zoom

Day ArchivePse shkaktoi reagime të forta propozimi i Trump për Gazën

Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga Gaza dhe për ta vendosur territorin nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ka nxitur reagime të ashpra në mbarë botën, përkrah rrezikut të përmbysjes së politikës afatgjatë amerikane ndaj Izraelit dhe palestinezëve.

“SHBA-ja do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe do të bëjmë diçka me të. Do ta zotërojmë atë”, tha Trump gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, më 4 shkurt.

Detajet se si do të zbatohej ky propozim radikal, i cili u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Marrëveshja e armëpushimit, në peshore

Ky propozim ka shkaktuar shqetësime se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Armëpushimi me disa faza, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar, ndaloi përkohësisht më shumë se një vit luftime në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.

“Frika është se [propozimi i Trump] mund të dëmtojë mundësitë për lirimin e pengjeve të mbetura”, tha Azriel Bermant, nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë.

Faza e dytë e armëpushimit parasheh një fund të përhershëm të luftës, por negociatat për ta finalizuar dhe zbatuar atë nuk kanë filluar ende.

“Ekziston rreziku që kjo të dëmtojë përpjekjet” për të rënë dakord dhe për ta zbatuar fazën e dytë të armëpushimit, theksoi Bermant.

Aleatët dhe kundërshtarët, të revoltuar

Vendet kryesore arabe, përfshirë ato që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, e kanë refuzuar në mënyrë të përbashkët kërkesën e fundit të Trumpit që Egjipti dhe Jordania t’i pranojnë banorët e Gazës.

Tani, Trumpi ka shkuar edhe më tej duke sugjeruar se jo vetëm që dëshiron zhvendosjen e banorëve të Gazës, por synon që Shtetet e Bashkuara ta marrin kontrollin dhe ta shndërrojnë atë në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”.

Lideri palestinez, Mahmud Abbas, e ka refuzuar propozimin e Trumpit, duke deklaruar se “të drejtat legjitime të palestinezëve nuk janë të negociueshme”.

Aleatët dhe kundërshtarët e SHBA-së e kanë kritikuar gjithashtu planin, duke përsëritur thirrjet për krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit.

Ministria e Jashtme e Francës deklaroi se zhvendosja e palestinezëve do të përbënte një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar” dhe këmbënguli se Gaza nuk mund të kontrollohet nga “një shtet i tretë”.

Sauditët, të cilët mbajnë marrëdhënie të mira me presidentin Trump, paralajmëruan se ata “nuk do të vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa një shtet sovran palestinez me Jerusalemin lindor si kryeqytet”.

Trump synon që fuqia rajonale, Arabia Saudite, t’u bashkohet Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin nën Marrëveshjet e Abrahamit, por është e vështirë të shihet se si mund të ecë përpara ky proces duke marrë parasysh propozimin e tij të tanishëm për Gazën.

Kina dhe Rusia kanë shprehur gjithashtu kundërshtimin e tyre ndaj zhvendosjes së detyrueshme të palestinezëve.

Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 2.4 milionë refugjatë të regjistruar palestinezë jetojnë aktualisht në Jordani. Shumë prej tyre janë zhvendosur që disa gjenerata, por kanë luftuar për të drejtën e kthimit në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e refugjatëve palestinezë në Egjipt, por raportet thonë se të paktën 115.000 banorë të Gazës kanë kaluar kufirin me Egjiptin që nga shpërthimi i luftës në tetor të vitit 2023.

Pikëpamja nga Izraeli

Plani i Trumpit do të mirëpritet padyshim nga shumica në kabinetin e Netanyahut, si dhe nga shumë qytetarë izraelitë.

Disa sugjerojnë se një gjë e tillë është thelbësore për sigurinë e Izraelit, ndërsa të tjerë argumentojnë se mund të jetë edhe zgjidhja më humanitare për një popullatë që nuk ka shtëpi ku të kthehet pas shkatërrimit të gjerë të Gazës.

Por, për shumë izraelitë të moderuar, të cilët mbështesin një zgjidhje me dy shtete, shqetësimi është se kjo mund të sjellë pasoja të paparashikueshme.

Lideri i opozitës dhe ish-kryeministri, Yair Lapid, e krahasoi propozimin me “hedhjen e një bombe” me pasoja të paqarta.

Sfida për politikën amerikane

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur në mënyrë aktive një zgjidhje me dy shtete që nga Marrëveshjet e Oslos në vitet ’90, të cilat parashihnin si Gazën, ashtu edhe Bregun Perëndimor si pjesë të një shteti palestinez.

Që nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur një zgjidhje me dy shtete, por Trumpi duket se po e ndryshon këtë politikë të kamotshme.

“Nuk ka asnjë fuqi në botë që mund të përcaktojë se ku do të jetojnë palestinezët. Ky është vendi ynë”, tha Samir al-Barawi, një refugjat palestinez në Bosnje, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Trump nuk mund të vendosë se ku do të jetojmë. Ne kemi lindur në Gazë dhe vetëm vdekja mund t’i nxjerrë njerëzit nga Gaza”, shtoi ai.

Al-Barawi tha se ai, si edhe palestinezët e tjerë, do të donte të kthehej një ditë në Gazë, “por jo si turist”.

Trumpi nuk e ka komentuar publikisht nëse mbështet aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli, por kur u pyet për këtë më 4 shkurt, ai u përgjigj se Izraeli është një “vend i vogël për nga territori”.

Bermant përsëriti se propozimi i Trump për Gazën ka gjasa të mos zbatohet dhe argumentoi se një “shqetësim më i madh” mbetet nëse presidenti amerikan do t’i lejojë qeverisë së Netanyahut të aneksojë Bregun Perëndimor.

“Kjo do të përbënte një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së”, tha ai./REL

Vdekja tragjike e Liam Payne, e dashura e artistit rrëfehet për herë të parë

E dashura e Liam Payne, Kate Cassidy, ka folur për herë të parë pas vdekjes tragjike të ish-yllit të One Direction.

Kate ishte me Liam në ditët para vdekjes së tij tronditëse më 16 tetor 2024. Megjithatë, vetëm dy ditë para se Liam të vdiste tragjikisht në moshën 31-vjeçare, duke rënë nga ballkoni i dhomës së tij të hotelit në katin e tretë, ajo u largua nga Argjentina dhe u kthye në shtëpinë e saj në Florida.

Muajt ​​e fundit, Kate ka zgjedhur të qëndrojë larg syve të publikut, duke iu kthyer jetës së saj në Shtetet e Bashkuara.

Ajo ka folur në një intervistë të gjatë për The Sun, në të cilën nuk i kurseu as lotët.
Ajo u ndal te vendimi për tu rikthyer në Florida përpara se ngjarja tragjike të ndodhte, duke thënë: “Ne kishim qenin tonë dhe padyshim që kurrë, kurrë nuk e kisha menduar se kjo ngjarje do të ndodhte. Ishte një aksident tragjik dhe jo, nuk e kam menduar kurrë që ai mund të vdiste aq i ri. Por ne kishim jetët tona dhe kjo nuk ishte hera e parë që qëndronim larg njëri-tjetrit”.
Që nga vdekja e tij, ajo ka telefonuar vazhdimisht në numrin e vjetër të telefonit të Liam vetëm për të dëgjuar mesazhin zanor të tij. Ajo gjithashtu ka liruar pronën që dikur kishin marrë me qira në Florida dhe është kthyer në vendlindjen e saj, New Jersey.

Kate tregoi se e mësoi për lajmin tronditës nga një prej miqve të Liam kur ajo ishte në shtëpi me qenin e tyre, Nala, ndërsa ajo ishte duke kaluar kohë në mediat sociale. Si fillim, ajo besoi se ishte një mashtrim mizor, por kishte një ndjesi të keqe se do të ishte e vërtetë.
Para vdekjes së tij, Kate tregoi se i kishte dërguar mesazhe Liam-it që kishte dekoruar rezidencën e tyre në Florida për Halloween, të cilën ai fatkeqësisht nuk e pa kurrë.

Rajoni thirrje SHBA për mbështetje ndaj Rusisë, Kinës dhe Iranit

Anëtarë të Kongresit amerikan, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor, shprehën të mërkurën nevojën për solidaritetin e democracive përballë regjimeve që minojnë rendin global si Rusia, Kina dhe Irani.

Ata folën në një Forum për çështjet e sigurisë që mbahet çdo vit në Kogres dhe shprehën nevojën e bashkëpunimit me administratën e re të Presidentit Donald Trump mes sfidave madhore globale.

Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions, një nga organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se është në interesin e Shteteve të Bashkuara që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të suksesshme dhe të pavarura, sidomos nga ndikimi i Rusisë.

“Mendojmë se është e rëndësishme që miqtë tanë, miqtë e Amerikës të jenë së bashku. Anëtarët e Kongresit janë një pjesë e rëndësishme për të dërguar sinjalin e rëndësisë që ka rajoni për stabilitetin e kontinentit të Evropës, por edhe për interesat e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Sessions.

Zoti Sessions tha se ligjvënësit si ai vetë, do t’ia përcjellin këtë mesazh administratës së re dhe Sekretarit të ri të Shtetit, Marco Rubio, ashtu si edhe atë të rrezikut të dezinformimit nga Moska dhe Pekini.

“Sekretari (Rubio) duhet të sigurohet që kjo të jetë një përparësi e administratën së re. Synimi i Donald Trumpit është që të gjithë të kenë një të ardhme më të mirë jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por ta shohin Amerikën si mikun e tyre”, tha ai.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarin e Kongresit Sessions dhe kolegun e tij republikan Robert B. Aderholt, tha për Zërin e Amerikës se dezinformi është vetëm një elementi rrezikut.

“Kemi një grup aktorësh që duan të bëjnë një zhvendosje të gjeopolitikës, në mënyrë të veçantë Kina, Rusia dhe Irani, por edhe vende të tjera dhe përballë kësaj unë mendoj se duhen ndërtuar rrugë komunikimi ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për vendin e saj dhe rajonin në përgjithësi, për të cilin tha se është në një gjendje të brishtë.

“Tani që Presidenti Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, përmes formulës së tij paqe përmes forcës, është e rëndësishme që Amerika të tregojë udhëheqje të vërtetë jo vetëm ndaj miqve të vërtetë por edhe atyre që po sjellin pranë rajonit tonë Rusinë, Kinën dhe Iranin”.

Presidentja Osmani i referohej Serbisë. Analisti i Ballkanit Edward Joseph paralajmëroi gjithashtu për rolin e Beogradit, duke i bërë thirrje Presidentit Trump që të dallojë miqtë e vërtetë nga ata të rremë siç u shpreh ai.

“Kujdesuni për interesat amerikane. Dhe mos u mashtroni nga dikush që thotë se ju admiron dhe ka një marrëdhënie të shkëlqyer me ju. Por pas shpinës suaj, në fakt ndërton marrëdhënieve më të ngushta me Kinën dhe çon përpara agjendën ruse dhe serbe”.

Zoti Joseph tërhoqi gjithashtu vëmendjen për qëndrimin e qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri Kurti ka përgjegjësinë të ketë marrëdhënie të hapura dhe të besueshme me Shtetet e Bashkuara. Ai nuk e ka bërë këtë. Dhe ai ka përgjegjësi t’u tregojë serbëve të Kosovës se janë qytetarë të plotë dhe një të ardhme të plotë në Republikën e Kosovës. Dhe ai nuk e ka bërë absolutisht këtë”.

Përfaqësuesi i Serbisë, Vladimir Marinkovic, ish-kryeparlamentar i vendit, hodhi poshtë akuzat ndaj vendit të tij dhe tha se Beogradi është i gatshëm për bashkëpunim me administratën Trump.

Deputeti i shumicës së Parlamentit të Shqipërisë Damian Gjiknuri shprehu gadishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim me administratën e re amerikane dhe nevojën e forcimit të demokracisë.

“Theksuam që një Amerikë e fortë, siç ka thënë Presidenti Trump ‘Amerika e Para’, mendoj që do të jetë edhe një aleancë e fortë, sepse ne ngjarjet nuk mund t’i kontrollojmë, por reagimin mbi ngjarjet aleanca do të mund ta bëjë shumë më mirë. Patjetër që Shqipëria është një anëtare i denjë aktive e NATO-s, do të bëjë pjesën e saj për paqen dhe sigurinë. Por dhe mesazhi që dhashë dhe që doli qartë nga kjo tryezë është dhe forcimi i demokracive. Nëse do të kemi demokraci dhe institucione të forta, do të kemi edhe një familje më të shëndoshë demokratike”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Në kushtet e sfidave madhore globale në botë, pjesëmarrësit në Forum e vunë theksin tek nevoja e koordinimit në të gjitha nivelet mes vendeve të tyres, si edhe forcimit të aleancave madhore perëndimore.

Hysaj e pëson në momentin e tij më të mirë, shihet duke çaluar

Elseid Hysaj u kthye në një formë mjaft të mirë te Lazio, duke shkëlqyer me asist në ndeshjen e fundit kundër Cagliarit në kampionat.

Gjithsesi, gjërat nuk shkuan mjaft mirë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare në këtë takim, pasi u largua nga dusha duke çaluar.

Nga testet e fundit mjekësore në klubin bardhekaltër, është zbuluar dhe shkalla e tij e dëmtimit.

Siç bëjnë me dije mediat pranë klubit të Lazios, Hsyaj do të mungojë 30-40 ditë.

Kjo do të thotë se ai rrezikon dhe grumbullimin me Kombëtaren shqiptare në ndeshjet e muajit mars kundër Anglisë dhe Andorrës.

U tha se është g*ay/ Jozi reagon sërish pas daljes nga BBV

Pas përjashtimit nga “Big Brother VIP Albania”, Jozi ka sqaruar edhe aludimet mbi orentimin e tij seksual.

Ai mohoi me vendosmëri këto pretendime, duke deklaruar se është “100% burrë” dhe se femra është krijesa më e shenjtë për të.

“Jozi është me mendimin që krijesa më e shenjtë që ka krijuar Zoti është femra. Nuk jam homoseksual. Bernardi ka gabuar. O Zot! Jozi është burrë 100%. Bernardi është pak i çuditshëm me këto deklarata”, u shpreh ai.

Lidhur me disa foto të publikuara në rrjet, ku ai shfaqej me një tjetër djalë që pretendohej të ishte partneri i tij, Jozi i hodhi poshtë këto spekulime, duke sqaruar se ai është një mik i familjes së tij.

“Ky është Mili, Emiljano. Është djalë shumë i mirë, shoku jonë, ia njoh familjen dhe vëllezërit. Kemi marrëdhënie vëllazërore, familjare. Ka shumë vite që nuk e kam takuar, por mbaj mend kur kemi qenë studentë. Unë isha në Lice dhe pinim kafe te lokali i tij. Është djalë i respektueshëm dhe ndihmon shumë. Mosekzistoftë emri i Jozit… ky është vëllai ynë”, theksoi ai.

Shenjat e horoskopit që qëndrojnë të martuara, edhe në kushtet më të vështira

Disa shenja të horoskopit kanë tendencën të qëndrojnë në një martesë, edhe kur lidhja nuk është më ajo që ka qenë dikur.

Pavarësisht se përballen me shumë probleme dhe pasiguri emocionale, ata nuk do të kërkojnë divorc dhe do të preferojnë të qëndrojnë të martuar për arsye të ndryshme. Ja se cilat janë këto shenja dhe arsyet përkatëse:

Demi
Demi është i njohur për dashurinë e tij ndaj sigurisë dhe stabilitetit. Ai preferon një rutinë të qëndrueshme dhe ndihen rehat në një marrëdhënie që siguron stabilitet financiar dhe material. Nëse martesa ofron këtë, Demi nuk do të marrë lehtë një divorc, përkundrazi, ai mund të tolerojë një marrëdhënie të dëmshme vetëm për të ruajtur këtë siguri. Ndjenja e stabilitetit e mban të lidhur në martesë, edhe nëse ka probleme të tjera.

Gaforrja
Për Gaforrën, familja është gjithçka. Kjo do të thotë se ajo do të jetë e gatshme të duroje shumë për të mbajtur familjen, sidomos kur janë të pranishëm fëmijët. Edhe kur martesa bëhet toksike dhe sjelljet janë të papranueshme, Gaforrja mund të qëndrojë për shkak të frikës nga shkatërrimi i familjes. Ky instinkt për të ruajtur “shtëpinë” mund ta mbajë atë të martuar, edhe kur shenja e dashurisë është ftohur.

Peshqit
Peshqit shpesh preferojnë të bëhen viktima në marrëdhënie dhe vendosin mirësinë e të tjerëve mbi veten e tyre. Edhe kur martesa bëhet toksike dhe e dëmshme, ata mund të qëndrojnë për shkak të pasigurisë dhe frikës nga e ardhmja. Peshqit mund të jenë të frikësuar nga idea e shkatërrimit të një martese dhe shpesh preferojnë të mbeten të lidhur, sepse ata kërkojnë dikë që t’u sigurojë mbështetje, edhe nëse kjo do të thotë të tolerojnë sjellje të dëmshme.

Tronditet Gjermania, nëna vret fëmijët dhe veten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Villingen-Schwenningen të Gjermanisë. Tre trupa u gjetën pajetë brenda në një banesë.

Mediat gjermane raportojnë se një grua ka vrarë fillimisht dy djemtë e sj dhe më aps veten.
Trupat e pajetë të gruas dhe djemve të saj të moshës 14 dhe 16-vjeç u gjetën në banesë nga bashkëshorti 45-vjeçar i cili ka lajmëruar menjëherë policinë.

Oficerët gjetën një thikë, e cila dyshohet të jetë arma e vrasjes. Sipas hetimeve fillestare, nëna ka vrarë fillimisht dy adoleshentët dhe më pas veten.

Departamenti i Hetimeve Penale ka nisur hetimet e mëtejshme.

Sipas raportit, hetuesit morën në pyetje fqinjët në lagje të martën në mbrëmje ndërkohë që ekipi i mjekësisë ligjore siguruan prova.

Produktet natyrale më të mira për koronaret e zemrës

10 ushqimet që ndihmojnë në zhbllokimin e arterieve, enëve të gjakut dhe mbrojnë zemrën:

Shega
Ky frut kaq i këndshëm përmban fitoushqyes që mbrojnë veshjen e brendshme të arterieve. Lëngu i shegës stimulon prodhimin e lëndës kimike të quajtur oksid nitrik. Ai ndihmon qarkullimin e gjakut dhe i mban arteriet të hapura.

Brokoli
Ju pëlqen ose jo, brokoli është një nga më të pasurit me vitaminë K, që parandalon dëmet e shkaktuara nga kalciumi në arterie. Brokoli është plot me fibër që ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe kolesterolit.

Avokado
Në vend të majonezës përdorni pastën e avokados më mirë. Studimet kanë tregouar se konsumi ditor i avokados përmirëson nivelin e kolesterolit në gjak, duke mbajtur të ulur kolesterolin e keq dhe të lartë atë të mirin, që mban arteriet të zhbllokuara.

Shpargu
Shpargu është një ushqim që pastron arteriet në mënyrë natyrale dhe parandalon mpiksjen e gjakut. Perimja e perandorëve është plot me fibër dhe minerale por edhe me shumë vitamina siç janë K, B1, B2, C dhe E.

Hurmat
Hurmat janë të mbushura me antioksidantë dhe polifenolë që punojnë së bashku në uljen e kolesterolit të keq dhe të triglicerideve. Ato janë një burim i shkëlqyer i fibrës që ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut dhe i mban arteriet të pastra.

Kanella
Kjo erëz e shijshme ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit dhe pastron arteriet nga akumulimet e rrezikshme. Kanella është e mbushur me antioksidantë që përmirësojnë shëndetin kardiovaskular duke parandaluar oksidimin e gjakut. Hidhni kanellë në kafenë tuaj, panine ose në çdo ushqim tjetër dhe do të përmirësoni shëndetin tuaj./ Agroweb

Tmerrohen banorët në Elbasan/ Arkivoli në mes të rrugës

Një ngjarje e pazakontë u shënua këtë të mërkurë në Elbasan, ku banorët u tmerruan pasi panë një arkivol në rrugë.

Sipas banorëve, arkivoli ishte i mbyllur dhe lundronte në rrjedhën e përroit të Zaranikës, pranë një blloku banimi.

Ende nuk dihet si ka përfunduar arkivoli aty, ndërsa autoritetet po kryejnë hetime për të zbardhur më shumë detaje.

View this post on Instagram

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

SHBA u tërhoq nga tarifat tregtare/ Meksika dislokon qindra trupa ushtarakë në kufi

Qindra ushtarë meksikanë u dislokuan të martën në kufirin me Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje që ndaloi hyrjen në fuqi të tarifave të Shteteve të Bashkuara ndaj importeve meksikane, me kusht që vendi të godasë trafikun e fentanilit.

Trupat meksikane do të vendosen në pikat përgjatë kufirit me shkallë të lartë të imigrimit të paligjshëm dhe trafikut të drogës dhe armëve, duke përfshirë zonën e Bahës pranë Kalifornisë, Sonora dhe Tamaulipas, thanë tre zyrtarë ushtarakë dhe qeveritarë me njohuri për planin.

Plani për të vendosur përfundimisht 10,000 ushtarë meksikanë është pjesë e një marrëveshjeje të shpallur të hënën, mbi të cilën Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tërhoqi kërcënimin e tij për vendosje të tarifave të normës 25% ndaj importeve meksikane. Meksika ishte zotuar të vendoste tarifa hakmarrëse.

Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara kanë premtuar gjithashtu se do të punojnë për të ndalur fluksin e armëve amerikane nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë, tha presidentja meksikane Claudia Sheinbaum.

Disa analistë thanë se përqendrimi i madh i trupave meksikane të dërguara në kufi mund të lërë zonat e tjera të cenueshme të Meksikës pa sigurinë e duhur.

“Presidentja ishte e detyruar të merrte një vendim të tillë”, tha Andres Sumano, një studiues në Kolegjin Verior të Kufirit të Meksikës.

Një luftë tregtare midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara do të mund të kishte shkaktuar një rënie të madhe ekonomike në Meksikë, ndërsa konsumatorët amerikanë do të ishin goditur me çmime më të larta për importet meksikane, duke përfshirë makinat dhe kamionët./ Zëri i Amerikës