zoom

Day ArchivePrag Shën Valentini/ Egli i shkruan letër dashurie Gjestit!

Në prag të Shën Valentinit, banorët kanë patur një sfidë që të shkruajnë letra dashurie personave të zemrës.

Egli ka zgjedhur të shprehë ndjenjat e saj për Gjestin me një letër plot emocion. Ajo e lexoi letrën para banorëve, një moment që preku të gjithë.

Megjithatë, letra e Eglit ka shkaktuar një reagim të papritur, pasi ka shprehur se ajo vjen nga një kujtim i kaluar dhe ka përmendur ish-partnerin e saj.

“Po e nis duke të të thënë se përballë ke një vajzë e cila të ka dashuruar dhe po, ka dashuruar fort, por e kaluara tani ka një të tashme dhe unë jam mjaftueshme e pjekur për të mos shkruar për të sot.”

Në letrën e saj, Egli fillon duke e pranuar se është një vajzë që ka ndjenja për Gjestin dhe se ka kaluar një periudhë të vështirë duke u përballur me ndjenja të komplikuara.

“Nuk di të them me siguri se çfarë e bën një dashuri më të madhe se një tjetër apo nëse zemra ka një njësi matëse por di të them se vështirësia që ndjej për të jetuar së fundmi është më e ngrohtë se çdo emocion tjetër aktualisht. Mbase kjo letër erdhi në momentin sa më delikat edhe më të duhur në nevojën e një bisede të munguar.

Unë erdha këtu ku jam sot, përballë teje si një vajzë stoike në rrugën e zemrës. Por harrova se kisha nisur një luftë me veten.

Ti më ndryshove rrjedhën dhe unë gjithnjë do të jem mirënjohëse që në një vend të humbur me helm e pickime më zgjodhe mua për të qeshur, qarë, besuar dhe përqafuar njëri tjetrin me sinqeritetin e një fëmije.”

Egli e pranon se ka kaluar përmes një periudhe të vështirë për të këto ditë dhe se nëse të kesh ndjenja e të kujdesesh për dikë është gabim, ajo preferonte të gabonte./ Zoom.al

Banka Botërore miraton një hua prej 120 mln dollarësh për Shqipërinë

Banka Botërore njoftoi të enjten se Bordi i Drejtorëve ekzekutivë të saj ka miratuar Programin e Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Gjelbër, me një financim prej 120 milionë dollarësh. Programi, i cili përfaqëson financimin e dytë të të serie prej dy fazazh, ka për qëllim forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.

Sipas njoftimit të Bankës Botërore, do të jenë tre fusha kryesore reformash që do të mbështeten. Bëhet fjalë për “forcimin e hapësirave fiskale, përfshirë përmirësimin e administrimit të taksave dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore”, për “zgjerimin e tregut të energjisë, duke nxitur burimet e rinovueshme dhe rritjen e efiçencës së energjisë” si dhe për “mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve të karbonit”.

Banka Botërore bën të ditur se ky program “është në përputhje me Kuadrin e Partneritetit të Vendit për periudhën 2023-2027, çka përforcon angazhimin e Bankës Botërore për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj.

“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë,” tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë duke shtuar se “ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë.”

Programi, shpjegon më tej njoftimi i Bankës Botërore “reflekton aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Programin e Reformave Ekonomike 2024-2026 dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit për klimën”.

Fevziu: I kërkoj falje Presidentit, por ja kush janë 3 njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri

Teksa në emisionin “Opinion” në Tv Klan po diskutohej në lidhje me hetimet e SPAK, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu ka thënë se sipas tij, 3 janë njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri.

Fevziu i ka kërkuar falje Presidentit të Republikës kur tha se Kryeministri, Kryetari i Opozitës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës janë 3 njerëzit më me pushtet në vend.

Sali Berisha: Altin Dumani asnjë vlerë nuk ka. Altin Dumani ka të drejtë se çfarë vendos, prokurori i SPAK as që e pyet fare Altin Dumanin. Dumani ka 2 mundësi, të marrë vetë çështjet, ose të japë mendimet, t’i dërgojë në gjykatë mendimet e tij. Altin Dumani nuk dha asnjë mendim për djegësin e Tiranës. 13 herë citon Ahmetajn për djegësin e Tiranës dhe nuk dha asnjë fjalë të vetme për Veliajn. A dëgjove se djall u bë Ols Dado dhe i lavdëruar u bë Altin Dumani?

Blendi Fevziu: 3 janë njerëzit më të fuqishëm në vend. I kërkoj falje Presidentit të Republikës, por 3 janë: Kryeministri, Kryetari i Opozitës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ngjarja në Rinas/ Policia sqaron rrethanat, shenjat e plumbave mbi xham

Policia ka dhënë detaje për ngjarjen në Tiranë, ku një 34-vjeçar qëlloi me armë zjarri ndaj efektivëve, gjatë operacionit për arrestimin e tij.

Sipas Policisë, Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Tiranë pasi kanë marrë informacion për një shtetas i cili mbante armë zjarri në subjektin e tij kanë organizuar punën me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë ligjore.

Gjatë ndalimit të shërbimeve të Policisë në subjektin e tij privat në Rinas, Klajdi Buza ka qëlluar në drejtim të Policisë nga brenda subjektit të tij, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe shoqërimin për në ambientet e DVP Tiranë dhe më pas arrestimin e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe municion luftarak.

Horoskopi 14 shkurt/ Çfarë kanë rezervuar yjet për ditën e të dashuruarve

Dashi

Parashikohet një ditë mjaft e mirë për dashurinë, ku mund të zgjidhen probleme të cilat kanë mbetur pezull për shumë kohë. Do të keni arsye për të qenë optimist, pasi mund të veproni lirisht pa pasur frikë nga pasojat.

Demi

Do të jetë një ditë nën ritmin e duhur, ku do të jeni disi të stresuar, për shkak të raporteve aspak pozitive me të tjerët. Këshillohet që të jeni më shumë të kujdesshëm dhe të jeni më të matur me tonin që do të përdorni. Sa i takon dashurisë, përmirësimi do të vijë vetëm pas gjysmës së muajit.

Binjakët

Kjo ditë do të jetë e mirë sa i takon çështjeve sentimentale dhe dashurisë, ndaj përfitoni për të sheshuar çdo keqkuptim që keni pasur në ditët e kaluara. Më pak e favorshme do të jetë situata profesionale dhe financat, lidhur me të cilat duhet të bëni kujdes.

Gaforrja

Jeni në një fazë rikuperimi, sidomos sa i takon sferës profesionale, ku gjatë javëve të kaluara ka dominuar nervozizmi. Ka ardhur koha që të merrni situatën nën kontroll. Kjo gjë mund t’iu lejojë që të jeni më të qetë edhe në jetën personale, ndaj përfitoni për të rikuperuar në fushën e ndjenjave të cilën e keni lënë pas dore, duke krijuar edhe ndonjë keqkuptim.

Luani

Jeni mjaft të favorizuar nga yjet, në sajë të ndikimit pozitiv të Venusit, Marsit dhe Hënës, të cilët ndodhen në anën tuaj. Kështu nëse nuk arrini që të gjeni dashurinë, kjo gjë ndodh vetëm sepse keni pretendime shumë të larta.

Virgjëresha

Saturni dhe Mërkuri do të jenë në anën tuaj, ku do të ndiheni më të fortë dhe të vetëdijshëm për atë që mund të bëni. Edhe raportet ndërpersonale dhe ato në çift, janë mjaft të favorshme.

Peshorja

Mundohuni që të gjeni mënyrën për të qëndruar pak më shumë me njeriun tuaj të zemrës dhe ti kushtoni më shumë kohë dashurisë. Për një arsye apo një tjetër, së fundmi koha që keni pasur për të qëndruar bashkë ka qenë shumë më e paktë nga sa dëshironi. Mundohuni që të rikuperoni dhe të përmirësoni situatën aty ku mundeni.

Akrepi

Kjo e premte do ju gjejë disi të stresuar dhe aspak në humor, ku mund të ketë diskutime dhe polemika të shumta. Duhet të mundoheni që të relaksoheni dhe të mos mendoni për problemet, së paku për disa kohë.

Shigjetari

Ju pret një ditë pozitive, mjaft e favorshme sa i takon dashurisë, jetës në çift dhe takimeve. Hëna dhe Venusi do të jenë në anën tuaj, duke favorizuar ndjenjat.

Bricjapi

Duhet të mundoheni që të rikuperoni energjinë e munguar. Relaksohuni dhe kushtojini më shumë kohë dashurisë dhe ndjenjave, shkruan noa.al. Në sferën profesionale dëshironi që të keni diçka më shumë, pasi ndiheni të pakënaqur.

Ujori

Ju pret një ditë stresuese, e mbushur me dyshime dhe tension, sidomos sa i takon serës sentimentale. Kjo gjë do të jetë edhe më e dukshme, nëse jeni duke jetuar dy histori paralele ose jeni të pavendosur mes dy personave. Ka ardhur momenti për të parë qartë brenda vetes, pasi nuk mund të shkoni shumë gjatë kështu.

Peshqit

Kjo e premte do të jetë mjaft pozitive, ku do të keni nevojë që të rikarikoheni dhe ti kushtoni më shumë kohë vetes dhe njeriut tuaj të zemrës. Mundohuni që të gjeni më shumë kohë për të kaluar me partnerin/en dhe do të ndiheni më të bashkuar dhe të fortë.

Qëlloi në drejtim të policisë/ Kush është i riu që u arrestua në Rinas (Emri)

Klajdi Buza është i riu që u arrestua pranë Ri asit mbrëmjen e kësaj të enjte.

Policia e Tiranës kishte marrë informacion se një person ishte i armatosur dhe po qarkullonte në afërsi të Rinasit.

Pas informacioneve në rrugë operative, efektivët e Tiranës organizuan operacionin për kapjen e tij. Në momentin që efektivët i afrohen, i riu ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë duke u rrezikuar jetën.

Fatmirësisht nuk ka efektiv të lënduar. Pas kësaj policia ka arrestuar autorin.

Buza është arrestuar edhe më herët për armëmbajtje pa leje.

LAJM I FUNDIT/ Të shtëna në Tiranë, qëllohet ndaj policisë

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjte në Tiranë.

Një person ka qëlluar në drejtim të efektivëve të Policisë, në zonën e Rinasit ndërsa këta të fundit ishin duke zhvilluar një operacion për kapjen e tij, pas marrjes së informacioneve se posedonte armë.

Paraprakisht dyshohet se autori është me precedentë të mëparshëm penal.

Dëshmia e plotë/ Çfarë ndodhi mes Veliajt dhe gjyqtarëve në SPAK

Janë zbardhur detaje të reja nga dëshmia e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në seancën e djeshme në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë.

Gjatë dëshmisë, Veliaj ka ngritur disa pikëpyetje të forta lidhur me arsyet që sollën arrestimin e tij të nxituar.

Veliaj i është drejtuar prokurorit të dosjes, Ols Dado, duke e akuzuar se e ka burgosur për arsye politike, në një kohë kur vendi po shkon në fushatë zgjedhore dhe ai është Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës.

“Më burgosët në mes të fushatës dhe ky është një akt i pastër politik”, mësohet të ketë thënë Veliaj.

“Më nxorët me dhunë nga fushata. Por, unë jam më i lirë se ju sepse ju burgosjen e keni në kokë. Unë nga dritarja e qelisë time shikoj shkollën “Jeronim de Rada”, të cilën e kemi rindërtuar me Bashkinë e Tiranës, është një ndër mijëra veprat e mia, që kam bërë në këtë qytet. Kurse ju nga dritarja e zyrës tuaj shikoni burgun”, ka shtuar më tej ai.

Veliaj ka shprehur habinë edhe për arsyet e ndalimit të tij dhe se për këtë nuk ka pasur asnjë sqarim.

“Në 11 orë seancë, ende nuk e di pse kam arrest me burg; ende nuk e di pse jam këtu. Nuk ma keni shpjeguar”, ka thënë Veliaj.
Veliaj është shprehur se s’ka asnjë arsye që ai të mbahej në arrest me burg sepse nuk ka rrezikshmëri.

“Ku qëndron rrezikshmëria ime, që më mbani në burg? Që do dal e do hap çerdhe e kopshte? Ajo që i kam kërkuar oficerit gjyqësor është të mos e njoftojnë bashkëshorten time me sms intimiduese, por ta lajmërojnë sipas rregullave proceduriale, dhe kjo është marrë si kërcënim dhe ju më mbani në burg”.

Gjatë seancës gjyqësore paraprake që zgjati rreth 11 orë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u përball me prokurorin e çështjes, Olsi Dado, rreth mungesës së fakteve për arrestimin e tij.

Veliaj ka thënë se shifrat që SPAK ka publikuar në media janë të pavërteta dhe se ata kanë gërmuar në gjithë jetën e gruas së tij dhe të vetën, duke prodhuar tabela dhe shifra që nuk i përgjigjen realitetit: “Familja e Ajolës është një familje e vjetër me emër në shoqëri, që ka pasur bizneset e saj që nga viti 1995 dhe nuk mund të abuzohet me të ardhurat e një familjeje dhe shpenzimet e saj, duke ia faturuar vajzës dhe dhëndrit.”

Ai iu referua edhe disa mesazheve të shkëmbyera me një prej agjentëve të BKH, i cili i kishte kërkuar me SMS që gruaja e tij të paraqitej në SPAK. Në këtë moment, prokurori Olsi Dado, duke ngritur zërin, i është drejtuar Veliajt me fjalët: “Je patologjik!”
Pas kësaj, Veliaj ka thënë se “ju e keni ndarë mendjen çfarë do bëni dhe e gjithë kjo seancë është formale. Fakti që gjyqtari po ju pyet në sytë tanë se ç’masë duhet të marrë, tregon qartë standartin e këtij gjykimi”.
Në orët e vona të 12 shkurtit 2025, pas më shumë se 11 orëve në GJKKO, ku u zhvillua seanca për vlerësimin e masës së sigurisë, gjyqtari Erion Bani vendosi të lërë në fuqi masën e ‘arrest në burg’ për Erion Veliaj, e biznesmenin Elman Abule ndërsa ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim me paraqitje’ për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. ‘Detyrim me paraqitje dha  dhe për 5 biznesmenët në hetim si pjesë e kësaj dosjeje.

Aeroplanmbajtësja Harry S. Truman përplaset në Detin Mesdhe

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Harry S. Truman (CVN 75), me bazë në Norfolk, u përplas me një anije të madhe tregtare të mërkurën mbrëma në Detin Mesdhe, sipas njoftimit të Marrëdhënieve Publike të Flotës së Gjashtë të SHBA.

Incidenti ndodhi rreth orës 23:46 me orën lokale, në afërsi të Port Said, Egjipt, ku Harry S. Truman u përfshi në një përplasje me anijen tregtare Besiktas-M.

Sipas zyrtarëve, nuk ka raportime për dëmtime në aeroplanmbajtëse, përmbytje apo lëndime në bord. Impiantet shtytëse janë të paprekura, dhe anija është në gjendje të sigurt dhe të qëndrueshme. Po ashtu, asnjë nga anëtarët e ekuipazhit të Besiktas-M nuk ka pësuar lëndime, sipas një zyrtari të mbrojtjes që foli për mediat e huaja.

USS Harry S. Truman është vendosur në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme që nga shtatori dhe së fundmi kishte përfunduar një ndalesë në port në Gjirin e Soudës, Greqi. Forcat Detare të SHBA kanë nisur një hetim mbi rrethanat e incidentit.

Kosovë/ KQZ: Procesi i numërimit të votave mund të zgjasë deri në dy javë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka parashikuar të enjten se procesi i numërimit të të gjitha votave për kandidatë për deputetë, do të mund të zgjasë deri në dy javë, ndonëse nuk është bërë ndonjë vlerësim i saktë.

“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit për të parë se si po shkon atje procesi, nuk e kemi bërë një vlerësim se sa do të zgjatet tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi, por një e përafërt do të jetë 10 ditë, dy javë”, ka thënë Radoniqi.

Në mbledhjen e KQZ-së është bërë e ditur se tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në 18 komuna, në tetë komuna numërimi pritet të nisë sot, ndërsa në 12 të tjera po bëhen përgatitje.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e rregulla parlamentare më 9 shkurt.

Me Ligjin e ri për Zgjedhjet në Kosovë, të miratuar më 2023, votat për kandidatët për deputetë do të duhej të nisnin të numëroheshin në mëngjesin e 10 shkurtit, mirëpo zyrtarët e KQZ-së kanë përmendur problemet administrative si arsye për vonesat.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se shkaktarë për vonesat në numërim janë problemet në ofrim të shërbimeve të teknologjisë informative, siç është lidhja e kamerave me laptopë dhe monitorë.

Ai ka thënë se KQZ-ja është duke angazhuar profesionistë të teknologjisë informative nëpër këto komuna për të përmbushur aspektin e funksionalizimit.

Zyrtarë të KQZ-së i kanë bërë thirrje Buzhalës që të ketë gati një Plan B, në rast se sistemi do të vazhdojë të dështojë, apo të ketë probleme tjera me qasjen në të.

Ai ka garantuar që nëse në ditët në vijim problemet do të vazhdojnë të raportohen, atëherë KQZ-ja do t’i kthehet metodës së vjetër dhe do të hapë tender për t’i siguruar tre lloje formularësh, për të përmbyllur këtë proces sa më shpejt që është e mundur.

Megjithatë, zyrtarë të KQZ-së janë pajtuar njëzëri që të mos luftohet për shpejtësi, por për saktësi të rezultateve.

KQZ-ja është përballur me probleme me serverë edhe në ditën e zgjedhjeve, kur janë numëruar vetëm votat për subjekte politike. Disa kanë aluduar që faqja mund të ketë qenë shënjestër e ndonjë sulmi kibernetik.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk ka informacione shtesë, pasi tani rasti i takon Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.

Organizatat joqeveritare kanë fajësuar KQZ-në për problemet që kanë dalë prej nisjes së numërimit të votave.

Partitë në pushtet e kanë fajësuar Qeverinë, ndonëse ajo është kundërpërgjigjur, duke thënë se nuk është përgjegjëse për serverët e KQZ-së, dhe se softueri i është dhuruar KQZ-së nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa akuzat drejt ekzekutivit i ka konsideruar përpjekje të ulët “për të shkaktuar huti, me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij”.

Pas 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me mbi 40 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me rreth 22 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17 për qind të votave, pasuar nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me rreth 7 për qind të votave.

Asnjëra parti nuk i ka siguruar votat e nevojshme për të formuar Qeverinë – pasi nevojiten votat e 61 deputetëve – prandaj njohësit e çështjeve politike kanë paralajmëruar se Kosova mund të përballet me turbulenca politike në ditët dhe javët në vijim./ Radio Evropa e Lirë