

Në datën 4 janar 2024 shoqëria koncesionare “G2 Infra” njoftoi nisjen e aplikimit të pagesës për automjetet që kalojnë në këtë aks. Drejtuesit kanë mundësi të zgjedhin rrugën alternative të vjetër për në Thumanë, por sinjalistika e vendosur përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe aksit Thumanë- Lezhë, nuk orienton si drejtuesit e mjeteve për të përdorur rrugën alternative. Përgjatë autostradës Tiranë-Durrës tabela që orienton kalimtarët për të shkuar në Shkodër dhe Prishtinë ndodhet pasi kalon nyjen dalëse për në rrugën e aeroportit, ndërsa tabela që njofton për pagesën në rrugë është disa metra më poshtë.

Sipas projeksioneve të hartuara në kontratën koncesionare mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe koncesionarit “Gener 2”, parashikohet që rruga të gjenerojë vitin e parë të ardhura totale nga tarifa në vlerën 26.85 milion euro, duke i korrespoduar një trafiku prej afërsisht 29 mijë mjetesh në ditë, të dhëna që sipas asaj që ka raportuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë periudhës së testimit tën rrugës, janë kaluar me 1 mijë mjete më shumë. Pavarësisht kësaj, Ministria e Infrastrukturës dhe as kompania koncesionare nuk vuri në dispozicion të “shteg.org” informacion zyrtar mbi fluksin e kalimit të mjeteve në këtë aks./ Shteg

Çfarë duhet të shihni patjetër/ Filmat më të vlerësuar të BAFTA-s

Filmi “Conclave” triumfoi në ceremoninë e Çmimeve “Bafta 2025”,duke rrëmbyer katër çmime, përfshirë “Filmin më të mirë” dhe “Filmin më të mirë britanik”.

prodhimi kinematografik pati një ndikim të jashtëzakonshëm dhe u vlerësua për performancat e jashtëzakonshme dhe mesazhin e tij të fuqishëm.

Regjia më e mirë shkoi për Edëard Berger, për filmin “Conclave”, ku dalloi qasja e tij origjinale dhe përpjekjet për të pasqyruar sfida shoqërore të rëndësishme. Në fjalën e tij regjisori theksoi rëndësinë e kinemasë në kohët e krizës së demokracisë.

Adrien Brody mori çmimin e “Aktorit më të mirë” në filmin “The Brutalist”. Performanca e tij shumëdimensionale e bëri më të bindshëm çdo dyshim se ai ishte një nga aktorët më të vlerësuar të vitit.

Ndërsa aktorja më e mirë u vlerësua Mikey Madison, për rolin e saj në filmin “Anora”, një interpretim i fuqishëm që theksoi talentin e saj në një rol kompleks dhe emocionues.

Këtë vit mes kandidaturave Zoe Saldana fitoi çmimin për “Aktoren më të mirë në rol dytësore” e ndjekur nga “Aktori më të mirë në rol dytësor” Kieran Culkin.

Ceremonia e çmimeve “Bafta” u mbajt në Sallën e “Royal Festival Hall” në Londër. Pjesëmarrës dhe të ftuar ishin emra të njohur të industrisë së filmit dhe muzikës të cilët u nderuan për arritjet tyre në kinematografi për vitin që lamë pas.

Panik në Greqi, dy tërmete të tjerë të fuqishëm godasin Santorinin

Ishulli i Santorinit në Greqi vazhdon të goditet nga tërmetet e njëpasnjëshme, që prej fundit të janarit.

Këtë të hënë, dy lëkundje të tjera sizmike të fuqishme janë raportuar, duke treguar se situata nuk është qetësuar ende.

Sipas të dhënave nga autoritetet, tërmetet ishin me magnitudë 5.1 dhe 4.1 të shkallës Rihter.

Greqia do të ndërtojë një port evakuimi në ishullin e Santorinit për të garantuar sigurinë e banorëve dhe turistëve në rast të një tërmeti të fuqishëm, shkruajnë mediat greke.

Shumë prej banorëve dhe turistëve kanë braktisur ishullin nga frika e paniku.

E rëndë! Arbitri shqiptar ndahet nga jeta në moshë të re

Një arbitër nga Kosova u nda nga jeta këtë të hënë. Rilind Berisha, i cili aktivizohej edhe si futbollist, humbi jetën në moshën 27-vjeçare.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e dha Federata e Futbollit të Kosovës, ndërsa kryetari i FFK, Agim Ademi përcolli një mesazh ngushëllimi.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Rilind Berisha, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ikja e hershme nga kjo botë e një personaliteti të përkushtuar ndaj futbollit, siç ishte Rilindi, ka trishtuar të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë. Ju si familje duhet të gjeni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta kujtoni atë përherë me krenari.
Rilindi ishte një futbollist i përkushtuar, por edhe një gjyqtar premtues, i cili dha kontribut të çmuar në ndarjen e drejtësisë në Ligën e Dytë”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.