zoom

Day Archive“Bie shi, do ishte bukur…”/ Ramazan Mataj u nxor në pritë nga autori me “Tik Tok” fals

Mesazhe zanore me zë gruaje nga një profil i rreme në TIK TOK cuan Ramazan Matajn drejt pritës ku u vra më 5 Janar në Shkodër.

Policia ka arritur të dokumentojë se pas skemës qëndron autori i dyshuar i krimit, tashmë i arrestuar.

Dy mesazhe zanore dërguar nga një profil i rremë në “TikTok” me emrin “Majli 544”, çuan Ramazan Matajn drejt pritës ku u vra, tregojnë hetimet e policisë krimin e ndodhur më 5 janar në fshatin Dragoç, Shkodër.

Sipas dosjes hetimore, pas këtij profili fshihej autori i krimit, Arjon Hasaj, tashmë i arrestuar i cili u identifikua përmes numrit të telefonit me të cilin kishte regjistruar adresën e rreme.

Hasaj, duke u prezantuar si vajzë, e ftoi Matajn për takim në dalje të fshatit ku më pas e qëlloi me pushkë automatike, duke e lënë të vdekur.

Nga këqyrja e telefonit të viktimës, policia gjeti bisedat me “Majli 544”.

Mataj rezulton se kishte kërkuar prova që profili ishte vërtet një vajzë, ndërsa kishte marrë dy mesazhe zanore me zë gruaje, ku shprehej:

“…Në mos besosh, lëre, mos shkruj më pra… unë femër jam…” dhe “…Sonte ke rastin, shi asht tu ra… bukur do ishte…”.

Mataj mori makinën për të takuar “vajzën”, por në të vërtetë rezultoi se ishte kurth vdekjeprurës!

Pas krimit Arjon Hasaj u fiksua edhe nga një kamera sigurie, ndërsa mbi bazë të provave policia arriti ta identifikojë e vërë në pranga bashkë me të vëllanë.

Në dëshmitë pas arrestimit autori i dyshuar i krimit tha se Ramazan MAtaj u kishte ngacmuar motrën e tij dhe kishte ndikuar për ti shkatërruar martesat.

Mbi bazë të provave Arjon Hasaj është akzuzuar për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa vëllai Klisman Hasaj, për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”.

Gjykata e Shkodrës i ka lënë në burg. Oranews/

Atentati ndaj Kristian Markut në Vlorë/ Kamerat fiksuan sulmin, dyshimet për autorët

Ndërsa kanë kaluar disa ditë që nga atentati ki i vra Kristian Marku në Vlorë, autoritet nuk kanë zbardhur ende ngjarjen.

Megjithatë, hetuesit po vijojnë kqyrjen e kamerave të sigurisë dhe kanë marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni.

Policia ka dyshime se qitësit të jenë nga Vlora apo të jenë ndihmuar nga persona që e njohin mirë territorin për faktin e dinamikës së ngjarjes që nga vjedhja e targave të oficerit të policisë dhe më pas përdorimi i tyre në atentat deri tek largimi i autorëve.

Në kamerat e një prej bizneseve të karburantit duket momenti i kalimit të dy automjeteve, viktimës dhe autorëve. Autorët e kanë ndjekur viktimën dhe më pas e kanë qëlluar duke iu afruar me sinjal ndezur paralel. Në dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor të dëshmitarëve, fillimisht është dëgjuar një e shtënë dhe më pas më radhë.

Automjeti i autorëve me sinjal ndezur i është afruar makinës që drejtohej nga Kristian Marku dhe më pas e kanë qëlluar. Janë dëgjuar frenimet dhe fërkimet e gomave të automjeteve në autostradë, ndërkohë më pas mjeti që drejtohej nga Kristian Marku ka ecur për inercinë, duke u përplasur me trafikndarësen.

Sipas grupit hetimor, besohet të zbardhet vjedhja e targës, për hetimin do të jetë edhe më e lehtë zbardhja e ngjarjes. Megjithatë, grupi hetimor bën me dije se vrasja e automjeteve në ecje nuk mund të kryhet nga persona që janë pa përvojë në atë fushë pasi vrasja kërkon përqendrim dhe precizion në momentin që makinat ecin. Ndërkohë, kamerat janë duke u marrë edhe në bizneset që janë në Njësinë Administrative Novoselë për të parë nëse mjeti i autorëve ka qarkulluar në zonë.

Reagojnë familjarët e Azbi Spahiut: Askush të mos ndërmarrë veprime në emrin tonë

Familjarët e policit rrugor  Abzi Spahiu kanë bërë një reagim sqarues për mediat pas lajmeve që kanë qarkulluar në ditët e fundit.

Familjarët kanë falenderuar të gjithë personat e interesuar dhe kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e efektivit është në përmirësim.

Ata kërkojnë gjithashtu të respektohet privatësia dhe të mos aludohet mbi shkaqet e ngjarjes për të cilat, ata thonë se lidhen me arsye personale e nuk kanë të bëjnë me ndonjë presion, siç është thënë në media.

” E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e gjithkujt, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon.”- thuhet gjithashtu në reagim.

Reagimi i plotë:

Në përgjigje të interesimit të mediave, ne, familja Spahiu, ndjejmë detyrimin të sqarojmë situatën e të afërmit tonë, Azbiut.

Ne dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të sinqerta për të gjithë ata që, në këto ditë të vështira, na kanë qëndruar pranë. Në radhë të parë, falënderojmë miqtë, të afërmit, kolegët e punës dhe çdo person tjetër që ka treguar solidaritet, qoftë edhe pa pasur njohje të mëparshme me ne.

Fatmirësisht, gjendja shëndetësore e të dashurit tonë po përmirësohet dhe mezi presim që ai të rikthehet sa më parë në jetën dhe punën e përditshme.

Ne si familje kemi qenë gjithnjë të thjeshtë dhe larg qendrës së vëmendjes së medias apo opinionit publik. Situata aktuale ka krijuar shqetësim, jo vetëm për Azbiun, por edhe për ne si familje, miqtë dhe të afërmit tanë. Kjo vëmendje e tepërt dhe aludimet e pavërteta nuk ndihmojnë, përkundrazi, na e rëndojnë situatën. Për këtë arsye, ju lutemi të gjithëve që ta respektojnë privatësinë tonë dhe të mos merren me spekulime me çështjet personale, që as i di njeri e as ka pse t’i dijë.

Siç na kanë këshilluar edhe mjekët, ajo që i duhet më shumë tani Azbiut është qetësia. E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e gjithkujt, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon.

Për të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Azbiut, dëshirojmë të konfirmojmë se kjo është një situatë personale dhe nuk lidhet aspak me ndonjë presion për shkak të detyrës nga eprorë, kolegë, qytetarë apo biznesmenë, siç është aluduar në disa raste.

E falënderojmë secilin prej jush që ka treguar mbështetje të sinqertë. Jemi mirënjohës për punën e palodhur të mjekëve të Spitalit të Traumës, të cilët po ndihmojnë në rikuperimin e shpejtë të Azbiut. Me ndihmën e tyre dhe mbështetjen e gjithë miqve tanë, jemi të bindur që gjithçka do të kthehet në normalitet.

Ju falënderojmë nga zemra për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj.

Zgjedhjet e 9 shkurtit, NATO dërgon në Kosovë 200 ushtarë shtesë

Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha se ka dërguar në Kosovë edhe 200 ushtarë shtesë italianë për të forcuar misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i cili tani ka afër 4.000 trupa nga 50.000 sa kishte më 1999, kur ushtarët e këtij misioni u dislokuan në vend.

KFOR-i tha se po përforcon praninë në Kosovë dhe brigada italiane e këmbësorisë “Sassari” do të kryejë “një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it”. Kjo forcë “do të dislokohet në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, tha KFOR-i.

Ditë më parë, shqetësime për periudhën zgjedhore në Kosovë shprehu edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte. Ai deklaroi se është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, që të sigurohet që të mos ketë destabilizim gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të monitorohen po ashtu nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar për një mision prej 100 vëzhguesish.

Nathalie Loiseau, anëtarja franceze e Parlamentit Evropian, do të udhëheqë misionin e bllokut evropian për monitorimin e zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se ky mision vë në pah “mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën për të forcuar edhe më tej qeverisjen e saj demokratike”.
Ajo tha se votimet e 9 shkurtit do të tregojnë “pluralitetin e peizazhit politik të Kosovës”.
Ky do të jetë misioni i shtatë vëzhgues i BE-së për zgjedhjet në Kosovë.

Fushata zgjedhore, e cila nisi më 11 janar, sipas organizatave joqeveritare në Kosovë që e monitorojnë këtë proces, po karakterizohet me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes mbi baza politike.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Katër kandidatët për kryeministër, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ditët e para të fushatës i kanë përqendruar energjitë te politikat e brendshme dhe te akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Këto zgjedhje shihen nga shumë si test për fuqinë e kryeministrit Albin Kurti dhe të partisë së tij, teksa tensionet janë të larta me minoritetin serb dhe me Serbinë fqinje.

Asnjëri nga ta nuk ka përmendur si zotim kryesor normalizimin e raporteve me Serbinë.

Së fundi janë rritur tensionet për shkak të disa veprimeve të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në komunat ku jetojnë serbët. Më 15 janar, u mbyllën institucione serbe në dhjetë komuna të Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë thanë se ato ishin institucione ilegale.

Megjithatë, mbyllja e disa komunave paralele të Serbisë, si dhe zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të Ibrit, u përshkrua me kundërthënie.

Kjo, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi po më 15 janar se nuk kishte autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë zytare. Mbyllja e institucioneve të tilla nga autoritetet e Kosovës ka nisur që në fillim të vitit 2024. Përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera. Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb.

Serbët në veriun e Kosovës gëzojnë mbështetjen e Beogradit, i cili ka financuar strukturat paralele atje, por edhe ka mbështetur qytetarët serbë përmes pensioneve apo edhe shtesave të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, sikurse edhe Bashkimi Evropian, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.

Blloku evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet në kuadër të dialogut të Brukselit, duke thënë se normalizimi është kusht për avancimin e shteteve drejt integrimeve evropiane.

Sy e vesh nga Capitol/ Gjithçka duhet të dini për inagurimin e Donald Trump

Presidenti i 47-të i SHteteve të BAshkuara të Amerikës do të inagurohet të hënën në një ceremoni madhështore e cila është zhvendosur në ambjete të brendshme për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta të cilat pritet të arrijnë deri në -14 gradë.

Trump do të bëjë betimin rreth orës 12 duke shënuar zyrtarisht një rikthim të jashtëzakonshëm politik. Pas betimit presidenti i 45-të dhe i 47-të do të mbajë një fjalim inaugurues që përcakton axhendën e tij për katër vitet e ardhshme.

Trump pritet të flasë për disa iniciativa politike që ai është zotuar t’i zbatojë menjëherë pas marrjes së detyrës, duke përfshirë mbylljen e kufirit jugor, fillimin e operacionit më të madh të dëbimit të emigrantëve në historinë e SHBA-së dhe faljen e kryengritësve të 6 janarit.

Pas trump do të bëjë betimin edhe zëvendës presidenti, JD Vance.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë të gjithë ish-presidentët amerikanë, krerë dhe ish krerë shtetesh nga e gjithë bota si dhe personalitete nga fusha të ndryshme ku dominojnë ata të teknologjisë.

Ceremonia e inagurimit ishte përgatitur të priste përpara Capitolit deri në 300 mijë qytetarë dhe protestues por ndryshimet për shkak të motit e bëjnë të paqartë numrin e pjesmarrësve.

Megjithatë masat e sigurisë janë në nivelet më të larta. Mijëra personel të zbatimit të ligjit do të jenë në gatishmëri se bashku me ushtarakë dhe anëtarë të gardës kombëtare.

Ceremonia inaguruese Trump-Vance është mundësuar nga donacione që arrijnë në mbi 170 milionë dollarë të dhuruara kryesisht nga kompanitë teknologjike por edhe ato të automjeteve. Trump është personi më i vjetër në histori që ka marrë detyrën si president me 78 vjet e 220 ditë. Ai është pesë muaj më i madh se Biden kur u betua në vitin 2021.

E fundit/ Pas 15 muajsh, Hamasi liron tre pengjet e parë (PAMJET)

Tre pengjet e parë izraelitë janë liruar nga Hamasi vetëm pak momente më parë.

Tre vajzat e reja, njëra izraelite dy të tjerat izraelite-britanike i janë dorëzuar nga grupi militan Kryqit të Kuq i cili do t’i trasportoj të rejat në territorin IZraelit.

Lajmin e ka bërë të ditur ushtria ndërsa disa nga pamjet janë publikuar nga mediat.

Absolutely chaotic scenes as the 3 hostages are moved out of Gaza.

F*ck this entire terrorist enclave.

pic.twitter.com/pvyv2n8AEA

— 𝗡𝗶𝗼𝗵 𝗕𝗲𝗿𝗴 ♛ ✡︎ (@NiohBerg) January 19, 2025

Të treja vajzat u rrëmbyen nga Hamasi 15 muaj më parë, në 7 tetor në banesat e tyre dhe në festivalin Nova.
Sipas marrëveshjes, në këmbim të tre pengjeve të para, izraeli do të lirojë nga burgjet dhjetëra palestinezë.

Aksidenti në Vlorë/ Identifikohet viktima, është 22 vjeç (Emri)

Policia ka identifikuar viktimën e aksidentit që ndodhi në Vlorë këtë të dielë.

I riu që humbi jetën pas përplasjes fatale është Faton Kasaj 22-vjeç.

Njoftimi:

Vlorë/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur sot, në afërsi të urës së fshatit Lapardha, Vlorë, ju bëjmë me dije se është bërë i mundur identifikimi i drejtuesit të motomjetit që humbi jetën në vendngjarje, i cili rezulton të jetë shtetasi F. K., 22 vjeç.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Aksident i rëndë në Vlorë/ Humb jetën 30-vjeçari

Një 30-vjeçar ka ndërruar jetë këtë të dielë si pasojë e një aksidenti automobilistik në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Lapardha rreth orës 15;00.

I riu, ende i paidentifikuar që ndërroi jetë udhëtonte me një motomjet i cili u përplas me një automjet që drejtohej nga një 80-vjeçar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit si dhe për identifikimin e drejtuesit të motomjetit që ndërroi jetë.

Vendimi i GJK për Berishën, ish-ministri i Drejtësisë: Gjykimi pa palë, alarm kushtetues

Ish-ministri Ylli Manjani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” që u caktua ndaj tij me kërkesë të SPAK.

Ylli Manjani thekson se gjykimi pa palë dhe i mbyllur po bëhet rutinë, duke shtuar se ku është alarm kushtetues.

Sipas ish-ministrit të Drejtësisë çdokush ka të drejtë të dëgjohet përpara se të gjykohet, duke theksuar se “si dëgjohet tjetri kur nuk thirret në një sallë gjyqi?!”

“E kur gjykimi pa palë e pa gjyq ndodh në Gjykatën Kushtetuese, që presupozohej që kjo të paktën të ishte modeli korrekt i kushtetutshmërisë së proceseve, vaj hallit ç’ndodh në gjykatat e tjera”, deklaroi ai.

Postimi i plotë:

Nuk ka gjyq në dhomë këshillimi!!!

Insistoj në këtë gjë!

Gjyqi është i hapur për publikun dhe zhvillohet gjithnjë në prani të palëve.

Çdokush ka të drejtë të dëgjohet përpara se të gjykohet- thotë Kushtetuta, neni 33.

Si dëgjohet tjetri kur nuk thirret në një sallë gjyqi?!

Ka të drejtë të dëgjohet dhe jo të lexohet, ore eejjjj!

Nuk hidhet dot në letër dinamika e një procesi apo ndodhi të jetës. Edhe sikur të ndodhë, përsëri ka rrethana që imponojnë debat mbi çështjen, ndaj duhet spjegim në një sallë gjyqi dhe përballë palës tjetër.

Ballafaqimi i argumentave, provave, fakteve e pse jo edhe përvojave në një sallë gjyqi ndihmon gjykatën të gjykojë drejt.

Kontradiktoriteti është parim themelor i procesit të rregullt, dhe bazohet tek fjala dhe përballja e saj me fjalën e palës tjetër. Kontradiktoriteti nuk bëhet me shkrim. Aq më pak pa praninë e palëve në një sallë gjyqi.

Ndaj gjykimi në dhomë këshillimi nuk ka lidhje as me të drejtën e as me procesin e rregullt.

E kur gjykimi pa palë e pa gjyq ndodh në Gjykatën Kushtetuese, që presupozohej që kjo të paktën të ishte modeli korrekt i kushtetutshmërisë së proceseve, vaj hallit ç’ndodh në gjykatat e tjera.

Gjykimi pa palë dhe i mbyllur po bëhet rutinë!!!
Ky është alarm Kushtetues!

Nuk kam asnjë dyshim që gjykimi pa palë dhe pa gjyq të hapur, bie ndesh me të paktën 2 nene të Kushtetutës, nenit 33 dhe neni 42.

Si të reduktoni dhjamin e barkut? Mjafton të largoni stresin, këshillat që ju duhen

Shpesh heqja e dhjamit në zonën e barkut duket se është diçka e pamundur.

Por cili është fajtori kryesor që bën yndyrën të grumbullohet më së shumti në këtë pjesë të trupit?

Studimet tregojnë se fajtori kryesor është rritja e kortizolit, hormonit të stresit.

Sipas tyre ekziston një lidhje midis kortizolit dhe rritjes së yndyrës që rrethon organet e brendshme në bark.

Fatkeqësisht, stresi dhe reagimi që ai shkakton në trup është diçka e pashmangshme.

Ju njohim më poshtë me disa këshilla si të zbusni efektet e kortizolit në organizëm.

Bëni prioritet gjumin

Gjumi cilësor jo vetëm që ka fuqinë për të ulur nivelet e kortizolit, por gjithashtu prodhon hormonin e rritjes dhe melatoninën. Hormone që luftojnë yndyrën dhe mbajnë masën muskulore të shëndetëshme.

Një pushim i mirë gjatë natës gjithashtu ndihmon në ruajtjen e niveleve të leptinës. Një tjetër hormon që është i rëndësishëm për kontrollin e oreksit.

Mos i shmangni vaktet

Kur përpiqeni të hiqni sa më parë kilogramët e tepërt, shmangia e vakteve mund t’ju duket një ide e mirë.

Por nëse nuk i konsumoni vaktet në mënyrë të rregullt ose prisni të kalojë shumë kohë mes tyre, nivelet e hormoneve në trupin tuaj do të fillojnë të luhaten.

Sheqeri në gjak do të bjerë dhe kështu në trupin tuaj shkaktohet një përgjigje stresi.

Kjo bën të mundur çlirimin e kortizolit dhe bën që energjia juaj të bierë edhe më tepër.

ështu për të kompesuar energjinë e humbur, ju mund të përfundoni duke ngrënë edhe më shumë.

Zgjidhni karbohidratet me mençuri

Karbohidratet në thelb nuk janë të këqija por jo të gjitha llojet e tyre janë të njëjta.

Karbohidratet e përpunuara ose të rafinuara, si buka e bardhë ose orizi i bardhë, priren të rrisin sheqerin në gjak.

Dhe meqenëse u mungojnë fibrat për t’ju ngopur, ju mund ta teproni me konsumin e tyre.

Ndërsa karbohidratet komplekse si kinoa, patatet e ëmbla treten ngadalë dhe nuk e rrisin tepër sheqerin në gjak.

Ato ndihmojnë gjithashtu në aktivizimin e gjeneve të humbjes së peshës, duke reduktuar yndyrën e barkut dhe inflamacionin.

Shmangni konsumin e alkoolit

Alkooli rrit nivelet e kortizolit, gjë që ndikon në nivelin e glukozës dhe insulinës në gjak.

Gjithashtu ai mund të shtojë oreksin tuaj dhe të rrisë presionin dhe sheqerin në gjak.

Kufizoni sheqerin dhe ushqimet e përpunuara

Jo vetëm që ushqimet shumë të përpunuara përmbajnë sasi të larta sheqeri dhe shumë kalori të zbrazëta pa asnjë përfitim ushqyes, por përmbajnë edhe konservues që mund të shkaktojnë çekuilibrime hormonale.

Gjeni mënyra për të qenë aktiv

Jo çdo ushtrim që bëni duhet të jetë me intensitet të lartë.

Edhe ushtrimet më të thjeshta ose edhe një shëtitje e shkurtër mund të ndihmojnë në lehtësimin e stresit duke rritur prodhimin e kimikateve në tru që ju bëjnë të ndiheni mirë./AgroWeb.org