Aplikacion
Në vitin 2023, Italia nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme prej 710 milionë dollarësh për të dërguar azilkërkues nga vendet që i konsideron “të sigurta” në qendrat e pritjes “përtej detit” në Shqipëri, e cila nuk është në Bashkimin Evropian, ku më pas do të përpunoheshin kërkesat e tyre për azil.
Por skema për të frenuar ardhjet e emigrantëve u shndërrua shpejt në një katastrofë politike dhe financiare – një gjë që nxjerr në pah se si, pavarësisht ambicieve evropiane për të trajtuar migrimin përmes qendrave në “offshore”, këto plane përballen aktualisht me shumë pengesa për të qenë të realizueshme.
Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni prezantoi skemën, e cila përfshin kapjen e emigrantëve meshkuj në det dhe transportimin e tyre direkt në objektet shqiptare, si një plan potencial për BE-në për të përpunuar emigrantët jashtë kufijve të saj. Në tetor 2024, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerësoi marrëveshjen Itali-Shqipëri, duke thënë se liderët e BE-së kishin shumë për të mësuar prej saj dhe duke i inkurajuar ata të konsideronin “nyjet e kthimit” në det të hapur si opsione të vlefshme për menaxhimin e kërkesave për azil.
Por më vonë atë muaj, pasi Italia transportoi një grup emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti në Shqipëri, një gjykatë italiane vendosi që të gjithë ata të dërgoheshin në Itali. Gjyqtarët cituan një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, i cili përcaktonte se një vend i origjinës mund të caktohet “i sigurt” vetëm nëse i gjithë vendi është “i sigurt” dhe për të gjitha grupet e pakicave. Qeveria e Melonit e ka apeluar vendimin dhe së fundmi është zotuar të ndjekë planin e saj. Deri më sot, Italia nuk ka përpunuar me sukses asnjë kërkesë të vetme për azil në qendrat offshore.
Marrëveshja Itali – Shqipëri u kritikua nga opozita dhe pjesa më e madhe e elektoratit italian. Sipas një sondazhi të fundit, 55% e votuesve nuk e mbështesin programin. Një nga arsyet është financiare. Transporti i parë i azilkërkuesve me rrugë detare për në Shqipëri me një anije italiane kushtoi rreth 262 mijë dollarë, rreth 16 400 dollarë për emigrant dhe skema mund të kushtojë më shumë se 1 miliard dollarë gjatë 5 viteve.
Pati gjithashtu shqetësime serioze politike, ligjore dhe të të drejtave të njeriut që në fillim. “Nuk ka asnjë mënyrë që Meloni dhe aleatët e saj të mos e dinin që në fillim se ekzistonte rreziku që marrëveshja të mos funksiononte” – thotë Salvatore Fachile, një avokat në Shoqatën Italiane për Studime Juridike mbi Emigracionin.
“Ishte e qartë kur vizituam këto qendra se ato nuk po respektonin të drejtat themelore të njeriut, sepse këto objekte të paraburgimit de facto në det të hapur për të huajt nuk i përkasin një kombi demokratik evropian” – thotë Riccardo Magi, kreu i partisë opozitare italiane “Më shumë Europë” i cili ishte pjesë e një delegacioni të liderëve të opozitës së majtë që shkuan në qytetin port shqiptar të Shëngjinit verën e kaluar.
“Vendimi i GJED-së është vetëm një nga shumë çështje ligjore” – thotë Fachile. “[Meloni] në të vërtetë u përpoq të zgjeronte fuqitë e saj”. Në të vërtetë, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Italisë me Shqipërinë, disa analistë dhe organizata humanitare ngritën shqetësimet se ajo ishte çnjerëzore dhe nuk përputhej me të drejtën ndërkombëtare.
Amnesty International ishte ndër të parat organizata të të drejtave të njeriut që dënoi skemën. “Ne e kishim kritikuar protokollin përpara zbatimit të tij, sepse ai përfshin një ndalim të detyruar për njerëzit që nuk kanë kryer një krim” – thotë Elisa de Pieri, një studiuese në Amnesty. “Dhe shqyrtimi i kërkesës së tyre për azil për disa javë, ndërkohë që atyre u janë hequr liritë themelore, bie ndesh me ligjet ndërkombëtare”.
Ligjvënësit nga partia “Vëllezërit e Italisë” e Melonit këmbëngulin se, nëse ka ndonjë gjë, skema e tyre është më humane se e kaluara, siç është plani i dështuar i Mbretërisë së Bashkuar për të dëbuar azilkërkuesit në Ruandë. “Në planin tonë, Italia do të ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për fatin e burrave dhe qendrat shqiptare do të punonin sipas legjislacionit italian, duke respektuar normat standarde të të drejtave të njeriut. Është padyshim një plan që mund të përmirësohet, por siguron një zbatim korrekt të normave ndërkombëtare”, – thotë Emanuele Loperfido, deputet i “Vëllezërit e Italisë”.
“Numri i lartë i të ardhurve është një problem në mbarë Evropën dhe ne po propozojmë një alternativë të drejtë ndaj trafikantëve që përfitojnë nga ky biznes” – thotë Loperfido, duke shtuar se plani “në fund na jep një instrument të ri për të menaxhuar migracionin në një sistem sistematik dhe si një çështje të organizuar dhe jo si një emergjencë.”
De Pieri, megjithatë, beson se “e djathta ekstreme po përdor “krizën” e migracionit për qëllime politike, pa respektuar në fakt detyrimet e saj ndaj njerëzve në lëvizje”. Ajo theksoi se ardhjet janë ulur me 60% në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë. “Kërkesa jonë është që politikanët në pushtet të përqendrohen në forcimin e një sistemi tashmë të vendosur dhe të krijojnë rrugë ligjore për azil në vend që të gjejnë arratisje për të mos lejuar njerëzit të arrijnë në tokën e BE-së” – shtoi ajo.
Ideja e objekteve të azilit në “offshore” nuk është e re. Australia dhe Izraeli kanë përdorur qendrat e paraburgimit në vendet e treta gjatë dekadës së fundit. Vitet e fundit, disa qeveri evropiane kanë shqyrtuar ose tentuar masa të ngjashme pasi kanë kërkuar të ruajnë mbështetjen popullore duke përmbushur premtimet e fushatave për të kufizuar migracionin, duke përfshirë Danimarkën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Fachile beson se nuk ka gjasa që kontraktimi i azilit të funksionojë në BE, pasi shkel shumë ligje ndërkombëtare. Madje mund të dobësojë mbështetjen për qeverinë e Melonit, veçanërisht në një kohë kur ajo gjithashtu po përballet me shkurtime buxhetore në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe sigurimeve shoqërore.
Deri më tani, marrëveshja Itali-Shqipëri ka përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis administratës së Melonit, e cila bëri një fushatë të madhe për menaxhimin e migracionit, dhe gjyqësorit, të cilin e djathta e akuzon si “të politizuar”. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka kërcënuar gjyqtarët në TV, duke thënë: “Ata bënë një gabim dhe do të duhet të paguajnë për këtë”. Edhe Elon Musk, një mik i vjetër i Melonit, iu bashkua debatit, duke shkruar në X: “Këta gjyqtarë duhet të largohen”.
Dhjetorin e kaluar, Meloni i kërkoi GJED-së të hidhte poshtë kundërshtimet ndaj marrëveshjes përpara vitit të ri. Ndërkohë të gjitha forcat e policisë italiane janë larguar nga objektet shqiptare dhe qendrat po përdoren përkohësisht për të strehuar qindra qen endacakë. Ky zhvillim ka rindezur debatin mbi koston e skemës, me kundërshtarët që kritikojnë Melonin se ka krijuar “lukuninë më të shtrenjtë në botë”.
E majta politike e përçarë e Italisë kërkon të përfitojë nga polemikat. Vitet e fundit, e majta ka luftuar për të formuar një koalicion që mund të përballet me “Vëllezërit e Italisë” në pushtet. Por “ky episod ka kontribuar në forcimin e opozitës sonë, sepse të gjithë jemi dakord se është një ide e keqe” – thotë Matteo Orfini, ligjvënës dhe ish-kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë të Italisë.
Megjithatë, opozita e sapobashkuar e di se ka një luftë të gjatë përpara. Debati i BE-së rreth trajtimit të migracionit si një problem në det të hapur nuk do të zgjidhet së shpejti. Dhe tani që Donald Trump është rizgjedhur si president i SHBA dhe i ka dhënë Musk një rol në administratën e tij, qasja e SHBA ndaj migracionit mund të inkurajojë më tej politikanët anti-migrantë përtej Atlantikut.
Gjatë gjithë fushatës së tij, Trump u zotua të dëbonte miliona emigrantë pa dokumente dhe “fjalimi i tij fitues la pak dyshime për qëllimet e tij, duke dyfishuar premtimet për një rregullim gjithëpërfshirës të imigracionit” – thotë Nenad Stekic, një studiues në Institutin e Politikës Ndërkombëtare dhe Ekonomike. Ashtu si projekti i Melonit për Shqipërinë, ka pikëpyetje serioze nëse edhe Trump do të jetë në gjendje ta zbatojë të tijin. Por Stekic parashikon se retorika e presidentit të zgjedhur amerikan mund të ketë pasoja të gjera dhe të frymëzojë liderët e BE-së për të miratuar plane të ngjashme, veçanërisht nëse trazirat në Lindjen e Mesme çojnë në një rritje të ardhjeve të emigrantëve.
“Në BE, partitë e qendrës mund të ndihen nën presion për të miratuar qëndrime më konservatore të imigracionit për të shmangur humbjen e terrenit, duke e bërë konsensusin mbi reformën më sfiduese teksa liderët balancojnë detyrimet humanitare përballë presioneve politike” – shtoi Stekic.
Megjithatë, anëtarët e së majtës italiane thonë se janë gati të kundërshtojnë politikat e ekstremit të djathtë, anti-migrantë, të cilat u përhapën në vend që në vitin 2018, më shpejt se pjesa më e madhe e pjesës tjetër të Evropës. Ata shpresojnë se do të jenë në gjendje të bindin votuesit deri në zgjedhjet e ardhshme – që do të mbahen deri në dhjetor 2027 – se premtimet e së djathtës për të frenuar emigracionin janë vetëm një shpërqendrim nga çështjet reale me të cilat përballen italianët, duke përfshirë kërcënimet ndaj të drejtave të njeriut, si liria e shtypit dhe të drejtat për të protestuar dhe shkalla e lartë e varfërisë.
“Ne ishim të parët që u morëm me të djathtën ekstreme dhe shpresojmë të jemi të parët që do ta heqim qafe atë, në mënyrë që [Shtetet e Bashkuara] të shohin të ardhmen e tyre” – thotë Orsini.
*Autorja Stefania D’Ignoti është reportere e pavarur me qendër në Itali dhe Lindjen e Mesme. Ajo mbulon konfliktet dhe migrimin dhe puna e saj është shfaqur në botime të ndryshme duke përfshirë The Guardian, Time, Economist dhe Al Jazeera.
Shkrimi nga “Foreign Policy”
Analisti Arjan Curri pak ditë më parë ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tu takuar me ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Smaku.
Ai deklaroi se gjendja e saj shëndetësore është shumë e rëndë, andaj duhet patjetër mjekim urgjent që Parashqevia të shërohet.
Curri shtoi se ende nuk e ka marrë veten nga ai takim me ikonën e muzikës, hisotrinë e së cilës e konsideron tragjike.
“Pash që për Prashqevi Simakun ata që ishin pranë saj nuk donin të shihnin realitetin e plotë. Rrethi i vogël dhe miqtë e saj. Situata është shumë më dramatike, gati gati tragjike, nga sa ka dalë në emisione deri tani. Unë në respekt të tyre kam vendosur të heshtë, deri në momentin që duan të thonë diçka vetë. Parashqevi Simaku është një personazh publik dhe njerëzit kanë interes për të.
Parashqevi Simaku ka probleme shëndetësore serioze, fizike dhe psikike të natyrës shpirtërore. Ka nevojë për mjekim. Unë nuk e di nëse do ta bindin të mjekohet, por dikush duhet ta bëjë. Dashuria për një person nuk shfaqet duke i qëndruar afër, e duke i ofruar ushqim e strehim, por asistencë për ta shëruar.
Historia është shumë dramatike dhe tragjike, dua të rezervohem deri në momentin që njerëzit e saj duan të thonë të vërtetën. Nuk mund të fshihet shumë gjatë sekretet për jetën e saj. Jam i tronditur, ende nuk e kam marrë veten nga ajo vizitë”, u shpreh Curri.
Olsi Rama, si alibi për mëkatet e të vëllaitNga Armand Shkullaku
Për shumkënd ishte i habitshëm dhe jo proporcional një monolog prej 35 minutash i kryemistrit Rama me rastin e deklarimit nga SPAK se vëllai i tij nuk rezultonte i përfshirë në çështjen e trafikiut të kokainës, të njohur si dosja Xibraka.
Ndonëse Gazmend Bardhi, njeriu që inicioi verifikimin e implikimit ose jo të Olsi Ramës, e cilësoi qesharake dhe jo përfundimtare deklaratën e prokurorisë, kryeministri ka përfituar nga rasti për t’iu drejtuar qytetarëve me një fjalim të pazakontë, si një alibi patetike për gjithë veprimtarinë e tij politike e njerëzore.
Me tonet dramatike, interpretimin me një zë që dridhej dhe sytë që tregonin lëndimin e padrejtë, Edi Rama foli për brengat e prindërve të ndarë nga jeta, për seksualitetin e tij, për skizofreninë e sajuar, akuzat për dhunë në familje e deri tek ajo për atësinë e djalit të tij. Një rrëfim i pakërkuar që, detyrimisht të çonte tek pyetja: pse e gjithë kjo valë viktimizimi patetik, edhe nëse SPAK i kishte dhënë të drejtë vëllait të tij?
Arsyeja e elegjisë së Edi Ramës për veten, mund të kuptohej vetëm në fund të 35 minutave, kur në emër të poshtërsisë që kundërshtarët i paskëshin bërë atij, ai u kërkoi votat shqiptarëve për një mandat të katërt. Për të arritur në këtë kërkesë, Rama shfrytëzoi të vëllain si alibi për të gjitha mëkatet, skandalet dhe aferat korruptive që rëndojnë mbi atë dhe qeverinë e tij. Mesazhi që ai u mundua të përcjellë, duke iu referuar pjestarëve të familjes me qëllim të qartë ndjeshmërinë e publikut, ishte ai se ashtu si në rastin e Olsit edhe të gjitha akuzat e tjera ndaj tij nuk janë të vërteta. Se ato nuk kanë për bazë realitetin, por hakmarrjen e verbër ndaj suksesit të tij si politikan. Nëpërmjet Olsit, Edi Rama tentoi të zhbëjë edhe Tahirin, Beqajn, Ahmetajn, Kokën, Bllakon, Prengën, Ndokën, Roshin, Çyrben, e dhjetra të tjerë duke i servirur jo si produkte të sistemit që ai ka ngritur, jo si përgjegjësi politike, por si devijime që opozita i përdor me patëdrejtë për të goditur figurën e tij të pastër si kristali.
Jo pa qëllim, ndonëse nuk e kishte përmendur askush, ai e nisi rrëfimin e tij me aspektin personal për të dalë pastaj si rrjedhojë “logjike” edhe tek profili politik. Apologjia e kreut të organizatës së Rilindjes ishte e ndërtuar mbi këtë dikotomi. Pra nuk jam homoseksual siç më kanë akuzuar, por nuk kam as saraje. Nuk jam skizofren, por nuk kam përfituar asnjë kokërr leku. Nuk kam dhunuar gratë e familjes, por nuk kam lidhje me asnjë kriminel. Nuk kam shpifur ndaj babait tim, por nuk kam vjedhur apo blerë zgjedhjet…
Në një gjysëm rasti që iu dha, nëpërmjet “çlirimit” të të vëllait nga implikimi në një aferë të rëndë, Edi Rami provoi të përfitojë për të barabitur kësisoj të gjitha akuzat ndaj tij. Por problemi i kryeministrit nuk është i vëllai, të cilin nuk e ka zgjedhur vetë, por ata që ai zgjedh për të qeverisur shqiptarët dhe për të cilët edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë pikën e përgjegjësisë politike. Çfarë lidhje kanë të ndjerët Aneta e Kristaq me skandalet elektorale të Dibrës, Durrësit apo Elbasanit? Po orientimi seksual i kryeministrit ku ndikon tek sterilizimi apo inceneratorët? Nëse zëvendësi i tij ka denoncuar se bashkëshortja e kryministrit abuzon me pushtetin e këtij të fundit te AKSHI apo e bija ka përfituar tek projekti i Eko Parkut, ku hyn akuza për skizofreni apo dhunë ndaj grave?
Pra është e qartë se i gjithë parashtrimi emocional i monologut të Ramës me rastin e Olsit, nuk ishte gjë tjetër veçse një tentativë propagandistike për t’u parë nga shqiptarët si viktimë edhe për gjëmat e Rilindjes në këto 12 vjet. Dhe ndonëse qëllimi për t’ia bërë publikut “mishin me kokrra” ishte primar, kryeministri nuk e përmbante dot gjuhën e urrejtjes duke e zhvlerësuar instiktivisht dëshirën për t’u dukur si viktimë. Jashtënxjerrje, palo djalë, tutor, zorrë jashtëderdhje etj, ishin shpërthimet e “viktimës” që po e tret jetën për të mirën e Shqipërisë.
E nëse elegjia e Ramës për veten nuk do të ishte një monolog, përballë tij do të kishte mjaftuar vetëm një pyetje për të kuptuar thelbin e rrëfimit patetik: Po mirë Olsi e të gjitha akuzat personale janë shpifje të ulëta, po shokët e armëve, banditët e zgjedhjeve, milionat e avulluara, hajdutët e ministrive e bashkive, kriminelët jashtë e brenda, i zgjodhe vetë apo t’i caktuan opozita, kanalet e portalet? Rasti i Olsit nuk është i vlefshëm për të bërë katharsisin e Rilindjes. Përndryshe kthehet në rastin tipik të përdorimit të familjes për kredite politike, pikërisht ai për të cilin Edi Rama akuzoi kundërshtarët në monologun 35 minuta.
Zjarret në Los Anxhelos, Beyonce dhuron 2.5 milionë dollarë për të prekuritKëngëtarja Beyoncé ka dhuruar 2.5 milionë dollarë për të mbështetur të prekurit nga zjarret në Los Angeles.
‘Los Angeles ne jemi me ju. BeyGOOD po merr masa duke njoftuar një donacion prej 2.5 milionë dollarësh për Fondin e Ndihmës nga Zjarri në Los Angeles. Fondi synon të ndihmojë familjet në zonën e Altadena/Pasadena që humbën shtëpitë e tyre, si dhe kishat dhe qendrat komunitare për të adresuar nevojat imediate të atyre që janë prekur nga zjarret ”, shkruhet në postim.
Ndërkohë, të famshëm si Halle Berry kanë dhuruar mallra dhe gjëra thelbësore, ndërsa të tjerë kanë ofruar mbështetje financiare në mes të katastrofës. Pavarësisht se humbi shtëpinë e saj në Malibu nga flakët, Paris Hilton ka dhuruar 100,000 dollarë dhe është zotuar të fillojë një fushatë për të mbledhur 100,000 dollarë të tjera për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Aktorja Eva Longoria u emocionua në një video në Instagram duke folur për vendimin e saj për të dhuruar 50,000 dollarë për të mbështetur njerëzit e prekur nga zjarret.
Princi Harry dhe Meghan Markle, të cilët shtynë premierën e planifikuar të shfaqjes së saj në Netflix për muajin mars, dhanë gjithashtu kontributin e tyre për të prekurit.
Helikopteri i Forcave Ajrore përdoret për “udhëtim turistik” në AlpeNë fillim të dhjetorit të vitit të shkuar, një helikopter i Forcave Ajrore u ngrit nga fusha e futbollit në stadiumin e “Vllaznisë” në Shkodër dhe fluturoi përmbi Alpet e veriut të Shqipërisë. Por ky nuk ishte një fluturim emergjence dhe as ndonjë mision i rëndësishëm ushtarak.
Helikopteri i ushtrisë shqiptare fluturoi drejt Alpeve me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kreun e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe zv.presidentin e Komitetit Olimpik austriak, Peter Schröcksnadel në bord.
Përmes një postimi në Facebook më 2 dhjetor, Beci e përshkroi përvojën si “një udhëtim i bukur pune me investitorë austriakë për të vlerësuar potencialin për resort skish në Alpe…”. Në videon e postuar nga Beci, tre udhëtarët dhe shoqëruesit e tyre pozojnë të buzëqeshur me pamjet magjike të Alpeve pas shpine.
Helikopteri i publikuar në video i përket flotës së vogël dhe problematike të mjeteve ajrore Cougar në dispozicion të ushtrisë shqiptare, të cilat gjatë viteve të fundit kanë vuajtur nga avaritë dhe problemet e vazhdueshme me mirëmbajtjen.
Edhe pse nuk ka një ligj që rregullon specifikisht përdorimin helikopterëve ushtarakë, rregullore të brendshme të Shtabit të Përgjithshëm normojnë përdorimin e tyre në misione ushtarake, në rastet e emergjencave civile dhe në transportin e zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci i tha BIRN përmes telefonit se udhëtimi ishte organizuar nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe se ai ishte thjesht “shoqërues në udhëtim”.
“Mua më morën në Shkodër, e kishte organizuar Komiteti Olimpik Shqiptar”, the Beci.
Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli nuk pranoi të komentonte deri në publikimin e këtij shkrimi dhe i kërkoi pyetjet me shkresë zyrtare.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se përmbushja e kërkesës së ardhur nga Komiteti Olimpik Shqiptar për vënien në dispozicion të helikopterit ishte brenda rregullave. Shtabi tha gjithashtu se ky fluturim përputhej me misionin e Forcave të Armatosura “për promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit në arenën ndërkombëtare përmes kontributit të sportistëve të nivelit të lartë”.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit civilo-ushtarak kanë detyrimin të bashkëpunojnë me autoritetet civile dhe organizatat qeveritare e joqeveritare,” tha Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se aktualisht siguronte kapacitete të mjaftueshme të transportit ajror në gatishmëri të plotë.
Kjo nuk është hera e parë që helikopterët e Forcave Ajore përdoren për qëllime përtej misionit ushtarak. Në vjeshtë 2020, opozita denoncoi se atëherë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përdori helikopterin për të marrë pjesë në aktivitete të Partisë Socialiste. Më herët në vitin 2013, socialistët dhe opozita e kohës, akuzuan Arben Imamin, ish-ministrin e Mbrojtjes në qeverinë Berisha, se kishte lejuar përdorimin e helikopterëve dhe pilotëve të bazës ajrore në Farkë për videoklipin e një këngëtareje.
Rasti më i fundit i shpërdorimit të helikopterit të Forcave Ajrore për udhëtimin në Alpe kritikohet si një akt i paligjshëm dhe në dëm të kapaciteteve ushtarake shqiptare.
“Nuk mund të përdoren mjetet e Forcat Ajrore për të bërë xhiro turistike, nuk janë taksi. I bie t’i kthesh Forcat Ajrore në agjenci turistike apo agjenci taksish,” tha për BIRN Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcës Detare.
“Është plotësisht e jashtëligjshme. Sjell amortizimin e panevojshëm të kapaciteteve dhe gadishmërisë së Forcave të Armatosura, për një aktivitet që nuk është objekt i fushës së tyre të punës”, shtoi ai.

Edhe Lindita Metaliaj, deputete e Partisë Demokratike dhe anëtare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare e cilëson flagrant rastin. Metaliaj tha gjithashtu se rasti meritonte të hetohej pasi shkelja e ligjit dhe shpërdorimi i parave publike ishte sipas saj i qartë.
“Përdorimi i këtyre mjeteve për qëllime private e bën paligjshmërinë akoma edhe më flagrante”, tha Metaliaj, ndërsa akuzoi kryeministrin për instalim të një kulture të përdorimit të mjeteve shtetërore për qëllime private.
“…nëse organet e drejtësisë do të funksiononin, ata duhet të japin llogari për paratë e shpërdoruara të taksapaguesve,” përfundoi ajo./BIRN
Mit apo e vërtetë? A sinkronizohen ciklet menstruale kur gratë jetojnë bashkë?Të gjitha e kemi dëgjuar: kur gratë kalojnë shumë kohë bashkë, ciklet e tyre menstruale fillojnë të sinkronizohen. E kemi parë me mikeshat, shoqet e dhomës apo koleget, dhe shumë vajza e besojnë këtë teori.
Por a është thjesht një rastësi?
Emma, 24 vjeçe, tregon për “Bbc News” se kur jetonte me pesë vajza të tjera gjatë universitetit, brenda pak muajsh të gjitha kishin periodat në të njëjtën kohë.“Do ishte shumë e çuditshme që të ndodhte rastësisht,” thotë ajo. “Blinim tamponë në të njëjtën kohë dhe të gjithë e ndjenin ndryshimin në humorin tonë, madje edhe bashkëjetuesi ynë i vetëm djalë.”
Nga filloi ideja e sinkronizimit të cikleve?
Një nga studimet e para që përmendi këtë fenomen u publikua në vitin 1971 në revistën shkencore “Nature”. Studiuesja Martha McClintock analizoi ciklet menstruale të 135 grave në një kolegj amerikan dhe zbuloi se shoqet e dhomës kishin më shumë gjasa të kishin periodat në të njëjtën kohë sesa gratë që nuk kalonin shumë kohë bashkë.
McClintock hodhi hipotezën se shkaku ishin feromonet – ato kimikate që trupi lëshon dhe që ndikojnë te sjelljet e njerëzve përreth.
Por përse evolucioni do të krijonte një fenomen të tillë? Një teori interesante sugjeron se sinkronizimi ishte një mënyrë që gratë të mbronin njëra-tjetrën nga dominimi i një burri të vetëm. Nëse të gjitha bëheshin pjellore në të njëjtën kohë, një burrë nuk mund të kishte kontroll mbi të gjitha.
Çfarë thonë shkencëtarët sot?
Megjithëse shumë gra besojnë se ciklet menstruale sinkronizohen, disa studiues janë skeptikë. Alexandra Alvergne, pedagoge në “Oxford University”, thotë se njerëzit kanë prirje të kërkojnë histori interesante për të shpjeguar atë që shohin.
“Është më emocionuese të mendosh se sinkronizimi është një fenomen biologjik, sesa të pranosh që mund të jetë thjesht rastësi,” thotë ajo.
Pse na duket sikur periodat përkojnë me ato të mikeshave?
Alvergne shpjegon se ciklet menstruale të grave mund të kenë disa mbivendosje, por kjo nuk do të thotë që ato sinkronizohen plotësisht. Për shkak se një cikël zakonisht zgjat nga 21 deri në 35 ditë, rastësitë janë të pashmangshme.
Në fund të fundit, shkenca ende nuk ka një përgjigje të prerë për këtë pyetje. Por një gjë është e sigurt: për disa gra, ideja që ndajnë të njëjtin ritëm biologjik me mikeshat u jep një ndjenjë lidhjeje dhe solidariteti – qoftë edhe nëse është thjesht një rastësi.
Tabaku çon në Kuvend projektligjin për mikrokreditë: Analizë për konsumatorët. Stop reklamave!Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon të rrisë mbrojtjen për kredimarrësit.
Në dokumentin e dërguar Kuvendit, propozohet një analizë e detajuar e aftësisë paguese të konsumatorit dhe vlerësimi i rreziqeve të të ardhurave para se të miratohet kredia. Aty propozohet se institucionet mund të përdorin dhe burime të tjera të besueshme për të kryer vlerësimin financiar të konsumatorëve.
Tabaku sugjeron të vendoset me detyrim një tabelë informuese për tabelën e kostove dhe detyrimeve të pagesës, për modifikimin e marrëveshjes së kredisë si dhe të drejtat dhe detyrimet në rastin e shlyerjes së kredisë konsumatore para afatit të maturimit.
Drafti ndalon çdo lloj forme marketingu e kredisë konsumatore, që inkurajon konsumatorët të aplikojnë, duke sugjeruar se kredia do të përmirësonte gjendjen financiare të tyre.
Ligji parashikohet të zbatohet nga të gjithë ofruesit e kredie, përfshirë bankat, shoqëritë e huasë dhe çdo institucion financiar që ofron kredi për individë për qëllime personale, si dhe për çdo formë tjetër të kredisë konsumatore. Ndërkohë që, në rast të shkeljeve parashikohen gjoba deri në 300 mijë lekë për institucionet kredituese.
Propozimi i deputetes së PD-së vjen disa muaj pas skemës së mashtrimit me mikrokredi. Skandali nxorri zbuluar institucionet financiare që miratonin kredi në seri, pa kryer vlerësime financiare të kredimarrësve.
Nga emigrantët te vaksinat,100 vendimet që do të miratojë Trump në ditën e tij të parë të pushtetitDonald Trump është gati të fillojë presidencën e tij të dytë në mënyrë agresive duke lëshuar njëqind urdhra ekzekutivë në ditën e parë.
Paraqitja e prioriteteve të të tij në inaugurimin e 20 janarit, është një procedurë mjaft e zakonshme për çdo president, por jo e këtyre përmasave: miliarderi dhe ekipi i tij, po planifikojnë një ofensivë të paparë në kohët moderne në Shtetet e Bashkuara, e cila përfshin një ushtrim të paprecedentë të pushtetit duke anashkaluar aparatin e Kongresit.
Presidenti i zgjedhur i ka diskutuar planet ambicioze të mërkurën e kaluar me senatorët republikanë në Capitol Hill së bashku me këshilltarin e tij më të afërt, atë për sigurinë e Brendshme, Stephen Miller, i cili përshkroi përmbajtjen e fushatës legjislative: emigrantët, taksat, vaksinat, politikat mjedisore dhe energjia.
Shumë prej urdhrave, sipas raportimeve të mediave amerikane, do të synojnë anulimin e disa masave të administratës demokrate ose rivendosjen e disa prej atyre të mandatit të parë, siç është përfundimi i murit në kufirin me Meksikën.
Nga ana tjetër, Joe Biden nënshkroi 42 urdhra ekzekutivë në 100 ditët e tij të para në detyrë, 21 prej të cilave ishin përmbysje të veprimeve të administratës Trump.
Në veçanti për emigracionin, miliarderi synon të nisë një sërë masash masive, që nga krijimi i qendrave të paraburgimit, ku do të qëndrojnë emigrantët pa dokumente deri në ditën e dëbimit e deri në shtrëngimin e të ashtuquajturit “Titulli 42”, kufizimet e hyrjes të vendosura gjatë pandemisë të Covid-it, të cilin presidenti demokrat nuk e eliminoi kurrë, por që skadoi në maj 2023.
Manjati gjithashtu ka të ngjarë të rivendosë ligjin që kërkon që emigrantët të aplikojnë për hyrje në vende të tjera ose në Meksikë në vend që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në total, paketa e emigracionit është një paketë prej 100 miliardë dollarësh që Kongresi duhet të gjejë një mënyrë për ta financuar, për të mos përmendur premtimet e tjera të shtrenjta të fushatës nga shpenzimet e reja të mbrojtjes, deri në zgjatjen e uljes së taksave 2017 me përfitime të reja për bizneset dhe individët e mëdhenj.
Gjatë takimit dy-orësh në Capitol Hill, Trump dhe senatorët republikanë diskutuan strategjinë më të mirë për të çuar përpara pikat kryesore të agjendës së presidentit të zgjedhur, si siguria kufitare dhe shkurtimet e taksave.
Udhëheqësi i shumicës së Senatit, John Thune dhe Kryetari i Komitetit të Buxhetit, Lindsey Graham, kanë propozuar që të ndahen masat për të miratuar fillimisht politikat e kufirit, furnizimit me energji dhe mbrojtjes, ndërsa Trump këmbëngul të vendosë gjithçka në një ligj.
Midis një deklarate financiare dhe një tjetre, ka urdhra ekzekutivë që “The Donald” mund t’i nënshkruajë që në 20 janar, në një “tavolinë të vogël” në një nga dhomat në Capitol Hill, siç sugjeroi me ironi gjatë fushatës zgjedhore.
Tema tjetër e nxehtë që mund të jetë objekt i përshpejtimit legjislativ, janë vaksinat, për të cilat presidenti i zgjedhur nuk ka marrë ende një qëndrim të qartë, pavarësisht se i ka besuar udhëheqjen e kujdesit shëndetësor një anti-vakseri të njohur, si Robert Kennedy Jr.
U vra në Novoselë, Kristjan Marku ishte nip i Martin Bardhit të vrarë në shtator 2023 më RrëshenKristjan Marku që u vra sot në një atentat Novoselë, në autostradën Vlorë-Fier ishte nipi i Martin Bardhit të vrarë në shtator të vitit 2023, në Rrëshen.
Martin Bardhi u ekzekutua me armë zjarri paraditen e 26-shtatori 2023 teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi të tij në Rrëshen.
Nga breshëria e plumbave mbeten të plagosur dhe tre persona të tjerë të cilët ishin nën shoqërinë e viktimës, ndërsa autoret e ngjarjes ishin dy persona të maskuar të cilët u larguan me një foristradë e cila u gjet e djegur në fshatin Gziq të Mirditës.
Vrasja e Bardhit është dyshuar të ketë lidhje me një konflikt të mundshëm me familjen Reçi, megjithatë të pyetur nga policia këta të fundit e mohuan një lidhje të till
Atentate Mafioze si në Meksikë: A Duhet të Japë Dorëheqjen Ilir Proda?Shqipëria po kalon një periudhë të errët ku krimi i organizuar dhe dhuna po dominojnë çdo aspekt të jetës publike, ndërsa policia duket tërësisht e paaftë dhe e zhytur në apati. Vetëm disa orë më parë, një 30-vjeçar u vra në një atentat mafioz në autostradën Fier-Vlorë, duke shtuar edhe një kapitull të ri në kronikën e zezë të krimit të pandalshëm. Viktima, Kristian Marku, ishte një personazh me precedentë penalë, por asgjë nuk justifikon faktin që krimi po ndodh në dritë të diellit, duke e bërë policinë të duket si një spektator i pafuqishëm.
Policia, nën drejtimin e Ilir Prodës, duket se ka humbur çdo besueshmëri në luftën kundër krimit. Në vend që të godasë bandat dhe të vendosë rregull, policia e shtetit është kthyer në një makineri burokratike që shpenzon energji vetëm për emërime drejtorësh e shefash të rinj komisariatesh dhe shërbime të vogla që nuk ndikojnë aspak në luftën ndaj kriminalitetit. Në tre muaj drejtim, Proda ka firmosur vetëm për të vendosur njerëzit e tij në pozicione kyçe, ndërsa qytetarët shohin të njëjtin skenar të dhunës dhe kaosit në rrugë, lagje e lokale.
Krimet mafioze si ai në autostradën Fier-Vlorë apo vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi një natë më parë në Tiranë dëshmojnë se krimi e ka humbur çdo frikë ndaj shtetit. Vrasësit lëvizin lirisht, organizojnë atentate me armë nga më të ndryshmet, ndërsa policia vazhdon të gërmojë në hirin që lënë makinat e motorat e atentatorëve në pëprjekje për të gjetur gjurmë që rrallë herë çojnë në arrestime të bujshme.
Situata aktuale nuk është vetëm një dështim operacional, por një krizë morale dhe strukturore. Bandat duket se jo vetëm që nuk i frikësohen policisë, por edhe që e përdorin si një mjet për të mbrojtur interesat e tyre. Ka zëra se emërimet në hierarkinë më të lartë të policisë janë ndikuar nga krimi i organizuar, ndërsa policia, në vend që të luftojë krimin, duket se është pajtuar me sistemin ku të “fortët” vendosin rregullat e lojës.
Qytetarët e zakonshëm luten që mos të kenë ndonjëherë nevojë për ndihmën e policisë. Uniformat blu janë të pranishme vetëm për të vendosur gjoba për parkime të parregullta apo për shkelje të vogla të qarkullimit rrugor. Edhe në këto raste jo në shërbim të qytetarëve. Sepse, kur bëhet fjalë për të ndalur makinat e blinduara të bandave apo për të arrestuar kriminelët e njohur, policia mbyll sytë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, po rezulton një zhgënjim. Në çdo vend tjetër europian, një seri kaq e gjatë krimesh do të kishte mjaftuar që drejtuesi i policisë të jepte dorëheqjen. Por jo në Shqipëri. Këtu, krimi po lulëzon ndërsa ata që janë përgjegjës për luftimin e tij mbeten të patrazuar në rehatinë që ofron kolltuku i pushtetit.
Bandat po përgjakin lagjet, shkollat, lokalet dhe rrugët e Shqipërisë. Qytetarët janë të frikësuar, ndërsa shteti duket i kapur dhe i pafuqishëm. Në këtë klimë kaosi dhe pasigurie, Ilir Proda mund të vijojë të firmosë për të çuar të besuarit e tij në poste drejtuese të policisë, por e vetmja firmë që mund të sjellë shpresë për ndryshim është ajo në fletën e dorëheqjes së tij. Ai do t’i hapte kështu rrugën njëudhëheqje që e kupton se misioni i policisë është të mbrojë qytetarët dhe të godasë kriminelët, jo t’u shërbejë interesave të errëta. Shqipëria nuk mund të presë më gjatë. /Zoom.al