Aplikacion
Fushata e Presidentit Donald Trump dhe këshilltarit të tij Elon Musk për shkurtime radikale të punonjësve të qeverisë amerikane, u zgjerua më tej të premten me humbjen e vendeve të punës të mijëra punonjësve që punonin në sektorë të shumtë, që nga armatimi bërthamor i vendit dhe deri tek kujdesi për veteranët.
U shkurtuan rreth 1,200 deri në 2,000 punonjës të Departamentit të Energjisë, përfshirë qindra punonjës të zyrës që mbikëqyr rezervat e armatimit bërthamor, i thanë të premten agjencisë së lajmeve Reuters persona në dijeni të çështjes.
Kjo iu shtua valës së shkurtimeve në departamente si atë të Çështjeve të Veteranëve, Departamentin e Arsimit dhe Administratën e Biznesit të Vogël.
Zyrtarët e Zyrës së Menaxhimit të Personelit, që mbikëqyr punësimin federal, u takuan me agjencitë të enjten, duke i këshilluar të shkarkonin punonjësit në periudhë prove, sipas një personi në dijeni të çështjes.
Sipas të dhënave të qeverisë, rreth 280 mijë punonjës, nga totali prej 2.3 milionë punonjësish civilë të qeverisë federale, u punësuan gjatë dy viteve të fundit, që do të thotë se shumica janë ende në periudhë prove dhe mund të shkurtohen më lehtë.
Veprimet në Byronë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit sinjalizojnë se është vendosur në objektiv një gamë më e gjerë personash se thjesht punonjësit në periudhë prove, thanë burimet, dhe se janë ndërprerë kontratat e disa punonjësve me afat të përcaktuar.
Presidenti Trump thotë se qeveria federale është shumë e fryrë dhe se shumë para janë humbur nëpërmjet shpërdorimit dhe mashtrimit. Borxhi i qeverisë federale është në rreth 36 trilionë dollarë dhe pati një deficit prej 1.8 trilionë dollarësh vitin e kaluar. Ekziston gjithashtu një marrëveshje dypartiake për nevojën për reformimin e qeverisë.
Por ligjvënësit demokratë thonë se Presidenti Trump po cenon autoritetin kushtetues të legjislativit mbi shpenzimet federale, edhe pse kolegët e tij republikanë, që kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, i kanë mbështetur përgjithësisht masat e ndërmarra.
“E besoj Sekretarin Collins kur thotë se nuk do të ketë asnjë ndikim në ofrimin e kujdesit, përfitimeve dhe shërbimeve për veteranët me këtë plan”, tha ligjvënësi republikan Mike Bost, i cili kryeson komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që mbikëqyr Departamentin e Çështjeve të Veteranëve, në një deklaratë të premten, duke iu referuar drejtuesit të departamentit, sekretarit Doug Collins. Departamenti tha të enjten se po pushonte mbi 1,000 punonjës.
Shtrirja e plotë e shkarkimeve është ende e paqartë plotësisht, por të paktën rreth 6,000 punonjës në shtatë departamente dhe agjenci janë pushuar nga puna këtë javë, sipas njoftimeve nga agjencia e lajmeve Reuters dhe mediat e tjera. Voa/
OBSH mbështet vendosjen e paralajmërimit për kancerin në shishet e alkoolitAlkooli i shitur në Bashkimin Evropian duhet të ketë të vendosur paralajmërimin për lidhjen mes konsumimit të alkoolit dhe kancerit, ka thënë dega evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përmes një deklarate të lëshuar nga zyra në Kopenhagë.
Hulumtimet e fundit tregojnë se “vetëdija e evropianëve për lidhjen mes alkoolit dhe kancerit duhet të rritet dhe mund të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme duke e vendosur paralajmërimin shëndetësor për informacionin për alkoolin si shkaktar i kancerit të gjirit dhe zorrës së trashë”, është thënë në deklaratë.
OBSH-ja ka thënë se paralajmërimet për llojet specifike të kancerit kanë më shumë mundësi që të nxisin diskutime për rrezikun prej alkoolit dhe të inkurajojnë njerëzit të rimendojnë nëse duhet konsumuar alkool.
OBSH-ja ka thënë studimi i vitit 2019 ka treguar se konsumimi i alkoolit për kokë banori në BE ka qenë dyfish më i madh sesa mesatarja në botë, dhe që një në 19 të rritur kanë vdekur nga shkaqet që i janë atribuuar alkoolit, dhe tre në 10 njerëz janë përballur me kancer për shkak të alkoolit.
Evropianët më të vjetër se 15 vjeç kanë konsumuar 9.2 litra të alkoolit të pastër për kokë banori, shumë më tepër sesa mesatarja globale prej 5.5 lirash, ka thënë organizata për shëndetësi.
Sipas saj, rreth 800.000 njerëz vdesin në rajonin e Evropës nga shkaqe që lidhen me konsumim të alkoolit – pothuajse 2.200 në ditë – që kanceri është shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve, ndërsa vetëdija publike për këtë lidhje është mjaft e vogël./REL
Kanye West dhe Bianca Censori janë në prag të divorcit pas tre vitesh martesë.
Lajmi është konfirmuar nga burime të afërta me reperin. Dyshja ka shpërthyer në ditët e fundit, dhe shumë media raportojnë se kërkesa për divorc është vetëm një çështje kohe.
Sipas Daily Mail, tensionet mes tyre nisën gjatë ceremonisë së Grammy-ve dhe u intensifikuan pas shpërthimit të reperit me komente antisemitike në X/Twitter. Pas këtyre ngjarjeve, Bianca Censori vendosi të distancohej nga Kanye, duke i dhënë fund marrëdhënies së tyre të mbushur me tensione dhe manipulime.
Sipas raportimeve, Bianca do të marrë 5 milionë dollarë nga Kanye si kompensim pas ndarjes, një marrëveshje që ata kishin bërë verbalisht. Deri tani, ajo ka mbetur në rezidencën e Yeezy në Los Angeles, megjithëse nuk dihet nëse Kanye ndodhet aty. Disa burime thonë se pas ceremonisë së Grammy-ve dhe shpërthimit të marrëdhënies, Kanye është rikthyer në Japoni, ku kaloi shumicën e vitit të kaluar, duke qëndruar në hotele.
Shën Valentin/ Urimi i veçantë i Sali BerishësNë ditën e Shën Valentinit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar një foto me bashkëshorten e tij Liri.
Berisha ka uruar festën e dashurisë ndërsa shkruan se Shën Valentini është shenjti i ndjenjës më të bukur.
Berisha: Gëzuar Shën Valentinin, shenjtin e të gjitha besimeve dhe rracave, e ndjenjës më të bukur, më fisnike, më të fuqishme, më hyjnore të njeriut, dashurisë! sb
Arabia Saudite konfirmon ndalimin e alkoolit në Kupën e Botës 2034Arabia Saudite ka konfirmuar se alkooli nuk do të shitet në Kampionatin Botëror në vitin 2034, në të cilën do të jetë mikpritëse duke e organizuar këtë turne në pesë qytete saudite.
“Përkundrazi si moti ynë, është një vend i thatë. Për momentin, ne nuk e lejojmë alkoolin, por shumë argëtim mund të bëhet pa të. Nuk është 100 për qind e nevojshme”, tha ambasadori saudit në Mbretërinë e Bashkuar, Princi Khalid bin Bandar bin Sultan Al Saud për radion digjitale britanike “LBC News”.
Duke theksuar dallimet kulturore, Al Saud tha se Arabia Saudite është e lumtur të akomodojë njerëzit brenda kufijve të saj. Megjithatë, theksoi ai, vendi i tij nuk është i gatshëm të ndryshojë kulturën e tij për të tjerët.
Në muajin dhjetor 2024, FIFA shpalli zyrtarisht Arabinë Saudite si organizatore për Kupën e Botës 2034 për meshkuj.
Ky vendim e bën Arabinë Saudite vendin e dytë të Lindjes së Mesme që pret turneun prestigjioz ndërkombëtar të futbollit, pas Katarit në vitin 2022.
Turneu do të zhvillohet në gjithsej 15 stadiume në Jedah, Khobar, Abha, kryeqytetin Riad si dhe në qytetin e planifikuar për t’u ndërtuar, Neom.
Kuptimi i luleve në ditën e të dashuruarve…Çfarë kuptimi kanë lulet për ditën e të dashuruarve? Trëndafilat e kuq janë lulet klasike për këtë ditë, duke qenë gjithmonë një zgjidhje e duhur dhe e sigurt.
Ekziston një “gjuhë e luleve”, sipas së cilës, llojet e ndryshme të luleve kanë kuptime specifike dhe simbolika të ndryshme, duke përfshirë edhe ngjyrën dhe dorën, në të cilën e mbajmë buqetën për t’i shprehur emocionet tona.
Në kohën e tyre, viktorianët shkuan aq larg sa krijuan fjalorin me kuptimet që shprehin lulet që njihet si floriografi. Mënyra më e dashur për t’i shprehur emocionet për ta ishte në formë të një buqete të vogël me lule. Trëndafilat e kuq simbolizojnë dashuri, pasion. Trëndafilat rozë simbolizojnë miqësi. Trëndafilat e bardhë japin mesazhin se je e denjë për mua. Trëndafilat e verdhë simbolizojnë falje dhe pajtim. Trëndafilat ngjyrë pjeshke japin mesazhin ‘të qëndrojmë bashkë’. Margaritat simbolizojnë pafajësi, besueshmëri.
Gladiolat simbolizojnë sinqeritet. Zambakët simbolizojnë besim. Orkidetë simbolizojnë madhështi. Luledielli simbolizon devotshmëri. Lulet e verdha janë të bukura dhe të freskëta, por ato janë simbol i tradhtisë. Ka disa lule që i lidhim me ngjarje jo shumë të këndshme. Krizantemat janë të bukura, por përdoren me tepër për një mort sesa për ditën e Shën Valentinit. Lulet me gjemba për shembull duhen shmangur këtë ditë.
Lufta kundër pasurive të krimit të organizuar përballet me pengesaNë Shqipëri, lufta kundër pasurive të krimit të organizuar ka pësuar statistikisht rritje gjatë viteve të fundit, por menaxhimi i tyre po has në vështirësi, ndërsa mungojnë garancitë ligjore që pengojnë kthimin e këtyre aseteve në duart e grupeve kriminale.
Pastrimi i parave nga grupet e krimit të organizuar vlerësohet si një nga rreziqet kryesore për sigurinë dhe ekonominë e Shqipërisë, e megjithatë, vendi përballet me probleme të shumta në luftën kundër aseteve të paligjshme.
Edhe pse statistikisht numri i pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit, institucionet po hasin vështirësi në administrimin e këtyre pasurive apo heqjen e tyre nga duart e krimit të organizuar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë pesë viteve të fundit u sekuestruan apo konfiskuan asete me vlerë tregu prej rreth 182 milionë eurosh, të investuara kryesisht në biznesin e ndërtimit, në pasuri të paluajtshme apo në kompani tregtare.
“Rreth 70- 80% e hetimeve pasurore këtu çelen kryesisht ex-officio nga prokurorët, në bazë të hetimeve që ndjekin. Një ndihmesë jep edhe Policia e Shtetit nëpërmjet referimeve dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe po ashtu së fundmi, ka një rritje të kërkesave nga autoritetet gjyqësore të huaja me objekt kryerjen e hetimeve pasurore dhe konfiskime me subjekte shtetas shqiptarë që janë dënuar jashtë territorit të Shqipërisë për vepra që janë në kompetencën tonë,” thotë prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu.
Përveç sektorëve tradicionalë të pastrimit të parave, Musabelliu thekson se krimi i organizuar po investon së fundmi edhe në kriptovaluta.
“Mund të them që vetëm në kuadër të hetimeve ndaj organizatës “Çopja” janë sekuestruar vlera të konsiderueshme pasurish të paluajtshme, biznese dhe llogari bankare. Po ashtu, janë sekuestruar kriptomonedha në vlerën 10 milionë USD,” shtoi Musabelliu.
Megjithatë, jo të gjitha pasuritë e sekuestruara menaxhohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të përdoren nga pronarët e mëparshëm.
Agjencia i tha BIRN se menaxhon aktualisht 2484 asete në total me një vlerë të llogaritur në 1.7 miliardë lekë ose më pak se 10% e vlerës së deklaruar nga SPAK. Mes tyre, 667 pasuri ose 27% të totalit nuk janë marrë ende nën administrim.
Probleme ligjore janë shfaqur gjithashtu me procedurat e dhënies me qira të apartamenteve të sekuestruara apo administrimin e kompanive të biznesit. Sipas një raporti të Kontrolli të Lartë të Shtetit, shqetësimi kryesor është se në disa raste, pronarët që janë subjekte të vendimeve gjyqësore, vazhdonin t’i administronin këto asete në mënyrë të kundraligjshme.
Raste të tilla pranohen edhe nga administratorët e pasurive të sekuestruara, të cilët thonë se janë duke ndërmarrë masa që dukuri të tilla të shmangen.
“Është një fenomen me të cilin janë përballur edhe agjencitë e tjera homologe në vendet e rajonit ose të Bashkimit Europian. Jo gjithmonë është e lehtë që të përballesh me persona të krimit të organizuar dhe t’i administrosh dhe t’i menaxhosh ashtu siç e kërkon ligji. Tentativat janë gjithmonë të shumta, por me bashkëpunimin e organeve përkatëse po marrim të gjitha masat e nevojshme për ta evituar gjithmonë e më shumë këtë fenomen,” thotë Indrit Karaj, administrator pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Bashkimi Europian sugjeron përdorimin për qëllime sociale të pronave të krimit të organizuar, por rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të limituara. Përfaqësuesit e shoqërisë civile që monitorojnë këtë proces shprehin shqetësimin për mungesën e garancive ligjore që pengon rikthimin e këtyre pronave te anëtarët e grupeve kriminale.
“Arsyeja pse prej gati dy vjetësh në BE ka dalë një direktivë, e cila i shtyn shtetet drejt ripërdorimit social është pjesa e garancisë shumë të madhe që këto prona të mos kthehen indirekt te ish-pronari dhe në kuadrin ligjor, ka deficensa shumë të mëdha përsa i përket rolit të Agjencisë por edhe të Prokurorisë. Bëhet vetëm mbi bazën e vetëdeklarimit ; që unë nuk kam lidhje me X. Kjo është një deficensë shumë, shumë e madhe,” thotë Juliana Hoxha, drejtoresha ekzekutive e organizatës Partners Albania.
Sipas Hoxhës, rishikimi i kuadrit ligjor është i domosdoshëm për të forcuar luftën kundër aseteve të krimit të organizuar. VOA/
“Dashuria po të sfidon”/ Parashikimi i horoskopit deri të mërkurënDashi (21 Mars – 20 Prill)
Dashuria po të sfidon këtë javë, dhe si gjithmonë, ti nuk mund të rezistosh një sfide! Nëse je në një lidhje, periudha është e mbushur me energji dhe pasion, por ki kujdes që kjo të mos kthehet në tension të panevojshëm. Nëse ndjen se partneri yt ka nevojë për më shumë vëmendje, jepja pa shumë rezistencë—nuk do të të dëmtojë të tregosh pak më shumë butësi. Në vend që të reagosh impulsivisht ndaj çdo situate, përpiqu të dëgjosh dhe të kuptosh më mirë nevojat e partnerit.
Nëse je beqar, është koha të ndalosh lojën e “macja dhe miu” me dikë që të pëlqen. Nëse e do diçka, thuaje! Nuk mund të presësh që njerëzit të lexojnë mendimet e tua dhe të bëjnë hapin e parë për ty. Sinqeriteti do të të ndihmojë të krijosh një lidhje më të vërtetë dhe të shmangësh humbjen e një mundësie të rëndësishme.
Këshilla e javës: Modero impulsivitetin! Jo çdo sfidë duhet të fitohet me nxitim—ndonjëherë, durimi të çon më larg.
Demi (21 Prill – 20 Maj)
Je i ëmbël dhe sensual, por këtë javë kokëfortësia jote mund të të bëjë të tërhiqesh në vetvete më shumë seç duhet. Nëse je në një lidhje, është e rëndësishme të mos e mbash veten peng nga diskutimet e së kaluarës. Ajo që ka ndodhur nuk mund të ndryshohet më, ndaj përqendrohu në të tashmen dhe bëje marrëdhënien tënde më të bukur me momente të veçanta dhe të përkushtuara.
Nëse je beqar, dikush mund të ketë një interes të vërtetë për ty, por nëse vazhdon të bësh të vështirin, mund ta humbasësh atë person. Lëre pas nevojën për të kontrolluar gjithçka dhe jepi vetes luksin e një surprize të këndshme—ndonjëherë, dashuria vjen nga drejtimi që nuk e pret.
Këshilla e javës: Lumturia shpesh qëndron në aftësinë për t’u lëshuar dhe për të ndjekur ndjenjat, pa analizuar çdo hap.
Binjakët (21 Maj – 21 Qershor)
Je një shpirt i lirë dhe i shkujdesur, por ndonjëherë kjo mund të jetë bekim dhe mallkim njëkohësisht. Nëse je në një lidhje, ndoshta po ndjen mungesë stimulimi dhe po kërkon diçka të re. Por, në vend që të kërkosh aventura jashtë marrëdhënies, pse të mos krijosh diçka emocionuese me partnerin? Një udhëtim, një projekt i përbashkët, ose një mbrëmje ndryshe mund të rindizë pasionin.
Nëse je beqar, po flirton në çdo drejtim dhe po shijon vëmendjen, por mos harro se jo çdo lojë duhet të mbetet thjesht një lojë. Diku mes këtyre njohjeve të shkujdesura, dikush mund të ketë ndjenja më të thella për ty sesa e ke imagjinuar. Mos u tremb nga intensiteti i ndjenjave—ndonjëherë, lidhjet më të bukura fillojnë kur vendos të mos ikësh, por të qëndrosh dhe të zbulosh më shumë.
Këshilla e javës: Mos ik sa herë që dashuria bëhet më serioze. Ndoshta ajo që po shmang është pikërisht ajo që të duhet!
Gaforrja (22 Qershor – 22 Korrik)
Këtë javë, zemra jote është si një det në stuhi, plot emocione të forta dhe ndryshime të papritura. Nëse je në një lidhje, do të përjetosh momente të fuqishme, por kujdes mos e kthesh dashurinë në një luftë të përditshme për konfirmim. Partneri yt nuk mund të lexojë mendimet e tua, ndaj është e rëndësishme të flasësh hapur për atë që ndjen. Shmang dramën e panevojshme dhe mos e shiko çdo problem si një test për lidhjen.
Nëse je beqar, ka një energji magnetike në ajër—mund të ndodhë diçka e papritur që do të të bëjë të ndjesh flutura në stomak. Nëse dikush të pëlqen, mos rri në pritje që ata të bëjnë hapin e parë. Ndonjëherë, të tregosh ndjenjat e tua është pikërisht ajo që të çon drejt një lidhjeje të bukur.
Këshilla e javës: Mos ki frikë të tregosh anën tënde të brishtë—aty lindin lidhjet më të forta dhe të vërteta.
Luani (23 Korrik – 22 Gusht)
Këtë javë, sharmi yt do të jetë i fuqishëm dhe do të tërheqësh vëmendjen kudo që shkon. Por kujdes: a po e përdor këtë magnetizëm për të kënaqur egon tënde apo për të ndërtuar diçka të qëndrueshme? Nëse je në një lidhje, mos harro se dashuria është një ekuilibër i dhënies dhe marrjes. Partneri yt nuk është aty vetëm për të të adhuruar—edhe ai ka nevojë për vëmendjen dhe përkujdesjen tënde. Një gjest i vogël i dashurisë do të bëjë mrekulli për marrëdhënien tënde.
Nëse je beqar, është momenti i përkryer për të bërë një hap përpara me dikë që të tërheq. Por ki kujdes: sigurohu që të jesh i sinqertë dhe të mos lësh përshtypjen se je aty vetëm për një lojë. Tërheqja është e rëndësishme, por nëse dëshiron diçka të thellë, duhet të ofrosh më shumë se thjesht një buzëqeshje joshëse.
Këshilla e javës: Mos merr për të mirëqenë ata që të duan—askush nuk është i detyruar të qëndrojë nëse nuk ndihen të vlerësuar.
Virgjëresha (23 Gusht – 22 Shtator)
Dashuria mund të ndihet si një fushë e minuar për ty këtë javë, sidomos nëse lejon dyshimet dhe analizat e tepërta të dominojnë marrëdhënien tënde. Nëse je në një lidhje, kujdes me kritikën e tepërt—jo çdo gjë ka nevojë për përmirësim apo analizë të detajuar. Ndonjëherë, është më mirë të lësh gjërat të rrjedhin natyrshëm dhe të shijosh momentet e bukura.
Nëse je beqar, ndoshta je duke pritur partnerin perfekt, por e vërteta është se askush nuk është ideal. Mund të humbasësh mundësi të mira thjesht sepse dikush nuk përputhet 100% me listën tënde të kërkesave. Lejoje veten të surprizohesh nga dikush që mund të mos jetë “perfekt” në letër, por që mund të të dhurojë dashuri të sinqertë.
Këshilla e javës: Mos kërko përsosmëri—dashuria e vërtetë është e papërsosur dhe pikërisht aty qëndron bukuria e saj.
Peshorja (23 Shtator – 22 Tetor)
Dashuria do të të vërë në provë këtë javë, por në vend që të kërkosh kompromis me çdo kusht, është koha të mendosh për atë që është më e mira për ty. Nëse je në një lidhje, ke nevojë për më shumë harmoni, dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë është përmes dialogut të hapur dhe të sinqertë. Mos u përpiq të kënaqësh të gjithë, sepse kjo mund të të largojë nga vetja dhe nga nevojat e tua të vërteta.
Nëse je beqar, ka një energji romantike që të rrethon, por duhet të bëhesh më i qartë në zgjedhjet e tua. Mos harxho kohë me njerëz që nuk të japin atë që meriton. Nëse dikush nuk është i interesuar për ty aq sa je ti për ta, atëherë ndoshta është koha të ecësh përpara.
Këshilla e javës: Ji më i vendosur në vendimet e tua sentimentale. Mos u kënaq me diçka gjysmake kur mund të kesh një dashuri të plotë.
Akrepi (23 Tetor – 22 Nëntor)
Këtë javë, pasioni yt do të jetë në kulm, por duhet të kesh kujdes me ndjenjën e xhelozisë dhe kontrollit. Nëse je në një lidhje, duhet të kuptosh se dashuria nuk është një garë apo një luftë për dominim. Besimi është thelbësor, dhe nëse e do dikë, nuk mund të jetosh në ankth të vazhdueshëm për ta humbur. Lëre pasiguritë dhe përpiqu të ndërtosh një marrëdhënie të bazuar në ndershmëri dhe mirëkuptim.
Nëse je beqar, magnetizmi yt është në maksimum dhe do të tërheqësh shumë njerëz. Por nëse dëshiron diçka më shumë sesa një aventurë kalimtare, duhet të ndalosh së fshihuri pas misterit tënd. Ji më i hapur dhe shprehu ndjenjat me sinqeritet.
Këshilla e javës: Fuqia e vërtetë nuk qëndron në kontrollin e tjetrit, por në aftësinë për të qenë i hapur dhe i sinqertë në dashuri.
Shigjetari (23 Nëntor – 21 Dhjetor)
Liria është gjithçka për ty, por këtë javë dashuria kërkon pak më shumë vëmendje dhe angazhim. Nëse je në një lidhje, duhet të gjesh një ekuilibër mes pavarësisë tënde dhe nevojës për të qenë i pranishëm për partnerin. Nuk mund ta lësh atë gjithmonë në vend të dytë—nëse dëshiron një lidhje të fortë, duhet të japësh më shumë nga vetja.
Nëse je beqar, aventura nuk do të mungojë, por ki kujdes të mos i largosh ata që mund të të ofrojnë diçka më të qëndrueshme. Ndoshta po kërkon shumë larg, ndërkohë që dashuria mund të jetë shumë më afër se sa mendon.
Këshilla e javës: Dashuria nuk është një burg—është një udhëtim që bëhet bashkë. Nëse vërtet dëshiron një lidhje, jep hapësirë për diçka më shumë sesa vetëm aventura.
Bricjapi (22 Dhjetor – 20 Janar)
Bricjap, ndalo së luajturi gjithmonë rolin e të fortit. Dashuria nuk është një fushëbetejë ku duhet të tregosh sa i fortë dhe i pavarur je. Nëse je në një lidhje, partneri yt ka nevojë për më shumë ngrohtësi dhe përkushtim nga ana jote. Mos mendo se vetëm veprimet e tua flasin për ndjenjat—nganjëherë, fjalët e ëmbla dhe gjestet e vogla bëjnë diferencën. Mos merr për të mirëqenë atë që ke, sepse çdo marrëdhënie ka nevojë për përkujdesje dhe përkushtim.
Nëse je beqar, dikush të vështron nga larg dhe mund të ketë ndjenja të forta për ty. Por nëse vazhdon të fshehësh emocionet e tua pas një maske racionaliteti, mund të humbasësh një mundësi të bukur. Dashuria nuk është dobësi—ajo është një forcë që të ndihmon të ndihesh më i plotësuar dhe i përmbushur.
Këshilla e javës: Shprehja e ndjenjave nuk të bën më të dobët, por më të vërtetë. Ji më i hapur dhe mos ki frikë të tregosh sa shumë të intereson dikush.
Ujori (21 Janar – 19 Shkurt)
Liria jote është e shenjtë, por dashuria ka nevojë për stabilitet për të lulëzuar. Nëse je në një lidhje, mos lejo që rutina të shuajë shkëndijën mes teje dhe partnerit. Gjej mënyra kreative për ta mbajtur lidhjen të freskët dhe të gjallë. Nuk është e nevojshme të bësh ndryshime drastike—edhe një gjest i vogël surprizë apo një bisedë e hapur mund të bëjnë një ndryshim të madh.
Nëse je beqar, ka një atmosferë magjike përreth teje dhe mund të përjetosh një dashuri me shikim të parë. Por pyet veten: a je i gatshëm të përqafosh këtë mundësi pa filtra dhe dyshime? Dashuria nuk të kufizon, përkundrazi, e bën jetën më të bukur dhe më të pasur. Mos ik nga dikush që të sjell diçka të re dhe të veçantë.
Këshilla e javës: Dashuria nuk të merr asgjë—përkundrazi, të shton më shumë magji dhe ngjyra në jetën tënde. Lëre të ndodhë natyrshëm!
Peshqit (20 Shkurt – 20 Mars)
Këtë javë, zemra jote është si një libër i hapur, plot ndjenja dhe emocione të thella. Por kujdes: jo të gjithë meritojnë të lexojnë çdo faqe të saj. Nëse je në një lidhje, është koha të bëhesh më i qartë për ndjenjat dhe nevojat e tua. Mos prit që gjërat të zgjidhen vetë—nëse diçka nuk shkon, fol hapur dhe punoni së bashku për ta rregulluar.
Nëse je beqar, romantizmi yt do të të bëjë të shkëlqesh dhe të tërheqësh njerëz të rinj në jetën tënde. Por kujdes mos të biesh në grackën e idealizimit të tepërt—sigurohu që ai që ke përballë është ashtu siç duket, jo thjesht një reflektim i dëshirave të tua. Dashuria më e bukur ndodh kur e jeton me pasion, por edhe me këmbë në tokë.
Këshilla e javës: Jeto dashurinë me pasion, por mos harro të mbash një dozë realizmi. Kështu do të mund të ndërtosh diçka të vërtetë dhe të qëndrueshme.
Rama nuk dallon dot bufin nga kukuvajka. Forumi për MTK: Nuk ka specie me emrin “Bufi i Kënetës”Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka gjetur kohën për t’u marrë me një postim të kryeministrit Rama, në përmbajtje të të cilit ai shkroi disa të dhëna për “Bufin e Kënetës”. Në të vërtetë postimi ishte alegorik dhe i adresohej liderit të opozitës, Sali Berishës, të cilin Rama ka kohë që e fyen duke e quajtur “Bufi i Kënetës”, dhe ai përmbante cilësime negative për “shpendin.
Ja si e përshkruan Rama:
“BUFI I KËNETËS është një plaçkitës folesh, i cili konsiderohet një rrezik edhe për shpendët shtëpiakë. Ai jeton mes zvarranikëve dhe amfibëve, me të cilët shuan edhe urinë. Trupi i tij grumbullon pesticidet dhe helmet kundër brejtësve, çka e bën helmues atë vetë. Konsiderohet edhe një specie shumë armiqësore ndaj diversitetit” (gjeni më poshtë në lajmin e Zoom.al videon e postuar nga Rama).
Por Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore reagoi po ashtu në rrjetet sociale duke i shpjeguar kryeministrit të Shqipërisë se një shpend i tillë nuk ekziston.
“Nje shpjegim per “Bufin e Kenetes” dhe nje keshille per z.Kryeminister.
Ne postimin e sotem mjaft domethenes te Kryeministrit, si nje alegori politike permendej nje shpend i quajtur “Bufi i kenetes” si nje specie negative dhe e demshme per mjedisin. Duke u konsultuar me specialistet e fushes, deshirojme te keshillojme z. Kryeminister se:
– Sipas literatures se botuar ne Udhezuesin “Shpendet e Shqiperise” mund te themi se specia me emrin “Bufi i Kenetes nuk ekziston ne Shqiperi.”
Por injoranca e kryeministrit në fushën e faunës nuk mbaron këtu. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore thotë se bufi i Ramës është kukuvajkë dhe Rama nuk arrin as të bëjë një dallim kaq të thjeshtë.
“Foto e postimit ne fakt eshte Kukuvajka apo e njohur ne emrin shkencor si (Athene noctua) apo ne anglisht Little Owl. Ky shpend eshte mjaft i perhapur ne zonat rurale te Shqiperise dhe eshte shume i dobishem per mjedisin pasi ushqehet me zvarranike dhe minj” – thuhet në reagim.
Forumi përgënjeshtron Ramën edhe në përshkimin negativ të species.
“Nuk permendet si nje specie plackitese aq me shume ndaj shpendeve shtepiake. Sipas studimeve shkencore ka një rol kyç në ruajtjen e balancës së popullatave të brejtësve, kryesisht minjve, të cilët janë vektorë të transmetimit të shumë sëmundjeve. Nëse nuk do të kishte kukuvajaka, popullata e brejtësve urbanë do të rritej në nivele të tilla që do të bëhej kërcënuese për shëndetin dhe jetën e njerëve. Nuk ka asnje studim shkencor qe te vertetoje se Kukuvajka eshte nje shpend qe grumbullon pesticide apo toksina dhe aq me shume te jete armiqesor dhe helmues ndaj diversitetit. Perkundrazi Z. kryeminister nese Kukuvajka nuk do ekzistonte ne Shqiperi do na kishin mbytur minjte.” – thotë FMTK.
Por Forumi nuk e lë me kaq. Ai e vazhdon shpotitjen ndaj kryeministrit, duke i vënë në pahë edhe injorancën e njerëzve që e rrethojnë në administratë.
“- Duke shprehur konsideraten tone per interesimin e Z Kryeminister ndaj mjedisit mund te themi se si rezultat i mungeses se specialisteve ne administrate, informacioni i dhene eshte teresisht i gabuar. Aq me shume kur mendon se shqiptaret taksapagues kontribuojne per mbajtjen ne kembe te Ministrise se Mjedisit, e cila nuk mundet te jape dot nje informacion te sakte Kryeministrit te vendit edhe per nje Kukuvajke” – thuhet në deklaratë.
Por shpotitja vazhdon. Forumi thotë se kryeministri ka manipuluar edhe me zërin e shpendit në videon e postuar në rrjetet e tij sociale.
“P.S . Sipas specialisteve te fushes britma e shpendit ne videon e postuar te KM nuk eshte zeri i Kukuvajkes, por i nje shpendi tjeter.
Me poshte po publikojme listen e Bufeve dhe kukuvajkave qe jane identifikuar ne territorin shqiptar: bufi i madh, bufi veshgjatë, bufi veshshkurtër, bufi i vogël, bufi i dëborës, kukuvajka e uraleve, kukuvajka e pyjeve, kukuvajka kokëmadhe, kukuvajka mjekroshe.”
Gjeni më poshtë videon e postuar nga kryeministri Rama dhe postimet e Forumit për MTK. /Zoom.al
View this post on Instagram

Një aksident rrugor u shënua pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, në zonën e Don Boskos.
Burime për Zoom.al konfirmojnë se në aksident janë përfshirë dy makina, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.

Pas përplasjes, një prej mjeteve ka goditur një pemë aty pranë, duke e rrëzuar atë.

Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit dhe nëse ka persona të plagosur rëndë apo jo.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur më shumë detaje.