zoom

Day ArchiveTë shtëna me armë në Malësinë e Madhe, qëllohet drejt një patrulle policie

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Malësinë e Madhe.

Mësohet se është qëlluar në drejtim të një patrulle policie. Efektivët kanë qenë duke hequr disa kamera sigurie në Linaj të Malësisë së Madhe, kur dy persona kanë qëlluar drejt tyre.

Nga informacionet paraprake mësohet se disa shtetas janë shoqëruar në komisariatin e policisë. Deri më tani nuk raportohet për të plagosur./ Zoom.al

Wizz Air vazhdon talljen, pasagjerët lihen në rrugë

Kompania ajrore Wizz Air ka lënë sërish qindra pasagjerë në rrugë.

Avioni që duhej të fluturonte sot nga Ankona e Italisë drejt Shqipërisë nuk është nisur.

Në moment të fundit, kompania, që njihet për shërbim skandaloz, ka njoftuar pasagjerët se nuk do të udhëtojnë. Njoftimi, sipas denoncimeve të qytetarëve, u dha pas 4 orësh pritje në aeroport.

Ky nuk është rasti i parë që Wizz Air trajton udhëtarët pa dinjitet.

Zoom.al ka dëshmuar prej kohësh problematikat e linjës hungareze në Shqipëri. Vonesat dhe anulimet janë të zakonta për Wizz Air, duke i vështirësuar jo pak herë udhëtimet e shqiptarëve ./ Zoom.al

Vrasja në Tiranë, identifikohen autori dhe viktima (EMRAT)

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e ndodhur pasditen e sotme në një familje në Tiranë, te zona e Kodrës së Priftit.

Burime nga grupi hetimor konfirmijnë se 37-vjeçari që u vra me thikë nga babai i tij është Asim Gjoni. Ai ndërroi jetë në spital.

Ndërsa babai i tij, Hekuran Gjoni u arrestua nga policia disa minuta pas ngjarjes.

Të dy ata kanë qenë në gjendje të dehur kur kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin.

Babai ka pranuar përpara policisë që e ka vrarë të birin.

Krim brenda familjes në Tiranë, babai vret djalin

Një 37-vjeçar u vra nga babai i tij pasditen e kësaj të shtune në Tiranë.

Policia njoftoi se shtetasi me inicialet A. Gj. u godit me thikë nga i ati, 74 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:50, tek Kodra e Priftit, në rrugën “Ilia Shyti”, në banesë.

37-vjeçari humbi jetën në spital, ndërda babai i tij u arrestua menjëherë pas ngjarjes./ Zoom.al

EMRI/ Kush është e reja që humbi jetën sot në Lushnje

Identifikohet vajza e re që humbi jetën këtë të shtunë në qendër të Lushnjes, pasi u hodh nga lartësia.

Sipas policisë, viktimë mbeti 21-vjeçarja Kledia Kollazi nga Karbunara e Madhe.

Ajo u hodh nga kati i nëntë i një pallati, që ndodhej pas godinës së bashkisë.

Dyshohet se shkak i këtij veprimi të ketë qenë gjëndja depresive e 21-vjeçares.

Familjarët e saj po merren në pyetje për të zbardhur më shumë detaje.

3 shenjat me më pak fat të horoskopit për muajin shkurt

Gaforrja

Gaforret mund të luftojnë me dëshirën e tyre për të kaluar kohë vetëm dhe për të shpëtuar nga problemet që po i shqetësojnë. Megjithatë, energjia e Hënës këtë muaj do t’i detyrojë të përballen me këto çështje, edhe nëse ata nuk duan. Ky muaj do jetë i vështirë për këtë shenjë emocionale dhe të ndjeshme. Gaforrja do të thirret të merret me çështje të vështira që kanë të bëjnë me të dashurit e tyre. Në fund të muajit do të ndihen shumë i ngarkuar dhe në ankth.

Peshqit

Peshqit duhet të mbajnë një profil të ulët, të fokusohen në qëllimet e tyre dhe të punojnë në heshtje. Durimi dhe këmbëngulja t’i ndihmojnë ata të kapërcejnë vështirësitë.

Peshorja

Ekziston mundësia që këta persona të shpenzojnë më shumë sesa mund të përballojnë. Ata do të kenë vështirësi për të gjetur ekuilibrin e dëshiruar midis jetës personale dhe punës dhe mund të mos arrijnë t’i përmbushin këto detyra. Në nivel profesional, Peshoret mund të duken si indiferentë ose të papërgjegjshëm, gjë që mund të ndikojë në zhvillimin e tyre profesional.

Ekonomistët, mendime të ndryshme mbi ndikimin e tarifave në ekonominë amerikane

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara po trajtohen në mënyrë të padrejtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë dhe ai është gati të përdorë fuqinë e plotë ekonomike të vendit për ta ndryshuar këtë.

“Tarifat do ta bëjnë vendin tonë të pasur”, tha ai.

Presidenti kërcënoi me tarifa të mëdha çdo vend që refuzon kërkesat e tij, si ato për luftën ndaj imigracionit të paligjshëm, trafikun e drogës ose që sfidojnë epërsinë tregtare të Shteteve të Bashkuara. Ekonomistët kanë mendime të ndryshme rreth mënyrës së si mund të ndikojnë tarifat në ekonominë dhe konsumatorët amerikanë.

“Është e mundur të zbatohet një strategji për tarifat, që do të zhvendsote barrën kryesisht jashtë vendit.”

Ekonomisti James Galbraith thotë se tarifat e propozuara nga Presidenti Trump mund të ndihmojnë në rikthimin e vendeve të punës në industritë e ndryshme amerikane. Duke i bërë mallrat e huaja më të shtrenjta, qëllimi është të tkurret varësia nga importet dhe të forcohet prodhimi vendas. Por disa ekonomistë argumentojnë se tarifat pakësojnë potencialin e ekonomisë.

“Në planin afatgjatë, tarifat do të krijojnë më shumë pasiguri. Nga pikëpamja e biznesit, asnjë pronar biznesi nuk dëshiron të investojë në një vend që mund të përballet me tarifa tani ose në të ardhmen”, thotë ekonomisti Edmond Berisha nga Universiteti Shtetëror Montclair.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Presidenti Trump tha se po mendonte për të imponuar një tarifë 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, duke filluar nga 1 shkurti. Fundjavën e kaluar, ai gjithashtu kërcënoi dhe më pas u tërhoq nga vendosja e tarifave të ngjashme ndaj Kolumbisë.

Kritikët paralajmërojnë se tarifa të tilla do të kenë një ndikim të menjëhershëm mbi familjet dhe pronarët e bizneseve amerikane. Ata thonë se kostoja e tarifave për artikujt e përditshëm si artikujt ushqimor, rrobat dhe kafeja do të kalojë tek konsumatorët.

“Ne jemi marrë me kultivimin e kafesë në Kolumbi për rreth 150 vjet. Ferma është në pronësi të familjes sonë tani për afër 80 vjet.”

Jonathan Echeverry, pronar i Kompanisë “Paper Plane Coffee” jashtë qytetit të Nju Jorkut, shqetësohet se nëse vendosen tarifa ndaj mallrave kolumbiane, siç kërcënoi Presidenti Trump së fundmi, ai do të detyrohet të kalojë kostot më të larta tek konsumatorët.

“Tani ne jemi në një krizë kafeje pasi kemi një rritje të çmimeve në nivelin më të lartë në 50 vjet. Pra, duke shtuar mbi këtë një tarifë 25 apo 50 për qind thjesht do ta përkeqësonte situatën”, thotë Jonathan Echeverry nga kompania “Paper Plane Coffee Company”.

Mbrojtësit e tarifave thonë se nuk është gjithmonë konsumatori ai që mban barrën.

“Kjo mund të ndodhë, por jo gjithmonë. Ju duhet të pyesni se si do të reagojnë furnizuesit e huaj. Në disa rrethana, ata mund të reagojnë duke ulur shkallën e tyre të fitimit dhe duke u përpjekur të ruajnë pjesën e tyre të tregut”, thotë ekonomisti James Galbraith.

Amerikanët po përgatiten për ndikimin që tarifat mund të kenë mbi punët e tyre, bizneset dhe çmimet e artikujve që konsumojnë./ Zëri i Amerikës

E rëndë/ Elektriçisti bie nga shtylla, dërgohet me urgjencë te Trauma

Një elektriçist ra nga shtylla elektrike këtë të shtunë.

61-vjeçari po punonte në Bulqizë, kur nuk u ndje mirë dhe humbi ekuilibrin.

Ai u rrëzua në tokë dhe mori lëndime në trup.

Elektriçisti u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku merr kujdesin mjekësor.

Sipas bluzave të bardha, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Rama mesazh Arben Ahmetajt: Ishe një karrige më tutje nga unë

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj këtë të shtunë ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili në intervistën e fundit televizive, e quajti Ramën kreun e organizatës kriminale.

Rama i kujtoi Ahmetajt se deri dje ishte në krahun e tij të djathtë, ndërsa sot është në kërkim nga drejtësia.

“Ata do thonë se ne jemi çetë hajdutësh, sepse ja ky edhe ai që ishin deri dje me ne, madje deri një karrige me tutje nga unë, janë sot në duart e drejtësisë apo janë në kërkim nga drejtësia.

Por ju do ti thoni që po mos të ishim ne, socialistët, që e përdorëm pushtetin tonë për ti dhënë pavarësi drejtësisë sot nuk do kishte asnjë njeri të lidhur me pushtetin politikë të sotëm apo të djeshëm para drejtësisë, siç nuk pati kurrë më parë që nga viti 1912 deri kur ne bëmë Reformën në Drejtësi”, tha Rama nga Kuvendi Rinor i PS-së.

Në intervistën e tretë në “Syri TV”, Ahmetaj tha se kanabizimi i vendit ishte plani i Edi Ramës. Ai shtoi se Rama falimentoi linjën ajrore “Air Albania”.

Serbi/ Studentët bllokojnë urat mbi Danub

Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë organizuar të shtunën për bllokimin e tri urave mbi lumin Danub në Novi Sad, fiks tre muaj pasi 15 persona janë vrarë si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti, i dyti më i madhi në Serbi.

Studentët janë nisur nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt urave Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë, të cilat do të jenë të bllokuara prej orës 15:00.

Disa janë parë duke mbajtur në duar mbishkrimet “Tre muaj – tri ura”.

Urat do të jenë të bllokuara fillimisht për tri orë dhe më pas pjesëmarrësit do të mblidhen në Urën e Lirisë, të cilën do ta bllokojnë për 24 orë.

Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.

Studentët e Beogradit kanë pushuar në disa qyteza derisa kanë arritur në Novi Sad, ndërsa banorët lokalë i kanë mirëpritur me ushqime.

Protestës i janë bashkuar edhe rreth 1.000 motoristë që janë nisur prej Beogradit.

Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.

Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Autoritetet, në anën tjetër, pretendojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat.

Protesta organizohet në tremujorin e tragjedisë në Novi Sad, e cila ka nxitur një valë të madhe protestash, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra persona.

Protestat janë udhëhequr prej studentëve, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete.

Ata besojnë se incidenti është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore të Kinës./ Radio Evropa e Lirë