zoom

Day ArchivePolicia në kaos, bandat në pushtet. Për çfarë i duhet posti Ministrit të Brendshëm?

Në një kohë kur krimi i organizuar dhe bandat po konsolidojnë pozitat, sa duke shtuar asetet e duke i pastruar ato në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, aq edhe duke rritur ndikimin mbi politikën e duke injoruar shtetin e ligjin, Policia e Shtetit po e sheh veten në një spirale krize gjithnjë e më të thellë.

Situata është kritike, aq sa asnjë nga kriminelët më të rrezikshëm të dalë në përgjimet e SKY ECC nuk po kapet. Ka të dhëna se disa prej tyre lëvizin lirisht në Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan e Vlorë me garanci për të mos u arrestuar.

Përgjegjësia bie mbi drejtuesit e Policisë, me Ministrin e Brendshëm në krye.

Kriminaliteti në vend po shënon rekorde të reja dhe qytetarët ndihen të pambrojtur kur shohin se rrezikohen nga plumbat që vërshojnë me breshëri në autostradën Fier – Vlorë ku mbrëmë u vra 30 – vjecari Kristjan Marku apo kur shohin se një biznesmen vritet në mes të Tiranës në prag të shtëpisë së tij dhe autorët largohen në drejtim të paditur.

Nga vrasjet e bujshme deri te pasiguria e përditshme në rrugë, është e qartë që policia nuk po arrin të përmbushë misionin e saj. Në vend që të ofrojë siguri, Policia e Shtetit po shfaqet përditë e më shumë si një strukturë e dobësuar dhe e pafuqishme.

Në një klimë të tillë, pyetja që lind është e thjeshtë: Ku është Ministri i Brendshëm? Si është e mundur që ai të vijojë të mbajë postin e tij, ndërkohë që situata i ka dalë jashtë kontrollit?

Jo vetëm që Policia është e paralizuar përballë krimit, por edhe marrëdhëniet mes drejtuesve kryesorë të institucioneve janë në pikën më të ulët. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, duket se nuk e përfill ministrin dhe kjo marrëdhënie në kolaps sjell mungesë koordinimi, jetike për Ministrinë e Brendshme dhe policinë.

Kur drejtuesi më i lartë i policisë nuk respekton autoritetin e Ministrit të Brendshëm, atëherë çfarë roli ka ky i fundit? Çfarë kuptimi ka që ai të qëndrojë në atë zyrë? A i ka kërkuar Ervin Hoxha llogari Ilir Prodës për situatën e kriminalitetit? Kjo mungesë sinergjie vetëm sa dekurajon strukturat e rendit dhe i jep krimit një terren edhe më të favorshëm për të lulëzuar.

Nëse nuk ka as autoritet mbi strukturat e policisë dhe kreun e saj dhe as vizion për ta rikthyer sigurinë, çfarë kuptimi ka që të rrijë kot në zyrë?

Ministri i Brendshëm ka në dorë të tregojë sot integritet që të largohet, për t’i dhënë mundësinë dikujt tjetër që të marrë përgjegjësinë për të futur Policinë e Shtetit në binarët e ligjit dhe për ta vënë atë përballë bandave.

Ai duhet t’ia thotë hapur Edi Ramës se sa kohë do të qëndrojë në zyrë e nuk do të guxojë as t’i bjerë telefonit te Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, jo vetëm do të shtojë koston personale, por do të dëmtojë edhe imazhin e Ministrit të Brendshëm në mënyrë të pakthyeshme. /Zoom.al

Endrit Shabani u çjerr maskën Ylli Rakipit e Arian Çanit për lidhjet me Arlind Qorrin

Drejtuesi i nismës “Thurja”, Endrit Shabani, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me debatet që kanë shpërthyer së fundmi rreth pranisë së Arlind Qorrit në mediat shqiptare. Në një postim ironik, Shabani ka vënë në shënjestër gazetarët Ylli Rakipi dhe Arjan Çani, duke ironizuar qasjen e tyre ndaj narrativës së Qorrit se “mediat që nuk e ftojnë janë të blera nga oligarkët”.

Shabani, i njohur për tonin e tij kritik dhe shpesh sarkastik, ka theksuar me humor se ai personalisht nuk është i ftuar në emisionet e Rakipit prej “438 ditësh” dhe tek Çani prej “348 ditësh”. Përmes këtij komenti, ai lë të kuptohet se mungesa e tij në këto studio nuk lidhet domosdoshmërisht me presionet apo ndikimet nga oligarkët, duke sfiduar pretendimet e ngritura nga Qorri.

Në vijim të postimit të tij, Shabani ka nënvizuar se pranimi i Qorrit në këto emisione është një dëshmi që Rakipi dhe Çani “nuk janë të blerë nga oligarkët”, duke përdorur një gjuhë ironike për të vënë në pah qasjen selektive të disa mediave në lidhje me figurat publike.

Reagimi i Shabanit vjen pasi Arlind Qorri u ankua në emisionin e Blendi Fevziut se nuk ftohej prej tij për shkak se nuk e lejonin “oligarkët” që ai denonconte, një tezë që u vu në dyshim kur deputeti Agron Shehaj i vuri në dukje se Qorri nuk e denonconte oligarkun Bashkim Ulaj për sa kohë ai e ftonte në televizionin e tij A2.

Nga ana tjetër, mështetja që Rakipi dhe Çani i kanë dhënë Qorrit përmes hapësirave në programet e tyre ka ndezur diskutime mbi objektivitetin e tyre si gazetarë dhe mbi standardet editoriale të emisioneve që ata drejtojnë.

Postimi i Shabanit nuk është vetëm një kritikë ndaj Rakipit dhe Çanit, por një reflektim mbi atë që ai e konsideron një problem më të gjerë të qasjes mediatike në vend. Ai sugjeron se trajtimi i figurave politike nga mediat shpesh shoqërohet me dy standarde, duke krijuar hapësira për interpretime të shumta mbi motivet dhe lidhjet pas ekranit.

Në një kohë kur hapësira për debate të lira dhe të barabarta në media mbetet një çështje kritike, ironia e Shabanit është një thirrje për të reflektuar mbi rolin dhe përgjegjësinë e gazetarëve në promovimin e një debati të shëndetshëm dhe të paanshëm. /Zoom.al

Kurtin e forcojnë kritikët e tij të çartur!

Nga Kim Mehmeti

Gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë thuajse të gjithë pyesin pse drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk marrin pjesë nëpër debate televizive? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse e kanë kuptuar se ata më së shumti i forcon kritika çmendurake ndaj tyre dhe se më së miri përfaqësohen nga kritikët e tyre, të cilët kur i dëgjon, të duket se flasin me gojën e Radojçiit.

Andaj se VV është e partia më e fortë në Kosovë dhe se ajo do i fitojë edhe këto zgjedhje parlamentare, më së miri dëshmojnë kundërshtarët e saj që nuk mund të përmbahen e sillen si të çartur. Dhe të cilët as që mund ta fshehin se më së shumti Kurti i ka dëshpëruar pse edhe duke qenë Kryeministër nuk u bë si ata – hajdut!

Ndërkohë mbete e vërteta se VV është e fortë sepse ka kundërshtarë drejtuesit e PDK’së të cilët ia gjetën emrin lirisë, por assesi ta zbulojnë mbiemrin e hajnisë si dhe, drejtuesit anemik të LDK’së të cilët të vetëdijshëm se nuk kanë kurrnjëfarë fizionomie politike, e përdorin portretin e Rugovës.

Duke shpresuar kështu se sërish do u jepet mundësia që, njësoj si disa herë në të shkuarën, popullin ta zhvatin qetë e butë dhe duke i buzëqeshur.

Kuptohet, të sundosh pesë vite e të mos kesh bërë gabime është e pamundur. Por të verbuar nga urrejtja patologjike ndaj Kurtit, kritikët as që i shohin gabimet e tij reale.

Siç është për shembull gara e tij me Piktorin se kush do i merr peng shqiptarët që jetojnë jashtë Shipërisë e Kosovës e që e çoi atë të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, ku i ‘forcoi’ shqiptarët e këtushëm duke i copëtuar si dhe, duke e përkrahur VLENin e përdorshëm vetëm për qeverinë më proserbe që ndonjëherë ka pasur ky vend: atë të VMRO-DPMNE’së!

Në të vërtet, si majtist i rreshkur, Kurti i çmon lartë vetëm ata që e adhurojnë. Madje atij i duket e pabesueshme të ketë shqiptar që nuk e ka atë idhull. Andaj atë më së shumti mund ta dëmtojnë dhe ta harxhojnë politikisht vetëm adhuruesit e tij të verbër.

Kurti e dinë këtë dhe prandaj adhuruesve të vet ua ka ndaluar pjesëmarrjen nëpër emisione debatuese dhe nëpër TV ekrane ku të gjithë flasin vetëm për të dhe askush nuk flet për partitë tjera.

Adhuruesve të vet ai ua ka lënë në disponim vetëm rrjetet sociale ku rëndom, budallai ia zbërthen politikën të hutuarit.

“Loredana, tokë e xanun”, deklarata e Jozit shkakton debat në BBV, Ledioni: S’ke tru në kokë!

Deklarata e Jozit “Loredana është tokë e xanun” ka shkaktuar debat të ashpër në prime-n e Big Brother VIP 4.

Kjo ka shkaktuar reagimin e opinionistëve Neda Balluku dhe Arbër Hajdari.

Jozi: Është tok e xanun Loredana.

Loredana: Mos i thuaj këto Jozi.

Neda: Do e kishe puth edhe prekur më shumë seç duhet nëse s’do të kishte kamera.

Jozi: E ke gabim, na kënaqe.

Neda: Kë doni të besojmë atë të dhomës së rrëfimit apo këtë këtu.

Loredana: Unë mbrëmë isha shumë e nxehur dhe prandaj unë i thash ato llafe. Nuk jam tokë e zënë, jam tokë e vetes sime, ai s’mund të vendosë për mua.

Arbër: Loredana është lojtare e zgjuar, pse të nxitohem unë, thotë ajo, të shoh pak impaktin e studios, s’kam ndonjë nxitim, e vetmja si mund të marrin impakt është përmes nesh, prandaj s’ka qëndrime. Tregohuni vetvetja, mos ndiqni strategjitë e detajuara në marrëdhënie.

Jozi: Meshkujt shqiptarë ekzistojnë akoma.

Ledioni: Ça shqiptarësh, tek treni treshi ka vend për çdonjërin. Më vjen keq që ke kaq pak tru në kokë.

Jozi: Kam më shumë ndjenja.

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë është pezulluar tre ditë nga puna dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor, pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku shfaqet duke goditur punonjësin e doganës.

Për të kryer një hetim sa më të plotë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e menjëhershëm të tij nga Pika e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kapshticë.

Ndërsa doganieri, sipas Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, nuk ka pranuar të bëjë kallëzim.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë

Në lidhje me një video të postuar në rrjetin social JOQ, ku shfaqet një oficer policie duke u konfliktuar me një punonjës të doganës, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ju sqarojmë se:

Ngjarja ka ndodhur më datën 06.01.2025, dhe menjëherë pas ngjarjes, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, Komisar A. A, është pezulluar tre ditë nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin disiplinor.

Për të kryer një hetim sa më të plotë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar transferimin e menjëhershëm të këtij punonjësi nga Pika e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kapshticë.

Sqarojmë se shtetasi L.M (doganier) me të cilin u konfliktua Shefi i Stacionit A.A, nuk ka pranuar të bëjë kallzim.

Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla, në këmbim merr zyra dhe stadium

Qeveria paraqiti të enjten tetë projektet mbi toka publike që synon t’i zhvillojë me investitorë privat në Tiranë. Ato parashikojnë ndërtime kullash, zyra qeveritare dhe një stadium të ri.

Prezantimi mbajti titullin “Ura për Shqipërinë 2030”. Kjo është pjesë e fushatës për zhvillimin e 28 pronave publike që kaluan në administrim të Korporatës Shqiptare të Investimeve, për të cilat Citizens.al ka raportuar më parë.

Lista e tetë projekteve të prezantuara:

1. “Lift Tower” – Rruga Muhamet Gjollesha

Arkitektë: Baukuh, Muoto, Sam Chermayeff, Yellow Office, Atmos Lab, Bollinger Grohmann, Simoj Boudvin, Arkimade.

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Projekti i “Lift Tower”

Kullë 39-katëshe me shërbime mikse për rezidencë studentësh, zyra, hoteleri dhe banim. Parashikohet të ngrihet në truallin prej rreth 2,350 metrash katrorë ku ka qenë ish-Instituti i Ndërtimit – krah Fakultetit të Inxhinierisë.

Aktualisht aty janë zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Qeveria propozon t’ia japë truallin privatit me kusht që të zgjerojë ndërtesën e Kadastrës së Tiranës krah shkollës “Harry T. Fultz”.

Gara për investitorët u hap më 20 nëntor. Afati për oferta u shty nga 6 janari për në 20 janar. Investitorët duhet të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe garanci për fluks financimi 8.5 milionë euro.

2. “Civic Land Center” – Rruga Panorama

Arkitektë: Baukuh, Muoto, Sam Chermayeff, Yellow Office, Atmos Lab, Bollinger Grohmann, Simoj Boudvin, Arkimade.

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Projekti i Civic Land Center

Projekti lidhet, dhe është në varësi të zhvillimit të kullës “Lift Tower” – shpjeguar më sipër. Ai rikoncepton “nën një kapanon gjigand”, godinën 6-katëshe të Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tiranë. Aty parashikohet të zhvendoset me zyra edhe ATP dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin (AShSh).

Godinës i shtohen tre blloqe 8-9-10 kate që parashikohen të jenë për zyra, arkivë dhe hapësira rekreative.

Sipas Korporatës nga ky propozim për zhvillim hapësirash përfitojnë rreth 1800 punonjës të administratës publike.

3. “Tirana Void Tower” – Bulevardi Zhan D’Ark

Arkitektë: Coldefy, Atelier 4, Semper Virens, Jacopo Foggini, AEI

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Projekti i Tirana Void Tower

Kompleks me 3 kulla 25 katëshe krah lumit Lana në vendin ku dikur kishte selinë Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH). Aktualisht aty ka zyrat Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Korporata parashikon t’ia japë privatit 2,840 metra katrorë truall të ish-ATSH-së dhe projektin e zhvillimit. Në këmbim privati duhet të ndërtojë kompleksin qeveritar në zonën e Komunës së Parisit. Parashikohen rreth 51 mijë metër katrorë ndërtim me një vlerë përfitimi kapital të përafërt me rreth 60 milionë euro.

Gara për investitorët u hap më 20 nëntor. Afati për oferta u shty nga 6 janari për në 20 janar. Investitorët duhet të kenë qëndrueshmëri ekonomike dhe garanci për fluks financimi 10 milionë euro.

4. “Public Administration Cluster” – Komuna e Parisit

Arkitektë: Coldefy, Atelier 4, Semper Virens, Jacopo Foggini, AEI

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Projekti i kompleksit qeveritar te Komuna e Parisit

Kompleks qeveritar në zonën e “Komunës së Parisit”. Bëhen bashkë 22 institucione në varësi të Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Arsimit, e më tej ato të Turizmit dhe Mjedisit. Përfitohen rreth 34 mijë metra katrorë ndërtim.

Projekti parashikon prishjen e bllokut të ndërtesave ku aktualisht ka zyrat Autoriteti i Aviacionit Civil. Bëhet fjalë për hapësirën mes pallateve që kufizohet nga rrugët Sulejman Delvina-Medar Shtylla-Osman Myderizi-Grigor Heba.

Hapësira rikonceptohet me 17 platforma 2 deri në 8 kate. Ato vishen nga një fasadë e rrjetëzuar me tarraca dhe hapësira publike. Ndërtimi kushtëzohet dhe varet nga zhvillimi i “Tirana Void Tower” shpjeguar më lart.

5. “Expo Albania” – Farkë

Arkitektë: Steven Holl, Agnieszka Kurant, Ateiler 4, Markgraph, ARUP, Stoss Landscape.

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Kompleksi i panaireve dhe ekspozitave në Farkë

Qendër panairesh me hapësira fleksibël për ekspozita, koncerte, evente, logjistikë dhe rekreacion ku parashikohen zona shërbimesh për hoteleri dhe restorante. Konceptuar për t’u ndërtuar krah Bazës Ajrore të Farkës në Unazën Lindore të Tiranës.

Projekti mbulon një sipërfaqe prej 17 mijë metrash katrorë truall të Bazës së Farkës. Ai është menduar të ofrojë rreth 30 mijë metra katrorë ndërtim. U shpall fitues më 18 prill 2024 pas një konkurrimi të hapur që nisi më 29 dhjetor 2023. Grupi projektues u shpërblye me 40 mijë euro.

Ana vizuale u prezantua më 14 tetor. Koncept-ideja është pjesë e një studimi fizibiliteti të mbështetur nga Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (AICS). Aktualisht nuk ka një thirrje për investitorë.

6. “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare” – Rruga Dora D’Istria

Arkitektë: XDG – Xavier De Geyter, iRI

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Godina e re e Bibliotekës Kombëtare te Liqeni Artificial

Biblioteka Kombëtare parashikohet të ndërtohet në zonën e ish-Gardës së Republikës, në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.

Projekti nuk është bërë publik edhe pse është konceptuar që në vitin 2020. Ai shfaqet në renderët e hotelit 14 katësh që kompania “Nova Construction” po ndërton në zonë. Titullohet “Pieces, Hospitality and The New Building of The National Library”. Ai parashikon dhe ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë. Kjo e fundit është aktualisht duke u ndërtuar.

Nuk janë të qarta arsyet se përse vonoi ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare të re. Por Korporata përfitoi shfrytëzimin e truallit të propozuar me një VKM që u miratua po të enjten, 9 janar. Ajo e përfshiu të premten në një “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim”. Sipas saj parashikohet që bibliotekën e re ta ndërtojë privati në këmbim të një kulle pranë zonës së Qytetit Studenti.

Gara u hap më 10 janar me afat deri më 10 shkurt. Investitorit i kërkohet të ketë stabilitet financiar dhe mundësi likuiditeti për 8.5 milionë euro investim.

7. Kullë 25 katëshe te ish-vilat gjermane

Arkitektë: Të papërcaktuar

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Harta e zonës te ish-vilat gjermane që jepen për zhvillim

Kullë me funksion të shumëfishtë në rrugën Gramoz Pashko, në zonën e ish-vilave gjermane në Qytetin Studenti.

Korporata ofron 5,219 metra katrorë truall ku aktualisht ndodhen 7 vila qeveritare për t’u zhvilluar nga privati. Kusht është ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare. Ofrohet mundësia për të zhvilluar deri 60 mijë metra katrorë ndërtim. Hapësirat e propozuara janë tregtare (5%), zyra (10%), hoteleri (25%) dhe banim (60%).

Duke marrë në konsideratë një shfrytëzim trualli prej 45-50% njolla e katit mund të jetë 2,400 metra katrorë. Me këtë mund të hamendësojmë se privati mund të ndërtojë atje një kullë rreth 25 kate.

Gara u hap më 10 janar me afat deri më 10 shkurt. Investitori ka lirinë ta konceptojë me një ekip të tij projektin e kullës me kusht që të ndërtojë dhe bibliotekën.

8. Stadiumi Selman Stërmasi – “Tirana e Re”

Arkitektë: Të papërcaktuar

Qeveria iu “fal” privatëve 8 prona publike për kulla,

Harta e zonës së Stadiumit Selman Stërmasi që jepet për zhvillim

Siç kemi raportuar, Stadiumi “Selman Stërmasi” ofrohet nga Korporata si një aset për zhvillim nga investitorë privatë. Atyre u jepet e detyrueshme ndërtimi i një impianti sportiv. Në këmbim u jepet për zhvillim deri 120 mijë metra katrorë ndërtim në 57 mijë metra katrorë truall.

I përshkruar si “Rijetëzimi i Stadiumit Selman Stërmasi”, projekti nuk përjashton mundësinë e një stadiumi të dytë me kullët. Kjo pasi projekti i Stadiumit Kombëtar me kullë ka marrë vlerësime të larta publike nga qeveria dhe Bashkia Tiranë.

Gara me “thirrje duo për projekt-propozim dhe investim” u hap më 24 dhjetor 2024 me afat 24 janarin 2025. Investitori ka lirinë ta konceptojë vetë projektin, por duhet të ketë stabilitet financiar. Gjithashtu përvojë në ndërtime të ngjashme dhe mundësi për likuiditet prej të paktën 12 milionë eurosh./Citizens.al

Postimet/ Redoni reagon “zemërthyer” pas puthjes së Eglit me Gjestin

Loja “kiss kiss” në Big Brother Vip Albania i ka afruar edhe më shumë Gjestin dhe Eglin.

Për këtë ka reaguar edhe ish-banori Redon Berani, i cili është përfolur shumë në rrjet pasi ka shprehur edhe pëlqimin për Eglin.

Me humor Redoni ka shpërndarë një video të Hashim Thaçit ku thotë “më dhemb zemra, por nuk më thyhet” ndërsa shkruan me humor “gjendjen emocionale”.

Më tej ai ka shpërndarë një foto të Gjestin dhe Eglit teksa shkruan se dyshja janë dy banorët e tij të preferuar.

Lëkundje tërmeti në vend, ja sa ishte magnituda

Vendi ynë është përfshirë nga lëkundje tërmeti këtë të martë.

Tërmeti ishte me magnitudë 3.8 ballë me epiqendër 25 km nga Elbasani.

Nuk raportohet për dëme pas lëkundjeve deri më tani.

“Krimi shqiptar po fiton terren”, kryeprokurorja belge: Raportet tronditëse që zbuluam në SKY ECC

Kryeprokurorja belge Ann Fransen është shprehur se krimi i organizuar shqiptar po fiton çdo ditë më shumë terren.

Komentet Fransen i bëri në një intervistë për “DeMorgen”, ku është ndalur te lufta kundër krimit të organizuar në vend, që sipas saj, paratë i investojnë në Marok, Shqipëri dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.Fransen përmendi edhe përgjimet e SKY ECC, që sipas saj, tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë forcuar dhe janë tejet të dhunshme në aktivitetin e tyre.

Ajo tha gjithashtu se autoritetet belge po punojnë me drejtësinë shqiptare për goditjen e organizatave kriminale me origjinë nga vendi ynë dhe sekuestrimin e parave të tyre.

Artikulli i ‘DeMorgen’:

Për 17-vjet ajo trajtoi dosjet më serioze të terrorit. Që nga viti i kaluar, Ann Fransen ka qenë gruaja e parë në krye të zyrës së Prokurorit Publik Federal.

Bashkëpunimi me vendet e huaja është një nga prioritetet e saj. Në mars, gjykata më e lartë e Emirateve dha dritën jeshile për ekstradimin e Nordin El Hajjioui 38 vjeç, i njohur si ‘Fat Nordin van de Dam’. Këtë muaj, bosi i drogës në Antwerp, Othman El Ballouti u arrestua gjithashtu në Dubai, një tjetër objektiv me vlerë të lartë.

“Ne kemi pasur një traktat ekstradimi që nga viti 2021, por tani po fokusohemi më shumë në kontaktet e drejtpërdrejta me zyrën e Prokurorit Publik Federal”, thotë Fransen.“Kjo shpërblehet. Mund të durosh sa të duash, nëse nuk i njeh njerëzit bëhet më e vështirë”, shton ajo.
Ajo u mësua të luftonte krimin që në moshë të re. Ann Fransen është vajza e Herman Fransen, komandantit të fundit të Xhandarmërisë dhe pas reformës policore në fund të viteve 1990, komisarit të parë të Përgjithshëm të Policisë Federale belge

Babai i tij, gjyshi i saj, ishte komandant brigade në Wolvertem. “Ishte ëndrra ime të bëhesha oficerja e parë femër e xhandarmërisë”, thotë Fransen. “Kur isha 18 vjeç, mora provimin pranues në shkollën ushtarake, por u refuzova nga ana mjekësore”.
Ajo studioi drejtësi dhe pas një periudhe të shkurtër si juriste, Fransen filloi karrierën e saj si magjistrate në prokurorinë publike të Brukselit.

-Buja e parë në media ishte pushimi i hetimeve për Bandën e Nivelles. Megjithatë, kjo bandë ishte një prioritet kryesor në raportin vjetor 2023. Ajo dosje është një prioritet kryesor, por kur u bëra prokurore federale, doli që gjyqtari hetues dhe drejtori i dosjes nuk shihnin më asnjë veprim hetimor të mundshëm për ne. Vendimi ishte marrë tashmë përpara se të emërohesha, por e ndjeva se ishte detyra ime që t’ua dërgoja vetë atë mesazh viktimave. Unë mendoj se të gjithë e panë atëherë se sa të vështirë e pata këtë. Do të kishim dashur ta shihnim ndryshe.

-Atëherë si mund të riaktivizohet dosja Gang?

Një bakshish i artë, ose dikush që ndjen keqardhje në shtratin e vdekjes dhe mund të thotë diçka. Nuk ka rëndësi nëse është një dëshmitar okular, një autor apo dikush që ishte i përfshirë vetë. Informacionet e rëndësishme dhe relevante janë ende të mirëseardhura.

-A po shesin bosët e drogës Emiratet për Turqinë?

Ekziston dyshimi për një efekt ‘shtrati uji’: nëse trajtoni një fenomen kriminal, ai do të lëvizë. Ashtu si trafiku i drogës, i cili nuk do të ndalet nëse kemi kontrollin e porteve kryesore. Pastaj kalon në portet më të vogla.

Në luftën kundër mafies së kokainës, muajt e fundit jemi fokusuar fuqishëm në rikuperimin e aseteve kriminale. Fitimet nga trafiku i drogës shpesh zhduken jashtë vendit: Në Marok, Shqipëri, Emirate. Çdo vend ka ligje të ndryshme. Në Marok, konfiskimi ishte i mundur vetëm në rast të një dënimi për financim të terrorizmit ose pastrim parash. Mësuam se është më mirë të strukturojmë ndryshe hetimet tona për importin dhe eksportin e drogës, për shembull duke shtuar sistematikisht një komponent për pastrimin e parave.
Ne jemi një hap më tej me shqiptarët. Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të fitojë terren. Kjo u duk nga thyerja e shërbimit të koduar të mesazheve Sky ECC. Hetuesit hasën në raporte tronditëse, të cilat tregonin se bandat nuk i shmangen dhunës ekstreme.
Tani po shkojmë pas parave. Së bashku me drejtësinë shqiptare, ne po hartojmë një kuadër për sekuestrimin e përfitimeve nga aktivitetet kriminale. Ne duam të arrijmë këtë edhe në Emirate. Ne duhet jo vetëm të sigurojmë që ata të dorëzojnë pasuritë me vlerë të lartë, por edhe që ne të mund të rikuperojmë asetet e tyre të paligjshme.

-Por kjo nuk ka ndodhur kurrë deri më tani.

“Jo në Emiratet, por në Marok, sapo është marrë një vendim me një urdhër konfiskimi. Ne kemi pasur suksese edhe në Shqipëri”.
Jo vetëm që ka dhurata të huaja, por në tavolinën e saj ka edhe një kavanoz qelqi me kokrra sheqeri. Fransen u bë gjyshja e nipit të saj të parë, Arthurit, në tetor. “Për fat të keq, nuk e shoh shumë atë,” thotë ajo. Herë pas here më shkon në mendje: nëse vazhdoj të bëj këtë punë, ai djalë së shpejti do të jetë 10 vjeç dhe do të më ketë marrë malli për të gjitha.

-Ju jeni gruaja e parë në krye të zyrës së prokurorit federal. A i kushtoni rëndësi kësaj?

Unë mendoj se ky është një sinjal. Gratë tashmë kanë ardhur tek unë, nga administrata te magjistraturat, për të thënë se sa të lumtura janë me emërimin tim. Një avokate më tha gjatë vlerësimit të saj se i dhashë kurajo. Ajo ishte aq shpesh në telashe me kujdesin e fëmijëve të saj, saqë kishte dyshime për performancën e saj. Por e pranoj: e mora vendimin tim në një moment kur fëmijët e mi ishin jashtë shtëpisë.

-Paraardhësi juaj, Frédéric Van Leeuë, nuk mund të shfaqej askund, madje as në opera, pa siguri. A është kështu edhe për ju?

Gjatë periudhës së sulmeve, Frédéric ishte shumë i ekspozuar. Ai madje u shfaq në video propagandistike të IS. Sot situata është ndryshe. Aktualisht nuk ka asnjë kërcënim konkret që do të më bënte të kem nevojë për siguri. Gjyqtari hetues Philippe Van Linthout kohët e fundit dha alarmin me të drejtë. Krimi i organizuar ka evoluar në atë masë sa gazetarët, gjyqtarët dhe të tjerët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt kërcënimesh. Kemi ende rrugë për të bërë në atë zonë. Mungon edhe mbështetja psikosociale për magjistratët.

-Ju trajtoni rastet më të rënda të vrasjeve, por nuk mund të telefononi një psikolog?

Ai domein është praktikisht bosh. Ndërkohë që kemi të bëjmë me dosje rrëqethëse. Nuk do ta fsheh faktin që kjo punë ndonjëherë përfshin lot.

Anketa: SPAK institucioni më i besueshëm, por priten më shumë hetime e ndëshkime ndaj politikanëve

Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) sapo ka publikuar Anketën Kombëtare për Shqipërinë, ku spikat një mbështetje e lartë e qytetarëve për SPAK-un, i cili vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm në vend.

Shumica e të anketuarve presin më shumë hetime dhe ndëshkime të politikanëve të korruptuar, për shkak se korrupsioni është për ta një ndër shqetësimet kryesore. Ata pohuan se nuk do të mbështesin në zgjedhje ato parti, që përkrahin ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut. Drejtori i IRI-t për Shqipërinë, John Fluharty, tha për Zërin e Amerikës se qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit për të përmirësuar jetën e tyre. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit rikthen besimin e njerëzve tek demokracia.

SPAK-u

Anketa Kombëtare e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjeti se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është sot institucioni më i besueshëm në Shqipëri (76%), e më pas renditen policia, ushtria dhe institucionet fetare, ndërsa institucionet më pak të besueshme janë Kuvendi dhe partitë politike.

Studimi mbështetet në përgjigjet e një mijë e dyqind qytetarëve të moshave nga 18 vjeç deri mbi 56 vjeç.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (59%) mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë është e efektshme, ndërsa (70%) e tyre mendojnë se efektshmëria e drejtësisë u rrit pas vetingut të gjyqtarëve dhe ngritjes së SPAK-ut.

Afro gjysma e të anketuarve (47%) mendojnë se krijimi i SPAK-ut është rezultati më i mirë i reformës në drejtësi, më pas vijnë vettingu (27%) dhe (13%) zbehja e ndikimit politik mbi gjykatat.

Pas kryerjes së reformës në drejtësi qytetarët mendojnë se më të rëndësishmet për t’u bërë tani janë luftimi i korrupsionit, hetimi dhe ndëshkimi i politikanëve, si dhe pavarësia nga ndikimi qeveritar.

Ata i besojnë më shumë SHBA-ve (46%) dhe BE-së (37%) për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe gjykatat, disa herë më pak kryeministrit (7%), dhe vetëm 1 për qind i besojnë Kuvendit.

Më shumë se gjysma e të anketuarve (51%) nga të gjithë grupmoshat pohuan se nuk do ta përkrahin në zgjedhje asnjë parti, që mbështet ligje për të kufizuar punën e SPAK-ut.

Afro 40 për qind e qytetarëve pohuan se vlerësimi i tyre për SPAK-un do të përmirësohej, nëse SPAK heton politikanë, të cilët ata i kanë mbështetur në të kaluarën.

“Për të tretën herë në anketat tona SPAK-u është institucioni më i besuar në Shqipëri, – tha për Zërin Amerikës, John Fluharty, drejtori i IRI-t për Shqipërinë. – Një numër i madh i qytetarëve pohuan që nëse SPAK-u do të hetonte një kandidat apo parti, që ata kanë mbështetur më parë, kjo do të rriste mbështetjen e tyre për SPAK-un. Akoma më domethënëse është gjetja që nëse njerëzit zbulojnë se kandidati ose partia mbështet kufizimin e SPAK-ut për të bërë detyrën e tij, ata do të kenë më pak gjasa të mbështesin atë parti apo kandidat. Kjo do të thotë se qytetarët kanë shpresë. Ata shohin shpresë në punën e SPAK-ut, shohin shpresë në luftimin e korrupsionit, që më parë nuk e kishin. Kjo është vërtet domethënëse”, tha zoti Fluharty.

Korrupsioni

Nga ana tjetër, korrupsioni mbetet një ndër shqetësimet kryesore në Shqipëri, teksa 71 për qind e të anketuarve e cilësojnë këtë dukuri si një problem serioz.

Pjesa më e madhe besojnë që korrupsioni është më i përhapur në shërbimet publike si doktorët, mësuesit dhe policët, e më pas ata renditin kryeministrin me kabinetin qeveritar, drejtësinë, drejtuesit e partive politike e të biznesit si dhe zyrtarët vendorë.

Pjesa më e madhe të anketuarve shprehen se problemet më të rëndësishme që përballet vendi aktualisht janë ekonomia me çmimet e larta dhe kostot e jetesës, papunësia dhe korrupsioni, pasuar nga shëndetësia, kriminaliteti dhe migrimi.

Krahasuar me një vit më parë, shqetësimi për ekonominë ka rënë me 11 pikë, por shqetësimi për korrupsionin është rritur me 2 pikë.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve pohuan që nëse zgjedhjet mbahen sot, çështjet përcaktuese për votën e tyre janë pensionet, ekonomia dhe antikorrupsioni.

Ata besojnë se arritjet më të rëndësishme të qeverisë aktuale janë infrastruktura, integrimi europian dhe reforma në drejtësi, por tek dështimet më të mëdha të qeverisë qytetarët renditën pensionet, ekonominë, emigrimin dhe korrupsionin.

Qytetarët e anketuar mendojnë se përparësitë kryesore që qeveria duhet të trajtojë janë ekonomia, pagat dhe pensionet, punësimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.

“Korrupsioni nuk është vetëm një çështje paligjshmërie, por është një çështje ekonomike, sepse ai ndikon në aftësinë e njerëzve për të pasur punë, në koston e jetesës, si dhe në meritokraci, -thotë zoti Fluharty i IRI-t. – Njerëzit e cilësojnë korrupsionin si çështje parësore, por nuk mund ta shkëputin nga çështjet e SPAK-ut, sepse ata po dëmtohen ekonomikisht, dhe e shohin korrupsionin si një nga shkaktarët e dhimbjeve të tyre, rritjes së kostos së jetesës, çmimeve të larta të ushqimeve. Njerëzit pohuan në sondazh që gjërat do të përmirësohen, pasi korrupsioni po trajtohet. Fokusimi kundër korrupsionit është si një Reset Button për vendin, një mundësi për të rivendosur në një kurs të ri gjërat e vendit drejt anëtarësimit në BE, ndryshe sa ndodhën në tridhjetë vitet e fundit”, theksoi drejtori i IRI-t.

Demokracia

Nga Anketa e Institutit Republikan doli po ashtu që më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur.

Pjesa dërrmuese e qytetarëve të anketuar besojnë se demokracia është forma më e mirë e mundshme e qeverisjes së vendit.

Por vetëm një e treta e tyre mendojnë se vendi po qeveriset në interes të shumicës së popullatës, ndërsa afro dy të tretat (62%) shprehen se qeverisja punon për interesat e disa grupeve.

Ky perceptim është më shumë i përhapur tek të anketuarit nga 18 deri 35 vjeçarë (72%), por kjo është një përgjigje e qëndrueshme edhe në moshat e tjera nga 36 deri mbi 56 vjeç e lart (59%).

Të pyetur nëse të rinjtë e sotëm kanë një të ardhme të mirë në Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve të anketuar (57%) përgjigjen negativisht, kundrejt 40 për qind të atyre që shprehen pro një të ardhme të mirë.

Krahasuar me një vit më parë, përgjigja se rinia nuk ka një të ardhme të mirë në atdhe sivjet është përkeqësuar me 3 pikë. Shumica e të anketuarve në këtë përgjigje negative janë të rinj, por po ashtu janë shprehur njëlloj edhe shumë të anketuar nga të gjithë grupmoshat.

“Gjetjet kryesore të sondazhit, – thotë drejtuesi i IRI-t, John Fluharty, – janë se qytetarët shqiptarë vazhdojnë të kenë shqetësime për ecurinë e demokracisë shqiptare, por ata e duan idenë e demokracisë dhe duan të shohin që të hidhen hapa gjigantë përpara. Ata e shohin SPAK-un si një mënyrë për të ndihmuar, që kjo të ndodhë. Qytetarët mbështesin përpjekjet kundër korrupsionit, sepse ata e kuptojnë që e gjithë kjo lidhet me përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Lufta kundër korrupsionit është një mënyrë e mirë për të rikthyer besimin e njerëzve tek demokracia, sepse ligji dhe barazia para ligjit është shtylla e demokracisë”, – tha zoti Fluharty.

Zgjedhjet

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, qytetarët shprehin masivisht gatishmëri të lartë për të votuar, ndonëse janë ndarë baras sa i takon pyetjes nëse njerëzit e thjeshtë mund të ndikojnë në vendimmarrjen e vendit.

Afro dy të tretat e të anketuarve (62%) thonë se zgjedhjet apo ofertat në politikën shqiptare janë shumë të kufizuara dhe se forcat e reja politike duhet të ofrojnë alternativa të tjera në zgjedhjet e ardhshme.

Ky mendim mbizotëron në të gjithë grupmoshat. Kjo përgjigje e re vjen tani nga të anketuar, mbi 90 për qind e të cilëve pohuan se në zgjedhjet e kaluara kanë votuar për njërën nga dy a tre partitë më të mëdha.

Aktualisht një e treta e të anketuarve nga të gjithë grupmoshat shprehin pëlqim për partitë e reja, që janë krijuar së fundi. Anketa zbuloi po ashtu se, krahas katër partive më të hershme (PS, PD, PSD, PL), qytetarët shprehin besim edhe në katër parti të reja (Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Nisma).

Drejtori i IRI-it, Fluharty, thekson që partitë politike janë në fund të tabelës së besimit nga qytetarët dhe ky është një mesazh për to.

“Sondazhi, – thotë zoti Fluharty, – nuk i sheh zgjedhjet si një garë kuajsh kokë më kokë; se kush fiton ato, nuk është aq e rëndësishme, sa biseda se kujt i përkasin partitë politike: A i përkasin ato një grupi njerëzish, që kanë të njëjtat pikëpamje, apo që besojnë tek një individ. Ka një hendek midis në të kuptuarit thelbësor për qytetarët se cilës parti i përkasin, çfarë përfaqësojnë ato, çfarë ideologjie dhe programesh kanë, sepse kur njerëzit qëndrojnë të lidhur me individë të veçantë, gjithmonë ka një pyetje për motivin e kësaj”, shtoi drejtori i IRI-t për Shqipërinë.

Në anketën e IRI-t vetëm një pakicë (16%) tha se nuk ka gjasa që të votojnë në maj, për shkak se sipas tyre, vota dhe zgjedhjet nuk kanë rëndësi, se asnjë kandidat apo parti nuk i frymëzon dhe nuk i përfaqëson.

Shumica e të anketuarve (58%) besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, përballë 40 për qind, që mendojnë të kundërtën.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve që pritet të votojnë për PS-në (90%) mendojnë që zgjedhjet e majit do të jenë të lira, ndërsa tre të katërtat e atyre që pritet të votojnë PD-në shprehen se zgjedhjet nuk do të jenë të lira.

Pjesa më e madhe e të anketuarve (58%) besojnë se KQZ-ja është e aftë të organizojë dhe të mbikëqyrë zgjedhjet, por pjesa tjetër (41%) kanë pak ose aspak besim tek KQZ-ja.

Anketimi zbuloi një shqetësim në rritje të qytetarëve për dhunë të mundshme në zgjedhje, sa afro dyfishi i një viti më parë. Një vit më parë këtë shqetësim e shprehën 27 për qind të qytetarëve, ndërsa sot ata janë afro dyfishi (45%). Pjesa dërrmuese e të anketuarve që e ngrejnë këtë shqetësim mbi dhunën e mundshme në zgjedhje i përkasin asaj pjese, që mendohet se voton për PD-në.

Sa i takon mbështetjes së politikanëve, në sondazh spikatin diferencat e ndjeshme midis kryeministrit socialist Edi Rama (35%), përballë kryetarit të PD-së Sali Berisha (14 për qind), por në skajin tjetër të tabelës besimi për figura të tjera është po a q i lartë (26%), sa edhe mosbesimi i plotë tek asnjë politikan (28%).

Mbi 60 për qind e të anketuarve besojnë dhe shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë, ndërsa pjesa tjetër (afro 40%) nuk kanë shumë shpresë për një të ardhme më të mirë, por pohojnë madje se kanë frikë, shqetësim e pasiguri për të ardhmen dhe nuk besojnë tek ndonjë përmirësim për këtë.

Më shumë se gjysma e të anketuarve nga IRI (52%) pohuan se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një shifër kjo me 6 pikë në rënie krahasuar me një vit më parë (58%). Megjithatë qeveria Rama gëzon një aprovim të përgjithshëm nga më shumë se gjysma e të anketuarve (58%), edhe për sa i takon efektshmërisë (55%).

Shumica dërrmuese e qytetarëve (74%) pohuan se janë të informuar mjaftueshëm mbi zgjedhjet e ardhshme, por duan më shumë informacion mbi programet partiake dhe kandidatët e tyre.

Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese (88%) e të anketuarve thanë se nuk kanë parë gjatë 12 muajve të fundit ndonjë aktivist partiak në zonën e tyre.