zoom

Day ArchiveZjarret në Los Anxhelos, shkatërrimet me përmasa historike

Auroritetet vazhduan përpjekjet për të shuar zjarret masive në orët e para të së enjtes në zonën e Los Anxhelosit që shkatërruan komunitete të tëra.

Mbi 100 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Zjarret që filluan të martën kanë shkaktuar tashmë disa vdekje dhe kanë shkatërruar rreth 2 mijë struktura.

Pamjet dramatike kanë vazhduar gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit.

Kalimtarë të rastit u munduan ta shpëtojnë një shtëpi e cila rrezikonte të digjej nga flakët që kishte përfshirë një palmë aty pranë. Kalimtarët komunikuan me banorët e evakuuar të shtëpisë për t’i lejuar të hipin në çati të hedhin ujë mbi pemën që të mos lejonin përhapjen e zjarrit në tërë lagjen. Shumë situata të ngjashme janë publikuar gjithandej në rrjete sociale.

Banorët në qendër të Los Anxhelosit dolën në bulevardin e njohur të Hollivudit ku gjenden disa prej pikave më të njohura të industrisë së filmit për të parë zjarrin që i afrohej qytetit.

“Unë jam shumë e frikësuar sepse kishim një inspektim sot dhe na thanë që zjarret nuk do të kenë mundësi të kalojnë mbi kodra. Kur dolëm këtu në bulevard, fillova të qaja. Është vërtet e frikshme. E di që është më e frikshme për njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre, por është vërtet e frikshme të mendosh se zjarri është kaq afër nesh”, thotë Allison Martin, banore e qytetit.

Imazhet nga hapësira tregojnë shpërndarjen e zjarrit duke kapluar qytetin dhe zonat përreth ndërsa pamjet që tregojnë situatën para dhe pas zjarreve tregojnë nivelin e shkatërrimeve masive.

Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për Kaliforninë që autorizon fonde dhe burime të tjera për katastrofën. Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi se Presidenti Biden anuloi një vizitë të planifikuar më parë për në Itali për shkak të situatës në Los Anxhelos.

“E di se bota po shikon imazhet e shkatërrimit të qytetit tonë. Unë pashë fushat e betejës me zjarrin dhe ato janë tronditëse”, tha në orët e vona të së mërkurës kryetarja e bashkisë së qytetit Karen Bass.

Deri të enjten në mëngjes, katër zjarre ishin ende aktive në Los Anxhelos, përfshirë edhe kodrat në pjesën perëndimore ku gjenden shumica e rezidencave të yjeve të njohura të Hollivudit.

Në mesin e atyre shtëpitë e të cilëve u janë djegur në tërësi janë edhe aktorët Billy Crystal dhe Mandy Moore. Zyrtarët e qytetit treguan se situata po ndryshon nga çasti në çast.

“Momentalisht zjarri ka kapluar një hapësirë mbi 6300 hektarësh. Dua ta bëj të qartë se ky incident është shumë dinamik dhe situata po ndryshon nga çasti në çast”, tha Kristin Crowley, shefja e departamentit të zjarrfikësve të Los Anxhelosit.

Kalifornia po kalon atë që njihet si sezoni i zjarreve në male. Ky sezon megjithatë ka filluar më herët dhe do të marrë fund më vonë si pasojë e rritjes së temperaturave dhe thatësirës për shkak të ndryshimeve mjedisore.

Shirat që zakonisht përfundojnë sezonin e zjarreve po vonohen, që do të thotë se zjarret mund të vazhdojnë të digjen edhe gjatë muajve të dimrit.

Ndërsa autoritetet po përballen me zjarret masive, republikanët dhe demokratët kanë këmbyer akuza për situatën. Republikanët, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump kanë akuzuar udhëheqjen demokrate të Kalifornisë dhe Los Anxhelosit për keqmenaxhim të situatës, ndërsa demokratët kanë akuzuar rivalët e tyre se po shfrytëzojnë tragjedinë për qëllime politike.

Sherr me sende të forta dhe thika në Tiranë, plagosen dy persona

Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri me sende të forta dhe thikë në Tiranë.

Policia bën me dije në rrugën Ndre Mjeda, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi B.D, rreth 69 vjeç, ka goditur me sende të forta shtetasin B.M, rreth 45 vjeç, ndërsa ky i fundit ka goditur me një mjet prerës shtetasin B.D.
Të dy këta shtetas ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë e rrethanave të ngjarjes.

Nxehet studio e “Opinion”/ Fevziu debat të ashpër me të ftuarin

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, është përfshirë në një debat me kreun e partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, pasi ky i fundit e akuzoi se ka mbi 1 vit që nuk ftohet në emision.

Fevziu u shpreh se “s’ka Perëndi në botë të më diktojë mua kë do marr e kë do heq” në lidhje me të ftuarit në emisionin e tij.

Ai renditi hierarkinë e shtetit shqiptar nga të cilët janë ftuar vetëm 1 herë në vit kryeministri dhe kreu i opozitës, po aq sa Qori.

Pjesë nga debati:
Blendi Fevziu: Ky është mendimi yt, por do rrish këtu tani se po bën një akuzë. Tani po t’i marr një për një unë, kryeministri sa herë ka qenë vitin e fundit?
Arlind Qori: Ma thuaj ti, ku di unë?
Blendi Fevziu: 1 herë.
Arlind Qori: Ka dashur të vinte dhe nuk e ke ftuar?
Blendi Fevziu: E ftoj unë.
Arlind Qori: Unë pranoj çdo ftesë. Unë ngrihem nga gjumi në 3 të mëngjesit po më pyeti mua dhe vij në televizion më kupton? Top Channel ka bërë emisione për pensionet dhe nuk ka ftuar asnjë përfaqësues të Lëvizjes Bashkë. Ka bërë emisione, ne kemi bërë 7 protesta për pensionistët dhe nuk ka ftuar përfaqësues të Lëvizjes Bashkë dhe kjo është skandaloze.
Blendi Fevziu: A mund të mbaroj se nuk të jap llogari për Top Channel fare. Do rrimë një herë këtu. Sa herë ka qenë kryetari i opozitës vitin e fundit?
Arlind Qori: Ma thuaj.
Blendi Fevziu: Një herë, në datën 8 Dhjetor.
Arlind Qori: Edhe ata kanë dashur të vijnë?
Blendi Fevziu: Nuk ka rëndësi, nuk duan ata se nuk varet dëshira e tyre fare. Sa herë ka qenë zv/kryeministrja e Shqipërisë? Asnjëherë.
Arlind Qori: Unë nuk e di kush është zv/kryeministrja e Shqipërisë.
Blendi Fevziu: Ti s’e di, por prit do rrimë këtu tani. Sa herë ka qenë ministri i Financave? Asnjëherë në tre vitet e fundit.
Arlind Qori: Po të pyesim publikun si e kanë emrin këta, asnjëri nuk e di!
Blendi Fevziu: Nuk ka rëndësi si e kanë emrin. A po më thua për politikanë? Sa herë ka qenë nënkryetari apo Sekretari i Përgjithshëm i partisë? Asnjëherë në intervistë. Këtu te unë. Ata që janë. Pse ti thua unë jam ata nuk janë. Sa herë ka qenë kryetari i kuvendit në këtë studio në 8 vjetët e fundit? Asnjëherë. Sa herë ka qenë presidenti në këtë studio? Asnjëherë. Ti thua unë s’jam ftuar ndërkohë që unë po të them që gjithë kjo hierarki e këtij shteti, president, kryetare e kuvendit, kryeministri dhe kryetari i opozitës kanë qenë dy herë, në qoftë se e merr listën dhe e sheh aq sa ke qenë ti kanë qenë edhe këta të dy./tvklan.al

DETAJE TË REJA nga ngjarja në Astir/ Identifikohet i dashuri i vajzës, u kap nga kamerat

Policia ka identifikuar dhe ka nisur punën për kapjen e të riut që kishte marrë me qira dy apartamentet, ku në njërin prej tyre u gjetën dy armë zjarri dhe në tjetrin e reja Sajma Qordja.

Kanë qenë kamerat e sigurisë që kanë ndihmuar për identifikimin e tij, ndërsa është parë duke lëvizur me një automjet “Audi Q7”, me targa të huaja dhe xhama të errëta.

Mësohet se të rinjtë nuk kishin një lidhje afatgjatë por shoqëroheshin me njëri tjetri vetëm gjatë kohëve të fundit.

Vritet biznesmeni shqiptar në Itali/ Autori, një bashkatdhtar (FOTO)

Një sipërmarrës shqiptar është gjetur i vdekur mbrëmjen e së martës në Itali.

Mediat në vendin fqinj raportojnë se fillimisht u dyshua se sipërmarrësi 52-vjeçar, Artan Kaja kishte humbur jetën nga shkaqe natyrale, por më pas u zbulua se ai është vrarë me armë zjarri.

Autor i dyshuar i ngajres së rëndë është një tjetër shqiptar i cili është vënë në prangat e policisë, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë ende i ditur.

Artan Kaja ishte pronar i një kompanie për trajtimin e paletave, i cili punonte si kontraktor në Smurfit në Lunata.

Ka qenë gruaja e tij që e ka gjetur të pajetë në një pellg gjaku, e alarmuar ngaqë nuk ishte kthyer në shtëpi. Në fillim kishte qarkulluar hipoteza e një sëmundjeje, por tashmë hetimet kanë marrë një kthesë.

Shkarkimi i Altin Bashës nga drejtimi i Teatrit Kombëtar/ Reagon ashpër Jul Deda

Aktori Jul Deda ka reaguar pas shkarkimit të Altin BAshës nga drejtimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Përmes rrjeteve social, Deda kërkon nisjen e hetimeve për shkeljet që Basha ka kryer gjatë detyrës si drejtues.

Aktori i humorit pretendon se ALtin Basha ka bërë një sërë shkeljesh ku përmend keqpërdorimin e fondeve dhe përfitimet personale për shkak të detyrës.

“Vjen një ditë dhe të kthehet mbrapsht çdo gjë që ti ke pretenduar të bësh dhe çdo gjë që ti ke bërë në kurriz të tjerëve. Nga viti 2008 e mbrapa, dikush për arsye të tij, shumica e aktorëve kanë ikur nga Portokallia sepse nuk janë marrë vesh me zotërinë. Dhe ja ku jemi sot pasi dikush e bleu dhe i premtoi diçka këtij zotërisë këtu, doli pro shembjes së teatrit. Më vonë, ne morëm pse ky doli pro shembjes së teatrit. Sepse ai u bë drejtor i Teatrit Kombëtar.Dhe atje vazhdoi me abuzimet, siç ka abuzuar dhe në TVSH, por ato do dalin më vonë, me njëfarë shfaqje Fustanella. Ka abuzuar me fondet e teatrit. Pra me pak fjalë një hajdutëri e madhe e cila sot konkretizohet me shkarkimin e tij dhe bashkë me të dhe bashkëshortja e tij. Unë shpresoj që drejtësia mos ta leje me kaq. Për sa kohë është shkarkuar për abuzim me fonde, do të thotë që kemi të bëjmë me vjedhje. Dikush ta hetojë dhe ta çojë punën deri në fund”, thotë ai ndër të tjera.

SHBA-të “gati” për ndalimin e Tik Tok-ut

TikTok-u, platforma më e njohur e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara, është bërë pjesë e kulturës amerikane.

Por pronësia e saj kineze dhe qasja e mundshme e Pekinit tek të dhënat e shumta personale, si dhe aftësia për të ndikuar opinionin publik për përdoruesit amerikanë, e shtyu Kongresin ta ndalonte atë.

Kjo ndodhi pavarësisht se drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u bëri thirrje përdoruesve amerikanë të platformës së tij që ta kundërshtojnë legjislacionin e ri.

“Mbroni të drejtat tuaja kushtetuese. Bëjini zërat tuaj të dëgjohen”, bëri thirrje zoti Shou.

Nëse nuk ndryshon diçka nga një vendim i Gjykatës së Lartë, kompania kineze ByteDance, që zotëron TikTok-un, do të humbasë qasjen në tregun e saj më të madh më 19 janar, vëren profesori i juridikut në Universitetin e Minesotës, Alan Rozenshtein.

“Nëse supozojmë se Gjykata e Lartë do ta mbështesë ligjin, dhe nëse administrata e re Trump nuk gjen një zgjidhje tjetër – që dyshoj se do të jenë në gjendje ta bëjë – do të duhet që ose të shitet TikTok-u, ose të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara”, thotë profesori Rozenshtein.

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump e kanë mbështetur masën e ndalimit.

Por zoti Trump shprehu një ndryshim mendimi kohët e fundit, pasi videot e tij të fushatës gjatë zgjedhjeve patën rezultate të mira në TikTok.

“Më sollën një grafik dhe ishte një rekord. Ishte kaq i bukur për t’u parë. Dhe ndërsa e shikoja, thashë: ‘Ndoshta duhet ta mbajmë këtë për pak kohë’,” tha zoti Trump.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjon të premten apelimin e kompanisë së mediave sociale.

Gjyqtarët do të peshojnë argumentin e sigurisë kombëtare përkundër garancive kushtetuese të fjalës së lirë për filialin amerikan të kompanisë ByteDance dhe 170 milionë përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, shpjegon profesori Rozenshtein.

“Ky është njëri dimension i konfliktit. Por në një kuptim tjetër, është gjithashtu një luftë brenda vetë fjalës së lirë, sepse një gjë që qeveria po argumenton është se një nga rreziqet e zotërimit kinez të TikTok është se qeveria kineze do të jetë në gjendje të manipulojë algoritmin dhe për këtë arsye të shtrembërojë vetë mjedisin e fjalës së lirë”, thotë profesori Rozenshtein.

Investitori kanadez Kevin O’Leary thotë se e ka informuar Presidentin e zgjedhur Trump se është pranë arritjes së një marrëveshjeje për të blerë aksionet amerikane të TikTok-ut, gjë që do ta shpëtonte atë nga ndalimi.

“Doja ta informoja atë dhe anëtarët e tjerë të kabinetit për atë që po bëjmë dhe se do të na duhet ndihma e tyre”, tha zoti O’Leary për kanalin televiziv Fox News.

Presidenti i zgjedhur Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta pezullojë çështjen, në mënyrë që ai të mund të negociojë një shitje të platformës, pas inaugurimit të tij të dytë më 20 janar – një ditë pasi do të ketë hyrë në fuqi masa e ndalimit. VOA/

Lëkura e ashpër nga i ftohti, kur është e rrezikshme dhe si ta trajtoni

Një problem që prek shumë njerëz që ekspozohen ndaj temperaturave të ulëta është morthi.

Skuqje dhe pezmatim i lëkurës
Morthi zakonisht prek gishtat e duarve, këmbës, hundën, veshët, faqet dhe mjekrën. Nëse një prej syresh skuqet ose pezmatohet, atëherë kjo është një fazë fillestare e morthit. Në këtë fazë dëmi në lëkurë nuk është i përhershëm por shenjat tregojnë që duhet të ngroheni sa më parë.

Ndjesia e shpimit dhe pickimit
Në fazën e dytë, lëkura e ekspozuar ndaj të ftohtit mpihet. Ajo kruhet, djeg ose përçon ndjesinë e pickimit. Kini kujdes me ngjyrën dhe paraqitjen e lëkurës sepse mpirja vështirëson identifikimin e morthit.

Ashpërsim i lëkurës
Ekspozimi i tejzgjatur ndaj temperaturave e ashpërson lëkurën duke dëmtuar indet në thellësi të saj. Zona e dëmtuar mund të shkëlqejë e të duket si prej dylli. Kërkoni menjëherë ndihmë tek mjeku sepse ekspozimi i mëtejshëm do të dëmtojë lëkurën pa asnjë shans rekuperimi.

Si të ngroheni në mënyrën e duhur
Zonat e prekura nga morthi duhen mbajtur në ujë të ngrohtë për 30 minuta ose të mbështillen me një napë të lagur në ujë të ngrohtë. Temperatura e ujit mund të mos dallohet si pasojë e mpirjes. Ndaj kërkoni ndihmë tek dikush tjetër për të kuptuar nëse uji ka temperaturën e duhur. Pas qëndrimit të duarve apo këmbëve në ujë të ngrohtë, ju do të keni ndjeshmëri në gjymtyrë si pasojë e qarkullimit të rregulluar të gjakut.

Si të parandaloni morthin
Vishuni ngrohtë dhe me rroba të trasha dhe mbrohuni nga koka tek këmbët. Dehidratimi rrit rrezikun e morthit ndaj pini ujë përpara se të dlni jashtë shtëpisë. Ushqehuni mirë përpara se të dilni në të ftohtë dhe mos pini alkol. Nëse keni qëndruar jashtë në të ftohtë për shumë kohë, sigurohuni që ta mbani trupin në lëvizje. Lëvizni por mos e teproni sepse duhet të ruani energjitë për t’u përballur me të ftohtin./AgroWeb

5 të vdekur nga zjarret në SHBA/ Digjen edhe vilat e yjeve të Hollywood

Të paktën pesë njerëz kanë vdekur nga zjarret që kanë kapluar një pjesë të konsiderueshme të Los Anxhelosit.

Rreth 2 mijë struktura, përfshirë shumë shtëpi janë shkatërruar thellë në zemër të industrisë amerikane të filmit. Erërat që arritën shpejtësinë 160 kilometra e kanë përhapur zjarri në një sipërfaqe të madhe, duke arritur në lagjen e mirënjohur ‘Hollywood Hills’ vazhdon të shkatërrohet nga zjarret, njëri prej të cilëve vlerësohet si më i rëndi në historinë e qytetit.

Në mes të shumë shtëpive që janë djegur në tërësi përfshihen edhe rezidencat e një mori yjesh të njohura të Hollivudit.

Auroritetet vazhduan përpjekjet për të shuar zjarret masive në orët e para të së enjtes në zonën e Los Anxhelosit që shkatërruan komunitete të tëra.

Mbi 100 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Zjarret që filluan të martën kanë shkaktuar tashmë disa vdekje dhe kanë shkatërruar rreth 2 mijë struktura.

Pamjet dramatike kanë vazhduar gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit.

Kalimtarë të rastit u munduan ta shpëtojnë një shtëpi e cila rrezikonte të digjej nga flakët që kishte përfshirë një palmë aty pranë. Kalimtarët komunikuan me banorët e evakuuar të shtëpisë për t’i lejuar të hipin në çati të hedhin ujë mbi pemën që të mos lejonin përhapjen e zjarrit në tërë lagjen. Shumë situata të ngjashme janë publikuar gjithandej në rrjete sociale.

Banorët në qendër të Los Anxhelosit dolën në bulevardin e njohur të Hollivudit ku gjenden disa prej pikave më të njohura të industrisë së filmit për të parë zjarrin që i afrohej qytetit.

“Unë jam shumë e frikësuar sepse kishim një inspektim sot dhe na thanë që zjarret nuk do të kenë mundësi të kalojnë mbi kodra. Kur dolëm këtu në bulevard, fillova të qaja. Është vërtet e frikshme. E di që është më e frikshme për njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre, por është vërtet e frikshme të mendosh se zjarri është kaq afër nesh”, thotë Allison Martin, banore e qytetit.

Imazhet nga hapësira tregojnë shpërndarjen e zjarrit duke kapluar qytetin dhe zonat përreth ndërsa pamjet që tregojnë situatën para dhe pas zjarreve tregojnë nivelin e shkatërrimeve masive.

Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për Kaliforninë që autorizon fonde dhe burime të tjera për katastrofën. Shtëpia e Bardhë gjithashtu njoftoi se Presidenti Biden anuloi një vizitë të planifikuar më parë për në Itali për shkak të situatës në Los Anxhelos.

“E di se bota po shikon imazhet e shkatërrimit të qytetit tonë. Unë pashë fushat e betejës me zjarrin dhe ato janë tronditëse”, tha në orët e vona të së mërkurës kryetarja e bashkisë së qytetit Karen Bass.

Deri të enjten në mëngjes, katër zjarre ishin ende aktive në Los Anxhelos, përfshirë edhe kodrat në pjesën perëndimore ku gjenden shumica e rezidencave të yjeve të njohura të Hollivudit.

Në mesin e atyre shtëpitë e të cilëve u janë djegur në tërësi janë edhe aktorët Billy Crystal dhe Mandy Moore. Zyrtarët e qytetit treguan se situata po ndryshon nga çasti në çast.

“Momentalisht zjarri ka kapluar një hapësirë mbi 6300 hektarësh. Dua ta bëj të qartë se ky incident është shumë dinamik dhe situata po ndryshon nga çasti në çast”, tha Kristin Crowley, shefja e departamentit të zjarrfikësve të Los Anxhelosit.

Kalifornia po kalon atë që njihet si sezoni i zjarreve në male. Ky sezon megjithatë ka filluar më herët dhe do të marrë fund më vonë si pasojë e rritjes së temperaturave dhe thatësirës për shkak të ndryshimeve mjedisore.

Shirat që zakonisht përfundojnë sezonin e zjarreve po vonohen, që do të thotë se zjarret mund të vazhdojnë të digjen edhe gjatë muajve të dimrit.

Ndërsa autoritetet po përballen me zjarret masive, republikanët dhe demokratët kanë këmbyer akuza për situatën. Republikanët, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump kanë akuzuar udhëheqjen demokrate të Kalifornisë dhe Los Anxhelosit për keqmenaxhim të situatës, ndërsa demokratët kanë akuzuar rivalët e tyre se po shfrytëzojnë tragjedinë për qëllime politike./ Zëri i Amerikës

Aksident me vdekje në Lezhë, ndërron jetë këmbësori

Një person humbi jetën pasditen e kësaj të enjteje në një aksident rrugor.

Ngjarja ndodhi në aksin Lezhë-Milot, ku shtetasja F. Ll., duke drejtuar automjetin e saj, përplasi një këmbësor, 75 vjeç.

I moshuari humbi jetën menjëherë si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa shoferja që shkaktoi aksidentin u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje.